"PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË "   |   96/2016

Neni 66: Pazgjedhshmëria dhe papajtueshmëria

1Statusi i magjistratit mbaron në ditën kur autoriteti kompetent përcakton me vendim shkaqet e pazgjedhshmërisë si vijon:

akur magjistrati nuk plotëson kriteret e përcaktuara, sipas nenit 28 të këtij ligji;

bkur vendimi i emërimit është i pavlefshëm dhe nuk sjell asnjë pasojë juridike, si dhe konsiderohet se nuk ekziston.

2Statusi i magjistratit mbaron kur Këshilli vendos që ai nuk përmbush kushtet e papajtueshmërisë, në përputhje me parashikimet e nenit 6 të këtij ligji.

3Organi përgjegjës, kryetari dhe magjistrati njoftojnë menjëherë në mënyrë të pavarur Këshillin, për shkaqet e pazgjedhshmërisë ose papajtueshmërisë që sjellin mbarimin e statusit të magjistratit. Në këto raste, magjistrati ndalon së ushtruari funksionin si magjistrat.

4Këshill deklaron me vendim mbarimin e statusit të magjistratit, jo më vonë se 2 javë nga marrja e njoftimit për shkakun e pazgjedhshmërisë ose papajtueshmërisë.

5Vendimi përcakton datën e mbarimit të statusit të magjistratit, sipas parashikimit të pikës 1 ose 2 të këtij neni.

6Çdo veprim i kryer nga magjistrati pas kësaj date është i pavlefshëm dhe konsiderohet që nuk sjell asnjë pasojë juridike, si dhe konsiderohet se nuk ekziston.

Përmbajtja

      1. Qëllimi i nenit 66 është të garantojëemërimin dhe ushtrimine funksionit të magjistratit gjatë gjithë kohës në përputhje me kushtet e kriteret ligjore, të cilat janë të vlefshme jo vetëm në momentin e rekrutimit, por gjatë gjithë kohës që ata janë në detyrë. Neni 66, krahas dispozitave të tjera në këtë kre, synon të garantojë pavarësinë, profesionalizmin dhe përgjegjshmërinë në ushtrimin e funksionit të magjistratit nëpërmjet parashikimit të kushteve ndaluese për të vazhduar ushtrimin e tij. Këto kushte janë të një rëndësie të tillë që mospërmbushja e tyre në momentin e konstatimit sjellin si pasojë ose mosemërimin e kandidatit për magjistrat ose nëse ai është emëruar dhe ushtron detyrën, vërtetimi i faktit të pazgjedhshmërisë ose papajtueshmërisë sjell mbarimin e menjëhershëm të statusit të magjistratit.
      2. Parashikimet e nenit 66 i shërbejnë gjithashtu edhe detajimit të rasteve të mbarimit të statusit të përcaktuara në nenin 64, si dhezbatimit të detyrimeve që rrjedhin nga parashikimet kushtetuese për disa subjekte të posaçme magjistratësh, konkretisht për gjyqtarët e GJL-së (neni 139, pika 1, shkronja “d” i Kushtetutës) dhe PP (neni 148/ci Kushtetutës).

       

    • 1. Subjektet

      3. Neni 66 iu kundrejtohetdisa subjekteve. Subjekti i parë është magjistrati, i cili nëse ndodhet para njërit prej kushteve të parashikuara nga neni 6 dhe neni 28 i këtij ligji, nuk mund të vazhdojë më ushtrimin e funksionit të tij si gjyqtar ose si prokuror. Ai jo vetëm është subjekt i këtij neni për shkak të pasojës që kanë këto rregullime në statusin e tij, por ai përfshihet si subjekt që vë në dijeni këshillin në rast se ndodhet para shkaqeve të pazgjidhshmërisë ose papajtueshmërisë. Pra, magjistrati ka detyrimin të informojë këshillin në çdo rast që përbën shkak për mbarimin e statusit, sipas nenit 66.

      4. Subjekt tjetër është dhe organi përgjegjës. Neni 66 përdor një term të përgjithshëm pa specifikuar organin kompetent për vërtetimin e kushtit të pazgjedhshmërisë ose papajtueshmërisë. Arsyeja për këtë qëndron në faktin se,bazuar në referencat që bën neni 66 te nenet e tjera të këtij ligji, rezultojnë disa organe që kanë kompetencë të konstatojnë faktet që çojnë në pazgjedhshmëri ose papajtueshmëri. Më poshtë do të përmenden organet përgjegjëse sipas shkaqeve që çojnë në njërën nga kushtet e pazgjedhshmërisë ose papajtueshmërisë.

