"PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË "   |   96/2016

Neni 83: Nivelet e vlerësimit

1Vlerësimi i veprimtarisë të kryetarit kryhet sipas këtyre niveleve:

a“Shumë mirë”, në rastin e veprimtarisë drejtuese me cilësi mbi mesataren;

b“Mirë”, në rastin e veprimtarisë drejtuese me cilësi mesatare;

c“Mjaftueshëm”, në rastin e veprimtarisë drejtuese nën mesatare.

2Vlerësimi i përgjithshëm “shumë mirë” jepet nëse veprimtaria drejtuese e kryetarit vlerësohet “shumë mirë” në të dyja kriteret. Vlerësimi i përgjithshëm “mjaftueshëm” jepet nëse veprimtaria drejtuese e kryetarit vlerësohet “mjaftueshëm”, të paktën në një prej kritereve. Në rastet e tjera, veprimtaria drejtuese e kryetarit vlerësohet “mirë”.

Përmbajtja

      1. Neni 83 nëpërmjet shtjellimit të detajuar të niveleve të vlerësimit profesional synon të përcaktojë qartë llojet e niveleve të vlerësimit si dhe mënyrën se si llogaritet dhe përftohet vlerësimi (“pikët”) i përgjithshëm që i jepet kryetarit në përfundim të procesit të vlerësimit. Renditja e niveleve të ndryshme dhe sqarimi i mënyrës së llogaritjes së vlerësimit e bën procesin e vlerësimit më të parashikueshëm, transparent dhe objektiv se sistemi i mëparshëm jo vetëm për palët e përfshira në këtë proces, por edhe për aktorë të jashtëm.
      2. Parashikimet ligjore për renditjen e niveleve të vlerësimit dhe mënyrës së llogaritjes (peshimit) së tyre kanë vlerë të shumëfishtë. Së pari, i vlen kryetarit pasi për herë të parë në ligj (dhe jo në akt nënligjor), nivelet e vlerësimit janë të mirëpërcaktuara, të qarta dhe të unifikuara për të gjithë kryetarët e gjykatave/prokurorive në sistem. Përcaktimi i niveleve të vlerësimit përbën garanci dhe siguri ç’ka i jep procesit të vlerësimit më shumë besueshmëri. Në të njëjtën kohë, ligjvënësi synon t’i vendosë organit vlerësues kufijtë ligjorë të niveleve të vlerësimit dhe mënyrës së llogaritjes së tyre. Vendosja e këtyre kufijve është e rëndësishme për të garantuar respektimin e parimit të pavarësisë së magjistratit (neni 69, shkronja “a”) të Ligjit për Statusin). Seti i niveleve të vlerësimit parashikuar në ligj, rrit besueshmërinë dhe transparencën për sistemin e vlerësimit të titullarëve të gjykatës/prokurorisë në tërësi.
      1. Nga pikëpamja sistematike, neni 83 është neni i fundit i grupit të neneve të seksionit II “Vlerësimi i Veprimtarisë së Kryetarit” në kreun II “Kriteret, burimet dhe nivelet e vlerësimit”. Dispozita ka për objekt të evidentojë nivelet që mund të vlerësohet kryetari si dhe peshën e çdo kriteri vlerësimi në llogaritjen përfundimtare.
      2. Neni përmban 2 pika. Në pikën e parë prezantohen nivelet e vlerësimit. Në pikën e dytë sqarohen kushtet që duhet të përmbushen për të dhënë një nivel të caktuar vlerësimi. Specifikisht, kushtet kur jepet vlerësimi “shumë mirë”, “mirë” dhe “i mjaftueshëm”. Nga mënyra si është strukturuar, dispozita parashikon një ndarje të qartë për çdo nivel dhe dhënia e një vlerësimi, nëse nuk përmbushen kushtet e parashikuara për atë nivel atëherë vlerësimi, nuk është i mundur.
