"PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË "   |   96/2016

Neni 76: Aftësitë personale dhe angazhimi profesional

1Me anë të kriterit të aftësisë personale dhe angazhimit profesional vlerësohen aftësitë e komunikimit, aftësia për të bashkëpunuar me kolegët dhe gatishmëria për t’u angazhuar në veprimtari të tjera.

2Aftësia e komunikimit të magjistratit matet duke u bazuar në treguesit e komunikimit të qartë dhe transparent me palët gjyqësore, publikun, subjektet e tjera, të tretët, në respektim të konfidencialitetit dhe parimeve të mbrojtjes së të dhënave personale. Vlerësimi i aftësive drejtuese si kryetar me të paktën “shumë mirë” ka përparësi në vlerësimin si magjistrat, i cili kryhet pas vlerësimit si kryetar.

3Aftësia për të bashkëpunuar me kolegët matet duke u bazuar në treguesit e komunikimit dhe bashkëveprimit me kolegët apo administratën gjyqësore, si dhe shkëmbimit të njohurive apo të përvojës profesionale me ta.

4Gatishmëria për t’u angazhuar në veprimtari të tjera matet duke u bazuar në tregues të tillë si pjesëmarrja e magjistratit në formimin vazhdues të Shkollës së Magjistraturës, pjesëmarrja në trajnime të tjera profesionale, disponueshmëria e gjyqtarit për të udhëhequr magjistratët e ardhshëm gjatë stazhit profesional dhe/ose për trajnimin e magjistratëve të rinj, pjesëmarrja e magjistratit në veprimtari ndërinstitucionale për përmirësimin e sistemit të drejtësisë, në veprimtaritë për marrëdhëniet me publikun të gjykatave dhe publikimet ligjore akademike.

5Pjesëmarrja e magjistratit në formimin vazhdues të Shkollës së Magjistraturës matet duke u bazuar në informacionin e dërguar nga Shkolla e Magjistraturës, në vlerësimin “shumë mirë” në rastet e përmbushjes së detyrimit ligjor për të marrë pjesë në formim vazhdues jo më shumë se 40 ditë në vit dhe jo më shumë se 200 ditë gjatë pesë vjetëve. Shkallët e tjera të vlerësimit përcaktohen me rend zbritës nga ky standard.

Përmbajtja

      1. Neni 76 i Ligjit për Statusin synon të përcaktojë kritere të qarta për vlerësimin në mënyrë objektive dhe të paanshme për kriterin e “aftësive personale dhe angazhimin profesional”. Imazhi ose perceptimi që ka publiku për sistemin duhet të ndikohet kryesisht nga sjellja e vetë magjistratëve, të cilët me sjelljen e tyre krijojnë perceptime të drejtpërdrejta te palët në proces, avokatët, dëshmitarët, shoqëria civile etj.

       

      1. Në linjë me të gjitha kriteret e tjera të vlerësimit të pjesës IV, kreu II, seksioni I, zbërthimi që bën neni 76 ka vlerë të dyfishtë. Së pari, i vlen magjistratëve pasi për herë të parë në ligj (dhe jo në akt nënligjor), treguesit matës janë të mirëpërcaktuar, të qartë dhe të unifikuar për të gjithë magjistratët në sistem. Përcaktimi i treguesve matës përbën garanci dhe siguri ç’ka i jep procesit të vlerësimit më shumë besueshmëri. Në të njëjtën kohë, ligjvënësi synon t’i vendosë organit vlerësues kufijtë ligjorë të vlerësimit për kriterin e aftësive personale dhe angazhimit profesional. Vendosja e këtyre kufijve është e rëndësishme për të garantuar respektimin e parimit të pavarësisë së magjistratit (neni 69, shkronja “a” të Ligjit për Statusin[1]). Kriteri i zbërthyer në këtë nen duhet të konsiderohet dhe vlerësohet së bashku me të gjitha kriteret e tjera të parashikuara në nenin 71 të Ligjit për Statusin[2]. Kjo pasi të gjitha kriteret janë të barasvlershme dhe kanë të njëjtin efekt/peshë për sa i takon pikëzimit dhe nxjerrjes së rezultatit përfundimtar të vlerësimit.

       

      [1] Shih Komentet në nenin 69 të Ligjit për Statusin në lidhje me konceptin e pavarësisë së magjistratit edhe brenda strukturave gjyqësore.

      [2] Shih Komentet në nenin 71, pika 6 të këtij Komentari.

      1. Nga pikëpamja sistematike, neni 76 bën pjesë në grupin e neneve të seksionit I “Vlerësimi i magjistratit”, kreu II “Kriteret, burimet dhe nivelet e vlerësimit”. Me anë të këtij neni, ligjvënësi përcakton tri shtylla ku mbështetet ky kriter si për gjyqtarët ashtu edhe për prokurorët pa bërë asnjë dallim midis profileve të tyre.

       

      1. Objekti i rregullimit të këtij neni është i shumëfishtë. Në pikën e parë prezantohen tri shtyllat që vlerësohen në lidhje me kriterin aftësitë personale dhe angazhimi profesional. Pika e dytë e këtij neni rendit treguesit matës për aftësinë e komunikimit. Më tej, për të vazhduar në pikën e tretë që liston treguesit e aftësisë për të bashkëpunuar. Pika e katërt përmban treguesit matës të gatishmërisë për t’u angazhuar në veprimtari të tjera. Së fundmi, neni përmbyllet me pikën 5 që lidhet me treguesin e përmendur në pikën 4, atë të pjesëmarrjes së magjistratit në formimin vazhdues të Shkollës së Magjistraturës.

