"PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË "   |   96/2016

Neni 65: Dorëheqja

1. Magjistrati mund të kërkojë mbarimin e statusit, nëpërmjet paraqitjes së dorëheqjes para Këshillit përkatës.
2. Dorëheqja duhet të jetë me shkrim dhe nuk është e nevojshme të jetë e arsyetuar. Dorëheqja jep efektet në fund të muajit pasardhës, nga dita kur Këshilli merr deklarimin me shkrim të dorëheqjes. Mbarimi i statusit të magjistratit deklarohet me vendim të Këshillit jo më vonë se dy javë nga mbarimi i statusit.
3. Në raste të justifikuara, me kërkesë të motivuar dhe me miratim të Këshillit, dorëheqja mund të japë efekte përpara kohës së përcaktuar në pikën 2 të këtij neni.

Përmbajtja

    • 1. Qëllimi i nenit 65 është të respektojë vullnetin e lirë të magjistratit, i cili shpreh dëshirën për të mos ushtruar më funksionin. Në këtë rast magjistrati bazohet vetëm në vullnetin e tij të lirë dhe të pandikuar nga faktorë të tjerë objektivë. Duke parashikuar disa rregulla bazë të mënyrës së ushtrimit të vullnetit të magjistratit, kjo dispozitë synon të ofrojë qartësi dhe parashikueshmëri për funksionin e magjistratit. Nisur nga fakti se dorëheqja është një nga shkaqet e mbarimit të statusit të magjistratit, respektimi i rregullave në këtë dispozitë paraqet rëndësi si për vetë magjistratin, ashtu edhe për mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë në tërësi.

      2. Gjithashtu, kjo dispozitë, në mbështetje të përcaktimeve kushtetuese, ka për qëllim të rregullojë në mënyrë më specifike shkaqet e përfundimit të statusit, një prej të cilave është edhe dorëheqja.

    • 1. Subjektet


      3. Neni 65 ka si subjekt magjistratin si kategori e përgjithshme, ku përfshihen të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët, të cilët shprehin vullnetin për të mos ushtruar më këtë funksion. 
      4. Gjithashtu, neni 65 ka për subjekt edhe këshillat përkatës, të cilët pranojnë aktin e dorëheqjes nga funksioni dhe deklarojnë mbarimin e statusit të magjistratit në çdo rast, sipas rregullave të parashikuara në të. 


      2. Struktura


      5. Neni 65 është neni i dytë i kreut VIII “Mbarimi i statusit të magjistratit”, të pjesës III “Zhvillimi i karrierës së magjistratëve”. Siç edhe rezulton nga titulli i nenit “Dorëheqja”, ai i kushtohet njërit prej rasteve të parashikuara në nenin 64, të cilët passjellin mbarimin e statusit të magjistratit. Gjithashtu, kjo dispozitë, përcakton momentin ose kohën kur i jep efektet dorëheqja, si dhe kur deklarohet mbarimi i statusit. 
      6. Neni 65 përbëhet nga 3 pika, ku pika 1 njeh të drejtën e magjistratit për të kërkuar dorëheqjen dhe me këtë rast mbarimin e statusit të tij. 
      7. Pika 2 parashikon disa modalitete se si bëhet dorëheqja dhe kur i sjell efektet. Kështu, ajo bëhet me shkrim dhe nuk është e nevojshme të jetë e arsyetuar. Dorëheqja i jep efektet në fund të muajit pasardhës, nga dita kur Këshilli merr deklarimin me shkrim të dorëheqjes. Mbarimi i statusit të magjistratit deklarohet me vendim të Këshillit jo më vonë se dy javë nga mbarimi i statusit. 
      8. Së fundmi, pika 3 krijon mundësinë që në raste të justifikuara dhe me miratim të Këshillit, dorëheqja mund të japë efekte përpara kohës së përcaktuar në pikën 2 të këtij neni. Pra, kjo pikë ofron një masë fleksibiliteti lidhur me momentin e fillimit të efekteve të dorëheqjes, për arsye që magjistrati dhe këshilli i konsideron të justifikuara.

