"PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË "   |   96/2016

Neni 54: Procedurat e komandimit

1. Çdo institucion, i parashikuar në nenin 53, pika 2, të këtij ligji, ku komandohet magjistrati mund të kërkojnë nga çdo Këshill komandimin e magjistratëve për një periudhë të përcaktuar, në çdo rast jo më shumë se pesë vjet.

2. Këshilli, pasi ka bërë vlerësimin e nevojave të tij, brenda dy javëve nga paraqitja e kërkesës për kandidatura nga institucionet, sipas përcaktimeve të nenit 53, pika 2, për plotësimin e pozicioneve të komanduara, shpall kërkesën për kandidatura për plotësimin e këtyre pozicioneve.

3. Këshillat pranojnë kandidaturat e magjistratëve, të cilët përmbushin kriteret specifike të pozicioneve që do të komandohen, nëpërmjet shpalljes, e cila publikohet të paktën në faqen zyrtare të Këshillit dhe duhet të përmbajë informacionin e nevojshëm për pozicionin e lirë, si dhe të përcaktojë:

a. afatin e kandidimit, i cili është të paktën dy javë nga data e shpalljes;

b. informacionin dhe dokumentacionin që i bashkëlidhet kandidimit;

c. procedurën e kandidimit dhe vendin e dorëzimit të dokumentacionit.

4. Këshilli, brenda dy javëve pas afatit të aplikimit, përgatit një opinion për çdo kandidat dhe vlerëson nëse komandimi nuk është në përputhje me interesat e lartë të gjykatës ose prokurorisë ku kandidati ushtron funksionin. Opinioni për çdo kandidat publikohet në faqen zyrtare të Këshillit. Kandidati, komandimi i të cilit nuk është në përputhje me interesat e lartë të gjykatës ose prokurorisë, përjashtohet nga komandimi. Këshilli, brenda dy javëve pas afatit të kandidimit, i dërgon institucionit në të cilin do të bëhet komandimi emrat e kandidatëve që plotësojnë kriteret e pozicionit përkatës.

5. Institucioni ku kryhet komandimi i magjistratëve vlerëson aplikimet dhe kërkon komandimin e magjistratit të përzgjedhur për një periudhë të caktuar kohe.

6. Këshilli merr vendim për komandimin e magjistratit brenda dy javëve nga marrja e kërkesës, sipas përcaktimeve të pikës 5 të këtij neni. Vendimi përcakton kushtet e komandimit.

7. Në rastin kur kërkesa paraqitet nga institucione të tjera nga ato të parashikuara në nenin 53, pika 2, të këtij ligji, Këshilli mund të komandojë magjistratin në këto institucione sipas rastit, nëse komandimi është në interes publik dhe nuk cenon afatet dhe ushtrimin në mënyrë efiçente të funksioneve.

Përmbajtja

      1. Qëllimi i kësaj dispozite, që prezantohet për herë të parë në ligj, është përcaktimi i procedurës ligjore institucionale nëpërmjet së cilë do të zbatohet komandimi i magjistratëve. Ky proces do të formalizohet me një vendim të Këshillit të Lartë Gjyqësor ose të Këshillit të Lartë të Prokurorisë për komandimin ose jo të gjyqtarëve dhe të prokurorëve në organet e parashikuara në nenin 53 të këtij ligji. Nëpërmjet kësaj norme ligjore synohet të garantohet mundësi e barabartë dhe transparente konkurimi për magjistratët që kërkojnë të komandohen. Nga ana tjetër norma ka për qëllim gjithashtu që të realizojë edhe plotësimin e nevojave të institucioneve që kërkojnë të rekrutojnë përkohësisht magjistratë me qëllim afrimin e përvojave të ndryshme nga organet të tjera të sistemit të drejtësisë.
      1. Kjo dispozitë rregullon procedurën standard të komandimit të magjistratëve, prokurorë dhe gjyqtarë, në institucione brenda sistemit të drejtësisë dhe jashtë tij. Në të ka rregullime që i drejtohen përgjithësisht Këshillave respektiv, organeve ku magjistrati do të komandohet dhe vetë magjistratit. Kjo dispozitë plotësohet dhe duhet të interpretohet në mënyrë komplementare edhe me norma të këtij ligji dhe ligjeve të tjera që rregullojnë aspekte të veçanta të sistemit të drejtësisë dhe të funksioneve në të cilat magjistratët mundet të komandohen jashtë sistemit.

