"PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË "   |   96/2016

Neni 97: Vlerësimi me kërkesë

1Magjistrati vlerësohet me procedurë të përshpejtuar, sipas kërkesës së tij, në rastet kur kërkohet të transferohet ose ngrihet në detyrë dhe kur vlerësimi i fundit është realizuar para më shumë se dy viteve. Vlerësimi me procedurë të përshpejtuar kryhet sipas parashikimeve të këtij ligji për aq sa është e mundur.

2Vlerësimi me procedurë të përshpejtuar kryhet për periudhën që përfshin vitin e fundit kalendarik. Këshilli miraton programin që përcakton magjistratët që vlerësohen, sipas kësaj procedure, para se të marrë vendimin për ngritjen në detyrë ose transferimin e magjistratit.

3Në vlerësimin, sipas kësaj procedure, përzgjidhen me short gjashtë çështje të magjistratit për vlerësim të përgjithshëm, paraqiten dy vendime gjyqësore ose akte të hartuara nga prokurori, si dhe vlerësohen jo më shumë se tre çështje, për të cilat magjistrati ka vendosur përtej afateve standarde.

4Afati i përgatitjes së projektraportit të vlerësimit është dy muaj nga dita e dorëzimit të akteve të vlerësimit nga kryetari.

5Këshilli vendos për vlerësimin e magjistratit në mbledhjen e radhës, pas njoftimit të magjistratit për projektraportin e vlerësimit.

6Në rastet kur një vendim i Këshillit për vlerësim rezulton me rezultatet me pak se “mirë”, magjistrati ka të drejtën e ankimit kundër vendimit të Këshillit brenda 15 ditëve nga marrja e njoftimit të vendimit në gjykatën kompetente vetëm për arsye që lidhen me ligjin ose argumente për moszbatim në mënyrë të unifikuar të ligjit.

Përmbajtja

    • 1. Ky nen përcakton rregulla në funksion të lehtësimit të procedurave të promovimit dhe transferimit të magjistratëve mbi bazën e meritës dhe performancës. Ky nen është në harmoni të plotë me parimin e meritokracisë dhe zhvillimit të karrierës (neni 69).

      2. Vlerësimi i magjistratit me kërkesë sipas një procedure të përshpejtuar përbën një ndër format e vlerësimit të magjistratit. Sipas Ligjit për Statusin ekzistojnë forma të ndryshme të vlerësimit të magjistratit të bazuara në kritere të ndryshme. Grupimi i parë mund të ndahet bazuar në funksionet që kryen magjistrati, pra kemi vlerësim performance për: gjyqtarë, prokurorë dhe kryetarë. Ndërsa grupimi i dytë mund të ndahet sipas bazës ligjore për kryerjen e vlerësimit profesional dhe kemi të bëjmë me: vlerësim të rregullt sipas parashikimeve të nenit 84, paragrafi 1 dhe 2, si dhe vlerësim me kërkesë sipas parashikimeve të këtij neni (neni 97). Një grupim të tretë mund të përbëjë dhe vlerësimi i magjistratit që ushtron funksion si anëtar i një Këshilli (neni 84, paragrafi 4).

    • 3. Neni 97 përbën një dispozitë të veçantë të seksionit III “Ecuria e procesit të vlerësimit” pasi në ndryshim nga dispozitat e tjera të këtij seksioni që rregullojnë procesin e vlerësimit të magjistratit sipas parashikimeve të nenit 84(1)(2), ky nen fokusohet vetëm në vlerësimin që bëhet me kërkesë të magjistratit.

      4. Ky nen përbëhet nga gjashtë paragrafë (paragrafi i gjashtë i ndryshuar me ligjin nr. 48/2019, neni 15). Paragrafi i parë përcakton qëllimin e vlerësimit me kërkesë ndërsa paragrafi i dytë dhe i katërt përcaktojnë afatet kohore për përgatitjen dhe kryerjen e këtij vlerësimi. Procedura dhe dokumentet që duhet të përmbajë dosja e vlerësimit përcaktohen në paragrafin e tretë të këtij neni.

    • a. Transferimi dhe ngritja në detyrë

      5. Ligji për Statusin ka prezantuar rishtazi konceptet e “transferimit” dhe “promovimit”të magjistratit dhe vënien në lëvizje të të dyjave sipas një procedure transparente. Transparenca e procesit të transferimit dhe të promovimit të magjistratëve është e lidhur ngushtë me rezultatet e vlerësimit të performancës. Vlerësimi i performancës po ashtu përbën një parakusht për një sistem funksional dhe të bazuar në merita. Një ndër sfidat më të mëdha në vlerësimin e performancës do të jetë “kurajoja institucionale” për të bërë ndryshimin nga vlerësimet e para (2016) dhe për të dalluar magjistratët me performacë mesatare nga të tjerët, pra për të kryer një vlerësim sipas niveleve të vlerësimit të përshkruara në nenin 78 të këtij ligji dhe për të dhënë vlerësim shkëlqyeshëm vetëm në ato raste kur magjistrati është vlerësuar “shkëlqyeshëm” për të gjitha kriteret (neni 78, paragrafi 2).