      1. Komente mbi pikën 1 të nenit 83. Ligjvënësi ka përcaktuar tri nivele të mundshme për vlerësimin e kryetarëve[1]. Këto nivele variojnë nga më i larti i mundshëm që është “shumë mirë” deri te më i ulëti i mundshëm që është “mjaftueshëm”. Midis këtyre dy “ekstremeve” të vlerësimit ekzistojnë një nivel i mesatar (“mirë”). Kështu niveli “shumë mirë” jepet në rast se veprimtaria drejtuese rezulton me cilësi mbi mesataren. Më tej, niveli “mirë”, jepet në rastin e veprimtarisë drejtuese me cilësi mesatare; ndërsa niveli “mjaftueshëm” jepet për veprimtari drejtuese nën mesataren. Në tërësi duket sikur kjo ndarje e niveleve reflekton në masën e përshtatshme cilësitë që mund të tregojë një kryetar gjatë periudhës së vlerësimit. Këshilli, që përkatësisht sipas nenit 147/a dhe 149/a të Kushtetutës është organi vlerësues/“vlerësuesi”, duhet të konsiderojë dhe vlerësojë të gjitha burimet e marra së bashku, rast pas rasti, duke pasur parasysh elementet e përmendura më sipër. KLGJ-ja edhe pse ka miratuar një sërë aktesh që lidhen me vlerësimin profesional të magjistratit gjyqtar, ende nuk ka miratuar aktin për vlerësimin dhe metodologjinë e pikëzimit të nivelit të vlerësimit për kryetarin e gjykatës. KLP-ja ende nuk ka miratuar akte të ngjashme. Metodologjia është një akt që shërben për të parashikuar ndarjen e pikëve sipas rëndësisë së çdo treguesi (indikatori) vlerësimi në mënyrë që të shmangen përfundimet që nuk janë përgjegjësi e kryetarit.
      2. Komente mbi pikën 2 të nenit 83. Sipas parashikimeve ligjore vlerësimi i përgjithshëm, më i larti i mundshëm, “shumë mirë”, jepet në ato raste kur kryetari ka treguar cilësitë mbi mesataren në lidhje me veprimtaritë drejtuese në të dyja kriteret e parashikuara në nenin 79 të Ligjit për Statusin; pra, aftësitë drejtuese dhe organizative si dhe aftësitë e komunikimit. Në të gjitha rastet e tjera kur vlerësimi për të dy kriteret nuk do të jetë “shumë mirë”, atëherë vlerësuesi nuk mund të vendosë këtë notë. Vlerësimi “shumë mirë” duke qenë forma më e lartë e vlerësimit, është në teori synimi i natyrshëm i çdo kryetari. Kryetari që merr këtë vlerësim duhet ta meritojë atë, pasi përfaqëson nivelin më të lartë etiko-profesional (“ajkën” e kryetarëve) në sistem (neni 69 i Ligjit për Statusin përmend meritokracinë si një nga parimet e sistemit të vlerësimit). Sfida e organit vlerësues në këtë rast qëndron se sa objektiv, i paanshëm dhe i besueshëm do të jetë në vlerësim, për të përdorur këtë instrument sipas qëllimit të ligjit. Precedentët që do të krijohen nga vlerësimi janë të rëndësishëm. Në mënyrën se si është dizenjuar sistemi i vlerësimit profesional, niveli i vlerësimit të dhënë ka një ndikim shumë të madh në karrierën e magjistratit. Në këtë sistem, funksioni i kryetarit konsiderohet si pozicion për ngritje në detyrë. Sipas parashikimeve të nenit 47 të Ligjit për Statusin, ngritja në detyrë është forma më e lartë dhe më pozitive në zhvillimin e karrierës[2]. Më tej, neni 51, pika 1 e Ligjit për Statusin parashikon se mandati i kryetarit të gjykatave dhe prokurorive të tjera, me përjashtim të Prokurorit të Përgjithshëm, është tre