KODI I PROCEDURËS PENALE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË   |   7905

Neni 202: Kushtet për kryerjen e kontrolleve

1Kur ka arsye të bazuara për të menduar se dikush fsheh në personin e tij prova materiale të veprës penale ose sende që i përkasin veprës penale gjykata merr vendim për kontrollin personal. Kur këto sende ndodhen në një vend të caktuar, vendoset kontrolli i vendit ose banesës.

2Gjykata që ka nxjerrë vendimin mund të veprojë vetë ose të urdhërojë që veprimi të kryhet nga oficerët e policisë gjyqësore, të caktuar në vendimin e kontrollit.

3Në rast flagrance ose në rast ndjekje të personit që është duke ikur, që nuk lejojnë nxjerrjen e një vendimi kontroll, oficerët e policisë gjyqësore kryejnë kontrollin e personit ose të vendit, duke zbatuar rregullat e caktuara në nenin 298.

Përmbajtja

      1. Neni 202 i Kodit të Procedurës Penale, referuar rëndësisë që paraqet kontrolli si një nga mjetet e kërkimit të provës dhe për të mos lejuar që të kthehet në një mjet arbitrar,ka përcaktuar parimin e përgjithshëm sipas të cilit kontrolli duhet të kryhet me vendim gjykate, duke kufizuar mundësinë e kryerjes së kontrollit pa një vendim gjykate vetëm në rastet e flagrancës ose në rastet e ndjekjes së personit që është duke ikur sipas nenit 298 të Kodit.
    • 2. Neni202 i Kodit tëProcedurës Penale ka përcaktuar kushtet që duhet të plotësohen në mënyrë që të lejohet kontrolli i personit, i vendeve apo i banesës me qëllim gjetjen dhe më pas sekuestrimin e provave materiale të veprës penale ose sendeve që i përkasin veprës penale.

