KODI I PROCEDURËS PENALE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË   |   7905

Neni 318: Kërkesa e viktimës

1Viktima mund t’i drejtohet prokurorit që ai të kërkojë sigurimin e provës.

2Kur nuk e pranon kërkesën, prokurori merr vendim të arsyetuar dhe vë në dijeni personin e dëmtuar, i cili mund të bëjë ankim në gjykatë.

3Viktima akuzuese mund t’i kërkojë gjykatës që të procedojë në sigurimin e provës para fillimit të gjykimit.

Përmbajtja

    •  Ndryshimet e pësuara në Kodin Procedurial Penal me Ligjin nr. 35/2017, datë 30.3.2017 kanë sjellë një qasje të re të viktimës në procesin penal duke e paraqitur atë tashmë si subjekt në proces me një gamë të gjerë të drejtash pothuajse të barabarta me palët e tjera në proces. Në vetë relacionin e paraqitur në Kuvend mbi ndryshimet e Kodit të Procedurës Penale është theksuar se nëpërmjet ndryshimeve ligjore “Eshte prezantuar detyrimi per pjesemarrjen si pale ne proces te viktimes se vepres penale, duke garantuar aksesin e saj ne procesin penal ne referim te percaktimit te Vendimit Kuader te BE mbi statusin e viktimave ne gjykimin penal te dates 15/03/2001 (neni 9/a).”.

       

      Po ashtu në këtë relacion sillet në vemendje dhe Direktiva 2012/29/BE e Parlamentit dhe Komisionit Europian datë 25.10.2012 “Për përcaktimin e standardeve minimum për të drejtat, mbështetjen dhe mbrojtjen e viktimës së veprave penale dhe zëvendësimin e Vendimit Kuadër të Komisionit 2001/220/JHA” e cila në nenin 10 të saj përcakton se “Vendet anëtare duhet të sigurojnë se viktima duhet të dëgjohet në procesin penal dhe po ashtu të paraqesë prova. Rregullat procedurial mbi bazën e së cilave viktimat mund të dëgjohen dhe të paraqesin prova duhet të përcaktohen nga ligji kombëtar”

       

      Pikërisht dhe mbi bazën e direktivës së mësipërme nga ana e legjislatorit nëpërmjet ndryshimeve të Kprp është mundësuar garantimi i  të drejtës e viktimës në marrjen e provave, si dhe të parashtrojë kërkesa të tjera përpara organit procedues[1].

       

      Nisur nga këto parime dhe neni 318 ka si qëllim të garantojë që dhe viktima si një nga subjektet e procesit penal të ketë akses në ushtrimin e të drejtës së saj në mbledhjen e provave e më konkretisht të kërkojë që nëpërmjet institutit të sigurimit të provës të shmanget rreziku se prova do të preket në vërtetësinë e saj apo do të pamundësohet marrja gjatë shqyrtimit gjyqësor.

       

       

      [1] NENI 58/1/dh I K.Pr.penale

    • Objekt i dispozitës është pikërisht procedura që mundëson që viktima e veprës penale të ushtroj të drejtën për sigurimin e provës, duke rregulluar marrëdhëniet e kësaj të fundit me Prokurorinë dhe po ashtu me gjykatën. Po ashtu parashikohet dhe e drejta e viktimës akuzuese për të qënë subjekt i legjitimuar në menyre direkte për të kërkuar zbatimin e sigurimit të provës.

      1. Pavarsisht se viktima njihet si subjekt i procesit penal me një gamë të gjerë të drejtash të parashikuara në Kod, nuk duhet harruar fakti se ajo nuk është palë në proces. Përjashtim nga ky rregull bën rasti kur viktima e veprës penale ndërhyn në proces me cilësinë e paditësit civil, duke kërkuar shpërblimin e dëmit të shkaktuar dhe rasti kur viktima e veprës penale merr rolin e viktimës akuzuese, duke marrë pjesë si palë në process, për të ndjekur akuzën private. Në këtë kontekst në pozitën e saj të parë vetëm si viktimë, ajo më së shumti asiston dhe po ashtu mbikqyr prokurorinë gjatë ndjekjes penale se sa ushtron të drejtat në mënyrë të pavarur nga kjo e fundit. Në rastin konkret pra përsa i përket institutit të sigurimit të provës Neni 318 I KPRP nuk i jep viktimës një të drejtë direkte për të qënë subjekt i legjitimuar para gjykatës por fillimisht kufizohet vetëm në të drejtën për ti dhënë shtysë prokurorit të kërkojë kryerjen e procedurës. Kërkesa e viktimës cmohet nga ana e prokurorit I cili në rast se e gjykon atë si të bazuar në kriteret ligjorë paraqet kërkesë në gjykatë duke qënë vetë subjekti kërkues sipas nenit 317 të KPRP pavarsisht se procedura në tërësi ka nisur sipas Nenit 318 të KPRP.

