1. Magjistratët që plotësojnë kriteret për t’u emëruar si magjistratë në Gjykatën e Lartë ose në Prokurorinë e Përgjithshme mund të komandohen në Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
2. Për procedurat e komandimit në plotësimin e pozicionit të inspektorit, Këshilli, përpara përgatitjes së opinionit, sipas parashikimeve të pikës 4, të nenit 54, verifikon kandidatët sipas parashikimeve të pikave 2 deri në 7, të nenit 32, të këtij ligji.
3. Magjistrati, i cili komandohet si inspektor, konsiderohet magjistrat i ngritur në detyrë në Gjykatën e Lartë.
4. Magjistrati mund të komandohet si inspektor në Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për një periudhë pesëvjeçare. Pas mbarimit të periudhës pesëvjeçare, Inspektori ka të drejtën e rikomandimit, në rast se është vlerësuar të paktën “shumë mirë” në vlerësimin etik dhe profesional si inspektor.
5. Inspektori i Lartë i Drejtësisë, tre muaj përpara mbarimit të afatit të mandatit të parë të komandimit të një inspektori, mund t’i paraqesë Këshillit kërkesë me shkrim, përfshirë dokumentet e nevojshme, për konfirmimin e inspektorit si i komanduar në Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Këshilli konfirmon inspektorin nëse ai është vlerësuar të paktën “shumë mirë” në vlerësimin etik dhe profesional, si dhe nëse ka dhënë pëlqimin për konfirmimin. Kur kërkesa nuk është paraqitur në kohë, afati i pozicionit të komanduar si inspektor konsiderohet i mbaruar.
6. Inspektori ka të drejtën të caktohet në një pozicion në nivel apeli në fund të përfundimit të mandatit të komandimit në rast se është vlerësuar me vlerësimin “shumë mirë” në të gjitha vlerësimet etike dhe profesionale si inspektor.