KODI I PROCEDURËS PENALE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË   |   7905

Neni 202-a: Vendimi për lejimin e kontrollit

1Vendimi për lejimin e kontrollit duhet të tregojë llojin e kontrollit, personin që kontrollohet dhe gjeneralitetet e tij, vendin apo banesën objekt kontrolli, provat materiale apo sendet që kërkohen, arsyet që lejojnë kontrollin, si edhe autoritetin që do të kryejë atë.

2Kur ka arsye të bazuara se të dhënat, informacionet, programet informatike ose gjurmë të tyre, gjenden në një sistem informatik ose telematik, edhe kur ky është i mbrojtur me masa sigurie, gjykata merr vendim për kontrollin, duke urdhëruar masa teknike të përshtatshme, të cilat sigurojnë ruajtjen e të dhënave origjinale dhe nuk lejojnë ndryshimin e tyre. Vendimi i kontrollit duhet të përcaktojë llojin e informacionit që kërkohet dhe mënyrën e marrjes së tij.

3Gjykata merr vendim të arsyetuar në dhomë këshillimi, brenda 24 orëve nga kërkesa e prokurorit. Kundër vendimit që refuzon kërkesën për kontroll mund të bëhet ankim i veçantë në gjykatën e apelit brenda 24 orëve. Gjykata e apelit shqyrton ankimin brenda 48 orëve nga marrja e akteve.

4Kontrolli duhet të përfundojë brenda 72 orëve nga momenti i marrjes së vendimit për kryerjen e tij.

Përmbajtja

      1. Neni 202/a i Kodit të Procedurës Penale, duke parashikuar elementët që duhet të ketë vendimi i lejimit të kontrollit si dhe procedurën e marrjes së tij, synon të garantojë procesin e rregullt ligjor pasi bazuar në jurisprudencën e konsoliduar të Gjykatës Kushtetuese[1] dhe Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut[2] arsyetimi i vendimeve është pjesë e të drejtës për një proces të rregullt ligjor, tëparandalojëdhënien e vendimeve arbitrare, të rrisë përgjegjshmërinë e gjykatave në vlerësimin nëse duhet të lejohet apo jo kontrolli si mjet për kërkimin e provës, si dhe të lehtësojë kontrollin e vendimeve nga gjykatat më të larta[3].

       

      [1] Vendimi Nr.53 datë 05.12.2012, GJK;Vendimi Nr.25, datë 10.06.2011, GJK; Vendimi Nr.5, datë 02.03.2011, GJK; Vendimi Nr.11, datë 02.04.2008, GJK; Vendimi Nr.33, datë 08.12.2005, GJK.

      [2]Taxquet kundër Belgjikës, 16.11.2010; Hirvisaari kundër Finlandës, 25.12.2001.

      [3]Në vendimin Nr. 25, datë 10.06.2011, Gjykata Kushtetuese ka arsyetuar se: “Qëndrimet dhe vlerësimet e gjykatës mund të kontrollohen nga një gjykatë më e lartë sipas procedurave përkatëse dhe që kjo të jetë e mundur, duhet bërë arsyetimi i vendimit, nëpërmjet të cilit gjyqtari tregon me qartësi faktet dhe ligjin e zbatueshëm që e kanë çuar në një zgjedhje ndërmjet disa mundësive”.

