"PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË "   |   96/2016

Neni 85: Programi dhe njoftimi i vlerësimit

1Këshilli, jo më vonë se muaji nëntor i çdo viti, miraton programin që përcakton listën e magjistratëve dhe kryetarëve, për të cilët do të kryhet vlerësimi përgjatë vitit pasardhës dhe periudhën e vlerësimit. Në program përfshihen të paktën ata magjistratë, për të cilët përfundon ose ka përfunduar periudha e vlerësimit në vitin pasardhës, me qëllim që të sigurohet në kohë vlerësimi etik dhe profesional i magjistratit. Vendimi publikohet në faqen zyrtare të Këshillit.

2Kryetarët dhe magjistratët, të cilët do të vlerësohen sipas programit të miratuar, sipas pikës 1, të këtij neni, njoftohen në kohën e duhur nga Këshilli.

3Magjistrati kryen vlerësim etik dhe profesional të punës së tij, në kuptim të nenit 77, shkronja “ç”, të këtij ligji, brenda tre javëve nga data e marrjes së njoftimit, sipas pikës 2 të këtij neni.

4Magjistrati duhet të dorëzojë vlerësimin etik dhe profesional të kryer prej tij, sipas pikës 3, të këtij neni, pranë kryetarit të gjykatës ose prokurorisë ku ushtron funksionin, brenda tre javëve nga data e marrjes së njoftimit, sipas këtij neni.

Përmbajtja

      1. Ky nen synon vendosjen e rregullave të qarta, të parashikueshme dhe transparente për programin e vlerësimit dhe njoftimet përkatëse, të cilat krijojnë siguri dhe besueshmëri për procesin e vlerësimit. Pra, qëllimi i këtij neni mund të shpjegohet në dy perspektiva. Nga perspektiva e detyrimeve të Këshillit, që çdo vit jo më vonë se muaji nëntor, miraton programin e vlerësimit, periudhën e vlerësimit, si dhe listën e magjistratëve dhe kryetarëve që do të vlerësohen. Inter alia, Këshilli njofton në kohën e duhur kryetarët dhe magjistratët që do të vlerësohen sipas programit të miratuar. Nga perspektiva e detyrimeve të magjistratit, që kryhen vlerësimin etik dhe profesional të punës së tij, brenda tre javëve nga data e marrjes së njoftimit, si dhe e dorëzon pranë kryetarit të gjykatës ose prokurorisë ku ushtron funksionin.

       

      1. Neni 85 është listuar i pari në seksionin II “Fillimi i procedurës së vlerësimit” të kreut III “Procedurat e vlerësimit”. Fillimi i procedurës së vlerësimit nis me këtë nen, i cili në përmbajtje përcakton kohën (jo më vonë se muaji nëntor i çdo viti) kur Këshillat publikojnë në faqen zyrtare listën e magjistratëve dhe kryetarëve që do të vlerësohen gjatë vitit përkatës, periudhën e vlerësimit dhe detyrën e magjistratëve për të kryer vlerësimin etik dhe profesional. Për këtë të fundit ky nen i referohet nenit 77, shkronja “ç” të Ligjit për Statusin. Neni përmban 4 paragrafë që mbulojnë përkatësisht: paragrafët 1 dhe 2 detyrat e Këshillave dhe paragrafët 3 dhe 4 detyrat e magjistratëve.

       

      1. Jo më vonë se muaji nëntor i çdo viti”, është përcaktimi kohor se kur Këshillat miratojnë programin e vlerësimit dhe listën e magjistratëve dhe kryetarëve që do të vlerësohen për një periudhë të caktuar vlerësimi. Ky përcaktim kohor është një garanci që vlerësimi i magjistratëve të kryhet brenda afateve të rregullta kohore dhe në zbatim të parimit të efikasitetit, pra procesi të kryhet nëpërmjet një procesi të shpejtë dhe me afate kohore të arsyeshme (shih nenin 69 të këtij ligji).

       

      1. Inter alia, ky nen përcakton se Këshillat duhet të miratoj në periudhën e vlerësimit për secilin magjistrat që do të vlerësohet. Periudha e vlerësimit është shpjeguar në nenin 84 të këtij ligji, ku përcaktohet se magjistratët vlerësohen një herë në tre vjet, gjatë pesëmbëdhjetë viteve të para të përvojës profesionale dhe një herë në pesë vjet, pas pesëmbëdhjetë viteve të para të përvojës profesionale. Ndërsa kryetarët vlerësohen të paktën një herë gjatë kohëzgjatjes së mandatit si kryetar.

