KODI I PROCEDURËS PENALE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË   |   7905

Neni 319: Paraqitja e kërkesës

1Kërkesa për sigurimin e provës depozitohet në sekretarinë e gjykatës bashkë me sendet e dokumentet e mundshme. Ajo u njoftohet palëve dhe personave të interesuar nga ai që e ka bërë.

2Brenda dy ditëve nga njoftimi i kërkesës, prokurori dhe i pandehuri mund të paraqesin argumente lidhur me bazueshmërinë e kërkesës, të depozitojnë sende dhe dokumente, si dhe të tregojnë fakte të tjera që duhet të përbëjnë objekt prove dhe persona të tjerë të interesuar, sipas shkronjës “b”, të paragrafit 1, të nenit 317, të këtij Kodi.

3Prokurori mund të kërkojë nga gjykata shtyrjen e afatit për sigurimin e provës së kërkuar nga i pandehuri, kur marrja e saj do të dëmtonte hetimet. Gjykata vendos mbi kërkesën pasi dëgjon të pandehurin dhe mbrojtësin e tij. Shtyrja e afatit nuk pranohet kur nga kjo mund të rrezikohet marrja e provës.

Përmbajtja

    • Logjika e institutit të sigurimit të provës është ngutshmëria në marrjen e një prove e cila rrezikon të humbasë apo të cënohet në vërtetësinë e saj. Për këtë arsye, ligjvënësi është kujdesur që procedurat për shqyrtimin e kërkesave për sigurimi prove të jenëparashikuara në mënyrë të qartë dhe efektive. Ndaj dhe qëllimi i dispozitës në fjalëështë të sigurojë që procedurat përgatitore pas paraqitjes së kërkesës për sigurim prove të jenë të tilla që të mundësojnëgarantimin e kontradiktorialitetit në marrjen e provës, sigurimin e një panorame të qartë për gjykatën për arsyet që rrezikojnë provën dhe po ashtu garantimin që marrrja e provës të mosë cënojë në tërësi rrjedhën e hetimeve paraprake.

    • Objekt i dispozitës janë veprimet përgatitore që zhvillon gjykata dhe palët menjëherë pas paraqitjes së kërkesës për sigurimin e proves si dhe e drejta e prokurorit për të kërkuar shtyrjen e sigurimit të provës në rastet kur kjo do ti sillte dëm hetimeve.

       

       

      • Kërkesa për sigurimin e provës depozitohet në sekretarinë e gjykatës bashkë me sendet e dokumentet e mundshme. Ajo u njoftohet palëve dhe personave të interesuar nga ai që e ka bërë. Gjykata kompetente për shqyrtimin e kërkesës është gjykata pranë të cilës është atashuar Prokuroria e cila ka nisur procedimin penal për të cilën kërkohet sigurimi i provës apo gjykata e cila ka për kompetencë akuzën private që do të paraqesë viktima akuzuese. Ndërkohë që gjyqtari kompetent për shqyrtimin e kërkesës është gjyqtari i hetimeve paraprake i cili më herët mund të ketë marrë në shqyrtim kërkesa të palëve gjatë hetimeve paraprake apo që caktohet rishtaz si i tillë.

       

      • Nisur nga nevoja për kryerjen e procedurës në moment sa më të shkurtër ligjvënësi ka vendosur barrën kërkuesit për të kryer procedurat e njoftimit të personave të interesuar, pra sipas rastit Prokurorit apo të pandehurit. Konfirmimet e kryerjes së njoftimeve duhet të paraqiten në sekretarinë e gjykatës bashkë me kërkesën. Dispozita parashikon njoftimin “e personave të interesuar” pa specifikuar në paragrafin e parëtë saj se cilët janë këto subjekte. Megjithatë nisur nga logjika se persona të interesuar janë ata që do të marrin pjesë në procedurën e sigurimit të provës, termi në fjalë duhet intepretuar në kuptim të Nenit 317/1/b “personat ndaj të cilëve procedohet për faktet objekt prove”. Ndaj dhe në paragrafin e dytë të dispozitës parashikohet që pala tjetër ( pala që nuk ka paraqitur kërkesë) kur njoftohet për paraqitjen e kërkesës për sigurimin e provës parashtron fakte të tjera që duhet të përbëjnë objekt prove dhe persona të tjerë të interesuar, sipas shkronjës “b”, të paragrafit 1, të nenit 317, të këtij Kodi.