      1. Detyrimi për arsyetimin e vendimeve rrjedh si nga neni 142 i Kushtetutës, sipas të cilit vendimet gjyqësore duhet të jenë të arsyetuara, ashtu edhe nga neni 112/3 i Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit vendimi arsyetohet, ndryshe është i pavlefshëm. Në çdo rast gjykata duhet t’u përmbahet kërkesave ligjore lidhur me përmbajtjen e vendimeve. Neni 202/a i Kodit të Procedurës Penale është një dispozitë që përcakton standardin minimal të arsyetimit të vendimit gjyqësor për lejimin e kontrollit duke listuar elementët që duhet të përmbajë detyrimisht vendimi i gjykatës. Neni 202/a i Kodit të Procedurës Penale ka parashikuar gjithashtu procedurën dhe afatet e shqyrtimit të kërkesës për lejimin e kontrollit duke e trajtuar si një kërkesë të ngutshme dhe duke i dhënë në këtë mënyrë përparësi shpejtësisë së gjykimit për të minimizuar sa të jetë e mundur rrezikun që ndërkohë provat materiale apo sendet që i përkasin veprës penale të zhduken.
      1. Sipas paragrafit të parë të nenit 202/a të Kodit të Procedurës Penale, vendimi për lejimin e kontrollit duhet të tregojë llojin e kontrollit, personin që kontrollohet dhe gjenealitetet e tij, vendin apo banesën objekt kontrolli, provat materiale apo sendet që kërkohen, arsyet që lejojnë kontrollin, si edhe autoritetin që do ta kryejë atë.Duke përcaktuar elementët që duhet të përmbajë vendimi gjyqësor i lejimit të kontrollit neni 202/a i Kodit të Procedurës Penale synon të garantojë edhe faktin që pjesa urdhëruese e vendimit të gjykatës të jetë rezultat i natyrshëm i përfundimeve të arritura në pjesën arsyetuese. Referuar edhe praktikës së Gjykatës Kushtetuese, pjesa urdhëruese e vendimit të gjykatës është sintezë e këtyre përfundimeve dhe si e tillë, në asnjë rast, ajo nuk mund të jetë në kundërshtim me to.[1]Përcaktimi i elementëve që duhet të përmbajë vendimi i gjykatës për lejimin e kontrollit ndikon jo vetëm në veprimtarinë e gjykatës, por edhe në atë të organit të akuzës pasi është ky i fundit që do të duhet të argumentojë fillimisht nevojën dhe arsyet për kryerjen e kontrollit, llojin e kontrollit që kërkohet, personin apo vendin që kërkohet të kontrollohet si dhe provat materiale apo sendet që kërkohen. Në këtë kuptim, neni 202/a i Kodit të Procedurës Penale përbën në thelb një dispozitë e cila duhet të mbahet parasysh edhe nga organi i akuzës në formulimin e kërkesës për kryerjen e kontrollit, shtuar këtu edhe faktin se sipas paragrafit të tretë të nenit 202/a të Kodit të Procedurës Penale kërkesa për lejimin e kontrollit shqyrtohet në dhomë këshillimi dhe rrjedhimisht prokurori nuk ka asnjë mundësi tjetër të argumentojë pretendimet e tij përveçse në kërkesën me shkrim drejtuar gjykatës.
      2. Paragrafi i parë i nenit 202/a të Kodit të Procedurës Penale është i lidhur drejtpërsëdrejti me paragrafin e parë të nenit 202 të Kodit të Procedurës Penale dhe nuk përbën gjë tjetër veçse një materializim në vendimin gjyqësor të kushteve që duhet të plotësohen për kryerjen e kontrollit. Përcaktimi i llojit të kontrollit do të thotë përcaktimi nëse jemi në kushtet e kontrollit personal apo kontrollit të vendeve/banesës. Të dy llojet e kontrollove mund të disponohen në një vendim të vetëm pasi përgjithësish kërkimi për kryerjen e kontrollit personal shoqërohet edhe me kërkimin për kryerjen e kontrollit të vendeve apo banesës. Nëse lloji i kontrollit që do të kryhet është kontrolli personal, në vendimin e lejimit të kontrollit duhet të përcaktohen gjeneralitetet e personit që do të kontrollohet për të evituar në këtë mënyrë një gabim eventual në person. Edhe pse sipas paragrafit të parë të nenit 202/a të Kodit të Procedurës Penale gjykata duhet të përcaktojë gjeneralitetet e personit që kërkohet të kontrollohet, detyrimi i identifikimit të personit mund të realizohet edhe duke përcaktuar