KODI I PROCEDURËS PENALE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË   |   7905

Neni 279-a: E drejta e viktimës për informim

1Për shkaqe të ligjshme, viktima, përfaqësuesi ligjor ose mbrojtësi i saj kanë të drejtë të kërkojnë informacion për gjendjen e procedimit, si dhe të njihen dhe të marrin kopje të akteve dhe provave që ndodhen në fashikullin e prokurorit.

2Prokurori mund të refuzojë kërkesën kur:

a interesi i ruajtjes së fshehtësisë së hetimit tejkalon interesin e viktimës;

binteresi i të pandehurit tejkalon interesin e viktimës;

cviktima nuk është pyetur ende si dëshmitar.

3Viktima, përfaqësuesi ligjor ose mbrojtësi i saj kanë të drejtë të kërkojnë informacion në lidhje me vendosjen, vazhdimin, zëvendësimin apo heqjen e masave të sigurimit ndaj të pandehurit, përveçse kur njoftimi për këto fakte mund të rrezikojë jetën ose shëndetin e të pandehurit.

Përmbajtja

      1. Neni 279/a i K.Pr.P ka qëllim të dyfishtë, garantimin e të drejtës së viktimës për informim dhe në të njëjtën kohë moscënimin e procedimit penal dhe parimit të sekretit hetimor si dhe të drejtave të të pandehurit.
      1. Neni 279/a i K.Pr.P përcakton kushtet dhe llojin e informacionit që viktima ka të drejtë të marrë në kuadër të procedimit penal, rastet e kufizimit të të drejtës për informim dhe rregullat procedurale për realizimin e kesaj të drejte në rastin e aplikimit të masave të sigurimit personal ndaj të pandehurit.
      1. Neni 279/a i K.Pr.P konkretizon mënyrën e ushtrimit të të drejtës së viktimës për informim të përcaktuar në gërmat “d”, “e” dhe “ë” të nenit 58 të K.Pr.P. Prandaj, neni 279/a shihet ngushtë me nenin 58 të K.Pr.P sipas të cilit, viktima ka të drejtë kërkojë në çdo kohë informacion për gjendjen e procedimit, si dhe të njihet me aktet e provat, pa cënuar parimin e sekretit hetimor; të informohet për arrestimin e të akuzuarit dhe lirimin e tij, në kushtet e caktuara në këtë Kod; dhe të njoftohet për mosfillimin e procedimit, pushimin e çështjes, fillimin dhe përfundimin e gjykimit.

       

      1. Në nenin 279/a§1 të K.Pr.P përcaktohen rregullat procedurale të ushtrimit të të drejtës së viktimës për informim. Të drejtën të kërkojnë informacion e kanë viktima, përfaqësuesi ligjor ose mbrojtësi i saj. Në këtë mënyrë, dispozita ka rregulluar garantimin e të drejtës për informim edhe për viktimën që nuk ka zotësi për të vepruar. Në një rast të tillë, në përputhje me nenin 58§3 të K.Pr.P, viktima i ushtron të drejtat e saj nëpërmjet përfaqësuesit ligjor ose kujdestarit të tij, përveçse kur kjo nuk është në interesin e viktimës. Rregullimi i përfaqësimit ligjor për viktimën që nuk ka zotësi për të vepruar është në përputhje me standartet ndërkombëtare[1] që përcaktojnë detyrimin për të parashikuar përfaqësimin e fëmijës nga një kujdestar ligjor, organizatë ose autoritet ligjor që do të veprojë në emër të interesave më optimale të këtij fëmije.

       

      1. Kur vëren papajtueshmëri mes interesave të viktimës dhe atyre të përfaqësuesit ligjor ose kujdestarit, gjykata cakton një kujdestar të posaçëm, në përputhje me dispozitat e Kodit të Familjes. Gjykata për caktimin e kujdestarit të posaçëm aplikon nenet 274-281 dhe 308 të Kodit të Familjes. Ky rregullim është në përputhje me standartet ndërkombëtare[2], sipas të cilave autoritetet gjyqësore duhet të emërojnë një përfaqësues të veçantë për viktimën kur, mbajtësit e përgjegjësisë prindërore përjashtohen nga përfaqësimi i fëmijës në këto procedime si rezultat i një konflikti të interesit midis tyre dhe viktimës.

