"PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË "   |   96/2016

Neni 84: Periudha e vlerësimit

1Magjistrati vlerësohet një herë në tre vjet, gjatë pesëmbëdhjetë viteve të para të përvojës profesionale, përfshirë edhe përvojën profesionale si ndihmësmagjistrat ose magjistrat i komanduar.

2Magjistrati vlerësohet një herë në pesë vjet, pas 15 viteve të para të përvojës profesionale si magjistrat.

3Kryetari vlerësohet të paktën një herë gjatë kohëzgjatjes së mandatit si kryetar. Në çdo rast, veprimtaria e kryetarit vlerësohet nga Këshilli të paktën gjashtë muaj para përfundimit të këtij mandati.

4Magjistrati, i cili ushtron funksionin si anëtar i një Këshilli, nuk vlerësohet sipas parashikimeve të këtij ligji. Këshilli miraton rregulla të detajuara për vlerësimin e veprimtarisë gjatë funksionit në Këshill. Në rast të paraqitjes së kërkesës për transferim dhe ngritje në detyrë tre vjet pas këtij funksioni, Këshilli merr në konsideratë veprimtarinë e magjistratit gjatë funksionit si anëtar i Këshillit.

Përmbajtja

      1. Neni 84 është i vetmi nen i seksionit “Dispozita të përgjithshme” të kreut III“Procedurat e vlerësimit”. Ky nen synon garantimin e një sistemi vlerësimi etik dhe profesional për magjistratin dhe kryetarin. Në këtë mënyrë vlerësimi për periudhat e përcaktuara në këtë nen, do të forcojë profesionalizimin e tyre dhe do të vendosë standarde të qëndrueshme për cilësinë dhe sasinë e veprimtarisë së magjistratëve[1].

       

       

      [1]Për më shumë rreth qëllimit të vlerësimit të magjistratëve, shih nenin 68 të këtij ligji.

      1. Ky nen përcakton periudhate vlerësimit për magjistratin dhe kryetarin. Neni përmban 4 paragrafë të cilët mbulojnë kategori të ndryshme të subjekteve të vlerësimit dhe përmban elemente që ndikojnë në përcaktimin e periudhave të vlerësimit. Konkretisht në paragrafët 1 dhe 2 vjetërsia në punë e magjistratit përcakton periudhën rrjedhimisht frekuencën e vlerësimit. Më tej, përcaktohet periudha e vlerësimit për kryetarët, që vlerësohen nga Këshilli gjatë kohëzgjatjes së mandatit të tyre. Në fund, neni parashikon edhe përjashtim nga vlerësimi sipas parashikimeve të këtij ligji, për ata magjistratë që ushtrojnë funksione si anëtar i një Këshilli.

       

      1. Periudhat e vlerësimit të përshkruara në këtë nen, përcaktojnë hapësirën kohore nga kryerja e një vlerësimi deri në kryerjen e njëvlerësimi tjetër pasues. Periudha e vlerësimit konceptohet në dy këndvështrime: së pari, nga këndvështrimi i subjekteve të vlerësimit: magjistratë dhe kryetarë, e së dyti nga këndvështrimi profesional: përvoja profesionale e magjistratëve. Për rrjedhojë, subjektet e vlerësimit sipas paragrafit 1, 2 dhe 3 të këtij neni janë: magjistratë, përfshirë ndihmës magjistratë ose magjistratë të komanduar dhe kryetarët.Ndërsa bazuar në përvojën profesionale, magjistrati vlerësohet një herë në tre vjet gjatë pesëmbëdhjetë viteve të para të përvojës profesionale dhe një herë në pesë vjet, pas pesëmbëdhjetë viteve të para të përvojës profesionale. Kryetarët vlerësohen të paktën një herë gjatë kohëzgjatjes së mandatit të tyre.

       

      1. Për më shumë, periudha e vlerësimit përveçse përcakton frekuencën kohore se kur kryhet një vlerësim, nënkupton dhe periudhat për të cilat vlerësohet magjistrati. Sipas dispozitave të Seksionit II“Fillimi i Procedurës së Vlerësimit”dhe Seksioni III“Ecuria e procesit të vlerësimit” kuptojmë se magjistratët marrin vlerësim etik dhe profesional për veprimtarinë e kryer respektivisht gjatë tre ose pesë viteve. Përkatësisht për secilën periudhë vlerësimi, përgatitet dosja e vlerësimit (shih Seksionin III“Ecuria e Procesit të Vlerësimit”) që Këshillat marrin në shqyrtim.

