"PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË "   |   96/2016

Neni 9: Veprimtaritë jashtë funksionit

1. Magjistrati lejohet të kryejë veprimtari jashtë funksionit, vetëm nëse këto veprimtari:

a. janë në përputhje me dinjitetin e ushtrimit të funksionit;

b. nuk krijojnë perceptime të ndikimit ose njëanshmëri gjatë ushtrimit të funksionit;

c. nuk bien ndesh me interesat thelbësorë të funksionit, duke mos cenuar afatet dhe ushtrimin në mënyrë efiçiente të funksioneve. Në çdo rast veprimtaritë jashtë funksionit të paguara, duke përfshirë dhe punën përgatitore për realizimin e kësaj veprimtarie, nuk i kalojnë 200 orë gjatë dhe jashtë orarit të punës për vit;

ç. nuk bien ndesh me qëllimin për të cilin është ulur ngarkesa e punës;

d. në rast se shpërblimi për veprimtaritë jashtë funksionit përfshin çdo lloj dhe formë pagese, shpërblim financiar ose kompensim, të cilat nuk tejkalojnë rregullat e zakonshme të tregut;

dh. nuk janë të papajtueshme me ushtrimin e funksionit të magjistratit dhe nuk ndalohen sipas këtij ligji.

2. Me përjashtim të botimeve shkencore ose trajnimeve, magjistrati ndalohet të përdorë titullin e magjistratit në veprimtaritë jashtë funksionit, si dhe merr masa që palët e treta të mos e përdorin titullin e tij në këto veprimtari.

3. Magjistrati mund të shkruajë, të publikojë, të japë leksione dhe mësimdhënie për çështjet ligjore dhe të marrë pjesë në veprimtari që lidhen me çështje ligjore, sistemin ligjor, administrimin e drejtësisë dhe çështje të tjera të lidhura me to, sipas parashikimeve të pikës 1 të këtij neni.

4. Magjistrati, para se të fillojë kryerjen e një veprimtarie të paguar jashtë funksionit, sipas përcaktimeve të këtij neni, duhet të njoftojë Këshillin dhe t’i paraqesë dokumentacionin e nevojshëm që:

a. përshkruan natyrën dhe kohëzgjatjen e këtyre veprimtarive;

b. vërteton masën e shpërblimit të këtyre veprimtarive;

c. evidenton ngarkesën në punë në gjykatë ose prokurori, ngarkesën totale të punës në gjykatë ose prokurori, si dhe përmbushjen në kohë të detyrave përgjatë 12 muajve të mëparshëm.

5. Magjistrati merr miratimin e Këshillit përkatës, përpara se të pranojë kryerjen e veprimtarive të paguara jashtë funksionit.

6. Këshilli vendos brenda tri javëve nga marrja e kërkesës dhe e dokumentacionit të plotë dhe jep miratimin nëse veprimtaria dhe çdo shpërblim për kryerjen e saj janë në përputhje me pikën 1 të këtij neni. Në rast se Këshilli brenda afatit 3-javor nga marrja e kërkesës dhe e dokumentacionit të plotë nuk shprehet me vendim, nuk njofton të interesuarin, si dhe nuk merr vendimin për zgjatjen e afatit, kërkesa konsiderohet e aprovuar, në përputhje me parashikimet e Kodit të Procedurave Administrative.

7. Magjistrati duhet të njoftojë Kryetarin për veprimtaritë jashtë funksionit të papaguara, të cilat nuk janë në kompetencë të këshillit, ku magjistrati:

a. vepron si përfaqësues i gjyqësorit ose prokurorisë;

b. bën deklarata publike të përgjithshme për çështje që prekin gjyqësorin ose prokurorinë;

c. merr pjesë në diskutime për çështje të ligjit.

8. Kryetari raporton të paktën një herë në vit në Këshillat përkatës për natyrën dhe numrin e orëve, për veprimtaritë e papaguara jashtë funksionit të magjistratëve në gjykatën ose prokurorinë respektive.

9. Brenda muajit janar të çdo viti, Këshillat publikojnë në faqen zyrtare, si dhe i dërgojnë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave dhe organeve të administratës tatimore një raport me shkrim të arsyetuar për veprimtaritë jashtë funksionit të paguara të magjistratëve, duke përcaktuar pagesën ose shpërblimin e përfituar gjatë vitit paraardhës dhe vlerën përkatëse të tregut. Institucionet përkatëse bashkëpunojnë me Këshillat për përcaktimin e vlerave normale të tregut.

