"PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË "   |   96/2016

Neni 95: Vendimi për vlerësimin

1Këshilli fton magjistratin që vlerësohet, si dhe persona të tjerë në seancë dëgjimore, nëse kjo kërkohet nga magjistrati ose nëse kjo është e nevojshme për të sqaruar faktet.

2Këshilli urdhëron shtyrjen e seancës për jo më shumë se 30 ditë, nëse gjatë shqyrtimit të vlerësimit konstatohen gabime procedurale ose materiale ose nëse nevojiten prova të tjera që mund të ndikojnë në nivelin e vlerësimit dhe korrigjimi i këtyre gabimeve nuk mund të bëhet menjëherë, për shkak të nevojës për të marrë dokumente të tjera.

3Këshilli, pasi shqyrton projektraportin e vlerësimit dhe duke u bazuar në përfundimet e seancës dëgjimore, vendos të miratojë ose të miratojë me ndryshime ose të kërkojë hartimin e një projektraportit të ri të vlerësimit nga anëtari relator.

4Në rastet kur Këshilli vlerëson magjistratin me një nivel të ndryshëm ose bën një arsyetim të ndryshëm nga ai i propozuar në projektraportin e vlerësimit, atëherë pasqyron në vendim arsyet përkatëse. Raporti i vlerësimit që miratohet nga Këshilli është pjesë përbërëse e vendimit.

5Në rast kur magjistrati vlerësohet “i pamjaftueshëm” ose me vlerësim në nivel më të ulët, magjistratit i ulet paga me dy për qind gjatë dy viteve kalendarike pas këtij vlerësimi.

6Kur magjistrati ose kryetari vlerësohet “i pamjaftueshëm”, Këshilli i dërgon raportin e vlerësimit Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

7Në rastet kur Këshilli vlerëson magjistratin me një nivel më të ulët sesa “mirë”, magjistrati ka të drejtë të ankimojë vendimin e vlerësimit të Këshillit në Gjykatën e Lartë, brenda 15 ditëve nga data e njoftimit të vendimit, vetëm për shkaqe ligjore të lidhura me zbatimin jo të njëjtë të ligjit.

8Projektraporti i vlerësimit, çdo vendim i Këshillit dhe, sipas rastit, vendimet e mundshme gjyqësore duhet të përfshihen si pjesë e dosjeve individuale të magjistratit.

9Këshilli publikon ekstrakte të raportit të vlerësimit dhe vendimit, të cilat pasqyrojnë të dhënat statistikore, analizën e të dhënave, nivelin e vlerësimit dhe arsyetimin për caktimin e këtij niveli. Ekstrakti publikohet duke respektuar të drejtën e konfidencialitetit dhe mbrojtjen e të dhënave. Në çdo rast, nga ekstrakti duhet të hiqet çdo informacion që mund të zbulojë identitetin e magjistratit.

Përmbajtja

    • 1. Neni 95 nëpërmjet shtjellimit të detajuar në secilin paragraf të tij, synon të përcaktojë rregulla të qarta dhe kritere objektive për vendimmarrjen e Këshillit për vlerësimin dhe për pasojat që rrjedhin nga kjo vendimmarrje, duke garantuar dhe të drejtat e magjistratit në këtë proces. Ky nen synon gjithashtu të përcaktojë rregulla të qarta për përgjegjshmërinë e subjekteve në këtë proces, transparencën dhe publicitetin e kësaj vendimmarrje.

      2. Ky nen ndër të tjera garanton të drejtën e magjistratit për të ankimuar vendimin e Këshillit, të drejtën e konfidencialitetit dhe është në përputhje me parimet e vlerësimit (neni 69).

    • 3. Nga pikëpamja organizative, neni 95është pjesë e seksionit III “Ecuria e Procesit të Vlerësimit”. Pavarësisht se nuk është neni i fundit i këtij seksioni, është neni që përmbyll procesin e vlerësimit për magjistratët pasi përcakton marrjen e vendimit për vlerësim nga Këshillat dhe pasojat që sjell ky vendim.

