KODI I PROCEDURËS PENALE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË   |   7905

Neni 201-a: Marrja me detyrim e kampionëve biologjikë ose kryerja e procedurave mjekësore të detyruara

1Marrja me detyrim e kampionëve biologjikë nga i pandehuri ose persona të tjerë, apo kryerja e një procedure mjekësore të detyruar bëhet vetëm në përputhje me parashikimet e këtij neni.

2Prokurori, pasi merr pëlqimin e të pandehurit ose personave të tjerë, mund të kërkojë marrjen e kampionëve, me qëllim përcaktimin e profilit të AND-së. I njëjti parashikim zbatohet edhe për kryerjen e procedurës mjekësore.

3Pëlqimi i personit jepet me shkrim. Personi të cilit i merret kampioni ose i cili do i nënshtrohet procedurës mjekësore, nënshkruan përpara prokurorit një deklaratë, nëpërmjet së cilës jep pëlqimin dhe konfirmon se është njoftuar në lidhje me arsyen e marrjes së kampionëve biologjikë ose kryerjes së procedurës mjekësore.

4Për personin e mitur pëlqimin e jepprindi ose kujdestari ligjor.

5Mbi bazën e kërkesës së prokurorit, gjykata mund të vendosë që marrja e kampionëve biologjikë ose procedura mjekësore të kryhet pa pëlqimin e personit, kur është e nevojshme dhe duke kufizuar lirinë e tij, nëse nuk dëmtohet shëndeti i tij dhe nëse është e domosdoshme për të provuar faktet në procedim. Nuk mund të kryhen procedura mjekësore që vënë në rrezik jetën e personit, integritetin fizik ose shëndetin e tij, që mund të dëmtojnë fëmijën e palindur ose që sipas protokolleve mjekësore, mund të shkaktojnë vuajtje të papërligjura.

6Vendimi i gjykatës mbi marrjen e kampionit biologjik ose procedurën mjekësore duhet të përmbajë:

a të dhënat personale të personit që i nënshtrohet marrjes së kampionit biologjik ose procedurës mjekësore ose informacionin e nevojshëm për identifikim;

bveprën penale për të cilën ka nisur procedimi dhe një përshkrim të përmbledhur të fakteve përkatëse;

cnjë përshkrim të detajuar të llojit të kampionit biologjik që do të merret ose të procedurës mjekësore që do të kryhet, si edhe arsyet përse prova nuk mund të merret në mënyrë tjetër;

çtë drejtën e personit që i nënshtrohet marrjes së kampionit biologjik ose procedurës tjetër mjekësore të ndihmohet nga një mbrojtës ose një person i besuar;

dvendin, datën, kohën dhe mënyrën e saktë të marrjes së kampionit biologjik ose kryerjes së procedurës tjetër mjekësore.

dhnjoftimin që personi që i nënshtrohet marrjes së kampionit biologjik ose procedurës tjetër mjekësore është i detyruar të paraqitet dhe paralajmërimin për shoqërim të detyrueshëm nëse nuk paraqitet pa shkaqe të ligjshme;

enëse i pandehuri ose personi ka dhënë pëlqimin për marrjen e kampionit biologjik ose procedurës mjekësore, prokurori e bashkëngjit pëlqimin me shkrim në dosje.

7Të paktën tre ditë përpara marrjes së kampionit biologjik ose kryerjes së procedurës mjekësore, vendimi i parashikuar në paragrafin 5, të këtij neni, i njoftohet personit përkatës.

8Kur personi që i nënshtrohet marrjes së kampionit biologjik ose procedurës mjekësore është i pandehuri ose viktima, vendimi i njoftohet të pandehurit, avokatit mbrojtës dhe viktimës. Në rast se personi nuk është i pandehuri apo viktima, vendimi i njoftohet personit, të pandehurit, viktimës dhe avokatit të tij. Në rastin e të miturit, vendimi u njoftohet prindërve ose kujdestarit të tij ligjor.