çdo gjë tjetër që vlen për ta identifikuar atë, nëse eventualisht prokuroria mund të mos jetë në gjendje të përcaktojëgjeneralitetet e personit.Një qëndrim i tillë bazohet në referimin me analogji tek neni 245/1, shkronja “a”, e Kodit tëProcedurës Penale, i cili parashikon se: “Vendimi që cakton masën e sigurimit përmban, me pasojë pavlefshmërie: a) gjeneralitetet e personit ndaj të cilit merret masa ose çdo gjë tjetër që vlen për ta identifikuar atë dhe, kur është e mundshme, tregimin e vendit ku ndodhet”. Nëse ligji ka dhënë mundësinë e mospërcaktimit të gjeneraliteteve, por përcaktimit të të dhënave të tjera identifikuese, në rastin e caktimit të masave të sigurimit të cilat cenojnë drejtpërsëdrejti lirinë personale, një mundësi e tillë duhet të njihet edhe në rastet e vendimmarrjes për lejimin e kontrollit të personit. Në të njëjtën mënyrë sikurse kontrolli i personit, nëse lloji i kontrollit që do të kryhet është kontrolli i vendeve apo i banesës, në vendimin e lejimit të kontrollit duhet të përcaktohet vendi apo banesa që do të kontrollohet. Vendimi i lejimit të kontrollit të vendeve do të jetë i vlefshëm edhe nëse vendi apo banesa që do të kontrollohet nuk është përcaktuar në mënyrë të detajuar si p.sh. qyteti, rruga, numri etj., por janë referuar të dhëna që bëjnë të mundur individualizimin e vendit që do të kontrollohet.[2]
      3. Në vendimin e lejimit të kontrollit gjykata duhet të përcaktojë gjithashtu provat materiale apo sendet që kërkohen nëpërmjet kontrollit. Megjithatë, që vendimmarrja lidhur me lejimin e kontrollit të jetë në përputhje me nenin 202/a të Kodit të Procedurës Penale, nuk kërkohet që përcaktimi i provave materiale apo sendeve të bëhet në mënyrë të detajuar dhe individualizuar. Kjo për arsye se, për sa kohë provat materiale apo sendet që kërkohen duhet të kenë lidhje me veprën penale dhe kuptimi i provave materiale jepet në nenet 187 dhe 208 të Kodit të Procedurës Penale, vendimi do të konsiderohet i arsyetuar nëse gjykata përshkruan në mënyrë të detajuar faktin penal për të cilin po procedohet dhe rrethanat konkrete të tij duke u shprehur më pas se provat materiale apo sendet që kërkohen janë ato që kanë lidhje me këtë fakt penal.[3] Edhe nëse prova materiale apo sendi që kërkohet nëpërmjet kontrollit nuk është përshkruar specifikisht në vendimin e lejimit të kontrollit dhe gjykata është shprehur se objekt kontrolli do të jetë edhe“çdo provë tjetër materiale apo sende të tjera që kanë lidhje me faktin penal objekt hetimi”, mund të procedohet me sekuestrimin e provave materiale dhe sendeve që i përkasin veprës penale nëse rezultojnë se kanë lidhje me faktin penal që po hetohet, qëndrim ky i mbajtur edhe nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut[4]. Kjo për arsye se në pjesën më të madhe të rasteve kontrolli nuk kërkohet në mënyrë të “shënjestruar” për të gjetur diçka specifike dhe konkrete, por kërkohet për të gjetur prova materiale të veprës penale apo sende që i përkasin veprës penale, të cilat mund të mos jenë identifikuar ende me saktësi, por ka arsye të bazuara për të menduar se fshihen tek një person apo tek një vend i caktuar.
      4. Në vendimin e lejimit të kontrollit gjykata duhet të tregojë arsyet që lejojnë kontrollin, e cila përbën në fakt edhe pjesën më të rëndësishme të vendimit. Në kuptim edhe të paragrafit të parë të nenit 202 të Kodit të Procedurës Penale, që të lejohet kontrolli me vendim gjykate duhet të ketë arsye të bazuara (dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova) lidhur me këto tre aspekte: 1) ekzistencën e një figure vepre penale konkrete që do të thotë ekzistencën e rrethanave dhe fakteve konkrete. Rëndësia e paraqitjes në mënyrë të saktë të fakteve në vendimin gjyqësor është theksuar edhe nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në jurisprudencën e saj.