       

      1. Neni 54 ka natyrë dhe përmbajtje procedurale, si dhe parashikon kushte apo kritere ligjore që duhet të kenë parasysh Këshillat përkatës kur vendosin të komandojnë gjyqtarë dhe prokurorë në rolin e ndihmësmagjistratit, inspektorit apo në pozicione të tjera, sipas nenit 53 të këtij ligji.

       

      1. Ky nen i kushton rëndësi dhe parimeve të tilla si transparenca dhe publiciteti si elementë të rëndësishëm që karakterizojnë të gjitha procedurat që lidhen me procedurat e zgjedhjes, emërimit, karrierës etj. të magjistratëve.
    • Organi përgjegjës

      1. Organet vendimmarrëse që realizojnë procedurën e komandimit të magjistratëve janë Këshilli i Lartë Gjyqësor (në vijim KLGJ) për gjyqtarët dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë (në vijim KLP) për prokurorët. Sigurisht që ky rregullim vlen për periudhën pasi të dy këshillat respektiv të jenë krijuar dhe të funksionojnë, pasi në periudhën kalimtare neni 160 i Ligjit për Statusin bën kompetent organet paraardhëse të tyre, konkretisht për gjyqtarët Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe për prokurorët Prokurori i Përgjithshëm.

       

      1. Ligji Nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve” (në vijim Ligji për Statusin) nuk ka parashikuar rregulla të posaçme mbi procedurën e vendimmarrjes dhe organet përgjegjëse në realizimin e procedurës së komandimit të magjistratëve, pasi veprimtaria vendimmarrëse e KLGJ dhe KLP rregullohet në ligjin nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” (në vijim Ligji për Organet e Drejtësisë).

       

      1. Ligji ka parashikuar një rregullim të veçantë për ushtrimin e kësaj kompetence deri në periudhën kur këto institucione të reja kushtetuese të jenë krijuar duke e quajtur këtë zgjidhje të përkohshme dhe periudhën në të cilën ajo do të shtrihet si periudha kalimtare. Në kuptim të nenit 160 pika 4 të Ligjit për Statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, organet përgjegjëse për komandimin e magjistratëve gjatë periudhës kalimtare, deri në krijimin e institucioneve të reja kushtetuese, do të jenë për gjyqtarët Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe për prokurorët Prokurori i Përgjithshëm.[1]

       

      1. Në ligjet organike të shfuqizuara të pushtetit gjyqësor dhe të prokurorisë parashikohej që komandimi i gjyqtarëve ushtrohej me vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe nga ana tjetër komandimi i prokurorëve si kompetencë ushtrohej me vendim të Prokurorit të Përgjithshëm. Këshilli i Lartë i Drejtësisë në këto raste nuk mundet të vendoste në komisionet që krijoheshin nga gjiri i tij, por vendoste detyrimisht në seancë plenare sipas rregullave të përgjithshme të vendimmarrjes[2].

      Kërkesa për komandim

      1. Neni 54 ka parashikuar procedurën ligjore nëpër të cilën kalon vendimmarrja për komandimin e magjistratëve. Kështu, institucionet në të cilat ligji lejon komandimin e përkohshëm të magjistratëve duhet të formalizojnë zyrtarisht kërkesat për magjistratë të komanduar drejtuar KLGJ dhe KLP. Kërkesa e institucioneve në të cilat magjistratët mundet të komandohen duhet të përmbajnë detyrimisht periudhën për të cilën kërkohet të realizohet komandimi. Megjithatë, nëse komandimi i magjistratëve kërkohet për periudhën maksimale 5 vjeçare, atëherë mundet që ky element përmbajtësor i kërkesës të mos jetë i domosdoshëm, pasi çdo kërkesë e tillë do të prezumohet se periudhën e kërkuar të komandimit e ka 5 vjet. Në të kundërt, nëse periudha e komandimit e kërkuar është më e vogël, duhet detyrimisht që të individualizohet, në mënyrë që vetë magjistratët që kandidojnë apo caktohen pa pëlqim të dinë afatin e komandimit dhe në të njëjtën kohë edhe KLGJ apo KLP të ketë mundësi që të përcaktojë me saktësi në vendim periudhën e fillimit dhe mbarimit të komandimit.

