"PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË "   |   96/2016

Neni 56: Komandimi në pozicionet e ndihmësmagjistratit

1. Magjistrati mund të komandohet në Gjykatën e Lartë, në Gjykatën Kushtetuese dhe Zyrën e Prokurorisë së Përgjithshme me mandat pesëvjeçar, me të drejtë ripërsëritjeje, me kërkesë të institucionit ku komandohet magjistrati.

2. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese ose i Gjykatës së Lartë, tre muaj përpara mbarimit të afatit të mandatit të parë të komandimit të një ndihmësmagjistrati, mund t’i paraqesë Këshillit kërkesë me shkrim për konfirmimin e ndihmësmagjistratit si i komanduar në Gjykatën Kushtetuese ose Gjykatën e Lartë. Këshilli konfirmon ndihmësmagjistratin nëse është vlerësuar të paktën “shumë mirë” në vlerësimin etik dhe profesional, si dhe nëse ndihmësmagjistrati ka dhënë pëlqimin për konfirmim.

3. Përcaktimet e pikës 2, të këtij neni, aplikohen për aq sa gjejnë zbatim, për kërkesën respektive të Prokurorisë së Përgjithshme drejtuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

4. Kur kërkesa nuk është paraqitur në kohë, sipas parashikimeve të pikave 2 dhe 3, të këtij neni, afati i pozicionit të komanduar si ndihmësmagjistrat konsiderohet i mbaruar.

5. Ndihmësmagjistrati i caktuar në Gjykatën e Lartë dhe Zyrën e Prokurorisë së Përgjithshme ka përgjegjësi disiplinore dhe vlerësohet sipas dispozitave të këtij ligji, të cilat aplikohen për aq sa gjejnë zbatim.

Përmbajtja

      1. Qëllimi i ligjvënësit për këtë rregullim të posaçëm ka qenë shkëmbimi i përvojave më të mira pranë njësisë së shërbimit ligjor ose strukturave të ngjashme pranë disa prej institucioneve më të larta të sistemit të drejtësisë duke afruar edhe magjistratë të niveleve të ndryshme për një periudhë të caktuar kohe. Në ligjet e Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese dhe Prokurorisë së Përgjithshme, janë parashikuar ngritja e strukturave të posaçme për të bërë kërkimin shkencor, përgatitjen e opinioneve ligjore, përgatitjen paraprake të dosjeve gjyqësore dhe deri në hartimin e projektvendimeve. Këto struktura përbëhen nga magjistratë dhe jomagjistratë. Pikërisht mënyrën e komandimit të magjistratëve pranë këtyre strukturave synon të rregullojë neni 56.
      1. Kjo dispozitë parashikon disa procedura shtesë krahas atyre të parashikuara në nenin 53 dhe 54 të këtij ligji, për magjistratët e komanduar në GJK, GJL dhe PP. Kjo dispozitë plotësohet dhe duhet të interpretohet në mënyrë komplementare edhe me norma të këtij ligji dhe ligjeve të tjera që rregullojnë aspekte të veçanta të sistemit të drejtësisë dhe të funksioneve në të cilat magjistratët mundet të komandohen.
    • Komandimi si Ndihmësmagjistrat

      1. Ashtu sikurse përkufizon shkronja “h” e nenit 2 të Ligjit për Statusin, dhe ashtu sikurse përforcon më tej edhe pika 2 e nenit 53 të këtij ligji, magjistrati i komanduar përkohësisht pranë Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese apo Prokurorisë së Përgjithshme quhet Ndihmësmagjistrat. Ky funksionar ligjor i emërtuar për herë të parë me këtë emër në leksikun e fjalorit juridik shqiptar, dallon nga magjistrati i komanduar inspektor pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë apo magjistratëve të komanduar në institucione të tjera, përveç statusit, edhe për mënyrën se si realizohet komandimi, kritereve dhe detyrave funksionale që ka.

       

      1. Dallimi kryesor i kategorisë së Ndihmësmagjistratëve si magjistratë të komanduar në krahasim me të tjerët qëndron pikërisht tek natyra e shërbimit ligjor që ai ka në përshkrimin ligjor të punës, pasi në dallim nga të tjerët ai është një figurë quasi gjyqësore në rastin e gjyqtarëve apo quasi prokuror në rastin e prokurorëve. Thënë ndryshe, Ndihmësmagjistrati është magjistrati ndihmës i magjistratit relator në Gjykatën e Lartë, magjistrat ndihmës i gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese apo magjistrati ndihmës i prokurorit pranë Prokurorisë së Përgjithshme apo i vetë Prokurorit të Përgjithshëm.