       

      1. Komente mbi nenin 76, pika 1. Pika 1 e nenit 76 të Ligjit për Statusin parashikon të njëjtat standarde vlerësimi si për gjyqtarët ashtu dhe për prokurorët. Kjo pikë prezanton tri shtyllat mbi të cilat mbështetet vlerësimi për kriterin e “aftësive personale dhe angazhimin profesional”, të cilat më pas shtjellohen më tej përkatësisht në pikën 2, 3, 4 dhe 5 të po këtij neni. Referuar vendimit nr.264, datë 21.11.2019 të KLGJ-së pikëzimi i këtyre tri shtyllave është i ndryshëm duke i dhënë një peshë më të madhe aftësisë së komunikimit (pika 2) me 40 pikë, e ndjekur nga gatishmëria për t’u angazhuar në veprimtari të tjera (pika 4) me 35 pikë dhe duke u përmbyllur me aftësinë për të bashkëpunuar me kolegët (pika 3) që vlerësohet me 25 pikë[1]. Në zbatim të pushtetit normativ të deleguar në nenin 2, germa “ll” dhe 171 të Ligjit për Statusin, në kuptim të nenit 118 të Kushtetutës, Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka miratuar një sërë aktesh nënligjore (që përmenden më poshtë) për të plotësuar kuadrin ligjor në lidhje me vlerësimin profesional. Në të njëjtën linjë edhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) i është deleguar një pushtet i tillë normativ. KLP-ja ende nuk ka arritur të miratojë akte nënligjore që rregullojnë fushën e vlerësimit profesional të prokurorëve. Gjithsesi, ekziston një pritshmëri e arsyeshme se ato do të jenë “të frymëzuara” nga rregullimet “simotra” të magjistratëve gjyqtarë, me ndryshimet përkatëse që lidhen me profilin. Nisur nga kjo pritshmëri, për efekt të sqarimit të koncepteve të parashikuara në nenin 76, trajtimi/analiza i/e akteve nënligjore të miratuara nga KLGJ-ja shërben, për aq sa është e mundur, edhe për vlerësimin e aftësive organizative për prokurorinë. Aty ku ka dallime që lidhen me profilin, do të shtjellohen standardet përkatëse për sistemin prokurorial.   

       

      1. Komente mbi nenin 76, pika 2, fjalia 1. Kuptimi i termit “aftësi komunikimi”. Neni 76, pika 2 parashikon treguesit matës për kriterin “aftësi komunikimi”. Në të njëjtën linjë me këtë parashikim vendimi nr.264, datë 21.11.2019 i KLGJ-së, nxjerrë në zbatim të ligjit, përcakton dy tregues për vlerësimin: (I) komunikimin e qartë dhe transparent dhe (II) respektimin e konfidencialitetit dhe mbrojtjes së të dhënave personale. Për sa i takon treguesit në pikën (I) komunikimi i qartë dhe transparent, vendimi nr.264, datë 21.11.2019 parashikon se: “Gjyqtari duhet të jetë në gjendje të komunikojë në mënyrë efektive. Aftësitë e komunikimit efektiv përfshijnë aftësinë për t’u shprehur në mënyrë të kuptueshme, të qartë dhe koncize me palët ndërgjyqëse, publikun, subjektet e tjera. Në vetvete komunikimi është një term i papërcaktuar. Në tërësinë e tij përfshin komunikimin verbal edhe atë jo verbal (nëpërmjet gjuhës trupore (‘body language’) si dhe me shkrim), si dhe aftësinë për të dëgjuar aktivisht[2]. Dëgjimi aktiv është më shumë se të jesh në gjendje të dëgjosh çfarë thotë pala ndërgjyqëse. Shumë metoda komunikimi nuk e përfshijnë fare “thënien e ndonjë fjale”[3]. Shpeshherë mjafton një vështrim “jo i përshtatshëm” si rezultat i disinteresimit apo bezdisë për të dërguar perceptimin e gabuar te palët. E ashtëquajtura ‘gjuha trupore’ (‘body language’) është një tjetër mjet komunikimi. Pjesë e saj është vështrimi në sy (‘eye contact’) të palëve në seancë, vetëkontrolli trupor i magjistratit duke ruajtur një qëndrim dinjitoz në bankë apo mënyra si reagon kur i paraqitet një dokument nga pala nëse e lexon/kontrollon etj. Në shoqëritë multi-kulturore/etnike/fetare, komunikimi i duhur dhe në mënyrë të paanshme, në çdo formë, me palët në sallë është një sfidë e përditshme për çdo magjistrat. Magjistrati në çdo vendimmarrje duhet të evitojë shfaqje ose shenja të cilat mund të duken si paragjykuese apo sjellje që çojnë në keqkuptime apo anshmëri dhe që passsjellin përjashtim apo heqje dorë sipas neneve 72, pika 6 të Kodit të Procedurës Civile apo 17 “ë” të Kodit të Procedurës Penale. Të gjitha elementet e lartpërmendura, sipas rastit, përçojnë ose nuk përçojnë sinjale për gjykimin e drejtë dhe të paanshëm (sidomos kur palë janë grupe të caktuara të popullsisë me paaftësi fizike apo mendore apo ato me vetëpërfaqësim). Duke iu rikthyer parashikimeve të vendimit nr.264, datë 21.11.2019, rezulton që kërkohet që komunikimi të jetë efektiv. Termi efektivitet (“effectivity”) është i lidhur me administrimin e procesit dhe më së shumti me objektivin për të optimizuar produktivitetin dhe përdorimin sa më të mirë të mundshëm të burimeve[4]. Efektiviteti është pashmangshmërisht i lidhur me objektivat dhe qëllimet e procesit gjyqësor[5]. Prandaj, në parim, çdo formë komunikimi (verbal apo jo verbal, dëgjimi aktiv) duhet të jenë efektiv. Për efekt të vlerësimit profesional, do të analizohet/vlerësohet komunikimi verbal i magjistratit dhe jo ai i formave të tjera të komunikimit të përmendura më sipër. Arsyeja për këtë “kufizim” lidhet me faktin se parë nga këndvështrimi i vlerësuesit, format e tjera të komunikimit (jo verbale) nuk janë të matshme apo të gjurmueshme. Vlerësuesi e mbështet vlerësimin ndër të tjera në procesverbalet (e zbardhura) të regjistrimit audio që riprodhojnë diskutimet në sallën e gjyqit. Një arsye tjetër është se një pjesë e gjyqeve të paktën në shkallën e parë zhvillohen në dhomat e gjyqtarëve dhe jo në sallat e gjyqit ku ka regjistrim audio dhe eventualisht kamera. Prandaj, vlerësuesi është në pamundësi objektive të vlerësimit të këtyre formave. Të gjitha format e tjera të komunikimit janë të “matshme” vetëm për ata që janë në sallën/dhomën ku zhvillohet gjyqi dhe që përjetojnë “live” një formë komunikimi të (pa)përshtatshme/të (pa)anshme. Ky aspekt edhe pse mbetet i pamatshëm për efekt të vlerësimit profesional, mjafton për palën, përfaqësuesin ligjor apo personat e tjerë që ndodhen në sallë, për të krijuar një perceptim mbi mënyrën e komunikimit të magjistratit. Duke qenë i pamatshëm, ai mbetet në ndërgjegjen e vetë magjistratit që të vërë në jetë të gjitha ato sjellje gjatë gjithë gjykimit dhe që justifikojnë vendimmarrjen e tij të drejtë dhe të paanshme. Logjikisht, për efekt të vlerësimit magjistrati konsiderohet se komunikon në mënyrë efektive kur verbalisht shprehet në mënyrë të kuptueshme, të qartë dhe koncize me palët ndërgjyqëse, publikun, subjekte të tjera dhe të tretët. Komunikimi nëpërmjet sjelljeve të tjera të përmendura më sipër, gjithashtu duhet të plotësojë standardet e gjykimit të drejtë dhe të paanshëm, por mbetet jashtë sferës së vlerësimit përsa kohë në kushtet që ndodhet sistemi sot mungojnë burimet matëse. Vlerësuesi mund të vlerësojë bazuar në gjetjet në dokumente (burimet) e ndryshme (neni 77 i Ligjit të Statusit) apo burime informacioni të riprodhueshme si regjistrimi audio i seancës (pjesë e dosjes gjyqësore). Në lidhje me respektimin e konfidencialitetit dhe mbrojtjes së të dhënave personale parashikuar si tregues matës në pikën (II), vendimi nr.264, datë 21.11.2019 parashikon se: “Gjyqtari duhet të tregojë kujdes maksimal për ruajtjen e konfidencialitetit dhe për mbrojtjen e të dhënave personale në lidhje me informacionet dhe të dhënat për të cilat ai vihet në dijeni për shkak të funksionit, siç mund të jenë çështjet me të mitur, ato të dhunës në familje etj. Pikëzimi i këtij treguesi behet sipas një rendi zbritës, duke prezumuar që gjyqtari i gëzon cilësi të tilla. Çdo gjyqtar e fillon pikëzimin me 15 pikë, të cilat zbriten sipas tabelës (bashkëngjitur vendimit të KLGJ-së)  në varësi të treguesve që dalin nga burimet e vlerësimit”. Respektimi i konfidencialitetit dhe mbrojtjes së të dhënave personale ka një rëndësi të veçantë që aplikohet në ato lloj gjykimesh ku janë përfshirë palë që gëzojnë mbrojtje sipas legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale[6]. Në këto raste, ky detyrim duhet kuptuar si element “kufizues” i komunikimit të magjistratit. Raste të tilla mund të jenë komunikimet me të mitur apo viktima apo persona të tjerë që kanë status të veçantë sipas ligjit. Akti i lartpërmendur përcakton qartë se çdo gjyqtar i sistemit prezumohet se gëzon cilësi të tilla në mënyrën më të lartë të mundshme. Në një farë mënyrë, ai/ajo prezumohen komunikuesi më i mirë për sa i takon respektimit të konfidencialitetit dhe mbrojtjes së të dhënave personale. Kjo shmang çdo paragjykim dhe pabarazi në proces duke i vendosur të gjithë gjyqtarët në kushte të barabarta. Për rrjedhojë, i takon KLGJ-së (si organ vlerësues) që në kuadër të procesit të vlerësimit, të vërtetojë rrethana/fakte të kundërta në mënyrë që të justifikohet ulja e pikëve. Provë që vërteton rrethana/fakte të tilla mund të jetë regjistrimi audio i seancës gjyqësore.

