KODI I PROCEDURËS PENALE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË   |   7905

Neni 201-b: Asgjësimi i kampionëve biologjikë

1Kampionët biologjikë ruhen për aq kohë sa i shërbejnë qëllimeve të procedimit. Asgjësimi i tyre bëhet në përputhje me rregullat e këtij Kodi.

2Në rastet kur i pandehuri deklarohet i pafajshëm, me vendim të formës së prerë, gjykata urdhëron asgjësimin e kampionëve biologjikë të marra prej tij.

3Brenda 60 ditëve nga vendimi i pafajësisë, prokurori, viktima ose përfaqësuesi ligjor i viktimës mund t’i kërkojë gjykatës që të urdhërojë ruajtjen e kampionëve biologjikë të marranga persona të tjerë, të ndryshëm nga i pandehuri, nëse kampionët duhet të përdoren në një procedim penal tjetër. Në të kundërt gjykata urdhëron asgjësimin.

4Kur i pandehuri deklarohet fajtor, kampionët biologjikë të marra prej tij ruhen për 20 vjet nga dita që vendimi merr formë të prerë.

5Gjykata mund të urdhërojë ruajtjen e kampionëve deri në 40 vjet kur i pandehuri është deklaruar fajtor për një vepër për të cilën në Kodin Penal parashikohet një dënim me burgim jo më pak se 10 vjet në maksimum.

6Profilet e ADN-së të kampionëve që janë marrë në vendin e ngjarjes dhe që nuk i atribuohen një personi të caktuar mbahen deri në plotësimin e afateve të parashkrimit të ndjekjes penale.

7Në rast se marrja e kampionëve kryhet në kundërshtim me dispozitat e këtij kodi, organi procedues urdhëron shkatërrimin e tyre.

8Mënyra e ruajtjes së kampionëve, procedura dhe organi kompetent për asgjësimin e tyre, parashikohen me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike dhe ministrit përgjegjës për shëndetësinë.

Përmbajtja

      1. Neni 201/b i Kodit të Procedurës Penale është një dispozitë e re e shtuar pas nenit 201/a. Qëllimi i këtij neni është të sigurojë procedurën e shkatërrimit të kampionëve biologjike që janë marrë në përputhje me parashikimet e nenit 201/a të Kodit të Procedurës Penale. Çmohet e domosdoshme që një rregullim i tillë të garantohet nga Kodi i Procedurës Penale, sepse Shqipëria nuk ka një ligj të veçantë që siguron ruajtjen dhe shkatërrimin e kampionëve biologjikë të marrë dhe së dyti kampionët biologjikë janë shumë personale dhe ndërhyjnë në mënyrën se si janë garantuar liritë personale dhe të dhënat personale. Dispozitat e nenit 201/b garantojnë mbrojtjen e të dhënave personale të lidhura me kampionët biologjikë (apo që rrjedhin nga kampionët biologjikë). Neni 201/b është në përputhje me parashikimet e neneve 15-21 dhe nenin 32 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Gjithashtu, parashikimet e neni 201/b të K.Pr.Penale janë në përputhje edhe me parashikimet e ligjit Nr. 9887, datë 10.03.2008, (i ndryshuar) “Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”[1].

       