       

      1. Ndryshe nga magjistratët e komanduar si inspektor, komandimi si Ndihmësmagjistrat mundet të bëhet edhe për magjistratët e sapoemëruar edhe për magjistratët e caktuar në detyra të përhershme, pavarësisht vjetërsisë apo përvojës në detyrë, pasi për komandimin si Ndihmësmagjistrat ligji nuk vendos kritere për vjetërsinë në detyrë. Kjo do të thotë se mjafton si kriter ligjor emërimi si magjistrat dhe konsiderohen të plotësuara kriteret ligjore për t’u komanduar si Ndihmësmagjistrat. Për rrjedhojë konkludohet se komandimi si Ndihmësmagjistrat mundet të jetë me pëlqim dhe i detyruar, sipas rregullave që përcaktohen në nenin 39, 40 dhe 54 të Ligjit për Statusin.

       

      1. Lidhur me procedurën e komandimit si Ndihmësmagjistrat nuk parashikohen rregullime të posaçme dhe për rrjedhojë do të jetë i zbatueshëm neni 54 i Ligjit për Statusin. Megjithatë, në realizimin e procedurave të komandimit si Ndihmësmagjistrat në Gjykatën e lartë, Gjykatën Kushtetuese dhe në Prokurorinë e Përgjithshme, Këshilli i Lartë Gjyqësor (në vijim KLGJ) për gjyqtarët dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë (në vijim KLP) për prokurorët duhet të mbajnë parasysh edhe parashikimet e posaçme në ligjet organike të këtyre institucioneve për të vlerësuar rast pas rasti mundësinë e komandimit dhe nevojat e tyre.

       

      Njësia e Shërbimit Ligjor në Gjykatën e Lartë

      1. Komandimi si Ndihmësmagjistrat në Gjykatën e Lartë mundet të bëhet vetëm në një organ të këtij institucioni, konkretisht në Njësinë e Shërbimit Ligjor, që krijohet për herë të parë në Shqipëri nga neni 34 i Ligjit Nr. 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” (në vijim Ligji i Pushtetit Gjyqësor). Sipas kësaj dispozite Njësia e Shërbimit Ligjor pranë Gjykatës së Lartë ngrihet me qëllimin ligjor për të ushtruar veprimtari këshilluese dhe ndihmëse në procesin vendimmarrës të Gjykatës së Lartë duke përfshirë: a) analizimin e praktikës gjyqësore përkatëse mbi interpretimin e dispozitave të zbatueshme për çështjet në gjykim; b) analizimin e çështjes dhe përmbledhjen e procedurës; c) kryerjen e detyrave të tjera për përpunimin e çështjes siç kërkohet nga gjyqtari. Numri i përgjithshëm i tyre caktohet me vendim të KLGJ.

       

      1. Lidhur me statusin e Ndihmësmagjistratit të komanduar në Njësinë e Shërbimit Ligjor të Gjykatës së Lartë duhet të mbahet parasysh zbatimi me analogji i dispozitave të posaçme të Ligjit për Statusin, Ligjit organik të prokurorisë dhe Kodit të Punës, i cili zbatohet në mënyrë komplementare, për sa kohë ligjet e posaçme ometojnë. Gjithashtu do të zbatohet me analogji edhe pika 5 e nenit 57 të Ligjit për Statusin lidhur me vlerësimin dhe përgjegjësinë disiplinore e tyre. Kjo dispozitë parashikon se Ndihmësmagjistrati i caktuar në Gjykatën e Lartë ka përgjegjësi disiplinore dhe vlerësohet sipas dispozitave të këtij ligji, të cilat aplikohen për aq sa gjejnë zbatim.

       

      Njësia e Shërbimit Ligjor pranë Gjykatës Kushtetuese

      1. Neni 14/a i Ligjit Nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organzimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar[1] (në vijim Ligji për Gjykatën Kushtetuese), nën titullin “Njësia e Shërbimit Ligjor”, ka krijuar për herë të parë si strukturë më vete Njësinë e Shërbimit Ligjor pranë Gjykatës Kushtetuese si një organ i posaçëm, i specializuar dhe permanent. Njësia e Shërbimit Ligjor është përcaktuar dhe ideuar në ligj si bërthama shkencore juridike e Gjykatës Kushtetuese. Ligji ka parashikuar se Njësia e Shërbimit Ligjor ushtron veprimtari këshilluese dhe ndihmëse në procesin vendimmarrës të Gjykatës Kushtetuese, duke përfshirë: a) përgatitjen e çështjeve për gjykim; b) dhënien e opinioneve ligjore dhe përgatitjen e kërkimeve shkencore për çështjet gjyqësore që janë për shqyrtim para Gjykatës Kushtetuese; c) si dhe çdo detyrë tjetër që i caktohet nga Kryetari ose Mbledhja e Gjyqtarëve.

