KODI I PROCEDURËS PENALE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË   |   7905

Neni 320: Disponimi mbi kërkesën për sigurimin e provës

1Brenda dy ditëve nga ardhja e përgjigjes për marrjen e njoftimit për kërkesën për sigurimin e provës, gjykata merr vendim, me të cilin pranon ose rrëzon kërkesën për sigurimin e provës. Kundër këtij vendimi nuk lejohet ankim.

2Me vendimin që pranon kërkesën gjykata cakton:

aobjektin e provës dhe personat e interesuar për marrjen e saj, sipas parashikimeve të nenit 319 të këtij Kodi;

bshfuqizohet;

cdatën e seancës, e cila nuk mund të kalojë një afat më të gjatë se dhjetë ditë nga data e dhënies së vendimit.

2-1Gjykata njofton prokurorin, të pandehurin, viktimën dhe mbrojtësit të paktën dy ditë para datës së seancës dhe i njeh ata me të drejtën për të shqyrtuar dhe marrë kopje të deklarimeve që do të sigurohen.

3Kur i pandehuri, prania e të cilit është e domosdoshme për sigurimin e provës, nuk paraqitet pa një shkak të ligjshëm, gjykata urdhëron shoqërimin e tij të detyrueshëm.

4Kur ekzistojnë arsye të ngutshme dhe sigurimi i provës nuk mund të kryhet në rrethin e gjykatës kompetente, kjo e fundit duhet të delegojë gjykatën e vendit ku duhet të merret prova.

Përmbajtja

    • Qëllim i dispozitës është përcaktimi i afateve procedurial për të konkluduar mbi kërkesën e paraqitur prej palëve në lidhje me sigurimin e proves dhe më tej kontrolli i vendimarrjes së gjykatës nga një gjykatë më e lartë në rrugë ankimore. Me përcaktimin e afateve të shpejtë si për shqyrtimin e kërkesës si për shqyrtimin e ankimeve nga Gjykata e Apelit dhe më tej shmangien  e të drejtës për të rekursuar vendimin e kësaj të fundit, qëllim i ligjvënësit nëpërmjet kësaj dispozite është pikërisht garantimi i zhvillimit të sigurimit të provës në një afat sa më të shkurtër, duke u nisur nga fakti se karakteristikë e insitutit është pikërisht ngutshmëria në marrjen e një prove që rrezikon të humbë apo të cënohet në vërtetësinë e saj.   

    • Objekt i dispozitës është

      • vendimarrja e gjyqtarit që shqyrton kërkesën për sigurimin e provës
      • Ankimimi i vendimit që pranon apo rrezon kërkesën për sigurimin e provës
      • Aspektet formal që duhet të mbajë vendimi që pranon kërkesën për sigurim të provës

       

      • Brenda dy ditëve nga ardhja e përgjigjes për marrjen e njoftimit për kërkesën për sigurimin e provës, gjykata merr vendim, me të cilin pranon ose rrëzon kërkesën për sigurimin e provës. Megjithëse nuk përmendet nga dispozita është e natyrshme që “brenda dy ditësh” mund të jetë edhe menjëherë por në cdo rast jo para se të jetë përmbushur afati i parashikuar nga neni 319/2 i K.Pr.P.

       

      Po ashtu pavarsisht se dispozita nuk shprehet është i diskutueshëm fakti nëse shqyrtimi i kërkesës kryhet në seancë gjyqësore me pjesëmarrje të palëve apo në dhomë këshillimi. Nga studimi i praktikës gjyqësore rezulton se në pjesën dërmuese të rasteve kërkesat për sigurimin e provës janë marr në shqyrtim në seancë gjyqësore në prani të palëve. Ky intepretim i ligjit ka ardhur edhe për shkak se në ndryshim nga rastet e tjera kur ligji e shpreh në mënyrë të qartë zhvillimin e gjykimit në dhomë këshillimi, në këtë rast një parashikim i tillë mungon. Nga ana tjetër po të shihet me kujdes i gjithë iteracioni procedurial që nga paraqitja e kërkesës që nga mundësia dhënë palëve për të paraqitur me shkrim pretendimet e tyre që nga koha e shkurtër vendosur si detyrim gjykatës për të shqyrtuar kërkesën (dy ditë që nga njoftimi i palës por jo më vonë se dy ditë nga ardhja e përgjigjes për marrjen e njoftimit 319/2 dhe 320/1) apo dhe nga vetë pamundësia faktike e kësaj të fundit qëbrenda kësaj fashe kohoretë njoftojë palët për seancë gjyqësore të con në konkluzionin se kërkesa shqyrtohet në dhomë këshillimi pa praninë e palëve, të cilët kontradiktoriaritetin e kanë zhvilluar më parë me shkrim.

