"PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË "   |   96/2016

Neni 6: Papajtueshmëritë me funksionin e magjistratit

1. Funksioni i magjistratit është i papajtueshëm me:

a. anëtarësinë në parti politike dhe pjesëmarrjen në veprimtari politike të organizuara nga një parti politike;

b. kryerjen e çdo veprimtarie politike, pavarësisht nëse veprimtaria kryhet në bashkëpunim me ndonjë parti politike ose jo, që mund të ndikojë në pavarësinë e magjistratit, të krijojë ndonjë konflikt interesi ose, në çdo rast, të krijojë përshtypjen që magjistrati është i paanshëm dhe i pandikuar.

2. Kryetari njofton Këshillin në rast se ka dyshime të bazuara për të besuar se një magjistrat i gjykatës ose prokurorisë përkatëse nuk i përmbush kërkesat e kësaj dispozite.

Përmbajtja

    • 1. Qëllimi i kësaj norme është përcaktimi i papajtueshmërive të magjistratit për shkak të funksionit gjyqësor dhe prokurorial. Këto funksione i përkasin pushtetit gjyqësor, që është i ndarë nga pushteti ekzekutiv dhe ai legjislativ. Për këtë shkak, papajtueshmëritë e magjistratit për shkak funksioni lidhen me veprimtarinë politike.

    • 2. Neni 6 përbëhet nga dy pika. Në pikën e parë përshkruhen pjesëmarrjet ose veprimtaritë të cilat konsiderohen nga ligji si të papajtueshme me funksionin e magjistratit. Në pikën e dytë përshkruhet adresimi i rastit të papajtueshmërive ku Kryetarit të Gjykatës ose Prokurorisë i njihet roli për të njoftuar Këshillin përkatës në rast se ka dyshime të bazuara.

    • 3. Kjo normë cilëson pjesëmarrjet dhe veprimtaritë të cilat janë të papajtueshme me funksionin e magjistratit. Papajtueshmëritë në këtë dispozitë lidhen vetëm me pjesëmarrje në organizata ose veprimtari politike ndërsa papajtueshmëritë e natyrave të tjera trajtohen në nenin 7 të ligjit për statusin si kufizime për shkak të funksionit.

      4. Neutraliteti politik i magjistratëve është parakusht për rritjen e besimit të publikut në sistemin e drejtësisë, si dhe shmangien e influencave politike e të çdo lloji tjetër. Pjesëmarrja e magjistratëve në veprimtari politike ngre shumë çështje problematike që afektojnë vlerat e paanësisë, pavarësisë dhe etikës së lartë. Megjithatë, magjistratët si qytetarë, gëzojnë të drejta e liri politike të përshkruara në nenin 45 e në vijim të Kushtetutës por brenda kufizimeve të vendosura në ligj për shkak të funksionit.

      5. Pavarësisht bindjeve personale, magjistratit i ndalohet të prononcohet publikisht në veprimtari politike. Madje, ai duhet të shmangë përfshirjen në debate që mund të kenë edhe dukje politike për të siguruar që jo vetëm është neutral dhe i paanshëm, por edhe të duket si i tillë në sytë e publikut.

      6. Papajtueshmëria në lidhje me pjesëmarrjen në organizata ose veprimtari politike nuk vlen vetëm gjatë kohës së mbajtjes së funksionit të magjistratit por edhe përpara emërimit si i tillë. Të mos qënit anëtar i ndonjë partie politike është një nga kriteret e pranimit që në fazën e rekrutimit të kandidatëve magjistratë sipas përcaktimeve të nenit 28 paragrafi 1 pika e) e Ligjit për Statusin.