       

      1. Njoftimi në kohën e duhur i kryetarëve dhe magjistratëve që do të vlerësohen,është një tjetër garanci që ligjvënësi ka parashikuar që vlerësimi të kryhet me efikasitet. Ndër të tjera,“njoftimi në kohën e duhur”, ndikon pozitivisht në zhvillimin e një procesi të rregullt ligjor, sipas të cilit magjistrati ka të drejtën për të marrë pjesë në proces dhe për t’u njohur me aktet. Në të shkuarën ka pasur faktorë të ndryshëm që kanë ndikuar në vonesat në proces, prandaj ky nen (si dhe ky Ligj) i hartuar në përputhje me përvojat më të mira të vendeve të Bashkimit Europian[1] synon të ofrojë vlerësim të dobishëm për rritjen në detyrë si dhe për nevojat për trajnim të magjistratëve (për më shumë shih “Qëllimin e vlerësimit të magjistratit”, neni 68).

       

      1. Vlerësimi i kryer nga magjistrati sipas parashikimeve të nenit 77, shkronja “ç”, përbën një ndër burimet e vlerësimit të magjistratit. Burimet ku bazohet vlerësimi i magjistratit janë të listuara në mënyrë shteruese në nenin 77 të këtij ligji. Sipas shkronjës “ç” të nenit 77, përcaktohet se me “vlerësim etik dhe profesional të kryer nga vetë magjistrati” kuptojmë dy elemente: së pari vlerësim i kryer nga magjistrati dhe së dyti magjistrati përzgjedh: respektivisht gjyqtari, jo më shumë se 2 vendime gjyqësore në vit dhe prokurori, jo më shumë se 2 akte të hartuara prej tij në vit.

       

      1. Së fundi, neni përcakton procedurën dhe afatet kohore që duhet të ndjekë magjistrati pasi kryen vlerësimin e tij, i/e dorëzon vlerësimin etik dhe profesional të kryer prej tij pranë kryetarit të gjykatës ose prokurorisë ku ushtron funksionin, brenda tre javëve nga data e marrjes së njoftimit. Sipas përcaktimit në nenin 77 shkronja “ç”, vlerësimi i kryer prej magjistratit përmban dhe vendimet gjyqësore ose aktet e hartuara prej tij.

      Sipas përcaktimeve të këtij neni (paragrafi 3 dhe 4), periudha që ka në dispozicion magjistrati për të kryer vlerësimin etik dhe profesional të tij, së bashku me përzgjedhjen e vendime gjyqësore/ akteve (jo më shumë se 2 në vit) është brenda tre javëve nga data e marrjes së njoftimit për vlerësim (sipas paragrafit 2 të këtij neni).

       

      [1]Shih raportin për vlerësimin individual të gjyqtarëve në Shqipëri,Mbështetje për Efikasitetin e Drejtësisë – SEJ, hartuar nga prof.dr. Anne Sanders, 2015, fq. 21.

      1. Përpara miratimit të Ligjit për Statusin, ekzistonte një tërësi ligjesh që rregullonte vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Baza ligjore për vlerësimin e gjyqtarëve përbëhej nga:ligji nr. 9877, datë 18.2.2008,“Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” (i shfuqizuar);ligji nr. 8811, datë 17.5.2001,“Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, i cili në nenin 2, shkronja “dh” përcakton se Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendos kritere për vlerësimin e gjyqtarëve, kontrollon dhe garanton procesin e vlerësimit dhe shqyrton ankimet e gjyqtarëve për vlerësimin e tyre; vendimi nr. 261/2, datë 14.4.2010 i KLD-së “Për sistemin e vlerësimit të gjyqtarëve”.Ndërsa, për vlerësimin e prokurorëve ishte ligji nr. 8737, datë 12.2.2001,“Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë” (i shfuqizuar). Në këtë ligj përcaktohej se vlerësimi i punës së prokurorit bëhet paraprakisht nga drejtuesi i prokurorisë, gjë që shërben për vlerësimin final të bërë nga Prokurori i Përgjithshëm.
      2. Analizën e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, qershor 2015, Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë ka vërejtur se:“... vlerësimi i performancës etike dhe profesionale të gjyqtarëve mund të ofrojë këndvështrime të rëndësishme për integritetin e tyre dhe standardet e tyre etike. Përgjegjësia për vlerësimin e gjyqtarëve të shkallës së parë dhe apelit i takonte KLD-së (gjyqtarët e Gjykatës së Lartë nuk vlerësoheshin sipas ligjit të vjetër)”[1]. Ndërsa vlerësimi i punës dhe i aftësive profesionale e morale të prokurorit bëhej nga drejtuesi i prokurorisë në formën e një akti të shkruar[2]. Drejtuesi i Prokurorisë përshkruante veprimtarinë e prokurorit, duke bërë një vlerësim të përgjithshëm dhe ia paraqiste prokurorit që vlerësohet, për t’u njohur dhe për t’u shprehur mbi të. Më pas, vlerësimi i paraqitej Drejtorisë së Inspektimit dhe Burimeve Njerëzore të Prokurorisë së Përgjithshme dhe Këshillit të Prokurorisë[3].Sipas gjetjeve në Analizën e Sistemit të Drejtësisë, ligjet e mëparshme nuk parashikonin shprehimisht dhe mjaftueshëm çështjet që lidhin kriteret, procedurat dhe kompetencat për vlerësimin profesional të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
      3. Për më shumë, në të shkuarën, vlerësimi i gjyqtarëve nuk kryhej në kohë. Në vitin 2012 dhe 2013, u vlerësuan vitet 2005-2006 dhe në vitin 2014 u vlerësuan vitet 2007-2009. Ndërsa - neni171, paragrafi 1 i Ligjit për Statusin, parashikon se KLD-ja duhet të përfundonte vlerësimin e gjyqtarëve të shkallës së parë dhe të apelit për periudhën 2007-2012 (sipas rregullave para hyrjes në fuqi të Ligjit për Statusin). Ndërkohë procesi i vlerësimit mbeti në fazën fillestare dhe ka përfunduar vetëm për periudhën 2007- 2009[4].Vlerësimi për punën e gjyqtarëve të kryer shumë kohë më parë, përbën disavantazh për sistemin e vlerësimit[5].Kjo situatë mund të përbëjë pengesë për rritjen në detyrë të gjyqtarit dhe për rritjen profesionale.