       

      1. Të drejtën të kërkojnë informacion e kanë edhe trashëgimtarët e viktimës për arsye se sipas nenit 58§4 të K.Pr.P ata kanë të drejtat e parashikuara në shkronjat “a”, “e”, “ë”, “f”, “g” dhe “j”, të paragrafit 1, të këtij neni. Në mënyrë që të drejtat e parashikuara në këtë dispozitë të ushtrohen në mënyrë praktike dhe efektive, trashëgimtarët e viktimës kanë të drejtë të kërkojnë informacion sipas nenit 279/§ të K.Pr.P. Nëse trashëgimtari i viktimës është i mitur, ai përfaqësohet nga kujdestari ligjor dhe në këtë rast zbatohen dispozitat e Kodit të Familjes.

       

      1. Të drejtën të kërkojë informacion viktima, mund ta ushtrojë nëpërmjet mbrojtësit të saj në përputhje me të drejtën e garantuar në gërmën ç) të nenit 58 të K.Pr.P, sipas të cilës viktima ka të drejtë të zgjedhë mbrojtës dhe, kur është rasti, të përfitojë ndihmë juridike falas, sipas legjislacionit në fuqi. Për kategori të vecantë të viktimave neni 279/a i K.Pr.P shihet ngushtë me parashikimet në ligjin nr.143/2013 “Për Ndihmën juridike, të ndryshuar dhe ligjin nr.117/2017 “Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti”, i cili hyn në fuqi në datë 01.06.2018.

       

      1. Sipas nenit 279/a të K.Pr.P e drejta për informim përfshin të drejtën e viktimave të kërkojnë informacion për gjendjen e procedimit, si dhe të njihen dhe të marrin kopje të akteve dhe provave që ndodhen në fashikullin e prokurorit. Ky parashikim është në përputhje me nenin 58 të K.Pr.P dhe disa nga Konventat e ratifikuara[3]. Në këto Konventa parashikohet detyrimi për të informuar viktimat, sipas kushteve të parashikuara nga ligji i brendshëm, për të drejtat e tyre dhe shërbimet në dispozicion të tyre dhe shqyrtimin e ankesës së tyre, akuzat, ecurinë e përgjithshme të hetimit ose të procedimit dhe rolin e tyre në to, si dhe rezultatin e çështjes së tyre. Ndërsa sipas legjislacionit të BE[4], informacioni në lidhje me gjendjen e procedimit përfshin të gjitha të dhënat e përditësuara të rëndësishme të cështjes.

       

      1. Sipas standarteve të vendosura nga GJEDNJ[5] informimi i viktimës përben një nga elementet kyç të përmbushjes të detyrimeve positive që shteti ka në kuadër të KEDNJ-së në përgjithësi dhe në kuadër të respektimit të drejtave absolute, siç është e drejta e jetës. Dy elementë janë kryesorë në këtë drejtim, në rastet e përdorimit të forces nga organet shtetërore (policia) me pasojë humbjen e jetës. Së pari, informimi i të afërmve se përse vlerësohet se përdorimi i forcës nuk përbën vepër penale është thelbësor. Së dyti, të afërmit dhe të interesuarit duhet të kenë mundësi të informohen në lidhje me hetimin përfshirë këtu kqyrjen e dokumenteve dhe, kur ishte e nevojshme, ofrimin e ndihmës juridike falas.

       

      1. E drejta e viktimës për informim nuk është e drejtë absolute por është e kufizueshme në rastet e përcaktuara në ligj. Viktima ka të drejtë të kërkojë informacion vetëm për shkaqe të ligjshme, dhe këto shkaqe duhet të argumentohen në kërkesën e saj ose të rezultojnë nga aktet e procedimit penal. Me “shkaqe të ligjshme” nënkuptohen arsye apo rrethanat të cilat e bëjnë të domosdoshme marrjen e informacionit me qëllim ushtrimin në mënyrë praktike dhe efektive të të drejtave të viktimës, për të siguruar pjesëmarrjen efektive të saj në procesin penal. Organi procedues rast pas rasti vlerëson nëse ekzistojnë shkaqe të ligjshme për realizimin e të drejtës së viktimës për informim, por gjithmonë duke ruajtur balancën dhe moscënimin e interesave të procedimit penal, duke patur parasysh fazën në të cilën ndodhet, si dhe moscënimin e interesave të parashikuara në paragrafet 2 dhe 3 të nenit 279/a të K.Pr.P.