      4. Paragrafi i parë dhe paragrafi i dytë i këtij neni rregullojnë zhvillimin apo shtyrjen e seancës dëgjimore. Ndërsa paragrafi i tretë dhe paragrafi i katërt përcaktojnë mënyrën sesi Këshillat miratojnë raportin e vlerësimit si pjesë përbërëse të vendimit. Paragrafi i pestë dhe i gjashtë përcaktojnë pasojat që vijnë në rast se magjistrati ose kryetari vlerësohet “i pamjaftueshëm”. Paragrafi i shtatë përcakton të drejtën e magjistratit për të ankimuar vendimin e vlerësimit të Këshillit. Paragrafi i tetë përcakton vendimet që duhet të përfshihen si pjesë e dosjeve individuale të magjistratit. Ndërsa paragrafi i nëntë, në përputhje me parimin e konfidencialitetit, përcakton mënyrën sesi Këshilli mund të publikojë ekstrakte të raportit të vlerësimit

    • a. Seanca dëgjimore

      5. Sipas përcaktimeve të këtij neni, por edhe të nenit 94 seanca dëgjimore zhvillohet për dy arsye: kur kërkohet nga magjistrati ose kur është e nevojshme për të sqaruar faktet. Në të dyja rastet seanca dëgjimore i garanton magjistratit të drejtën për t’u dëgjuar. Seanca dëgjimore mund të shtyhet me urdhër të Këshillit për arsye objektive të parashikuara në paragrafin 2 të këtij neni për jo më shumë se 30 ditë.

      b. Projektraporti i vlerësimit

      6. Projektraporit i vlerësimit i hartuar sipas përcaktimeve të nenit 93 mund të ndryshojë ose të hartohet një projektraport i ri pasi shqyrtohet nga Këshillat dhe bazuar në përfundimet e seancës dëgjimore. Ky përcaktim i paragrafit tre të këtij neni përbën një garanci të shtuar të të drejtës së magjistratit për t’u dëgjuar duke i dhënë rëndësi përfundimeve të seancës dëgjimore nga ku sqarimi i fakteve apo dëgjesa e magjistratit mund të bëjnë që Këshilli të kërkojë  ndryshime të projektraportit të vlerësimit apo hartimin e një projektraporti të ri. E drejta për të marrë pjesë dhe për t’u dëgjuar në lidhje me vlerësimin e performancës është një standard ndërkombëtar i cili është marrë në konsideratë nga ligjvënësi shqiptar.

      c. Vlerësimi i magjistratit – pasojat

      7. Në rastet kur magjistrati vlerësohet “i pamjaftueshëm”, do t’i ulet paga prej 2% gjatë dy viteve kalendarike pas këtij vlerësimi. Sipas paragrafit 6 të këtij neni, Këshillat janë të detyruar të përcjellin raportet e vlerësimit mbi punën profesionale të magjistratëve ose kryetarëve Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në rastet kur merret vlerësimi "i pamjaftueshëm". Kështu, Inspektori i Lartë të Drejtësisë bazuar në provat e mbledhura mund të fillojë një procedim disiplinor kundër magjistratëve vlerësuar " i pamjaftueshëm". Shkarkimi i magjistratit është i mundur me vendim të Këshillit përkatës si rezultat i një procedimi disiplinor.

      8. Diagrami më poshtë tregon personat dhe institucionet e përfshira në procedurën individuale të vlerësimit të magjistratit, marrëdhëniet, aktet dhe të drejtat kryesore të magjistratëve gjatë procesit dhe ankimin e vendimit. Opinioni i Përbashkët nr. 751/2013 i Komisionit të Venecias dhe Drejtorisë së të Drejtave të Njeriut[1], rekomandon që e drejta për të ankimuar vendimet individuale të vlerësimit të performancës të ushtrohet para një gjykate dhe jo një organi administrativ.