10. Bazuar në parimin e barazisë dhe të proporcionalitetit, Këshilli miraton rregulla të detajuara për veprimtaritë jashtë funksionit.

Përmbajtja

    • 1. Qëllimi i kësaj norme është të përcaktojë veprimtaritë që një magjistrat lejohet të kryejë jashtë funksionit. Norma përcakton edhe rregullat në lidhje me përdorimin e titullit të magjistratit për veprimtaritë jashtë funksionit.

      2. Norma përcakton gjithashtu edhe përgjegjësitë e Këshillit dhe Kryetarit në lidhje me lejimin e veprimtarive në vijim të kërkesës së magjistratit dhe natyrës së veprimtarisë. Për më tepër Këshilli është ngarkuar edhe për miratimin e rregullave të detajuara për veprimtaritë jashtë funksionit.

      3. Norma rregullon gjithashtu fushën e ndërveprimit institucional të Këshillave me Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave dhe administratën tatimore për të rregulluar ligjshmërinë e kryerjes së veprimtarive jashtë funksionit por me pagesë nga ana e magjistratëve, përsa i përket deklarimit të saktë të saj dhe vlerave normale të tregut në varësi të natyrës së shërbimit të ofruar nga magjistrati.

    • 4. Kjo normë përbëhet nga katër pjesë. Në pjesën e parë që përfshin pikat 1, 2 e 3 përcaktohen llojet e veprimtarive dhe parimet që duhet të udhëheqin një magjistrat në analizimin e një veprimtarie të caktuar, që i është kërkuar të kryejë jashtë funksionit. Në këtë pjesë përcaktohen edhe rregullat e përdorimit të titullit të magjistratit në veprimtaritë jashtë funksionit.

      5. Në pjesën e dytë që përfshin pikat 4, 5 e 6 përshkruhen rregullimet në lidhje me njoftimin e kërkimin e lejes për veprimtaritë jashtë funksionit, në rast se janë me pagesë ose jo. Këtu përcaktohen edhe afatet brenda të cilave leja duhet të miratohet nga Këshilli.

      6. Në pjesën e tretë, që përfshin pikën 9 parashikohen rregullat e ndërveprimit institucional për raportimin e rregullimin e veprimtarive jashtë funksionit të kryera me pagesë nga magjistratët.

      7. Në pjesën e katërt, ngarkohet Këshilli me nxjerrjen e rregullave të detajuara për veprimtaritë jashtë funksionit të magjistratëve, bazuar në parimin e proporcionalitetit dhe barazisë.

    • 8. Krahas kryerjes së detyrave që lidhen me funksionin, magjistrati mund të angazhohet edhe në veprimtari që nuk cenojnë kryerjen e funksioneve të ngarkuara me ligj, efektivitetin e efiçiencën në kryerjen e detyrave madje as nuk ndikojnë në përmbushjen e detyrave të tyre.

      9. Veprimtaritë jashtë funksionit konsistojnë kryesisht në veprimtari të tilla si përgatitja e botimeve shkencore, përgatitja dhe dhënia e leksioneve e trajnimeve si dhe pjesëmarrja në forume ose diskutime publike për çështje të ndryshme të ligjit e të së drejtës. Ato mund të jenë me kundërshpërblim dhe pa kundërshpërblim.

      10. Në çdo rast, pavarësisht llojit të veprimtarisë, ajo duhet të jetë në përputhje me parimin e ruajtjes së dinjitetit të magjistratit, nuk duhet të krijojë perceptime të ndikimit në ushtrimin e funksionit, të cenojë kryerjen e funksionit me efiçiencë dhe nuk përfshihet në kufizimet e përcaktuara në ligjin për statusin. Në rast se një magjistrati i është ulur ngarkesa e punës për një nga shkaqet e përcaktuara në nenin 26 të Ligjit për Statusin, kjo e drejtë nuk mund të përdoret për veprimtari jashtë funksionit.

      11. Në varësi nëse angazhimi në veprimtari jashtë funksionit është i paguar ose i papaguar, norma përcakton autoritetet ku bëhet informimi dhe kur është e nevojshme edhe marrja e lejes për këto veprimtari. Në rast të veprimtarive me pagesë, njoftimi dhe leja kërkohen pranë Këshillit përkatës i cili duhet të përgjigjet brenda afatit 3 javor. Në të kundërt leja quhet e pranuar. Këshilli siguron lejimin e veprimtarive konform parimeve e kushteve të përcaktuara në pikën 1 të kësaj dispozite. Për veprimtaritë pa pagesë, magjistrati konsultohet e njofton Kryetarin.