       

      1. Në vijim të këtij vlerësimi, prokurori mund të refuzojë kërkesën kur: a) interesi i ruajtjes së fshehtësisë së hetimit tejkalon interesin e viktimës; b) interesi i të pandehurit tejkalon interesin e viktimës; c) viktima nuk është pyetur ende si dëshmitar. Parashikimi në gërmën “c” është i qartë dhe lidhet me mosndikimin e viktimës, që nuk është pyetur ende si dëshmitar, nga provat e grumbulluara. Mund të ndodhë që viktima të ndikohet nga deklaratat e të pandehurit apo dëshmitarëve dhe të ndryshojë deklaratat ose dëshminë e tij, duke shtrëmbëruar të vërteten. Dy rastet e tjera të përcaktuara nga dispozita kërkojnë një vlerësim në tërësi të të gjitha elementëve dhe kritereve me qëllim përcaktimin e interesit prevalues. Në këto raste, si kritere të cilat duhet të merren parasysh nga prokurori në këtë vlerësim mund të jenë: faza në të cilën ndodhet procedimi penal, ecuria e përgjithshme e hetimit ose e procedimit dhe roli i viktimës në to, kompleksiteti i çështjes dhe e drejta e cënuar nga vepra penale, etj. Siç u përmend edhe më sipër, GJEDNJ[6] në jurisprudencën e saj ka theksuar rëndësinë e të drejtës së viktimave dhe familjareve të tyre për të ditur të vërtetën në lidhje me rrethanat e ngjarjeve që përfshijnë shkelje masive të të drejtave themelore të tilla si e drejta e jetës. Në një nga cështjet e shqyrtuara GJEDNJ[7] ka vlerësuar se klasifikimi “sekret” ose tepër sekret” i informacineve thelbësore për hetimin nuk justifikohej, duke kujtuar detyrimin procedural për të garantuar pjesëmarrjen e të afërmve të viktimës në procesin penal. Megjithatë, duhet theksuar se në çështjen në fjalë, informacioni i këkuar nga viktimat u refuzua për arsye se përbënte sekret për një periudhë 20 vjeçare. Ishte pikërisht kjo kohëzgjatje e ekazegjeruar që e çoi GJEDNJ në gjetjen e një shkeljeje të nenit 2 KEDNJ. Arsyetimi a contrario në këtë rast, të çon në përfundimin se refuzim i perkohshëm dhe për një kohë të shkurtër i informacionit të kërkuar nga viktime, për arsye ruajtjen e sekretit hetimor është i pranueshëm nga GJEDNJ. Gjithsesi, viktima duhet të ketë akses të plotë në informacion me mbylljen e hetimeve, pasi arsyea për ruajtjen e sekretit hetimor nuk ekziston më në këtë rast.

       

      1. Neni 279/a§2 i K.Pr.P duhet parë ngushtë me nenin 279 të K.Pr.P që përcakton rregullat procedurale të zbatueshme për respektimin e detyrimit për të ruajtur sekretin. Siç u theksua dhe më sipër, në rast nevoje për vazhdimin e hetimeve prokurori mund të urdhërojë ruajtjen e sekretit për akte të veçanta deri në përfundim të hetimeve. Kjo nënkupton kufizimin edhe të të drejtës së viktimës për informim lidhur me këto akte të veçanta. Prokurori mund të lejojë, me vendim të arsyetuar, publikimin e akteve të veçanta ose të pjesëve të tyre.

       

      1. Sipas nenit 279/a§3 të K.Pr.P, viktima ka të drejtë të kërkojë informacion në lidhje me vendosjen, vazhdimin, zëvendësimin apo heqjen e masave të sigurimit ndaj të pandehurit, përveçse kur njoftimi për këto fakte mund të rrezikojë jetën ose shëndetin e të pandehurit. Ky rregullim është në përputhje me Konventat[8] e ratifikuara, që sanksionojnë detyrimin e shteteve për tu siguruar që viktimat të informohen, të paktën në rastet kur viktima dhe familja mund të jetë në rrezik, kur autori i veprës arratiset ose lirohet përkohësisht ose përfundimisht.

       

      1. Standartet e BE[9] pëcaktojnë se informacioni duhet të jepet pa vonesë. Dhëmia e informacionit nënkupton detyrimin, që të gjitha viktimat të kenë të drejtë për të marrë informacion në lidhje me: a) vendimin për përfundimin e procedimit penal dhe arsyet e këtij vendimi, dhe b) kohën dhe vendin e zhvillimit të procesit gjyqësor si dhe llojin e akuzave sipas kërkesës. Viktimat me një “rol” të caktuar në sistemin e drejtësisë penale kanë të drejtë për të marrë informacion sipas kërkesës në lidhje me: a) vendimin përfundimtar të gjykatës (dhe arsyet e këtij vendimi) dhe (b) informacion mbi gjendjen e procedimit penal. Informacioni mund të komunikohet në mënyrë të personalizuar dhe nëpërmjet mjeteve të ndryshme (verbalisht ose me shkrim, duke përfshirë mjetet elektronike).

