KODI I PROCEDURËS PENALE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË   |   7905

Neni 317: Kërkesa për sigurimin e provës

1Kërkesa për sigurimin e provës paraqitet brenda afateve për përfundimin e hetimeve ose në fillim të seancës paraprakedhe përmban:

aprovën që duhet marrë dhe rëndësinë e saj për vendimin gjyqësor;

bpersonat ndaj të cilëve procedohet për faktet objekt prove;

crrethanat që nuk lejojnë që marrja e provës të shtyhet për në shqyrtimin gjyqësor.

2Kërkesa e bërë nga prokurori tregon edhe mbrojtësit e personave të interesuar në bazë të paragrafit 1, shkronja “b”, personin e dëmtuar dhe mbrojtësin e tij.

3Dispozitat e paragrafit 1 dhe 2 respektohen me pasojë mospranimi.

4Prokurori mund të vendosë zgjatjen e hetimeve paraprake për qëllimet e sigurimit të provës.

Përmbajtja

    • Qëllimi i dispozitës është të disiplinoj rekuizitat e nevojshme të cilat duhet të përmbajë kërkesa për aktivizimin e institutit të sigurimit të provës në mënyrë që të garantohet zbatimi i saj në kohë sa më të shkurtër dhe po ashtu të garantohet se procesi do të zhvillohet sipas rregullave procedurial të parashikuara për vlefshmërinë dhe përdorshmërinë e provës që do të merret.

    • Objekt i dispozitës është akti që investon gjykatën për nisjen e procedurës së sigurimit të provës duke përcaktuar kohën e paraqitjes së kërkesës dhe pjesët përbërëse të saj si dhe pasojat në rast të mosplotësimit të kërkesave formale të kërkuara nga ligji. Po ashtu dispozita i kushton vemendje dhe afatit të hetimeve paraprake duke qënë se marrja e provës konsiderohet veprim hetimor.

      • Kërkesa për sigurimin e provës paraqitet brenda afateve për përfundimin e hetimeve ose në fillim të seancës paraprake. Duke qënë një veprim hetimor që synon mbledhjen e provave kërkesa për sigurimin e provës paraqitet brenda afatit të hetimeve paraprake nëse këto të fundit nuk kanë mbaruar. Megjithatë me ndryshimet e pësuara në Kodin Procedurial Penal me Ligjin nr. 35/2017, datë 30.3.2017 dhe me futjen e figures se gjyqtarit te seances paraprake në nenin 317 të KPRP është shtuar pika ku mundësohet paraqitja e kërkesës për sigurimin e provës dhe në seancën paraprake. Në fakt duhet thënë se Kodi ynë procedurial penal është ndërtuar duke patur si model atë Italian. Vetë KPRP italiane megjithëse ka patur të përfshirë figurën e gjyqtarit të seancës paraprake, nuk mundësonte paraqitjen e kërkesës për sigurimin e provës në këtë fazë të procesit. Kjo situatë ndryshoi me ndërhyrjen e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Italisë e cila duke arsyetuar (ndër të tjera) se koha nga seanca paraprake deri në shqyrtimin gjyqësor në themel të cështjes mund të jetë relativisht e gjatë e cila mund të rrezikojë marrjen apo vërtetësinë e provës shpalli antikushtetueshmërinë e dispozitës në pjesën ku nuk parashikon mundësinë e paraqitjës së kërkesës në këtë seancë[1].

       