       

      1. Gjithashtu, kërkesa e institucionit që kërkon komandimin drejtuar Këshillave respektiv duhet të përmbajë përshkrimin e vendit të punës, detyrave dhe elementeve të tjera të kësaj natyre, që kërkohet të realizohen nga magjistrati i komanduar. Ky element përmbajtësor duhet të vlerësohet me vëmendje nga Këshillat respektiv, pasi ato janë të detyruar që të konkludojnë rast pas rasti nëse magjistrati që do të komandohet do të ushtrojë detyra të pajtueshme me statusin dhe pavarësinë e tij apo jo. Në ndihmë të këtij vendimi, këshillave do t’u vijnë edhe specifikimet e posaçme lidhur me aftësitë apo kualifikimet specifike që kërkohet të ketë magjistrati i komanduar nga institucionet që kërkojnë komandimin e magjistratëve. Ky informacion do t’u shërbejë Këshillave respektiv që të vlerësojnë përshtatshmërinë e çdo kandidature magjistrati me kërkesat e posaçme të vendit të punës.

       

      1. Kërkesat për komandim mundet të vijnë edhe nga vetë magjistratët. Çdo magjistrat mundet të kërkojë nga KLGJ dhe KLP që të komandohet përkohësisht. Në këto raste magjistratët duhet të shprehin qartësisht në kërkesën e tyre afatin e kohëzgjatjes së komandimit, gjithnjë nëse kjo periudhë kërkohet të jetë më e vogël se sa 5 vjet. Nëse një gjë e tillë nuk përcaktohet në kërkesë, Këshillat respektiv do të prezumojnë se kërkesa është bërë për afatin maksimal 5 vjeçar të komandimit. Afati i ndryshëm nga afati maksimal është i detyrueshëm për t’u përcaktuar vetëm në rastet kur bëhet fjalë për komandimin me pëlqim. Në rastet e komandimit pa pëlqim të magjistratëve të sapoemëruar, Këshillat respektiv, sipas nenit 53 të Ligjit për Statusin, mundet të mos e marin parasysh vullnetin e magjistratit për kohëzgjatjen e procedurave të komandimit për më pak se sa 5 vjet.

       

      1. Kërkesa e magjistratëve duhet të përmbajë ndër të tjera edhe institucionin ku kërkojnë të realizohet komandimi dhe specifikimet e vendit të punës, pasi komandimi me pëlqim kërkon që Këshillat respektiv të mos vendosin të komandojnë magjistratët në institucione dhe detyra që ato nuk shfaqin vullnetin e shprehur për të punuar. Kuptohet se kjo kërkesë nuk vendos dot detyrime për t’u respektuar për këshillat respektiv në rastin e komandimit pa pëlqim të magjistratëve të sapoemëruar.

      Procedura e komandimit

      1. Neni 54, këshillat përkatës, pas administrimit të kërkesave të institucioneve në të cilat ligji lejon komandimin e magjistratëve dhe pasi kanë bërë vlerësimin e nevojave, brenda 2 javëve nga paraqitja e kërkesës, shpall kërkesën për plotësimin e këtyre pozicioneve me kandidatura magjistratësh. Kjo do të thotë se magjistratët e interesuar nga momenti i shpalljes mund të shprehin pëlqimin me anë të një kërkese drejtuar këshillave.

       

