KODI I PROCEDURËS PENALE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË   |   7905

Neni 58: Të drejtat e viktimës së veprës penale

1Viktima e veprës penale ka të drejtë:

atë kërkojë ndjekjen penale të fajtorit;

btë përfitojë kujdes mjekësor, ndihmë psikologjike, këshillim dhe shërbime të tjera të ofruara nga autoritetet, organizatat ose institucionet përgjegjëse për ndihmën ndaj viktimave të veprës penale;

ctë komunikojë në gjuhën e saj dhe të ndihmohet nga një përkthyes, interpretues i gjuhës së shenjave ose lehtësues i komunikimit për personat me aftësi të kufizuar në të folur dhe në të dëgjuar;

çtë zgjedhë mbrojtës dhe, kur është rasti, të përfitojë ndihmë juridike falas, sipas legjislacionit në fuqi;

dtë kërkojë, në çdo kohë, informacion për gjendjen e procedimit, si dhe të njihet me aktet e provat, pa cenuar parimin e sekretit hetimor;

dhtë kërkojë marrjen e provave, si dhe të parashtrojë kërkesa të tjera përpara organit procedues;

etë informohet për arrestimin e të akuzuarit dhe lirimin e tij, në kushtet e caktuara në këtë Kod;

ëtë njoftohet për mosfillimin e procedimit, pushimin e çështjes, fillimin dhe përfundimin e gjykimit;

ftë bëjë ankim në gjykatë kundër vendimit të prokurorit për të mos filluar procedimin dhe vendimit të prokurorit ose gjyqtarit të seancës paraprake për të pushuar akuzën ose çështjen;

gtë kërkojë shpërblimin e dëmit dhe të pranohet si paditës civil në procesin penal;

gjtë përjashtohet, në kushte të caktuara me ligj, nga pagimi i çdo shpenzimi për marrjen e akteve dhe tarife gjyqësore për paraqitjen e kërkesë-padisë që lidhen me statusin e viktimës së veprës penale;

htë thirret në seancën paraprake dhe në seancën e parë gjyqësore;

itë dëgjohet nga gjykata, edhe kur asnjëra nga palët nuk ka kërkuar thirrjen e saj si dëshmitar;

jtë ushtrojë të drejta të tjera të parashikuara nga ky Kod.

2Organi procedues njofton menjëherë viktimën për të drejtat e përmendura në paragrafin 1, të këtij neni, dhe mban procesverbal për njoftimin e tyre.

3Viktima që nuk ka zotësi për të vepruar, i ushtron të drejtat e saj nëpërmjet përfaqësuesit të saj ligjor ose kujdestarit të tij, përveçse kur kjo nuk është në interesin e viktimës. Kur vëren papajtueshmëri mes interesave të viktimës dhe atyre të përfaqësuesit ligjor ose kujdestarit, gjykata cakton një kujdestar të posaçëm, në përputhje me dispozitat e Kodit të Familjes.

4Trashëgimtarët e viktimës kanë të drejtat e parashikuara në shkronjat “a”, “e”, “ë”, “f”, “g” dhe “j”, të paragrafit 1, të këtij neni. Nëse trashëgi-mtari i viktimës është i mitur, ai përfaqësohet nga kujdestari ligjor.

Përmbajtja

      1. Qëllimi i kësaj dispozite është të përcaktojë pozitën e viktimës në procesin penal, si dhe të drejtat e saj procedurale nga momenti i regjistrimit të njoftimit të veprës penale e deri në përfundim të procesit, duke garantuar përafrimin e legjislacionit të brendshëm me atë ndërkombëtar, e në veçanti me atë Europian.
      1. Objekti i këtij neni është të përcaktojë:
      1. Të drejtat e viktimës gjatë fazës së hetimeve paraprake dhe gjykimit;
      2. Mënyrën e ushtrimit të këtyre të drejtave nëse viktima nuk ka zotësi juridike për të vepruar dhe
      3. Të drejtat e Trashëgimtarëve të viktimës
      1. Rëndësia e viktimës së veprës penale në proces është treguar nga ligjvënësi që me shtimin e nenit 9/a në K.Pr.P., normë kjo e vendosur në pjesën e Dispozitave të përgjithsme të Kodit, duke theksuar detyrimin e organeve publike që të garantojnë që viktimat e veprës penale të trajtohen me respekt për dinjitetin e tyre njerëzor dhe të mbrohen nga ridëmtimi, gjatë ushtrimit të të drejtave të parashikuara nga kodi.[1]

       

      1. Neni 58, megjithëse në pikën 1 të tij liston të drejtat e viktimës së veprës penale, nuk jep një përkufizim të këtij termi. Një përkufizim i tillë nuk jepet në fakt as nga ndonjë dispozitë tjetër e Kodit, pavarësisht se në dispozita të veçanta ligji parashikon të drejta të saj.

