"PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË "   |   96/2016

Neni 70: Subjektet e vlerësimit

1Të gjithë magjistratët, përfshirë kryetarët e gjykatave dhe prokurorive, janë subjekt i vlerësimit të tyre etik dhe profesional, në përputhje me rregullat e parashikuara në këtë ligj.

2Kryetarët vlerësohen gjithashtu edhe për veprimtarinë e tyre si kryetar gjykate apo prokurorie.

3Magjistratët, të cilët janë në skemën e delegimit, ose janë komanduar në Këshilla, Gjykatën e Lartë ose Prokurorinë e Përgjithshme vlerësohen sipas parashikimeve të këtij ligji. Këshillat miratojnë parashikimet e nevojshme ligjore për detajimet për pozicionet e komanduara.

4Magjistratët, të cilët janë komanduar në struktura të tjera dhe ruajnë statusin e magjistratit, vlerësohen sipas sistemit të vlerësimit në strukturën ku janë komanduar.

Përmbajtja

      1. Neni 70 bazohet në premisën se të gjithë magjistratët që ushtrojnë funksione në sistemin gjyqësor në të gjitha nivelet e tij duhet t’i nënshtrohen rregullave dhe standardeve të njëjtatë vlerësimit pa asnjë dallim apo përjashtim. Duke pasur parasysh edhe kontekstin historik, ku anëtarët e Gjykatës së Lartë(GJL) dhe Prokurori i Përgjithshëm(PP) nuk ishin pjesë e skemës së vlerësimit, ky nen synon të konkretizojëstandardine prezantuar nga hyrja në fuqi eligjit nr.76, datë 22.7.2016,“Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8417, datë 21.10.1998, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar” (më poshtë të referuara si “Ndryshimet Kushtetuese”) në nenet 147/a, paragrafi 1, shkronja “a” dhe 149/ paragrafi 1, shkronja “a” të Kushtetutës. Duke i trajtuar magjistratët e të gjitha niveleve si të barabartë për sa i takon rregullave të vlerësimit, ligjvënësi synon të rrisë përgjegjshmërinë dhe llogaridhënien sidomos nënivelin më të lartë të sistemit që shpesh ështëperceptuar“si i privilegjuar” nga nivelet më të ulëta të sistemit.Në të njëjtën kohë, ky standardpër një vlerësim të barabartë dërgon sinjale pozitive edhe për dy nivelet e tjera të sistemit gjyqësor, pasi të gjithë magjistratët përgjigjen sipas të njëjtave rregulla profesionale dhe etike. Heqja e trajtimit preferencial që ekzistonte për anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe Prokurorin e Përgjithshëm është në linjë me standardet më të mira ndërkombëtare[1] ku çdo “pjesëtar” i sistemit vlerësohet mbi të njëjtat rregulla dhe standarde. Komisioni i Venecias ka nënvizuar rëndësinë e përfshirjes së anëtarëve të Gjykatës së Lartë në skemën e vlerësimit: “... pasi vlerësimi është dizenjuar për të siguruar standardet e duhura në performancë, duke përfshirë procesin e vetë-analizës që bëjnë gjyqtarët dhe të rritjes së eficencës. Në të njëjtën kohë, vlerësimi identifikon rastet e “abuzimit” dhe prandaj nuk është e qartë se përse Gjykata e Lartë është përjashtuar nga procesi i vlerësimit. Kjo pasi mund të ketë nevojë për statistika apo për vlerësim sasior të performancës së përgjithshme të kësaj gjykate”[2].
      1. Dispozita ka qartësuar rrethin e subjekteve të vlerësimit duke specifikuar se cilat janërregullat e vlerësimit qëzbatohen për magjistratët, kryetarët, magjistratët në skemën e delegimit apo ata të komanduar në institucione të ndryshme. Përcaktimi i rrethit krijon jo vetëm qartësi, por edhe siguri për të drejtat dhe detyrimet e magjistratëve në rast vlerësimi.

       

      [1]Opinioni i Komisionit të Venecias CDL-AD(2014)007, parag. 21/22

      [2]Po aty.