       

      1. Neni 84 përfshin të gjithë magjistratët.Duke iu referuar nenit 2, pika “gj” të këtij ligji, “magjistrat”është gjyqtari, me përjashtim të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, prokurori dhe kryetarët. Me këtë përkufizim kuptojmë se neni 84 u referohet gjyqtarëve të Gjykatave të Rretheve, të Apelit dhe të Gjykatës së Lartë, të cilët do të jenë pjesë e vlerësimit etik dhe profesional që do të kryhet nga Këshillat. Po ashtu, sipas përkufizimit të lartpërmendur, ky nen gjen zbatim edhe për prokurorët.

       

      5a. Po ashtu, neni 84 i referohet dhe vlerësimit të përvojës profesionale si “ndihmësmagjistrat” ose “magjistrat i komanduar”. Sipas nenit 2, pika “h” të këtij ligji, “ndihmësmagjistrat” është gjyqtari i komanduar për të ndihmuar gjyqtarët në Gjykatën e Lartë ose në Gjykatën Kushtetuese, si dhe prokurori i komanduar për të ndihmuar Prokurorin e Përgjithshëm, në trajtimin e çështjeve. Për këtë qëllim, veprimtaria e tyre përfshin, në veçanti, kryerjen e kërkimit ligjor dhe përgatitjen e opinioneve me shkrim për çështje ligjore materiale ose procedurale.

       

      1. Në nenin 84 gjendet një rregullim në lidhje me vlerësimin e kryetarit. Ndërsa me“kryetar” (referuar në paragrafin 3 të këtij neni), referuar nenit 70 të këtij ligji ku do të kuptojmë se subjektet e vlerësimit përveç magjistratëve të përmendur më lart janë edhe kryetarët e gjykatave dhe prokurorive, të cilët vlerësohen gjithashtu edhe për veprimtarinë e tyre si kryetar gjykate apo prokurorie. Neni 84, pika “3” përcakton se kryetarët e gjykatave dhe prokurorivevlerësohen të paktën një herë gjatë kohëzgjatjes së mandatit të tyre. Për më tepër, neni 84, pika “3” parashikon se Këshillat vlerësojnë veprimtarinë e kryetarit të paktën gjashtë muaj para përfundimit të mandatit. Ky afat i vendosur nga ligjvënësi synon të harmonizojë afatet kohore të vlerësimit me procedurat e vlerësimit (shih Seksioni II- Fillimi i Procedurës së Vlerësimit) në mënyrë që ecuria e procesit të vlerësimit të jetë nëpërputhje me parimet e vlerësimit (shih nenin 69) dhe të ndjekë një proces të rregullt ligjor.

       

      1. Përjashtim nga vlerësimi sipas parashikimeve të këtij ligji, përbëjnëmagjistratët që ushtrojnë funksionin si anëtar i një Këshilli. Gjatë kohës që magjistrati ështëanëtar i njërit prej Këshillave, ai vlerësohet sipas rregullave të detajuara tëmiratuara nga vetë Këshillat. Sipas Ligjit për Statusin, magjistrati qëështë anëtar i Këshillit përjashtohet nga konkurrimi në procedurën e lëvizjes paralele dhe ngritjes në detyrë, gjatë kohës së ushtrimit të funksionit. Për rrjedhojë, qëllimi i vlerësimit të magjistratit (shih nenin 68) nuk gjen zbatim në një rast të tillë. Magjistrati mund të paraqesë kërkesë për rritje në detyrë apo transferim vetëm tre vjet pas përfundimit të funksionit të tij/saj si anëtar i Këshillit. Në rast paraqitje të një kërkese të tillë, Këshilli merr në konsideratëveprimtarinë e magjistratit si anëtar Këshilli. Ndërkohë, sipas përcaktimeve të këtij neni, vlerësimi i veprimtarisë si anëtar Këshilli bëhet nga vetë Këshillat në përputhje me rregullat që kanë miratuar më herët.
      1. Përpara miratimit të Ligjit për Statusin, ekzistonte një tërësi ligjesh që rregullonte vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
      2. Periudha e vlerësimit për gjyqtarët përcaktohej nëligjin nr. 9877, datë 18.2.2008,“Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” (i shfuqizuar). Në nenin 13 të këtij ligji përcaktohej se “Këshilli i Lartë i Drejtësisë, të paktën një herë në tre vjet, bën vlerësimin e aftësive profesionale të gjyqtarit...”. Subjekte vlerësimi sipas këtij ligji ishin vetëm gjyqtarët e shkallës së parë dhe të apelit.