       

      1. Nëse do t’i referohemi përkufizimit që i jepet termit viktimë e veprës penale të dhënë nga Direktiva 2012/29/BE e Parlamentit dhe Komisionit Europian datë 25.10.2012 “Për përcaktimin e standardeve minimum për të drejtat, mbështetjen dhe mbrojtjen e viktimës së veprave penale dhe zëvendësimin e Vendimit Kuadër të Komisionit 2001/220/JHA” (Direktiva 2012/29/BE), në të cilën është bazuar ndryshimi i bërë me Ligjin Nr.35/2017, viktima e veprës penale do të nënkuptojë:
      1. individin që ka pësuar një dëm, përfshirë dëmin fizik, mendor, emocional, apo ekonomik, i cili është shkaktuar drejtëpërdrejt nga vepra penale (neni 2, shkronja (a), pika (i) e Direktivës 2012/29/BE);
      2. anëtari i familjes së personit, vdekja e të cilit është shkaktuar nga një vepër penale dhe i cili ka pësuar një dëm si rezultat i vdekjes së personit (neni 2, shkronja (a), pika (ii) e Direktivës 2012/29/BE).

       

      1. Siç vihet re ky përkufizim është i ngushtë dhe i referohet vetëm personit individ, duke përjashtuar personin juridik si person që mund të gëzojë cilësinë e viktimës së veprës penale në proces.

       

      1. Ndryshe nga përkufizimi i mësipërm, ligjvënësi nuk ka parashikuar në ndonjë dispozitë të tij në K.Pr.P. kuptimin e viktimës së veprës penale, duke trajtuar si të tillë vetëm individët. Për rrjedhojë, nuk ka asnjë arsye që të pengojë personat juridikë, qofshin këta privatë apo publikë, të dëmtuar nga një vepër penale, që të kërkojnë të marrin pjesë në procesin penal, duke ushtruar të drejtat e parashikuara nga ligji me cilësinë e viktimës së veprës penale. Sigurisht në një rast të tillë të drejtat e saj do të jenë të kufizuara për aq sa është e mundur të ushtrohen nga personi juridik.

       

      1. Është e rëndësishme të evedientohet fakti se viktima e veprës penale nuk është palë në proces, pavarësisht se merr pjesë në të, me përjashtim të rastit kur merr pjesë në proces me cilësinë e paditësit civil në procesin penal, sipas rregullave të përcaktuara në nenet 61 – 68 të K.Pr.P. ose kur ka rolin e viktimës akuzuese në proces, sipas nenit 59 të K.Pr.P. Megjithëse K.Pr.P. parashikon viktimën e veprës penale si subjekt të procesit penal, palët në proces janë vetëm prokurori, i cili përfaqëson akuzën në gjykim në emër të interest publik dhe i pandehuri, i cili mund të mbrohet vetë ose nëpërmjet mbrojtësit të zgjedhur apo të caktuar kryesisht, si personi ndaj të cilit zhvillohet gjykimi. Për rrjedhojë, pjesëmarrje e viktimës në procesin gjyqësor penal, duke pasur mundësinë të ushtrojë të drejtat e parashikuara në ligj, nuk i jep asaj cilësinë e palës në proces. Përjashtim nga ky rregull bën rasti kur viktima e veprës penale ndërhyn në proces me cilësinë e paditësit civil, duke kërkuar shpërblimin e dëmit të shkaktuar dhe rasti kur viktima e vepërs penale merr rolin e viktimës akuzuese, duke marrë pjesë si palë në process, për të ndjekur akuzën private. Në këtë rast të fundit, viktima akuzuese merr rolin e prokurorit në gjykim.

       

      1. Të drejtat e viktimës së veprës penale të listuara në pikën 1 të nenit 58 mund të ndahen në dy kategori: a) të drejta potenciale, të cilat viktima mund të zgjedhë t’i ushtrojë ose jo dhe b) të drejta të detyrueshme, ushtrimi i të cilave passjell detyrimin e organit procedues për t’i plotësuar. Konkretisht, ligjvënësi ka përzgjedhur të rendisë këto të drejta të viktimës së veprës penale.

       

      1. E drejta e parë e listuar është të kërkojë ndjekjen penale të fajtorit – Kjo e drejtë e viktimës së veprës penale lidhet nga njëra anë me të drejtën e saj për të kërkuar që nga ana e organit të akuzës të ushtrohet ndjekja penale në rastet kur vepra ndiqet kryesisht, ashtu edhe me të drejtën e saj për të kërkuar ushtrimin e ndjekjes penale, duke paraqitur ankim për rastet e parashikuara nga neni 284 i K.Pr.P., raste në të cilat ndjekja penale nuk mund të fillojë pa ankimin e saj. Kur viktima paraqet kallëzim apo ankim, për thëniet e saj mbahet proces-verbal sipas parashikimeve të neneve 238, pika 2 dhe 284, pikat 2 dhe 3 të K.Pr.P.[2]

       

      1. E drejta e dytë e listuar është të përfitojë kujdes mjekësor, ndihmë psikologjike, këshillim dhe shërbime të tjera të ofruara nga autoritetet, organizatat ose institucionet përgjegjëse për ndihmën ndaj viktimave të veprës penale.[3]. Viktimat kanë të drejtë për akses në shërbimet konfidenciale mbështetëse të viktimave, pa pagesë. Shërbimi që duhet t’u ofrohet atyre nga shteti duhet të jetë përpara, gjatë dhe për një kohë të përshtatshme pas procedimeve penale. Kjo mbështetje duhet të rregullohet me një ligj të veçantë, në mënyrë që njohja e këtyre të drejtave mos mbetet vetëm formale.