       

      1. Sipas pikës 2 të nenit 76 të Ligjit për Statusin, si burime vlerësimi lidhur me këtë tregues, shërbejnë vlerësimi i gjyqtarit, mendimi i kryetarit, dokumentet ligjore të dorëzuara nga gjyqtari dhe aktet e dosjeve të përzgjedhura me short (brenda të cilave është administruar edhe CD-ja e regjistrimit audio).

       

      1. Komente mbi nenin 76, pika 2, fjalia 2. Sipas nenit 76, pika 2, fjalia 2 të Ligjit për Statusin vlerësimi i aftësive drejtuese si kryetar me të paktën “shumë mirë” ka përparësi në vlerësimin si magjistrat, i cili kryhet pas vlerësimit si kryetar. Kjo fjali duhet lexuar së bashku me parashikimet e nenit 79 të Ligjit për Statusin që përcakton dy kriteret bazë të vlerësimit si kryetar i gjykatës apo prokurorisë, si dhe me nenin 81 të Ligjit për Statusin që detajon treguesit matës për aftësitë komunikuese të kryetarit. Pavarësisht nga sa më sipër, përcaktimet e nenit 76, pika 2, fjalia 2 kanë vlerë rregullatore të veçantë, pasi përcaktojnë përparësinë e vlerësimit si kryetar përkundrejt vlerësimit si magjistrat në lidhje me aftësitë komunikuese. Parimi i përparësisë duhet respektuar nga vlerësuesi që duhet të tregojë kujdes të veçantë për vlerësimin e këtij kriteri kur magjistrati ushtron edhe funksionin e kryetarit.