       

      1. Njësia e Shërbimit Ligjor përbëhet nga këshilltarë ligjorë, ndër të cilët jo më pak se gjysma e numrit të përgjithshëm të tyre duhet të jenë magjistratë të komanduar apo thënë ndryshe Ndihmësmagjistratë. Lidhur me numrin e këshilltarëve në Njësinë e Shërbimit Ligjor ligji ka parashikuar që të caktohet me vendimin e Mbledhjes së Gjyqtarëve. Kjo do të thotë se indirekt edhe numri i detyrueshëm i magjistratëve të komanduar si Ndihmësmagjistratë përcaktohet me vendim të Mbledhjes së Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

       

      1. Njësia e Shërbimit Ligjor, njëlloj sikurse parashikonte ligji për organin simotër të tij në Gjykatën e Lartë, është në varësi të Kryetarit, i cili për çdo çështje gjyqësore cakton këshilltarin ligjor, duke marrë për bazë përvojën profesionale dhe ekspertizën ligjore të tij, sipas Rregullores së Gjykatës Kushtetuese. Neni 14/a i Ligjit për Gjykatën Kushtetuese ka parashikuar se këshilltarët ligjorë dhe Ndihmësmagjistratët, anëtarë të Njësisë së Shërbimit Ligjor, mbajnë përgjegjësi disiplinore dhe se masat disiplinore vendosen nga Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, sipas rregullores së brendshme të institucionit. Ligji gjithashtu parashikon se këshilltarët ligjorë, përfshirë edhe magjistratët, i nënshtrohen rregullave të parashikuara në këtë ligj, Rregullores së Gjykatës Kushtetuese dhe Ligjit për Statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për aq sa ky i fundit gjen zbatim.

       

      Sektori i Prokurorëve të Komanduar

      1. Ligji Nr. 97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë” (në vijim Ligji i Prokurorisë) në nenin 69, nën titullin “Prokurorët e komanduar në Prokurorinë e Përgjithshme”, ka rregulluar strukturën simotër të Njësisë së Shërbimit Ligjor, të Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese, në Prokurorinë e Përgjithshme, duke e quajtur Sektori i Prokurorëve të Komanduar. Pika 2 e nenit 69 të Ligjit të Prokurorisë ka parashikuar se sektori i prokurorëve të komanduar është strukturë ndihmëse dhe këshilluese që studion ankimet, dosjet penale, përgatit relacionin për çështjet objekt gjykimi në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë, përgatit projektakte, bën kërkime ligjore, si dhe kryen çdo detyrë tjetër që i ngarkohet nga Prokurori i Përgjithshëm.

       

      1. Kjo dispozitë parashikon se vlerësimi i punës së prokurorëve të komanduar kryhet nga drejtuesi i prokurorisë, bazuar në mendimin e dhënë nga prokurori pranë të cilit është komanduar. Më tej, ligji rregullon nëpërmjet një dispozite blankete statusin e prokurorëve të komanduar si Ndihmësmagjistrat, duke parashikuar se statusi i prokurorëve të komanduar përcaktohet në Ligjin për Statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

       

      1. Lidhur me statusin e Ndihmësmagjistratit të komanduar në Sektorin e Prokurorëve të Komanduar, duhet të mbahet parasysh zbatimi me analogji i dispozitave të posaçme të Ligjit për Statusin, Ligjit organik të prokurorisë dhe Kodit të Punës, i cili zbatohet në mënyrë komplementare, për sa kohë ligjet e posaçme ometojnë. Gjithashtu do të zbatohet me analogji edhe pika 5 e nenit 57 të Ligjit për Statusin lidhur me vlerësimin dhe përgjegjësinë disiplinore e tyre. Kjo dispozitë parashikon se Ndihmësmagjistrati i caktuar në Zyrën e Prokurorisë së Përgjithshme ka përgjegjësi disiplinore dhe vlerësohet sipas dispozitave të këtij ligji, të cilat aplikohen për aq sa gjejnë zbatim.

       

      [1] Shtuar me Ligjin nr. 99/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organzimin dhe funnksionimin e Gjykatës Kushtetuese në Republikën e Shqipërisë””.

       

      Konfirmimi i komandimit të Ndihmësmagjistratit

      1. Neni 56 pika 1 i Ligjit për Statusin parashikon se magjistrati mund të komandohet në Gjykatën e Lartë, në Gjykatën Kushtetuese dhe Zyrën e Prokurorisë së Përgjithshme me mandat pesëvjeçar, me të drejtë ripërsëritjeje, me kërkesë të institucionit ku komandohet magjistrati. Duke patur parasysh konkluzionet e arritura më lart lidhur me komplementaritetin e parashikimeve ligjore që përcaktojnë rrethin e Ndihmësmagjistratëve, rrjedh konkluzioni se ky rregullim ligjor vlen edhe për Ndihmësmagjistratët e komanduar në gjykatën e apelit.

       

      1. Në secilin prej rasteve të mbarimit të mandatit të komandimit si Ndihmësmagjistrat, nëse kërkohet që komandimi të vazhdojë edhe më tej, duhet që Kryetari i Gjykatës Kushtetuese ose i Gjykatës së Lartë, tre muaj përpara mbarimit të afatit të mandatit të parë të komandimit të një ndihmësmagjistrati, t’i paraqesë Këshillit përkatës kërkesë me shkrim për konfirmimin e ndihmësmagjistratit si i komanduar në Gjykatën Kushtetuese ose Gjykatën e Lartë. Më tej, duke patur parasysh afatet e vendimmarrjes që parashikohen në nenin 54 të Ligjit për Statusin, KLGJ për gjyqtarët dhe KLP për prokurorët vendos konfirmimin e ndihmësmagjistratit në detyrë. Kushti ligjor i vetëm që përmend dispozita për vendimmarrjen konfirmuese të Këshillit përkatës lidhur me komandimin e magjistratit është që Ndihmësmagjistrati të jetë vlerësuar të paktën “shumë mirë” në vlerësimin etik dhe profesional gjatë periudhës së komandimit.