       

      1. Viktima ka të drejtë të komunikojë në gjuhën e saj dhe të ndihmohet nga një përkthyes, interpretues i gjuhës së shenjave ose lehtësues i komunikimit për personat me aftësi të kufizuar në të folur dhe në të dëgjuar, që synon të lehtësojë pjesëmarrjen e viktimës në proces, duke u asistuar pa pagesë nga një përkthyes, interpretues apo lehtësues komunikimi, në rastet kur nuk njeh gjuhën shqipe, nuk dëgjon ose flet ose ka aftësi të kufizuara në të folur dhe në të dëgjuar. Kjo dispozitë vjen në harmoni me parashikimet e nenit 8, pika 2 të K.Pr.P.[4] Direktiva synon të garantojë që viktimat - në bazë të karakteristikave të tyre personale (p.sh. gjinia, aftësia e kufizuar, mosha, pjekuria, marrëdhënia ose varësia me autorin e veprës) - kuptojnë dhe kuptohen. Prandaj, autoritetet e prokurorisë dhe të gjyqësorit duhet të ndihmojnë viktimat në mënyrë pro-aktive për ta bërë këtë gjatë procedimeve penale.

       

      1. Viktima ka të drejtë të zgjedhë mbrojtës dhe, kur është rasti, të përfitojë ndihmë juridike falas, sipas legjislacionit në fuqi. Ky parashikim njeh nga njëra anë të drejtën e viktimës që të marrë pjesë në proces duke u asistuar nga mbrojtësi i zgjedhur dhe nga ana tjetër të drejtën e saj për të marrë ndihmë juridike falas, në ato raste kur ligji e parashikon një gjë të tillë. Ligjvënësi i ka dhënë viktimës të drejtën për të zgjedhur mbrojtës ligjor. Ligjvënësi ka përdorur termin “mbrojtës” në këtë dispozitë dhe jo atë “përfaqësues” për të bërë të qartë faktin se viktima në proces mund të përfaqësohet vetëm nëpërmjet personit që plotëson kriteret e “mbrojtësit” në kuptim të nenit 49 të K.Pr.P. dhe përfaqësimin e saj nuk mund ta kryejë çdo person, sipas parashikimeve të Kodit Civil. Duhet theksuar që e drejta e viktimës për të pasur ndihmë juridike falas nuk është e njëjtë me atë të të pandehurit, të cilit organi procedues ka detyrimin t’i caktojë një mbrojtës kryesisht nëse ai nuk ka mbrojtës të zgjedhur dhe kërkon një të tillë sipas parashikimeve të neneve 49 dhe 49/a të K.Pr.P. Megjithatë, viktima duhet të kujdeset që mbrojtësi ligjor i zgjedhur prej tij/saj të mos jetë në mospërputhje sipas parashikimit të Nenit 49/b. Viktima e veprës penale që nuk gëzon zotësi për të vepruar, do të ushtrojë të drejtën nëpërmjet përfaqësuesit ligjor.[5] Përfaqësuesi ligjor është rregulluar në Kodin Civil. Kështu, përfaqësuesi ligjor i viktimës ose do të zgjedhë një mbrojtës ligjor ose do të kërkojë ndihmë juridike falas. Ndihma juridike është rregulluar me Ligin Nr. 111/2017 “Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti” dhe viktima e veprës penale përfiton ndihmë juridike falas vetëm në rastet e parashikuara në ketë ligj dhe sipas kushteve të tij.[6] Kështu, ndihma juridike, e cila përfshin përfaqësimin e viktimës në gjykatë (ndihmë juridike dytësore) për viktimën, sigurohet nga avokatët me kërkesë të palës së interesuar dhe me vendim të Gjykatës.[7] Pasi Gjykata i jep ndihmë juridike viktimës dhe mbrojtësi emërohet për viktimën, ai gëzon të njëjtat të drejta si mbrojtësi i paguar nga vetë viktima.[8]

       

