"PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË "   |   96/2016

Neni 94: "E drejta e magjistratit për të kundërshtuar projektraportin e vlerësimit "

1Magjistrati njoftohet për projektraportin e vlerësimit, si dhe informohet për të drejtën për të aksesuar dosjen e vlerësimit.

2Magjistrati ka të drejtë të kundërshtojë me shkrim projektraportin e vlerësimit brenda dy javëve nga data e marrjes së njoftimit. Magjistrati mund të paraqesë prova të reja, me përjashtim të vendimeve gjyqësore dhe akteve të hartuara prej prokurorit.

3Magjistrati mund të kërkojë të dëgjohet gjatë seancës dëgjimore në Këshill. Përmbajtja e deklaratës me shkrim nuk përsëritet gjatë seancës dëgjimore.

Përmbajtja

    • 1. Neni 94 synon garantimin e të drejtave të magjistratitpër të marrë pjesë në procesin e vlerësimit, konkretisht:

      • të drejtën e magjistratit për t’u njoftuar për projektraportin e vlerësimit;
      • të drejtën e magjistratit për të kundërshtuar projektraportin e vlerësimit;
      • të drejtën e magjistratit për t’u dëgjuar gjatë seancës dëgjimore në Këshill.

      E drejta e magjistratit për t’u përfshirë në procesin e vlerësimit është garantuar dhe në të tjera nene të Ligjit për Statusin. E drejta e magjistarit për t’u njoftuar për hapjen e procesit të vlerësimit (neni 85, paragrafi 2); e drejta për t’u njoftuar për mendimin  e kryetarit (neni 87, paragrafi 3).

      Ky nen bashkë me nenet e lartpërmendura përbën garanci për të drejtat e magjistratit dhe përcakton standarde të qarta që përshkojnë dhe udhëheqin procesin e vlerësimit të magjistratit.  

       

       

    • 2. Dispozita ka për objekt të evidentojë tëdrejtat bazë që ka magjistrati për t’u përfshirë dhe për t’u dëgjuar gjatë procesit të vlerësimit. Nga pikëpamja e strukturës, ligjvënësi ka zgjedhur t’i rendisë këto të drejta në mënyrë shteruese. Në paragrafin e parë përcaktohet e drejta e magjistratit për t’u njoftuar për projektraportin e vlerësimit, si dhe të informohet për të drejtën për të aksesuar dosjen e vlerësimit. Në paragrafin e dytë përcaktohet e drejta për të kundërshtuar projektraportin e vlerësimit, ndërsa në paragrafin e tretë, e drejta për t’u dëgjuar gjatë seancës dëgjimore në Këshill.

      3. Të gjitha të drejtat që gjejnë pasqyrim në këtë nen, duhet të merren parasysh nga Këshillat gjatë procesit të vlerësimit të magjistratit, pasi jo vetëm që i japin garanci procesit, por zbatimi i tyre legjitimon aktin e vlerësimit. (Shih komentin e nenit 93: “Përpara se të merret vendimi për vlerësimin e magjistratit, magjistrati ka të drejtë të njoftohet për projektraportin e vlerësimit si dhe ka të drejtë të kundërshtojë me shkrim projektraportin e vlerësimit.”).

       

    • Veprimet e magjistratit për kundërshtimin e projektraportit të vlerësimit.

      4. Kjo dispozitë i garanton magjistratit të drejtën të kundërshtojë projektraportin e vlerësimit dhe shpalos detaje procedurale sesi magjistrati mund dhe duhet ta bëjë një veprim të tillë. Kundërshtimi i projektraportit të vlerësimit duhet të bëhet me shkrim dhe duke zbatuar afate kohore (brenda dy javëve nga marrja e njoftimit). Ndërsa përsa i përket përmbajtjes së kundërshtimit, kjo dispozitë përcakton se lejohet paraqitja e provave të reja, por përjashtohen vendimet gjyqësore apo aktet e hartuara nga prokurori. Këto elemente lejuese dhe përjashtuese të listuara në paragrafin e dytë të kësaj dispozitë shërbejnë si udhëzues tënjënatyre të përgjithshme për magjistratin që përgatit deklaratën me shkrim për kundërshtimin e projektraportit të vlerësimit.