       

      1. Gjithashtu duhet patur parasysh se konfirmimi si Ndihmësmagjistrat bëhet vetëm pasi të jetë dhënë pëlqimi i magjistratit. Ligji nuk e njeh konfirmimin e Ndihmësmagjistratit me detyrim, ndryshe nga komandimi i tij për herë të parë që mundet të jetë bërë i detyruar për shkak se nuk ka patur vende të lira për të caktuar në pozicione të përhershme magjistratët e sapoemëruar.

       

      1. Pika 3 e nenit 57 të Ligjit për Statusin ka parashikuar se rregullat e konfirmimit të komandimit për Ndihmësmagjistratin vlejnë edhe për kërkesën respektive të Prokurorisë së Përgjithshme drejtuar KLP për të komanduar magjistratë në sektorin e prokurorëve të komanduar.

       

      1. Në rastin e konfirmimit të komandimit të magjistratit si Ndihmësmagjistrat nuk ka nevojë të ndiqen procedurat e parashikuara nga neni 54 i Ligjit për Statusin, pasi konfirmimi i komandimit si Ndihmësmagjistrat ndryshon nga procedura e komandimit rishtazi të tij si i tillë. Për konfirmimin si Ndihmëmagjistrat është e nevojshme vetë kërkesa e titullarit të institucionit, pëlqimi i magjistratit dhe vendimmarrja konfirmuese e Këshillit përkatës. Konfirmimi si ndihmëmagjistrat nuk ka nevojë të shpallet dhe nuk ka nevojë që të hapen procedurat e aplikimit, pasi nuk mundet të aplikohet dhe të konkurohet për t’u konfirmuar, duke qenë se aplikimi për komandim dhe konkurim për këto pozicione lidhet vetëm me procedurën e komandimit rishtazi dhe jo me konfirmimin.

       

      1. Duhet të bëhet dallimi i konfirmimit të komandimit të Ndihmësmagjistratit me komandimin e ri të tij. Kështu konfirmimi i komandimit është zgjatja e afatit të komandimit të parë, që do të thotë se institucioni ku magjistrati do të punojë si i komanduar nuk ndryshon nga komandimi i parë, njëlloj sikur nuk ndryshon vendi i punës së përkohshme të tij. Nga ana tjetër pas mbarimit të afatit të komandimit në një institucion, magjistrati mundet të kërkojë të komandohet në një institucion të ri nga ato që parashikon pika 2 e nenit 54 të Ligjit për Statusin. Në këto raste komandimi do të kalojë nëpër të gjithë procedurën që parashikon neni 54 i këtij ligji.

       

      1. Megjithëse ligji nuk e rregullon në mënyrë të shprehur, Këshilli përkatës mundet të konfirmojë komandimin e magjistratit në institucione të tjera, sikur individualizohen ato në pikën 2 të nenit 53 të Ligjit për Statusin. Edhe në këto raste titullarët e institucioneve të tjera, të ndryshme nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, gjykatat e apelit, Gjykata e Lartë, Gjykata Kushtetuese apo Prokurori i Përgjithshëm, tre muaj para përfundimit të afatit të komandimit të magjistratit, duhet t’i drejtohen me një kërkesë me shkrim (bashkëlidhur të vendoset edhe pëlqimi i magjistratit) Këshillit përkatës, duke i kërkuar konfirmimin e komandimit, sipas afatit të rënë dakord ndërmjet institucionit dhe magjistratit. Në të gjitha këto raste duhet të respektohet afati i përgjithshëm i lejimit të komandimit, afati i posaçëm maksimal i komandimit, magjistrati të jetë vlerësuar “shumë mirë” në pozicionin e përkohshëm që ka patur dhe të ketë një interes publik për konfirmimin si magjistrat. Në këto raste Këshilli përkatës, pas hartimit të opinionit vlerësues të kushteve dhe kritereve për konfirmimin e komandimit, merr vendim mbi lejimin e konfirmimit të komandimit të magjistratit gjyqtar apo prokuror në njërin prej institucioneve të tjera apo rrëzimin e kësaj kërkese.

