"PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË "   |   96/2016

Neni 57: Përfundimi i kohëzgjatjes së komandimit

1. Afati i kohëzgjatjes së komandimit përfundon në fund të mandatit ose të mandatit të ripërsëritur, sipas përcaktimeve të vendimit të Këshillit për pozicionin e komanduar.

2. Me kërkesë të magjistratit të komanduar, Këshilli, pasi merr mendimin e institucionit ku është komanduar magjistrati, mund të përfundojë kohëzgjatjen e komandimit para afatit, për arsye të justifikuara.

3. Vetëm në ato raste kur magjistrati ka kryer të gjithë periudhën e komandimit, Këshilli e konsideron me përparësi në lëvizjen paralele ose në procedurat e ngritjes në detyrë.

4. Magjistrati ka të drejtë që pas periudhës të komandimit të kthehet në pozicionin e mëparshëm, përveçse në rastet kur parashikohet ndryshe në ligj.

Përmbajtja

      1. Ligjvënësi, nëpërmjet kësaj dispozite, ka patur si qëllim të rregullojë përfundimin e mandatit të komandimit të magjistratit. Pavarësisht faktit se ligji tashmë parashikon rregulla të detajuara për fillimin dhe përfundimin e komandimit, është e rëndësishme që të ketë dhe disa parashikime lidhur me momentin kohor të mbarimit të rregullt ose të parakohshëm të komandimit, pasi ky moment lidhet ngushtë me pasojat që ai sjell për karrierën e mëtejshme të magjistratit.
      1. Neni 57 ka si objekt rregullimin ligjor të mënyrës së përfundimit të komandimit. Dispozita rregullon procedurën e përfundimit të komandimit të parë ose kur ai është i përsëritur ose i vazhdueshëm (më shumë se një herë). Kjo normë përcakton edhe efektin e komandimit të magjistratit lidhur me karrierën e tij profesionale. Ligjvënësi i ka kushtuar vëmendje edhe kthimit në detyrë dhe njohjes apo jo si rrethanë përparësie për magjistratin periudhën e komandimit. Kjo normë komplementon apo thekson rregullimet e mësipërme të dispozitave mbi komandimin. Vetëm të interpretuara sistematikisht dhe në mënyrë teleologjike arrihet të konkludohet mbi aspekte të përgjithshme dhe të veçanta të institutit të komandimit të magjistratëve.
    • Përfundimi i zakonshëm i mandatit të komandimit

      1. Neni 57 i Ligjit Nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” (në vijim Ligji për Statusin) në pikën e parë vendos rregullin e përgjithshëm dhe natyral të përfundimit të mandatit të komandimit të magjistratit. Kështu parashikohet se afati i kohëzgjatjes së komandimit përfundon në fundin e mandatit të komandimit apo pas mbarimit të afatit të përsëritur të komandimit të magjistratit. Për çdo rast përcaktimi bëhet në vendimin e KLGJ për gjyqtarët dhe KLP për prokurorët, ku përcaktohet shprehimisht afati i komandimit. Kjo është mënyra e zakonshme e mbarimit të mandatit.

       

      1. Ky rregullim i ri ligjor do të thotë se mandati i komandimit të magjistratit apo mandati i konfirmuar i tij mbaron ex legge, që do të thotë pa qenë nevoja që Këshilli respektiv të marrë vendim mbi mbarimin e mandatit të komandimit, përfshirë këtu edhe vendimmarrjen konstatuese. Përjashtim bën rasti kur komandimi përfundon para afatit. Në këtë rast, Këshilli përkatës duhet të shprehet me vendim. Duhet mbajtur parasysh se afati maksimal që ligji njeh për mandatin e komandimit është pesë vjet (shiko nenin 53 pika 6 e Ligjit për Statusin), por rast pas rasti, sipas kërkesës së institucionit, sipas kërkesës dhe pëlqimit të magjistratit apo sipas vendimit të Këshilit përkatës, afati i mandatit mundet të caktohet edhe më pak se pesë vjet. Gjithashtu duhet të mbajtur parasysh rregullimi i nenit 53 pika 8 të Ligjit për Statusin, i cili parashikon se magjistrati nuk mundet të komandohet më shumë se dhjetë vjet gjatë gjithë periudhës së ushtrimit të detyrës së tij.