      • Më tej neni 317 parashikon rekuizitat e detyrueshme që duhet të plotësojë kërkesa për tu marrë në shqyrtim nga gjykata e ku mungesa e të cilave e bën atë të papranueshme. Së pari kërkesa duhet të përmbajë provën që duhet marrë dhe rëndësinë e saj për vendimin gjyqësor. Jo më kot kjo ligjvënësi këtë rekuizitë e ka vendosur të parën, pasi gjyqtari përpara se të shohë ekzistencën e rrethanave të parashikuara në nenin 316 të K.Pr.P duhet fillimisht të vlerësojë relevancën e provës në proces. Pra pavarsisht se një burim prove rrezikon të mos arrij dot deri në shqyrtimin gjyqësor kjo nuk do të ishte e mjaftueshme për pranimin e kërkesës përsa kohë që e dhëna e marë nga ky burim prove nuk ka asnjë relevancë për procesin pasi është jashtë thema decidendum. Së dyti personat ndaj të cilëve procedohet për faktet objekt prove; ata mund të jenë dëshmitarët apo vetë i pandehuri që mund të pyetet sipas Nenit 316/ c, viktima apo dhe persona të tjerë të cilët mund të jenë objekt kqyrje apo ekspertimi etj. Së treti rrethanat që nuk lejojnë që marrja e provës të shtyhet për në shqyrtimin gjyqësor, pra një nga rrethanat e përmendura në nenin 316 të Kprp. Duke përbërë një përjashtim nga rregulli i zakonshëm i mbledhjes dhe administrimit të provave, neni 316 I K.PR.P parashikon në numër të mbyllur rastet kur lejohet të kërkohet sigurimi i provës. Si rrjedhojë kërkuesi duhet të provojë para gjykatës pikërisht ekzistencën e këtyre kushteve që justifikojnë aplikimin e këtij instituti të së drejtës. Nga ana tjetër duhet thënë se kërkesat e nenit 316 të KPrP pavarsisht se përcaktohen qartësisht, nuk kërkojnë detyrimisht provueshmërinë e tyre në një nivel që shkon përtej një dyshimi të arsyeshëm apo që e vendosin palën para barrës së paraqitjes së një prove të pamundur për tu gjetur. Fjala vjen nëse kërkuesi pretendon të aplikohet sigurimi i provës pasi dëshmitari është në kushte të rënda shëndëtesore që mund të bëjnë të pamundur paraqitjen e tij gjatë shqyrtimit gjyqësor, ky është një fakt i provueshëm mbi bazë dokumentesh. Në Vendim i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë Nr.1285 dt.21.10.2015 është arsyetuar se “ Sipas kërkuesit I.Sh dhe sidomos N.Sh janë në gjendje shëndetësore shumë të rëndë, nga ku lind një dyshim i arsyeshëm i bazuar në prova se këto persona nuk mund të pyeten gjatë shqyrtimit gjyqësor për shkak të komplikacioneve që mund të sjellin sëmundjet. Gjithashtu sipas avokatit ekziston dyshimi i arsyeshëm nga analiza në tërësi e rrethanave të çështjes se këta persona mund të jenë në kushtet e parashikuara nga neni 316(b) të Kodit të Procedurës Penale. Bashkëlidhur kërkesës avokati kishte vendosur vetëm fotokopjen e prokurës nr.3617.rep, nr.1371.kol, datë: 04.08.2015 dhe asnjë provë ku mbështet dyshimet e tij.. Gjykata vëren se kërkuesi nuk ka depozituar asnjë provë konkrete që të krijojë bindjen se janë kushtet për marrjen e parakohshme të dëshmisë së shtetasve I.Sh dhe N.Sh. Thjesht mendimi i kërkuesit, nuk është i mjaftueshëm për këtë, nëse nuk shoqërohet me prova apo të dhëna bindëse për gjykatën, që të provojnë gjendjen e rënduar shëndetësore dhe rrezikun sipas nenit 316(a) të K.Pr.P apo atë sipas paragrafit (b) të këtij neni. Ndaj, në kushtet kur asnjë provë konkrete nuk u paraqit në lidhje me rrethanat sipas kritereve të nenit 316(a)(b) të Kodit të Procedurës Penale, kërkesa për sigurim prove duhet rrëzuar.”