       

      Magjistratët e komanduar në periudhën kalimtare

      1. Neni 167 i Ligjit për Statusin, i titulluar “Dispozita kalimtare për magjistratët e komanduar në institucione të tjera”, ka rregulluar posaçërisht periudhën kalimtare për magjistratët e komanduar, apo periudhën nga hyrja në fuqi e Ligjit për Statusin e deri në momentin e krijimit dhe funksionimit të KLGJ apo KLP. Paragrafi i parë i nenit 167 ka rregulluar periudhën kalimtare të komandimit të të gjithë magjistratëve, përfshirë këtu edhe magjistratët e komanduar si inspektor. Kjo dispozitë ka parashikuar se për magjistratin që hyrja në fuqi e Ligjit për Statusin e gjen si magjistrat të komanduar do të zbatohen menjëherë dispozitat e këtij ligji për aq sa është e mundur. Kjo do të thotë se të gjithë magjistratëve të komanduar përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji nuk mundet t’i ndërpritet mandati i fituar, edhe pse kushtet dhe kriteret për mbajtjen e asaj detyre nuk parashikohen të tilla sipas Ligjit për Statusin, ndryshojnë apo bien në kundërshtim. Më tej do të kuptohet se të gjithë magjistratët e komanduar më parë, do të konsiderohen të komanduar sipas Ligjit për Statusin dhe se të gjitha të drejtat dhe detyrimet nga momenti i hyrjes në fuqi e në të ardhmen do të rregullohen sipas Ligjit për Statusin.[2]

       

      1. Më tej pika 2 e nenit 167 i këtij ligji rregullon vetëm periudhën kalimtare të magjistratëve të komanduar në institucione të tjera, në kuptim të individualizimit që bën pika 2 e nenit 53 të Ligjit për Statusin. Pika 2 e nenit 167 i këtij ligji parashikon se magjistrati i komanduar me vendim të institucioneve të tjera, sipas parashikimeve të ligjit të mëparshëm, afati i komandimit të të cilit mbaron para krijimit të Këshillave, kthehet në vendin e mëparshëm të punës, pa qenë nevoja për një vendim të Këshillit përkatës. Në fakt edhe magjistratët e komanduar në institucione të tjera përpara hyrjes në fuqi të Ligjit për Statusin, afati i komandimit të të cilëve përfundon pas krijimit të Këshillit përkatës, kthehet në pozicionin e përhershëm të punës në gjykatë apo prokurori. Nuk ka nevojë për parashikime tranzitore për të rregulluar këto situata, për sa kohë rregullat e kthimit në detyrë, në kuptimin e nenit 58 të Ligjit për Statusin, veprojnë universalisht për të gjithë magjistratët e komanduar.

       

      1. Gjithashtu rregulli i përsëritur për kthimin në detyrë dhe njëkohësisht edhe mbarimin e afatit të komandimit gjen normim edhe në pikën 3 të nenit 167. Më tej kjo pikë parashikon se koha e komandimit përfundon sipas afateve të përcaktuara në vendimin e komandimit të institucionit përkatës, përveç rasteve kur: a) magjistrati kërkon brenda një muaji nga krijimi i Këshillave, që të mbarojë detyrën në pozicionin e komanduar përpara mbarimit të afatit; b) ka shkaqe për mbarimin e statusit të magjistratit, në zbatim të pjesës III, kreu VIII, të këtij ligji[3], ose si rezultat i procesit të rivlerësimit, në përputhje me Ligjin Nr. 84/2016 “Për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.[4]

       

      1. Pika 4 e nenit 167 të Ligjit për Statusin ka rregulluar konfirmimin dhe përsëritjen e komandimit gjatë periudhës kalimtare. Kështu, magjistrati dhe institucionet ku ai kryen përkohësisht detyrën si i komanduar mundet të kërkojnë konfirmimin apo përsëritjen e komandimit edhe në periudhën kalimtare. Në këto raste është parashikuar se KLGJ për gjyqtarët dhe KLP për prokurorët vendosin sipas parashikimeve të këtij ligji. Pika 5 e nenit 167 vendos rregullin kushtetues, edhe pse në mënyrë të përsëritur në disa ligje, se magjistrati i komanduar i nënshtrohet procesit të rivlerësimit, në përputhje me Ligjin Nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorive në Republikën e Shqipërisë

       

      Komandimi dhe konfirmimi i komandimit në periudhën kalimtare

      1. Neni 160 i Ligjit për Statusin ka parashikuar se cilat janë organet kompetente deri në krijimin e KLGJ dhe KLP. Këto parashikime dhe zgjidhje tranzitore ligjore kanë lidhje të drejtpërdrejtë me çështjen se cili institucion do të vendosë për komandimin apo konfirmimin e magjistratëve deri në krijimin e Këshilave respektiv[5]. Duke qenë se komandimi i magjistratëve hyn në detyrat e përkohshme që Ligji për Statusin parashikon, atëhere do të konkludohet se Këshilli i Lartë i Drejtësisë për gjyqtarët dhe Prokurori i Përgjithshëm për prokurorët do të vendosin të trajtojnë, sipas kushteve, kritereve dhe procedurave të Ligjit për Statusin, çdo kërkesë të institucioneve apo të magjistratëve për komandim. Kjo kompetencë e tyre do të realizohet deri në momentin e krijimit të Këshillave përkatës. Mbas këtij momenti këto kompetenca do të ushtrohen normalisht nga organet kushtetuese natyrore. Nga interpretimi i kësaj norme arrihet në konkluzionin se Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm janë organet kompetente për të vendosur lejimin apo rrëzimin e këkesave për komandime të gjyqtarëve dhe prokurorëve gjatë periudhës kalimtare. Për rrjedhojë edhe konfirmimi i komandimit është një vendimmarrje që disponon mbi caktimin e magjistratëve në detyra të përkohshme dhe mundet të ushtrohet nga institucionet që dispozita titullon.

