"PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË "   |   96/2016

Neni 91: Përzgjedhja e çështjeve për vlerësim

1Për vlerësimin etik dhe profesional të veprimtarisë së magjistratit përzgjidhen me short jo më shumë se 21 çështje të përfunduara nga magjistrati në periudhën për të cilën bëhet vlerësimi. Për vlerësimin e përgjithshëm përzgjidhen 15 dosje, nga të cilat pesë dosje për çdo vit kalendarik të periudhës për të cilën bëhet vlerësimi, në rast të vlerësimit për një periudhë trevjeçare, dhe tri dosje për çdo vit kalendarik, në rast të vlerësimit për një periudhë pesëvjeçare. Pjesa tjetër e dosjeve përzgjidhet sipas kriterit të vonesës në afate, nga të cilat 5 për qind, por jo më shumë se gjashtë çështje nga numri i përgjithshëm, është vendosur përtej afateve standarde. Në rast se magjistrati mungon në detyrë për një periudhë më shumë se gjashtë muaj, numri i dosjeve të përzgjedhura do të ulet në mënyrë proporcionale me kohën.

2Relatori përcakton dhomën dhe seksionin ku magjistrati ka ushtruar funksionin në periudhën për të cilën bëhet vlerësimi dhe, në varësi të numrit të çështjeve për çdo kategori, përcakton numrin e çështjeve që do të përzgjidhen në mënyrë të barabartë për secilën kategori.

3Në short përfshihen të gjitha çështjet, për të cilat magjistrati ka qenë relator i trupit gjykues ose prokuror, duke përfshirë edhe çështjet për të cilat magjistrati është transferuar përkohësisht në një gjykatë ose prokurori tjetër ose ka ushtruar detyrën në një pozicion tjetër. Në rastin e një prokurori, të paktën gjysma e çështjeve u referohet çështjeve që përfshijnë paraburgimin dhe një apelim.

4Numri i çështjeve të përzgjedhura me short, të cilat janë përfunduar nga magjistrati me vendim, nuk duhet të kalojë 10 për qind të numrit të përgjithshëm të çështjeve të përzgjedhura. Në rastin e prokurorit, çështjet e selektuara duhet të përfaqësojnë në mënyrë të barabartë vendimet në pushimin e çështjes dhe vendimet e lirimit pas arrestit me burg. Çështjet e përzgjedhura përtej këtij kufiri nuk vlerësohen, ndërkohë që shorti vazhdon për përzgjedhjen e çështjeve të kategorive të tjera.

5Numri i çështjeve gjyqësore pa palë kundërshtare të gjykuara nga gjyqtari, të përzgjedhura me short, nuk duhet të kalojë 20 për qind të numrit të përgjithshëm të çështjeve të përzgjedhura. Çështjet që përzgjidhen përtej këtij kufiri nuk vlerësohen, ndërkohë që shorti vazhdon për përzgjedhjen e çështjeve të kategorive të tjera.

6Përzgjedhja e çështjeve me short realizohet pas fillimit të procedurës së vlerësimit të magjistratit dhe konsiderohet pjesë e kësaj procedure, pavarësisht nga veprime të tjera.

7Shorti zhvillohet me urdhër dhe nën mbikëqyrjen e një përfaqësuesi nga Këshilli, në përputhje me parashikimet e bëra në këtë nen. Shorti, i cili zhvillohet në gjykatën ose prokurorinë ku ushtron funksionet magjistrati, duhet të realizohet në mënyrë elektronike nga administrata gjyqësore.

8Kryetari dhe kancelari marrin masat për t’i krijuar nëpunësit përgjegjës të gjitha kushtet e nevojshme për ushtrimin e detyrave.