      1. Shpallja publike e vendit të komandimit si rregull duhet të bëhet në faqen zyrtare të KLGJ apo KLP. Ky njoftim publik i bërë duhet të përmbajë, sipas pikës 3 të nenit 54, këto elementë: a) afatin e kandidimit; b) informacionin dhe dokumentacionin që i bashkëlidhet kandidatit; c) procedurën e kandidimit dhe vendin e dorëzimit të dokumentacionit. Pavarësisht se ligji nuk e parashikon në mënyrë të shprehur, përmbajtja e këtij njoftimi me shpallje publike, të dhënat e nevojshme janë ato lidhur me afatin, vendin e punës, natyrën e eksperiencës apo kualifikimeve të kërkuara nga institucioni që ka bërë kërkesën për komandim. Kjo nënkupton se shpallja e kandidimit për magjistrat të komanduar duhet të përmbajë elementet e kërkesës së institucionit që nisi procedurën e komandimit.
      2. Afati ligjor për kandidimin e magjistratëve parashikohet të jetë të paktën dy javë dhe për rrjedhojë duhet që njoftimi dhe shpallja publike të qëndrojë dy javë në faqen zyrtare të Këshillit përkatës, apo në mjete të tjera të komunikimit publik. Në çdo rast, sipas nevojave dhe vlerësimit të përshtatshmërisë rast pas rasti, institucionet që realizojnë shpalljen publike mundet të vendosin që njoftimi të bëhet në disa mënyra dhe që koha e kandidimit në dispozicion të magjistratëve të jetë më shumë se dy javë.

       

      1. Pika 4 e nenit 54 të këtij ligji parashikon vijimin e procedurës së mëtejshme të këshillave respektiv. Kështu KLGJ apo KLP, brenda dy javëve pas mbarimit të afatit të aplikimit, përgatit një opinion për çdo kandidat dhe në të njëjtin akt vlerëson nëse komandimi i magjistratit është në përputhje me interesat e lartë të gjykatës ose prokurorisë ku kandidati ushtron funksionin. Për këtë qëllim Këshilli përkatës i kërkon mendim gjykatës/prokurorisë ku magjistrati ushtron detyrën lidhur me nevojat dhe mbarëvajtjen e punës, burimet njerëzore dhe pasojat eventuale të komandimit të përkohshëm të magjistratit. Këshilli nuk është i lidhur me mendimin e gjykatës/prokurorisë ku magjistrati ushtron detyrën, por ato kanë karakter orientues në vendimmarrjen mbi komandimin. Refuzimi i kërkesës për komandim apo moslejimi i komandimit nga ana e Këshillave përkatës mundet të jepet në rast se largimi i magjistratit përkohësisht mundet të cenojë mbarëvajtjen dhe funksionimin e prokurorisë/gjykatës për shkak të organikës së mangët të burimeve njerëzore që ato kanë. Pjesa tjetër e opinionit dhe vlerësimit ka të bëjë me përshtatshmërinë e kualifikimeve të magjistratit me kërkesat e posaçme të detyrës ku ai kërkon të komandohet. Kuptohet që ndërmjet këtyre dy anëve të çështjes duhet të ketë përputhshmëri dhe përshtatshmëri.

       

      1. Më tej pika 4 e nenit 54 të Ligjit për Statusin parashikon se vlerësimi për çdo kandidat publikohet në faqen zyrtare të Këshillit. Kjo pjesë e dispozitës parashikon një ndër kushtet ndaluese të realizimit të procedurës së komandimit, konkretisht duke parashikuar se kandidati, komandimi i të cilit nuk është në përputhje me interesat e lartë të gjykatës/prokurorisë, përjashtohet nga komandimi. Përjashtimi në këtë rast bëhet pavarësisht se ekziston përshtatshmëria ndërmjet kualifikimit të magjistratit dhe kërkesave të posaçme të vendit të punës në institucionin e komandimit. Në rast se opinioni është negativ, pasi është konstatuar apo është vlerësuar se ka pengesa ligjore për realizimin e komandimit, secili prej Këshillave nuk procedon më tej me vijimin e procedurës së komandimit. Gara e këtyre kandidatëve të vlerësuar të pamundur ligjërisht për t’u komanduar mbyllet në këtë fazë.

       

      1. Më tej, KLGJ për gjyqtarët dhe KLP për prokurorët e kualifikuar si të përshtatshëm dhe të mundur për t’u komanduar, brenda dy javëve pas mbarimit të afatit të kandidimit, i dërgon institucionit në të cilin do të bëhet komandimi emrat e kandidatëve që plotësojnë kriteret e pozicionit përkatës. Më tej, bazuar në pikën 5 të këtij neni, institucioni ku do të kryhet komandimi i magjistratëve, pasi bën vlerësimin për secilin kandidat, kërkon komandimin e magjistratit të përzgjedhur për një periudhë të caktuar kohe, të përcaktuar që në kërkesën fillestare drejtuar Këshillave nga institucioni respektiv. Duke qenë se ligji parashikon të drejtën e përzgjedhjes së magjistratit nga institucioni ku do të kryhet komandimi, atëhere konkludohet se Këshilli respektiv mbetet i lidhur pas kësaj përzgjedhje në fazën vendimmarrëse që do të vijë më pas, kur ai me vendim do të lejojë komandimin e magjistratit.