       

      1. Nëse mbahet parasysh interpretimi pajtues i Gjykatës Kushtetuese mbi kushtetutshmërinë e nenit 160 të Ligjit për Statusin, do të konkludohet se Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm mundet të ushtrojnë gjatë periudhës kalimtare, edhe përtej afatit tetë mujor që Kushtetuta parashikon[6], kompetencat që përmenden në ligj. Kështu Gjykata Kushtetuese është shprehur se: “…Gjykata vlerëson se ky konstatim nuk mund të konsiderohet se përbën ometim kushtetues, pasi formulimi i pikës 5 të nenit 179 të Kushtetutës se “anëtarët e KLD-së e përfundojnë mandatin e tyre pas krijimit të KLGJ-së, por jo më vonë se zgjedhja e të gjithë anëtarëve të KLGJ-së, sipas ligjit” shpreh dhe synon të sigurojë vlerën kushtetuese të vazhdimësisë dhe koherencës institucionale, për rrjedhojë, funksionimin normal të KLD-së në periudhën kalimtare. Për sa kohë vullneti i kushtëtutëbërësit ka qenë që të mos ndërpritet funksioni i KLD-së, Gjykata vlerëson se KLD-ja ashtu si edhe organet e tjera ekzistuese kushtetuese do të vazhdojnë të ushtrojnë funksionet e tyre deri në konstituimin e plotë të organeve të reja kushtetuese dhe, në këtë kuptim, zbatimi i neneve 160/1 dhe 173/1 të ligjit duhet të jetë në përputhje të plotë me këtë interpretim të Gjykatës, në respekt të frymës së Kushtetutës.”.[7]

       

      1. Nga ky interpretim pajtues i Gjykatës Kushtetuese, mbi funksionimin e institucioneve të sistemit të drejtësisë gjatë periudhës kalimtare, duhet të nxirret si konkluzion se nga momenti i hyrjes në fuqi i Ligjit për Statusin e deri në momentin e krijimit të KLGJ apo KLP, Këshilli i Lartë i Drejtësisë për gjyqtarët dhe Prokurori i Përgjithshëm për prokurorët do të jenë organet kushtetuese dhe ligjore kompetente për të vendosur komandimin apo konfirmimin e komandimit të magjistratëve, qoftë inspektorë, Ndihmëmagjistratë, apo magjistratë të komanduar në institucione të tjera.

       

      Rregullimi ligjor i mëparshëm

      1. Edhe ligjet organike të shfuqizuara nga ligjet e paketës së reformës në sistemin e drejtësisë, pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese të vitit 2016, kishin norma që rregullonin komandimin, statusin dhe çështje të tjera të gjyqtarëve dhe prokurorëve që përkohësisht caktoheshin nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë apo Prokurori i Përgjithshëm për të shërbyer si ndihmës ligjor apo këshilltar në Gjykatën e Lartë, Prokurorinë e Përgjithshme apo Gjykatën Kushtetuese.

       

      1. Ndryshe nga Ligji për Statusin, ligjet e mëparshme organike të Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese dhe ai i prokurorisë, nuk parashikonin mundësinë e konfirmimit të magjistratit në detyrën e komanduar dhe afati i përgjithshëm i komandimit ishte tre vjet, apo në rastin e prokurorëve ishte katër vjet.

       

      1. Ligji organik i pushtetit gjyqësor i shfuqizuar tashmë në nenin 28 pika 3 parashikonte njëlloj sikur Ligji për Statusin, se periudha e shërbimit njihet si periudhë vjetërsie në profesion si gjyqtar, për efekt të pagës dhe të karrierës profesionale. Ndërkohë pika 4 e këtij neni njihte si periudhë vjetërsie në punë të gjyqtarëve sipas këtij ligji edhe për ato gjyqtarë që para hyrjes në fuqi të ligjit kishin punuar në prokurori, Gjykatë të Lartë, Gjykatë Kushtetuese apo në Shkollën e Magjistraturës. Njëlloj rregullonte edhe neni 44 i ligjit organik të prokurorisë, ku në pikën 3 parashikonte se periudha e shërbimit njihet si periudhë vjetërsie në profesion si prokuror, për efekt të pagës dhe të karrierës profesionale.

       

      1. Neni 14 i Ligjit Nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese në Republikën e Shqipërisë”, i pandryshuar[8], rregullonte vetëm statusin e nëpunësve civil të Gjykatës Kushtetuese. Ligji nuk parashikonte asnjë normë për të rregulluar statusin e magjistratëve të komanduar apo procedurën e komandimit.