       

      [1] Konventa e Këshillit të Europës “Për mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi dhe abuzimi seksual” ratifikuar me ligjin nr. 10071/2009, neni 31§4.

      [2] Konventa e Këshillit të Europës “Për mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi dhe abuzimi seksual” ratifikuar me ligjin nr. 10071/2009, neni 31§4.

      [3] Konventa e Këshillit të Europës “Për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje” ratifikuar me ligjin nr.104/2012, nenet 19, 56/b/c; Konventa e Këshillit të Europës “Për mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi dhe abuzimi seksual” ratifikuar me ligjin nr. 10071/2009, neni 31§1/a/b, 31§2; Konventa e Këshillit të Europës “Për masat kundër trafikimit të qënieve njerëzore” ratifikuar me ligjin nr.9642/2006, neni 12/d/e.

      [4] Direktiva 2012/29 e Parlamentit Europian dhe Këshillit e datës 25.10.2012 e Bashkimit Europian, që vendosi standartet minimale të të drejtave, mbështetjes dhe mbrojtjes së viktimave të krimit, duke zëvëndësuar Vendimin Kuadër të Këshillit 2001/220/JHA, (publikuar në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Europian në datën 14.11.2012), neni 3, 4 dhe 6.

      [5] Hugh Jordan kundër Mbretërisë së Bashkuar, kërkesa 24746/94, datë 4 Maj 2001, lidhur me mungesën e ofrimit të mundësisë së pjesëmarrjes efektive të të afërmve të viktimës në procesin hetimor, informimin e të afërmve në lidhje me hetimin.

      [6] Ledi Bianku, Odeta Kumbaro, Jurisprudenca e Gjykatës së Strasburgut, Botimi i IV, Tiranë 2017.

      [7] Shoqata “21 Dhjetor 1989” dhe të tjerë kundër Rumanisë, kërkesat nr.33810/07 dhe 18817/08 datë 24 Maj 2011.

      [8] Konventa e Këshillit të Europës “Për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje” ratifikuar me ligjin nr.104/2012, nenet 19, 56/b/c; Konventa e Këshillit të Europës “Për mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi dhe abuzimi seksual” ratifikuar me ligjin nr. 10071/2009, neni 31§1/a/b, 31§2; Konventa e Këshillit të Europës “Për masat kundër trafikimit të qënieve njerëzore” ratifikuar me ligjin nr.9642/2006, neni 12/d/e.

      [9] Direktiva 2012/29 e Parlamentit Europian dhe Këshillit e datës 25.10.2012 e Bashkimit Europian, që vendosi standartet minimale të të drejtave, mbështetjes dhe mbrojtjes së viktimave të krimit, duke zëvëndësuar Vendimin Kuadër të Këshillit 2001/220/JHA, (publikuar në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Europian në datën 14.11.2012), neni 3, 4 dhe 6.

      1. Në relacionin për projekt-ligjin[1] për disa shtesa dhe ndryshime në K.Pr.P dhe në Analizën e Sistemit të Drejtësisë,[2] të hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë është pasqyruar problematika që konsiston në mosnjohjen e rolit të viktimës në procesin penal, dhe të drejtës për tu informuar lidhur me zhvillimet kryesore të procedimit penal. Përpara ndryshimeve në K.Pr.P, informimi i viktimës për gjendjen e procedimit nuk kishte bazë ligjore dhe ishte në diskrecionin e prokurorit për të informuar ose jo viktimën në bazë të kërkesës së kësaj të fundit.

       

      1. Përcaktimi i rolit të viktimës dhe garantimi i disa të drejtave procedurale për viktimën në procesin penal me ligjin nr.35/2017 nenin 58 i K.Pr.P ka sjellë nevojën e rregullimit konkret të mënyrës së ushtrimit të të drejtës së viktimës për informim. Me qëllim zbatimin e standarteve ndërkombëtare për të drejtën e viktimës për informim të përcaktuara nga legjislacioni i BE,[3] disa nga Konventat e ratifikuara nga Shqipëria[4] dhe jurisprudenca e GJEDNJ, me ligjin 35/2017, është shtuar neni 279/a i K.Pr.P.