       

      1.  Komente mbi pikën 3 të nenit 76. Kuptimi i termit “aftësi bashkëpunuese”. Koncepti i aftësive bashkëpunuese të magjistratit, si një nga risitë e vlerësimit profesional në Ligjin e Statusit, i ka rrënjët në idenë e zhvilluar vitet e fundit në vendet e Bashkimit Europian (BE-së) se duhet shembur/prishur muri izolues[7] që rrethon figurën e magjistratit. Ky “mur” është ngritur si pasojë e “vetizolimit” të magjistratit për të ruajtur pavarësinë në vendimmarrje, si dhe natyrën e “vetjake” të vendimmarrjes si një proces i reflektimit individual dhe krijimit të bindjes së brendshme[8]. Sipas European Commission for Efficency of Justice (CEPEJ) ky izolim mund të tejkalohet nëpërmjet ngritjes së urave të komunikimit dhe bashkëpunimit për të ndarë eksperienca dhe njohuri. Termi “bashkëpunim” nënkupton veprim të të punuarit së bashku në një projekt të përbashkët[9]. Në kontekstin e vlerësimit profesional, magjistrati duhet të zotërojë këtë aftësi nëpërmjet zhvillimit të një kulture bashkëpunimi dhe ndarje të njohurive dhe të përvojës në gjykatë[10]. Vendimi nr.264, datë 21.11.2019 parashikon dy tregues për të vlerësuar këtë aftësi: (I) shkallën e komunikimit dhe bashkëpunimit me kolegët, duke përfshirë shkëmbimin e njohurive dhe përvojës profesionale me ta si dhe (II) shkallën e komunikimit dhe bashkëpunimit me administratën gjyqësore. Këta dy tregues janë dy anë të së njëjtës “monedhë”. Për sa i takon nënpikës (I), vendimi parashikon se: “Gjyqtari duhet të ketë aftësinë dhe disponibilitetin për të bashkëpunuar me kolegët pa cenuar pavarësinë e tij në vendimmarrje. Gjyqtari duhet të kontribuojë në ngritjen e problematikave mbi çështje të caktuara juridike, përmirësimet e legjislacionit, diskutimin rreth zbatimit të vendimeve njësuese, hartimin e modeleve të unifikuara të akteve procedurale dhe çdo çështje tjetër që lidhet me veprimtarinë gjyqësore. Gjyqtari duhet të tregojë gatishmëri për të ndarë me kolegët përvojën e përftuar në aktivitetet e ndryshme trajnuese.” Sa më sipër mund të ndodhë në forma dhe mënyra të ndryshme. Një formë e përcjelljes së “dijes” është organizimi i një sesioni informues mbi njohuritë/informacionin e përfituar me kolegët gjyqtarë të gjykatës (dhe sipas rastit nëpunësit civilë gjyqësorë). Një tjetër formë mund të jetë paraqitja e sugjerimeve me shkrim drejtuar Këshillit të Gjykatës për përmirësimin e punës dhe rritjen e eficiencës së gjykatës. Kjo nënpikë i referohet komunikimit dhe bashkëpunimit ‘peer to peer’, pra midis kolegëve magjistratë. Kjo ka të bëjë më ndarjen dhe shkëmbimin e eksperiencave, përvojës, situatave për të pasuruar dhe rritur aftësitë profesionale. Ndërsa për nënpikën (II) vendimi parashikon se: “Gjyqtarët e të gjitha niveleve ndërveprojnë rregullisht me personelin e gjykatës. Nxitja e marrëdhënieve bashkëpunuese me stafin e gjykatës krijon një mjedis pune harmonik dhe produktiv. Këshilli do të vlerësojë nëse nga burimet e vlerësimit rezultojnë të dhëna mbi shfaqjen e mungesës së respektit ndaj punonjësve të administratës gjyqësore, keqtrajtimin progresiv dhe sistematik të tyre, nëpërmjet përdorimit të fjalorit të papërshtatshëm, thashethemeve, përjashtimit social etj.” Nënpika (II) “mbulon” marrëdhëniet e bashkëpunimit brenda gjykatës me stafin e gjykatës. Kjo marrëdhënie është shumë e rëndësishme për stimulimin profesional dhe rritjen e produktivitetit. Fjalia e fundit e këtij paragrafi i referohet sjelljeve të papërshtatshme që mund të evidentohen për magjistratin. Këto raste janë delikate dhe specifike dhe mbartin në vetvete sfidën e provueshmërisë. Ato duhet të jenë sjellje të një natyre sistematike dhe të shtrira në kohë që tregojnë një përqasje të magjistratit në kuptimin që “ai/ajo e ka bërë rrugë këtë sjellje”. Rast pas rasti duhet verifikuar nëse, sa shpesh, në cilat rrethana është përdorur fjalor i papërshtatshëm apo ka pasur thashetheme apo raste të përjashtimit social.

       

      1. Burimet e vlerësimit për nënpikën (I) dhe (II) janë identike dhe përfshijnë vlerësimin e kryer nga gjyqtari, mendimi i kryetarit, dhe të dhënat për verifikimin e ankesave të paraqitura ndaj magjistratit gjatë periudhës së vlerësimit.

       