       

      1. Neni 6 i Ligjit Nr. 49/2012 “Për organizimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” për herë të parë krijonte figurën e ndihmësit ligjor të gjykatës së shkallës së parë dhe gjykatës administrative të apelit. Më tej ligji u ndryshua dhe u detajua lidhur me mënyrën e rekrutimit të tyre[9], derisa në vitin 2017 kjo pjesë e ligjit u shfuqizua[10], për ta përputhur atë me parashikimet e Ligjit Nr. 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”. Ndihmësi ligjor në gjykatat e shkallës së parë administrative dhe në Gjykatën Administrative të Apelit nuk ishte magjistrat dhe nuk kishte mundësi ligjore të komandohej magjistrati si ndihmës në këto gjykata. Ndihmësit ligjorë ishin konceptuar nga ligji si pjesë e administratës gjyqësore, të cilët funksionin kryesor të tyre kishin kryerjen e veprimtarisë administrative mbështetëse të gjyqtarit për realizimin me efektivitet të misionit të dhënies së drejtësisë, çka është edhe roli thelbësor i administratës gjyqësore në tërësinë e saj[11]. Kështu për herë të parë komandimin e magjistratit si Ndihmësmagjistrat në gjykatat e apelit e ka njohur Ligji Nr. 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”.

       

      [1] Shtuar me Ligjin nr. 99/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organzimin dhe funnksionimin e Gjykatës Kushtetuese në Republikën e Shqipërisë””.

      [2] Shiko Relacionin për projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, faqe 14, http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/relacioni-1.pdf (vizituar me datë 25.04.2017). Ndër të tjera në relacion thuhet se: “Ndaj magjistratëve të cilët janë në pozicione të komanduara në strukturat e tjera në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, do të zbatohen dispozitat e këtij ligji. Në zbatim të këtij ligji, përvoja profesionale në një pozicion të komanduar, konsiderohet përvojë profesionale si magjistrat. Inspektorët dhe Kryeinspektori në detyrë, të cilët ushtrojnë funksionet në Këshillin e Lartë të Drejtësisë me hyrjen në fuqi të këtij ligji, konsiderohen magjistratë dhe ndaj tyre zbatohen dispozitat e këtij ligji. Ata i nënshtrohen procesit të vetting në përpuhtje me këtë ligj.”.

      [3] Kjo pjesë e dispozitës është shfuqizuar si antikushtetuese me Vendimin Nr. 34, datë 10.04.2017 i Gjykatës Kushtetuese.

      [4] Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar si të papajtueshme me Kushtetutën pjesën e nenit 167, ku Ligji për Statusin parashikon se magjistratëve të komanduar, të cilët kanë shkaqe për mbarimin e mandatit, në zbatim të pjesës III, kreu VII të Ligjit për Statusin, u ndërpritet mandati. Gjykata Kushtetuese vlerësoi se ky parashikim është tejkalim i Kushtetutës dhe si i tillë duhet të shfuqizohej.

      [5] Shiko Relacionin për projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, faqe 14, http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/relacioni-1.pdf (vizituar me datë 25.04.2017).

      [6] Shiko nenin 179 pika 5 të Kushtetutës së ndryshuar me Ligjin Nr. 76/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr. 8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”.

      [7] Shiko Vendimin Nr. 34, datë 10.04.2017 të Gjykatës Kushtetuese, me kërkues Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Unioni i Gjyqtarëve, me objekt shfuqizimin e Ligjit për Statusin, paragrafi nr. 30.

      [8] Kjo dispozitë para ndryshimeve nën titullin “Nëpunësit civil” parashikonte se: “1. Nëpunësi më i lartë civil në Gjykatën Kushtetuese është Sekretari i Përgjithshëm. 2. Shërbimet e tjera të nevojshme për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese kryhen nga nëpunës dhe punonjës të tjerë. 3. Sekretari i Përgjithshëm emërohet nga Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese nga radhët e juristëve me përvojë profesionale. 4. Sekretari i Përgjithshëm drejton veprimtarinë administrative të Gjykatës Kushtetuese, nën autoritetin e Kryetarit të saj. 5. Të drejtat dhe detyrat e Sekretarit të Përgjithshëm dhe të nëpunësve e punonjësve të tjerë të shërbimeve përcaktohen nga ky ligj dhe Rregullorja e Brendshme. 6. Punonjësit e administratës së Gjykatës Kushtetuese i nënshtrohen rregullave të shërbimit civil dhe trajtohen financiarisht njëlloj si punonjësit e administratës së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.”.

      [9] Shiko Ligjin nr. 100/2014 “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin nr. 49/2012, "Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative".

      [10] Shiko Ligjin nr. 39/2017 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 49/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, të ndryshuar.

      [11] Shiko Vendimin nr. 46 datë 29.06.2015 të Gjykatës Kushtetuese, me kërkues 1/5 deputetëve, me objekt i nenit 2 të ligjit nr. 100/2014 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative””, paragrafi nr. 21.