      1. Një nga të drejtat e dhëna viktimës është edhe e drejta të kërkojë në çdo kohë informacion për gjendjen e procedimit, si dh të njihet me aktet e provat, pa cenuar parimin e sekretit hetimor. E drejta e informimit të viktimës është një nga të drejtat thelbësore të tij/saj, të cilat i mundësojnë atij/asaj të ketë akses në procedimin penal. Kjo e drejtë e viktimës është e lidhur me detyrimin e prokurorit për t’i vënë asaj në dispozicion informacionin e kërkuar, me përjashtim të rasteve kur cënohet parimi i sekretit hetimor. Kjo e drejtë është detajuar më tej në nenin 279/a, pika 1 të K.Pr.P. kurse në pikën 2 të kësaj dispozite ligjvënësi ka renditur rastet kur prokurori mund të refuzojë kërkesën e viktimës së veprës penale për të marrë informacion mbi gjendjen e procedimit, të njihet me aktet dhe të marrë kopje të tyre.[9]  Arsyeja për këtë të drejtë është që të gjitha viktimat shpesh harrohen në administrimin e drejtësisë. Prandaj, duke pasur të drejtë për një informacion të tillë, është e qartë se kjo është një nga të drejtat themelore të procedurës.

       

      1. E drejta të kërkojë marrjen e provave, si dhe të parashtrojë kërkesa të tjera përpara organit procedues, synon të garantojë aksesin e saj në procesin penal dhe ka lidhje me të drejtën për të marrë informacion në çdo kohë. Duhet theksuar se e drejta e viktimës për të paraqitur prova në proces mund të aplikohet prej saj vetëm gjatë fazës së hetimeve paraprake ose në seancën paraprake, pasi në gjykimin e themelit mund të paraqiten vetëm provat e palëve, të lejuara nga gjykata në seancën paraprake. Nëse viktima e veprës penale disponon prova, ajo mund t’ia paraqesë prokurorit gjatë fazës së hetimeve paraprake dhe nëse ky i fundit ka refuzuar t’i marrë ato, ajo mund t’ia paraqesë gjyqtarit të seancës paraprake si në rastin kur prokurori ka kërkuar dërgimin e çështjes në gjyq, ashtu edhe në rastin kur prokurori ka vendosur pushimin e akuzës apo çështjes për një kundërvajtje (neni 328 i K.Pr.P.), apo ka kërkuar pushimin e akuzës apo çështjes për një krim (neni 329/a i K.Pr.P.). Përjashtim nga ky rregull bën sigurisht rasti i viktimës akuzuese të rregulluar nga neni 59 i K.Pr.P., e cila mund të paraqesë provat vetëm në gjykim Veç të drejtës për të kërkuar prova, ligjvënësi i ka njohur viktimës së veprës penale edhe të drejtën për të parashtruar kërkesa të tjera, si kryerja e hetimeve të tjera në drejtime të caktuara, riverifikimi i akuzës, etj.[10]

       

      1. Viktima e veprës penale ka të drejtë të informohet për arrestimin e personit që dyshohet për kryerjen e veprës penale dhe lirimin e tij. Kjo e drejtë e saj përbën njëkohësisht një detyrim për prokurorin për të garantuar zbatimin e kësaj dispozite. Detyrimi i prokurorit gjatë fazës së hetimit parashikohet në nenin 279/a. Marrja dijeni për arrestimin dhe lirimin e personit të dyshuar për kryerjen e veprës penale garanton nga njëra anë të drejtën e informimit të viktimës së veprës penale dhe nga ana tjetër mundësinë e saj për të marrë masa në lidhje me sigurinë e saj, ose personalisht, ose duke kërkuar mbrojtje në institucionet përkatëse. Këtu duhet të theksohet se vetë viktima mund të kërkojë që të njoftohet për arrestimin ose lëshimin e të pandehurit në kontaktin e tij/saj të parë me institucinet. Kjo kërkesë është e detyrueshme për institucionet dhe përfshin edhe njoftimin për dënimin me burgim. Kjo e drejtë parashikohet gjithashtu si një nga parimet e vendosura nga Direktiva përkatëse.

       

      1. Viktima e veprës penale ka të drejtë të ketë informacion mbi fatin e hetimit dhe gjykimit. Kjo e drejtë e saj është reflektuar edhe në dispozitat e tjera të K.Pr.P., në të cilat ligjvënësi ka përcaktuar detyrimin e organit procedues përkatës për të njoftuar viktimën mbi fillimin, vijimin dhe përfundimin e procedimit penal. Kështu, në nenin 291, pika 2 të K.Pr.P. ligji parashikon detyrimin e prokurorit për t’i njoftuar menjëherë viktimës së veprës penale vendimin e tij të mosfillimit të procedimit. Po kështu, në nenin 328, pika 2, ligjvënësi ka parashikuar detyrimin e prokurorit për t’i njoftuar brenda 5 ditëve viktimës së veprës penale vendimin e tij për pushimin e akuzës ose çështjes në rastin kur procedohet për kundërvajtje. Nga ana tjetër, gjykata ka detyrimin të njoftojë viktimën e veprës penale për të marrë pjesë si në seancën paraprake (neni 332/a, pika 1), ashtu edhe në gjykimin e themelit (neni 333, pika 2), si dhe t’i komunikojë asaj vendimin përfundimtar në rastet kur nuk është e pranishme në gjykim.[11]