Përmbajtja

      1. Kjo dispozitë synon të përcaktojë rregulla të qarta dhe kritere objektive lidhur me procesin e vlerësimit, në drejtim të përzgjedhjes së çështjeve për vlerësimin etik dhe profesional të magjistratit. Çështjet e përzgjedhura sipas kritereve të përcaktuara në këtë nen janë pjesë përbërëse e dosjes së vlerësimit (shih nenin 90, paragrafi 1, pika “dh”). Ndër të tjera kjo dispozitë nxjerr në pah kategorizimin e çështjeve dhe mënyrën e përzgjedhjes për secilën kategori. Për shkak të specifikës që paraqet përzgjedhja e çështjeve, ligjvënësi ka parashikuar në paragrafët 1-5 procedurën e përzgjedhjes së çështjeve, me synim për të siguruar një përzgjedhje sa më të drejtë dhe objektive të të gjitha çështjeve që do të mund të ndikojnë në vlerësimin etik dhe profesional të magjistratit. Ndërsa në paragrafët 6 – 8 prezenca e përfaqësuesit nga Këshillat, Kryetari dhe Kancelari përbën një garanci për krijimin e kushteve të nevojshme për realizimin e shortit për përzgjedhjen e çështjeve në mënyrë elektronike nga administrata gjyqësore.

       

      1. Kjo dispozitë është pjesë e seksionit III që rregullon ecurinë e procesit të vlerësimit të magjistratit. Nga pikëpamja normative, kjo dispozitë ka natyrë procedurale pasi parashikon të gjitha etapat e përzgjedhjes së çështjeve për vlerësim. Kjo dispozitë rregullon kriteret për përzgjedhjen e çështjeve, procedurën përkatëse dhe shortin, detyrimet e subjekteve. Për vlerësimin etik dhe profesional të magjistratit përzgjidhen me short jo më shumë se 21 çështje të përfunduara në periudhën për të cilën bëhet vlerësimi. Ndër të tjera ky nen vendos dhe disa kritere të përgjithshme për përzgjedhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me:
      • vlerësimin e përgjithshëm, përzgjidhen 15 dosje, nga të cilat pesë dosje për çdo vit kalendarik të periudhës për të cilën bëhet vlerësimi, në rast të vlerësimit për një periudhë trevjeçare, dhe tri dosje për çdo vit kalendarik, në rast të vlerësimit për një periudhë pesëvjeçare;
      • vonesën në afate, përzgjidhen 5 për qind, por jo më shumë se 6 çështje nga numri i përgjithshëm që është vendosur përtej afateve standarde.

       

      1. Në vijim në paragrafët tre, katër dhe pesë të këtij neni përcaktohen kategoritë e çështjeve që përfshihen në short për t’u përzgjedhur. Ndër të tjera ky nen përcakton dhe përqindjet respektive për secilën kategori të çështjeve për t’u përzgjedhur. Përzgjedhja e çështjeve me short konsiderohet pjesë e procedurës së vlerësimit të magjistratit dhe ky nen synon të krijojë garanci për procesin dhe udhëzime për institucionet për të marrë masat e nevojshme për realizimin e përzgjedhjes.

       

    • a. Kategoritë e çështjeve a. Kategoritë e çështjeve 


      4. Në paragrafët tre, katër dhe pesë të këtij neni përcaktohen kategoritë e çështjeve që përfshihen në short për t’u përzgjedhur, të cilat janë si më poshtë vijon:• çështje për të cilat magjistrati ka qenë relator i trupit gjykues ose prokuror (duke përfshirë edhe çështjet për të cilat magjistrati është transferuar përkohësisht në një gjykatë ose prokurori tjetër ose ka ushtruar detyrën në një pozicion tjetër);• çështjet që përfshijnë paraburgimin dhe një apelim, për rastin e një prokurori;• çështje të përfunduara nga magjistrati me vendim jopërfundimtar;• çështjet e selektuara duhet të përfaqësojnë në mënyrë të barabartë vendimet në pushimin e çështjes dhe vendimet e lirimit pas arrestit me burg, në rastin e prokurorit;• çështje gjyqësore pa palë kundërshtare të gjykuara nga gjyqtari.