vjet, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë. Prandaj, një kryetar që dëshiron të rizgjidhet në këtë funksion duhet të arrijë nivelin “shumë mirë” si niveli më i lartë i mundshëm i vlerësimit (neni 53, pika 4 e Ligjit për Statusin[3]). Pavarësisht dëshirës dhe vullnetit personal të kryetarit për të rikandiduar, vlerësimi maksimal i përgjithshëm është një arritje në karrierën e tij profesionale të mëtejshme edhe brenda organeve të sistemit të drejtësisë (për shembull nëse do të kandidojë për ngritje në detyrë brenda sistemit gjyqësor, apo si anëtar i Gjykatës Kushtetuese, apo Inspektor i Lartë i Drejtësisë etj.). Vlerësimi i përgjithshëm “mjaftueshëm” jepet në rast se veprimtaria drejtuese e kryetarit vlerësohet “mjaftueshëm”, të paktën në një prej kritereve të parashikuara në nenin 79 të Ligjit për Statusin. Në këtë rast, ligjvënësi ka gjykuar se vlerësimi “mjaftueshëm” për një nga dy kriteret e mësipërme është thelbësor në vlerësimin e përgjithshëm. Për sa më sipër, duket sikur dispozita nuk e përjashton mundësinë që kryetari me cilësi të mjaftueshme për aftësitë drejtuese dhe organizative, mund të ketë cilësi “të mira” apo “shumë të mira” komunikimi dhe anasjellas, duke u vlerësuar përkatësisht kështu për ato aftësi. Fjalia e fundit e pikës 2 të nenit 83 parashikon se në rastet e tjera, veprimtaria drejtuese e kryetarit vlerësohet “mirë”. Për sa më sipër rezulton se ky nivel vlerësimi mund të jepet në dy raste: (I) kur kryetari vlerësohet “shumë mirë” për njërin kriter dhe “mirë” për kriterin tjetër; apo (II) kur kryetari vlerësohet “mirë” për të dyja kriteret. Ky vlerësim nënkupton performancë të përgjithshme në nivel mesatar. Ky nivel vlerësimi konfirmon që kryetari ka bërë një punë të mirë në tërësi, por pa u dalluar veçanërisht në kryerjen e detyrave. Në rastet kur një kryetar vlerësohet me këtë nivel, por ka dëshirën të rizgjidhet në këtë funksion (neni 51, pika 1 i Ligjit për Statusin), pozita e tij/saj pas këtij vlerësimi duket jo shumë solide në rastin kur ka kandidatë të tjerë nga brenda gjykatës që aspirojnë këtë pozicion dhe pretendojnë se mund ta bëjnë “shumë mirë” atë detyrë. Kjo pozitë dobësohet edhe më shumë në rastet e vlerësimit “mjaftueshëm”. Në rast se kryetari nuk është i bindur se meriton këtë nivel vlerësimi, nga leximi i parashikimeve të ligjit (neni 95, 96 të Ligjit për Statusin) rezulton që ai/ajo nuk ka të drejtë ta kundërshtojë atë në gjykatë. Neni 95, pika 7 e Ligjit për Statusin parashikon shprehimisht të drejtën e magjistratit për të ankimuar vendimin e vlerësimit të KLGJ-së, vetëm kur vlerësohet më ulët se sa “mirë” (pra “i pamjaftueshëm”) dhe për shkaqe ligjore të lidhura me zbatimin jo të njëjtë të ligjit. Arsyeja për këtë kufizim të së drejtës së ankimit lidhet me nivelin e cenueshmërisë së statusit të magjistratit në rast se ai vlerësohet “i pamjaftueshëm”[4]. Sipas neneve 22, pika 1, shkronja “ç” dhe 95, pika 5 të Ligjit për Statusin magjistratit në këtë rast i ulet paga me dy për qind gjatë dy viteve kalendarike pas vlerësimit. Kjo ulje përbën një ndikim financiar të ndjeshëm në jetën e magjistratit.