      1. Komente mbi pikën 4 të nenit 76. Gatishmëria e gjyqtarit për t’u angazhuar në veprimtari të tjera. Neni 76, pika 4 parashikon se gatishmëria e gjyqtarit për t’u angazhuar në veprimtari të tjera matet në tregues “të tillë si”, duke i renditur ato. Zgjedhja e formulimit të ligjvënësit me togfjalëshin “të tilla si...” lë hapësirën e nevojshme për KLGJ-në që të përcaktojë indikatorë të tjerë matës që do të konsiderohen ose rezultojnë të nevojshëm nga praktika në kohë. Në zbatim të sa më sipër, vendimi nr.264, datë 21.11.2019 parashikon katër indikatorë matës: (I) pjesëmarrja e gjyqtarit në programet e formimit vazhdues të Shkollës së Magjistraturës dhe në trajnime të tjera profesionale; (II) disponueshmëria e gjyqtarit për të udhëhequr kandidatët për gjyqtarë gjatë stazhit profesional dhe/ose për trajnimin e gjyqtarëve; (III) pjesëmarrja e gjyqtarit në veprimtari ndër-institucionale për përmirësimin e sistemit të drejtësisë dhe në veprimtaritë për marrëdhëniet me publikun në gjykata; (IV) publikimet ligjore akademike. Këta indikatorë kanë peshë të ndryshme në pikëzim sipas vendimit nr.264, datë 21.11.2019 të KLGJ-së. Nënpika (I) për pjesëmarrjen në programet e formimit vazhdues të Shkollës së Magjistraturës vlerësohet me 20 pikë. Tre nënpikat e tjera (II), (III) dhe (IV) vlerësohen me një diferencë të ndjeshme me nënpikën (I), në masën 5 pikë. Për sa i takon nënpikës (I) vendimi i lartpërmendur parashikon se: “...identifikimi i nevojave për trajnim, duke i dhënë mundësi gjyqtarit t’i kushtojë kohë vetë-përmirësimit në lidhje me njohjen dhe zbatimin e ligjit, jurisprudencës dhe doktrinës. Me qëllim ngritjen e tyre profesionale, gjyqtarët kanë detyrimin ligjor të ndjekin programin e formimit vazhdues të Shkollës së Magjistraturës. Gjyqtari duhet t'i kushtojë kohë evoluimit të mendimit juridik dhe jurisprudencës dhe të ndjekë programe trajnimi që nxitin specializimin e tij të organizuar edhe nga institucione të tjera trajnimi në nivel kombëtar ose ndërkombëtar, të njohura nga Këshilli”. Pjesëmarrja në trajnimet vazhduese të Shkollës së Magjistraturës është një detyrim që buron nga neni 5 i Ligjit për Statusin. Pra, kjo nënpikë i referohet sferës së vetë-përmirësimit/vetë-evoluimit profesional nëpërmjet ndjekjes së trajnimeve të Shkollës apo trajnimeve të natyrës specializuese në fusha të ndryshme të së drejtës. Nënpika (II) zbërthehet në vendim si vijon: “...Këshilli konsideron vlerë të shtuar për gjyqtarin gatishmërinë e tij për të kontribuar si gjyqtar udhëheqës në praktikën profesionale të kandidatëve për gjyqtarë, dhe/ose si ekspert/lehtësues në trajnimin fillestar apo vazhdues të Shkollës së Magjistraturës, apo në trajnime të organizuara nga institucione të tjera. Duke marrë parasysh se pjesëmarrja në veprimtari të tilla, jo gjithmonë është në varësi të vullnetit të gjyqtarit, të gjithë gjyqtarët e fillojnë vlerësimin për këtë tregues me 3 pikë. Dy pikë të tjera iu shtohen në vlerësim gjyqtarëve që e kryejnë këtë veprimtari njëkohësisht me veprimtarinë gjyqësore, pavarësisht nga frekuenca e angazhimit. Burim vlerësimi për këtë kriter është dosja personale e gjyqtarit dhe informacioni me shkrim që përcillet nga Shkolla e Magjistraturës ose institucione të tjera, i cili vërteton pjesëmarrjen dhe përfshirjen e gjyqtarit në veprimtaritë trajnuese”. Në dallim nga nënpika (I) e përmendur më sipër, nënpika (II) mbulon aktivitetin që lidhet me atë çfarë magjistrati “e kthen mbrapsht investimin” për sistemin duke kontribuar në forma të ndryshme për të ndarë me kolegë ose kandidatë magjistratë (kolegë të ardhshëm) njohuritë dhe eksperiencën e tij/saj. Veçanërisht angazhimi si udhëheqës në praktikën profesionale (viti i tretë i formimit fillestar në Shkollën e Magjistraturës sipas nenit 33 të Ligjit për Statusin) është një veprimtari që për nga natyra kryhet nga magjistratët në shkallën e parë. Nisur nga sa më sipër dhe me qëllim mosdisavantazhimin e magjistratëve të tjerë, vendimi parashikon që të gjithë gjyqtarët ta fillojnë vlerësimin për këtë tregues me 3 pikë. Më tej, nënpika (III) sipas vendimit të lartpërmendur nënkupton: “Gjyqtari mund të dedikojë kohë dhe përpjekje për të përmirësuar sistemin gjyqësor në mënyra të ndryshme. Këto përfshijnë veprimtari jashtë funksionit, me ose pa pagesë, të tilla si: fjalime publike; prezantime në konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare; pjesëmarrje në programet e edukimit të komunitetit; bashkëpunime me Këshillin për përmirësimin e programeve të formimit vazhdues; angazhimin si ekspertë në punët e Këshillit për përgatitjen e formave standarde me qëllim rritjen e eficiencës; kontribute në hartimin e legjislacionit; aktivitete mësimdhënëse për çështje ligjore; bashkëpunime me grupe interesash të ndryshëm me qëllim rritjen e cilësisë së gjyqësorit dhe ndërgjegjësimin e publikut për forcën e zbatimit të ligjit, si edhe çdo veprimtari tjetër e ngjashme në fushën juridike. Duke marrë parasysh se pjesëmarrja në veprimtari të tilla, jo gjithmonë është në varësi të vullnetit të gjyqtarit, të gjithë gjyqtarët e fillojnë vlerësimin për këtë tregues me 3 pikë. Një ose dy pikë të tjera iu shtohen në vlerësim gjyqtarëve që kryejnë këto veprimtari njëkohësisht me veprimtarinë gjyqësore, duke marrë parasysh sasinë dhe cilësinë e angazhimit, shkallën e pjesëmarrjes së gjyqtarit, ndikimin në veprimtarinë specifike dhe shtrirjen ndërkombëtare të angazhimit, si dhe çdo të dhënë tjetër që del nga burimet e vlerësimit të këtij treguesi. Si burime për pikëzimin shërbejnë vlerësimi i kryer nga gjyqtari, mendimi i kryetarit, të dhënat e dosjes personale të gjyqtarit, si dhe çdo e dhënë tjetër, që tregon ngritjen profesionale të gjyqtarit”. Kjo nënpikë rregullon të gjitha ato veprimtari, që kanë lidhje me përfshirjen në procesin legjislativ të ligjeve apo akteve nënligjore, që mund të kryhen nga gjyqtarët në varësi të interesit/dëshirës së tyre. Duke e përmbyllur me nënpikën (IV), vendimi parashikon se: “...Këshilli konsideron vlerë të shtuar për gjyqtarin publikime ligjore akademike me qëllim dhënien e kontributit për zhvillimin e doktrinës. 1 deri 5 pikë caktohen për publikimet ligjore akademike, ku përfshihen artikuj, kapituj, monografi, ose publikime shkencore të tjera, të botuara brenda dhe jashtë vendit, të shoqëruara me numër identifikimi (ISBN, ISSN). Si burim vlerësimi shërbejnë dosja personale e gjyqtarit dhe çdo e dhënë tjetër, që tregon ngritjen profesionale të tij, të cilat japin të dhëna për sasinë, tipologjinë dhe impaktin e punimeve dhe publikimeve ligjore akademike”. Nënpika përmbyllëse e fundit i referohet një aspekti akademik të zhvillimit profesional. Sa më sipër, konsiderohet “vlerë e shtuar” nga Këshilli. Ky parashikim duhet kuptuar si një mjet nxitës/motivues që ligjvënësi ka dashur t’i japë magjistratit për t’i nxitur ata të angazhohen më shumë në publikime ligjore akademike.

