"PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË "   |   96/2016

Neni 92: Informacioni nga institucione të tjera

1Relatori mbledh dhe përfshin në dosjen e vlerësimit informacionin lidhur me:

apjesëmarrjen në formimin vazhdues të magjistratit që i kërkohen Shkollës së Magjistraturës;

bpërfundimet e ankesave që i kërkohen Inspektorit të Lartë të Drejtësisë;

csaktësinë dhe korrektësinë e deklarimit të pasurisë që i kërkohen Inspektoratit të Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit.

2Shkolla e Magjistraturës, në cilësinë e institucionit përgjegjës për formimin vazhdues të magjistratit, dokumenton pjesëmarrjen e magjistratit në formimin vazhdues. Shkolla e Magjistraturës merr masat për të dërguar informacionin për pjesëmarrjen e magjistratit në formimin vazhdues, brenda dy javëve nga dita e depozitimit të kërkesës. Informacioni pasqyron numrin e trajnimeve në të cilat magjistrati është ftuar, temën dhe kohëzgjatjen e trajnimeve, nivelin e pjesëmarrjes së magjistratit dhe, nëse është e mundur, edhe nivelin e aktivizimit.

3Inspektori i Lartë i Drejtësisë përcjell dokumentacionin për ankesat që janë regjistruar pranë këtij institucioni kundër magjistratit, gjatë periudhës në të cilën bëhet vlerësimi, duke evidentuar minimalisht informacionin lidhur me ankuesin, datën e ankesës, përmbledhje të shkurtër të veprimeve hetimore të ndërmarra dhe mënyrën e përfundimit të ankesës.

4Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave përcjell një raport.

Përmbajtja

    • 1. Neni 92 synon të shtjellojë qartë se çfarë informacioni mbledh relatori nga institucione të tjera për t’u përfshirë në dosjen e vlerësimit. Përfshirja e informacioneve që merren nga Shkolla e Magjistraturës, Inspektori i Lartë i Drejtësisë si dhe nga Inspektorati i Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit e bën vlerësimin e magjistratit më gjithëpërfshirës, transparent dhe objektiv për palët e përfshira në proces dhe për aktorët e jashtëm.

    • 2. Nga pikëpamja sistematike, neni 92 bën pjesë në grupin e neneve të seksionit III “Ecuria e procesit të vlerësimit”. Dispozita ka për objekt të evidentojë se cilat informacione nga institucionet e tjera përfshihen në dosjen e vlerësimit të magjistratit. Nga pikëpamja e strukturës ligjvënësi ka zgjedhur ta rendisë informacionin e kërkuar nga institucionet e tjera në formën e një liste shteruese.

      3. Relatori duhet të përfshijë në dosjen e vlerësimit të magjistratit informacion të marrë nga Shkolla e Magjistraturës në lidhje me pjesëmarrjen në formimin vazhdues të magjistratit, përfundimet e ankesave nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, si dhe saktësinë dhe korrektësinë e deklarimit të pasurisë nga Inspektorati i Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit. Informacionet e marra nga këto institucione, pasi bëhen pjesë e dosjes së vlerësimit, duhet të analizohen në mënyrë të plotë dhe objektive respektivisht nga Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP).

       

       

    •  a. Informacion nga Shkolla e Magjistraturës

       4. Dosja e vlerësimit të magjistratit duhet të jetë e plotë dhe gjithëpërfshirëse. Në mënyrë që vlerësimi i magjistratit të bazohet në burime e prova të besueshme, ligjvënësi ka përcaktuar në nenin 92, që relatori të përfshijë në dosje informacion nga institucione të tjera. Përsa i përket informacionit për formimin vazhdues të magjistratit, Shkolla e Magjistraturës është institucioni përgjegjës që zhvillon trajnime vazhduese dhe dokumenton pjesëmarrjen e magjistratit në këto trajnime. (Magjistrati ka detyrimin për të ndjekur formimin vazhdues sipas nenit 5 të këtij ligji. Shih komentin e nenit 5.) Ndër të tjera ky nen përcakton në mënyrë të detajuar mënyrën sesi Shkolla e Magjistraturës i vë në dispozicion Këshillave informacion në lidhje me pjesëmarrjen në formimin vazhdues të magjistratëve. Sipas përcaktimeve të paragrafit 2 të këtij neni, Shkolla e Magjistraturës e jep një informacion të tillë brenda dy javëve nga dita që relatori depoziton kërkesën. Informacioni i dhënë duhet të pasqyrojë numrin e trajnimeve në të cilat magjistrati është ftuar, temën dhe kohëzgjatjen e trajnimeve, nivelin e pjesëmarrjes së magjistratit dhe, nëse është e mundur, edhe nivelin e aktivizimit.