       

      1. Ligji nuk parashikon një afat limit për institucionin për të dhënë përgjigjen mbi kandidatin e zgjedhur. Megjithatë, mund të thuhet se përzgjedhja e institucionit që ka kërkuar komandimin e magjistratit duhet të jepet brenda një afati sa më të shpejtë dhe të arsyeshëm në mënyrë që të sigurohet mbarëvajtja e këtij procesi por edhe mirëfunksionimi i të gjitha institucioneve brenda sistemit.

       

      1. Pasi është marrë përgjigja e përzgjedhjes së dhënë nga institucioni kërkues, Këshilli respektiv duhet të marrë vendim për komandimin e magjistratit brenda dy javëve nga marrja e kërkesës, sipas përcaktimeve të pikës 5 të këtij neni. Neni 61 i Ligjit për Organet e Drejtësisë, në variatin para shfuqizimit nga Gjykata Kushtetuese[3], parashikonte se vendimin e komandimit të magjistratëve gjyqtarë e merrte Komisioni i Zhvillimit të Karrierës[4] të KLGJ dhe jo mbledhja plenare e të gjithë anëtarëve të Këshillit, organ i cili përbëhej nga tre anëtarë, ku dy prej tyre duhet të ishin anëtarë gjyqtarë dhe një anëtar jogjyqtar[5]. E njëjta mënyrë organzimi parashikohej edhe për KLP në rastet e vendimmarrjes së komandimit të prokurorëve. Këto dy norma janë shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese me arsyetimin se komisionet e përhershme edhe ato të përkohshme janë organizma ndihmës në varësi të KLGJ-së dhe KLP-së dhe si të tillë nuk mund të ushtrojnë atributet që Kushtetuta ua ka njohur në mënyrë të shprehur këtyre të fundit.[6] Mbetet që Kuvendi të rregullojë me ndryshime ligjore këto pjesë të munguara të ligjit organik të organeve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë.

       

      1. Në fundin e pikës 6 të nenit 54 të Ligjit për Statusin parashikohet edhe përmbajtja e vendimit të lejimit të komandimit të magjistratëve për secilin prej Këshillave. Kjo pjesë e dispozitës parashikon se vendimi i Këshillit në këto raste përcakton kushtet e komandimit, si afati dhe kohëzgjatja e komandimit. Më parë kjo çështje nuk rregullohej nga ligji. Në disa raste, për të përcaktuar datën e nisjes së komandimit, mjaftoheshin vetëm me togfjalëshin “ky vendim hyn në fuqi menjëherë” dhe për të kuptuar mbarimin e afatit mjaftoheshin vetëm me përcaktimin në vlerë absolute të periudhës. Nga përllogaritjet kuptohej që me plotësimin e tij magjistrati do të duhej të kthehej në vendin e mëparshëm të punës. Në disa raste të tjera në këtë vendimmarrje përcaktohej qartësisht data e fillimit dhe e mbarimit të detyrës së komandimit.

       

      1. Sjellim në vëmendje se kjo procedurë është standarte për komandimin e magjistratëve me pëlqim. Përsa i përket komandimit të magjistratëve të sapoemëruar pa pëlqim, kësaj procedure i shtohet edhe procedura e posaçme e parashikuar nga neni 40 dhe 39 i Ligjit për Statusin.