       

      1. Komente mbi pikën 5 të nenit 76. Neni 76, pika 5 duhet lexuar së bashku me pikën 4 të po këtij neni që i referohet pjesëmarrjes së gjyqtarit në programet e formimit vazhdues të Shkollës së Magjistraturës. Kjo pjesëmarrje ka karakter detyrues sipas nenit 5 të Ligjit për Statusin. Ky detyrim ligjor e vendos këtë tregues në një pozitë më të veçantë dhe më të qëndrueshme krahasuar me treguesit e tjerë të përshkruar në pikën 12 të këtyre Komenteve (përkatësisht pikat (II), (III) dhe (IV)) që kanë karakter vullnetar, pasi varen nga dëshira/interesi/dhuntia/prirjet e magjistratit. Gjyqtarët kanë detyrim të përditësojnë dhe të zhvillojnë më tej profesionalizmin e tyre[11]. Trajnimi vazhdues është një nga mjetet kryesore që i shërben këtij qëllimi. Nisur nga rëndësia që ka formimi vazhdues për ecurinë në karrierë të magjistratit në tërësi, dhe për vlerësimin në veçanti, ligjvënësi e ka gjykuar të arsyeshme të saktësojë në mënyrë më të detajuar mënyrën e matjes së këtij treguesi. Vendimi nr.264, datë 21.11.2019 parashikon se: “Në lidhje me pikëzimin e aftësisë së gjyqtarit për t’u angazhuar në veprimtari të tjera, treguesi i pjesëmarrjes në programin e formimit vazhdues të Shkollës së Magjistraturës, matet duke u bazuar në informacionin me shkrim që përcillet nga Shkolla e Magjistraturës, i cili vërteton pjesëmarrjen dhe përfshirjen e magjistratit në trajnime. Pjesëmarrja e gjyqtarit në trajnime të tjera vlerësohet bazuar në dokumente të dorëzuara prej tij që tregojnë ngritjen profesionale. Pikëzimi i këtij treguesi bëhet referuar numrit të trajnimeve, kohëzgjatjes tërësore të tyre në raport me një temë të caktuar. Këshilli konsideron vlerë të shtuar për ngritjen profesionale trajnimet afatgjata, përfshirë edhe trajnimet afatshkurtra të specializuara në një fushë të caktuar, të organizuara në periudha kohore të ndërprera”.

       

      [1] Shih vendimin nr.264, datë 21.11.2019 të KLGJ-së, “Për miratimin e metodologjisë së pikëzimit me qëllim përcaktimin e nivelit të vlerësimit të gjyqtarit”, http://klgj.al/wp-content/uploads/2019/12/Metodologjia-e-pikezimit-material-MB-Pl-referuar-Vendimit-Nr.-264.pdf

      [2]Shih ‘Asking the right questions’ Philip Brown https://www.judiciary.uk/wp-content/uploads/2016/01/brown_communication-vol9-issue2-2002..pdf (Shënim: teksti është përkthim i autores.)

      [3] Po aty.

      [4] Shih ‘Fair and effective investigation and prosecution of international crimes’, fq.9https://www.nurembergacademy.org/fileadmin/user_upload/Fair_and_Effective_Investigation_and_Prosecution_of_International_Crimes.pdf (Shënim: teksti është përkthim i autores.); Gjithashtu, sipas Black’s Law Dictionary (Sixth Edition, Centennial Edition 1891-1991), fq.51 termi ‘effectivity’ ka të bëjë me arritjen, ekzekutimin ose kryerjen e një veprimi në mënyrë korrekte ose mënyrën e duhur (pra, të kryesh/bësh gjërat e duhura/drejta).

      [5] Po aty.

      [6] Shih nenin 4 të ligjit nr.9887, datë 10.3.2008, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.

      [7] Shih Raportin e CEPEJ 2019 (15) ‘Breaking up judges’ isolation Guidelines to improve the judge's skills and competences, strengthen knowledge sharing and collaboration, and move beyond a culture of judicial isolation’, fq.4   https://rm.coe.int/cepej-2019-15-en-knowledge-sharing/16809939e4

      [8] Shih nenin 29 të Kodit të Procedurës Civile, ose nenin 152 të Kodit të Procedurës Penale.

      [9] Shih Black’s Law Dictionary (Sixth Edition, Centennial Edition 1891-1991), fq.261.

      [10] Shih Raport i CEPEJ 2019 (15) ‘Breaking up judges’ isolation Guidelines to improve the judge's skills and competences, strengthen knowledge sharing and collaboration, and move beyond a culture of judicial isolation’, fq.13  https://rm.coe.int/cepej-2019-15-en-knowledge-sharing/16809939e4

      [11] Shih Recommandation CM/Rec (2010) 12 and explanatory memorandum ‘Judges: Independence, efficiency and responsabilities’ parag.64, fq.32 https://rm.coe.int/16807096c1

      1. Në Shqipëri, përpara miratimit të Ligjit për Statusin, sistemi i vlerësimit i gjyqtarëve dhe prokurorëve ishte rregulluar në mënyrë të copëzuar, i ndarë veç për secilën kategori. Brenda ndarjes së madhe, rregullimi ekzistonte në ligje të ndryshme dhe akte nënligjore sidomos për gjyqtarët.

       

      1. Në kuadrin e shfuqizuar ligjor, ligji nr.8737, datë 12.2.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë” në nenin 42 përmbante rregullime në lidhje me kriteret, mënyrën, nivelet dhe procedurat e vlerësimit profesional. Prokurori i Përgjithshëm në zbatim të dispozitës së sipërcituar kishte miratuar “Rregulloren për sistemin e vlerësimit të punës dhe të aftësive profesionale e morale të prokurorëve”[1]. Sipas nenit 44 të këtij akti: “Prokurori vlerësohet për respektimin e disiplinës në punë për përmbushje me besnikëri të disiplinës formale dhe të disiplinës së punës dhe angazhimeve profesionale, personale, morale dhe etike në ushtrimin e funksioneve në zbatim të Kushtetutës dhe ligjeve, duke ruajtur të pastër figurën e prokurorit”.

