1. Gjatë ushtrimit të funksionit, magjistrati nuk duhet:
a. të bëjë publike të dhëna ose informacione për çështjet që i janë caktuar;
b. të bëjë publike mendimet që ka dhënë gjatë hetimeve ose seancave gjyqësore, përveç rasteve kur mendimi është publikuar nëpërmjet një vendimi;
c. të bëjë deklarata publike që mund të krijojnë përshtypjen që magjistrati është i njëanshëm ose i ndikuar në një çështje të caktuar.
2. Parashikimet e pikës 1, të këtij neni, nuk e ndalojnë magjistratin të ushtrojë përgjegjësitë si magjistrat shtypi, lidhur me marrëdhëniet me publikun në gjykata dhe në prokurori.
3. Magjistrati nuk mund të marrë pjesë në grevë.
4. Magjistratit i ndalohet:
a. të administrojë, të drejtojë ose të ushtrojë ndikim në shoqëritë tregtare ose fitimprurëse, personalisht ose nëpërmjet përfaqësimit;
b. të zotërojë në mënyrë aktive aksione ose pjesë të kapitalit të një shoqërie tregtare, në përputhje me legjislacionin në fuqi për parandalimin e konfliktit të interesit;
c. të zotërojë në mënyrë pasive aksione ose pjesë të kapitalit të një shoqërie tregtare, nëse shoqëria ka fitime ose të mira nga kontratat publike, në përputhje me legjislacionin për parandalimin e konfliktit të interesit në fuqi;
ç. të zotërojë në mënyrë pasive aksione ose pjesë të kapitalit të një shoqërie tregtare, në të cilën veprimtaria e magjistratit është e ndaluar, për shkak se mund të ndikojë në pavarësinë e magjistratit, krijon konflikt interesi ose krijon përshtypjen që magjistrati është i njëanshëm ose i ndikuar;
d. të jetë ekspert në gjykatat vendase ose arbitër në arbitrazhin tregtar.
5. Kryetari njofton Këshillin në rast se ka dyshim të arsyeshëm për të besuar që një magjistrat i gjykatës ose prokurorisë përkatëse nuk plotëson kriteret e parashikuara në këtë dispozitë.