       

      Nga ana tjetër në rastet e tjera të parashikuara nga ligji kur ekziston rreziku se dëshmitarët mund të jetë pre e premtimeve apo kërcënimeve paraqiten të vështira për tu provuar bindëshëm para gjykatës. Në këto kushte një dyshim qoftë dhe i pakonfirmuar plotësisht mund të shërbejë për të pranuar kërkesën duke marrë parsysh faktin se cënimi që i vjen procesit nga sigurimi i një prove para shqyrtimit gjyqësor është irilevant në krahasim me rrezikun që kanoset nga humbja apo cënimi i vërtetësisë së provës. Megjithatë në cdo rast Gjykata ka detyrën për të bërë një analizë tërësore të situatës duke u bazuar në rrethanat konkrete të konstatuara kryesisht duke u bazuar tek rrezikshmëria e vepërs penale apo aksesi që palët mund të kenë tek dëshmitarët. Ne Vendimin nr.264 dt.26.04.2019 Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër në një procedim të regjistruar për veprën penale të “vrasjes në rrethana cilësuese” pranoi kërkesën e Prokurorisë për të siguruar provën dëshminë e dy shtetasve bazuar mbi rrethanat e cështjes duke arsyetuar se  “dëshmitarët...dyshohen se mund të jenë objekt dhune apo kërcënimia apo dhe I premtimeve të ndryshme duke mohuar dëshmitë e tyre për shkak se jetojnë në afërsi të banesave të të dyshuarve dhe njihen prej tyre. Gjithashtu për shkak të rëndësisë dhe seriozitetit të ngjarjes dhe rrezikshmërisë së autorve të dyshuar dhe bashkëpuntoreve të tyre apo të afërmve të tyre, dëshmitarët do të ndikohen në ndryshimin e dëshmisë, fakt që rezulton dhe nga dëshmitë e familjarve të viktimave dhe dëshmitarëve të tjerë.” . Në një rast tjetër në Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë[2] nuk ka pranuar kërkesën për sigurimin e provës duke arsyetuar se “Në rastin konkret, Gykata vëren se, prokuroi nuk paraqiti përpara Gjykatës asnjë provë, indicje apo rrethanë ekzistuese, tek të cilat të bazonte “mendimin” apo, “perceptimin”e tij se, dëshmitari L.Sh mund të jetë objekt i dhunës, kanosjes apo premtimit për të mos dëshmuar apo, për të dhënë dëshmi të rreme; apo të rrezikohet nga ndonjë sëmundje apo pengesë tjetër e karakterit objekti që nuk do ta lejonte në të ardhmen të dëshmonte këtë shtetas. Përkundrazi, Gjykata vëren se shtetasi L.Sh është treguar i gatshëm dhe është pyetur nga organi procedues, ku ka dhënë shpjegime të hollësishme rreth fakti penal të ndodhur. Gjatë gjithë këtyre deklarimeve, shtetasi L.Sh, nuk ka shprehur asnjë shenjë se, ndihet i kërcënuar apo i joshur nga ndonjë premtim për të mos dëshmuar apo, për të dhënë dëshmi të rreme.”

       

      • Kërkesa e bërë nga prokurori tregon edhe mbrojtësit e personave të interesuar në bazë të paragrafit 1, shkronja “b”, personin e dëmtuar dhe mbrojtësin e tij. Ashtu sic do të shohim në dispozitat pasardhëse që rregullojnë procedurën e marrjes së provës, sigurimi I provës bëhet përherë me prezencën e mbrojtësit të të pandehurit përndryshe prova nuk mund të përdoret ndaj tij në gjykim (neni 151/3). Ndërkohë që duhet thënë se ndonëse prezenca e mbrojtësit të të pandehurit është e detyrueshme, prezenca ose jo e mbrojtësit të viktimës nuk cënon procesin.