       

      1. Viktima ka të drejtën të bëjë ankim në gjykatë kundër vendimit të prokurorit për të mos filluar procedimin dhe vendimit të prokurorit ose gjyqtarit të seancës paraprake për të pushuar akuzën ose çështjen, por kjo e drejtë nuk është absolute. Kështu, viktima ka të drejtë të ushtrojë ankim brenda 10 ditëve nga data e marrjes dijeni ndaj vendimit të prokurorit për mosfillimin e procedimit penal sipas nenit 291, pika 2 dhe ndaj vendimit të prokurorit për pushimin e akuzës ose çështjes në rastet e kundërvajtjeve penale sipas nenit 329, pika 1 të K.P.P.. Këtë të drejtë viktima e ka edhe ndaj vendimit të gjyqtarit të seancës paraprake që ka pranuar kërkesën e prokurorit për pushimin e akuzës ose çështjes në rastet e krimeve (neni 329/b, pika 6), ose kur ky gjyqtar vendos vetë pushimin e akuzës ose të çështjes sipas Nenit 332/dh, shkronja ç). Ndërkohë, viktima e veprës penale nuk ka të drejtë të ushtrojë ankim ndaj vendimit përfundimtar të gjykatës, pasi këtë të drejtë ligjvënësi ua ka lënë vetëm palëve në gjykim. Nëse viktima gëzon në proces cilësinë e viktimës akuzuese ose paditësit civil në procesin penal, ajo legjitimohet të bëjë ankim respektivisht sipas neneve 409 dhe 411 të K.Pr.P. vetëm për pjesën e vendimit që legjitimohet.

       

      1. E drejta e viktimës të kërkojë shpërblimin e dëmit dhe të pranohet si paditës civil në procesin penal, e drejtë e viktimës e cila i ishte njohur nga legjislacioni Shqiptar edhe përpara ndryshime të Ligjit Nr.35/2017. Mënyra se si viktima e veprës penale mund të kërkojë shpërlimin e dëmit në procesin penal është duke paraqitur kërkesë-padi dhe duke marrë pozitën e paditësit civil në procesin penal sipas rregullave të përcaktuara në nenet 61 – 68 të K.Pr.P.

       

      1. Një nga të drejtat që i është dhënë viktimës është gjithashtu e drejta të përjashtohet, në kushte të caktuara me ligj, nga pagimi i çdo shpenzimi për marrjen e akteve dhe tarife gjyqësore për paraqitjen e kërkesë-padisë që lidhen me statusin e viktimës së veprës penale.[12] Kjo e drejtë duhet të garantohet nga legjislacioni i posaçëm mbi tarifat gjyqësore, pasi kodi vetëm e njeh këtë të drejtë, por respektimi i saj duhet të rregullohet në ligjin përkatës.

       

      1. E drejta për t’u thirrur në seancën paraprake dhe në seancën e parë gjyqësore rrjedh nga e drejta e parashikuar në shkronjën ë) të pikës 1 të kësaj dispozite. Ligjvënësi ka përcaktuar detyrimin e gjykatës për të njoftuar viktimën e veprës penale për seancën paraprake dhe seancën e parë gjyqësore, pasi pjesëmarrja e saj në proces nuk është e detyrueshme. Viktima e veprës penale ka të drejtë të marrë pjesë në proces, por nuk ka detyrimin të bëjë një gjë të tillë dhe mund të zgjedhë të mos jetë pjesëmarrëse. Për rrjedhojë, gjykimi vijon rregullisht në rast se njoftimi është i rregullt dhe viktima nuk dëshiron të paraqitet. Njoftimi i viktimës së veprës penale është rregulluar në nenet 137 dhe 138 të K.Pr.P.

       

      1. Viktima ka të drejtën të dëgjohet nga gjykata, edhe kur asnjëra nga palët nuk ka kërkuar thirrjen e saj si dëshmitar. Kjo e drejtë është e ndryshme nga e drejta kur viktima e veprës penale ka dijeni mbi rrethanat e kryerjes së veprës, sipas të cilës ajo duhet të marrë pjesë në proces me cilësinë e dëshmitarit. Por, mund të ndodhë që viktima të mos jetë në këto kushte dhe asnjëra nga palët mos kërkojë thirrjen e saj si dëshmitare. Në këtë rast, ligji ka parashikuar detyrimin e gjykatës për ta dëgjuar viktimën në pozitën e saj procedurale si viktimë e veprës penale, në mënyrë që ajo të shprehet mbi qëndrimin dhe përjetimin e saj për veprën penale. Megjithatë, është e rëndësishme të përmendet se kjo dispozitë parashikon një të drejtë të viktimës dhe jo një detyrim të saj.