      [1] Ndryshuar me ligjin Nr. 48/2012, dhe me ligjin nr.120/2014

      1. Neni 201/b i Kodit të Procedurës Penale parashikon kohën e ruajtjes së kampionëve biologjikë dhe detyrimin që asgjesimi i tyre të bëhet në pëputhje me parashikimet e Kodit të Proçedurës Penale si dhe procedurat që duhet të ndjekin organet shtetërore për këtë qëllim në rastin kur i pandehuri deklarohet i pafajshëm me vendim të formës së prerë, ashtu edhe kur i pandehuri deklarohet fajtor. Dispozitat e nenit 201/b parashikojnë rregulla edhe në lidhje me profilet e ADN-së të kampionëve që janë marrë në vendin e ngjarjes dhe që nuk i atribuohen një personi të caktuar.
      1. Nëpërmjet parashikimeve të paragrafit 1 të nenit 201/ b të Kodit të Procedurës Penale, ligjvënësi synon të disiplinojë dy elementë shumë të rëndësishëm. Synohet të përcaktohet qartë koha e ruajtjes së kampionëve biologjikë, duke e lidhur këtë të fundit me kohën që këta kampionë biologjikë i shërbejnë qëllimeve të procedimit dhe së dyti, rregullin e përgjithshëm që asgjësimi i tyre duhet të bëhet në përputhje me rregullat e Kodit. Kjo edhe me qëllimin për të shmagur abuzimet e mundshme në këtë drejtim. Ligjvënësi në këtë paragraf përdor termat “… i shërbejnë qëllimeve të procedimit” në lidhje me kampionët biologjikë. Qëllimi në këtë rast ka të bëjë më faktin se ruajtja e kampionëve biologjikë të marrë në përputhje me parashikimet e ligjit do të duhet të bëhet për aq kohë sa zgjat edhe procedimi penal. Një procedim penal, si rregull, përfundon me një vendim fajësie ose pafajësie për të pandehurin. Në vijim të procedimit penal, deri në Gjykatën e Apelit, palët, mbrojtësi apo i pandehuri mund të paraqesin prova të reja apo mund të kërkojnë riekspertim të kampionëve biologjikë të marrë, riekspertim i cili mund të ndikojë objektivisht në themelin e çështjes. Në këto kushte është e çmuar nga ligjvënësi që të parashikojë një lidhje logjike të kohëzgjatjes së ruajtjes së kampionëve biologjikë me nevojën që procedimi penal ka për këta kampionë. Në rast se asgjësimi i mostrave biologjike nuk bëhet në përputhje me parashikimet e Kodit të Procedurës Penale, atëherë ky është element që lidhet me pavlefshmërinë e akteve respektive të parashikuar në nenet 128 dhe 129 të Kodit të Procedurës Penale.

       

      1. Paragrafi i dytë i këtij neni parashikon që mostrat që merren nga i pandehuri duhet të shkatërrohen në rast se ai është shpallur i pafajshëm me vendim të formës së prerë. Në këtë rast asgjësimi urdhërohet nga gjykata. Një parashikim i tillë është në përputhje me parashikimet e nenit 4, paragrafi i dytë i Vendimit Kuadër i Këshillit të Bashkimit Evropian paragraf i cili rregullon që të dhënat personale fshihen ose bëhen anonime nëqoftëse nuk janë më të nevojshme për qëllimin për të cilën janë mbledhur ligjërisht. Një parashikim i tillë kërkon detyrimisht që mostrat të jenë marrë në përputhje me parashikimet e nenit 201/a të Kodit të Procedurës Penale. Nevoja për të ruajtur të dhënat personale duhet të rishikohet rregullisht, me afate kohore të caktuara për fshirjen e tyre[1]. Një parashikim i tillë është në përputhje me parashikimet e paragrafit të parë të nenit 3 “Parimet e ligjshmërisë, proporcionalitetit dhe qëllimit” të Vendimit Kuadër, ku parashikohet se të dhënat personale mblidhen nga autoritetet kompetente vetëm për qëllime specifike, eksplicite dhe të ligjshme, në përmbushje të detyrave të tyre dhe duhet të trajtohen vetëm për qëllimet për të cilat janë mbledhur. Dhënia e pafajësisë për të pandehurin me vendim gjyqësor të formës së prerë është tregues për autoritetet që procdojnë për të asgjësuar mostrat që janë marrë nga i pandehuri.

       

      1. Paragrafi i tretë i nenit 201/b të Kodit të Procedurës Penale kërkon që brenda një afati prej 60 ditëve nga vendimi i pafajësisë, prokurori, viktima ose përfaqësuesi ligjor i viktimës mund t’i kërkojë gjykatës që të urdhërojë ruajtjen e kampionëve biologjikë të marra nga persona të tjerë, të ndryshëm nga i pandehuri, nëse kampionët duhet të përdoren në një procedim penal tjetër. Një parashikim i tillë është në përputhje me parashikimet e paragrafit të tretë të nenit 4 të Vendimit Kuadër ku rregullohet që të dhënat personale nuk do të fshihen por do të bllokohen vetëm nëse ekzistojnë baza të arsyeshme për të besuar se fshirja mund të dëmtojë interesat legjitime të personit në fjalë. Gjithashtu, dispozita ka të parashikuar edhe rrethin e personave që mund të kërkojnë përpara gjykatës ruajtjen e kampionëve biologjikë të marra nga persona të tjerë nëse ata do të përdoren në një procedim penal tjetër. Nëse një kërkesë e tillë nuk bëhet përpara gjykatës, atëherë kjo e fundit urdhëron asgjësimin e tyre.