      Duke përforcuar këtë qëndrim jo më kot me ndryshimet e kryera në K.Pr.P me Ligjin nr. 35/2017, datë 30.3.2017 është shtuar parashikimi se “2/1. Gjykata njofton prokurorin, të pandehurin, viktimën dhe mbrojtësit të paktën dy ditë para datës së seancës dhe i njeh ata me të drejtën për të shqyrtuar dhe marrë kopje të deklarimeve që do të sigurohen.”. Nisur nga ky parashikim duke qënë se vetë data e seancës është pjesë e dispozitivit të gjykatës sipas nenit 320/2 të KPRP, do të dilte e pakuptimtë që Gjykata të rinjoftonte palët për datën e seancës gjyqësore të planifikuar për marrjen e provës.

      • Kundër vendimit mund të bëhet ankim në gjykatën e apelit brenda 5 ditëve. Ajo qëështë sqaruar dhe nga praktika gjyqësore është fakti se ankimi mund të bëhet si për pranimin e kërkesës si për rrëzimin e saj. NëVendimi Nr.13 dt. 26.01.2011 i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartëështë arsyetuar se “Sipas nenit 320 të K.Pr.Penale, gjykata, brenda dy ditëve nga ardhja e përgjigjes për marrjen njoftim për kërkesën për sigurimin e provës, merr vendim me të cilin pranon ose rrëzon kërkesën dhe “kundër vendimit mund të bëhet ankim në gjykatën e apelit brenda pesë ditëve”. Nga ky përcaktim del qartë se pretendimi i prokurorit se vendimi i gjykatës mund të ankimohet vetëm kur kërkesa për sigurimin e provës refuzohet dhe jo kur ajo pranohet është i pa bazuar, pra ankimi mund të bëhet brenda afatit të posaçëm prej pesë ditësh, si në rastet kur kërkesa për sigurimin e provës nuk pranohet, ashtu edhe në rastet kur ajo pranohet.”

       

      Nisur nga ngutshmëria qëështë karakteristikë thelbësore e vetë institutit,ligjvënësi ka parashikuar afate të shkurtër për marrjen në shqyrtim të ankimit nga Gjykata e Apelit duke parashikuar se kjo e fundit e shqyrton ankesën brenda 10 ditëve nga dorëzimi i akteve në këtë gjykatë. Po ashtu ligjvënësi ka përjashtuar mundësinë  për të paraqitur rekurs.

      Megjithatë vendosja nga ligjvënësi e të drejtës për të paraqitur ankim ndaj vendimit të gjykatës për pranimin e kërkesës për sigurim prove duhet thënë se është e diskutueshme në qëllimin e saj. Kështu, duke qënë se koha më e shkurtër kur Gjykata e Apelit mund të shprehet në lidhje me ankimin e paraqitur është 15 ditë (por mund të shkojë dhe më gjatë në varësi të faktit se kur është njoftuar pala për vendimin e Gjykatës dhe po ashtu kur vetë Gjykata e Shkallës së Parë ka dorëzuar administrativisht aktet në Gjykatën e Apelit)dhe po ashtu koha më e gjatë kur mund të caktohet séanca për marrjen e provës është 10 ditë (neni 320/2/c) do të rezultonte se vendimi i Gjykatës së Apelit për mospranimin e kërkesës për sigurim prove të shpallej pas përfundimit të procedurës të marrjes së provës. Më tej do të ishte po ashtu tepër e diskutueshme cështja se cfare do të bëhej me provën e marrë nga Gjykata e Shkallës së Parë mbi një vendim i cili është ndryshuar nga Gjykata e Apelit.