      5. Edhe këshillat janë subjekte të këtij ligji, të cilët me marrjen dijeni të rrethanave që çojnë në papajtueshmëri ose pazgjedhshmëri marrin vendim për deklarimin e mbarimit të statusit, sipas pikës 1 dhe 2 të nenit 66. Referuar rregullimit të kësaj dispozite, rezulton se këshilli në rastin e pazgjedhshmërisë vetëm konstaton vendimin e organit përgjegjës (pika 1), ndërsa në rastin e papajtueshmërisë ai ka rol vendimmarrës, pra vlerësues (pika 2).

      6. Neni 66 parashikon si subjekt në rolin e njoftuesit edhe kryetarin e gjykatës ose drejtuesin e prokurorisë me qëllim që në rast të ndodhjes para rrethanave të nenit 6 dhe 28 të ligjit, këshilli të marrë menjëherë dijeni me qëllim vendimmarrjen sa më të shpejtë. Detyrimin për njoftim e kanë edhe organi përgjegjës që konstaton fillimisht për shkak të detyrës rrethanën që çon në pazgjedhshmëri ose papajtueshmëri në ushtrimin e detyrës, si dhe vetë magjistrati.

      2. Struktura

      7. Neni 66është neni i tretë i kreutVIII “Mbarimi i statusit të magjistratit”, të pjesës III “Zhvillimi i karrierës së magjistratëve”. Siç edhe rezulton nga titulli i nenit “Pazgjedhshmëria dhe papajtueshmëria”, ai i kushtohet rastit të katërt të parashikuara në nenin 64 (pika 1, shkronja “d”), që passjell mbarimin e statusit të magjistratit, duke parashikuar konkretisht organet përgjegjëse, detyrimet e tyre, kushtet që çojnë në mbarimin e statusit, momentin e vendimmarrjes dhe pasojat e tij.

      8.Neni 66 përbëhet nga 6 pika, të cilat pjesërisht janë norma referuese dhe pjesërisht rregullojnë aspekte procedurale të vendimmarrjes lidhur me mbarimin e statusit për shkaqet e parashikuara në të dhe nenin 64 të ligjit.

      9. Konkretisht, pika 1 parashikon mbarimin e statusit të magjistratit për shkak të vërtetimit të shkaqeve të pazgjedhshmërisë, sipas nenit 28 të ligjit (shkronja “a”). Rastet e parashikuara në nenin 28 janë: a) ka zotësi të plotë për të vepruar; b) është shtetas shqiptar; c) ka përfunduar, me pikët minimale të përcaktuara nga Shkolla e Magjistraturës, ciklin e dytë të studimeve universitare për drejtësi, me diplomë “Master i shkencave”, si dhe ka dhënë provimin e shtetit për jurist në Shqipëri, ose ka kryer, me pikët minimale të përcaktuara nga Shkolla e Magjistraturës, studimet universitare për drejtësi në një vend anëtar të Bashkimit Europian dhe ka marrë një diplomë të barasvlershme, e njësuar sipas rregullave për njësimin e diplomave të parashikuar me ligj; ç) ka të paktën tre vjet përvojë profesionale aktive me kohë të plotë, në sistemin gjyqësor ose të prokurorisë, në administratën publike, profesionet e lira ligjore, mësimdhënie në fakultetet e drejtësisë, ose në çdo pozicion tjetër të barasvlershëm me to, në sektorin privat ose organizatat ndërkombëtare; d) nuk është dënuar me vendim penal të formës së prerë; dh) nuk është larguar nga detyra për shkaqe disiplinore, si dhe nuk ka masë disiplinore në fuqi; e) nuk është anëtar i partive politike në kohën e kandidimit; ë) nuk ka qenë anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar nga Sigurimi i Shtetit përpara vitit 1990; f) nuk ka qenë bashkëpunëtor, informator, ose agjent i shërbimeve sekrete. Nëse njëri prej këtyre kushteve nuk rezulton i plotësuar, atëherë statusi i magjistratit mbaron, pasi akti i emërimit të tij është i pavlefshëm, gjë që passjell dhe nulitetin e vendimmarrjes së magjistratit (shkronja “b”).