       

      1. Vendimi nr.261/2, datë 14.4.2010 i Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD), miratuar në zbatim të dispozitave të ligjit nr.8811, datë 17.5.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë” parashikonte se vlerësimi profesional dhe etik kryhet sipas kritereve: a) grupi i aftësive profesionale të përgjithshme, organizuese dhe zbatuese; b) grupi i aftësive profesionale juridike dhe teknike; c) grupi i kapacitetit njerëzor dhe angazhimit profesional. Neni 13 parashikonte në pikën “a” etikën e gjyqtarit gjatë dhe jashtë procesit gjyqësor si element matës. Sipas nenit 14 të po këtij vendimi, me këtë kriter vlerësohen aftësitë komunikuese të gjyqtarit gjatë seancave gjyqësore, si dhe mënyra e sjelljes së tij.

       

      1. Në dokumentin Analiza e Sistemit të Drejtësisë, miratuar nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë me vendimin nr.14, datë 30.7.2015, Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë, në lidhje me sistemin e vlerësimit të prokurorëve ka vërejtur se: “...Vlerësimi paraprak i punës së prokurorit kryhet nga drejtuesi i prokurorisë. Nuk ka një procedurë të standardizuar vlerësimi, të shoqëruar me kriteret specifike për matjen e aftësive, kompetencës dhe integritetit. Gjithashtu, nuk ofrohet mundësia për të ankimuar rezultatet e vlerësimit ose vendimin e emërimit”[2]. Bazuar në këto gjetje dhe duke marrë për bazë rekomandimet në opinionet nr.11 (2016) dhe nr. 13 (2018), të CCPE-së, Kuvendi adresoi mangësitë e evidentuara duke krijuar një sistem vlerësimi që përqafon standardet e vendosura nga ky Këshill dhe që forcon pavarësive (autonominë) e prokurorit. Në lidhje me sistemin e vlerësimit të gjyqtarëve, Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë ka parashtruar se: “... ligji nuk parashikon shprehimisht, qartë dhe mjaftueshëm çështjet që lidhen me kriteret, procedurat dhe kompetencat për vlerësimin profesional të gjyqtarëve. Me ndonjë përjashtim, këto çështje përgjithësisht janë trajtuar me akte nënligjore të nxjerra nga vetë KLD-ja, gjë që nuk kënaq standardin e parashikimit nga ligji të çështjeve që lidhen me statusin e gjyqtarit”[3].

       

       

      [1] Shih http://www.pp.gov.al/web/regullore_e_sist_vler_te_prokuroreve_758.pdf

      [2] Shih Analizën e Sistemit të Drejtësisë, qershor 2015, fq. 66.

      [3] Shih Analizën e Sistemit të Drejtësisë, qershor 2015, fq. 66.

      1. Shumë dokumente ndërkombëtare nënvizojnë se në çdo sistem kërkohet që prokurori të sillet në një “mënyrë gjyqësore” duke nënkuptuar se edhe aftësitë që duhet të tregojë një prokuror janë të ngjashme me ato të një gjyqtari[1]. Këshilli Europian i Këshillave Gjyqësorë (ENCJ) ka pranuar se termi “gjyqësor/i” në një kuptim më të gjerë nuk përfshin vetëm gjyqtarët, por edhe prokurorët[2]. Prandaj, kur përmendet pavarësia e gjyqësorit duhet të mbahet parasysh edhe pavarësia e prokurorit, pasi “misionet” e tyre plotësojnë njëra-tjetrën. Të dyja këto “misione” janë parakusht për një gjykim të drejtë dhe mungesa e njërit prej tyre cenon procesin e dhënies së një vendimi gjyqësor të drejtë[3].

       

      1. Një prej dokumenteve bazë ndërkombëtare të përdorura në hartimin e pjesës IV “Vlerësimi i Magjistratit” që citohet edhe në relacionin shpjegues është udhëzimi i miratuar nga Kongresi i 8 i Kombeve të Bashkuara, “Për rolin e prokurorëve në parandalimin e krimit dhe trajtimit të të akuzuarve” miratuar më 27 gusht 1990. Në këtë dokument listohen parimet që duhet të udhëheqin një prokuror në ushtrimin e detyrës. Në nivel ndërkombëtar dokumente të tjera që analizojnë aspekte të vlerësimit individual të prokurorit janë: Rekomandimi 19 (2000) i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës në lidhje me rolin e prokurorit në sistemin e drejtësisë penale; Standardet e përgjegjësisë profesionale dhe të detyrave kryesore si dhe të drejtave të prokurorëve të miratuara nga  Shoqata Ndërkombëtare e Prokurorëve (International Association of Prosecutors (IAP)); Deklarata Bordeaux e Këshillit Konsultativ Europian të Gjyqtarëve (CCJE) dhe e Këshillit Konsultativ Europian të Prokurorëve (CCPE) në lidhje me “Pozicionin e gjyqtarit dhe prokurorit në shoqërinë demokratike”; Udhëzimet Europiane për Etikën dhe Sjelljen e Prokurorit, Këshilli i Europës, Udhëzimet e Budapestit 2000; Opinioni 11 (2016) i Consultative Council of European Prosecutors (CCPE) për “Kualitetin dhe eficiencën e punës së prokurorit, duke përfshirë luftën kundër terrorizmit dhe krimit të rëndë dhe të organizuar”.

       

      1. Një prej dokumenteve bazë ndërkombëtare të përdorura në hartimin e pjesës IV “Vlerësimi i Magjistratit” që citohet edhe në relacionin shpjegues është Opinioni i CCJE-së nr. 11 (2014), Mbi Vlerësimin e Punës së Gjyqtarëve, Cilësinë e Drejtësisë, dhe Respektin për Pavarësinë e Gjyqësorit. Ky opinion parashtron mënyrën e organizimit të sistemeve të ndryshme të vlerësimit në shtete të BE-së si dhe përmban rekomandime në lidhje më sistemin e vlerësimit. Në nivel ndërkombëtar dokumente të tjera që analizojnë aspekte të vlerësimit individual të magjistratit janë: Rekomandimi i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës CM/Rec(2010)12 miratuar më 17.11.2010 për gjyqtarët: pavarësia, eficenca dhe përgjegjësitë për raportin e periudhës 2012-2013 të Rrjetit Europian të Këshillave për Gjyqësorin (ENCJ) mbi standardet minimale lidhur me vlerësimin e performancës profesionale dhe mos-heqjen nga detyra të anëtarëve të gjyqësorit (më poshtë raporti i ENCJ-së)[4]; Rekomandimet e Kievit të OSBE-së për pavarësinë e gjyqësorit në Europën Juglindore, Kaukazin Jugor dhe Azinë Qendrore (2010) – administrata gjyqësore, përzgjedhja dhe llogaridhënia (më poshtë Rekomandimet e Kievit).

