1. Magjistrati ka të drejtë dhe detyrimin të marrë pjesë në programet e formimit vazhdues. Magjistrati ka të drejtë të propozojë tema trajnimi dhe të bashkëpunojë me Këshillin, me qëllim përmirësimin e programeve të trajnimit.
2. Magjistrati duhet:
a. të ndjekë formimin vazhdues, në përputhje me legjislacionin në fuqi;
b. të marrë çdo masë tjetër të arsyeshme për t’u përditësuar me ndryshimet legjislative dhe të jurisprudencës.
3. Periudha e formimit vazhdues duhet të jetë:
a. jo më pak se pesë ditë të plota në vit dhe jo më pak se 30 ditë të plota gjatë pesë viteve;
b. jo më shumë se 40 ditë në vit dhe 200 ditë gjatë pesë viteve.
4. Magjistrati duhet të përmbushë detyrimin për të marrë pjesë në formimin vazhdues vetëm në ato raste kur programet e trajnimit janë:
a. të përshtatshme për funksionin e tij;
b. të organizuara dhe certifikuara nga Shkolla e Magjistraturës ose nga çdo institucion trajnimi në nivel kombëtar ose ndërkombëtar të njohur nga Këshilli. Një kopje e certifikatës vendoset në dosjen personale të magjistratit.
5. Shpenzimet e udhëtimit dhe të qëndrimit për ndjekjen e programeve të formimit vazhdues, të organizuar nga Shkolla e Magjistraturës, mbulohen me fonde nga buxheti i parashikuar për këtë qëllim të Shkollës së Magjistraturës, si dhe nga burime të tjera financiare, të paracaktuara për këto veprimtari. Këshilli mund të mbulojë nga buxheti i tij shpenzimet e udhëtimit dhe të qëndrimit për ndjekjen e trajnimeve të organizuara nga çdo institucion trajnimi, i njohur nga Këshilli.
6. Këshillat bashkëpunojnë me Shkollën e Magjistraturës për analizën e nevojave për trajnim, zhvillimin e kurrikulave dhe programeve trajnuese. Këshillat miratojnë rregulla më të hollësishme për përshtatshmërinë dhe përmbajtjen e programeve të formimit vazhdues, shërbimet lehtësuese të lejuara, si dhe për procedurën e pajisjes me leje për ndjekjen e këtyre trajnimeve.