      10. Ndërsa pika 2 përcakton se është këshilli që vendos nëse magjistrati ndodhet para kushteve të papajtueshmërisë, sipas nenit 6 të ligjit. Referuar nenit 6, funksioni i magjistratit është i papajtueshëm me: a) anëtarësinë në parti politike dhe pjesëmarrjen në veprimtari politike të organizuara nga një parti politike; b) kryerjen e çdo veprimtarie politike, pavarësisht nëse veprimtaria kryhet në bashkëpunim me ndonjë parti politike ose jo, që mund të ndikojë në pavarësinë e magjistratit, të krijojë ndonjë konflikt interesi ose, në çdo rast, të krijojë përshtypjen që magjistrati është i paanshëm dhe i pandikuar. Siç vihet re, neni 66 i referohet vetëm rasteve të papajtueshmërisë që implikojnë magjistratin në veprimtari me natyrë politike, duke mos përmendur rastet e tjera të papajtueshmërisë, siç janë veprimtaritë jashtëgjyqësore, sipas nenit 133 të Kushtetutës, për të cilat do të komentohet më poshtë.

      11. Pika 3 vendos detyrimin ndaj organit përgjegjës, kryetarit të gjykatës ose drejtuesit të prokurorisë dhe magjistratit të njoftojnë menjëherë këshillin nëse vijnë në dijeni të shkaqeve të papajtueshmërisë ose pazgjedhshmërisë që sjellin mbarimin e statusit të magjistratit. Në këtë rast njoftimi prej këtyre subjekteve sjell ndërprerjen e menjëhershme të funksionit të magjistratit, pavarësisht se këshilli nuk ka dalë ende me vendim (fjalia e dytë e pikës 3).

      12. Më tej, në pikën 4 përcaktohet afati brenda të cilit këshilli del me vendim për mbarimin e statusit të magjistratit. Këshilli, brenda 2 javëve nga njoftimi i bërë sipas pikës 3 të këtij neni, deklaron me vendim mbarimin e statusit për shkak të pazgjedhshmërisë ose papajtueshmërisë.

      13. Në vendimin e këshillit duhet të përcaktohet saktësisht data e mbarimit të statusit, i cili ndryshon në varësi të shkaqeve për të cilat ai mbaron. Kështu, pika 5 shprehet se nëse statusi mbaron për shkak të pazgjedhshmërisë sipas pikës 1 të nenit 66, atëherë data e mbarimit të statusit është dita kur është emëruar në këtë funksion, ashtu siç parashikohet në shkronjën “b” të pikës 1, pra me efekt prapaveprues. Nëse statusi mbaron për shkak të papajtueshmërisë, data e mbarimit është data e vendimmarrjes së këshillit, pasi pika 2 që parashikon këtë shkak nuk përcakton ndonjë datë apo rrethanë tjetër që dikton një datë të ndryshme, pra me efekt në të ardhmen.

      14. Së fundmi, pika 6 thekson edhe një herë pavlefshmërinë e çdo veprimi të kryer nga magjistrati si i tillë, pas ditës së marrjes së vendimit të këshillit për mbarimin e statusit të tij.

       

       

    • a)Rrethi i “organeve përgjegjëse” dhe “autoriteti kompetent”