      1. Sipas paragrafit të parë të nenit 202 të Kodit të Procedurës Penale, kur ka arsye të bazuara për të menduar se dikush fsheh në personin e tij prova materiale të veprës penale ose sende që i përkasin veprës penale gjykata merr vendim për kontrollin personal. Kur këto sende ndodhen në një vend të caktuar, vendoset kontrolli i vendit ose banesës. Sipas këtij parashikimi rezulton se në mënyrë që të lejohet kontrolli duhet të ekzistojnë arsye të bazuara se ekzistojnë prova materiale të veprës penale apo sende që i përkasin veprës penale, të cilat mund të fshihen tek një person apo në një vend të caktuar. Ky është edhe qëndrimi i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, e cila është shprehur se,pavarësisht nga organi që ka miratuar apo vendosur kontrollin, e rëndësishme është përmbushja e detyrimit ligjor për dhënien e arsyeve relevante dhe të mjaftueshme që përligjin kryerjen e kontrollit.[1]
      2. Që të lejohet kontrolli me vendim gjykate duhet tëketëarsye të bazuara (dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova) lidhur me këto tre aspekte: 1) ekzistencën e një figure vepre penale konkrete që do të thotëekzistencën e rrethanave dhe fakteve konkrete; 2) ekzistencën e provave materiale ose sendeve që i përkasin kësaj vepre penale; 3) faktin se këto prova apo sende ndodhen tek një person apo vend i caktuar. Nëse në kërkesën drejtuar gjykatës për lejimin e kontrollit nuk evidentohen këto aspekte mungon ajo që quhet themaprobandumdhe rrjedhimisht kërkesa për lejimin e kontrollit nuk duhet të pranohet. Këto aspekte nuk mund të analizohen të ndarë nga njëri-tjetri pasi janë të lidhur në mënyrë tëdrejtpërdrejtëmidis tyre. Në këtë kuptim, në vendimmarrjen e saj lidhur me lejimin apo jo të kontrollit, gjykata duhet të analizojë nëse ekziston apo jo dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova lidhur me kryerjen e një vepre penale konkrete dhe rrethanat e kryerjes së saj, nëse provat materiale apo sendet që kërkohen janë apo jo të lidhura me ketë vepër penale dhe nëse ka apo arsye të bazuara për të menduar se provat materiale apo sendet që i përkasin veprës penale për të cilën po hetohet fshihen te personi apo tek vendi që kërkohet të kontrollohet.Në zbatim të paragrafit të parë të nenit 202 të Kodit të Procedurës Penale si dhe paragrafit të dytë të nenit 112 të Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit vendimi dhe urdhri arsyetohen, ndryshe janë të pavlefshëm, rezulton se është shumë e rëndësishme që në vendimin e lejimit të kontrollit gjykata të evidentojë ekzistencën e arsyeve të bazuara të cilat motivojnë kontrollin.
      3. Ajo që duhet të kuptohet është se kontrolli përbën një mjet për kërkimin e provës, që do të thotë se provat materiale apo sendet që kërkohen me anë të kontrollit shërbejnë për të provuar faktin penal për të cilin po procedohet. Nëse nuk përmbushet kriteri i arsyeve të bazuara sipas paragrafit të parë të nenit 202 të Kodit të Procedurës Penale, kontrolli nga një mjet për kërkimin e provës kthehet në një mjet për të marrë të dhëna lidhur ekzistencën e një fakti penal.[2]Për këtë arsye, në praktikën gjyqësore italiane është mbajtur qëndrimi se një vendim kontrolli i cili është marrë bazuar në një kallëzim anonim dhe që është përdorur jo si mjet për kërkimin e provës, por si mjet për të marrë të dhëna lidhur me ekzistencën apo jo të një fakti penal të pretenduar, është i pavlefshëm dhe rrjedhimisht kontrolli i paligjshëm. Një kallëzim penal anonim nuk mund të cilësohet si një burim i marrjes së të dhënave lidhur me një fakt penal dhe rrjedhimisht një akt mbi bazën e të cilit mund të regjistrohet një procedim penal, ndaj dhe nuk mund të procedohet me kontrollin bazuar vetëm në këtë të dhënë.[3] Një kallëzim penal anonim mund të stimulojë kryerjen e veprimeve me iniciativë nga policia gjyqësore apo prokurori me qëllim marrjen e të dhënave konkrete lidhur me një fakt penal dhe pasi të ekzistojë dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova lidhur me ekzistencën e një figure konkrete vepre penale mund të procedohet me kërkesën për kryerjen e kontrollit sipas nenit 202 të Kodit të Procedurës Penale.
      4. Një ndër elementët esencialë të vendimit për lejimin e kontrollit, qoftë të personit apo të vendeve, është përcaktimi i provave materiale apo sendeve që kërkohen. Për të evituar çdo paqartësi në zbatimin e paragrafit të parë të nenit 207 të Kodit të Procedurës Penale, sipas tëcilitsendet e gjetura gjatë kontrollit sekuestrohen, me kusht që të jenë të përcaktuara në vendimin për lejimin e kontrollit, përcaktimi i provave materiale apo sendeve që kërkohen duhet të bëhet në mënyrë të qartë në vendimin e gjykatës për të mos lënë vend për interpretim nëse një send i caktuar përfshihet apo jo në këtë vendimmarrje. Megjithatë, që vendimmarrja lidhur me lejimin e kontrollit të jetë në përputhje me nenin 202 të Kodit të Procedurës Penale,nuk kërkohet që përcaktimi i provave materiale apo sendeve të bëhet në mënyrë të detajuar dhe individualizuar. Kjo për arsye se, për sa kohë provat materiale apo sendet që kërkohen duhet të kenë lidhje me veprën penale dhe kuptimi i provave materiale jepet në nenet 187 dhe 208 të Kodit të Procedurës Penale, vendimi do të konsiderohet i arsyetuar nëse gjykata përshkruan nëmënyrë të detajuar faktin penal për të cilin po procedohet dhe rrethanat konkrete të tij duke u shprehur më pas se provat materiale apo sendet që kërkohen janë ato që kanë lidhje me këtë fakt penal.[4]