      1. Objekt i rregullimit të kësaj dispozite është i katërfishtë. Në pikën 1 të këtij neni urdhërohet përfshirja e të gjithë magjistratëve në skemën e vlerësimit duke mos përjashtuar kryetarët e gjykatave dhe prokurorive si subjekt vlerësimi. Pika 2 saktëson se përveç vlerësimit të tyre për veprimtarinë si magjistrat, kryetarët vlerësohen edhe për veprimtarinë si kryetar gjykate apo prokurorie. Në pikën 3 parashikohet se skema e vlerësimit të Ligjit për Statusin zbatohet edhe në rastet kur magjistrati është në skemën e delegimit apo është komanduar në Këshilla, Gjykatën e Lartë dhe Prokurorinë e Përgjithshme. Më tej në këtë pikë parashikohet detyrimi i Këshillave për të miratuar aktet nënligjore të nevojshme për detajimin e pozicioneve të komandimit. Së fundmi, në pikën 4 ligjvënësi rregullon“përjashtimin nga rregulli” duke sqaruar se si do të vlerësohen magjistratët kur janë të komanduar në struktura të tjera (nga ato të përmendura në pikën 3) duke urdhëruar vlerësimin e tyre sipas sistemit të vlerësimit në strukturën (Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë etj.) ku janë komanduar.

       

      1. Rrethi i subjekteve të vlerësimit është parashikuar në mënyrë shteruese nga ligjvënësi në pikën 1 të nenit 70. Kjo do të thotë se subjektet nuk mund të ndryshohen, zgjerohen apo ngushtohen me një akt nënligjor të miratuar nga Këshillat. Fakti që mekanizmi vlerësues zbatohet njësoj për gjyqtarët e të gjitha niveleve është një risi që pritet të sjellë më shumë përgjegjshmëri në ushtrimin e detyrës në nivelin më të lartë në sistem (anëtarët e Gjykatës së Lartë, Prokurorin e Përgjithshëm dhe Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme).Ligji i imponon Këshillave të vendosin piketat e duhura në vlerësimin e nivelit më të lartë në sistem në mënyrë që të realizohen synimi për vlerësim objektiv dhe tërësor të çdo pjesëtari të sistemit.

       

      1. Sipas pikës 2 të nenit 70 Kryetari i Gjykatës ose Prokurorisë do të vlerësohet në mënyrë të dyfishtë. Kjo nënkupton që ai/ajo do të vlerësohet një herë sipas kritereve të parashikuara në nenin 71 të Ligjit për Statusin dhe një herë sipas kritereve të përcaktuara në nenin 79 të Ligjit për Statusin. Dallimi që ekziston midis setit të kritereve është thelbësor dhe i pavarur nga njëri-tjetri. Prandaj ai/ajo ka një “përgjegjësi dhe llogaridhënie të dyfishtë”.Detyrat/përgjegjësitë/detyrimet/ e çdo kryetari janë që të përmbushë kërkesat dhe pritshmëritë ndaj besimit që i është dhënë.

       