      15. Pika 1 e nenit 66 parashikon se statusi i magjistratit mbaron ditën kur autoriteti kompetent përcakton me vendim shkaqet e pazgjedhshmërisë, të cilat janë: a) kur magjistrati nuk plotëson kushtet e parashikuara në nenin 28 të këtij ligji dhe b) kur vendimi i emërimit është i pavlefshëm. Ndërsa në pikën 3 të po këtij neni parashikohet se organi përgjegjës, kryetari dhe magjistrati njoftojnë menjëherë në mënyrë të pavarur këshillin për shkaqet e pazgjedhshmërisë ose të papajtueshmërisë që sjellin mbarimin e statusit të magjistratit. Siç shihet, ligjvënësi përdor dy terma “autoritetin kompetent” dhe “organin përgjegjës”. I pari parashikohet në rastin kur përcakton organin që vendos ose konstaton se magjistrati nuk përmbush kushtet e pazgjedhshmërisë, ndërsa i dyti i referohet, përveç këtyre rasteve, edhe organeve që konstatojnë mosplotësimin e kushteve të papajtueshmërisë. Pra, rrethi i "organeve përgjegjëse” sipas pikës 3 është më i gjerë, do të thotë përfshin më shumë organe sesa rrethi i “autoritetit kompetent” sipas pikës 1 të nenit 66. Le të shohim se cilat organe përfshihen te pika 1 dhe cilat te pika 3.
      16. Pika 1 referon te kushtet e parashikuara në nenin 28 të ligjit, “Kriteret e pranimit në formimin fillestar”, ku përcaktohen kushtet për të kandiduar në Shkollën e Magjistraturës. Konkretisht ato janë:  a) zotësia e plotë për të vepruar; b) shtetësia shqiptare; c) përfundimi i ciklit të dytë të studimeve universitare për drejtësi, me diplomë “Master i shkencave”; ç) ka të paktën tre vjet përvojë profesionale aktive me kohë të plotë, në sistemin gjyqësor ose të prokurorisë, në administratën publike etj.; d) mospasja e dënimit penal të formës së prerë; dh) moslargiminga detyra për shkaqe disiplinore, si dhe mospasja e masës disiplinore në fuqi; e) mosqenia anëtar i partive politike në kohën e kandidimit; ë) mosqenia anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar nga Sigurimi i Shtetit përpara vitit 1990; f) mosqenia bashkëpunëtor, informator, ose agjent i shërbimeve sekrete.
      17. Kandidatët për magjistratë kanë detyrimin të paraqesin të gjithë dokumentacionin e nevojshëm pranë Shkollës së Magjistraturës, e cila bën vlerësimin paraprak nëse kandidati përmbush kriteret e kandidimit (neni 30, pika 3). Në fund të vlerësimit, Shkolla përgatit një raport lidhur me vlerësimin e bërë prej saj për secilin kandidat dhe ia dërgon këshillave që mund të bëjnë komente ose kundërshtime. Pas marrjes në konsideratë të këtyre komenteve/kundërshtimeve, Shkolla miraton raportin përfundimtar të vlerësimit dhe e bën atë publik bashkë me listën e kandidatëve që kualifikohen të hyjnë në provimin e pranimit (neni 30, pika 4). 
      18. Pra, nisur nga parashikimet e neneve 28 dhe 30 të ligjit, njëri nga autoritetet kompetente për të përcaktuar shkakun e pazgjedhshmërisë është Shkolla e Magjistraturës. Këtë konstatim ajo e bën, pasi ka marrë të gjitha informacionet e nevojshme nga institucionet përkatëse që posedojnë informacionin, të tilla si: Drejtoria e Gjendjes Civile për konfirmimin e zotësisë për të vepruar, shtetësisë shqiptare, gjenealiteteve të tjera të personit; universitetet publike dhe jopublike për të konfirmuar përfundimin e studimeve të larta në degën dhe me mesataren që kërkon ligji; institucionet e sistemit të drejtësisë dhe administratës publike për verifikimin e përvojës 3-vjeçare të punës dhe mospasjen e masave disiplinore në fuqi në kohën e kandidimit ose të largimit nga puna për shkaqe disiplinore; Drejtorisë së Gjendjes Gjyqësore për mospasjen e dënimit penal të formës së prerë; partive politike për të konfirmuar mosqenien e tij anëtar i ndonjërës prej tyre; Autoritetit për Informimin mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit për mosqenien anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar nga Sigurimi i