       

      1. Në rast të kundërt kur Prokurori nuk pranon kërkesën e viktimës për të nisur një procedurë të sigurimit të provës prokurori merr vendim të arsyetuar dhe vë në dijeni këtë të fundit, i cili mund të bëjë ankim në gjykatë. Qëndrimi i prokurorit për të mos pranuar kërkesën për sigurim prove mund të jetë i dyfishtë, procedurial ose taktik. Kështë është e qartë që nëse prokurori cmon se nuk janë kushtet për sigurimin e provës për shkak se prova nuk rrezikon të humbasë apo të cënohet në vërtetësinë e saj apo vlerëson se prova është irilevante dhe jashtë thema decidendum ai nuk mund të paraqesë kërkesë në gjykatë. Përpos kësaj prokurori mund të vlerësoj, si taktikë hetimore, se sigurimi i provës në atë moment procedurial do të dëmtonte hetimet paraprake.. duke shmangur “..rrezikun që sigurimi i provës të përdoret si mjet për të hapur të cara në panoramën e hetimeve paraprake duke lejuar kështu që i hetuari të paraprijë dhe të godasë apo zhbëj veprimet e ardhme hetimore të prokurorisë.[1].

       

      Mbi vendimarrjen e prokurorit ligji ynë procedurial penal ofron një gamë më të gjerë të drejtasht dhe garancish për viktimën e veprës penale duke i ofruar të drejtën e aksesit në gjykatë ndaj vendimit të prokurorit pavarsisht parimit se ky i fundit është “zot i hetimeve paraprake’. Po të marrim si shembull Kodin Procedurial Penal Italian nga i cili është modeluar ligji ynë procedurial, nuk njihet kjo mundësi e viktimës duke e konsideruar qëndrimin e prokurorit të paankimueshëm, kësisoj të pakontrollueshëm. Ndaj dhe themi se me dhënien e mundësisë në mënyrë indirekte viktimës për të kërkuar sigurimin e provës në gjykatë ligji ynë procedurial penal ofron një standart më të lartë mbrojtje ndaj të drejtave të viktimës.

       

      1. Megjithatë konstatohet se nga ana e ligjvënësit nuk është rregulluar në mënyrë të qartë procedura e vendimarrjes së prokurorit dhe po ashtu e ankimimit të vendimit. Kështu nuk është përcaktuar një afat ligjor brenda së cilit prokurori do të duhet të shprehet për kërkesën e viktimës. Më tej nuk është përcaktuar as afati brenda së cilit viktima ka të drejtë ti drejtohet gjykatës në rrugë ankimore. Në këtë situatë shprehim mendimin se dispozitës I duhet dhënë një interpretim paqtues në mënyrë që mundësia ligjore e dhënë nga ligjvënësi të mos mbeti vetëm teorike. GJEDNJ-ja është shprehur se, ekzistenca emjetit juridik ankimorduhet të jetë mjaftueshmërisht e sigurtjo vetëm nëteori, por edhe në praktikë, pasi në të kundërt mjeti ankimor nuk do të jetë i aksesueshëm dhe efektiv[2]. Në këtë prizëm i zbatueshëm në këtë rast mund të jetë afati 15 ditor i parashikuar nga Neni 110 I KPRP për kërkesat e paraqitura nga palët. Në këtë dispozitë parashikohet se “ Palët dhe përfaqësuesit e tyre kanë të drejtë, në çdo gjendje dhe shkallë të procedimit, të paraqesin memorie dhe kërkesa me shkrim. 2. Organi procedues shprehet me vendim brenda pesëmbëdhjetë ditëve.”