        

      1. Ligjvënësi ka zgjedhur që lista e të drejtave të përcaktuara në pikën 1 të nenit 58 të K.P.P. të jetë indikative dhe jo shteruese. Për këtë arsye në këtë dispozitë ka parashikuar mundësinë që viktima të ketë të drejta të tjera, të përcaktuara në dispozita konkrete të ligjit, siç është p.sh. e drejta për t’u dërgjuar nëpërmjet videko-konferencës, etj.

       

      1. Në pikën 2 të dispozitës ligjvënësi ka parashikuar detyrimin e organit procedues (oficerit të policisë gjyqësore, prokurorit dhe gjykatës) për të njoftuar menjëherë viktimën e veprës penale mbi të drejtat e saj, të renditura në pikën 1 të normës. Për të garantuar faktin e njohjes së viktimës me këto të drejta, ligjvënësi ka përcaktuar detyrimin e organit procedues për të mbajtur proces-verbal për veprimin procedural të kryer. Prandaj, i takon prokurorit që sapo ta kuptojë se viktima njihet, prokurori duhet ta informojë viktimën për të drejtat e tij/saj. Kjo mund të realizohet në mënyrë të ngjashme si me të drejtat themelore që i janë dhënë të pandehurit. E rëndësishme është që kjo të regjistrohet dhe të bëhet pjesë e dosjes. Kjo e drejtë duhet parë së bashku me nenin 128/a, paragrafi 1, shkronja c[13]. Kuptohet që njohja e viktimës së veprës penale me të drejtat e saj, e kryer nga ana e gjykatës reflektohet në process-verbalin e seancës gjyqësore dhe nuk ka nevojë të nënshkruhet nga viktima.

       

      1. Në pikën 3 të nenit ligjvënësi ka rregulluar rastin e viktimës që nuk ka zotësi për të vepruar. Koncepti i zotësisë për të vepruar është një koncpet juridiko-civil, i cili përcaktohet nga nenet 6 – 10 të Kodit Civil. Viktima e mitur nën 14 vjeç i ushtron të drejtat e saj nëpërmjet përfaqësuesit ligjor (prindit) ose kujdestarit të tij në rastet kur prindi nuk ushtron përgjegjësinë prindërore sipas Kodit të Familjes., ndërsa personi të cilit i është hequr zotësia për të vepruar, i ushtron këto të drejta nëpërmjet kujdestarit të tij, të caktuar sipas parashikimeve të K.Pr.C. dhe Kodit të Familjes. Përjashtim nga ky rregull bën rasti kur kjo nuk është në interesin e viktimës, siç mund të jetë p.sh. situata kur përfaqësuesi ligjor ose kujdestari është i pandehur, ose mes tij dhe viktimës së veprës penale ka një konflikt. Në një rast të tillë, ligjvënësi ka përcaktuar detyrimin e gjykatës që të caktojë një kujdestar të posaçëm, në përputhje me dispozitat e Kodit të Familjes.[14]

       

      1. Duke dashur të theksojë rëndësinë e të miturit në procesin penal dhe mbrojtjen e veçantë që i garantohet atij nga shteti, ligjvënësi ka rregulluar në një dispozitë të veçantë të drejtat e viktimës së mitur, duke përcaktuar në nenin 58/a të K.Pr.P.[15]

       

      1. Në pikën 4 të dispozitës ligjvënësi ka përcaktuar të drejtat e trashëgimtarëve të viktimës, duke dashur që nga njëra anë të njohë këtë të drejtë të tyre dhe nga ana tjetër, të përcaktojë kufizimet që trashëgimtarët e viktimës kanë në raport me të drejtat që mund të gëzojë vetëm viktima e veprës penale.[16] Ligjvënësi nuk ka dhënë ndonjë përkufizim mbi rrethin e personave që mund të gëzojnë cilësinë e trashëgimtarit të viktimës së veprës penale, veçanërisht në kushtet kur rrethi i personave mund të jetë shumë i gjerë dhe identifikimi i tyre të jetë i vështirë për organin procedues. Ne mendojmë se në atë rast duhet të merret parasysh përkufizimi i Direktivës. Neni 2 i Direktivës 2012/29/BE[17] përfshin si trashëgimtarë të viktimës së veprës edhe disa pjesëtarë të familjes. Megjithatë, i takon çdo shteti që të kufizojë numrin e anëtarëve të familjes të cilët mund të përfitojnë nga të drejtat e përcaktuara në Direktivë, duke marrë në konsideratë rrethanat individuale të çdo rasti. Prandaj, duke e lënë atë të hapur, ligjvënësi ia lë këtë praktikës gjyqësore që duhet të udhëhiqet nga kuadri i përcaktuar nga Direktiva. Kjo do të ishte sipas mendimit tonë: "anëtarët e familjes së një personi, vdekja e të cilit ishte shkaktuar drejtpërdrejt nga një vepër penale dhe që kanë pësuar dëme si rezultat i vdekjes së atij personi".