      7. Në kuptim të nenit 36 të Ligjit për Statusin, në rastin e ish-gjyqtarëve e ish-prokurorëve, kriteret e ri-emërimit të kësaj kategorie përmbajnë kufizime që lidhen me mandate politike për periudhën 10 vjeçare para paraqitjes së kërkesës. Sipas shkronjës c) të nenit 36, një kandidat për magjistrat nga radhët e ish-gjyqtarëve dhe ish-prokurorëve nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike në administratën publike ose funksione drejtuese në parti politike për 10 vitet e fundit, para kandidimit. I njëjti kriter është vendosur në nenin 49 të Ligjit për Statusin edhe për emërimin e kandidatëve jogjyqtarë në Gjykatën e Lartë.

      8. Tek përkufizimet e dhëna në nenin 2 të Ligjit për Statusin, jepen edhe kuptimet që shprehjet “nuk kanë ushtruar funksione politike në administratën publike” dhe “nuk ka mbajtur pozicione drejtuese në një parti politike” kanë, në kuptim të Ligjit për Statusin.

      9. Jo vetëm pjesëmarrja në veprimtari apo organizata politike është e papajtueshme por edhe çdo veprimtari politike pavarësisht nëse lidhet ose jo me ndonjë parti politike të identifikuar ose të identifikueshme. Ky ndalim lidhet jo vetëm me të qënit e magjistratit i paanshëm, i pavarur dhe i pandikuar por edhe me perceptimin si i tillë nga ana e aktorëve të tjerë si dhe e publikut në përgjithësi.

      10. Në Ligjin për Qeverisjen, kufizimi që lidhet me mos-ushtrimin e funksioneve politike në administratën publike dhe mos-mbajtjen e pozicioneve drejtuese në një parti politike në 10 vitet e fundit para kandidimit lidhet edhe me anëtarët e Këshillit që vijnë nga avokatia, trupa e padagogëve e shoqëria civile, Inspektorin e Lartë të Drejtësisë (ILD), inspektorët e zyrës së ILD e drejtorin e Shkollës së Magjistraturës.

      11. Në pikën 2 të nenit 6, Kryetarit i është ngarkuar detyra për të informuar Këshillin nëse vëren ose ka informacione që i krijojnë dyshime jo vetëm të arsyeshme por edhe të bazuara për të dyshuar që një magjistrat ka shkelur kërkesat e kësaj dispozite. Ky rregull jo vetëm forcon bashkëpunimin ndërinstitucional, duke detyruar një qasje aktive të kryetarit të Gjykatës apo Prokurorisë, por edhe siguron efektivitet të hetimit disiplinor nëse është rasti, në kushtet kur kryetari është figura që qëndron më afër magjistratit dhe rrjedhimisht, është në pozicionin për të përftuar informacion të sigurtë dhe provat e duhura.

    • 12. Përpara miratimit të Ligjit për Statusin, rregullat në nivel ligjor për ndalimin e përfshirjes së gjyqtarit të shkallës së parë dhe të apelit në veprimtari politike gjendeshin në nenin 22 dhe 23 pika 1 shkronja a) të ligjit nr. 9877/2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në RSh”. Sipas këtyre dispozitave, konsiderohej papajtueshmëri me detyrën rasti kur gjyqtari ushtronte veprimtari politike, ndërsa pjesëmarrja në parti politike ose pjesëmarrja në veprimtari politike konsiderohej kufizim për shkak detyre. Ligji nr. 8588/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë” e nënkuptonte ndalimin për veprimtarinë politike, teksa në nenin 3 pika 1 shkronja ?) vendoste si kusht për emërimin në Gjykatën e Lartë të mos ketë qenë anëtar i partive politike për 5 vitet pararendëse nga data e kandidimit. Nuk duhet harruar që ky rregull është shtuar për emërimet në Gjykatën e Lartë me ndryshimet ligjore të vitit 2013, që për kohën e miratimit, ishin një hap përpara drejt rrugës për të reduktuar ndikimin politik në gjyqësor.