       

      1. Më tej i diskutueshëm është fakti nëse e drejta e viktimës për të paraqitur ankim kufizohet në një afat të caktuar apo është e zhveshur nga ky kufizim duke marr si limit vetëm afatin përfundimtar kur palët mund të kërkojnë sigurimin e provës (seancën paraprake). Në rastin e vendimeve gjyqësor në ato raste kur ligji nuk parashikon një afat të posacëm ankimi vlen rregulli i parashikuar Neni 415 I KPRP. Megjithatë është e qartë se kjo dispozite nuk mund të zbatohet edhe për ankimet ndaj vendimeve të Prokurorisë, përsa kohë që TITULLI VIII i KPrP me titull “ANKIMET” bën fjalë vetëm për ankimin e vendimeve dhe urdhrave të  gjykatës.

      Në fakt nga një studim i dispozitave të KPrP rezulton se në pjesën dërrrmuese të rasteve ankimet ndaj vendimeve të Prokurorisë kanë të vendosur një afat 10ditor, ndërkohë qe përvec nenit 318 ekzistojnë vetëm dy raste të tjera ku ligjvënësi nuk ka parashikuar afat për ankimimin e vendimit të prokurorit (neni 212 dhe 218). Ajo që mund të jetë e diskutueshme është fakti nëse këto afate të parashikuara për institute të tjerë procedurial mund të përdoren në këtë rast të këtij omissioni ligjor. Në fakt zbatimi i analogjisë duke iu referuar dispozitave që rregullojnë institute të tjerë procedurial kur behët fjalë për të kufizuar të drejtat e palëve private nuk do të ishte korrekte ndaj dhe importimi i afateve kufizues nga dispozita të tjera proceduriale nuk vlerësohet si i zbatueshëm. Si rrjedhojë mund të arrihet në përfundimin se mosvendosja e një limiti kohor në ushtrtimin e ankimit ndaj vendimit të prokurorit në këtë situatë nuk paraqitet si një omission i legjislatorit por përkundrazi vullnet i tij. Ky vullnet bazohet në faktin se në ndryshim nga vendimet gjyqësor ku vihet theksi në parimin e  sigurisë juridike e kësisoj vendoset një afat kohor ankimimi me kalimin e të cilit mundësohet marrja formë të prerë e vendimit, në rastin e vendimeve të prokurorit kjo domosdoshmëri përgjithësisht mungon. Për këtë aryse mund të thuhet se ankimi ndaj vendimit të prokurorisë për të refuzuar kërkesën e viktimës për të proceduar me sigurimin e provës është i pakufizuar në afat kohor duke patur si pikë fundore vetëm fazën e seancës paraprake.

       

      • Viktimë akuzuese është ai person që është dëmtuar nga veprat penale të parashikuara nga nenet 90, 91, 92, 112 paragrafi i parë, 119,119/b, 120, 121, 122, 43 125, 127, dhe 254 të Kodit Penal. Ligji I jep të drejtë asaj të paraqesë kërkesë në gjykatë dhe të marrë pjesë në gjykim si palë për të vërtetuar akuzën dhe për të kërkuar shpërblimin e demit. Ndodhur në këto kushte duke qënë se për këto kategori veprash prokurori nuk ushtron ndjekjen penale, ligjvënësi ka parashikuar të drejtën e viktimës akuzuese për të qënë vetë subjekt I legjitimuar për të kërkuar sigurimin e provës. Në fakt si rregull duke mos pasur fazë të hetimeve paraprake viktima akuzuese paraqet akuzën e saj menjëherë pasi është kryer vepra penale ndaj saj dhe si rrjedhojë me nisjen e procesit gjyqësor (proces madje që I mungon dhe séance paraprake) fillohet pa vonesë me marrjen e provave. Megjithatë mund të ndodhë që vullneti i viktimës akuzuese të jetë në paraqitjen në një kohë të mëvonshme të akuzës penale për qëllime të mbledhjes së provave. Për këtë arsye viktima akuzuese mund të kërkojë para fillimit të gjykimit kryerjen e një procedure të sigurimit të provës në ato raste kur prova rrezikon të mos merret dot në shqyrtimin gjyqësor. Natyrisht rastet tipike të parashikuara për sigurimin e provës në nenin 316 të kprp mund të përdoren aq sa janë të zbatueshme për vetë llojin sui generit të proceseve me viktimë akuzuese. Fjala vjen, rastet e parashikuara nga pika b, c dhe d (pjesa e dyte) e nenit 316 janë të paaplikueshme për këtë process.

       

       

       

       

      [1] La Regina, Incidente probatorio, in Tratt. Spangher, III, Torino, 2009, 551.

      [2] shih, Stoiçkov kundër Bullgarisë, 24 Mars 2005 §66

    • Asnjë koment
    • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
Arber Cela
Arber Cela