      1. Konteksti historik në të cilin është miratuar dispozita është pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2016, që hynë në fuqi me datë 11.08.2016. Vetë Ligji për Statusin u miratua në kuadër të reformës në sistemin e drejtësisë, si një ndër ligjet kryesore organike të paketës së ligjeve të reformës në drejtësi. Kjo reformë u parapari nga dy dokumente të rëndësishëm strategjikë: (i) Dokumenti Analitik i Sistemit të Drejtësisë[1]; dhe (ii) Strategjia e Reformës në Drejtësi[2]. Këta dokumente të rëndësishëm që u miratuan nga Komisioni i Posaçëm Ad Hoc për Reformën në Drejtësi (ndonëse i dyti vetëm në parim për shkak të mosmarrëveshjeve politike) përcaktuan problemet e sistemit dhe drejtimet që do të ndiqte reforma për t’i adresuar ato (problemet).

       

      [1] Vendimi nr. 14, datë 30.07.2015 i Komisionit Parlamentar për Reformën në Drejtësi.

      [2] Vendimi nr. 15, datë 30.07.2015 i Komisionit Parlamentar për Reformën në Drejtësi.

      1. E drejta ndërkombëtare e detyrueshme për Republikën e Shqipërisë nuk përmban dispozita që të jenë drejtpërsëdrejti relevante për regjimin juridik të komandimit të magjistratëve në veçanti. Në përgjithësi marrëveshjet ndërkombëtare të detyrueshme për Shqipërinë kanë parashikime për standardet e detyrueshme për t’u ndjekur nga legjislacioni i brendshëm lidhur me statusin e magjistratëve. Këto standarde janë mbajtur parasysh edhe në rregullimin ligjor të posaçëm të komandimit.
    1. Opinioni i CCJE nr. 6 (2004), Mbi Proçesin e Rregullt Ligjor Brenda një Afati të Arsyeshëm dhe Roli i Gjyqtarit në Gjykatë lidhur me Metodat Alternative të Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve.
  • Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”;

    http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/relacioni-1.pdf (vizituar me datë 25.04.2017);

    Vendimi nr. 14, datë 30.07.2015 i Komisionit Parlamentar për Reformën në Drejtësi;

    Vendimi nr. 15, datë 30.07.2015 i Komisionit Parlamentar për Reformën në Drejtësi;

  • Neni 179 i Kushtetutës;

    Neni 2 shkronja “h”, 45, 53 – 58, 160, 167 i Ligjit Nr. 96/2016 “Për Statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”;

    Neni 34, 42 i Ligjit Nr. 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”;

    Neni 14/a i Ligjit Nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organzimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese në Republikën e Shqipërisë”;

    Neni 69 i Ligji Nr. 97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”;

    Neni 6 – 6/5 të Ligjit Nr. 49/2012 “Për organizimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”.

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Kushtetuta;

    Ligji Nr. 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”;

    Ligji Nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organzimin dhe funnksionimin e Gjykatës Kushtetuese në Republikën e Shqipërisë”;

    Ligji Nr. 8811, datë 17.05.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”;

    Ligji Nr. 9877, datë 18.02.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”;

    Ligji nr. 8737, datë 12.2.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”;

    Ligji nr. 99/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organzimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese në Republikën e Shqipërisë””;

    Ligji Nr. 97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”;

    Ligji Nr. 49/2012 “Për organizimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”;

    Ligji Nr. 100/2014 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr. 49/2012 “Për organizimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”;

    Ligji Nr. 39/2012 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr. 49/2012 “Për organizimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”;

    Ligji Nr. 84/2016 “Për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”;

    Vendimi Nr. 34, datë 10.04.2017 i Gjykatës Kushtetuese;

    Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, e ndryshuar;

    Ligji Nr. 76/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr. 8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”;

    Ligji Nr. 9877, datë 18.02.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”;

    Ligji nr. 39/2017 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 49/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, të ndryshuar;

    Vendimi nr. 46 datë 29.06.2015 të Gjykatës Kushtetuese, me kërkues 1/5 deputetëve, me objekt i nenit 2 të ligjit nr. 100/2014 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative””;

    Relacion për projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”;

    http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/relacioni-1.pdf (vizituar me datë 25.04.2017);

    Analizë e sistemit të Drejtësisë në Shqipëri” (dokument i hapur për vlerësime, komente dhe propozime) i hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë;

    http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/dokumenti_shqip_0.pdf (vizituar me datë 20.04.2017);

    Opinioni i CCJE nr. 6 (2004), Mbi Proçesin e Rregullt Ligjor Brenda një Afati të Arsyeshëm dhe Roli i Gjyqtarit në Gjykatë lidhur me Metodat Alternative të Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve.

  • Neni 28 i Ligjit Nr. 9877, datë 18.02.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”;

    Neni 25, 44 i Ligjit nr. 8737, datë 12.2.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”;

    Neni 20, 21 i Ligji Nr. 8588, datë 15.3.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë”;

    Neni 14 i Ligjit Nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese në Republikën e Shqipërisë”;

    Neni 14, 15, 16 i Ligjit Nr. 8811, datë 17.5.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”.

Florjan Kalaja
Marsida Xhaferllari, Arta Vorpsi, Gent Ibrahimi, Alma Faskaj (Vokopola)