      5. Edhe nëse prova materiale apo sendi që kërkohet nëpërmjet kontrollit nuk është përshkruar specifikisht në vendimin e lejimit të kontrollit dhe gjykata është shprehur se objekt kontrolli do të jenë “provat materiale apo sende të tjera që kanë lidhje me faktin penal objekt hetimi”, mund të procedohet me sekuestrimin e provave materiale dhe sendeve që i përkasin veprës penale nëse rezultojnë se kanë lidhje me faktin penal që po hetohet. Në këtë rast nuk do tëketë nevojë për vleftësimin e sekuestros pasi prova materiale apo sendi i sekuestruar do të konsiderohet se janë përfshirë në vendimin e lejimit të kontrollit.[5]Gjithsesi, edhe nëse gjykata në vendimin e lejimit të kontrollit ka individualizuar të gjitha provat materiale apo sendet që do të kërkohen gjatë kontrollit, në paragrafin e dytë të nenit 207 të Kodit të Procedurës Penale është parashikuar mundësia që sendet e tjera të gjetura gjatë kontrollit, që nuk përfshihen në vendimin për lejimin e kontrollit, por që lidhen me të njëjtën vepër penale, mund të sekuestrohenduke respektuar dispozitat për sekuestrimet.
      6. Paragrafi i parë i nenit 202 të Kodit të Procedurës Penale nuk e ka kufizuar kryerjen e kontrollit vetëm me kërkesën e prokurorit, çka do të thotë se gjykata mund tëdisponojë edhe kryesisht për kryerjen e kontrollit. Në referim të nenit 367 të Kodit të Procedurës Penale, rezulton se gjykata gjatë shqyrtimit gjyqësor ka të drejtë të marrë prova të reja. E drejta e gjykatës për të marrë prova të reja gjatë debatit gjyqësor nuk kufizohet për sa i përket mjeteve të kërkimit të provës. Për këtë arsye, edhe nëse nuk ka kërkesë nga ana e prokurorit, gjykata mund të urdhërojë kryesisht kryerjen e kontrollit pa qenë e nevojshme që t’ia nënshtrojë debatit gjyqësor mundësinë e kryerjes sëtij, qëndrim i cili është i njohur edhe në praktikën gjyqësore italiane.[6]
      7. Sipas paragrafit të dytë të nenit 202 të Kodit të Procedurës Penale, gjykata që ka nxjerrë vendimin mund të veprojë vetë ose të urdhërojë që veprimi të kryhet nga oficerët e policisë gjyqësore, të caktuar në vendimin e kontrollit. Edhe pse ligji ka parashikuar mundësinë që kontrolli të realizohet nga vetë gjykata që ka nxjerrëvendimin, në fakt në praktikë gjykata përcakton oficerin e policisë gjyqësore që zbaton vendimin e kontrollit. Si rregull, ky i fundit përcaktohet nga vetë prokurori në kërkesën drejtuar gjykatës për lejimin e kontrollit për sa kohë oficeri i policisë gjyqësore që do të zbatojë vendimin e kontrollit duhet të jetë i njohur me faktin penal për të cilin po procedohet. Në të kundërt, nëse gjykata në vendimin e saj është shprehur se objekt i kontrollit do të jetë edhe çdo provë materiale apo send që i përket veprës penale dhe që ka lidhje me faktin penal që po hetohet, vendimi do të jetë i vështirë për tu zbatuar nga një oficer i policisë gjyqësore që nuk është i njohur me rastin për sa kohë nuk mund të vlerësojë si duhet lidhjen midis provës apo sendit që mund të gjendet gjatë kontrollit dhe faktit penal. Edhe nëse gjykata nuk e përcakton më mënyrë nominative oficerin e policisë gjyqësorë që do të zbatojë vendimin e kontrollit duke referuar që ky i fundit do të caktohet nga vetë prokurori në momentin e ekzekutimit të vendimit, kjo nuk e cenon vendimmarrjen e gjykatës, por ka të bëjë me faktin se eventualisht për arsye të ndryshme oficeri i policisë gjyqësore që cakton gjykata mund të mos jetë në gjendje të realizojë kontrollin.
      8. Sipas paragrafit të tretë të nenit 202 të Kodit të Procedurës Penale në rast flagrance ose në rast ndjekje të personit që është duke ikur, që nuk lejojnë nxjerrjen e një vendimi kontrolli, oficerët e policisë gjyqësore kryejnë kontrollin e personit ose të vendit, duke zbatuar rregullat e caktuara në nenin 298 të Kodit. Në këtë paragraf është parashikuar edhe përjashtimi nga rregulli i përgjithshëm sipas të cilit kontrolli, qoftë i personit apo i vendeve/banesës, duhet të bëhet me vendim gjykate. Është pikërisht flagranca apo ndjekja e personit që është duke ikur që legjitimon kryerjen e kontrollit pa vendim gjykate, pasi për shkak të emergjencës nuk mund të pritet një vendim kontrolli nga gjykata duke rrezikuar kështu gjetjen e provave materiale apo sendeve që i përkasin veprës penale. Në këtë rast, do të zbatohen rregullat e posaçme të parashikuara në nenin 298 të Kodit të Procedurës Penale[7] dhe pas sekuestrimit të provave materiale apo sendeve që i përkasin veprës penale oficeri i policisë gjyqësore i paraqet menjëherë, por në çdo rast jo më vonë se 48 orë, procesverbalin e veprimeve prokurorit dhe ky i fundit ka 48 orë kohë për të disponuar me vendim të arsyetuar vleftësimin apo jo të sekuestros. Kjo procedurëështë e nevojshme të zbatohet për sa kohë nuk është marrë fillimisht një vendim kontrolli nga gjykata pasi në rastin e sekuestrimit të sendeve të gjetura gjatë kontrollit dhe të përcaktuara në vendimin për lejimin e kontrollit vlefshmëria e sekuestros eventuale të këtyre sendeve është vlerësuar paraprakisht nga gjykata në momentin që ka lejuar kontrollin, i cili si mjet për kërkimin e provës synon pikërisht në gjetjen e këtyre sendeve dhe sekuestrimin e mëpasshëm të tyre.[8]