Shtetit përpara vitit 1990; Shërbimit Informativ Kombëtar për verifikimin e mosqenies bashkëpunëtor, informator, ose agjent i shërbimeve sekrete. Këto institucione bazuar në ligj kanë detyrimin t’i japin Shkollës informacion të plotë dhe të saktë lidhur me sa kërkohet. Por, në fund është Shkolla që vendos nëse kandidati i plotëson apo jo kushtet e kandidimit. Në rast se kandidati kundërshton vendimin e Shkollës në gjykatë, atëherë është gjykata autoriteti kompetent që vendos nëse ekziston ose jo kushti i pazgjedhshmërisë. Pra, për shkronjën “a” të pikës 1 autoriteti kompetent është Shkolla e Magjistraturës dhe gjykata në rast se kandidati ushtron ankim ndaj vlerësimit të Shkollës.
      19. Situata e dytë e parashikuar në shkronjën “b” të pikës 1 lidhet me pavlefshmërinë e vendimit të emërimit në detyrë të magjistratit. Për këtë arsye, duhet t’i referohemi parashikimeve të ligjit që rregullojnë procesin e emërimit të magjistratit, të cilat përfshihen në kreun II “Emërimi i magjistratëve”, nenet 35-38 të ligjit. Konkretisht, neni 35 parashikon procesin e emërimit të magjistratit, ku përfshihen edhe kushtet dhe kriteret për këtë qëllim, të cilat janë: a) diplomimi në Shkollën e Magjistraturës në formimin fillestar me të paktën 70% të pikëve maksimale; b) është vlerësuar minimalisht “mirë” për të gjitha detyrat gjatë stazhit profesional në vitin e tretë; c) ka kaluar sërish verifikimin e pasurisë dhe figurës të kryer nga këshillat, sipas nenit 32 të ligjit. Në rast se magjistrati i diplomuar plotëson këto kritere, këshilli bën emërimin e tij, në të kundërt këshilli refuzon emërimin (neni 35, pika 4). Pra, akti i emërimit të këshillit është i pavlefshëm nëse del në kushtet e mosplotësimit nga ana e të diplomuarit të kritereve të parashikuara nga neni 35 i ligjit. Këtë konstatim mund ta bëjë vetë këshilli, nëse në një moment të mëvonshëm merr dijeni nga burime të ndryshme (individë, media etj.) për shkaqet e pavlefshmërisë. Gjithashtu, verifikimin e vlefshmërisë së aktit të emërimit mund ta bëjë Gjykata e Apelit Administrativ, e cila shqyrton aktet e këshillit si nga pikëpamja procedurale, ashtu edhe nga ajo materiale (shih nenin 100, pika 1, të ligjit nr.115/2016,“Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”). Si përfundim mund të thuhet se autoriteti kompetent në rastin e pazgjedhshmërisësë magjistratit sipas pikës 1 të nenit 66 janë: a) Shkolla e Magjistraturës, b) Këshilli, c) gjykata në rast se vendimet e dy organeve të para kundërshtohen para saj.
      20. Ndërsa për kushtet e papajtueshmërisë me funksionin e magjistratit, pika 2 parashikon se organi vendimmarrës është vetë Këshilli, i cili verifikon rastin sipas parashikimit të nenit 6 të këtij ligji. Referuar nenit 6 konsiderohen si kushte papajtueshmërie anëtarësia në parti politike dhe veprimtaria politike, pavarësisht faktit nëse kryhet ose jo në bashkëpunim me partinë politike, rëndësi ka që kjo veprimtari mund të vendosë magjistratin në situatë konflikti interesi ose anshmërie politike (shih nenin 6, pika 1). Për këtë qëllim, pika 3 e nenit 66 vendos detyrimin ndaj organit përgjegjës, kryetarit dhe magjistratit për të njoftuar këshillin nëse një rast i tillë është i pranishëm. Organi përgjegjës në këtë rast lidhet me rastin e pazgjedhshmërisë (shih më sipër), ndërsa referuar nenit 6, pika 2 dhe nenit 66, pika 3, organet përgjegjëse për papajtueshmërinë janë kryetari i gjykatës ose drejtuesi i prokurorisë ku ushtron detyrën magjistrati. Megjithatë, nisur nga fakti që kuadri ligjor parashikon si organ të posaçëm për kontrollin dhe verifikimin e rasteve të konfliktit të interesit të disa subjekteve, përfshirë edhe magjistratë, Inspektorin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI), mund të jetë edhe ky i fundit që vë në dijeni këshillin për kushtet e papajtueshmërisë së magjistratit.