      1. Ligjvënësi në pikat 3 dhe 4 ka sanksionuar detyrimin për ta nënshtruar skemëne vlerësimit të Ligjit për Statusin edhe ndaj atyre magjistratëve që janë në skemën e delegimit apo të komanduar. Për sa i takon, magjistratëve të komanduar, është bërë një dallim midis komandimit në institucione,: si Këshillat, Gjykata e Lartë dhe Prokuroria e Përgjithshme (që përmenden në pikën 3) dhe atyre që ligjvënësi i quan “struktura të tjera” në pikën 4. Neni 70, pika 4 duhet lexuar “së bashku” me nenin 53, pika 2 të Ligjit për Statusin ku përcaktohen parimet e komandimit. Pika 2 e këtij neni mundëson komandimin në institucione të ndryshme, si Gjykata Kushtetuese, Gjykata eLartë, Shkolla e Magjistraturës, Ministria e Drejtësisë, Avokatura e Shtetit etj. Më tej, në pikën 10 të nenit 53parashikohet se kriteret dhe procedura e vlerësimit e parashikuar në institucionin qëështë komanduar magjistrati zbatohen edhe për atë, me përjashtim të rasteve kur në ligj parashikohet ndryshe. Nivelet e këtij vlerësimi njihen si nivele vlerësimi në kuptim të këtij ligji. Në vijim të rregullimeve të nenit 53, ligjvënësi ka vendosur që skema e vlerësimit të këtij ligji të zbatohet vetëm në rastet e komandimeve në katër institucionet që përmenden në pikën 3 të nenit 70. Në të gjitha rastet e komandimevetë tjera, si përshembull pranë Shkollës së Magjistraturës, Ministrisë së Drejtësisë, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë etj.magjistrati do të vlerësohet sipas sistemit të vlerësimit të strukturës së komanduar përkatëse. Gjykata Kushtetuese në vendimin nr.78, datë 2.10.2017, paragrafi 61 ka theksuar se: “...se instituti i komandimit të magjistratit përbën pjesë të zhvillimit të karrierës së tij, për rrjedhojë edhe gjatë kësaj periudhe magjistrati konsiderohet se nuk zhvishet nga statusi i tij.” Ky përfundim gjen mbështetje edhe në parashikimin e pikës 1, të nenit 53, sipas së cilës komandimi duhet të jetë i pajtueshëm me mbajtjen e statutit të magjistratit....Gjatë periudhës që magjistrati pranon të komandohet në një institucion tjetër brenda sistemit të drejtësisë, ai, pavarësisht garancive dhe statusit që gëzon, do t`u nënshtrohet rregullave të veprimtarisë së punës së atij institucioni, duke gëzuar të drejtat, por edhe detyrimet që zbatohen për anëtarët e tij, përfshirë këtu edhe procedimin disiplinor sipas rregullave të posaçme që zbatohen për këta funksionarë....Sipas parashikimeve të pikës 12 të këtij neni në rastet e përgjegjësisë disiplinore, institucioni ku ai është komanduar ka të drejtën e propozimit të masës së shkarkimit, dhe është magjistrati ai që vlerëson nëse do e referojë çështjen në Këshill. Në kuptim të kësaj dispozite është magjistrati ai që zgjedh nëse do të procedohet nga institucioni ku është komanduar apo nëse çështja e tij do të shqyrtohet nga Këshilli, rast në të cilin institucioni propozues zëvendëson ILD-në në procedurën disiplinore. Në thelb, përmbajtja e pikës 12 të nenit 53 nuk ndryshon kuptimin dhe qëllimin e procedimit disiplinor që kryhet nga KLGJ-ja, në kuptim të dispozitave vijuese të këtij ligji, dhe nuk e zhvesh magjistratin nga garancitë që i janë njohur atij në nivel kushtetues...”. Në pamje të parë, pika 4 duket sikur e merr të mirëqenëse secila nga këto struktura ku komandohet magjistrati ka miratuar një sistem vlerësimi. Lind pyetja çfarë do të ndodhë nëse struktura pranësë cilës kërkon të komandohet magjistrati nuk ka sistem vlerësimi? A krijon kjo një pengesë për komandimin dhe zhvillimin e karrierës së magjistratit? Përgjigjet e këtyre pyetjeve gjenden në nenin 53, pika 11 sipas tëcilës në rastin e mosekzistencës së skemës së vlerësimit në institucionin përkatës, magjistrati ka të drejtë të vlerësohet sipas parashikimeve të nenit 49 të Ligjit për Statusin. Kjo zgjidhje duhet të lexohet si një“mekanizëm zhbllokues” qëligjvënësi ka parashikuar për të ndihmuar magjistratin duke mos lejuar kështu që ai të disavantazhohet për arsye që janë jashtë sferës së influencës së tij (pra, sepse struktura ku ai/ajo ishte komanduar nuk kishte miratuar skemë vlerësimi). Sipas këtij mekanizimi zhbllokues, magjistrati ka të drejtë të vlerësohet për aftësitë profesionale si kandidat jogjyqtar në Gjykatën e Lartë me qëllim që të konkurrojë në kushte të njëjta me magjistratët e tjerë për pozicionet e lira.