      b. Vlerësimi me kërkesë (me procedurë të përshpejtuar)

      6. Ky vlerësim kryhet sipas një programi të përcaktuar nga Këshillat para se ata të marrin një vendim për ngritjen në detyrë ose transferimin e magjistratit. Vlerësimi me procedurë të përshpejtuar kryhet për periudhën që përfshin vitin e fundit kalendarik. Ky nen gjithashtu përcakton se në vlerësimin me procedurë të përshpejtuar përzgjidhen me short gjashtë çështje të magjistratit për vlerësim të përgjithshëm, paraqiten dy vendime gjyqësore ose akte të hartuara nga prokurori, si dhe vlerësohen jo më shumë se tre çështje, për të cilat magjistrati ka vendosur përtej afateve standarde (paragrafi 3). Ndër të tjera, në paragrafin katër të këtij neni kuptojmë se pjesë e dosjes së vlerësimit janë dhe aktet e vlerësimit të dorëzuara nga kryetari. Duke pasur në vëmendje përmbajtjen e paragrafit 1 të këtij neni “vlerësimi me procedurë të përshpejtuar kryhet sipas parashikimeve të këtij ligji për aq sa është e mundur” kuptojmë se dosja e vlerësimit për këtë rast do të krijohet sipas përcaktimeve në paragrafët 3 dhe 4 të këtij neni, por edhe sipas nenit 90 të këtij ligji. Pra, dosja e vlerësimit përmban të dhëna statistikore dhe mendimin e kryetarit. Duke pasur parasysh se vlerësimi duhet të bëhet i përshpejtuar, mund të rekomandohet që vlerësuesit të fokusohen në të dhënat statistikore si më poshtë:

      • Koha mesatare e gjykimit siç përcaktohet në nenin 2, shkronja “f” të Ligjit për Statusin;
      • Rendimenti i përfundimit të çështjeve siç përcaktohet në nenin 2, shkronja “l” të Ligjit për Statusin dhe që analizohet së bashku me nenin 15, paragrafi 5 i Ligjit për Pushtetin Gjyqësor;
      • Koha mesatare për të marrë një vendim.

      Të dhënat statistikore duhet të konsiderohen si mjet për vlerësim vetëm kur përdoren si duhet dhe bazuar në standarde uniforme. Në këtë rast vlen të përmenden Rekomandimet e Kievit që propozojnë[1]: "Statistikat mbi efikasitetin e veprimtarisë gjyqësore do të përdoren kryesisht për qëllime administrative dhe shërbejnë vetëm si një nga faktorët në vlerësimin e gjyqtarëve."

       c. Afatet kohore

      7. Në mënyrë që vlerësimi me kërkesë të jetë efektiv dhe në përputhje me parimet e vendosura në nenin 69 të këtij ligji, afatet kohore dhe zbatimi i tyre japin garanci. (Parimi i efikasitetit, sipas të cilit vlerësimi i veprimtarisë kryhet nëpërmjet një procesi të shpejtë, me anë të procedurave të thjeshta dhe në afate kohore të arsyeshme për të siguruar të dhëna në kohën e duhur për karrierën e magjistratit.)

       

       

      [1]Kyiv Recommendations on Judicial Independence in Eastern Europe, South Caucasus and Central Asia, 2010, OSCE and ODIHR, paragrafi28.

    • 8. Përpara miratimit të Ligjit për Statusin, ekzistonte një tërësi ligjesh që rregullonte vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Baza ligjore për vlerësimin e gjyqtarëve përbëhej nga: ligji nr. 9877, datë 18.2.2008, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” (i shfuqizuar);ligji nr. 8811, datë 17.5.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e “Këshillit të Lartë të Drejtësisë” (KLD), i cili në nenin 2, shkronja “dh” përcakton se KLD-ja vendos kritere për vlerësimin e gjyqtarëve, kontrollon dhe garanton procesin e vlerësimit dhe shqyrton ankimet e gjyqtarëve për vlerësimin e tyre; vendimi nr. 261/2, datë 14.4.2010 i KLD-së, “Për sistemin e vlerësimit të gjyqtarëve”.Ndërsa, për vlerësimin e prokurorëve ishte ligji nr. 8737, datë 12.2.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë” (i shfuqizuar). Në këtë ligj përcaktohej se vlerësimi i punës së prokurorit bëhet paraprakisht nga drejtuesi i prokurorisë, gjë që shërben për vlerësimin final të bërë nga Prokurori i Përgjithshëm.