    • 12. Përpara miratimit të Ligjit për Statusin, për gjyqtarin e shkallës së parë dhe të apelit, ligji nr. 9877/2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në RSH” në nenin 22 vendoste ndalimin e çdo veprimtarie tjetër publike, private dhe politike. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, me vendimin nr. 278/2, datë 19.07.2011 “Për veprimtarinë akademike të gjyqtarëve” pohonte papajtueshmërinë e funksionit të gjyqtarit me veprimtaritë e tjera. Në këtë vendim, KLD normonte veprimtarinë akademike të gjyqtarëve bazuar në parimin e epërsisë dhe të pacenueshmërisë së ushtrimit të detyrës së gjyqtarit të shkallës së parë dhe të dytë.

      13. Ndërsa për prokurorët, neni 39 pikat 2 dhe 3 të ligjit nr. 8737/2001 lejonte veprimtaritë edukative e të mësimdhënies, duke autorizuar Prokurorin e Përgjithshëm të miratonte me urdhër rregulla më të detajuara për ushtrimin e kësaj veprimtarie.

    • 14. Këshilli Konsultativ i Gjyqtarëve Evropianë rregullon objektivitetin dhe aktivitetet e tera profesionale të gjyqtarëve. Sipas KKGJE “...Natyra specifike e funksionit gjyqësor dhe nevoja për të ruajtur dinjitetin e zyrës dhe për të mbrojtur gjyqtarët nga të gjitha llojet e presionit do të thotë që gjyqtarët duhet të sillen në atë mënyrë për t’iu shmangur konfliktit të interesit apo keqpërdorimit të kompetencave. Kjo kërkon që gjyqtarët të përmbahen nga ndonjë aktivitet profesional që mund t’i largoj ata nga përgjegjësitë gjyqësore apo të bëjë që ata të ushtrojnë pjesërisht përgjegjësit e tilla. Në disa Shtete, mospërputhjet me funksionin e gjyqtarit janë të definuar qartë me statutin e gjyqtarit dhe anëtarët e gjyqësorit janë të ndaluar të kryejnë ndonjë aktivitet profesional apo me pagesë. Përjashtime janë bërë për aktivitete edukative, hulumtuese, shkencore, letrare apo artistike…”.

      15. KKGJE mendon që rregullat e mirësjelljes profesionale duhet të kërkojnë që gjyqtarët të largohen nga ndonjë aktivitet që mund të komprometoj dinjitetin e zyrës së tyre dhe të ruajnë besimin e publikun në sistemin gjyqësorë duke minimizuar rrezikun nga konflikti i interesit. Prandaj, ata duhet të përmbahen nga ndonjë aktivitet profesional shtesë që mund të kufizojë pavarësinë e tyre apo rrezikojë objektivitetin e tyre. Megjithatë, është e rëndësishme që gjyqtarët të vazhdojnë të përkushtojnë shumicën e kohës rolit të tyre si gjyqtarë duke përfshirë aktivitetet e ndërlidhura dhe të mos provokohen për të kushtuar shumë vëmendje aktiviteteve jashtë gjyqësorit. Është e qartë që ekziston një rrezik më i lart nga vëmendja e tepërt kushtuar aktiviteteve të tilla, nëse lejohen për ndonjë shpërblim.

      16. Bazuar në Parimet e Bangalorit të Sjelljes së  Gjyqtarëve e në varësi të kryerjes së duhur të detyrave gjyqësore, gjyqtari lejohet: të  shkruajë, japë  leksione, marrë  pjesë në aktivitete që kanë të bëjnë me ligjin, sistemin ligjor, administrimin e drejtësisë ose çështjet e ndërlidhura; marrë  pjesë  në  një  dëgjesë  publike para një organi zyrtar të përfshirë në çështjet që kanë të bëjnë me ligjin, sistemin ligjor, administrimin e drejtësisë ose çështjet e ndërlidhura; shërbejë si anëtar i një organi zyrtar ose të ndonjë Komisioni tjetër qeveritar, komiteti ose organi këshillues, nëse kjo anëtarësi nuk bie në kundërshtim me paanësinë e perceptuar dhe neutralitetin politik të një gjyqtari; ose të  angazhohet në aktivitete të tjera nëse aktivitetet e tilla nuk ndikojnë  në  dinjitetin e zyrës gjyqësore ose të ndërhyjë në kryerjen e detyrave gjyqësore.