       

      1. Në Shqipëri, përpara Ndryshimeve Kushtetuese sistemi i vlerësimit i gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk përfshinte anëtarët (gjyqtarët) e Gjykatës së Lartë dhe Prokurorin e Përgjithshëm. Pjesë e skemës së vlerësimit sipas vendimit nr.261/2, datë 14.4.2010 të Këshillit tëLartë tëDrejtësisë ishin vetëm gjyqtarët e shkallës së parë dhe ata të apelit. Një rregullim i ngjashëm gjendej edhe nëligjin nr.8737, datë 12.2.2001,“Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”që rregullonte vlerësimin e prokurorëve sipas të cilës Prokurori i Përgjithshëm nuk ishte pjesë e skemës së vlerësimit. Ndryshimet kushtetuese prezantuan për herë të parë rregullimin uniform duke përcaktuar të njëjtat të drejta dhe detyrime për tëdyja kategoritë e magjistratëve: gjyqtarët dhe prokurorët të të gjitha niveleve. Në zbatim të dispozitave kushtetuese, Ligji i Statusit ka detajuar më tej këto të drejta dhe detyrime. 

       

      1. Analizën e Sistemit të Drejtësisë, miratuar nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë me vendimin nr.14, datë 30.7.2015, Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë ka vërejtur se: “Ligji nuk parashikon asnjë rregullim për vlerësimin e performancës së anëtarëve të Gjykatës së Lartë”[1].Më tej, në këtë dokument i bëhet referencë një Memorandumi të hartuar nga Komisioni i Venecias[2] nëprill 2014 ku ndër të tjera sugjerohet se:“...që Gjykata e Lartë të sillet nën ombrellën e KLD-së, pasi është theksuar se shkarkimi i anëtarëve të GJL-së nga Kuvendi nuk mund të zëvendësojë një procedurë disiplinore...”. Sipas opinionin nr. 751/2013 të Komisionit të Venecias, Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë duhet të jenë subjekt i një skeme të veçantë vlerësimi për performancën e gjyqtarëve”. Përkundrejt këtyre gjetjeve, Kuvendi miratoi Ndryshimet Kushtetuese që i hapën rrugë trajtimit të barabartë të  gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve duke i përfshirë ata në skemën e vlerësimit edhe anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe Prokurorin e Përgjithshëm.

       

       

      [1]Shih Analizën e Sistemit të Drejtësisë, miratuar nga Komisioni i Posaçëm për Reformën në Drejtësi me vendimin nr.14, datë 30.7.2015, fq. 97.

      [2]Shih “Raportin mbi ndryshimet e fundit në ligjin për dispozitat kryesore kushtetuese në Republikën e Shqipërisë”, Komisioni i Venecias, CDL-INF (98) 9, paragrafi 16).  http://www.venice.coe.int/webforms/documents/?country=34&year=all

      1. Një prej dokumenteve bazë ndërkombëtare të përdorura në hartimin e pjesës IV“Vlerësimi i Magjistratit” që citohet edhe në relacionin shpjegues të Kuvendit është Opinioni i Consultative Council of European Judges (‘CCJE’) nr. 17 (2014), Mbi Vlerësimin e Punës së Gjyqtarëve, Cilësinë e Drejtësisë, dhe Respektin për Pavarësinë e Gjyqësorit. Ky opinion parashtron mënyrën e organizimit të sistemeve të ndryshme të vlerësimit në shtete të BE-së si dhe përmban rekomandime në lidhje më sistemin e vlerësimit.

       

      1. Dokumente të tjera që analizojnë aspekte të vlerësimit individual të magjistratit janë: Rekomandimi CM/Rec(2010)12 i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës për gjyqtarët: pavarësia, eficenca dhe përgjegjësitë për raportin e periudhës 2012-2013 të Rrjetit Europian të Këshillave për Gjyqësorin (ENCJ) mbi standardet minimale lidhur me vlerësimin e performancës profesionale dhe mos-heqjen nga detyra të anëtarëve të gjyqësorit (më poshtë raporti i ENCJ-së)[1];Opinioni 1 (2001) i Këshillit Konsultativ Europian të Gjyqtarëve në lidhje më standardet për pavarësinë e gjyqësorit dhe palëvizshmërinë e gjyqtarëve (Rekomandimi nr.R94 (12); Rekomandimet e Kievit të OSBE-së për pavarësinë e gjyqësorit në Europën Juglindore, Kaukazin Jugor dhe Azinë Qendrore (2010) – administrata gjyqësore, përzgjedhja dhe llogaridhënia (më poshtë Rekomandimet e Kievit).

