1Çdo vit kalendarik, Këshillat hartojnë raportin e vlerësimit për veprimtarinë e vlerësimit të magjistratëve që kanë kryer në vitin paraardhës.
2Raporti i vlerësimit publikohet në fund të muajit mars të vitit pasardhës.
1. Qëllimi i këtij neni është që të garantojë se në kuadër të raportimit dhe të transparencës Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë (Këshillat) hartojnë një raport vjetor të vlerësimit për veprimtarinë e vlerësimit të magjistratëve dhe e publikojnë këtë raport.
2. Neni 98 është një prej dispozitave të seksionit IV “Raportimi dhe transparenca” ku sëbashku me nenin 99 përcaktojnë se Këshillat do të hartojnë një raport vjetor vlerësimi mbi veprimtarinë e vlerësimit të kryer gjatë çdo viti kalendarik, si dhe një raport tre-vjeçar mbi sistemin e vlerësimit. Të dy raportet duhet të publikohen.
Raporti vjetor i vlerësimit
3. Hartimi i raportit të vlerësimit për veprimtarinë e vlerësimit të magjistratëve, çdo vit kalendarik garanton transparencë të procesit të vlerësimit dhe llogaridhënie të institucioneve.
Kjo qasje e re legjislative që gjen zbatim edhe në nenin 99, synon të arrijë disa qëllime përfshirë: (a) bërjen transparente të të gjithë procesit; (b) garantimin e përgjegjësisë së personave dhe organeve që kryejnë vlerësimin e performancës - Këshillat dhe Komisionet përkatëse; (c) vendosjen e një baze për një proces vlerësimi të organizuar në kohë dhe të rregullt; (d) sigurimin e garancive shtesë për të drejtat e magjistratëve brenda procesit të vlerësimit të tyre individual të performancës etj. Kjo risi është në përputhje me standardet ndërkombëtare.
4. Përpara miratimit të Ligjit për Statusin, ekzistonte një tërësi ligjesh që rregullonte vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Baza ligjore për vlerësimin e gjyqtarëve përbëhej nga:ligji nr. 9877, datë 18.2.2008, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” (i shfuqizuar);ligji nr. 8811, datë 17.5.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e “Këshillit të Lartë të Drejtësisë” (KLD), i cili në nenin 2, shkronja “dh” përcakton se KLD-ja vendos kritere për vlerësimin e gjyqtarëve, kontrollon dhe garanton procesin e vlerësimit dhe shqyrton ankimet e gjyqtarëve për vlerësimin e tyre; vendimi nr. 261/2, datë 14.4.2010 i KLD-së, “Për sistemin e vlerësimit të gjyqtarëve”.Ndërsa, për vlerësimin e prokurorëve ishte ligji nr. 8737, datë 12.2.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë” (i shfuqizuar). Në këtë ligj përcaktohej se vlerësimi i punës së prokurorit bëhet paraprakisht nga drejtuesi i prokurorisë, gjë që shërben për vlerësimin final të bërë nga Prokurori i Përgjithshëm.