      Po ti referohemi Kodit të Procedurës Penale italiane mbi të cilin është ndërtuar jo vetëm kodi ynë procedurial por edhe vetë instituti i sigurimit tëproves,është shmangur e drejta për të paraqitur ankim ndaj vendimit të gjyqtarit që pranon kërkesën. Kjo bazuar mbi faktin se kërkesat për sigurimin e provës kanë si karakteristikë kryerjen në një kohëe tyre sa më të shkurtër ndërkohë që në eventualitetin e kryerjes jashtë kritereve ligjore gjithësesi vendimi i një gjykate më të lartë do të ishte i vonuar në riparimin e efekteve që janë shkaktuar. Po ashtu dhe Kodi i Procedurës Penale të Republikës së Kosovës ka parashikuar të drejtën e ankimit por vetëm ndaj vendimit që ka refuzuar kërkesën për sigurimin e provës[1]. Ndërkohë Kodi i Procedurës Penale të Republikës së Maqedonisë së Veriut ka ndjekur modelin Italian në ndërtimin e këtij instituti duke mos parashikuar të drejtë ankimi për vendimarrjen e gjyqtarit në të dy rastet[2].

      • Më tej dispozita përcakton rekuizitat formal të cilët duhet të përmbajë vendimi gjyqësor që ka pranuar kërkesën për sigurimin e provës. Konkretisht me vendimin që pranon kërkesën gjykata cakton

       

      1. a) objektin e provës dhe personat e interesuar për marrjen e saj, sipas parashikimeve të nenit 319 të këtij Kodi;

      Në fakt vetë neni 319 tek i cili referon dispozita e mësipërme, është vetë nen i cili referon në një dispozitë tjetër të Kodit për të përcaktuar se rrethin e “personave të interesuar” dhe më konkretisht neni 317/b I KPR i cili përcakton si persona të interesuar “..personat ndaj të cilëve procedohet për faktet objekt prove;”.  Këta persona mund të jenë dëshmitarët që do të pyeten apo që do të ballafaqohen apo personat që do marrin pjesë në procedurën e njohjes. Sigurisht këta janë personat e kërkuara nga iniciuesi i procedurës së sigurimit të provës apo dhe pala tjetër e cila nëpërmjet parashtrimeve me shkrim kanë kërkuar zgjerimin e objektit të të provuarit sipas nenit 319/2 të KprP. Ajo që duhet thënëështë se gjykata në këtë rast ka një rol pasiv duke mos e zgjeruar objektin e të provuarit tej asaj të kërkuar nga palët.

      1. b) me Ligjin nr. 35/2017, datë 30.3.2017 është shfuqizuar pika b e nenit 320 të K.Pr.P e cila parashikonte në këtë pikë se vendimi gjyqësor përcaktonte “personat e interesuar për marrjen e provës sipas kërkesës”. Në fakt kjo ndërhyrje legjislative është më shumë një rregullim i teknikës legjislative sesa shfuqizim i ndonë rekuizite ligjore, duke qënë se ky paragraph është bërë pjesë e paragrafit të mësipërm të nenit.
      2. c) datën e seancës, e cila nuk mund të kalojë një afat më të gjatë se dhjetë ditë nga data e dhënies së vendimit.

      Sic u theksua dhe mësipër insituti i sigurimit të provës ka si karakteristikë të tij ngutshmërinë nëmarrjen e provës nisur nga rreziku qëkjo e fundit mund të humbasë apo të cënohet në vërtetësinë e saj. Në këto kushte ligjvënësi ka synuar të vendosë afate sa më të shkurtër që garantojnë marrjen e provës nga njëra anë por pa cënuar të drejtën e palëve për tu përgatitur për kontraditkoriaritet nga ana tjetër. Pra pavarsisht ngutshmërisë në marjen e provës gjykata nuk duhet të neglizhojë faktin se palëve duhet tu lihet një afat i përshtatshëm për tu përgatitur për marrjen e saj në mënyrë që të respektohet e drejta e tyre për kontradiktorialitet (psh palët duhet të njihen me thëniet e mëparshme të deklaruesve në mënyrë që të bëjnë pyetje dëshmitarve).

       

      Nga ana tjetër afati i përcaktuar në pikën c të nenit 320 është afati i zakonshëm brenda së cilës gjykata cakton seancën për marrjen e provës dhe këtu nuk përfshihet rasti kur Gjykata pranon kërkesën e prokurorisë për ta zhvilluar sigurimin e provës në një afat më të gjatë sipas nenit 319/3 të K.pr.P. Pra kjo pikë e dispozitës nuk zbatohet në rastet kur vetë gjykata mbi kërkesën e prokurorit ka caktuar një afat tjetër më të gjatë.