      Akte nënligjore të KLD-së për vlerësimin...

      1. Periudha e vlerësimit për prokurorët përcaktohej nëligjinnr. 8737, datë 12.2.2001,“Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”(i shfuqizuar). Në nenin 42, pika “3” të këtij ligji përcaktohej se:“Për vlerësimin e punës së prokurorit, Drejtoria e Inspektimit dhe Burimeve Njerëzore kryen inspektimin e planifikuar, jo më pak se një herë në tre vjet”. Për më shumë në këtë nen qartësohet se vlerësimi i punës së prokurorit bëhet paraprakisht nga drejtuesi i prokurorisë, gjë që shërben për vlerësimin final të bërë nga Prokurori i Përgjithshëm.

         11.Ligji për Statusin solli rregullim uniform për vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve tëtë gjitha shkallëve të gjykimit (duke përshirë dhe gjyqtarët e Gjykatës së Lartë). Si dhe duke vendosur kriterin e përvojës profesionale, përcaktoi edhe periudhën kohore të vlerësimit një herë në pesë vjet për magjistratë me mbi 15 vjet përvojë pune.

       

       

      1. Për hartimin e Ligjit për Statusin, dhe konkretisht për dispozitat mbi vlerësimin e magjistratëve, ligjvënësi ka pasur parasysh Opinionin Konsultativ të Këshillit të Gjyqtarëve EuropianëCCJE nr. 17 (2014), Mbi Vlerësimin e Punës së Gjyqtarëve, Cilësinë e Drejtësisë dhe Respektin për Pavarësinë e Gjyqësorit. Po ashtu janë marrë në konsideratë edhe Parimet Bazë të Kombeve të Bashkuara për Pavarësinë e Gjyqësorit (1985)[1].

       

       

      [1]Shihopinionin nr. 1(2001), parag. 17 dhe 29 të CCJE-së; Parimet Bazë të Kombeve të Bashkuara për Pavarësinë e Gjyqësorit (1985), parag. 13.

  • A.Raporte, opinione, rekomandime dhe deklarata

    - Opinioni i CCJE-së nr. 17 (2014), Mbi Vlerësimin e Punës së Gjyqtarëve, Cilësinë e Drejtësisë, dhe Respektin për Pavarësinë e Gjyqësorit (version në gjuhën angleze https://rm.coe.int/16807481ea,vizituar për herë të fundit në datën 23.8.2019).
    - Rekomandimi CM/Rec(2010)12 i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës për gjyqtarët (version në gjuhën anglezehttps://search.coe.int/cm/Pages/result_details.aspx?ObjectId=09000016805afb78, vizituar për herë të fundit në datën 23.8.2019).
    - Rekomandimet e Kievit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) për pavarësinë e gjyqësorit në Europën Juglindore, Kaukazin Jugor dhe Azinë Qendrore (2010) (version në gjuhën angleze https://www.osce.org/odihr/KyivRec?download=true, vizituar për herë të fundit në datën 23.8.2019).
    - Raport i Rrjetit Europian të Gjyqësorit për 2014-2016 (version në gjuhën angleze https://www.encj.eu/images/stories/pdf/workinggroups/independence/encj_report_independence_accountability_prosecution_2014_2016.pdf, vizituar për herë të fundit në datën 23.8.2019).

     

  • - Relacioni për projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

                                     

  • Ligji:

    - Ligji nr. 96/2016,“Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”.

     

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • A. Ligje

    - Ligji nr. 8811, datë 17.5.2001,“Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”.
    - Ligji nr. 9877, datë 18.2.2008,“Për organizimin e pushtetit gjyqësor”.
    - Ligji nr. 8737, datë 12.2.2001,“Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”.

    B. Akte nënligjore

    - Vendimi nr.261/2, datë 14.4.2010 “Për sistemin e vlerësimit të gjyqtarëve”i KLD-së.

     

Edlira Osmani
Edlira Osmani