[5] Parashtrimi i fakteve duhet të përmbajë elementët e nevojshëm që pretendohet se formësojnë figurën/figurat e veprës/veprave penale për të cilën/cilat po hetohet pasi nëse pasqyrimi është i përgjithshëm, pa referuar elementë konkretë, atëherë kontrolli nuk është më një mjetpër kërkimin e provës, pormjet për të marrë të dhëna lidhur me ekzistencën apo jo të një fakti penal të pretenduar duke qenë në këtë mënyrë i paligjshëm; 2) ekzistencën e provave materiale ose sendeve që i përkasin kësaj vepre penale; 3) faktin se këto prova apo sende ndodhen tek një person apo vend i caktuar. Këto aspekte nuk mund të analizohen të ndarë nga njëri-tjetri pasi janë të lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë midis tyre. Në këtë kuptim, në vendimmarrjen e saj lidhur me lejimin e kontrollit, gjykata duhet të analizojë ekzistencën e dyshimittë arsyeshëm të bazuar në prova lidhur me kryerjen e një vepre penale konkrete dhe rrethanat e kryerjes së saj, faktin se provat materiale apo sendet që kërkohen janë apo jo të lidhura me këtë vepër penale si dhe ekzistencën e arsyeve të bazuara për të menduar se provat materiale apo sendet që i përkasin veprës penale për të cilën po hetohet fshihen te personi apo tek vendi që do të kontrollohet.
      5. Përveç llojit të kontrollit, personit apo vendit që do të kontrollohet, provat materiale apo sendet që kërkohen si dhe arsyeve që lejojnë kontrollin, në vendimin e lejimit të kontrollit duhet të përcaktohet edhe autoriteti që do të kryejë kontrollin. Ky parashikim është i lidhur me paragrafin e dytë të nenit 202 të Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit gjykata që ka nxjerrë vendimin mund të veprojë vetë ose të urdhërojë që veprimi të kryhet nga oficerët e policisë gjyqësore, të caktuar në vendimin e kontrollit. Edhe pse ligji ka parashikuar mundësinë që kontrolli të realizohet nga vetë gjykata që ka nxjerrë vendimin, në fakt në praktikë gjykata përcakton oficerin e policisë gjyqësore që zbaton vendimin e kontrollit, me përjashtim të rasteve kur ligji parashikon në mënyrë të shprehur se kontrolli duhet të kryhet nga vetë gjykata (sikurse është kontrolli në zyrën e mbrojtësit sipas paragrafit të tretë të nenit 52 të Kodit të Procedurës Penale)[6]. Si rregull, oficeri i policisë gjyqësore që do të kryejë kontrollin përcaktohet nga vetë prokurori në kërkesën drejtuar gjykatës për lejimin e kontrollit për sa kohë oficeri i policisë gjyqësore që do të zbatojë vendimin e kontrollit duhet të jetë i njohur me faktin penal për të cilin po procedohet. Edhe nëse gjykata nuk e përcakton më mënyrë nominative oficerin e policisë gjyqësorë që do të zbatojë vendimin e kontrollit, duke referuar që ky i fundit do të caktohet nga vetë prokurori në momentin e ekzekutimit të vendimit, kjo nuk e cenon vendimmarrjen e gjykatës, por ka të bëjë me faktin se eventualisht për arsye të ndryshme oficeri i policisë gjyqësore që cakton gjykata mund të mos jetë në gjendje të realizojë kontrollin.
      6. Sipas paragrafit të dytë të nenit 202/a të Kodit të Procedurës Penale, kur ka arsye të bazuara se të dhënat, informacionet, programet informatike ose gjurmë të tyre, gjenden në një sistem informatik ose telematik, edhe kur ky është i mbrojtur me masa sigurie, gjykata merr vendim për kontrollin, duke urdhëruar masa teknike të përshtatshme, të cilat sigurojnë ruajtjen e të dhënave origjinale dhe nuk lejojnë ndryshimin e tyre. Vendimi i kontrollit duhet të përcaktojë llojin e informacionit që kërkohet dhe mënyrën e marrjes së tij. Sipas këtij parashikimi rezulton se në mënyrë që të lejohet kontrolli i një sistemi informatik apo telematik duhet të ketë arsye të bazuara se të dhënat, informacionet, programet informatike apo gjurmët e tyre gjenden një sistem informatik apo telematik, çka do të thotë se këto të dhëna duhet të jenëekzistuese në sistem. Nga ana tjetër, masa teknike që do të zbatohen për kryerjen e kontrollit duhet të jenë të tilla që të sigurojnë ruajtjen të dhënave origjinale dhe moslejimin e ndryshimit të tyre. Dispozita në fjalë nuk përcakton se cilat janë masat teknike që ofrojnë këto garanci, për faktin se ato të përcaktohen rast pas rasti në përputhje me të dhënat, informacionet, programet informatike ose gjurmët e tyre që do të kërkohen në një sistem informatik ose telematik.