      Ligji për Statusin solli rregullim uniform për vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha shkallëve të gjykimit (duke përshirë dhe gjyqtarët e Gjykatës së Lartë). Si dhe duke vendosur kriterin e përvojës profesionale, përcaktoi edhe periudhën kohore të vlerësimit një herë në pesë vjet për magjistratë me mbi 15 vjet përvojë pune.

      1. Ndryshimi i fundit në këtë nen ndodhi me ligjin nr. 48/2019,“Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016,“Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Neni 12 i ligjit nr. 48/2019 parashikon se në “ nenin 85, pika 1, në fjalinë e dytë, fjala “pasardhës” zëvendësohet me fjalën “përkatës”. Pse u bë ky ndryshim? (relacioni shoqërues...).

       

       

      [1]Shih vendimin e KLD-së nr. 261/2, datë 14.4.2010, “Mbi sistemin e vlerësimit të gjyqtarëve”, neni 2.

      [2]Shih rregulloren e prokurorisë“Për sistemin e vlerësimit të punës dhe të aftësive profesionale e morale të prokurorëve”.

      [3]Shih Analizën e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, fq. 265.

      [4] Raport mbi gjendjen e sistemit gjyqësor dhe veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor për vitin 2018, KLGJ, fq. 9.

      [5]Shih raportin për vlerësimin individual të gjyqtarëve në Shqipëri i SEJ, të hartuar nga prof.dr. Anne Sanders, 2015, fq. 21.

       

      1. Për hartimin e Ligjit për Statusin dhe konkretisht për dispozitat mbi vlerësimin e magjistratëve, ligjvënësi ka pasur parasysh Opinionin Konsultativ të Këshillit të Gjyqtarëve Europianë CCJE nr. 17 (2014), Mbi Vlerësimin e Punës së Gjyqtarëve, Cilësinë e Drejtësisë dhe Respektin për Pavarësinë e Gjyqësorit
  • A. Raporte, opinione, rekomandime dhe deklarata

    13. - Opinioni i CCJE-së nr. 17 (2014), “Mbi vlerësimin e punës së gjyqtarëve, cilësinë e drejtësisë dhe respektin për pavarësinë e gjyqësorit (version në gjuhën angleze https://rm.coe.int/16807481ea,vizituar për herë të fundit në datën 23.8.2019).
    - Opinioni Konsultativ i Këshillit të Gjyqtarëve Europianë CCJE nr. 17 (2014), “Mbi vlerësimin e punës së gjyqtarëve, cilësinë e drejtësisë dhe respektin për pavarësinë e gjyqësorit”.
    - Anne Sanders “Raport për vlerësimin individual të gjyqtarëve në Shqipëri i SEJ”, program i përbashkët i Bashkimit Europian dhe i Këshillit të Europës, 2015.

  • - Relacioni për projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

    - Analizë e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, qershor 2015, hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, ngritur me vendimin nr. 96/2014, datë 27.11.2014, miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë.

  • Ligji:

    - Ligji nr. 96/2016,“Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, kreu III, “Procedura e vlerësimit”.

     

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • - Raporti i Këshillit të Lartë Gjyqësor mbi gjendjen e sistemit gjyqësor dhe veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor për vitin 2018.

     

  • A. Ligje

    - Ligji nr. 8811, datë 17.5.2001,“Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”.
    - Ligji nr. 9877, datë 18.2.2008,“Për organizimin e pushtetit gjyqësor”.
    - Ligji nr. 8737, datë 12.2.2001,“Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”.

    B. Akte nënligjore

    - Vendimi nr.261/2, datë 14.4.2010,“Për sistemin e vlerësimit të gjyqtarëve” i KLD-së.

Edlira Osmani
Edlira Osmani