       

       

      [1]Joint Opinion no. 751/2013 of Venice Commission and Directorate of Human Rights, on the draft Law amending and supplementing the Judicial Code (evaluation system for judges) of Armenia, paragraph 128, “e”.

    • 9. Ky nen është ndryshuar me vendim nr. 34/2017 të Gjykatës Kushtetuese dhe me ligjin nr. 48/2019, neni 14. E drejta e magjistratit për të ankimuar vendimin e Këshillit në lidhje me vlerësimin e performancës parashikohet qartë nga legjislacioni i ri. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 34, datë 10.4.2017 shfuqizoi pjesërisht nenin 95, paragrafi 7, i cili përcaktonte të drejtën e magjistratëve për t’u ankuar vetëm kundër vendimeve kur vlerësohen “me nota më të ulëta se mirë”. Gjykata Kushtetuese e gjeti këtë pjesë të dispozitës si jokushtetuese. Kështu, magjistratët do të kenë të drejtë të ankimojnë çdo vendim për vlerësimin e performancës së lëshuar nga Këshillat, pa marrë parasysh notën e vlerësimit. Sidoqoftë, e drejta e ankimit është e kufizuar në“vetëm për shkelje të rënda procedurale".

      10. Përpara miratimit të Ligjit për Statusin e drejta për të ankimuar vendimin e vlerësimit të KLD-së në gjykatë nuk ishte parashikuar nga legjislacioni. Kjo e drejtë u pohua vetëm në një vendim të Gjykatës së Lartë në vitin 2013[1].

       

       

      [1] Vendimi i Gjykatës së Lartë nr. 357, datë 30.6.2013, i cili parashikonte të drejtën për të paraqitur një kërkesë për rishikim gjyqësor të çdo vendimi të KLD-së.

    • 11. Për hartimin e Ligjit për Statusin dhe konkretisht për dispozitat mbi vlerësimin e magjistratëve, ligjvënësi ka pasur parasysh Opinionin Konsultativ të Këshillit të Gjyqtarëve Europianë CCJE nr. 17 (2014), Mbi Vlerësimin e Punës së Gjyqtarëve, Cilësinë e Drejtësisë dhe Respektin për Pavarësinë e Gjyqësorit.

       

  • 12. Opinioni i CCJE-së nr. 17 (2014), “Mbi vlerësimin e punës së gjyqtarëve, cilësinë e drejtësisë, dhe respektin për pavarësinë e gjyqësorit” (version në gjuhën angleze https://rm.coe.int/16807481ea,vizituar për herë të fundit në datën 23.8.2019).

    13. Standards for the Evaluation and Irremovability of Judges, https://www.encj.eu/node/256 (vizituar për herë të fundit në datën 28 maj 2020).

    14. European Netëork of Councils for the Judiciary, Report on Minimum standards regarding evaluation of professional performance and irremovability of members of the judiciary 2012-2013. Raporti i aksesueshëm në këtë link: https://ëëë.encj.eu/images/stories/pdf/ëorkinggroups/final_report_encj_project_minimum_standards_iii_corrected_july_2014.pdf

     

     

  • - Relacioni për projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

    - Analizë e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, qershor 2015, hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë.

  • Ligji:

    Ligji nr. 842/2016, “Për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokuroreve”, kreu III, “Procedura e vlerësimit”, nenet77; 84; 85; 90; 91; 93.

     

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • - Raport i Këshillit të Lartë Gjyqësor mbi Gjendjen e Sistemit Gjyqësor dhe Veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor për vitin 2018.

     

  • - Vendimi nr. 263, datë 21.11.2019, “Për miratimin e rregullave plotësuese të vlerësimit të gjyqtarëve” i Këshillit të Lartë Gjyqësor.

     

Edlira Osmani
Edlira Osmani