[7] Për këtë arsye, për të bërë të mundur vendimmarrjen e gjykatës, referuar edhe faktit që kërkesa për lejimin e kontrollit shqyrtohet në dhomë këshillimi, organi i akuzës duhet të parashtrojë edhe se cilat janë masat teknike të përshtatshme për kryerjen e kontrollit. Nga ana tjetër, në këtë aspekt duhet të mbahen parasysh edhe nenet 191/a, 299/a dhe 299/b të Kodit të Procedurës Penale, të cilët bëjnë fjalë përkatësisht për detyrimin për paraqitjen e të dhënave kompjuterike,ruajtjen e përshpejtuar dhe mirëmbajtjen e të dhënave kompjuterike si dhe ruajtjen e përshpejtuar dhe zbulimin e pjesshëm tëtë dhënave kompjuterike, si dhe Konventa “Për krimin në fushën e kibernetikës”, miratuar me ligjin Nr.8888, datë 25.04.2002, botuar në Fletoren Zyrtare Nr.18, maj 2002.
      7. Sipas paragrafit të tretë të nenit 202/a të Kodit të Procedurës Penale, gjykata merr vendim të arsyetuar në dhomë këshillimi, brenda 24 orëve nga kërkesa e prokurorit. Kundër vendimit që refuzon kërkesën për kontroll mund të bëhet ankim i veçantë në gjykatën e apelit brenda 24 orëve. Gjykata e apelit shqyrton ankimin brenda 48 orëve nga marrja e akteve. Për vetë rëndësinë që paraqet kontrolli si mjet për kërkimin e provës dhe rrezikun eventual që provat materiale apo sendet që i përkasin veprës penale të zhduken, ligji ka parashikuar se kërkesa e prokurorit për lejimin e kontrollit merret në shqyrtim brenda afatit 24 orë nga paraqitja e kërkesës. Për shqyrtimin e kërkesës nuk është e nevojshme thirrja e prokurorit në seancë pasi kërkesa shqyrtohet nëdhomë këshillimi dhe vendimmarrja bazohet në aktet bashkëlidhur kërkesës. Për këtë arsye, bazuar në faktin se kërkesa shqyrtohet në dhomë këshillimi dhe rrjedhimisht gjykata nuk mund të kërkojë shpjegime nga prokurori në seancë,është shumë e rëndësishme që kërkesa e prokurorit të jetë e plotë dhe të përmbajë të gjithë elementët që parashikohen në paragrafin e parë të nenit 202/a të Kodit të Procedurës Penale.
      8. Vendimi i gjykatës, cilado qoftë vendimmarrja e gjykatës, duhet të jetëi arsyetuar dhe rrjedhimisht prokurorit duhet t’i njoftohet vendimi i arsyetuar brenda afatit 24 orë nga paraqitjae kërkesës. Kjo për arsye se në rast se gjykata lejon kontrollin, një kopje e vendimit të gjykatës i dorëzohet personit që do të kontrollohet, të pandehurit të pranishëm apo personit që ka në dispozicion vendin ku do të kryhet kontrolli dhe në këtë rast vendimi duhet të jetë i arsyetuar dhe jo thjesht shkurtim vendimi, i cili përmban vetëm dispozitivin e vendimit. Po kështu, në rast se gjykata refuzon kërkesën për kontroll, vendimi duhet të jetë gjithashtu i arsyetuar për shkak se prokurori ka të drejtën e ankimit të veçantë brenda afatit 24 orë, afati i cili fillon nga njoftimi i vendimit duke qenë se shqyrtimi i kërkesës bëhet në dhomë këshillimi. Nëse gjykata do të zbatonte afatin e përgjithshëm të arsyetimit të vendimeve, nuk do të kishte më kuptim parashikimi ligjor sipas të cilit afati i ankimit ndaj vendimit të refuzimit të kontrollit është 24 orë pasi ankimi do të humbiste efektivitetin. Qëllimi i dispozitës është që kërkesa për kontrollin të shqyrtohet brenda afatit 24 orë nga paraqitja e kërkesës dhe po brenda këtij afati prokurorit t’i njoftohet vendimi i arsyetuar i gjykatës. Nëse gjykata lejon kontrollin, atëherë prokurori ka mundësinë efektive të