       

       

      [1] Shih nenin 78 të Ligjit për Statusin, i cili parashikon 5 nivele vlerësimi për aftësitë e magjistratëve. Notat që mund të vendosen nga vlerësuesi, Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) ose Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) nuk janë të njëjta me ato që i jepen magjistratit.

      [2] Shih komentet në nenin 47 të Ligjit për Statusin.

      [3] Shih nenin 52, pika 4: Kryetari riemërohet për një mandat tjetër vetëm nëse kalon me sukses verifikimin, sipas parashikimeve të pikave 2 deri në 7, të nenit 32, të këtij ligji, dhe nëse vlerësimi për veprimtarinë si kryetar dhe magjistrat, është të paktën “shumë mirë”.

      [4] Shih nenin 138, pika “c” të Kushtetutës, i cili parashikon se paga dhe përfitimet e tjera të gjyqtarit nuk mund të ulen, përveç rasteve kur: ...c) i jepet masë disiplinore ose vlerësohet i pamjaftueshëm profesionalisht sipas ligjit.

      1. Në Shqipëri, përpara miratimit të Ligjit për Statusin, sistemi i vlerësimit të gjyqtarëve, prokurorëve dhe kryetarëve të gjykatës/zyrës së prokurorisë ishte rregulluar në mënyrë të copëzuar, i ndarë veç për secilën kategori. Kryetari i Gjykatës së Lartë dhe Prokurori i Përgjithshëm nuk ishin pjesë e skemës së vlerësimit profesional. Ligji i Statusit prezantoi për herë të parë rregullimin uniform duke përcaktuar të njëjtat kritere vlerësimi pa asnjë dallim për të dyja kategoritë e kryetarëve: si të gjykatës ashtu edhe të prokurorisë të të gjitha niveleve.
      2. Vendimi nr. 261/2 i Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD) në nenin 18 parashikonte se kryetari i gjykatës së shkallës së parë dhe kryetari i gjykatës së apelit, do të vlerësohen për veprimtarinë e tyre gjyqësore në përputhje me grupet e kritereve që zbatoheshin edhe për gjyqtarët e zakonshëm. Veprimtaritë e tjera (drejtuese, organizative etj.) nuk ishin pjesë e kritereve të vlerësimit.
      3. Për sa i takon rregullimit për titullarët e zyrave të prokurorisë, ligji nr.8737, datë 12.2.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë” nuk përmbante rregullime në lidhje me vlerësimin e veprimtarisë së tyre si titullar.
      4. Në dokumentin Analiza e Sistemit të Drejtësisë, miratuar nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë me vendimin nr.14, datë 30.7.2015, Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë, në lidhje me sistemin e vlerësimit të prokurorëve ka vërejtur se: “...Vlerësimi paraprak i punës së prokurorit kryhet nga drejtuesi i prokurorisë. Nuk ka një procedurë të standardizuar vlerësimi, të shoqëruar me kriteret specifike për matjen e aftësive, kompetencës dhe integritetit. Gjithashtu, nuk ofrohet mundësia për të ankimuar rezultatet e vlerësimit ose vendimin e emërimit”[1]. Bazuar në këto gjetje dhe duke marrë për bazë rekomandimet në opinionet nr.11 (2016) dhe nr. 13 (2018), të CCPE-së, Kuvendi adresoi mangësitë e evidentuara duke krijuar një sistem vlerësimi që përqafon standardet e vendosura nga ky Këshill dhe që forcon pavarësive (autonominë) e prokurorit. Në lidhje me sistemin e vlerësimit të gjyqtarëve, Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë ka parashtruar se: “... ligji nuk parashikon shprehimisht, qartë dhe mjaftueshëm çështjet që lidhen me kriteret, procedurat dhe kompetencat për vlerësimin profesional të gjyqtarëve. Me ndonjë përjashtim, këto çështje përgjithësisht janë trajtuar me akte nënligjore të nxjerra nga vetë KLD-ja, gjë që nuk kënaq standardin e parashikimit nga ligji të çështjeve që lidhen me statusin e gjyqtarit”[2].

       

       

      [1] Shih Analizën e Sistemit të Drejtësisë, qershor 2015, fq. 66.