      Komandimi në institucione të tjera

      1. Pika 7 e nenit 54 të Ligjit për Statusin rregullon mundësinë e komandimit të magjistratëve përkohësisht në KLGJ, KLP, Ministrinë e Drejtësisë, Avokaturën e Shtetit, Shkollën e Magjistraturës ose çdo institucion tjetër brenda sistemit të drejtësisë dhe përafrimit të legjislacionit, nëse komandimi është në interes publik dhe nuk cenon afatet dhe ushtrimin në mënyrë efiçente të funksioneve. Kjo do të thotë se komandimi i magjistratit në institucione të tjera vlerësohet nga ligji si i mundshëm në kushte më specifike se sa komandimi si ndihmësmagjistrat apo inspektor. Sigurisht, duke patur parasysh se përgjegjës për vlerësimin dhe përgjegjësinë disiplinore të magjistratit të komanduar do të jenë këto institucione të tjera, ligji parashikon detyrimin për secilin Këshill që të vlerësojë rast pas rasti mundësinë e lejimit të komandimit, në kuptimin e ruajtjes së pavarësisë dhe statusit të magjistratit dhe pajtueshmërisë së detyrës së përkohshme me këto dy element kushtetues dhe ligjor, sikur parashikon pika 1 e nenit 53 të Ligjit të Statusit. 

      Ankimi i vendimit të komandimit

      1. Ligji për Statusin nuk parashikon asnjë dispozitë ku të parashikohet e drejta e ankimit kundër vendimit të komandimit apo kundër vendimit të refuzimit të komandimit. Megjithatë ky ometim ligjor në Ligjin për Statusin, si për çdo vendimmarrje tjetër të KLGJ dhe të KLP, në rastet kur ligji nuk përjashton në mënyrë eksplicite të drejtën e ankimit, do të komplementohet nga parashikimet kuadër të Ligjit për Organet e Drejtësisë. Kështu e drejta e subjekteve për të ushtruar ankim administrativ ndaj vendimit të lejimit apo refuzimit të komandimit parashikohet fillimisht në nenin 99 të Ligjit për Organet e Drejtësisë, e titulluar procedura e rishikimit të akteve individuale të nxjerra nga Komisioni respektiv i KLGJ. Ky ankim administrativ parashikohet të shqyrtohet nga mbledhja plenare e KLGJ brenda 30 ditëve dhe në varësi të konkluzioneve të vendosë mospranimin e ankimit apo miratimin e vendimit të ndryshuar sipas ankimit.

       

      1. Më tej, në nenin 100 të Ligjit për Organet e Drejtësisë parashikohet edhe ankimi gjyqësor ndaj akteve administrative individuale të mbledhjes plenare të KLGJ. Këto akte mundet të kundërshtohen në Gjykatën Administrative të Apelit. Të njëjtat rregulla ligjore parashikohen edhe për kundërshtimin e akteve administrative individuale mbi komandimin të KLP, qoftë administrativisht në nenin 191 dhe qoftë gjyqësisht në nenin 192 të Ligjit për Organet e Drejtësisë.

       

      [1] Shih për më shumë edhe vendimin nr.34/2017 të Gjykatës Kushtetuese lidhur me periudhën tranzitore të ushtrimit të veprimtarisë së KLD-së deri në krijimin e KLGJ-së.

      [2] Shiko nenin 18 – 27 të Ligjit Nr. 8811, datë 17.05.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, i ndryshuar.

      [3] Vendimi Nr. 41, datë 16.05.2017 i Gjykatës Kushtetuese, me kërkues 1/5 e deputetëve të Kuvendit, me objekt shfuqizimin e Ligjit Nr. 115/2016.

      [4] Shiko shkronjën “ç” të pikës 3 të nenit 62 të Ligjit Nr. 115.2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

      [5] Shiko pikën 11 të nenit 62 të Ligjit Nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

      [6] Vendimi Nr. 41, datë 16.05.2017 i Gjykatës Kushtetuese, me kërkues 1/5 e deputetëve të Kuvendit, me objekt shfuqizimin e Ligjit Nr. 115/2016, paragrafi nr. 22.

      1. Konteksti historik në të cilin është hartuar dispozita është pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2016, që hynë në fuqi me datë 11.08.2016. Vetë Ligji për Statusin u miratua në kuadër të reformës në sistemin e drejtësisë, si një ndër ligjet kryesore organike të paketës së ligjeve të reformës në drejtësi. Kjo reformë u parapari nga dy dokumente të rëndësishëm strategjikë: (i) Dokumenti Analitik i Sistemit të Drejtësisë[1]; dhe (ii) Strategjia e Reformës në Drejtësi[2]. Këta dokumente të rëndësishëm që u miratuan nga Komisioni i Posaçëm Ad Hoc për Reformën në Drejtësi (ndonëse i dyti vetëm në parim për shkak të mosmarrëveshjeve politike) përcaktuan problemet e sistemit dhe drejtimet që do të ndiqte reforma për t’i adresuar ato (problemet).