       

      • Ashtu sic u përmend dhe mësipër kryerja e procedurës së sigurimit të provës nuk duhet të cënoj të drejtat e palëve për kontradiktoriaritet në marrjen e provës. Ndaj dhe me Ligjin nr. 35/2017, datë 30.3.2017 ligjvënësi ka ndërhyrë për të mbuluar një omission në dispozitën në fjalë e cila nuk njihte, të paktën në mënyrë eksplicite, të drejtën e palëve për tu njohur me provën që do të sigurohej, në mënyrë që të përgatiteshin për të marre pjesë aktivisht në administrimin e saj. Ndaj dhe në funksion të parimit të kontraditkoriaritetit në formimin e provës Ligjvënësi shtoi njëparagraf në nenin 320 të K.pr.P duke parashikuar se Gjykata njofton prokurorin, të pandehurin, viktimën dhe mbrojtësit të paktën dy ditë para datës së seancës dhe i njeh ata me të drejtën për të shqyrtuar dhe marrë kopje të deklarimeve që do të sigurohen.

       

      • E rëndësishme është që procedura e marrjes së provës të kryhet në një kohë sa më të shkurtër dhe pikërisht në afatin e caktuar nga gjykata. Ndaj dhe ligjvënësi ka tentuar të mënjanojë cdo pengesë që mund të dilte në praktikë. Kështu kur i pandehuri, prania e të cilit është e domosdoshme për sigurimin e provës, nuk paraqitet pa një shkak të ligjshëm, gjykata urdhëron shoqërimin e tij të detyrueshëm.(Ky mund të jetë rasti i një paraqitje për njohje kur i pandehuri i shmanget kryerjes së procedurës). Nga ana tjetër duhet thënëse megjithëse seanca gjyqësore zhvillohet në datën e caktuar nga gjyqtari që ka vendosur për pranimin e kërkesës për sigurim prove në praktikë mund të ndodhë që për arsye të ndryshme të jetë e pamundur respektimi i kësaj date (mungesa e një antari të trupit gjykues apo mungesa e prokurorit apo vetë mungesa për shkak të ligjshëm e të pandehurit apo mbrojtësit të tij). Sigurisht që kjo situatë nuk do e zhbënte procedurën e kryer deri në atë fazë por duhet që trupi gjykues i caktuar për marrjen e provës, kompetent tashmë për cdo vendimarrje për procedurën, të caktojë një datë të re sa më të afërt (pa qënë nevoja që gjyqtari që ka disponuar për pranimin e kërkesës të ndryshojë dispozitivin e vendimit të tij duke caktuar një datë të re). Po ashtu në të njëjtën menyre procedohet dhe kur është e pamundur që marrja e provës të zhvillohet brenda një séance gjyqësore, gjykata do të caktojë datën e re të seancës sipas rregullave të parashikuara nga 342 i KPRP.

       

      • Po ashtu ligjvënësi ka parashikuar se kur ekzistojnë arsye të ngutshme dhe sigurimi i provës nuk mund të kryhet në rrethin e gjykatës kompetente, kjo e fundit mund të delegojë gjykatën e vendit ku duhet të merret prova. Në fakt duhet thënë se ky parashikim ligjor vjen në kundërshtim me parashikimin e një dispozite të mëpasshme të KPRP e cila parashikon se “Provat merren sipas rregullave të caktuara për shqyrtimin gjyqësor, nga e njëjta gjykatë që do të gjykojë çështjen.” . Duket se në këtë rast ligjvënësi ka ceduar nga ideja e tij se trupi gjykues që merr provën duhet detyrimisht të jetë trupi gjykues i cili do të jetë në gjykimin e themelit në këtë procedim. Po ashtu nëse do të ecim me logjikën se marrja e provës nëpërmjet kërkesës për sigurim prove është një pjesës e shqyrtimit gjyqësor e paraprirë në kohë, përsëri ky parashikim ligjor vjen në kundërshtim me vetë rregullat e marrjes së provës në gjykim. Kështu në gjykim ligjvënësi nuk i ka njohur të drejtën gjykatës që të delegojë një gjykatë tjetër për marrjen e provës por ka parashikuar se gjykata mund të vendosë që pyetja e dëshmitarit ose e ekspertit të bëhet në vendin ku ndodhetnga vetë trupi gjykues ose nga një anëtar i tij. Për rrjedhojë, parashikimi i nenit 320/4 duket se nuk është në harmoni me ndryshimet e reja të Kodit të Procedurës Penale të hyra në fuqi me Ligjin nr. 35/2017, datë 30.3.2017.

       

      [1] Neni 149/5 I KPrP të Republikës së Kosovës

      [2] Neni 314 I Kodit të Procedurës Penale të RMV

    • Asnjë koment
    • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
Arber Cela
Arber Cela