      [2] Shih Analizën e Sistemit të Drejtësisë, qershor 2015, fq. 66.

    • 11. Mënyra e vlerësimit të kritereve të vlerësimit profesional varion shumë edhe vetë brenda shteteve të Bashkimit Europian (BE-së). Shumica e shteteve anëtare kanë një sistem formal me nivele vlerësimi të ngjashëm me sistemin shqiptar të vlerësimit. Jo të gjitha shtetet e BE-së kanë parashikime për vlerësimin profesional të kryetarit .

      12. Një prej dokumenteve bazë ndërkombëtare të përdorura në hartimin e pjesës IV “Vlerësimi i Magjistratit” që citohet edhe në relacionin shpjegues të Kuvendit është Opinioni i CCJE-së nr. 17 (2014), Mbi Vlerësimin e Punës së Gjyqtarëve, Cilësinë e Drejtësisë dhe Respektin për Pavarësinë e Gjyqësorit. Ky opinion parashtron mënyrën e organizimit të sistemeve të ndryshme të vlerësimit në shtete të BE-së si dhe përmban rekomandime në lidhje me sistemin e vlerësimit. Një tjetër dokument që ka shërbyer në hartimin e ligjit është Opinioni 17 (2014), rekomandimi 9 i Këshilli Konsultativ Europian i Gjyqtarëve (CCJE) “Mbi rolin e kryetarëve të gjykatave”.

      Shumë dokumente ndërkombëtare nënvizojnë se në çdo sistem kërkohet që prokurori të sillet në një “mënyrë gjyqësore” duke nënkuptuar se edhe aftësitë që duhet të tregojë një prokuror janë të ngjashme me ato të një gjyqtari . Këshilli Europian i Këshillave Gjyqësorë (ENCJ) ka pranuar se termi “gjyqësor/i” në një kuptim më të gjerë nuk përfshin vetëm gjyqtarët, por edhe prokurorët . Prandaj, kur përmendet pavarësia e gjyqësorit duhet të mbahet parasysh edhe pavarësia e prokurorit, pasi “misionet” e tyre plotësojnë njëra-tjetrën. Të dyja këto “misione” janë parakusht për një gjykim të drejtë dhe mungesa e njërit prej tyre cenon procesin e dhënies së një vendimi gjyqësor të drejtë .

      13. Një prej dokumenteve bazë ndërkombëtare të përdorura në hartimin e pjesës IV “Vlerësimi i Magjistratit” që citohet edhe në relacionin shpjegues është Udhëzimi i miratuar nga Kongresi i 8 i Kombeve të Bashkuara “Për rolin e prokurorëve në parandalimin e krimit dhe trajtimit të të akuzuarve” miratuar më 27 gusht 1990. Në këtë dokument listohen parimet që duhet të udhëheqin një prokuror në ushtrimin e detyrës.

      Në nivel ndërkombëtar dokumente të tjera që analizojnë aspekte të vlerësimit individual të prokurorit janë: Rekomandim 19 (2000) i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës në lidhje me rolin e prokurorit në sistemin e drejtësisë penale; Standardet e përgjegjësisë profesionale dhe të detyrave kryesore si dhe të drejtave të prokurorëve, të miratuara nga Shoqata Ndërkombëtare e Prokurorëve (International Association of Prosecutors (IAP)); Deklarata Bordeaux e Këshillit Konsultativ Europian të Gjyqtarëve (CCJE) dhe e Këshillit Konsultativ Europian të Prokurorëve (CCPE) në lidhje me “Pozicionin e gjyqtarit dhe prokurorit në shoqërinë demokratike”; Udhëzimet Europiane për Etikën dhe Sjelljen e Prokurorit, Këshilli i Europës, Udhëzimet e Budapestit 2000; Opinionin 11 (2016) të Consultative Council of European Prosecutors (CCPE) për “Kualitetin dhe eficiencën e punës së prokurorit, duke përfshirë luftën kundër terrorizmit dhe krimit të rëndë dhe të organizuar”.