                                                                                                

      • Në lidhje me viktimën e veprës penale vlen të diskutohet fakti nëse kërkesa e paraqitur nga prokurori apo i pandehuri për sigurimin e provës duhet ti njoftohet gjithashtu edhe asaj. Në fakt paragrafi i parëi nenit 319 parashikon se kërkesa “u njoftohet palëve dhe personave të interesuar nga ai që e ka bërë”. Në lidhje me termin “palë” edhe më herët në këtë komentar është argumentuar nëse viktima merr atributet e palës në proces ku është thënë se “…. viktima e veprës penale nuk është palë në proces, pavarësisht se merr pjesë në të, me përjashtim të rastit kur merr pjesë në proces me cilësinë e paditësit civil në procesin penal, sipas rregullave të përcaktuara në nenet 61 – 68 të K.Pr.P. ose kur ka rolin e viktimës akuzuesenë proces, sipas nenit 59 të K.Pr.P. Megjithëse K.Pr.P. parashikon viktimën e veprës penale si subjekt të procesit penal, palët në proces janë vetëm prokurori, i cili përfaqëson akuzën në gjykim në emër të interest publik dhe i pandehuri, i cili mund të mbrohet vetë ose nëpërmjet mbrojtësit të zgjedhur apo të caktuar kryesisht, si personi ndaj të cilit zhvillohet gjykimi.”[1]. Megjithatë duke përjashtuar detyrimin e njoftimit si palë të viktimës vlen për tu diskutuar nëse kjo e fundit duhet të njoftohet sipas pjesës së fundit të fjalisë së dispozitës, pra si “personave të interesuar“.Në fakt në një kuptim të gjerëështë e padiskutueshme se viktima e veprës penale është e interesuar për cdo ndodhi që afekton procedimin penal në të cilën është përfshirë. Nga ana tjetër procedura e shqyrtimit të kërkesës për sigurim të provës ka si qëllim kryerjen e saj në një kohë sa më të shpejtë. Ndaj dhe parashikimi ligjor për njoftimin e prokurorit dhe të pandehurit ka synimin që “..brenda dy ditëve nga njoftimi i kërkesës, prokurori dhe i pandehuri mund të paraqesin argumente lidhur me bazueshmërinë e kërkesës, të depozitojnë sende dhe dokumente, si dhe të tregojnë fakte të tjera që duhet të përbëjnë objekt prove..”  ndërsa njoftimi për  “ personat ndaj të cilëve procedohet për faktet objekt prove” (317/1/b) ka synimin në përgatitjen e tyre për tu bërë pjesë e procedurës për marrjen e provës (marrjen e dëshmisë apo kryerjen e paraqitjes për njohje). Si rrjedhojë njoftimi i kërkesës për sigurimin e provës viktimës së veprës penale nuk është detyrim në këtë rast, përjashto situatat kur vetë viktima është objekt i sigurimit të provës (psh kur vetë viktima do të bëjë paraqitjen për njohje apo do të pyetet si dëshmitar).