         b)Parashikim i pjesshëm i rasteve të papajtueshmërisë.


      21. Siç u tha më lart, pika 2 e nenit 66 referon te kushtet e papajtueshmërisë të parashikuara në nenin 6 të ligjit, i cili lidhet vetëm me anëtarësinë në parti politike ose veprimtarinë politike pavarësisht nëse bëhet në bashkëpunim ose jo me parti politike, mjafton që të krijojë dyshime për pavarësinë e magjistratit ose raste të konfliktit të interesit. Ndërkohë, po t’i referohemi nenit 143 të Kushtetutës ka një parashikim të ndryshëm sa i takon papajtueshmërisë së gjyqtarit. Konkretisht, në të parashikohet: “Qenia gjyqtar nuk pajtohet me asnjë veprimtari tjetër politike ose shtetërore, si dhe veprimtari profesionale që ushtrohet kundrejt pagesës, me përjashtim të aktivitetit mësimdhënës, akademik, shkencor, si dhe delegimit pranë institucioneve të sistemit të drejtësisë, sipas ligjit”. Nëse krahasojmë përmbajtjen e nenit 143 të Kushtetutës dhe nenit 6 të ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, rezulton se ato përputhen pjesërisht, vetëm në pjesën që ndalon veprimtarinë politike. Pjesa tjetër e nenit 143, veprimtaria shtetërore dhe profesionale kundrejt pagesës, me përjashtim të aktivitetit mësimdhënës, akademik shkencor, mungon. Pyetja lind: A do të konsiderohet si rast papajtueshmërie nëse një gjyqtar ofron konsulencëjuridike? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje duhet t’i referohemi edhe dispozitave të tjera që parashikon ligji lidhur me veprimtarinë e gjyqtarit jashtë detyrës së tij parësore. Kështu, neni 9 i këtij ligji parashikon veprimtaritë dhe kushtet në të cilat lejohet të kryejë jashtë funksionit të tij si magjistrat, të cilat pavarësisht përshkrimit dhe qëllimit, në çdo rast duhet të jenë në pajtim me ushtrimin e funksionit të magjistratit dhe nuk ndalohen sipas këtij ligji (neni 9, pika 1, shkronja “dh”). Pra, nga leximi i nenit 9 kuptohet se rastet e papajtueshmërisë nuk janë vetëm ato të parashikuara në nenin 6, ku referon pika 2 e nenit 66, por janë edhe dispozita të tjera, të paktën nenet e parashikuara në kreun II “Papajtueshmëritë, kufizimet dhe veprimtaritë e tjera”, ku përfshihen nenet 6-10 të këtij ligji (shih komentet e këtyre neneve). 


      c) Procedura dhe efektet e deklarimit nga këshilli

      22. Pas njoftimit të shkakut të pazgjedhshmërisë ose papajtueshmërisë nga ana e organit përgjegjës, kryetarit të gjykatës ose drejtuesit të prokurorisë apo vetë magjistratit, ky i fundit ndalon menjëherë ushtrimin e funksionit të tij (pika 3). Për këtë fakt vendos këshilli, por detyrimi është edhe i magjistratit, pra ai nuk duhet të ushtrojë më funksionin nëse është në dijeni të faktit të pazgjedhshmërisë ose papajtueshmërisë deri në vendimin e këshillit. Këshilli deklaron mbarimin e statusit të magjistratit brenda 2 javëve nga marrja dijeni e shkakut të pazgjedhshmërisë ose papajtueshmërisë. Brenda këtij afati 2-javor të përcaktuar në pikën 4, këshilli duhet të bëjë verifikimin e shkakut ose konfirmimin e verifikimit të bërë nga një organ tjetër (shih më sipër tenënndarja “organet përgjegjëse”). Edhe në rastin kur këshilli e bën vetë verifikimin, siç është rasti i papajtueshmërisë, ai sërish mbështetet në dokumentacionet dhe faktet e mbledhura nga organe të tjera. Pra, në këtë rast mbetet që brenda 2 javëve këshilli të organizojë seancën dëgjimore me magjistratin dhe të marrë vendim lidhur me statusin e tij. 
      23. Në vendimin e tij, Këshilli përcakton datën e mbarimit të statusit duke e lidhur atë me rrethanën që çon në marrjen e këtij vendimi (pika 5). Pra, nëse mbarimi i statusit vendoset për shkak të kushteve të pazgjedhshmërisë, atëherë konsiderohet se ai i sjell efektet që nga fillimi, pra magjistrati nuk duhet konsideruar si i tillë nga momenti i emërimit, i cili konsiderohet se nuk ekziston (pika 1, shkronja “b”). Ndërsa, nëse mbarimi i statusit vjen për shkak të papajtueshmërisë sjell efekte nga data e vendimit të këshillit (pika 2). Përcaktimi i datës së mbarimit të statusit është me rëndësi për efektet që ka sjellë deri në atë moment apo mund të sjellë më tej vendimmarrja e magjistratit. Për këtë arsye, edhe pika 6 përforcon urdhërimin se çdo veprim i kryer nga magjistrati pas kësaj date është i pavlefshëm dhe konsiderohet që nuk sjell asnjë pasojë juridike, si dhe konsiderohet se nuk ekziston. Pra, efekti i mbarimit të statusit me fuqi prapavepruese dhe në të ardhmen garanton shmangien e vendimmarrjes së magjistratit të pabazuar në ligj, duke i konsideruar ato nul, gjë e cila është në funksion të garantimit të sigurisë juridike. 