       

      Përfundimi i parakohshëm i mandatit të komandimit

      1. Krahas mënyrës së zakonshme të mbarimit të mandatit të komandimit, ligji rregullon edhe mënyrën e parakohshme të mbarimit të mandatit. Nuk bëhet fjalë për mbarimin e parakohshëm të mandatit për shkak të përgjegjësisë disiplinore apo vdekjes së magjistratit, por për rastet kur vetë magjistrati i komanduar i bën kërkesë Këshillit përkatës të përfundojë kohëzgjatjen e komandimit para afatit, për arsye të justifikuara. Magjistrati duhet të marrë paraprakisht edhe mendimin e institucionit ku është komanduar magjistrati. Pra, mbarimi i parakohshëm i mandatit të komandimit të magjistratit mund të bëhet vetëm me kërkesën e magjistratit. Megjithatë ligji ka parashikuar se vetëm kërkesa e magjistratit për të ndërprerë para kohe mandatin e komandimit nuk është e mjaftueshme, për sa kohë parashikon se ndërprerja mundet të lejohet vetëm për shkaqe të justifikuara, që do të thotë pas vlerësimit të Këshillit përkatës të cilësisë së shkaqeve që magjistrati ka vendosur në themelin e kërkesës së tij.

       

      1. Për nga natyra juridike e kësaj procedure të posaçme, ndryshe nga mbarimi i zakonshëm i mandatit të magjistratit të komanduar, mbarimi i parakohshëm i mandatit të magjistratit kërkon detyrimisht një vendimmarrje me natyrë juridike konstitutive të Këshillit përkatës. Vetëm pas kësaj vendimmarrje magjistrati ka të drejtë të kthehet në detyrën e mëparshme dhe njëherazi konsiderohet se mandati i komandimit përfundoi.

       

      1. Gjithashtu, mbarimi i parakohshëm i mandatit të komandimit të magjistratit i rregulluar nga pika 2 e nenit 57 të Ligjit për Statusin i referohet vetëm komandimit që realizohet me pëlqim dhe jo komandimit të detyrueshëm. Në këtë të fundit ligji ka parashikuar procedura të tjera të mbarimit të parakohshëm të mandatit të komandimit. Kështu neni 40 në pikën 2 në shkronjën “c” parashikon se magjistrati i emëruar dhe i caktuar në një pozicion të komanduar në një institucion duhet të marrë pjesë në procedurën e rradhës së lëvizjes paralele në shkallën e parë, me qëllim që të caktohet sa më shpejt në një pozicion të lirë si magjistrat.

       

      Komandimi si përparësi në lëvizjen paralele dhe ngritje në detyrë

      1. Njëlloj sikur ka rregulluar edhe më parë neni 48 në pikën 9 në shkronjën “i” i Ligjit për Statusin, se përvoja në pozicionet e komanduara përbën përparësi për realizimin e procedurës së ngritjes në detyrë, edhe pika 3 e nenit 57 të Ligjit për Statusin ka për qëllim të stimulojë përparësinë e magjistratëve të komanduar në promovimin e tyre në detyra të tjera si magjistratë, me qëllim zhvillimin e karrierës së tyre. Kështu kjo pjesë e dispozitës parashikon se, vetëm në ato raste kur magjistrati ka kryer të gjithë periudhën e komandimit, Këshilli e konsideron me përparësi në lëvizjen paralele ose në procedurat e ngritjes në detyrë.

       

      1. Kështu pika 3 e nenit 57 të Ligjit për Statusin e komplementon edhe më tej fillimin e rregullimit ligjor të përparësisë së periudhës së komandimit për efektet e zhvillimit të karrierës së magjistratit. Kështu ligji ka parashikuar se periudha e komandimit të magjistratit, qoftë komandimi i detyruar apo ai me pëlqim, apo qoftë komandimi si inspektor, Ndihmësmagjistrat apo si magjistrat në institucione të tjera, do të ketë përparësi në zhvillimin e karrierës së magjistratit, në dy nga elementet më të rëndësishëm, fillimisht lëvizja paralele dhe më tej edhe ngritja në detyrë. I vetmi kusht që ligji vendos, me qëllim arritjen e stabilitetit të menaxhimit të burimeve njerëzore në gjykata, prokurori dhe në institucionet ku magjistrati komandohet, është që magjistrati të ketë mbaruar mandatin e komandimit në mënyrë të zakonshme, që do të thotë pas mbarimit natyror të afatit të mandatit të komandimit, sikurse është vendosur nga Këshilli përkatës.

       

      Kthimi në detyrë

      1. Pika 4 e nenit 57 të Ligjit për Statusin parashikon rregullimin ligjor të kthimit në detyrë të magjistratit pas mbarimit të zakonshëm apo para kohe të mandatit fillestar apo të konfirmuar të magjistratit. Si rregull i përgjithshëm ligji ka parashikuar se magjistrati, pas mbarimit të mandatit të komandimit, do të kthehet në detyrën e tij të mëparshme. Magjistrati si detyrë të mëparshme mundet të ketë patur edhe një pozicion të përkohshëm, i caktuar aty sipas procedurës së parashikuar në nenin 59 të Ligjit për Statusin, por ai nuk mundet të kthehet në këtë detyrë. Kthimi në detyrë i magjistratit do të thotë kthimi në detyrën permanente të tij, apo në pozicionin e përhershëm të tij në prokurori apo në gjykatë.