  • - Udhëzimi i miratuar nga Kongresi i 8 i Kombeve të Bashkuara “Për rolin e prokurorëve në parandalimin e krimit dhe trajtimit të të akuzuarve” miratuar më 27 gusht 1990, (version në gjuhën angleze, https://www.ohchr.org/Documents/ProfessionalInterest/prosecutors.pdf, vizituar për herë të fundit më 27.12.2019).

    - Opinioni i Consultative Council of European Prosecutors (CCPE) nr.11 (2016) në lidhje me cilësinë dhe eficiencën e punës së prokurorit, duke përfshirë luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar (version në gjuhën angleze, https://rm.coe.int/16807474b9 vizituar për herë të fundit më 22.11.2019).

    - Standardet e përgjegjësisë profesionale dhe të detyrave kryesore si dhe të drejtave të prokurorëve, të miratuara nga Shoqata Ndërkombëtare e Prokurorëve (International Association of Prosecutors (IAP)), (version në gjuhën anglezë, https://www.iap-association.org/getattachment/Resources-Documentation/IAP-Standards-(1)/IAP_Standards_Oktober-2018_FINAL_20180210.pdf.aspx, vizituar për herë të fundit në datën 22.11.2019).

    - Deklarata Bordeaux e Këshillit Konsultativ Europian të Gjyqtarëve (CCJE) dhe e Këshillit Konsultativ Europian të Prokurorëve (CCPE) në lidhje me “Pozicionin e gjyqtarit dhe prokurorit në shoqërinë demokratike” (version në gjuhën angleze, https://www .csm.it/documents/46647/0/Bordeaux+declaration.pdf/78d90cc3-a712-4835-8467-78820d658967, vizituar për herë të fundit në datën 10.12.2019).

    - Raporti i Rrjetit Europian i Këshillave Gjyqësorë (ENCJ) 2012-2013 “Mbi standardet minimale të vlerësimit të performancës profesionale dhe palëvizshmërinë e anëtarëve të gjyqësorit” (version në gjuhën angleze, https://www.encj.eu/images/stories/pdf/ë orkinggroups/final_report_encj_project_minimum_standards_iii_corrected_july_2014.pdf, vizituar për herë të fundit në datën 10.8.2020).

    - Opinioni 17 (2014), rekomandimi 9 i Këshilli Konsultativ Europian i Gjyqtarëve (CCJE) “Mbi rolin e kryetarëve të gjykatave”, (version në gjuhën angleze, https://rm.coe.int/1680748232 vizituar për herë të fundit në datën 10.1.2021).

  • - Analizë e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë dhe miratuar nga Komisioni i Posaçëm për Reformën në Drejtësi me vendimin nr.14, datë 30.7.2015.

    - Relacioni për projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

     

     

  • Kushtetuta:

    - Neni 138/c: Paga dhe përfitimet e tjera të gjyqtarit nuk mund të ulen, përveç rasteve kur: ...c) i jepet masë disiplinore ose vlerësohet i pamjaftueshëm profesionalisht sipas ligjit.

    - Neni 147/a: KLGJ ushtron funksionet e mëposhtme: a) emëron, vlerëson, ngre në detyrë dhe transferon gjyqtarët e të gjitha niveleve....

    - Neni 149/a: KLP ushtron funksionet e mëposhtme: a) emëron, vlerëson, ngre në detyrë dhe transferon prokurorët e të gjitha niveleve....

     

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • A. Ligje


    - Neni 2 i ligjit nr.8811, datë 17.5.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”.  - Neni 13 i ligjit nr.9877, datë 18.2.2008, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”. - Neni 42 i ligjit nr.8737, datë 12.2.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”.


    B. Akte nënligjore

    - Vendimi nr.261/2, datë 14.4.2010 i KLD-së, “Për sistemin e vlerësimit të gjyqtarëve”.- Rregullore “Për sistemin e vlerësimit të punës dhe të aftësive profesionale e morale të prokurorëve”, miratuar me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm.

Aulona Hazbiu
Aulona Hazbiu