      5. Relatori përcakton numrin e çështjeve që do të përzgjidhen në mënyrë të barabartë për secilën kategori, ndërsa ky nen përcakton përqindjet respektive për secilën kategori të çështjeve për t’u përzgjedhur. 


      b. Shorti 


      6. Ky nen përcakton se shorti duhet të zhvillohet në mënyrë elektronike nga administrata e gjykatës apo prokurorisë ku ushtron funksionet magjistrati që do të vlerësohet. Hedhja e shortit për përzgjedhjen e çështjeve për vlerësim është pjesë përbërëse e procedurës së vlerësimit dhe mbikëqyret nga përfaqësues i Këshillit. Garancitë që jep ky nen për procesin e hedhjes së shortit dhe përzgjedhjes së çështjeve qëndrojnë në mënyrën e realizimit të shortit – në mënyrë elektronike dhe të mbikëqyrur nga Këshilli, si dhe nën kujdesin e Kryetarit dhe kancelarit për marrjen e masave të nevojshme për t’i krijuar nëpunësit përgjegjës të gjitha kushtet për ushtrimin e detyrave.


      7. Në përfundim të shortit, duhet të përzgjidhen për vlerësimin etik dhe profesional të veprimtarisë së magjistratit jo shumë se 21 çështje të përfunduara nga magjistrati në periudhën për të cilën bëhet vlerësimi.

    •  

      1. Përpara miratimit të Ligjit për Statusin, ekzistonin një tërësi ligjesh që rregullonin vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Baza ligjore për vlerësimin e gjyqtarëve përbëhej nga: ligji nr. 9877, datë 18.2.2008, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” (i shfuqizuar);ligji nr. 8811, datë 17.5.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e “Këshillit të Lartë të Drejtësisë” (KLD), i cili në nenin 2, shkronja “dh” përcakton se KLD-ja vendos kritere për vlerësimin e gjyqtarëve, kontrollon dhe garanton procesin e vlerësimit dhe shqyrton ankimet e gjyqtarëve për vlerësimin e tyre; vendimi nr. 261/2, datë 14.4.2010 i KLD-së, “Për sistemin e vlerësimit të gjyqtarëve”.Ndërsa, për vlerësimin e prokurorëve ishte ligji nr. 8737, datë 12.2.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë” (i shfuqizuar). Në këtë ligj përcaktohej se vlerësimi i punës së prokurorit bëhet paraprakisht nga drejtuesi i prokurorisë, gjë që shërben për vlerësimin final të bërë nga Prokurori i Përgjithshëm.
      2. Analizën e Sistemit të Drejtësisë, Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë ka vërejtur se:“... vlerësimi i performancës etike dhe profesionale të gjyqtarëve mund të ofrojë këndvështrime të rëndësishme për integritetin dhe standardet e tyre etike. Përgjegjësia për vlerësimin e gjyqtarëve të shkallës së parë dhe apelit i takonte KLD-së (Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë nuk vlerësoheshin sipas ligjit të vjetër)”[1]. Ndërsa vlerësimi i punës dhe i aftësive profesionale e morale të prokurorit bëhej nga drejtuesi i prokurorisë në formën e një akti të shkruar[2]. Drejtuesi i Prokurorisë përshkruante veprimtarinë e prokurorit, duke bërë një vlerësim të përgjithshëm dhe ia paraqiste prokurorit që vlerësohet, për t’u njohur dhe për t’u shprehur mbi të. Më pas, vlerësimi i paraqitej Drejtorisë së Inspektimit dhe Burimeve Njerëzore të Prokurorisë së Përgjithshme dhe Këshillit të Prokurorisë[3].Sipas gjetjeve në Analizën e Sistemit të Drejtësisë, ligjet e mëparshme nuk parashikonin shprehimisht, dhe mjaftueshëm çështjet që lidhen me kriteret, procedurat dhe kompetencat për vlerësimin profesional të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

       