       

      [1] Relacioni për projekt-ligjin “Për disa shtesa e ndryshime në Kodin e Procedurës Penale”, https://.parlament.al/ëp-content/uploads/KODI-I-PROCEDURES-PENALE-Resized.pdf, faqe 5, 6, 11, 13, aksesuar për herë të fundit në datë 29.12.2017.

      [2] Shih Analizën e Sistemit të Drejtësisë, Qershor 2015, në http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/dokumenti_shqip_0.pdf vizituar për herë të fundit më 29.12.2017, faqe 12 dhe 137, 150.

      [3] Direktiva 2012/29 e Parlamentit Europian dhe Këshillit e datës 25.10.2012 e Bashkimit Europian, që vendosi standartet minimale të të drejtave, mbështetjes dhe mbrojtjes së viktimave të krimit, duke zëvëndësuar Vendimin Kuadër të Këshillit 2001/220/JHA, (publikuar në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Europian në datën 14.11.2012, Rekomandimi (2000) 19 “Për rolin e prokurorit në sistemin e drejtësisë penale” dhe Memorandumi shpjegues, miratuar në datë 06 Tetor 2000, nga Komiteti i Ministrave të Këshillit të Europës, pika 34, lidhur me autorizimin e palëve për të ndërmarrë akuzën private, Rekomandimi (2006) 8 i Komitetit të Ministrave të shteteve anëtare “Për asistimin e viktimave të krimit” datë 14 Qershor 2006, Rekomandimi (1985) 11 i Komitetit të Ministrave të shteteve anëtare “Për pozitën e viktimës në kuadrin e të drejtës penale dhe procedurës penale” datë 28 Qershor 1985, Rekomandimi (1987) 21 i Komitetit të Ministrave të shteteve anëtare “Për asistimin e viktimave dhe parandalimin e viktimizimit”, datë 17 Shtator 1987, Rekomandimi (1997) 13 i Komitetit të Ministrave të shteteve anëtare “Për intimidimin e dëshmitarëve dhe të drejtën e mbrojtjes”, datë 10 Shtator 1997, Rekomandimi (1999) 19 i Komitetit të Ministrave të shteteve anëtare “Për ndërmjetësimin në fushën penale”, datë 15 Shtator 1999, Rekomandimi (2003) 13 i Komitetit të Ministrave të shteteve anëtare “Për rregullimin e informimit nëpërmjet medias në lidhje me procedimin penal”; datë 10 Korrik 2003, dhe Konventa Europiane “Për kompensimin e viktimave të veprave penale të dhunshme” e Këshillit të Europës, datë 24 Nëntor 1983.

      [4] Konventa e Këshillit të Europës “Për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje” ratifikuar me ligjin nr.104/2012, Konventa e Këshillit të Europës “Për mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi dhe abuzimi seksual” ratifikuar me ligjin nr. 10071/2009, Konventa e Këshillit të Europës “Për masat kundër trafikimit të qënieve njerëzore” ratifikuar me ligjin nr.9642/2006.

    • Konventa e Këshillit të Europës “Për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje” ratifikuar me ligjin nr.104/2012, e cila garanton mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të viktimave, në të gjitha fazat e procedimeve gjyqësore, në veçanti të drejtën e informimit dhe për tu dëgjuar. 

      Konventa e Këshillit të Europës “Për mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi dhe abuzimi seksual” ratifikuar me ligjin nr. 10071/2009, e cila garanton që viktimat e mitur në rastin e shfrytëzimit apo abuzimit seksual të informohen për akuzat, ecurinë e përgjithshme të hetimit ose të procedimit dhe rolin e tyre në to, si dhe rezultatin e çështjes së tyre; 

      Konventa e Këshillit të Europës “Për masat kundër trafikimit të qënieve njerëzore” ratifikuar me ligjin nr.9642/2006, e cila garanton mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të viktimave të trafikimit, në të gjitha fazat e procedimeve gjyqësore, në veçanti të drejtën e informimit dhe për tu dëgjuar; 

      Direktiva 2012/29 e Parlamentit Europian dhe Këshillit e datës 25.10.2012 e Bashkimit Europian, që vendosi standartet minimale të të drejtave, mbështetjes dhe mbrojtjes së viktimave të krimit, duke zëvëndësuar Vendimin Kuadër të Këshillit 2001/220/JHA, (publikuar në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Europian në datën 14.11.2012), ka si qëllim të sigurojë që viktima e krimit të marrë informacionin e përshtatshëm, mbështetjen dhe mbrojtjen dhe të jetë në gjendje që të marrë pjesë në procedimin penal.

