1Kryetari i gjykatës ose i prokurorisë, ku ushtron funksionin magjistrati që vlerësohet, paraqet mendim për veprimtarinë e magjistratit, në përputhje me standardet e vendosura nga Këshilli.
2Në mendimin e kryetarit përshkruhet veprimtaria e magjistratit dhe vlerësimi i tij për këtë veprimtari, sipas kritereve të vlerësimit, duke u bazuar në nivelet e vlerësimit, të parashikuara në këtë ligj, duke u ndalur veçanërisht në ato kritere, për të cilat mendimi i kryetarit ndryshon nga vlerësimi i kryer nga magjistrati. Gjithashtu, në mendimin e kryetarit pasqyrohet një analizë e të dhënave statistikore të veprimtarisë së magjistratit.
3Mendimi i kryetarit i njoftohet magjistratit brenda katër javëve nga data e marrjes së njoftimit, sipas nenit 85 të këtij ligji.
4Brenda tri ditëve nga njoftimi i mendimit, magjistrati gëzon të drejtën për t’u dëgjuar dhe paraqet kërkesë për zhvillimin e një takimi me kryetarin.
5Kryetari zhvillon takimin me magjistratin brenda dy javëve nga data e depozitimit të kërkesës dhe merr masat për pasqyrimin e takimit në procesverbal, i cili i bashkëlidhet mendimit të kryetarit.
6Jo më vonë se dy muaj nga data e njoftimit, sipas nenit 85, të këtij ligji, kryetari paraqet mendimin përfundimtar për veprimtarinë e magjistratit, i cili pasqyron edhe kundërshtimet e mundshme të magjistratit.