       

      1. Kjo pjesë e normës, për nga natyra juridike që ka, kuptohet që do të gjej zbatim vetëm në rastet e mbarimit të mandatit të magjistratëve të caktuar me pëlqim. Për magjistratët e caktuar me detyrim do të vlejë rregullimi ligjor i parashikuar nga neni 40 pika 2 shkronja “b” e Ligjit për Statusin, duke qenë se ato nuk kanë akoma një detyrë permanente apo pozicion magjistrati të përhershëm dhe pikërisht ky fakt ka qenë shkaku ligjor që ka diktuar realizimin e procedurës ligjore të komandimit të detyrueshëm.

       

      1. Kthimi në detyrën e mëparshme të magjistratit bëhet, nëse nuk ka pasur kërkesë të institucionit ku magjistrati është komanduar drejtuar Këshillit, me qëllim konfirmimin e komandimit, të paktën tre muaj para se afati i komandimit të mbarojë. Nëse një kërkesë e tillë është bërë, atëhere i takon Këshillit të shprehet me vendim mbi konfirmimin e komandimit apo jo. Ligji parashikon edhe përjashtim nga ky rregull. Dy nga përjashtimet janë parashikuar nga vetë paragrafi i tretë i nenit 57 të Ligjit për Statusin. Rasti i parë është kur magjistrati gjatë apo para mbarimit të mandatit të komandimit është caktuar në një pozicion tjetër paralel nga Këshilli përkatës, sipas procedurave të parashikuara për lëvizjen paralele. Rasti i dytë është kur magjistrati, gjatë apo para mbarimit të afatit të komandimit, caktohet në një detyrë apo pozicion tjetër të pëhershëm magjistrati më të lartë se sa ajo që kishte më parë, sikur është rasti i procedurave të ngritjes në detyrë. Raste të tjera të moskthimit në detyrën e mëparshme të magjistratit është përsëritja e komandimit, por tashmë në një institucion tjetër, apo dhe caktimi i magjistratit nga Këshilli përkatës në një detyrë të përkohshme, sipas nenit 59 të Ligjit për Statusin.

       

      Rregullimi ligjor i mëparshëm

      1. Në të vetmen dispozitë ligjore që rregullonte komandimin e gjyqtarëve, konkretisht neni 28 i Ligjit Nr. 9877, datë 18.02.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, tashmë i shfuqizuar, nuk parashikohej mundësia e gjyqtarit të konfirmonte komandimin e tij apo të komandohej sërish pas komandimit të parë, duke njohur kështu vetëm një mundësi dhe vetëm një herë komandimin gjatë ushtrimit të detyrës. Gjithsej kjo periudhë ishte tre vjet dhe pas mbarimit të saj magjistrati duhet të kthehej në detyrën e tij.

       

      1. Ligji nuk parashikonte se komandimi i një magjistrati dhe kryerja e detyrës së përkohshme nga ai të përbënte rrethanë ligjore përparësie në transferimet apo në ngritjen në detyrë. Në praktikë Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka mbajtur dy qëndrime, ku në disa raste është interpretuar se jo vetëm mbarimi i afatit përbën një shkak dhe rrethanë të mjaftueshme për t’u kthyer në detyrë, por kërkohej një vendimmarrje konstatuese nga ana e këtij organi që të çertifikohej mbarimi i mandatit të komandimit dhe magjistrati të kthehej në detyrën e tij. Ka patur raste të tjera kur Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk ka marrë vendim, por periudha e komandimit është konsideruar e mbaruar me përfundimin e afatit për të cilën komandimi është akorduar. Ligji nuk e rregullonte dhe as nuk e ndalonte mbarimin e mandatit të komandimit para afatit.

       

      1. Në rastin e magjistratëve të komanduar si inspektorë pranë Inspektoriatit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, neni 15 i Ligjit Nr. 8811, datë 17.5.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë” parashikonte se gjyqtarët komandoheshin si inspektorë për një mandat pesëvjeçar me të drejtë riemërimi. Më tej kjo normë parashikonte se gjyqtarët, që shërbejnë si inspektorë në Inspektoratin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, me kërkesë të tyre, riemërohen gjyqtarë pa konkurs. Nuk kishte norma që këtë periudhë vjetërsie në punë ta njihnin si përparësi në procedurat e lëvizjes paralele apo të ngritjes në detyrë. Në rastet e mbarimit të afatit të mandatit të komandimit apo të riemërimit si inspektorë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë merrte vendim për konstatimin e këtij fakti dhe pasqyrohej se magjistrati kthehej në detyrën e mëparshme, me përjashtim të rasteve kur ai tranferohej me pëlqim apo ngrihej në detyrë. Ligji nuk e rregullonte dhe as nuk e ndalonte mbarimin e mandatit të komandimit para afatit.