    • a) Modaliteti i dorëheqjes 


      9. Pika 1 e nenit 65 parashikon mundësinë e magjistratit për të paraqitur dorëheqjen nga funksioni. Ky veprim është një prej atyre shkaqeve që çojnë në mbarimin e statusit të magjistratit. Arsyeja përse ligji ka parashikuar rregullimin e këtij instituti lidhet pikërisht me këtë pasojë të rëndësishme që sjell ky veprim. Magjistrati, ashtu siç bën kërkesë dhe veprime të tjera aktive ose konkludente për t’u bërë pjesë e sistemit të drejtësisë si gjyqtar ose prokuror, ashtu duhet të shfaqë vullnetin e tij të shprehur edhe në rastin kur dëshiron të mos vazhdojë më të jetë në këtë funksion. 
      10. Për këtë arsye, pika 2 e nenit 65 parashikon që dorëheqja duhet paraqitur me shkrim, gjë e cila provon vullnetin e lirë të magjistratit. Pavarësisht se cilësimi “me shkrim” nuk do të thotë patjetër se duhet hartuar vetëm me shkrim dore, nënshkrimi prej vetë magjistratit i jep këtij akti individualitetin dhe vërtetësinë, elemente të domosdoshme për të provuar vullnetin e personit. Nga ana tjetër, magjistrati mund të paraqesë shkaqet e dorëheqjes, por nuk është i detyruar. Një akt dorëheqje shpreh vullnetin e lirë dhe si i tillë nuk është e nevojshme të jetë patjetër i justifikuar. E kundërta, pra detyrimi për justifikim, do ta bënte atë të detyrueshëm, gjë që nuk përputhet me karakterin e dorëheqjes .
      11. Nisur nga sa më lart, mund të lindë pyetja: a konsiderohet se magjistrati heq dorë nga detyra nëse nuk paraqet akt me shkrim që dorëhiqet nga detyra, por kryen veprime të tjera që nënkuptohen si heqje dorë nga detyra. Të tilla mund të jenë mospranimi nga ana e magjistratit për t’u caktuar në një pozicion magjistrati. Kështu e ka konsideruar KLGJ-ja rastin e disa gjyqtarëve, të cilët pas përfundimit të mandatit 9-vjeçar në GJL, hoqën dorë nga e drejta e caktimit të tyre në nivel apeli (shih komentin e nenit 61 dhe 64) . Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe KPK-ja lidhur me rastin kur një gjyqtar me veprime të tjera po pa përmendur  “dorëheqjen” shprehin vullnetin për të mos qenë më magjistratë . Pikërisht për të shmangur mundësinë e interpretimeve të ndryshme, ligji ka parashikuar paraqitjen me shkrim të dorëheqjes, me qëllim që vullneti të jetë i shprehur qartë dhe pa dyshime.
      12. Ndryshe nga forma e paraqitjes së dorëheqjes, arsyet e saj nuk janë të detyrueshme të zënë vend në të. Këtu ligjvënësi ka lënë hapësirë vlerësimi dhe veprimi, nisur nga natyra e aktit të dorëheqjes, i cili mbështetet në perceptime, motive dhe ndjesi personale, të cilat nuk është e nevojshme të bëhen publike, për sa kohë ato nuk sjellin ndonjë ndryshim në shprehjen e këtij vullneti. Me rëndësi është që ai të jetë një vendim i marrë plotësisht i bazuar në vlerësimin dhe dëshirën e magjistratit, pavarësisht shkaqeve që e shtyjnë për këtë veprim. 


      b) Fillimi i efekteve të dorëheqjes 
      13. Mbi bazën e deklarimit të dorëheqjes, këshilli përkatës deklaron mbarimin e statusit brenda 2 javëve. Si rregull, efektet e dorëheqjes fillojnë në fund të muajit pasardhës nga momenti i paraqitjes së saj. Por, nëse magjistrati dëshiron që efektet e dorëheqjes të fillojnë më shpejt se fundi i muajit pasardhës, atëherë ai duhet të japë arsye të përligjura për këtë, ndryshe nga rregulli i përgjithshëm i mosparaqitjes së shkaqeve të dorëheqjes (pika 3).
      14. Është me rëndësi të theksohet se momenti më i hershëm i fillimit të efekteve të dorëheqjes është ai i dorëzimit të dorëheqjes, d.m.th i paraqitjes së saj para këshillit. Kjo njihet edhe si efekt i menjëhershëm i dorëheqjes, që fillon në momentin kur këshilli merr dijeni dhe deklaron mbarimin e menjëhershëm të statusit të magjistratit. Arsyet që mund të shtyjnë magjistratin për të kërkuar hyrjen e menjëhershme në fuqi të dorëheqjes mund të jenë të tilla që diktojnë shkëputjen e menjëhershme të magjistratit nga detyra (arsye shëndetësore të ngutshme etj.). Në këto raste, këshilli vendos miratimin ose jo të kësaj kërkese. 

    • I njëjtë me nenin 64

    • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Kushtetuta: Neni 136, 139, 147/a, 149/a

    Ligji për Statusin: nenet 27, 61

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
Sokol Sadushi
Sokol Berberi