1"Nëpunësi i shërbimit civil gjyqësor merr emërimin paraprak në shërbimin civil gjyqësor me kusht që vendimi i emërimit të mos cenohet nga një vendim gjyqësor."
2"Në rast se nuk bëhet ankim brenda afatit kundër vendimit të organit kompetent për emërimin e nëpunësve të shërbimit civil gjyqësor, vendimi bëhet përfundimtar dhe emërimi konsiderohet përfundimtar që nga data e mbarimit të afatit të ankimit ndaj këtij vendimi."
3Në rast se bëhet ankim dhe vendimi gjyqësor përfundimtar lë në fuqi vendimin e emërimit, emërimi konsiderohet përfundimtar, duke filluar nga dita e njoftimit të vendimit gjyqësor te nëpunësi civil gjyqësor i emëruar.
4Në rast se gjykata e cenon vendimin e emërimit, organi kompetent përkatës rivlerëson sipas rregullave të vlerësimit të gjitha kërkesat e kandidatëve në përputhje me këtë ligj dhe merr një vendim të ri pas dhënies së vendimit përfundimtar të gjykatës. Emërimi paraprak konsiderohet i përfunduar në datën e vendimit të organit kompetent, i cili rishikon vendimin e emërimit, duke pasur parasysh vendimin përfundimtar të gjykatës. Kandidatët e emëruar paraprakisht dhe të sapoemëruar njoftohen në datën e dhënies së vendimit.
5Viti i parë i shërbimit gjatë periudhës së emërimit paraprak konsiderohet si periudhë prove, sipas nenit 62 të këtij ligji.
6Këshilli i Gjykatës njofton pa vonesë Këshillin e Lartë Gjyqësor mbi rezultatin e procesit të pranimit, duke përfshirë ankimet e bëra dhe çdo vendim gjyqësor përfundimtar.
7"Në rast se organi kompetent vendos të ndërpresë marrëdhënien e punës për nëpunësin civil gjyqësor të emëruar paraprakisht, gjatë periudhës së provës, sipas nenit 62, të këtij ligji, ai njofton kandidatët e tjerë që kanë paraqitur kërkesë për vendin përkatës. Këta kandidatë mund të mbështesin kërkesën e tyre edhe në rastin kur ka mbaruar afati i listës së kandidatëve në të cilën ata janë përfshirë. Në rastet kur kandidatët kanë paraqitur ankim, ky ankim konsiderohet i tërhequr. Organi kompetent fton të gjithë kandidatët e tjerë nga lista përkatëse e kandidatëve për të paraqitur kërkesë për kandidim për vendin përkatës."