       

      • Njoftimi i kërkesës për sigurimin e provës palëve ka për qëllim parësor formimin e një kontradiktoriariteti mbi bazë aktesh ndërmjet tyre të cilët brenda dy ditëve nga njoftimi i kërkesës, mund të paraqesin argumente lidhur me bazueshmërinë e kërkesës. Pra konstatohet se ligjvënësi nisur nga qëllimi për të krijuar një procedurë sa më të shpejtëka vendosur që debati midis palëve për bazueshmërinë e kërkesës të jetë vetëm shkresor, ku në pretendimet e tyre me shkrim palët i shprehin qëndrimin e tyre gjykatës në lidhje me plotësimin ose jo të kritereve ligjorë për të proceduar me institutin e sigurimit të provës. Nga ana tjetër në ato raste kur edhe pala tjetër nuk ka kundërshtime për të proceduar me sigurimine provës asaj i mundësohet që të plotësojë objektin e të provuarit duke patur të drejtën kështu tëdepozitojë sende dhe dokumente, si dhe të tregojë fakte të tjera që duhet të përbëjnë objekt prove dhe persona të tjerë të interesuar, sipas shkronjës “b”, të paragrafit 1, të nenit 317, të këtij Kodi.

       

      Në një situatë tjetër ligjore të parashikuar shprehimisht nga ligji, Prokurori mund të kërkojë nga gjykata shtyrjen e afatit për sigurimin e provës së kërkuar nga i pandehuri, kur marrja e saj do të dëmtonte hetimet. Në fakt paragrafi i tretë i Nenit 319 ka pësuar ndryshim me Ligjin nr. 35/2017, datë 30.3.2017 ku dispozita parashikonte se “Prokurori mund të kërkojë nga gjykata shtyrjen e afatit për sigurimin e provës së kërkuar nga i pandehuri, kur zbatimi i veprimit do t’i sillte dëm marrjes së provës.”.Pra shtyrja e afatit të sigurimit të provës lidhej vetëm me mos dëmtimin e provës që do të sigurohej duke lënë jashtë kujdesit provat e tjera apo procesin hetimor në tërësi. Në të kundërt me ndryshimet e reja ligjvënësi ka vendosur fokusin nëruajtjen në tërësi të hetimeve nga rreziku i nxjerrjes së të dhënave në një moment të papërshtatshëm. Një parashikim i tillë i dispozitës duhet parë lidhur me nenin 279 të K.Pr.Penale i cili flet për sekretin e veprimeve hetimore. Ligjvënësi nëpërmjet këtij parashikimi ndonëse garanon të drejtat e palëve për paraqitjen e provave tenton të“..shmanget rreziku që sigurimi i provës të përdoret si mjet për të hapur të cara në panoramën e hetimeve paraprake duke lejuar kështu që i hetuari të paraprijë dhe të godasë apo zhbëj veprimet e ardhme hetimore të prokurorisë.[2]. Ndaj dhe  duke qënë se synimi i këtij parashikimi është pikërisht ruajtja e hetimeve praprake, ligjvënësi ka mundësuar si subjekt të legjitimuar vetëm prokurorin për këtë kërkim, ndërkohë që kërkimi nga ana  e palëve të tjera nuk do të bënte kuptim.

      Duke qënë se shtyrja e afatit të sigurimit të provës cënon në një farë mase vetë thelbin e institutit qëështë urgjenca në marrjen e provës, është e domosdoshme që Prokurori të japë argumenta të qënësishëm për të justifikuar shtyrjen e procedurës dhe po ashtu shtyrja nuk duhet tërrezikojë vetë marrjen e provës, nisur nga parimi se e drejta për të paraqitur prova duhet të mbizotërojë para rrezikut të cënimit të hetimeve.Në thelb kërkesa e tij duhet të përmbajëa) veprimet hetimore që vlerohet se do të cënoheshin nga sigurimi i provës b) afatin e kërkuar për shtyrjen e marrjes së provës.