9Në rast se personi që i nënshtohet procedurave të mësipërme nuk paraqitet në vendin e caktuar pa arsye të ligjshme, prokurori menjëherë mund t’i kërkojë gjykatës të urdhërojë shoqërimin e tij të detyrueshëm dhe të vendosë marrjen e kampionit ose kryerjen e procedurës mjekësore. Policia gjyqësore ekzekuton urdhrin e gjykatës.

10Në raste të ngutshme, kur ka arsye për të besuar se vonesa mund të shkaktojë humbjen ose dëmtimin e vërtetësisë së provës, vendimi merret nga prokurori, i cili mund të urdhërojë shoqërimin e detyrueshëm të personit.

11Brenda 48 orëve nga kryerja e veprimit, prokurori i kërkon gjykatës vleftësimin e urdhrave të nxjerrë sipas paragrafit 9 të këtij neni. Gjykata vleftëson veprimet e prokurorit, brenda 48 orëve, duke njoftuar prokurorin dhe mbrojtësin.

12Kur kampioni biologjik ose procedura mjekësore merret ose kryhet tek i dyshuari ose i pandehuri, prania e mbrojtësit është e detyrueshme.

13Në rast të marrjes së kampionit biologjik ose kryerjes së procedurës mjekësore mbi të miturin, prania e prindit, kujdestarit ligjor ose e një personi të besuar prej tij është e detyrueshme.

14Rezultatet e analizave të kampionëve biologjikë ose procedurës mjekësore të marrë në shkelje të parashikimeve të këtij neni janë të papërdorshme.

Përmbajtja

      1. Neni 201/a i Kodit të Procedurës Penale është është një dispozitë e re që parashikon rregulla në rast se autoriteti gjyqësor vendos të kryejë në mënyrë detyruese marrjen e mostrave biologjike ose procedura të tjera mjekësore, të cilat janë të nevojshme për qëllime hetimi ose për të marrë prova gjatë gjykimit. Dispozita, në mënyrën se si është formuluar, reflekton praktikat më të mira të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.[1] Gjithashtu, qëllimi i kësaj dispozite është edhe permbushja e detyrimeve që rrjedhin nga KEDNJ dhe Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.

       

      [1] Shiko Kodin e Procedurës Penale, Kroacia

      1. Neni 201/a ka parashikuar në mënyrë të detajuar këqyrjen e personit me qëllim marrjen e kampionëve biologjikë ose kryerjen e procedurave mjekësore të detyruara, si dhe veprimet e zhvilluara me të miturit në këto procedura. Dispozita, neni 201/a, është e përbërë nga 14 (katërmbëdhjetë) paragrafë. Ligjvënësi ka përdorur një teknikë legjislative të tillë duke preferuar të rregullojë në mënyrë të detajuar atë c’ka lidhet me qëllimin e kësaj dispozite.[1] Në vetvete dispozita përmban sa rregulla procedurale, që lidhen me parashikimin në mënyrë të detajuar të procedurës që duhet të ndjekin organet kompetente për marrjen e mostrave biologjike ose të procedurave mjekësore, po aq edhe materiale, që lidhen me parashikimin e parimeve ku duhet të mbështeten organet kompetente gjatë zbatimit të urdhërimeve të kësaj dispozite.

       

      [1] Shiko pikën “A qëllimi” më sipër

      1. Paragrafi 1 i nenit 201/ a të Kodit të Procedurës Penale ka të parashikuar një element shumë të rëndësishëm që ka të bëjë me faktin se ligjvënësi synon të disiplinojë procedurën e marrjes me detyrim të kampionëve biologjikë nga i pandehuri ose persona të tjerë, apo kryerjen e një procedure mjekësore të detyruar, vetëm në përputhje me parashikimet e këtij neni.