zbatojë vendimin e gjykatës brenda afatit 72 orë të parashikuar në paragrafin e katërt të nenit 202/a të Kodit të Procedurës Penale duke u vënë në dispozicion personit që do të kontrollohet, të pandehurit të pranishëm apo personit që ka në dispozicion vendin ku do të kryhet kontrolli kopjen e vendimit të arsyetuar të gjykatës. Në të njëjtën mënyrë, nëse gjykata refuzon kontrollin, prokurori ka mundësinë efektive që brenda 24 orëve nga njoftimi i vendimit të arsyetuar dhe 48 orë nga paraqitja e kërkesës (24 orë për marrjen e vendimit të arsyetuar nga gjykata dhe njoftimin e tij prokurorit dhe 24 orë për paraqitjen e ankimit në rast refuzimi të kërkesës) të paraqesë ankim të veçantë në gjykatën e apelit. Gjykata e apelit duhet ta shqyrtojë ankimin brenda 48 orëve nga marrja e akteve. Për të njëjtat arsye të cituara më sipër, në rast të paraqitjes së ankimit të veçantë nga prokurori ndaj vendimit të refuzimit të kontrollit, gjykata duhet të veprojë menjëherë me dorëzimin e dosjes përkatëse dhe nisjen e akteve për efekt të shqyrtimit të ankimit në gjykatën e apelit, pasi çdo vonesë në dërgimin e akteve do të cenonte karakterin urgjent që ka kërkesa për kryerjen e kontrollit.
      9. Nga formulimi i paragrafit të tretë të nenit 202/a të Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit kundër vendimit që refuzon kërkesën për kontroll mund të bëhet ankim i veçantë në gjykatën e apelit brenda 24 orëve, rezulton se ligji ka parashikuar të drejtën e ankimit tëveçantë vetëm ndaj vendimit që refuzon kërkesën për kontroll. Bazuar në parimin e taksativitetit rezulton se ndaj vendimit me të cilin pranohet kërkesa për kontroll nuk lejohet ankim.[8]Në rast se kontrolli është shoqëruar edhe me sekuestrimin e provave materiale apo sendeve që i përkasin veprës penale, duke pasur parasysh ndërvarësinë e ngushtë që ekziston midis këtyre dy mjeteve për kërkimin e provës, ankimi ndaj sekuestrimit jep mundësinë e kontrollit edhe ndaj vendimit të gjykatës për lejimin e kontrollit.[9]
      10. Sipas paragrafit të katërt të nenit 202/a të Kodit të Procedurës Penale, kontrolli duhet të përfundojë brenda 72 orëve nga momenti i marrjes së vendimit për kryerjen e tij. Ashtu sikurse ligji ka parashikuar një afat për vendimmarrjen e gjykatës e cila duhet të realizohet e arsyetuar brenda 24 orëve nga paraqitja e kërkesës për efekt tëngutshmërisë së paraqet kryerja e kontrollit, edhe për sa i përket zbatimi i vendimit të kontrollit ligji ka parashikuar se duhet të bëhet brenda 72 orëve nga marrja e vendimit. Këto parashikime lidhur me afatet e shqyrtimit të kërkesës dhe zbatimit të vendimit të kontrollit kanë të njëjtin qëllim dhe konkretisht shmangien e rrezikut eventual që provat materiale apo sendet që i përkasin veprës penale të zhduken. Për sa kohë ligji nuk ka parashikuar asnjë pasojë në lidhje me mosrespektimin e afatit prej 72 orë dhe aq më tepër të ndikojë në vlefshmërinë e vendimit të kontrollit, rezulton se ky afat ka karakter disiplinues për prokurorin. Nëse për arsye të ndryshme nuk respektohet afati 72 orë, kjo nuk do të thotë se prokurori duhet t’i drejtohet gjykatës me një kërkesë të re për kryerjen e kontrollit pasi në thelb prokurori do të parashtrojë po të njëjtat rrethana sikurse në kërkesën e parë të cilat janë vlerësuar njëherë nga gjykata dhe kjo e fundit nuk mund të bëjë një vlerësim të ndryshëm. Në këtë aspekt duhet të mbahet parasysh edhe fakti se paligjshmëria e kontrollit nuk ndikon në vlefshmërinë e sekuestros për sa kohë sekuestrohen prova materiale apo sende që i përkasin veprës penale pasi vlefshmëria e sekuestros nuk varet nga modaliteti me të cilin sendet objektivisht të sekuestrueshme janë gjetur dhe sekuestrimi i provave materiale apo sendeve që i përkasin veprës penale është një veprim i detyrueshëm për tu kryer nga policia gjyqësore.[10]