      17. Sipas parashikimeve të Kartës Evropiane për statutin e gjyqtarëve, gjyqtarët kryejnë lirisht veprimtari jashtë mandatit të tyre gjyqësor, përfshirë ato që janë mishërimi i të drejtave të tyre si qytetarë. Kjo liri nuk mund të kufizohet veçse në masën që këto verpimtari të jashtme të jenë në mospërputhje me besimin te gjyqtari/ja, ose paanshmërinë ose pavarësinë e tij ose të saj, ose disponibilitetin e tij ose të saj për t’u marrë me kujdes dhe brenda një afati të arsyeshëm me çështjet që i janë vënë përpara. Ushtrimi i një veprimtarie, përveç atyre letrare ose artistike, që sjell pagesë duhet t’i nënshtrohet një autorizimi paraprak në kushtet e parashikuara në statut.

  • Opinioni nr. 3 i Këshillit Konsultativ i Gjyqtarëve Evropianë (KKGJE) për vëmendjen e Komisionit të Ministrave të Këshillit të Evropës mbi parimet dhe rregullat që rregullojnë sjelljen profesionale të gjyqtarëve në veçanti etikën, sjelljet e papërshtatshme dhe objektivitetin http://md.rks-gov.net/desk/inc/media/A15E5FDF-BA7A-432A-BA6F-6B8BCABF2263.pdf

    Parimet Bangalore të  Sjelljes së  Gjyqtarë ve, 2002. http://www.unodc.org/pdf/crime/corruption/judicial_group/Bangalore_principles.pdf

    Karta Evropiane pë r Statutin e Gjyqtarë ve, Strasburg, 8 - 10 Korrik 1998. https://wcd.coe.int/View Doc.jsp?p=&id=1766501&Site=COE&direct=true

  • Relacioni për projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/relacioni-1.pdf , vizituar për herë të fundit më 03.05.2017. 

    Procesverbal datë 24.06.2016 i Komisionit të Posaçëm  për Reformën në Drejtësi, për shqyrtimin dhe miratimin e projektligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, http://reformanedrejtesi.al/sites/default/files/procesverbal_date_24.06.2016_0.pdf  vizituar për herë të fundit më 03.05.2017.

  • Ligj nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” 

    Neni 26 pika 1 a) dhe b) “Ulja e ngarkesës” i Ligjit për Statusin.

  • Bazuar në  pikën 10 të  këtij neni, Këshilli miraton me akt nënligjor, bazuar në parimin e barazisë dhe të proporcionalitetit, rregulla të detajuara për veprimtaritë jashtë funksionit. Ky vendim duhet miratuar për prokurorët nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, ndërsa për gjyqtarët nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.

  • Vendime të Gjykatës Kushtetuese

    Bazuar në  Vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr 34, pika 1, shkronja “c” e nenit 9 “Veprimtaritë jashtë funksionit”, që parashikon kriterin “nuk i kalojnë 200 orë jashtë orarit të punës për vit”, është antikushtetues sa kohë sfera publike është e ndarë nga ajo private. Ndërkohë justifikohet nga interesi publik dhe është proporcional kufizimi i orëve përgjatë orarit të punës. Gjykata shprehet dhe për pikat 7 dhe 8 të nenit 9 “Veprimtaritë jashtë funksionit”, që përcakton detyrimin e magjistratit për të njoftuar kryetarin e gjykatës për veprimtaritë jashtë funksionit e të papaguara, për deklarata të përgjithshme të magjistratit që lidhen me pushtetin gjyqësor ose prokurorinë, ose për pjesëmarrjen e tij në diskutimet e ligjeve, bie ndesh me nenin 145 të Kushtetutës “...Ndërhyrja në veprimtarinë e gjykatave ose të gjyqtarëve passjell përgjegjësi sipas ligjit...” dhe aktet ndërkombëtare, duke cenuar pavarësinë e brendshme të tij.

  • Udhëzues mbi sjelljen e gjyqtarëve, Mars 2013.

    Forcimi i parimeve bazë  të  sjelljes së  gjyqë sorit,  ECOSOC 2006/23. 

    Gjykatat dhe Tribunalet Ndërkombëtare dhe Pavarësia e Gjykatësit Ndërkombëtar, Volume 44, Numer 1, 2003.

  • Neni 22 i ligjit nr. 9877, datë 18.02.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar; 

    Vendimi nr. 278/2, datë 19/07.2011 i Këshillit të Lartë të Drejtësisë “Për veprimtarinë akademike të gjyqtarëve”; 

    Neni 39 pika 2 dhe 3 të  ligjit Nr.8737, datë 12.2.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”.

Zyhrada Kongoli
Marsida Xhaferllari, Arta Vorpsi, Gent Ibrahimi, Alma Faskaj (Vokopola)