5. Në Analizën e Sistemit të Drejtësisë, Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë ka vërejtur se:“...vlerësimi i performancës etike dhe profesionale të gjyqtarëve mund të ofrojë këndvështrime të rëndësishme për integritetin e tyre dhe standardet e tyre etike. Përgjegjësia për vlerësimin e gjyqtarëve të shkallës së parë dhe apelit i takonte KLD-së (Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë nuk vlerësoheshin sipas ligjit të vjetër)”[1]. Ndërsa vlerësimi i punës dhe i aftësive profesionale e morale të prokurorit bëhej nga drejtuesi i prokurorisë në formën e një akti të shkruar[2]. Drejtuesi i Prokurorisë përshkruante veprimtarinë e prokurorit, duke bërë një vlerësim të përgjithshëm dhe ia paraqiste prokurorit që vlerësohet, për t’u njohur dhe për t’u shprehur mbi të. Më pas, vlerësimi i paraqitej Drejtorisë së Inspektimit dhe Burimeve Njerëzore të Prokurorisë së Përgjithshme dhe Këshillit të Prokurorisë[3].Sipas gjetjeve në Analizën e Sistemit të Drejtësisë, ligjet e mëparshme nuk parashikonin shprehimisht dhe mjaftueshëm çështjet që lidhen me kriteret, procedurat dhe kompetencat përvlerësimin profesional të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
6. Për më shumë, në të shkuarën, vlerësimi i gjyqtarëve nuk kryhej në kohë. Në vitin 2012 dhe 2013, u vlerësuan vitet 2005-2006 dhe në vitin 2014 u vlerësuan vitet 2007-2009. Ndërsa sipas nenit 171, paragrafi 1 të Ligjit për Statusin, parashikon se KLD duhet të përfundonte vlerësimini e gjyqtarëve të shkallës së parë dhe të apelit për periudhën 2007-2012 (sipas rregullave para hyrjes në fuqi të Ligjit për Statusin). Ndërkohë procesi i vlerësimit mbeti në fazën fillestare dhe ka përfunduar vetëm për periudhën 2007- 2009.[4]Vlerësimi për punën e gjyqtarëve të kryer shumë kohë më parë, përbën disavantazh për sistemin e vlerësimit[5].Kjo situatë mund të përbëjë pengesë për rritjen në detyrë të gjyqtarit dhe për rritjen profesionale.
7. Ligji për Statusin solli rregullim uniform për vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha shkallëve të gjykimit (duke përshirë dhe gjyqtarët e Gjykatës së Lartë). Si dhe duke vendosur kriterin e përvojës profesionale, përcaktoi edhe periudhën kohore të vlerësimit një herë në pesë vjet për magjistratë me mbi 15 vjet përvojë pune.
[1]Shihvendimin e KLD-së nr. 261/2, datë 14.4.2010, “Mbi sistemin e vlerësimit të gjyqtarëve”, neni 2.
[2]Shih Rregulloren e Prokurorisë, “Për sistemin e vlerësimit të punës dhe të aftësive profesionale e morale të prokurorëve”.
[3]Shih Analizën e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, fq. 265.
[4]Raport mbi Gjendjen e Sistemit Gjyqësor dhe Veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor për vitin 2018, KLGJ, fq. 9.
[5]Shih Raportin për vlerësimin individual të gjyqtarëve në Shqipëri i SEJ të hartuar nga prof. dr.AnneSanders, viti 2015, fq. 21.
8. Për hartimin e Ligjit për Statusin, dhe konkretisht për dispozitat mbi vlerësimin e magjistratëve, ligjvënësi ka pasur parasysh Opinionin Konsultativ të Këshillit të Gjyqtarëve EuropianëCCJE nr. 17 (2014), Mbi Vlerësimin e Punës së Gjyqtarëve, Cilësinë e Drejtësisë dhe Respektin për Pavarësinë e Gjyqësorit
9. Opinioni i CCJE-së nr. 17 (2014), “Mbi vlerësimin e punës së gjyqtarëve, cilësinë e drejtësisë, dhe respektin për pavarësinë e gjyqësorit” (version në gjuhën angleze https://rm.coe.int/16807481ea,vizituar për herë të fundit në datën 23.8.2019).
10. Standards for the Evaluation and Irremovability of Judges, https://www.encj.eu/node/256 (vizituar për herë të fundit në datën 28 maj 2020).
11. European Network of Councils for the Judiciary, Reporton Minimum standards regarding evaluation of professional performance and irremovability of members of the judiciary 2012-2013. Raporti i aksesueshëm në këtë link: https://www.encj.eu/images/stories/pdf/ëorkinggroups/final_report_encj_project_minimum_standards_iii_corrected_july_2014.pdf
- Relacioni për projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
- Analizë e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, qershor 2015, hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë.
Ligji:
- Ligji nr. 842/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, kreu III, “Procedura e vlerësimit”, nenet77; 84; 85; 90; 91; 93.
- Raporti i Këshillit të Lartë Gjyqësor, mbi gjendjen e sistemit gjyqësor dhe veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor për vitin 2018.
- Vendiminr. 263, datë 21.11.2019,“Për miratimin e rregullave plotësuese të vlerësimit të gjyqtarëve”, iKëshillit të Lartë Gjyqësor.