       

      1. U mbajt parasysh edhe rregullimi i mëparshëm i cili në mjaft raste ka qenë i paplotë dhe problematik. Ligjet organike tashmë të shfuqizuara, mbi pushtetin gjyqësor[3], prokurorinë[4] apo mbi Këshillin e Lartë të Drejtësisë[5] nuk parashikonin norma procedurale të posaçme se si kryhej procedura e komandimit. Ligji nuk parashikonte formalizimin e një procedure aplikimi për magjistratët që kërkoheshin të komandoheshin dhe nuk parashikonte një procedurë komunikimi ndërmjet institucionit ku magjistrati komandohej dhe institucionit që realizonte dhe lejonte komandimin.

       

      [1] Vendimi nr. 14, datë 30.07.2015 i Komisionit Parlamentar për Reformën në Drejtësi.

      [2] Vendimi nr. 15, datë 30.07.2015 i Komisionit Parlamentar për Reformën në Drejtësi.

      [3] Shiko Ligjin Nr. 9877, datë 18.02.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, neni 28.

      [4] Shiko Ligjin Nr. 8737, datë 12.2.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, neni 44.

      [5] Shiko Ligjin Nr. 8811, datë 17.5.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, neni 14 dhe 15.

    • Asnjë koment
    1. E drejta ndërkombëtare e detyrueshme për Republikën e Shqipërisë nuk përmban dispozita që të jenë drejtpërsëdrejti relevante për regjimin juridik të komandimit të magjistratëve në veçanti. Në përgjithësi, marrëveshjet ndërkombëtare të detyrueshme për Shqipërinë kanë parashikime për standardet e detyrueshme për t’u ndjekur nga legjislacioni i brendshëm lidhur me statusin e magjistratëve. Këto standarde janë mbajtur parasysh edhe në rregullimin ligjor të posaçëm të komandimit.
  • Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”;

    http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/relacioni-1.pdf (vizituar me datë 25.04.2017);

    Relacion për projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”;

    http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/relacioni-1.pdf (vizituar me datë 25.04.2017);

    Analizë e sistemit të Drejtësisë në Shqipëri” (dokument i hapur për vlerësime, komente dhe propozime) i hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë;

    http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/dokumenti_shqip_0.pdf (vizituar me datë 20.04.2017);

    Vendimi nr. 14, datë 30.07.2015 i Komisionit Parlamentar për Reformën në Drejtësi.

    Vendimi nr. 15, datë 30.07.2015 i Komisionit Parlamentar për Reformën në Drejtësi.

  • Neni 61, 62, 99, 100, 159, 160, 191, 192 i Ligjit Nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”;

    Neni 39, 40, 53 – 58, 160 i Ligjit Nr. 96/2016 “Për Statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
    1. Materiale relevante në lidhje me nevojën për ristrukturimin e organeve qeverisëse si dhe zgjidhjet e propozuara janë Dokumenti Analitik dhe Dokumenti Strategjik i Reformës në Sistemin e Drejtësisë, të miratuara nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar. Shpjegimet më të plota në lidhje me zgjidhjet konkrete të materializuara në ligj gjenden në materialet legjislative të sipërcituara, dhe sidomos në Raportin e relatores së ligjit për amendamentet e paraqitura në sesionin plenar.[1]

     

    [1] Shih http://reformanedrejtesi.al/dokumenti-analitik dhe http://reformanedrejtesi.al/dokumenti-strategjik-dhe-plani-i-veprimit.

     

  • Neni 28 i Ligjit Nr. 9877, datë 18.02.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”;

    Neni 25, 44 i Ligjit nr. 8737, datë 12.2.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”;

    Neni 20, 21 i Ligji Nr. 8588, datë 15.3.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë”;

    Neni 14 i Ligjit Nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese në Republikën e Shqipërisë”;

    Neni 14, 15, 16 i Ligjit Nr. 8811, datë 17.5.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”.

Florjan Kalaja
Marsida Xhaferllari, Arta Vorpsi, Gent Ibrahimi, Alma Faskaj (Vokopola)