       

      1. Paragrafi i dytë parashikon kërkesën e prokurorit për marrjen e mostrës apo kryerjen e procedurës mjekësore mbi të pandehurin ose person tjetër me pëlqimin e këtij personi. Ky nen nuk liston mostrat që mund të merren (megjithatë ato në praktikë janë flokët, lëkura, qelizat në pjesën e brendshme të gojës, pështyma, gjaku, sperma dhe urina) dhe gjithashtu parashikon se këto mostra mund të merren për qëllim të përcaktimit të profilit të ADN-së apo për të krahasuar gjurmët e gjetura me profilin e ADN-së së marrë. Më tej, ky paragraf parashikon që miratimi me shkrim i personit nga i cili është marrë mostra e ADN-së, nënshkruhet para prokurorit që ka urdhëruar atë. Arsyeja për këtë është, se mostra zakonisht merret gjatë hetimit dhe me urdhër (kërkesë) të prokurorit. Pëlqimi me shkrim është parashikuar me qëllim për të shmangur keqpërdorimin e pëlqimit të dhënë nga i pandehuri ose personi i tretë.

       

      1. Paragrafi i tretë parashikon dhënien e pëlqimit me shkrim nga ana e personit të cili do t’i merret kampioni që do t’i nënshtrohet procedurës mjekësore. Personi, të cilit i merret kampioni ose i cili do i nënshtrohet procedurës mjekësore, nënshkruan përpara prokurorit një deklaratë, nëpërmjet së cilës jep pëlqimin dhe konfirmon se është njoftuar në lidhje me arsyen e marrjes së kampionëve biologjikë ose kryerjes së procedurës mjekësore.

       

      1. Me nënshkrimin e deklaratës përpara prokurorit, ligjvënësi synon të rregullojë një aspekt të rëndësishëm të kësaj procedure, atë që ka lidhje me eleminimin e abuzimeve të mundshme gjatë zbatimit të saj. Përvec kësaj, gjithashtu, ligjvënësi synon të vërë edhe prokurorin në një pozicion aktiv në lidhje me përmbajtjen e deklaratës duke e detyruar ligjërisht atë t’i bëjë të ditur personit përkatës arsyen e marrjes së kampionëve biologjikë ose kryerjes së procedurës mjekësore.

       

      1. Paragrafi i katërt i këtij neni parashikon mundësinë e marrjes së mostrës apo kryerjen e procedurës mjekësore në rast se personi është i mitur. Në këtë rast, pëlqimin e japin prindërit ose kujdestari ligjor. Qëllimi i këtij rregullimi ka të bëjë me faktin se organet kompetente në çdo vendim dhe veprimtari duhet të vlerësojnë me përparësi interesin më të lartë të të miturit në mbështetje edhe të parashikimeve të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur.

       

      1. Paragrafi i pestë i nenit 201/a i Kodit të Procedurës Penale parashikon rastin kur personi nuk ka dhënë pëlqimin për marrjen e kampionëve biologjikë ose procedurën mjekësore. Pra, në qoftë se nuk jepet pëlqimi, një procedurë e tillë mund të kryhet me kërkesën e prokurorit dhe me urdhër të gjykatës. Është e rëndësishme të theksohet se dispozita parashikon kushte të përdorimit të kësaj procedure. Së pari duhet që një procedurë e tillë të zbatohet vetëm në rast se çmohet e nevojshme dhe duke kufizuar lirinë e personit; së dyti, nëse nuk dëmtohet shëndeti i tij dhe së treti, nëse është e domosdoshme për të provuar faktet në procedim. Pra, zbatimi i një procedure të tillë do të duhet të bëhet vetëm pasi prokurori dhe gjykata të kenë vlerësuar në mënyrë objektive si nevojën, si vlerësimin se aplikimi i kësaj procedure nuk do të cënojë shëndetin e personit ashtu edhe vlerësimin nëse një veprim i tillë çmohet se është i domosdoshëm për të provuar faktet në procedim.

       

      1. Paragrafi i pestë i nenit 201/a të Kodit të Procedurës Penale parashikon shprehimisht edhe rastet se kur nuk mund të kryhet procedura mjekësore duke i lidhur ndalimet me rrezikun për jetën e personit, me integritetin fizik ose shëndetin e tij, apo që mund të dëmtojnë fëmijën e palindur ose që sipas protokolleve mjekësore, mund të shkaktojnë vuajtje të pa përligjura. Këto parashikime janë garancitë e ligjit procedural penal në lidhje me liritë personale, të drejtën për jetën garantuar nga neni 21 dhe 25 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe integriteti fizik; të drejta këto të garantuara edhe nga nenet 3, 6 dhe 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.[1]