       b. Informacion nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë

       5. Institucioni i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, është i pavarur dhe i rregulluar sipas ligjit 115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”. Ky institucion është autoriteti përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin e shkeljeve disiplinore dhe për fillimin e procedurës disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve. Neni 92, objekt i këtij komentimi përcakton se Inspektori i Lartë i Drejtësisë duhet të përcjellë dokumentacionin për ankesat që janë regjistruar pranë këtij institucioni kundër magjistratit, gjatë periudhës në të cilën bëhet vlerësimi, duke evidentuar minimalisht informacionin lidhur me ankuesin, datën e ankesës, përmbledhje të shkurtër të veprimeve hetimore të ndërmarra dhe mënyrën e përfundimit të ankesës.

       c. Informacion nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave

       6. Në lidhje me informacionin që Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave jep, legjislatori në këtë nen nuk ka dhënë detaje, por cilëson se ky institucion ka detyrimin të përcjellë një raport. Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave e bazon veprimtarinë e tij në ligjin nr. 9049/2003, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar. Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave publikon çdo vit Raportin Vjetor që është një dokument gjithëpërfshirës i punës dhe aktiviteteve institucionale; i problematikave dhe rezultateve të arritura në zbatimin e kuadrit ligjor në fuqi; masave konkrete të marra në funksion të parandalimit dhe luftës kundër korrupsionit dhe të forcimit të shtetit ligjor, bashkëpunimit ndër-institucional e ndërkombëtar, si dhe të transparencës së realizuar me publikun, median, shoqërinë civile, organizmat ndërkombëtare dhe institucionet homologe në rajon[1].

       7. Të gjitha informacionet e lartpërmendura kanë të përbashkët karakteristikën se lëshohen nga institucione që kanë statusin e një organi të pavarur të parashikuar në ligj me kompetencën për të vlerësuar një tregues/element të caktuar. Pra, përbëjnë një burim zyrtar dhe të besueshëm. Është e rëndësishme të theksohet, se besueshmëria e këtyre informacioneve të dhëna nga institucionet e lartpërmendura në rrugë zyrtare, përbën një element të rëndësishëm për dosjen e vlerësimit të magjistratëve. Ndër të tjera, besueshmëria e informacionit që në këtë rast shërben dhe si burim vlerësimi, është në përputhje me rekomandimet e Rrjetit Europian të Këshillave Gjyqësorë (ENCJ) në Raportin 2012-2013 “Mbi standardet minimale të vlerësimit të performancës profesionale dhe palëvizshmërinë e anëtarëve të gjyqësorit”[2].

       d. Afatet kohore

       8. Ndërsa përsa i përket afateve, brenda të cilave institucionet e lartpërmendura duhet të përcjellin dokumentacionin përkatës, ligjvënësi ka vendosur vetëm për rastin e informacionit të dërguar nga Shkolla e Magjistraturës (brenda dy javëve nga dita e depozitimit të kërkesës). Ndërsa për dy institucionet e tjera të përmendura respektivisht në paragrafin 3 dhe 4 nuk përmenden afate kohore brenda të cilave duhet të përcillen informacionet e kërkuara nga Këshillat. Për të siguruar mbarëvajtjen e procesit të vlerësimit të magjistratit, si dhe zbatimin e afateve të vlerësimit, mundet që Relatori të paraqesë në kërkesën drejtuar këtyre institucioneve, afatin kohor brenda të cilit kërkohet të përcillet informacioni. Në çdo rast Relatori duhet të ketë parasysh afatet kohore të vendosura nga ky ligj për përgatitjen e dokumenteve të dosjes së vlerësimit. Shih nenin 93 të këtij ligji.

       

       

       

      [1] Raporti Vjetor i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave, viti 2019, f. 3.

      [2] Për më shumë shih:https://www.encj.eu/images/stories/pdf/workinggroups/final_report_encj_project_minimum_standards_iii_corrected_july_2014.pdf

    • 9. Përpara miratimit të Ligjit për Statusin, ekzistonte një tërësi ligjesh që rregullonte vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Baza ligjore për vlerësimin e gjyqtarëve përbëhej nga:ligji nr. 9877, datë 18.2.2008, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” (i shfuqizuar);ligji nr. 8811, datë 17.5.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e “Këshillit të Lartë të Drejtësisë” (KLD), i cili në nenin 2, shkronja “dh” përcakton se KLD-ja vendos kritere për vlerësimin e gjyqtarëve, kontrollon dhe garanton procesin e vlerësimit dhe shqyrton ankimet e gjyqtarëve për vlerësimin e tyre; vendimi nr. 261/2, datë 14.4.2010 i KLD-së, “Për sistemin e vlerësimit të gjyqtarëve”.Ndërsa, për vlerësimin e prokurorëve ishte ligji nr. 8737, datë 12.2.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë” (i shfuqizuar). Në këtë ligj përcaktohej se vlerësimi i punës së prokurorit bëhet paraprakisht nga drejtuesi i prokurorisë, gjë që shërben për vlerësimin final të bërë nga Prokurori i Përgjithshëm.