  • Raporte, opinione, rekomandime dhe deklarata 

    Rekomandimi (2006) 8 i Komitetit të Ministrave të shteteve anëtare “Për asistimin e viktimave të krimit” datë 14 Qershor 2006; 

    Rekomandimi (1985) 11 i Komitetit të Ministrave të shteteve anëtare “Për pozitën e viktimës në kuadrin e të drejtës penale dhe procedurës penale” datë 28 Qershor 1985; 

    Rekomandimi (1987) 21 i Komitetit të Ministrave të shteteve anëtare “Për asistimin e viktimave dhe parandalimin e viktimizimit”, datë 17 Shtator 1987; 

    Rekomandimi (1997) 13 i Komitetit të Ministrave të shteteve anëtare “Për intimidimin e dëshmitarëve dhe të drejtën e mbrojtjes”, datë 10 Shtator 1997; 

    Rekomandimi (1999) 19 i Komitetit të Ministrave të shteteve anëtare “Për ndërmjetësimin në fushën penale”, datë 15 Shtator 1999; 

    Rekomandimi (2003) 13 i Komitetit të Ministrave të shteteve anëtare “Për rregullimin e informimit nëpërmjet medias në lidhje me procedimin penal”; datë 10 Korrik 2003; 

    Rekomandimi (2000) 19 “Për rolin e prokurorit në sistemin e drejtësisë penale” dhe Memorandumi shpjegues, miratuar në datë 06 Tetor 2000, nga Komiteti i Ministrave të Këshillit të Europës, pika 34, lidhur me autorizimin e palëve për të ndërmarrë akuzën private.

     

    Vendime të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut 

    Hugh Jordan kundër Mbretërisë së Bashkuar, kërkesa 24746/94, datë 4 Maj 2001, lidhur me mungesën e ofrimit të mundësisë së pjesëmarrjes efektive të të afërmve të viktimës në procesin hetimor, informimin e të afërmve në lidhje me hetimin; 

    Shoqata “21 Dhjetor 1989” dhe të tjerë kundër Rumanisë, kërkesat nr.33810/07 dhe 18817/08 datë 24 Maj 2011, lidhur me mungesën e ofrimit të mundësisë së pjesëmarrjes efektive të të afërmve të viktimës në procesin hetimor, informimin e të afërmve në lidhje me hetimin.

  • Analizë e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, Qershor 2015, faqe 12, 137, 150, hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/dokumenti_shqip_0.pdf, aksesuar për herë të fundit më 29.12.2017; 

    Relacioni për projekt-ligjin “Për disa shtesa e ndryshime në Kodin e Procedurës Penale”, https://www.parlament.al/wp-content/uploads/KODI-I-PROCEDURES-PENALE-Resized.pdf, aksesuar për herë të fundit në datë 29.12.2017.

  • Neni 58, të ligj nr.35/2017 Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.7905, datë 21.03.1995 “Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar me ligjin nr. 35/2017; 

    Nenet 274-281 dhe 308 të Kodit të Familjes; 

    Ligji nr.143/2013 “Për Ndihmën juridike, i ndryshuar; 

    Ligji nr.117/2017 “Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti”, i cili hyn në fuqi në datë 01.06.2018;

     

    Kushtetuta: 

    Neni 23 i Kushtetutës, ndryshuar me ligjin nr. 76/2016;

     

    Ligji: 

    Konventa e Këshillit të Europës “Për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje” ratifikuar me ligjin nr.104/2012; 

    Konventa e Këshillit të Europës “Për mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi dhe abuzimi seksual” ratifikuar me ligjin nr. 10071/2009; 

    Konventa e Këshillit të Europës “Për masat kundër trafikimit të qënieve njerëzore” ratifikuar me ligjin nr.9642/2006; 

    Ligji nr.7905, datë 21.03.1995 “Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar me ligjin nr. 35/2017. 

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Ledi Bianku, Jurisprudenca e Gjykatës së Strasburgut, Tiranë, 2007; 

    Ledi Bianku, Odeta Kumbaro, Jurisprudenca e Gjykatës së Strasburgut, Botimi i IV, Tiranë 2017; 

    Salvatore Zappalà, The Rights of Victims v. the Rights of the Accused, Journal of International Criminal Justice, Vol. 8, 1 Mars 2010.

  • Ligje 

    Neni 279 i K.Pr.P para ndryshimit me ligjin nr. 35/2017.

Ornela Naqellari
Idlir Peçi, Koraljka Bumči