        

      1. Paragrafi i katërt i nenit 201/b, parashikon afatin 20 vjecar për ruajtjen e kampionëve biologjikë. Afati prej 20 vitesh për ruajtjen e kampionëve biologjikë do të zbatohet për rastet kur i pandehuri është deklaruar fajtor me vendim gjyqësor të formës së prerë. Parashikimi i afatit është në përputhje me parashikimet e Vendimit Kuadër.

       

      1. Paragrafi i pestë i nenit 201/b të Kodit të Procedurës Penale kërkon që kur i pandehuri është shpallur fajtor me vendim të formës së prerë për një vepër penale për të cilën Kodi Penal parashikon një dënim me burgim jo më pak se 10 vjet ne maksimum, gjykata mund të urdhërojë ruajtjen e kampionëve të marrë në përputhje me ligjin deri në një afat prej 40 vitesh.

       

      1. Paragrafi i gjashtë i nenit 201/b të Kodit të Proçedurës Penale e lidh afatin e ruajtjes së profileve të ADN-së të kampionëve që janë marrë në vendin e ngjarjes dhe që nuk i atribuohen një personi të caktuar me plotësimin e afateve të parashkrimit të ndjekjes penale të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale.

       

      1. Neni 201/b, paragrafi i shtatë parashikon rregullin që në rast se marrja e kampionëve kryhet në kundërshtim me dispozitat e këtij Kodi, organi procedues urdhëron shkatërrimin e tyre. Pra, ka një lidhje organike ndërmjet parashikimeve të nenit 201/a dhe nenit 201/b të Kodit të Procedurës Penale. Një parashikim i tillë synon disiplinimin e procedurave të marrjes dhe të asgjësimit të kampionëve biologjikë vetëm brenda kornizave ligjore, edhe për të shmangur abuzimet e mundshme në këtë drejtim nga autoritetet proceduese që sipas rastit mund të jetë gjykata ose prokuroria.

       

      1. Paragrafi i tetë i nenit 201/b parashikon një detyrim për miratimin e një udhëzimi të përbashkët të Ministrit të Brendshëm dhe Ministrit të Shëndetësisë për ruajtjen e mostrave, procedurën për shkatërrimin e tyre dhe afatin kohor për shkatërrimin e tyre si dhe autoritetin kompetent. Qëllimi në lidhje me këtë parashikim ka lidhje me faktin se parimi i përgjithshëm i parashikuar nga Kodi, si një normë e përforcuar në raport me akte të tjera nënligjore sikurse është udhëzimi i përbashkët i dy ministrave, do të duhet të detajohet më tej në një akt nënligjor.

       

      [1] Shiko neni 4 dhe neni 5 i Vendimit Kuadër të Këshillit të Bashkimit Evropian

      http://eur-lex.europa.eu/legal-content/EN/TXT/PDF/?uri=CELEX:32008F0977&from=EN

      Neni 4 Korrigjimi, fshirja dhe bllokimi

      1. Të dhënat personale duhet të korrigjohen nëse janë të pasakta dhe, kur është e mundur dhe të domosdoshme, plotësohen ose përditësohen.
      2. Të dhënat personale shlyhen ose bëhen anonime kur ato nuk janë më të nevojshme për qëllimet për të cilat janë mbledhur në mënyrë të ligjshme ose janë përpunuar në mënyrë të ligjshme. Arkivimi i të dhënave të tilla në një grup të caktuar të të dhënave për një periudhë të përshtatshme në përputhje me ligjin kombëtar nuk do të ndikohet nga kjo dispozitë.
      3. Të dhënat personale duhet të bllokohen ne vënd të fshirjes nëse ka shkaqe të arsyeshme për të besuar fshirja do të ndikonte interesat e ligjshme të subjektit. Të dhënat e bllokuara do të përpunohen vetëm për qëllimin që pengoi fshirjen e tyre.
      4. Kur të dhënat personale përmbahen në një vendim gjyqësor ose regjistrim lidhur me lëshimin e një vendimi gjyqësor, korrigjimi, shfuqizimi ose bllokimi kryhet në përputhje me rregullat kombëtare për procedurat gjyqësore. 

      Neni 5 Vendosja e afateve kohore për fshirjen dhe rishikimin

      Duhet të përcaktohen afate kohore të përshtatshme për fshirjen e të dhënave personale ose për një rishikim periodik të nevojës për ruajtjen e të dhënave. Masa procedurale duhet të ndërmerren me qëllim garantimin e respektimit të afateve.  