      5. Përveç sa u përmend më lart, kjo dispozitë i njeh të drejtën magjistratit të kërkojë të dëgjohet gjatë seancës dëgjimore në Këshill. Gjatë kësaj seance magjistrati nuk përsërit përmbajtjen e shkruar në deklaratën për kundërshtimin e projektraportit të vlerësimit. Me këtë duhet të kuptojmë se ligjvënësi i ka dhënë mundësi magjistratit që gjatë seancës dëgjimore të sqarojë faktet si dhe të bëjë kundërshtimet që i mendon të nevojshme përveç atyre të paraqitura me shkrim. E drejta për të marrë pjesë dhe për t’u dëgjuar në lidhje me vlerësimin e performancës është një standard ndërkombëtar i cili është marrë në konsideratë nga ligjvënësi shqiptar.

       Propozimet e Standardeve MinimaleGjyqësore[1] në lidhje me vlerësimin e performancës profesionale të gjyqtarëve dhe prokurorëve rekomandojnë:

      “Procedura për vlerësim (posaçërisht nëse është zyrtare) duhet të lejojë që gjyqtari (ose prokurori publik) në fjalë të ketë qasje në dokumentet që shqyrtohen dhe të marrë pjesë aktive ose të dëgjohet në proces duke shprehur këndvështrimin e tij/saj rreth performancës së tij / saj profesionale dhe tëkomentojëçdo vërejtje kritike.

      Çdo gjyqtar që i nënshtrohet vlerësimit të performancës profesionale ka të drejtë të dijë rezultatin e vlerësimit, veçanërisht nëse vendimi për vlerësimin sjell pasoja negative për gjyqtarin në drejtim të karrierës profesionale, përfitimeve ekonomike ose imponimit të detyrimeve specifike. Kjo nënkupton nevojën për një proces të pavarur të ankesave në të cilin çdo gjyqtar që i nënshtrohet vlerësimit mund të ankohet nëse ai ose ajo beson se është trajtuar padrejtësisht në procesin e vlerësimit.”

      6. Kjo dispozitë,për të shmangur paqartësitë, duhet të interpretohet në harmoni me parimet(neni 69) – parimi i procesit të rregullt ligjor dhe garanton të drejtën e magjistratit për t’u njohur me aktet, të drejtën e aksesit në dosjen e vlerësimit, të drejtën për të marrë pjesë në proces, të drejtën e kontradiktoritetit, të drejtën për t’u dëgjuar dhe të drejtën për t’u mbrojtur.

       

       

       

      [1]ReportofENCJonDevelopmentof Minimum JudicialStandards(ENCJ), item 4.19 and 4.20.

    • 7. Përpara miratimit të Ligjit për Statusin, ekzistonte një tërësi ligjesh që rregullonte vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Baza ligjore për vlerësimin e gjyqtarëve përbëhej nga:ligji nr. 9877, datë 18.2.2008, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” (i shfuqizuar);ligji nr. 8811, datë 17.5.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e “Këshillit të Lartë të Drejtësisë” (KLD), i cili në nenin 2, shkronja “dh” përcakton se KLD-ja vendos kritere për vlerësimin e gjyqtarëve, kontrollon dhe garanton procesin e vlerësimit dhe shqyrton ankimet e gjyqtarëve për vlerësimin e tyre; vendimi nr. 261/2, datë 14.4.2010 i KLD-së, “Për sistemin e vlerësimit të gjyqtarëve”.Ndërsa, për vlerësimin e prokurorëve ishte ligji nr. 8737, datë 12.2.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë” (i shfuqizuar). Në këtë ligj përcaktohej se vlerësimi i punës së prokurorit bëhet paraprakisht nga drejtuesi i prokurorisë, gjë që shërben për vlerësimin final të bërë nga Prokurori i Përgjithshëm.

      8. Në Analizën e Sistemit të Drejtësisë, Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë ka vërejtur se:“...vlerësimi i performancës etike dhe profesionale të gjyqtarëve mund të ofrojë këndvështrime të rëndësishme për integritetin e tyre dhe standardet e tyre etike. Përgjegjësia për vlerësimin e gjyqtarëve të shkallës së parë dhe apelit i takonte KLD-së (Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë nuk vlerësoheshin sipas ligjit të vjetër)”[1]. Ndërsa vlerësimi i punës dhe i aftësive profesionale e morale të prokurorit bëhej nga drejtuesi i prokurorisë në formën e një akti të shkruar[2]. Drejtuesi i Prokurorisë përshkruante veprimtarinë e prokurorit, duke bërë një vlerësim të përgjithshëm dhe ia paraqiste prokurorit që vlerësohet, për t’u njohur dhe për t’u shprehur mbi të. Më pas vlerësimi i paraqitej Drejtorisë së Inspektimit dhe Burimeve Njerëzore të Prokurorisë së Përgjithshme dhe Këshillit të Prokurorisë[3].Sipas gjetjeve në Analizën e Sistemit të Drejtësisë, ligjet e mëparshme nuk parashikonin shprehimisht dhe mjaftueshëm çështjet që lidhen me kriteret, procedurat dhe kompetencat përvlerësimin profesional të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