       

      1. Paragrafi i gjashtë i nenit 201/a të Kodit të procedurës Penale parashikon në mënyrë të detajuar se cfare duhet të përmbajë vendimi i gjykatës për marrjen e kampionit biologjik ose procedurën mjekësore. Ky parashikim përmbush detyrimet që rrjedhin nga jurisprudenca e GJEDNJ-së në lidhje me ligjshmërinë e kufizimit të të drejtës së jetës private.[2]

       

      1. Paragrafi i shtatë i nenit 201/a të Kodit të Procedurës Penale siguron që të paktën 3 ditë para se të merret mostra, të njoftohet personi përkatës objekt i marrjes së mostrës apo procedurës mjekësore dhe personat e tjerë të lidhur me të. Njoftimi në kohë (3 ditë para) i personit tregon sërish kujdesjen e ligjvënësit ndaj personit që do t’i merret mostra apo që do t’i nënshtrohet procedurës mjekësore, që të njoftohet dhe të jetë i përgatitur për përmbushjen e urdhërimeve të gjykatës në vendimin e saj.

       

      1. Paragrafi i tetë i nenit 201/a të Kodit të Procedurës Penale parashikon rregulla në lidhje me njoftimin e vendimit kur personi që i nënshtohet marrjes së kampionit biologjik ose procedurës mjekësore është i pandehuri ose viktima. Në këtë rast njoftimi i vendimit i bëhet të pandehurit, avokatit mbrojtës dhe viktimës. Gjithashtu kjo dispozitë kujdeset edhe për rastin kur personi nuk është i pandehuri apo viktima. Në këtë rast vendimi i njoftohet personit, të pandehurit, viktimës dhe avokatit të tij. Gjithashtu dispozita kujdeset edhe për rastin e të miturit, për të cilët njoftimi i vendimit duhet t’u u njoftohet prindërve ose kujdestarit të tij ligjor. Parashikimi në këtë dispozitë në lidhje me njoftimin e mbrojtesit është një garanci më tepër. Mbrojtësi mund të mbikëqyrë procesin dhe nëse është e nevojshme të bëjë kundërshtimet e nevojshme në bazë të ligjit.[3]

       

      1. Paragrafi i nëntë i këtij neni parashikon paraqitjen me detyrim për personat të cilët janë objekt i marrjes së mostrës ose procedurës detyruese mjekësore të përcaktuar me vendim të gjykatës, të cilët nuk paraqiten në vendin e caktuar pa arsye të ligjshme për t’u marrë këto mostra. Dispozita parashikon edhe aspektin procedural të këtij momenti duke parashikuar detyrimin për prokurorin që menjëherë të mund t’i kërkojë gjykatës të urdhërojë shoqërimin e tij të detyrueshëm dhe të vendosë marrjen e kampionit ose kryerjen e procedurës mjekësore. Ekzekutimi i urdhrit të gjykatës bëhet nga ana e Policisë Gjyqësore. Megjithëse dispozita në vetëvete nuk përmban të parashikuar të drejtën e ankimit themi se në rastet kur i interesuari apo avokati i tij mbrojtës konstaton se ka shkelje të urdhërimeve të dispozitave të këtij neni atëherë vlejnë rregullat e përgjithshme të ankimimit në lidhje me aktet e prodhuara në shkelje të ligjit dhe që kanë lidhje me parashikimet e nenit 129, paragrafi i tretë i Kodit të Procedurës Penale.

       

      1. Paragrafi 10 i këtij neni ka për qëllim sigurimin e marrjes së mostrës në rast se ka një arsye për të besuar se informacioni që kërkohet mund të humbasë ose mund të humbasë vlerën. Në raste të tilla, marrja e mostrës do të kryhet pa vendim të gjykatës dhe vetëm me urdhër të prokurorit. Në këto raste, prokurori i kërkon gjykatës të vleftësojë urdhrin e dhënë brenda 48 orëve, dhe kjo në përputhje me parashikimet e paragrafit 11 të nenit 201/a të Kodit të Procedurës Penale. Qëllimi i këtij vleftësimi është shmangia e çdo keqpërdorimi të mostrës të marrë. Procedura mjekësore nuk është lënë jashtë në këto raste për të shmangur mundësinë që, për shembull droga e gëlltitur të absorbohet apo të humbasë në mënyra të ndryshme. Janë parashikuar afatet për gjykatën për të vendosur lidhur me kërkesën e prokurorit, brenda 48 orësh, pasi marrja e mostrës së ADN-së apo procedura mjekësore është një çështje delikate.