       

      [1] Shih Raportin e Këshillit Europian të Këshillave Gjyqësorë (ENCJ) mbi Pavarësinë dhe Llogaridhënien e Prokurorëve (2014-2016), fq.2.

      [2] Shih ENJC Raporti Rome mbi Pavarësinë dhe Llogaridhënien e Gjyqësorit (2013/2014) fq.6; Blaja News sp. Z o.o. kundër Polonisë parag.60; Lesnik kundër Sllovakisë, parag.53.

      [3] Shih Raportin e Këshillit Europian të Këshillave Gjyqësorë (ENCJ) mbi Pavarësinë dhe Llogaridhënien e Prokurorëve (2014-2016) fq.2.

      [4] Shih  Raportin e periudhës 2012-2013 të Rrjetit Europian të Këshillave Gjyqësorë (ENCJ) për standardet minimale lidhur me vlerësimin e performancës profesionale dhe mos-heqjen nga detyra të anëtarëve të gjyqësorit, kreu 2, faqe 10.

  • - Udhëzimi i miratuar nga Kongresi i 8 i Kombeve të Bashkuara “Për rolin e prokurorëve në parandalimin e krimit dhe trajtimit të të akuzuarve” miratuar më 27 gusht 1990, (version në gjuhën angleze, https://www.ohchr.org/Documents/ProfessionalInterest/prosecutors.pdf, vizituar për herë të fundit më 27.12.2019).

    - Opinioni i Consultative Council of European Prosecutors (CCPE) nr.11 (2016) në lidhje me cilësinë dhe eficiencën e punës së prokurorit, duke përfshirë luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar (version në gjuhën angleze, https://rm.coe.int/16807474b9 vizituar për herë të fundit më 22.11.2019).

    - Standardet e përgjegjësisë profesionale dhe të detyrave kryesore, si dhe të drejtave të prokurorëve të miratuara nga Shoqata Ndërkombëtare e Prokurorëve (International Association of Prosecutors (IAP)), (version në gjuhën anglezë, https://www.iap-association.org/getattachment/Resources-Documentation/IAP-Standards-(1)/IAP_Standards_Oktober-2018_FINAL_20180210.pdf.aspx, vizituar për herë të fundit në datën 22.11.2019).

    - Deklarata Bordeaux e Këshillit Konsultativ Europian të Gjyqtarëve (CCJE) dhe e Këshillit Konsultativ Europian të Prokurorëve (CCPE) në lidhje me “Pozicionin e gjyqtarit dhe prokurorit në shoqërinë demokratike” (version në gjuhën angleze, https://www.csm.it/documents/46647/0/Bordeaux+declaration.pdf/78d90cc3-a712-4835-8467-78820d658967, vizituar për herë të fundit në datën 10.12.2019).

    - Recommandation CM/Rec (2010) 12 and explanatory memorandum ‘Judges: Independence, efficiency and responsabilities’ (version në gjuhën angleze,  https://rm.coe.int/16807096c1, vizituar për herë të fundit në datën 10.7.2020).

    - Raport i CEPEJ 2019 (15) ‘Breaking up judges’ isolation Guidelines to improve the judge's skills and competences, strengthen knoëledge sharing and collaboration, and move beyond a culture of judicial isolation’, (version në gjuhën angleze, https://rm.coe.int/cepej-2019-15-en-knoëledge-sharing/16809939e4, vizituar për herë të fundit në datën 10.7.2020).

     

  • - Analizë e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë dhe miratuar nga Komisioni i Posaçëm për Reformën në Drejtësi me vendimin nr.14, datë 30.7.2015.

    - Relacioni për projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

  • Kushtetuta:

    - Neni 18

    1. Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit.
    2. Askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht për shkaqe të tilla si gjinia, raca, feja, etnia, gjuha, bindjet politike, fetare a filozofike, gjendja ekonomike, arsimore, sociale ose përkatësia prindërore.
    3. Askush nuk mund të diskriminohet për shkaqet e përmendura në paragrafin 2, nëse nuk ekziston një përligjje e arsyeshme dhe objektive.

    - Neni 147/a: KLGJ ushtron funksionet e mëposhtme: a) emëron, vlerëson, ngre në detyrë dhe transferon gjyqtarët e të gjitha niveleve....

    - Neni 149/a: KLP ushtron funksionet e mëposhtme: a) emëron, vlerëson, ngre në detyrë dhe transferon prokurorët e të gjitha niveleve....

     

    Ligji:

    - Neni 29 i Kodit të Procedurës Civile.

    - Nenit 152 i Kodit të Procedurës Penale.

    - Neni 97, pika 3 i Ligjit për Qeverisjen e Sistemit të Drejtësisë.

     

     

     

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • - Blacks Law Dictionary with Pronunciations, Sixth Edition, Centennial Edition (1891-1991).

    - ‘Asking the right questions’ Philip Brown https://www.judiciary.uk/wp-content/uploads/2016/01/broën_communication-vol9-issue2-2002..pdf

     

  • A.Ligje

    - Neni 2 i ligjit nr.8811, datë 17.5.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”.
    - Neni 42 i ligjit nr.8737, datë 12.2.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”.

    B.Akte nënligjore

    - Vendimi nr.261/2, datë 14.4.2010 i KLD-së, “Për sistemin e vlerësimit të gjyqtarëve”.
    - Rregullore “Për sistemin e vlerësimit të punës dhe të aftësive profesionale e morale të prokurorëve”, miratuar me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm.

Aulona Hazbiu
Aulona Hazbiu