      1. Ndalimi i ushtrimit të funksioneve të tjera nga gjyqtari nuk është risi, ai ka qenë i parashikuar si ndalim absolut, duke u shtrirë ndaj të gjitha aktiviteteve shtetërore, politike ose private. Si i tillë, megjithëse ai synonte të mos lejonte ushtrimin e asnjë veprimtarie tjetër përveç asaj të gjyqtarit, si punë me kohë të plotë, në praktikë kjo gjë nuk përputhej me dispozitën kushtetuese. Mjaft gjyqtarë, krahas të qenit të tillë, ushtronin veprimtari akademike mësimdhënëse, e cila nëse do të shikohej në prizmin e nenit të mëparshëm 143, duhej të ishte e ndaluar, pavarësisht kohës që zinte ky aktivitet. Gjithashtu, disa gjyqtarë ishin të angazhuar në veprimtari të tjera shtetërore, si anëtarë të KLD-së, gjë e cila, bazuar në interpretimin strikt të nenit 143, duhej të ishte e ndaluar. Kjo çështje është shqyrtuar edhe nga GJK-ja, e cila ka mbajtur qëndrimin se “detyra e parë dhe kryesore është qenia gjyqtar, në kuptimin që gjyqtarët japin vendime e bëjnë drejtësi në mënyrë të vazhdueshme. Lidhur me këtë detyrë, Kushtetuta ka bërë përjashtim për sa i përket veprimtarisë jopermanente të tyre në KLD, ku ata përfaqësojnë trupën e gjyqtarëve që i ka zgjedhur në këtë organ kushtetues. Përjashtimet nga rregullimi kushtetues nuk mund të vendosen me ligj. Vetë kushtetutëbërësi, kur e ka gjykuar të arsyeshme, ka bërë përjashtime në mënyrë të posaçme”[1]. Në këtë aspekt, ai ka lejuar shprehimisht edhe anëtarësinë e Presidentit të Republikës ose të ministrit të Drejtësisë në KLD, megjithëse nenet 89 e 103/2 të Kushtetutës kanë përcaktuar përkatësisht se Presidenti i Republikës “nuk mund të mbajë asnjë detyrë tjetër publike”, ashtu si “ministri i Drejtësisë nuk mund të ushtrojë asnjë veprimtari tjetër shtetërore”[2].
      2. Nisur nga sa më lart, ashtu siç është evidentuar në gjetjet e Analizës së Sistemit të Drejtësisë, rezultoi se parashikimet aktuale lidhur me papajtueshmëritë specifike të funksionit të gjyqtarit dhe ndalimet ndaj tij për të ushtruar veprimtari të caktuara publike e private ishin shumë të përgjithshme. Ligji nuk parashikonte shprehimisht, qartë dhe mjaftueshëm rastet që lidhen me veprimtaritë e ndaluara dhe të papajtueshme me funksionin e gjyqtarit, si dhe rregullimet e nevojshme dhe të mjaftueshme lidhur me veprimet, procedurat dhe kompetencat që duhet të ushtrohen nga organet shtetërore në rastin e verifikimit të papajtueshmërive me funksionin e gjyqtarit. Gjithashtu, legjislacioni kishte mangësi edhe për sa u përket mekanizmave të bashkërendimit të veprimtarive dhe qartësimit të kompetencave të KLD-së për rastet e papajtueshmërisë së gjyqtarit dhe, nga ana tjetër, strukturave të tjera, si ILDKPKI-ja, të ngarkuara me ligj për verifikimin e papajtueshmërive, ndalimeve dhe konfliktit të interesave të zyrtarëve publikë etj.[3]. Këto çështje u adresuan më tej te strategjia dhe plani i veprimit, ku ushtrimi i aktivitetit jashtë atij të gjyqtarit do të lejohet vetëm për rastet e mësimdhënies apo aktivitetit me karakter shkencor e akademik[4].
      3. Vlen të theksohet se fillimisht formulimi i paraqitur nga GENL-ja ishte disi më ndryshe: “Qenia gjyqtar nuk pajtohet me asnjë veprimtari tjetër profesionale që ushtrohet kundrejt pagesës, me përjashtim të aktivitetit mësimdhënës dhe akademik për zhvillimin e doktrinës. Kohëzgjatja e veprimtarisë profesionale të lejueshme, si dhe masa e shpërblimit kundrejt së cilës ajo ushtrohet, parashikohen me ligj. Ushtrimi i funksionit të gjyqtarit nuk pajtohet me qenien anëtar në një parti politike apo pjesëmarrjen në aktivitete publike të organizuara nga një parti politike.”. Ky formulim iu përshtat më pas vlerësimit të bërë nga KV-ja në Opinionin interim, ku konstatoi se autorizimi në ligj për veprimtaritë profesionale të lejueshme dhe masa e shpërblimit i lë hapësirë shumë të gjerë ligjvënësit, prandaj është mirë që të shmanget rregullimi i mëtejshëm me ligj[5]. Gjithashtu, sipas KV-së, aktivitete të tilla me karakter akademik, shkencor, që nuk kanë qëllim fitimin, duhen parashikuar si të lejuara, por duhen ndaluar të gjitha ato me natyrë politike, pavarësisht shpërblimit. Në këto kushte, dispozita u riformulua nga ekspertët dhe u aplikua për të gjitha rastet e tjera, ku duhej parashikuar ndalimi i ushtrimit të aktiviteteve të tjera nga organet e sistemit të drejtësisë[6].