       

      1. Paragrafi 12 i këtij neni parashikon rregullat që duhet të ndiqen në rast të marrjes së mostrës ose procedurës mjekësore tek i dyshuari ose i pandehuri. Është parashikuar prania e detyrueshme e avokatit mbrojtës. Prania e detyrueshme e avokatit mbrojtes është një garanci më shumë që vendimi i gjykatës të zbatohet në përputhje të plotë me urdhërimet e saj.[4]

       

      1. Paragrafi 14 i këtij neni rregullon rastet kur marrja e mostrës dhe rezultatet e analizave janë të pavlefshme e për rrjedhojë të papërdorshme. Papërdorshmëria e tyre lidhet posacërisht me respektimin me rigororizitet të kushteve dhe procedurave të parashikuara në tërësi në neni 201/a të Kodit të Procedurës Penale. Parashikimi i paragrafit të fundit të nenit 210/a lidhet ngushtësiht me parashimin e paragrafit të parë të tij ku është parashikuar se marrja me detyrim e kampionëve biologjikë nga i pandehuri ose persona të tjerë, apo kryerja e një procedure mjekësore të detyruar behet vetëm në përputhje me parashikimet e këtij neni.

       

      [1] Shih rubrikën “Vendime të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.

      [2] Ibid.

      [3] Shih paragrafin 13 më poshtë.

      [4] Shih paragrafin 13 më sipër.

      1. Dokumentin Strategjia e Reformës në Sistemin e Drejtësisë, miratuar me vendimin nr.15, datë 30.07.2015 të Komisionit të Posaçëm, ndër objektivat e parashikuara në fushën e drejtësisë penale janë: (1) Rritja e efiçiencës dhe efektivitetit të drejtësisë penale nëpërmjet konsolidimit të misionit dhe funksioneve të prokurorisë, si dhe përmes riorganizimit të strukturave të saj dhe rishpërndarjes së përgjegjësive mes tyre (2) Forcimi i garancive procedurale në fazën e hetimeve paraprake dhe gjatë gjykimit në shkallë të parë dhe në apel; (3) Forcimi dhe përmirësimi i statusit dhe pozitës juridike të viktimës në procesin penal. Këto objektiva u konkretizuan në Planin e Veprimit për zhvillimin e strategjisë, duke përcaktuar rishikimin e Kodit të Procedurës Penale edhe në pjesën e mjeteve të kërkimit të provës.

       

      1. Këqyrja si mjet i kërkimit të provës ka shfaqur problematikë sa i takon mënyrës së zhvillimit të saj dhe marrjes së provave veçanërisht në rastet e këqyrjes së personave, në raport me të drejtat dhe liritë e tyre personale. Arsyeja ligjore për parashikimet e kësaj dispozite lidhen me faktin se neni 199 i Kodit të Procedurës Penale (i vjetër), paragrafi katërt, parashikonte në mënyrë fragmentare dhe të paqartë që, kur është e nevojshme, për konstatimin e fakteve që kanë rëndësi për cështjen, lejohet marrja e gjakut dhe ndërhyrje të tjera trupore, edhe pa vullnetin e personit nëse nuk ka rrezik për shëndetin. Paqartësia e këtij parashikimi për të vendosur mbi një cështje kaq të ndjeshme si ajo që lidhet me procedurat mjekësore, mund të ndikojë në liritë themelore si liria personale, e drejta për jetën dhe integriteti fizik. Dispozita e vjetër, në mënyrën se si ishte shkruar nuk garantonte të drejtat dhe garancitë që duhet të ofronte zbatimi i kësaj dispozite, të parashikuara në Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, si në raport me organin që procedon ashtu edhe në raport me individin.
    • Asnjë koment
  • Vendime të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut 