      9. Për më shumë, në të shkuarën, vlerësimi i gjyqtarëve nuk kryhej në kohë. Në vitin 2012 dhe 2013, u vlerësuan vitet 2005-2006 dhe në vitin 2014 u vlerësuan vitet 2007-2009. Ndërsa neni 171, paragrafi 1 i Ligjit për Statusin, parashikon se KLD-ja duhet të përfundonte vlerësimin e gjyqtarëve të shkallës së parë dhe të apelit për periudhën 2007-2012 (sipas rregullave para hyrjes në fuqi të Ligjit për Statusin). Ndërkohë procesi i vlerësimit mbeti në fazën fillestare dhe ka përfunduar vetëm për periudhën 2007- 2009[4].Vlerësimi për punën e gjyqtarëve të kryer shumë kohë më parë, përbën disavantazh për sistemin e vlerësimit[5].Kjo situatë mund të përbëjë pengesë për rritjen në detyrë të gjyqtarit dhe për rritjen profesionale.

      10. Ligji për Statusin solli rregullim uniform për vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha shkallëve të gjykimit (duke përshirë dhe gjyqtarët e Gjykatës së Lartë). Si dhe duke vendosur kriterin e përvojës profesionale, përcaktoi edhe periudhën kohore të vlerësimit një herë në pesë vjet për magjistratë me mbi 15 vjet përvojë pune.

       

       

       

      [1]Shihvendimin e KLD-së nr. 261/2, datë 14.4.2010, “Mbi sistemin e vlerësimit të gjyqtarëve”, neni 2.

      [2]Shih Rregulloren e Prokurorisë “Për sistemin e vlerësimit të punës dhe të aftësive profesionale e morale të prokurorëve”.

      [3]Shih Analizën e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, fq. 265.

      [4]Raport mbi Gjendjen e Sistemit Gjyqësor dhe Veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor për vitin 2018, KLGJ, fq. 9.

      [5]Shih Raportin për vlerësimin individual të gjyqtarëve në Shqipëri i SEJ të hartuar nga prof. dr.AnneSanders, viti 2015, fq. 21.

       

    • 11. Për hartimin e Ligjit për Statusin, dhe konkretisht për dispozitat mbi vlerësimin e magjistratëve, ligjvënësi ka pasur parasysh Opinionin Konsultativ të Këshillit të Gjyqtarëve EuropianëCCJE nr. 17 (2014), Mbi Vlerësimin e Punës së Gjyqtarëve, Cilësinë e Drejtësisë dhe Respektin për Pavarësinë e Gjyqësorit

  • 12. Opinioni i CCJE-së nr. 17 (2014), “Mbi vlerësimin e punës së gjyqtarëve, cilësinë e drejtësisë, dhe respektin për pavarësinë e gjyqësorit” (version në gjuhën angleze https://rm.coe.int/16807481ea,vizituar për herë të fundit në datën 23.8.2019).

    13. Standards for the Evaluation and Irremovability of Judges, https://www.encj.eu/node/256 (vizituar për herë të fundit në datën 28 maj 2020).

    14. European Network of Councils for the Judiciary, Report on Minimum standards regarding evaluation of professional performance and irremovability of members of the judiciary 2012-2013. Raporti i aksesueshëm në këtë link: https://ëëë.encj.eu/images/stories/pdf/workinggroups/final_report_encj_project_minimum_standards_iii_corrected_july_2014.pdf

  • - Relacioni për projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

    - Analizë e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, qershor 2015, hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë.

  • Ligji:

    - Ligji nr. 842/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokuroreve”, kreu III, “Procedura e vlerësimit”, nenet77; 84; 85; 90; 91; 93.

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • - Raport i Këshillit të Lartë Gjyqësor mbi Gjendjen e Sistemit Gjyqësor dhe Veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor për vitin 2018.

     

  • - Vendiminr. 263, datë 21.11.2019, “Për miratimin e rregullave plotësuese të vlerësimit të gjyqtarëve” iKëshillit të Lartë Gjyqësor.

Edlira Osmani
Edlira Osmani