       

       

      [1] Shih për më tepër vendimin nr. 14/2006 të GJK-së me objekt ndryshimet në ligjin nr.8811, datë 17.5.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, me qëllim prezantimin e anëtarëve gjyqtarë me kohë të plotë pranë KLD-së.

      [2] Shih vendimin nr.16/2015 të GJK-së lidhur me zgjedhjen e zëvendëskryetarit të KLD-së.

      [3]Shih “Analizë e sistemit të drejtësisë”, pika 3.1, “Papajtueshmëritë e gjyqtarit”.

      [4] Shih “Strategjia e reformës në sistemin e drejtësisë”, kreu II “Pushtetit gjyqësor”; objektivi 4 “Konsolidimi i garancive të statusit të gjyqtarit, përgjegjësisë dhe llogaridhënies në ushtrimin e detyrës në përputhje me standardet europiane”.

      [5] Opinion interim i Komisionit të Venecias, “Përprojekt amendamentet kushtetuese” § 53.

      [6] Gjithashtu, për të kuptuar ration pas këtij formulimi, shih procesverbalet e Komisionit AdHoc të Reformës në Drejtësi, datë 13 maj dhe 16 maj 2016.

    • Asnjë koment
    1. Bazuar në standardet e dhëna në rekomandimet e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës[1] rezulton se gjyqtari mund të angazhohet në aktivitete jashtë funksionit zyrtar, në parim. Por, me qëllim që të shmangë çdo konflikt interesi, real apo në dukje, pjesëmarrja e tyre duhet të kufizohet në pajtim me parimin e pavarësisë dhe të paanshmërisë.
    2. Më tej, në opinionin e tij, Këshilli Konsultativ i Gjyqtarëve Europianë i Këshillit të Europës (CCJE) përkrahu rregullin që gjyqtarët nuk mund të perceptohen si të shkëputur nga shoqëria ku bëjnë pjesë. Prandaj ata mund të angazhohen edhe në veprimtari jashtëgjyqësore, por duhet të vendoset një balancë e arsyeshme midis shkallës në të cilën gjyqtari përfshihet në shoqëri dhe nevojës që kjo e fundit ta shohë atë si të pavarur dhe të paanshëm në kryerjen e detyrës së tij. Pyetja që duhet të ngrihet në këtë rast është nëse në kontekstin e veçantë social ku ndodhet gjyqtari a do të mund të çonte në një cenim objektiv të pavarësisë dhe paanshmërisë ushtrimi i detyrës jashtëgjyqësore[2].

     

    [1]CM/Rec (2010)12, § 21.

    [2] Shih opinionin nr. 3 tëCCJE-së, Standardet e Sjelljes Gjyqësore “Paanshmëria e gjyqtarit dhe veprimtaritë jashtëgjyqësore”, pika 23.

  • Projektamendamentet kushtetuese të vitit 2016.

    Procesverbali i komisionit adhoc për ligjin nr.96/2016.

    Analiza e sistemit të drejtësisë 2016.

    Strategjia e reformës në drejtësi 2016.

     

  • Kushtetuta:Neni 143

     Ligji për Statusin: nenet 6, 7, 8, 9, 28, 35.

     

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
Sokol Sadushi
Sokol Sadushi