    1. Çështjet e trajtuara më sipër nga parashikimet e nenit 201/a të K.Pr.Penale kanë marrë edhe vëmëndjen e GJEDNJ-së në një sërë rastesh, ku vihet re përputhshmëria e këtij neni me jurisprudence e kësaj Gjykate. Kështu, GJEDNJ është shprehur se për sa i përket ndërhyrjeve mjekësore të cilave një person i ndaluar u nënshtrohet kundër vullnetit të tij apo të saj, neni 3 i Konventës vendos një detyrim mbi shtetin për të mbrojtur mirëqenien fizike të personave të privuar nga liria, për shembull, duke u ofruar atyre ndihmën e nevojshme mjekësore. Prapë se prapë, personat në fjalë mbeten nën mbrojtjen e nenit 3 të Konventës, kërkesat e të cilit nuk lejojnë përjashtime (Jalloh).[1] Thelbi i kësaj cështjeje ka të bëjë më faktin që procedurat mjekësore që vënë në rrezik shëndetin e të pandehurit mund të trajtohen si trajtim çnjerëzor dhe degradues e për rrjedhojë provat e marra në shkelje të tyre janë në kundërshtim me nenin 6 të KEDNJ (privilegjin kundër vetë-inkriminimit). Sa më sipër është në përputhje me parashikimet e nenit 25 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë ku parashikohet se askush nuk mund t’i nënshtrohet torturës, dënimit apo trajtimit mizor, çnjerëzor poshtërues. Gjithashtu, sa më sipër gjen reflektim edhe në parashikimet e nenit 32, paragrafi i parë i Kushtetutës ku theksohet se akush nuk mund të detyrohet të dëshmojë kundër vetvetes ose familjes së vet dhe as të pohojë fajësinë e tij.

     

    1. GJEDNJ nëpërmjet jurisprudencës së saj ka përcaktuar kriteret e pergjithshme qe duhet te plotesoje legjislacioni vendas në mënyrë që ndërhyrja në jetën private të jetë në përputhje me ligjin (in accordance with the law). Dy kriteret e përgjithshme janë aksesi në ligj dhe parshikueshmëria e ligjit (accessibility and foreseeability). Sipas GJEDNJ-së, ligji duhet të jetë mjaft i qartë në termat e tij për t'i dhënë qytetarëve treguesë të përshtatshëm për rrethanat dhe kushtet në të cilat autoritetet publike janë të autorizuar të përdorin këtë ndërhyrje potencialisht të rrezikshme në të drejtën për respektimin e jetës private dhe integritetit fizik. Teknika legjislative e përdorur në shkrimin e dispozitave të nenit 201/a të Kodit të Procedurës Penale, detajimi i tyre, është në linjë me cfarë është vlerësuar nga ana e GJEDNJ-së (Kruslin) [2].

     

    1. Më tej, shprehja "në përputhje me ligjin", në kuptim të nenit 8 § 2 të KEDNJ kërkon së pari që masa e kundërshtuar duhet të ketë disa baza në të drejtën vendase; ai gjithashtu i referohet cilësisë së ligjit në fjalë, duke kërkuar që ai të jetë i arritshëm për personin në fjalë, i cili duhet të jetë i aftë të parashikojë pasojat e tij për të dhe në përputhje me sundimin e ligjit (Huvig)[3].

     

    1. Edhe kur nuk është i motivuar nga arsyet e nevojës mjekësore, nenet 3 dhe 8 të Konventës, si të tilla, nuk e ndalojnë rekursin ndaj një procedure mjekësore në kundërshtim me vullnetin e një të dyshuari, për të marrë prej tij prova të përfshirjes së tij në kryerjen e një vepre penale. Kështu, institucionet e Konventës kanë parë në disa raste se marrja e mostrave të gjakut apo pështymës kundër vullnetit të të dyshuarit me qëllim për të hetuar një vepër penale nuk ka sjellë shkelje të këtyre neneve në rrethanat e rasteve të shqyrtuara prej tyre.[4]

     