       

      1. Duhet thënë se megjithëse ligjvënësi ynë nuk ka zgjedhur të kufizojë rrethin e personave në mënyrë eksplicite, ai i ka lidhur të drejtat e trashëgimtarit të veprës penale me interesimin, identifikimin dhe njohjen e adresës së vendbanimit të tyre, si p.sh. në nenin 328, pika 2.

       

      [1] Neni 9/a, pika 2 e Kodit të Procedurës Penale.

      [2] Dispozita të cilat janë në harmoni me nenin 5, paragrafi 1 të Direktivës 2012/29 / BE

      [3] Kjo e drejtë është parashikuar në përputhje me nenin 8 të Direktivës 2012/29/BE

      [4] Në përputhje me Nenin 5, paragrafi 2 dhe 3 dhe Nenin 7 të Direktivës 2012/29 / BE

      [5] Shih paragrafin 26 në vijim

      [6] Shih nenet 11 dhe 12 të Ligjit “Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti”

      [7] Shih nenet 21 dhe 22 te LIgjit “Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti”

      [8] E drejta e viktimës për t'u asistuar me ndihmën juridike është gjithashtu e përcaktuar në Nenin 13 të Direktivës 2012/29 / BE.

      [9] Neni 6 i Direktivës 2012/29/EU

      [10] Neni 10, pika 1 e Direktivës 2012/29/EU

      [11] Neni 11 i Direktivës 2012/29/EU.

      [12] Neni 14 i Direktivës 2012/29/EU.

      [13] Shiko komentet për Nenin 128/a.

      [14] Nenet 275 – 278 të Kodit të Familjes.

      [15] Shih komentin mbi nenin 58/a të K.Pr.P.

      [16] Kufizimi i këtyre të drejtave është në përputhje edhe me parshikimin e nenit 2, pika 2, shkronja (a) të Direktivës 2012/29/BE [Hyperlink], e cila parashikon se vendet anëtare mund të kufizojnë të drejtat dhe numrin e trashëgimtarëve që mund të gëzojnë këto të drejta në varësi të rrethanave.

      [17] Shih paragrafin 1 shkronja a dhe b të dispozitës përkatëse të Direktivës http://eur-lex.europa.eu/LexUriServ/LexUriServ.do?uri=OJ:L:2012:315:0057:0073:EN:PDF

      1. Deri në ndryshimet e Ligjit Nr.35/2017 ligji procedural penal njihte si subjekt procedural të dëmtuarin nga vepra penale, i cili parashikohej nga neni 58 i K.Pr.P. dhe dispozitat e tjera të lidhura me të. Në variantin fillestar të tij, neni 58 parashikonte si mundësi të personit të dëmtuar nga vepra penale dhe trashëgimtarëve të të tij vetëm të drejtën për të kërkuar procedimin e fajtorit dhe shpërblimin e dëmit.

       

      1. Më pas, me Ligjin Nr.8813, datë 13.06.2002 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Kodin e Procedurës Penale” [Hyperlink] dispozitës iu shtua pika 3, në të cilën u njoh e drejta e të dëmtuarit nga vepra penale për të parashtruar kërkesa në organin procedues dhe të kërkonte marrjen e provave, duke iu njohur edhe mundësia për të ankimuar vendimin e prokurorit në rast të mospranimit të kësaj kërkese brenda 5 ditëve nga marrja dijeni.

       

      1. Pavarësisht këtyre parashikimeve, për të dëmtuarin nga vepra penale nuk parashikoheshin një sërë garancish në lidhje me informimin e tij, mbrojtjen dhe mbështetjen, pjesëmarrjen e tij në gjykim, etj. Roli i dobët i të dëmtuarit nga vepra penale në procesin penal dhe roli i prokurorit në garantimin e të drejtave të saj është cilësuar si një mangësitë e këtij procesi, i cili binte ndesh edhe me standarded ndërkombëtare. Ky fakt është evidentuar edhe në Analizën e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, ku si mangësi janë konsideruar mungesa e parashikimit të mekanizmave për mbrojtjen fizike të viktimave dhe familjeve të tyre; respektimit të të drejtës së ndihmës ligjore kur legjitimohen si palë në proces; njohjës me të drejtat, marrja e masave për shmangien e dëmtimit psikologjik dhe emocional të tyre; shmangia e përsëritjes së pyetjes së viktimës; ndihma fizike dhe psikologjike afatgjatë për viktimat; mbrojtja e dinjitetit të tyre gjatë pyetjes, shmangia e kontaktit të drejtpërdrejtë ndërmjet viktimës dhe të pandehurit; rimbursimit të shpenzimeve të kryera prej të dëmtuarve si rezultat i pjesëmarrjes aktive në proces; e drejta e ankimit ndaj vendimmarrjes së organit procedues; mbrojtja e jetës private; e drejta e dëmshpërblimit nëpërmjet drejtësisë restauruese etj[1].

