1Të punësuarit në detyrë në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda duhet të plotësojnë kushtet e sigurimit, të caktuara me ligj të veçantë, përfshirë dhënien e pëlqimit për kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare dhe të telekomunikimeve vetjake dhe për familjarët e afërm të tyre. Ndaj tyre zbatohen parashikimet e neneve 85 dhe 87 të këtij ligji.
2Këshillat e gjykatave për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar krijohen brenda dy javëve pas krijimit të gjykatave për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Këshillat e gjykatave për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar konfirmojnë të punësuarit në detyrë nëpërmjet një vendimi të shkruar, sipas parashikimeve të nenit 85, të këtij ligji, nëse i punësuari në detyrë në gjykatë, si dhe familjarët e afërm të tij, japin pëlqimin për kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare dhe të telekomunikimeve vetjake, brenda dy javëve nga krijimi i gjykatave të posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
3Në rastet kur i punësuari ose nëpunësi civil në detyrë nuk konfirmohet nga Këshilli i Gjykatës, bazuar në arsye të përcaktuara në pikën 2, të këtij neni, atëherë dosja e punonjësit të gjykatës i përcillet Këshillit të Lartë Gjyqësor, me qëllim vlerësimin e mundësive ekzistuese nga Këshilli i Lartë Gjyqësor për sistemimin në një pozicion të lirë në një tjetër gjykatë, zyrë prokurorie, Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë ose në Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, në përputhje me kriteret ligjore dhe profesionale të pozicionit të punës, dhe vetëm nëse nuk ka arsye për përfundimin e marrëdhënieve të punës.
4Parashikimet e këtij neni nuk janë në kundërshtim me zbatimin e parashikimeve të nenit 88 të këtij ligji.