       

      [1]Modestou kundër Greqisë, 16.03.2017.

      [2] Vendimi Nr.2362, datë 28.06.1995, Gjykata e Kasacionit Itali. Në këtë vendim gjykata është shprehur se kontrolli është një mjet për kërkimin e provës në raport me një vepër penale konkrete e cila duhet të jetëmjaftueshmërisht e përcaktuar në elementët e saj faktikë pasi në të kundërt kontrolli kthehet në një mjet për marrjen e njoftimit lidhur me kryerjen e një vepre penale.

      [3] Vendimi Nr.751, datë 13.05.2004, Gjykata e Kasacionit Itali.

      [4] Vendimi Nr.117, datë 02.12.2005, Gjykata e Kasacionit Itali. Vendimi Nr.892, datë 02.03.1995, Gjykata e Kasacionit Itali, ku gjykata ka vlerësuar se vendimi i kontrollit ishte i paligjshëm për shkak se në vendim citohej vetëm se vepra penale për të cilën po kryhej hetimi ishte falsifikimi i bilancit, pa iu referuar rrethanave konkrete në të cilat dyshohej se ishte kryer vepra penale. Vendimi Nr.195, datë 22.02.1994, Gjykata e Kasacionit Itali.

      [5] Vendimi Nr.1934, datë 14.09.1998, Gjykata e Kasacionit Itali.                                                   

      [6] Vendimi Nr.3395, datë 12.07.2004. Gjykata e Kasacionit Itali. Në këtë rast, duke qenë se të pandehurit kishin refuzuar dhënien e kampionëve biologjikë me qëllim krahasimin me materialin e mbledhur pas një marrëdhënie seksuale me dhunë, gjykata ka urdhëruar kryesisht kontrollin e banesës së të pandehurve dhe sekuestrimin e veshjeve dhe objekteve në përdorim të tyre.