       

      [1]Raporti i periudhës 2012-2013 i Rrjetit Europian të Këshillave Gjyqësore (ENCJ) për standardet minimale lidhur me vlerësimin e performancës profesionale dhe mos-heqjen nga detyra të anëtarëve të gjyqësorit, më poshtë raporti i ENCJ-së, kreu 2, fq. 10.

  • - Opinioni i CCJE-së nr.1, “Mbi standardet në lidhje me pavarësinë e gjyqësorit dhe palëvizshmërinë e gjyqtarëve (version në gjuhën angleze https://rm.coe.int/168074w30, vizituar për herë të fundit në datën 26.8.2019).

    - Opinioni i CCJE-së nr. 17 (2014), “Mbi Vlerësimin e Punës së Gjyqtarëve, Cilësinë e Drejtësisë, dhe Respektin për Pavarësinë e Gjyqësorit” (version në gjuhën angleze https://rm.coe.int/16807481ea,vizituar për herë të fundit në datën 23.8.2019).

    - Rekomandimi CM/Rec(2010)12 i Komitetit të Ministrave për gjyqtarët (version në gjuhën angleze https://search.coe.int/cm/Pages/result_details.aspx?ObjectId=09000016805afbë, vizituar për herë të fundit në datën 23.8.2019).

    - Rekomandimet e Kievit të OSBE-së për pavarësinë e gjyqësorit në Europën Juglindore, Kaukazin Jugor dhe Azinë Qendrore (2010) (version në gjuhën angleze https://www.osce.org/odihr/KyivRec?download=true, vizituar për herë të fundit në datën 23.8.2019).

    - Raport i Rrjetit Europian të Gjyqësorit për 2014-2016 (version në gjuhën angleze https://www.encj.eu/images/stories/pdf/workinggroups/independence/encj_report_independence_accountability_prosecution_2014_2016.pdf, vizituar për herë të fundit në datën 23.8.2019).

    - Raport mbi pavarësinë e sistemit gjyqësor, pjesa I: “Pavarësia e gjyqtarëve” i Komisionit të Venecias, CDL-AD (2010)004 (version në gjuhën angleze https://www.venice.coe.int/webforms/documents/default.aspx?pdffile=CDL-AD(2010)004-e, vizituar për herë të fundit në 23.8.2019).

    - Opinion i Komisionit të Venecias të Këshillit të Evropës“Mbi sistemin e vlerësimit tëgjyqtarëve në Armeni”CDL-AD(2014)007 (version në gjuhën angleze https://www.venice.coe.int/webforms/documents/default.aspx?pdffile=CDL-AD(2014)007-e, vizituar për herë të fundit në 23.8.2019).

  • - Analizë e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, qershor 2015, hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisëdhe miratuar nga Komisioni i Posaçëm për Reformën në Drejtësi me vendimin nr.14, datë 30.7.2015.

    - Relacioni për projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

  • Kushtetuta:

    - Neni 147/a:KLGJ ushtron funksionet e mëposhtme: a) emëron, vlerëson, ngre në detyrë dhe transferon gjyqtarët e të gjitha niveleve....

    - Neni 149/a:KLP ushtron funksionet e mëposhtme: a) emëron, vlerëson, ngre në detyrë dhe transferon prokurorët e të gjitha niveleve....

    Ligj:

    - Neni49, 53, 71, 79i ligjit nr.96/2016,“Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”.

     

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • A. Ligje

    - Neni 2 i ligjit nr.8811, datë 17.5.2001,“Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”.
    - Neni 13 i ligjit nr.98, datë 18.2.2008,“Për organizimin e pushtetit gjyqësor”.
    - Neni 42 i ligjit nr.97, datë 12.2.2001,“Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”.

     

    B. Akte nënligjore


    - Vendimi nr.261/2, datë 14.4.2010 i KLD-së“Për sistemin e vlerësimit të gjyqtarëve”.
    - Rregullore “Për sistemin e vlerësimit të punës dhe të aftësive profesionale e morale të prokurorëve” miratuar me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm.

     

Aulona Hazbiu
Aulona Hazbiu