      1. Dokumentin Strategjia e Reformës në Sistemin e Drejtësisë, miratuar me vendimin nr.15, datë 30.07.2015 të Komisionit të Posaçëm, ndër objektivat e parashikuara në fushën e drejtësisë penale janë: (1) Rritja e efiçiencës dhe efektivitetit të drejtësisë penale nëpërmjet konsolidimit të misionit dhe funksioneve të prokurorisë, si dhe përmes riorganizimit të strukturave të saj dhe rishpërndarjes së përgjegjësive mes tyre (2) Forcimi i garancive procedurale në fazën e hetimeve paraprake dhe gjatë gjykimit në shkallë të parë dhe në apel; (3) Forcimi dhe përmirësimi i statusit dhe pozitës juridike të viktimës në procesin penal. Këto objektiva u konkretizuan në Planin e Veprimit për zhvillimin e strategjisë, duke përcaktuar rishikimin e Kodit të Procedurës Penale edhe në pjesën e mjeteve të kërkimit të provës.

       

      1. Neni 201/b i Kodit të Procedurës Penale është një dispozitë e re e shtuar pas nenit 201/a. meqënëse një rregullim i tillë të garantohet nga Kodi i Procedurës Penale, sepse Shqipëria nuk ka një ligj të veçantë që siguron ruajtjen dhe shkatërrimin e mostrës të marrë dhe së dyti mostrat e ADN-së janë shumë personale dhe ndërhyjnë në mënyrën se si janë garantuar liritë personale dhe të dhënat personale.
      1. Parashikimet e nenit 201/b janë në përputhje me nenin 8 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut; me Vendimin Kuadër të Këshillit të Bashkimit Evropian, 2008-977 “Mbi mbrojtjen e të dhënave personale të përpunuara në kuadër të bashkëpunimit policor dhe gjyqësor në çështjet penale” dhe Direktivës së BE-së 95/46/EC të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit të 24 tetorit 1995 “Mbi mbrojtjen e individëve në lidhje me përpunimin e të dhënave personale dhe lëvizjen e lirë të këtyre të dhënave. Një parashikim i tillë është në përputhje edhe me parashikimet e nenit 7a të Traktatit të Bashkimit Evropian, që siguron që lëvizja e lirë e mallrave, personave, shërbimeve dhe kapitalit të kërkojë jo vetëm që të dhënat personale duhet të jenë në gjendje të rrjedhin lirshëm nga një Shtet Anëtar në një tjetër, por gjithashtu që të drejtat themelore të individëve duhet të ruhen. Parashikimet e nenit 201/b janë në përputhje edhe me parashikimet e neneve 30, 31 and 34(2)(b) të Traktatit të Bashkimit Evroian.
  • Vendime të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut

    1. Çështjet e trajtuara më sipër kanë marrë edhe vëmëndjen e GJEDNJ në disa vendime të saj. Kështu, fakti që të dhënat personale nuk mund të mblidhen dhe mbahen për çdo rast, në veçanti nëse personi, të dhënat e të cilit janë mbledhur, lirohet me vendimin përfundimtar, është ngritur nga praktika gjyqësore e GJEDNJ-së. Gjykata ka qëndrimin e saj se shqetësimi i një individi lidhur me përdorimin e mundshëm të informacionit privat të mbajtur nga autoritetet është i ligjshëm dhe i rëndësishëm për përcaktimin e çështjes nëse ka pasur një ndërhyrje. Në të vërtetë, duke pasur parasysh ritmin e shpejtë të zhvillimeve në fushën e gjenetikës dhe teknologjisë së informacionit, Gjykata nuk mund të zvogëlojë mundësinë që në të ardhmen interesat e jetës private të lidhura me informacionin gjenetik mund të ndikohen negativisht në mënyra të reja ose në një mënyrë të cilat nuk mund të parashikohen me saktësi sot (S. dhe Marper)[1].

     

    1. Gjykata përsërit se është po aq esenciale, në këtë kontekst, si në përgjimin e telefonave, mbikëqyrjen sekrete dhe grumbullimin e fshehtë të informacionit, që të ketë rregulla të qarta dhe të hollësishme që rregullojnë fushën dhe zbatimin e masave, si dhe masat mbrojtëse minimale që ndërlidhen, ndër të tjera, ruajtjen, përdorimin, qasjen e palëve të treta, procedurat për ruajtjen e integritetit dhe konfidencialitetit të të dhënave dhe procedurave për shkatërrimin e tij, duke siguruar garanci të mjaftueshme kundër rrezikut të abuzimit dhe arbitraritetit (S. dhe Marper)[2].