      13. Ndërsa për prokurorët, neni 39 pikat 1 dhe 2 të ligjit nr. 8737/2001 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në RSH” parashikonte si papajtueshmëri me detyrën e prokurorit, rastin kur prokurori bënte pjesë në parti politike apo merrte pjesë në veprimtari me karakter politik. Gjithashtu, funksioni i prokurorit ishte i papajtueshëm me kandidimin dhe me çdo mandat zgjedhor.

      14. Teksti i këtyre i dispozitave ishte i paqartë dhe mendohet që rregullat e reja të Ligjit për Statusin, jo vetëm kanë sjellë përmirësim në drejtim të qartësisë, por edhe në drejtim të kodifikimit duke i bashkuar rregullat për gjyqtarët dhe prokurorët e të gjitha niveleve në një tekst të vetëm. Ky synim është shprehur edhe tek relacioni shoqërues i Ligjit për Statusin, ku në faqen 9 paragrafi 2 thuhet “Në projektligj, parashikohen rastet specifike dhe bëhet i qartë dallimi mes papajtueshmërive, kufizimeve për shkak të funksionit, papajtueshmëritë ambientale dhe veprimtaritë që lejohen të kryhen jashtë funksionit. Funksioni i magjistratit është i papajtueshëm me anëtarësinë në parti politike dhe pjesëmarrjen në veprimtari politike të organizuara nga një parti politike si dhe kryerjen e çdo veprimtarie politike që mund të ndikojë në pavarësinë e magjistratit, të krijojë ndonjë konflikt interesi ose, në çdo rast, të krijojë përshtypjen që magjistrati është i njëanshëm ose i paragjykuar”.

    • 15. Këshilli Konsultativ i Gjyqtarëve Evropianë ka rregulluar në mënyrë të dedikuar të drejtat politike të magjistratëve si edhe detyrimin e tyre për të patur një pjesëmarrje të kufizuar në aktivitetet politike. Konkretisht KKGJE shprehet se “...pjesëmarrja e gjyqtarëve në aktivitete politike paraqet probleme kryesore. Natyrisht, gjyqtari mbetet qytetar dhe duhet të ketë mundësi të ushtrojë të drejtat politike sikur të gjithë qytetarët. Megjithatë, sa i përket drejtës për gjykim të drejtë dhe pritje legjitime të publikut, gjyqtarët duhet të shfaqin përmbajtje nga ushtrimi i aktivitetit publik politik. Disa Shtete kanë përfshirë këtë parim në rregullat e veta disiplinore dhe sanksionojnë çdo sjellje që bie në konflikt me obligimin e gjyqtarit për të ushtruar përmbajtje. Gjithashtu, shprehimisht e kanë cekur që detyrat e gjyqtarit nuk janë në përputhje me disa mandate politike (në parlament nacional, Parlament Evropian apo këshill lokal), madje disa herë duke ndaluar bashkëshortët e gjyqtarëve që të marrin qëndrime të tilla.“

      16. Gjithashtu bazuar në rregullimet e KKGJE, “..është e nevojshme të konsiderohet pjesëmarrja e gjyqtarëve në debate publike të natyrës politike. Në mënyrë që të ruhet mirëbesimi i publikut në sistemit gjyqësor, gjyqtarët nuk duhet të ekspozohen ndaj sulmeve politike që nuk janë në përputhje me neutralitetin e kërkuar nga gjyqësori...“. “...Diskutimi brenda KKGJE-s ka treguar nevojën për të krijuar një baraspeshë ndërmjet lirisë së të menduarit të gjyqtarit dhe të shprehurit dhe kërkesën për neutralitet. Prandaj, është e nevojshme që gjyqtarët, edhe pse anëtarësimi i tyre në parti politike apo pjesëmarrja në debate politike për problemet kryesore të shoqërisë nuk mund të ndalohet, së paku të përmbahen nga ndonjë aktivitet politik që ka mundësi të kompromentojë pavarësinë e tyre apo të rrezikojë imazhin e objektivitetit. ....Ata duhet të përmbahen nga aktivitetet politike që mund të kompromentojnë pavarësinë e tyre dhe të dëmtojnë imazhin e tyre të objektivitetit...”.