      [7] Shiko komentin e nenit 298 të Kodit të Procedurës Penale.

      [8]Vendimi Nr.1, datë 30.06.2017, Kolegjete Bashkuara të Gjykatës së Lartë. Në këtë vendim Kolegjet kanë arsyetuar se: “Qëllimi i kontrollit nuk është përshkrimi i detajuar i asaj çka vëzhgohet, sikundër është këqyrja, por kërkimi i një sendi, pra i objektit të kontrollit duke synuar në arritjen dhe sekuestrimin e atyre sendeve që përbëjnë prova materiale të veprës penale ose sende që i përkasin veprës penale. Mund të ndodhë që kontrolli të bëhet edhe me qëllim kryerjen e një ndalimi, ekzekutimi të një vendim arresti ose një vendim dënimi me burgim”.

      1. Neni 202 i Kodit të Procedurës Penale nuk ka pësuar ndryshime lidhur me përmbajtjen e tij dhe i vetmi ndryshim që u bë me ligjin Nr.35/2017 ishte referimi në paragrafin e tretë të nenit. Konkretisht, neni 202/3 i Kodit të Procedurës Penale kishte këtë përmbajtje: “Në rast flagrance ose në rast ndjekje të personit që është duke ikur, që nuk lejojnë nxjerrjen e një vendimi kontroll, oficerët e policisë gjyqësore kryejnë kontrollin e personit ose të vendit, duke zbatuar rregullat e caktuara në nenin 299”. Nga përmbajtja e kësaj dispozite rezultonte se kishim të bënim me një gabim material pasi neni 299 i Kodit bënte fjalë për marrjen e plikove dhe korrespondencës. Për këtë arsye, me ligjin Nr.35/2017 u saktësua edhe referimi ligjor nga neni 299 tek neni 298 i Kodit të Procedurës Penale, i cili bën fjalë pikërisht për kontrollimet në rast flagrance ose në rast ndjekje të personit qëështë duke ikur.
    • Asnjë koment
    1. Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut;

    A.    Raporte, opinion, rekomandime

    1. Udhëzues i nenit 6 të Konventës Evropiane tëtë Drejtave të Njeriut (fusha penale), azhurnuar më datë 30.04.2020.

    B.     Vendime të Gjykatës Evropiane tëtë Drejtave të Njeriut

    1. Modestou kundër Greqisë, 16.03.2017.
    1. Analiza e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, Qershor 2015, hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë.
    1. Neni 6i KEDNJ-së;
    2. Kushtetuta;
    3. Kodi i Procedurës Penale.
  • Asnjë koment
  • A.    Vendime të Gjykatës Kushtetuese

    B.     Vendime të Gjykatës së Lartë

    1. Vendimi Nr.1, datë 30.06.2017, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë;
    2. Vendimi Nr.117, datë 02.12.2005, Gjykata e Kasacionit Itali;
    3. Vendimi Nr.3395, datë 12.07.2004. Gjykata e Kasacionit Itali;
    4. Vendimi Nr.751, datë 13.05.2004, Gjykata e Kasacionit Itali;
    5. Vendimi Nr.1934, datë 14.09.1998, Gjykata e Kasacionit Itali;
    6. Vendimi Nr.2362, datë 28.06.1995, Gjykata e Kasacionit Itali;
    7. Vendimi Nr.892, datë 02.03.1995, Gjykata e Kasacionit Itali;
    8. Vendimi Nr.195, datë 22.02.1994, Gjykata e Kasacionit Itali;
    1. PaoloTonini, “Manuale di procedura penale”, Quindicesimaedizione, GiuffreEditore;
    2. Commenatario breve alCodice di Procedura Penale, nonaedizione, 2015, WoltersKluwer, CEDAM.
  • Asnjë koment
Nurjeta Tafa
Nurjeta Tafa