       

      [1]Vendimi Nr.39, datë 18.07.2012, GJK.

      [2]Vendimi Nr.1539, datë 15.12.1994, Gjykata e Kasacionit Itali. Gjykata e ka vlerësuar të pabazuar pretendimin e ankuesit se vendimi i kontrollit ishte i pavlefshëm për shkak se gjykata ishte shprehur se vendet që do të kontrolloheshin ishin vendet në posedimin faktik të personit nën hetim.

      [3]Vendimi Nr.117, datë 02.12.2005, Gjykata e Kasacionit Itali. Vendimi Nr.892, datë 02.03.1995, Gjykata e Kasacionit Itali, ku gjykata ka vlerësuar se vendimi i kontrollit ishte i paligjshëm për shkak se në vendim citohej vetëm se vepra penale për të cilën po kryhej hetimi ishte falsifikimi i bilancit, pa iu referuar rrethanave konkrete në të cilat dyshohej se ishte kryer vepra penale. Vendimi Nr.195, datë 22.02.1994, Gjykata e Kasacionit Itali.

      [4]Vinks dhe Ribicka kundër Letonisë, 30.01.2020, paragrafi 111.

      [5]Fomin kundër Moldavisë, 11.01.2012, para 28. Në këtë çështje GJEDNJ-ja ka argumentuar se:“Gjykata e quan të çuditshëm faktin se gjykatat kombëtare nuk kanë bërë asnjë koment lidhur me faktin se akuza e bërë nga R. dhe bashkëshorti i saj i referohen një adrese (Viilorstr.), ndërsa aplikanti është dënuar për fyerjen e R. në një adresë tjetër (Mateevicistr). Kjo nuk mund të shihet si një gabim thjeshtë shtypshkrimi, aq më tepër që aplikuesi e ka përdorur këtë mospërputhje si argument në gjykim”.

      [6]Neni 52/3 i Kodit të Procedurës Penale parashikon se: “Këqyrjet, kontrollimet dhe sekuestrimet në zyrat e mbrojtësve sipas shkronjave “a” dhe “b”, të paragrafit 1, të këtij neni, i bën gjyqtari personalisht, kurse gjatë hetimeve paraprake ato i bën prokurori në bazë të një vendimi autorizues të gjykatës”.

      [7]Vendimi Nr.37644, datë 17.09.2015, Gjykata e Kasacionit Itali.

      [8]Vendimi Nr.2108, datë 08.06.2000, Gjykata e Kasacionit Itali.

      [9]Vendimi Nr.2289, datë 17.10.1994, Gjykata e Kasacionit Itali.