  • Opinioni nr. 3 i Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Evropianë (KKGJE) për vëmendjen e Komisionit të Ministrave të Këshillit të Evropës mbi parimet dhe rregullat që rregullojnë sjelljen profesionale të gjyqtarëve në veçanti etikën, sjelljet e papërshtatshme dhe objektivitetin.

  • Relacioni për projektligjinPër statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, vizituar për herë të fundit më 03.05.2017.

  • Kushtetuta

    Neni 136 pika 4 “...Kandidati jo gjyqtar nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike në administratën publike, ose pozicione drejtuese në parti politike, gjatë 10 vjetëve të fundit para kandidimit. Kritere të tjera dhe procedura e përzgjedhjes së gjyqtarit parashikohen me ligj...”; 

    Neni 143 “...Qenia gjyqtar nuk pajtohet me asnjë veprimtari tjetër politike ose shtetërore, si dhe veprimtari profesionale që ushtrohet kundrejt pagesës, me përjashtim të aktivitetit mësimdhënës, akademik, shkencor, si dhe delegimit pranë institucioneve të sistemit të drejtësisë, sipas ligjit...”; 

    Neni 149/ç “…Qenia Prokuror i Përgjithshëm, prokuror ose anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë nuk pajtohet me asnjë veprimtari tjetër shtetërore ose politike, si dhe me veprimtari profesionale që ushtrohet kundrejt pagesës, me përjashtim të aktivitetit mësimdhënës, akademik ose shkencor...”.

     

    Ligji  Nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” 

    Neni 28 “...Çdo person ka të drejtë të kandidojë në Shkollën e Magjistraturës, për t’u pranuar në formimin fillestar për magjistrat, nëse ... nuk është anëtar i partive politike në kohën e kandidimit...”. 

    Neni 36 “...nuk duhet të kenë mbajtur funksione politike në administratën publike, ose pozicione drejtuese në parti politike, gjatë 10 viteve të fundit përpara kërkesës për riemërim si magjistrat...”.

  • Asnjë koment
  • Vendime të Gjykatës Kushtetuese 

    Gjykata Kushtetuese në vendimin nr. 34 datë 08.03.2017, në paragrafin 33, shprehet se “Kushtetuta ka përcaktuar në nenin 138 sistemin e garancive, që synojnë të sigurojnë pavarësinë e pushtetit gjyqësor, si dhe kufizimet përkatëse, kurse në nenin 143 ajo ka parashikuar rastet e papajtueshmërisë në ushtrimin e funksionit të gjyqtarit, duke renditur si kritere ndaluese “veprimtarinë tjetër politike ose shtetërore, si dhe veprimtari profesionale që ushtrohet kundrejt pagesës, me përjashtim të aktivitetit mësimdhënës, akademik, shkencor, si dhe të delegimit pranë institucioneve të sistemit të drejtësisë, sipas ligjit.”.

  • Organizimi i Gjykatave dhe kapacitetet e Administratorëve të Gjykatave në Shqipëri (BE / KE Mbështetje për Efikasitetin e Drejtësisë - SEJ Një projekt i përbashkët midis Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës), 15 Mars 2016; 

    Daniel H. Foote, Kufizimet në veprimtarinë politike të gjyqtarëve në Japoni dhe Shtetet e Bashkuara, Janar 2009

  • Nenet 22 dhe 23 të ligjit nr. 9877, datë 18.02.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar 

    Neni 3 i ligjit nr. 8588, datë 15.03.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë”, i ndryshuar 

    Neni 39 pika 1 i ligjit nr.8737, datë 12.2.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”

Zyhrada Kongoli
Marsida Xhaferllari, Arta Vorpsi, Gent Ibrahimi, Alma Faskaj (Vokopola)