      Po ti referohemi doktrinës së vendit fqinj italisëështëmbajtur qëndrimi se “..Prokurori nuk duhet të kufizohet vetëm në përmendjen e një efekti gjenerik të paragjykimit të hetimeve paraprake por duhet në mënyrë specifike të tregojë veprimin apo veprimet konkrete kryerja e të cilëve do të kompromentohej në mënyrë të pakthyeshme nga sigurimi i provës duke parashtruar po ashtu dhe shkaqet e këtij kompromentimi[3].”. Megjithatë megjithëse ligji ynë procedurial është bazuar mbi modelin italin në këtë pikë konstatohet një dallim përsa i përket procedurës së zbatimit të këtij instituti. Kështu në modelin Italian, duke qënë se sic permendëm mësipër Prokurori ka detyrimin që të bindë gjyqtarin për efektin e dëmshëm që mund të sillte sigurimi i provës tek veprimet hetimore konkrete, ka garantuar që ky parashtrim i prokurorit ti drejtohet në sekret vetëm gjyqtarit pa patur i hetuari mundësi të njihet me këto veprime dhe pa ju dhënë e drejta të njihet me kërkesën e prokurorisë. Sigurisht logjika është që shtyrja nuk do kishte efekt nëse i hetuari paraprakisht do të njihej me veprimet hetimore të cilat synon të kryej dhe mbrojë prokurori.

      Në të kundërt me modelin Italian, kodi ynë procedurial parashikon se “Gjykata vendos mbi kërkesën pasi dëgjon të pandehurin dhe mbrojtësin e tij.”. Në këtë pikë nisur nga ky parashikim është e nevojshme të kryhet një interpretim paqtues që vendos në balancë të dy nevojat e kërkuara nga ligjvënësi. Si rrjedhojë për të mos cënuar nga njëra anë vetë thelbin e institutit të shtyrjes së sigurimit të provës dhe po ashtu nga ana tjetër për të mos e kufizuar kërkimin e prokurorisë vetëm në dhënien e disa arsyeve gjenerike që justifikojnë pranimin e kërkesës për shtyrje, vlerësohet se Gjykata duhet të dëgjojë të pandehurin vetëm për tu shprehur nëse shtyrja e marrjes së provës do të cënonte marrjen e saj por pa i dhënë këtij të fundit të drejtën të njihet në thelb me pretendimet e prokurorisë.

      Më tej Gjykata ka detyrimin të arsyetojë vendimarrjen e saj kur pranon kërkesën për shtyrje, duke vendosur theksin në garantimin e rrezikut për marrjen e provës. Në praktikën gjyqësore (si para si pas ndryshimeve ligjore) nuk janë verejtur shumë raste kur ky institut është përdorur nga ana e Prokurorit. Në Vendim Nr.1493 dt. 02.11.2010 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë“..Prokurori ne shpjegimet e tij deklaroj se ishte dakort qe te behej pyetja shtetases E. A dhe kerkoj qe marrjen e kesaj deshmie te behej mbas 10 ditesh per shkak se sigurimi i kesaj prove mund te sillte dem ne hetime sipas nenit 319/3 te K.Pr.Penale.”. Nga studimi i këtij vendimi nuk rezulton se cila ka qënë arsyeja pse marrja e menjëhershme e provës mund të sillte dëm në hetime dhe po ashtu nuk rezulton të jetë arsyetuar nga Gjykata përse është pranuar kjo kërkesë e Prokurorisë[4] apo përse pyetja në një moment të mëvonshëm të dëshmitares nuk do cënonte vetë dëshminë.

       

       

       

      [1] Shiko komentimin e Nenit 58 të KPRP në këtë komentar.

      [2] La Regina, Incidente probatorio, in Tratt. Spangher, III, Torino, 2009, 551.

      [3] Po aty, op. cit., 621

      [4]Gjykata në këtë rast nuk rezulton të ketë marrë një vendim të vecante për pranimin e këreksës së Prokurorisë por nga leximi I dispozitivit ku është caktuar séance për pyetjen e dëshmitares pas afatit të kërkuar nga ana e Prokurorit, nënkuptohet se Gjykata ka pranuar kërkesën e këtij të fundit.

    • Asnjë koment
    • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
Arber Cela
Arber Cela