       

      1. Ligji Nr.8737, datë 12.2.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, pasi parashikonte se prokurori mundet të komandohej deri në katër vjet, në pikën 1 të nenit 44 sanksiononte se në mbarim të këtij afati, me kërkesën e tyre, ata riemërohen prokurorë, pa konkurs, në vendin që kanë pasur. Edhe ky ligj nuk parashikonte se periudha e vjetërsisë në detyrë si magjistrat i komanduar do të përbënte rrethanë përparësie për lëvizjen paralele apo ngritjen në detyrë. Ligji nuk e rregullonte dhe as nuk e ndalonte mbarimin e mandatit të komandimit para afatit.
      1. Konteksti historik në të cilin është miratuar dispozita është pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2016, që hynë në fuqi me datë 11.08.2016. Vetë Ligji për Statusin u miratua në kuadër të reformës në sistemin e drejtësisë, si një ndër ligjet kryesore organike të paketës së ligjeve të reformës në drejtësi. Kjo reformë u parapari nga dy dokumente të rëndësishëm strategjikë: (i) Dokumenti Analitik i Sistemit të Drejtësisë[1]; dhe (ii) Strategjia e Reformës në Drejtësi[2]. Këta dokumente të rëndësishëm që u miratuan nga Komisioni i Posaçëm Ad Hoc për Reformën në Drejtësi (ndonëse i dyti vetëm në parim për shkak të mosmarrëveshjeve politike) përcaktuan problemet e sistemit dhe drejtimet që do të ndiqte reforma për t’i adresuar ato (problemet).

       

      [1] Vendimi nr. 14, datë 30.07.2015 i Komisionit Parlamentar për Reformën në Drejtësi.

      [2] Vendimi nr. 15, datë 30.07.2015 i Komisionit Parlamentar për Reformën në Drejtësi.

      1. E drejta ndërkombëtare e detyrueshme për Republikën e Shqipërisë nuk përmban dispozita që të jenë drejtpërsëdrejti relevante për regjimin juridik të komandimit të magjistratëve në veçanti. Në përgjithësi marrëveshjet ndërkombëtare të detyrueshme për Shqipërinë kanë parashikime për standardet e detyrueshme për t’u ndjekur nga legjislacioni i brendshëm lidhur me statusin e magjistratëve. Këto standarde janë mbajtur parasysh edhe në rregullimin ligjor të posaçëm të komandimit.
  • Asnjë koment
  • Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”;

    http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/relacioni-1.pdf (vizituar me datë 25.04.2017);

    Vendimi nr. 14, datë 30.07.2015 i Komisionit Parlamentar për Reformën në Drejtësi.

    Vendimi nr. 15, datë 30.07.2015 i Komisionit Parlamentar për Reformën në Drejtësi.

  • Neni 99, 100, 191, 192 të Ligjit Nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”;

    Neni 40, 53 – 58, 59, 160, 167 i Ligjit Nr. 96/2016 “Për Statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”;

    Neni 14/a i Ligjit Nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organzimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese në Republikën e Shqipërisë”.

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Kushtetuta;

    Kodi i Procedurave Administrative;

    Ligji Nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”;

    Ligji Nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”;

    Ligji Nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organzimin dhe funnksionimin e Gjykatës Kushtetuese në Republikën e Shqipërisë”;

    Ligji Nr. 8811, datë 17.05.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”;

    Ligji Nr. 9877, datë 18.02.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”;

    Ligji nr. 8737, datë 12.2.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”;

    Relacion për projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”;

    http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/relacioni-1.pdf (vizituar me datë 25.04.2017);

    Analizë e sistemit të Drejtësisë në Shqipëri” (dokument i hapur për vlerësime, komente dhe propozime) i hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë;

    http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/dokumenti_shqip_0.pdf (vizituar me datë 20.04.2017);

  • Neni 28 i Ligjit Nr. 9877, datë 18.02.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”;

    Neni 25, 44 i Ligjit nr. 8737, datë 12.2.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”;

    Neni 20, 21 i Ligji Nr. 8588, datë 15.3.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë”;

    Neni 14 i Ligjit Nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese në Republikën e Shqipërisë”;

    Neni 14, 15, 16 i Ligjit Nr. 8811, datë 17.5.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”.

Florjan Kalaja
Marsida Xhaferllari, Arta Vorpsi, Gent Ibrahimi, Alma Faskaj (Vokopola)