     

    1. Marrja e materialit qelizor dhe mbajtja e tij, si dhe përcaktimi dhe mbajtja e profileve të ADN-së të nxjerra nga mostrat qelizore përbëjnë një ndërhyrje në të drejtën e respektimit të jetës private në kuptim të nenit 8 § 1 të Konventës (Van der velden v the Netherlands)[3].

     

    1. Një ndërhyrja e tillë do të jetë në kundërshtim me nenin 8 të Konventës Evropiane të të drejtave të Njeriut përveç rasteve kur mund të justifikohet sipas paragrafit 2 të tij si "në përputhje me ligjin", duke ndjekur një ose më shumë qëllime legjitime të listuara në të dhe si "të nevojshme në një demokraci "në mënyrë që të arrijë qëllimin ose synimet në fjalë (Peruzzo dhe Martens[4]).

     

    1. GJEDNJ nëpërmjet jurisprudencës së saj ka përcatuar kriteret e pergjithshme qe duhet të plotësojë legjislacioni vendas në mënyrë që ndërhyrja në jetën private të jetë në përputhje me ligjin (in accordance with the law). Dy kriteret e pergjithshme janë aksesushmëria dhe parashikueshmëria (accessibility and foreseeability) “... Megjithatë, ligji duhet të jetë mjaft i qartë në termat e tij për t'i dhënë qytetarëve treguesë të përshtatshëm për rrethanat dhe kushtet në të cilat autoritetet publike janë të autorizuar të përdorin këtë ndërhyrje sekrete dhe potencialisht të rrezikshme në të drejtën për respektimin e jetës private dhe korrespondencën[5] (Kruslin)[6]. Teknika legjislative e përdorur në shkrimin e dispozitave të nenit 201/a të Kodit të Procedurës Penale, detajimi i tyre, është në linjë me cfarë është vlerësuar nga ana e GJEDNJ.

     

    1. Më tej, shprehja "në përputhje me ligjin", në kuptim të nenit 8 § 2 të KEDNJ kërkon së pari që masa e kundërshtuar duhet të ketë disa baza në të drejtën vendase; ai gjithashtu i referohet cilësisë së ligjit në fjalë, duke kërkuar që ai të jetë i arritshëm për personin në fjalë, i cili duhet të jetë i aftë të parashikojë pasojat e tij për të dhe në përputhje me sundimin e ligjit (Huvig v. France)[7]

     

    [1] S. dhe Marper k. Mbretërisë së Bashkuar, 4.12.2008, aplikimi nr. 30562/04 dhe 30566/04

    [2] S. dhe Marper k. Mbretërisë së Bashkuar, 4.12.2008, aplikimi nr. 30562/04 dhe 30566/04, para. 74.

    [3] Shih Guide on Article 8 of the Convention – Right to respect for private and family life, faqe 28, para. 122; http://www.echr.coe.int/Documents/Guide_Art_8_ENG.pdf

    [4] Peruzzo dhe Martens k. Germany, 4 qershor 2013, aplikimi nr. 7841/08 and 57900/12 

    [5] Përkthim i autorit.

    [6] Kruslin k. Francës, 24 prill 1990, aplikimi nr. 11801/85), faqe 19, pika 2. "Quality of the law", para. 26, 27, 30 dhe 33

    [7] Shih Huvig k. Francës, 24 prill 1990, aplikimi nr. 11105/84, shkronja A, "In accordance with the law", para. 26

  • ANALIZË E SISTEMIT TË DREJTËSISË NË SHQIPËRI Qershor, 2015.

  • K.Pr.Penale: Neni 201/a.

  • Asnjë koment
  • Vendime të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut

    S. dhe Marper k. Mbretërisë së Bashkuar, 4.12.2008, aplikimi nr. 30562/04 dhe 30566/04

    Peruzzo dhe Martens k. Gjermanisw, 4 qershor 2013, aplikimi nr. 7841/08 and 57900/12 

    Kruslin k. Francës, 24 prill 1990, aplikimi nr. 11801/85

    Van der Velden k. Hollandës, 31 tetor 2012, aplikimi nr.  21203/10

    Huvig k. Francës, 24 prill 1990, aplikimi nr. 11105/84, 

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
Idlir Peçi
Idlir Peçi, Koraljka Bumči