       

      • Po ashtu duke qënë një veprim hetimor që synon mbledhjen e provave kërkesa për sigurimin e provës paraqitet brenda afatit të hetimeve paraprake nëse këto të fundit nuk kanë mbaruar. Ndaj dhe neni 317 parashikon se Prokurori mund të vendosë zgjatjen e hetimeve paraprake për qëllimet e sigurimit të proves. Parimi është se hetimet paraprake nuk mund të zgjasin më shumë se tre muaj nga data ne te cilen emri i personit qe i atribuohet vepra penale eshte shenuar ne regjistrin e njoftimit te veprave penale, dhe gjashtë muaj për veprat penale të parashikuara nga shkronjat “a” dhe “b”, të nenit 75/a, të këtij Kodi. Duke qënë se Kodi i Procedurës Penale ka ruajtur të drejtën e prokurorit për të disponuar zgjatje të afateve të hetimit, ky i fundit është i detyruar të respektojë afatin ligjor të hetimit e në pamundësi objektive për të përmbyllur atë në afat të disponojë me vendim të arsyetuar zgjatjen e afateve. Çdo veprim i kundërt përbën shkelje të së drejtës për një proces të rregullt ligjor. Gjykata Kushtetuese[3] është shprehur se “duke vazhduar hetimet për një periudhë rreth 6 muaj pa patur vendim për zgjatje të afatit nga prokurori, janë shkelur të drejtat e të pandehurit të garantuara nga Kushtetuta dhe ligji”.

       

      Në disiplinën e sigurimit të provës nga ana e ligjvënësit është lejuar që prokurori të vendos zgjatje të afatit të hetimit për qëllime pikërisht të kësaj procedure. Termi i përdorur nga ana e ligjvënësit për qëllimet e sigurimit të proves duket sikur e kufizon prokurorin të procedojë vetëm me këtë veprim hetimor dhe jo të kryer hetime të tjera, ndaj dhe ky duhet të jetë kuptimi që duhet të marri dispozita në praktikë duke mos lejuar prokurorin të kryej veprime të tjera në funksion të hetimit.Pra logjika  e ligjvënësit është fakti se sigurimi i provës pavarsisht është konsideruar si  “ një pjesëz e shqyrtimit gjyqësor” përsëri mbetet një veprim hetimor dhe përpara se prokurori të kërkojë kryerjen e saj duhet të jetë në fushën e tij të veprimit për të kërkuar dhe marrë prova. Në një vendim të tij Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë[4] I marrë para ndryshimeve ligjore që kanë amenduar dispozitat për kalimin e akteve prokurorit, kjo Gjykatë ka deklaruar sigurimin e provës të pavlefshëm për shkak se prokurori nuk ka qenë kompetent për të zhvilluar hetime për këtë çështje. Konkretisht Gjykata ka arsyetuar se “Rezulton e provuar se me vendimin nr.136, datë 25.04.2008 Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka vendosur kalimin e akteve prokurorit. Ky vendim është ankimuar nga i gjykuari në Gjykatën e Apelit Vlorë, por edhe pse në rrethanat kur çështja nuk ishte gjykuar nga kjo gjykatë, pra edhe pse vendimi i gjykatës së shkallës së parë nuk kishte marrë formë të prerë dhe çështja vazhdonte të ishte në juridiksion gjyqësor, nga ana e prokurorisë është vazhduar hetimi i çështjes dhe një prej provave të reja të marra gjatë hetimit paraprak është dhe dëshmia e L.Sh., marrë në seancë për sigurimin e provës së datës 23.06.2007. Duke qenë se kjo provë është marrë nga ana e organit të prokurorisë ndërkohë që ky organ nuk ka qenë kompetent për të zhvilluar hetime për këtë çështje e cila ishte duke u gjykuar, në vështrim të nenit 128/b të K.Pr.Penale ajo është e pa vlefshme dhe gjykata e shkallës së parë, bazuar në kërkesat e nenit 380 të K.Pr.Penale, nuk mund të merrte vendimin bazuar në prova absolutisht të pavlefshme apo të paverifikuara gjatë shqyrtimit gjyqësor.”.

       

       

       

       

       

       

       

      [1] Shiko Vendimin nr.77 dt.10.03.1994 të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Italisë.

       

      [2] Vendimi nr. 4175 dt.19.11.2010

      [3] Shiko Vendimin Nr 20 date 10.07.2005 të Gj.Kushtetuese

      [4] Nr.00-2011-87 i Vendimit (7), datë 12.1.11 i  Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

    • Asnjë koment
    • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
Arber Cela
Arber Cela