      [10]Vendimi datë 27.03.1996, i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Kasacionit Itali;Vendimi Nr.15784, datë 29.03.2017, Gjykata e Kasacionit Itali; Vendimi Nr.42010, datë 28.10.2010, Gjykata e Kasacionit Itali; Vendimi Nr.40833, datë 10.10.2007, Gjykata e Kasacionit Itali.

      1. Neni 202/a i Kodit të Procedurës Penale është një dispozitë e re e shtuar me ligjin Nr.35/2017.Nëpërmjet kësaj dispozite u qartësuan si elementët që duhet të përmbajë vendimi i kontrollitduke reflektuar në këtë mënyrë edhe standardin e arsyetimit sipas praktikës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, ashtu edhe procedura e shqyrtimit të kërkesës për kryerjen e kontrollit duke lehtësuar procedurën gjyqësore për sa kohë u parashikua mundësia e shqyrtimit të kërkesës në dhomë këshillimi. Për të bërë efektiv kontrollin si mjet për kërkimin e provës me anë të kësaj dispozite u parashikuan edhe afate të posaçme shqyrtimi, ankimi dhe zbatimi të vendimit të kontrollit duke pasur në këtë mënyrë një kuadër të qartë ligjor lidhur me kontrollin.
    • Asnjë koment
    1. Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut;

    A.    Raporte, opinion, rekomandime

    1. Udhëzues i nenit 6 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (fusha penale), azhurnuar më datë 30.04.2020.

    B.     Vendime të Gjykatës Evropiane tëtë Drejtave të Njeriut

    1. Vinks dhe Ribicka kundër Letonisë, 30.01.2020;
    2. Fomin kundër Moldavisë, 01.2012;
    3. Taxquet kundër Belgjikës, 16.11.2010;
    4. Hirvisaari kundër Finlandës,12.2001.
    1. Analiza e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, Qershor 2015, hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë.
    1. Neni 6i KEDNJ-së;
    2. Kushtetuta;
    3. Kodi i Procedurës Penale.
  • Asnjë koment
  • A.    Vendime të Gjykatës Kushtetuese

    1. Vendimi Nr.53 datë 05.12.2012, GJK;
    2. Vendimi Nr.39, datë 18.07.2012, GJK;
    3. Vendimi Nr.25, datë 10.06.2011, GJK;
    4. Vendimi Nr.5, datë 02.03.2011, GJK;
    5. Vendimi Nr.11, datë 02.04.2008, GJK;
    6. Vendimi Nr.33, datë 08.12.2005, GJK.

    B.     Vendime të Gjykatës së Lartë

    1. Vendimi Nr.15784, datë 29.03.2017, Gjykata e Kasacionit Itali;
    2. Vendimi Nr.37644, datë 17.09.2015, Gjykata e Kasacionit Itali;
    3. Vendimi Nr.42010, datë 28.10.2010, Gjykata e Kasacionit Itali;
    4. Vendimi Nr.40833, datë 10.10.2007, Gjykata e Kasacionit Itali;
    5. Vendimi Nr.117, datë 02.12.2005, Gjykata e Kasacionit Itali;
    6. Vendimi Nr.2108, datë 08.06.2000, Gjykata e Kasacionit Itali;
    7. Vendimi datë 27.03.1996, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës sëKasacionit Itali;
    8. Vendimi Nr.892, datë 02.03.1995, Gjykata e Kasacionit Itali;
    9. Vendimi Nr.1539, datë 15.12.1994, Gjykata e Kasacionit Itali;
    10. Vendimi Nr.2289, datë 17.10.1994, Gjykata e Kasacionit Itali;
    11. Vendimi Nr.195, datë 22.02.1994, Gjykata e Kasacionit Itali.
    1. PaoloTonini, “Manuale di procedura penale”, Quindicesimaedizione, GiuffreEditore;
    2. Commenatario breve alCodice di Procedura Penale, nonaedizione, 2015, WoltersKluwer, CEDAM.
  • Asnjë koment
Nurjeta Tafa
Nurjeta Tafa