        

      1. Në Strategjinë e Refomës në Drejtësi u përcaktua si objektiv pikërisht reformimi i rolit të viktimës në procesin penal, duke u harmonizuar dispozitat përkatëse me përcaktimet e Direktivës 2012/29/BE dhe praktikës së GJEDNJ në këtë drejtim. Në mënyrë të veçantë në strategji u përcaktua marrja e masave për parashikimin e një rrethi më të gjerë të drejtash për viktimat e veprës penale dhe familjarët e tyre në Kodin e Procedurës Penale në përputhje me direktivat e Bashkimit Evropian dhe standardet ndërkombëtare, duke garantuar: i. aksesin e tyre në organet e drejtësisë; ii. të drejtën për t’u informuar; iii. të drejtën për t’u këshilluar dhe mbrojtur efektivisht nga një avokat falas; iv. të drejtën për kompensim; v. dëmshpërblim të drejtë dhe proporcional; vi. rimbursim të shpenzimeve; vii. ofrimin e asistencës psikologjike dhe mjekësore; viii. të drejtën për të mos u befasuar[2].

        

      1. Për të garantuar përmirësimin e dispozitave aktuale të K.Pr.P. dhe harmonizimin e tyre me përmbajtjen e Direktivës 2012/29/BE, ligjvënësi ndryshoi me Ligjin Nr.35/2017 jo vetëm nenin 58 të kodit, por edhe dispozitat e tjera të lidhura me të, në të cilat u parashikuan të drejtat e viktimës së veprës penale.

       

      1. Vlen të përmendet fakti se ligjvënësi ka zëvendësuar termin i dëmtuar nga vepra penale me termin viktimë e veprës penale për të garantuar harmonizimin e terminologjisë së legjislacionit të brendshëm me acquis communautaire. Pavarësisht konotacionit negativ që termi viktimë ka në jetën e përditshme, në Fjalorin e sotëm të Gjuhës Shqipe viktima përkufizohet si personi që plagoset a vritet në një aksident, që dëmtohet a vdes nga tërmeti, përmbytjet etj., apo personi që pëson pa të drejtë një të keqe të madhe nga dikush. Pra, ky term nuk nënkupton vetëm personin që humb jetën nga një ngjarje, por edhe personin që dëmtohet nga ajo.

       

      [1] Analizë e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, Qershor 2015, hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, Sistemi i Drejtwsisw Penale, fq.  179 - 180, http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/dokumenti_shqip_0.pdf, vizituar për herë të fundit më 75.08.2017.

      [2] Strategjia për reformën në sistemin e drejtësisë https://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/draft_strategjia_versioni_shqip.pdf, fq.26, vizituar për herw të fundit në datën 27.08.2017.

      1. Direktiva 2012/29/BE e Parlamentit dhe Komisionit Europian datë 25.10.2012 “Për përcaktimin e standardeve minimum për të drejtat, mbështetjen dhe mbrojtjen e viktimës së veprave penale dhe zëvendësimin e Vendimit Kuadër të Komisionit 2001/220/JHA”

       

      1. Neni 58 i K.Pr.P. vjen në harmoni me parashikimet e direktivës së mësipërme dhe reflekton të drejtat e parashikuara në të. Madje, siç është shpjeguar më sipër, duke mos pasur një përkufizim të termit “viktimë”, neni 58 përfshin si personat fizikë, ashtu edhe ato juridikë, duke ofruar një mbrojtje për një kategori subjektesh të cilën direktiva nuk e njeh. I njëjti arsyetim vlen edhe për rastin e trashëgimtarëve të viktimës së veprës penale, i cili përfshin një rreth më të gjerë subjektesh se ai i parashikuar nga direktiva.
  • Asnjë koment
    1. Analizë e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, Qershor 2015, faqe 177, hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/dokumenti_shqip_0.pdf, vizituar për herë të fundit më 27.08.2017;

     

    1. Strategjia për reformën në sistemin e drejtësisë https://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/draft_strategjia_versioni_shqip.pdf, vizituar për here të fundit në datën 27.08.2017;

     

    1. Relacioni për projekt-ligjin “Për disa shtesa e ndryshime në Kodin e Procedurës Penale”, https://www.parlament.al/wp-content/uploads/2017/01/KODI-I-PROCEDURES-PENALE-Resized.pdf, vizituar për herë të fundit në datë 27.08.2017.
  • Ligji:

    Nenet 9/a, 49, 49/a, 58/a, 61-68, 279/a, 283, 284, 291, 328, 329, 329/a, 329/b, 332/a, 332/dh, 333, 409 dhe 411 të K.Pr.P.

    Nenet 6-10 dhe 360 të K.C.

    Nenet 275 - 278 të K.F.

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Ligje

    Neni 58 i K.Pr.P.

    Ligji Nr.8813, datë 13.06.2002 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Kodin e Procedurës Penale”.

Joana Qeleshi
Koraljka Bumči