    1. Megjithatë, çdo rekurs ndaj një ndërhyrjeje të detyrueshme mjekësore për të marrë prova për një krim duhet të justifikohet në mënyrë bindëse mbi faktet e një rasti të veçantë. Kjo është veçanërisht e vërtetë, kur procedura ka për qëllim të marrë nga brenda trupit të individit provën e vërtetë të krimit për të cilin ai dyshohet. Natyra veçanërisht e bezdisshme e një akti të tillë kërkon një shqyrtim të rreptë të të gjitha rrethanave përreth. Në lidhje me këtë, duhet patur parasysh rëndësia e veprës penale në fjalë. Gjithashtu, autoritetet duhet të demonstrojnë se kanë marrë në konsideratë edhe metodat alternative të mbledhjes së provave. Për më tepër, procedura nuk duhet të passjellë ndonjë rrezik të ndonjë dëmtimi të qëndrueshëm për shëndetin e një të dyshuari[5].

     

    1. Për më tepër, mënyra në të cilën një person i nënshtrohet një procedure mjekësore të detyrueshme për të marrë prova nga trupi i tij nuk duhet të tejkalojë nivelin minimal të ashpërsisë të parashikuar nga jurisprudenca e Gjykatës për nenin 3 të Konventës. Në veçanti, duhet të merret parasysh nëse personi në fjalë ka përjetuar dhimbje ose vuajtje të rëndë fizike si rezultat i ndërhyrjes së dhunshme mjekësore (Peters kundër Holandës, nr 21132/93, vendimi i Komisionit i 6 prillit 1994; Nevmerzhitsky, cituar më lart, §§ 94, 97)[6]. Në raste të tilla, një konsideratë tjetër substanciale është nëse procedura e detyrueshme mjekësore urdhërohet dhe administrohet nga mjekët dhe nëse personi në fjalë është vënë nën mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore (Ilijkov).

     

    [1] Jalloh k.Gjermanisë, 11.07.2006, Nr. i aplikimit 54810/00, para. 69.

     

    [2] Kruslin k. Francës, datë 24 prill 1990, aplikimi nr. 11801/85), faqe 19, pika 2. "Quality of the laë", para. 26, 27, 30 dhe 33.

    [3] Shih Huvig k. Francës, datë 24 prill 1990, aplikimi nr. 11105/84, shkronja A, "In accordance ëith the laë", para. 26. Po aty:“Përgjimi dhe format e tjera të përgjimit të bisedave telefonike paraqesin një ndërhyrje serioze në jetën private dhe korrespondencën dhe duhet të bazohet në një "ligj" që është veçanërisht i saktë. Është thelbësore që të ketë rregulla të qarta dhe të hollësishme mbi këtë temë, veçanërisht për faktin se  teknologjia në dispozicion që përdoret vazhdimisht bëhet më e sofistikuar. Para. 32

    [4] Shih http://www.echr.coe.int/Documents/Research_report_bioethics_ENG.pdf, faqe 42/114, para. 70

    [5] Shih, mutatis mutandis, Nevmerzhitsky k. Ukrainës, cituar më lart

    [6] Shih, https://www.coe.int/t/dg3/healthbioethic/texts_and_documents/Bioethics_and_the_case-laë_of_the_Court.pdf, faqe 23, para. 72.

  • ANALIZË E SISTEMIT TË DREJTËSISË NË SHQIPËRI Qershor, 2015

  • K. Pr. Penale: Neni 199;

    Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë: Nenet 21 dhe 25;

    Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut: Nenet 3, 6 dhe 8

  • Asnjë koment
  • Vendime të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut

    Ilijkov v. Bullgarisë, datë 26 korrik 2001, aplikimi nr. 33977/96

    Jalloh k. Gjermanisë, 11.07.2006, aplikimi nr. 54810/00

    Nevmerzhitsky k. Ukrainës, datë 5 04.2005, aplikimi nr. 54825/00

    Kruslin k. Francës, datë 24 prill 1990, plikimi nr. 11801/85

    Huvig k. Francës, datë 24 prill 1990, aplikimi nr. 11105/84

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
Idlir Peçi
Idlir Peçi, Koraljka Bumči