      1. Për më shumë, në të shkuarën, vlerësimi i gjyqtarëve nuk kryhej në kohë. Në vitin 2012 dhe 2013, u vlerësuan vitet 2005-2006 dhe në vitin 2014 u vlerësuan vitet 2007-2009. Ndërsa sipas nenit 171, paragrafi 1 i Ligjit për Statusin, parashikon se KLD-ja duhet të përfundonte vlerësimin e gjyqtarëve të shkallës së parë dhe të apelit për periudhën 2007-2012 (sipas rregullave para hyrjes në fuqi të Ligjit për Statusin). Ndërkohë, procesi i vlerësimit mbeti në fazën fillestare dhe ka përfunduar vetëm për periudhën 2007-2009[4].Vlerësimi për punën e gjyqtarëve të kryer shumë kohë më parë, përbën disavantazh për sistemin e vlerësimit[5].Kjo situatë mund të përbëjë pengesë për rritjen në detyrë të gjyqtarit dhe për rritjen profesionale.

       

      1. Ligji për Statusin solli rregullim uniform për vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha shkallëve të gjykimit (duke përshirë dhe gjyqtarët e Gjykatës së Lartë). Si dhe duke vendosur kriterin e përvojës profesionale, përcaktoi edhe periudhën kohore të vlerësimit një herë në pesë vjet për magjistratë me mbi 15 vjet përvojë pune.

       

      [1]Shihvendimin e KLD-së nr. 261/2, datë 14.4.2010, “Mbi sistemin e vlerësimit të gjyqtarëve”, neni 2.

      [2]Shih Rregulloren e Prokurorisë, “Për sistemin e vlerësimit të punës dhe të aftësive profesionale e morale të prokurorëve”.

      [3]Shih Analizën e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, fq. 265.

      [4] Raport mbi Gjendjen e Sistemit Gjyqësor dhe Veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor për vitin 2018, KLGJ, fq. 9.

      [5]Shih Raportin për vlerësimin individual të gjyqtarëve në Shqipëri, të SEJ, hartuar nga prof. dr. Anne Sanders, viti 2015, fq. 21.

       

      1. Për hartimin e Ligjit për Statusin, dhe konkretisht për dispozitat mbi vlerësimin e magjistratëve, ligjvënësi ka pasur parasysh Opinionin Konsultativ të Këshillit të Gjyqtarëve Europianë CCJE nr. 17 (2014), Mbi Vlerësimin e Punës së Gjyqtarëve, Cilësinë e Drejtësisë dhe Respektin për Pavarësinë e Gjyqësorit
    1. Opinioni i CCJE-së nr. 17 (2014), Mbi Vlerësimin e Punës së Gjyqtarëve, Cilësinë e Drejtësisë, dhe Respektin për Pavarësinë e Gjyqësorit (version në gjuhën angleze https://rm.coe.int/16807481ea,vizituar për herë të fundit në datën 23.8.2019).

     

    1. Standards for the Evaluation and Irremovability of Judges, https://www.encj.eu/node/256 (vizituar për herë të fundit në datën 28 maj 2020).

     

    1. European Network of Councils for the Judiciary, Report on Minimum standards regarding evaluation of professional performance and irremovability of members of the judiciary 2012-2013. Raporti i aksesueshëm në këtë link: https://www.encj.eu/images/stories/pdf/ëorkinggroups/final_report_encj_project_minimum_standards_iii_corrected_july_2014.pdf

     

  • - Relacioni për projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

    - Analizë e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, qershor 2015, hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë.

     

  • Ligji:

    - Ligji nr. 842/2016,“Për statusin e gjyqtarëve dhe prokuroreve”, kreu III, “Procedura e vlerësimit”, nenet77; 84; 85; 90; 91; 93.

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Ligji:

    - Ligji nr. 842/2016,“Për statusin e gjyqtarëve dhe prokuroreve”, kreu III, “Procedura e vlerësimit”, nenet77; 84; 85; 90; 91; 93.

  • - Vendimi nr. 263, datë 21.11.2019, “Për miratimin e rregullave plotësuese të vlerësimit të gjyqtarëve”, i Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Edlira Osmani
Edlira Osmani