      9. Në Analizën e Sistemit të Drejtësisë, Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë ka vërejtur se:“...vlerësimi i performancës etike dhe profesionale të gjyqtarëve mund të ofrojë këndvështrime të rëndësishme për integritetin e tyre dhe standardet e tyre etike. Përgjegjësia për vlerësimin e gjyqtarëve të shkallës së parë dhe apelit i takonte KLD-së (Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë nuk vlerësoheshin sipas ligjit të vjetër)[1]. Ndërsa vlerësimi i punës dhe i aftësive profesionale e morale të prokurorit bëhej nga drejtuesi i prokurorisë në formën e një akti të shkruar[2]. Drejtuesi i Prokurorisë përshkruante veprimtarinë e prokurorit, duke bërë një vlerësim të përgjithshëm dhe ia paraqiste prokurorit që vlerësohet, për t’u njohur dhe për t’u shprehur mbi të. Më pas vlerësimi i paraqitej Drejtorisë së Inspektimit dhe Burimeve Njerëzore të Prokurorisë së Përgjithshme dhe Këshillit të Prokurorisë[3].Sipas gjetjeve në Analizën e Sistemit të Drejtësisë, ligjet e mëparshme nuk parashikonin shprehimisht dhe mjaftueshëm çështjet që lidhen me kriteret, procedurat dhe kompetencat për vlerësimin profesional të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

      10. Për më shumë, në të shkuarën, vlerësimi i gjyqtarëve nuk kryhej në kohë. Në vitin 2012 dhe 2013, u vlerësuan vitet 2005-2006 dhe në vitin 2014 u vlerësuan vitet 2007-2009. Ndërsa sipas nenit 171, paragrafi 1 i Ligjit për Statusin, parashikon se KLD-ja duhet të përfundonte vlerësimin e gjyqtarëve të shkallës së parë dhe të apelit për periudhën 2007-2012 (sipas rregullave para hyrjes në fuqi të Ligjit për Statusin). Ndërkohë procesi i vlerësimit mbeti në fazën fillestare dhe ka përfunduar vetëm për periudhën 2007- 2009[4].Vlerësimi për punën e gjyqtarëve të kryer shumë kohë më parë, përbën disavantazh për sistemin e vlerësimit[5].Kjo situatë mund të përbëjë pengesë për rritjen në detyrë të gjyqtarit dhe për rritjen profesionale.

      11. Ligji për Statusin solli rregullim uniform për vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha shkallëve të gjykimit (duke përshirë dhe gjyqtarët e Gjykatës së Lartë). Si dhe duke vendosur kriterin e përvojës profesionale, përcaktoi edhe periudhën kohore të vlerësimit një herë në pesë vjet për magjistratë me mbi 15 vjet përvojë pune.

       

      [1]Shih vendimin e KLD-së nr. 261/2, datë 14.4.2010, “Mbi sistemin e vlerësimit të gjyqtarëve”, neni 2.

      [2]Shih Rregullore e Prokurorisë “Për sistemin e vlerësimit të punës dhe të aftësive profesionale e morale të prokurorëve”.

      [3]Shih Analizën e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, fq. 265.

      [4] Raport mbi Gjendjen e Sistemit Gjyqësor dhe Veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor për vitin 2018, KLGJ, fq. 9.

      [5]Shih Raporti për vlerësimin individual të gjyqtarëve në Shqipëri i SEJ të hartuar nga prof. dr. Anne Sanders, viti 2015, fq. 21.

       

    • 12. Për hartimin e Ligjit për Statusin dhe konkretisht për dispozitat mbi vlerësimin e magjistratëve, ligjvënësi ka pasur parasysh Opinionin Konsultativ të Këshillit të Gjyqtarëve Europianë CCJE nr. 17 (2014), Mbi Vlerësimin e Punës së Gjyqtarëve, Cilësinë e Drejtësisë dhe Respektin për Pavarësinë e Gjyqësorit

  • 13. Opinioni i CCJE-së nr. 17 (2014), “Mbi vlerësimin e punës së gjyqtarëve, cilësinë e drejtësisë, dhe respektin për pavarësinë e gjyqësorit”(version në gjuhën angleze https://rm.coe.int/16807481ea,vizituar për herë të fundit në datën 23.8.2019).

    14. Standards for the Evaluation and Irremovability of Judges, https://www.encj.eu/node/256 (vizituar për herë të fundit në datën 28 maj 2020).

    15. European Network of Councils for the Judiciary, Report on Minimum standards regarding evaluation of professional performance and irremovability of members of the judiciary 2012-2013. Raporti i aksesueshëm në këtë link: https://www.encj.eu/images/stories/pdf/ëorkinggroups/final_report_encj_project_minimum_standards_iii_corrected_july_2014.pdf

     

  • - Relacioni për projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

    - Analizë e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, qershor 2015, hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë.

     

  • Ligji:

    Ligji nr. 842/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokuroreve”, Kreu III, “Procedura e vlerësimit”, nenet77; 84; 85; 90; 91; 93.

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • - Raport i Këshillit të Lartë Gjyqësor mbi Gjendjen e Sistemit Gjyqësor dhe Veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor për Vitin 2018.

                           

     

  • - Vendimi nr. 263, datë 21.11.2019, “Për miratimin e rregullave plotësuese të vlerësimit të gjyqtarëve”,i Këshillit të Lartë Gjyqësor.

     

Edlira Osmani
Edlira Osmani