      10. Në Analizën e Sistemit të Drejtësisë, Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë ka vërejtur se:“...vlerësimi i performancës etike dhe profesionale të gjyqtarëve mund të ofrojë këndvështrime të rëndësishme për integritetin e tyre dhe standardet e tyre etike. Përgjegjësia për vlerësimin e gjyqtarëve të shkallës së parë dhe apelit i takonte KLD-së (Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë nuk vlerësoheshin sipas ligjit të vjetër)”[1]. Ndërsa, vlerësimi i punës dhe i aftësive profesionale e morale të prokurorit bëhej nga drejtuesi i prokurorisë në formën e një akti të shkruar[2]. Drejtuesi i Prokurorisë përshkruante veprimtarinë e prokurorit, duke bërë një vlerësim të përgjithshëm dhe ia paraqiste prokurorit që vlerësohet, për t’u njohur dhe për t’u shprehur mbi të. Më pas, vlerësimi i paraqitej Drejtorisë së Inspektimit dhe Burimeve Njerëzore të Prokurorisë së Përgjithshme dhe Këshillit të Prokurorisë[3].Sipas gjetjeve në Analizën e Sistemit të Drejtësisë, ligjet e mëparshme nuk parashikonin shprehimisht dhe mjaftueshëm çështjet që lidhen me kriteret, procedurat dhe kompetencat për vlerësimin profesional të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

      11. Për më shumë, në të shkuarën, vlerësimi i gjyqtarëve nuk kryhej në kohë. Në vitin 2012 dhe 2013, u vlerësuan vitet 2005-2006 dhe në vitin 2014 u vlerësuan vitet 2007-2009. Ndërsa sipas nenit 171, paragrafi 1 të Ligjit për Statusin, parashikon se KLD-ja duhet të përfundonte vlerësimin e gjyqtarëve të shkallës së parë dhe të apelit për periudhën 2007-2012 (sipas rregullave para hyrjes në fuqi të Ligjit për Statusin). Ndërkohë procesi i vlerësimit mbeti në fazën fillestare dhe ka përfunduar vetëm për periudhën 2007- 2009[4].Vlerësimi për punën e gjyqtarëve të kryer shumë kohë më parë, përbën disavantazh për sistemin e vlerësimit[5].Kjo situatë mund të përbëjë pengesë për ngritjen në detyrë të gjyqtarit dhe për rritjen profesionale.

       12. Ligji për Statusin solli rregullim uniform për vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha shkallëve të gjykimit (duke përshirë dhe gjyqtarët e Gjykatës së Lartë). Si dhe duke vendosur kriterin e përvojës profesionale, përcaktoi edhe periudhën kohore të vlerësimit një herë në pesë vjet për magjistratët me mbi 15 vjet përvojë pune.

       

      [1]Shih vendimin e KLD-së nr. 261/2, datë 14.4.2010, “Mbi sistemin e vlerësimit të gjyqtarëve”, neni 2.

      [2]Shih Rregulloren e Prokurorisë “Për sistemin e vlerësimit të punës dhe të aftësive profesionale e morale të prokurorëve”.

      [3]Shih Analizën e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, fq. 265.

      [4] Raport mbi Gjendjen e Sistemit Gjyqësor dhe Veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor për Vitin 2018, KLGJ, fq. 9

      [5]Shih Raporti për vlerësimin individual të gjyqtarëve në Shqipëri i SEJ të hartuar nga Prof Dr Anne Sanders, viti 2015, fq. 21

       

    • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • - Relacioni për projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

    - Analizë e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, qershor 2015, hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë.

  • Ligji:

    - Ligji nr. 842/2016,“Për statusin e gjyqtarëve dhe prokuroreve”, kreu III, “Procedura e vlerësimit”, nenet77; 84; 85; 90; 91; 93.

     

  • - Vendimi nr. 263, datë 21.11.2019, “Për miratimin e rregullave plotësuese të vlerësimit të gjyqtarëve”, i Këshillit të Lartë Gjyqësor.

     

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
Edlira Osmani
Edlira Osmani