KODI I PROCEDURËS PENALE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË   |   7905

Neni 326: Pezullimi i hetimeve

1Kur nuk njihet autori i veprës penale ose kur i pandehuri vuan nga një sëmundje e rëndë që ndalon hetimin e mëtejshëm, prokurori vendos pezullimin e hetimeve.

2Pezullimi i hetimeve vendoset pasi të jenë kryer të gjitha veprimet e mundshme.

3Vendimi i arsyetuar i njoftohet viktimës ose personit që ka bërë kallëzimin, të cilët mund të bëjnë ankim brenda 10 ditëve nga marrja dijeni para gjyqtarit të seancës paraprake. Ankimi shqyrtohet në dhomë këshillimi brenda 30 ditëve. Kundër vendimit nuk lejohet ankim.

4Kur ankimi pranohet, gjykata vendos rifillimin e hetimeve.

5Përveç rastit të parashikuar në paragrafin 4, të këtij neni, hetimi i pezulluar rifillon me vendim të prokurorit.

Përmbajtja

      1. Qëllimi i dispozitës është rregullimi i dy situatave të ndryshme ligjore që mund të konstatohen gjatë hetimeve paraprake, sic është pamundësia për të gjetur autorin e veprës penale ose pamundësia e autorit të dyshuar të veprës penale për të marrë pjesë në procedim për shkak të sëmundjes së tij të rëndë.

       

      1. Nëpërmjet vendosjes së detyrimit të prokurorit për të arsyetuar vendimin e tij dhe njoftimit të këtij vendimi personit që ka bërë kallëzim apo viktimës, qëllim i dispozitës është dhënia e mundësisë këtyre të fundit të njihen me dinamikën e hetimit penal në të cilën janë të përfshirë. Më tej nëpërmjet dhënies se mundësisë viktimës/personit që ka paraqitur kallëzim për të paraqitur ankim në gjykatë ndaj vendimit të prokurorit qëllimi i dispozitës është të mundësojë kontrollin gjyqësor mbi organin e akuzës.
      1. Neni 326 bën pjesë në kreun KREUN VII të KPRP titulluar “Afatet e Përfundimit të Hetimeve”, pavarsisht se në afatet e hetimit ndikon vetëm pezullimi i këtij të fundit për shkak të sëmundjes së të pandehurit që pengon hetimin e mëtejshëm. Ai përbëhet nga 5 paragrafë. Ku paragrafi i parë parashikon në listë të mbyllur rastet e pezullimit të hetimit, paragrafi i dytë vendos detyrimin e prokurorit për një hetim të plotë para se të konkludojë për pezullim të hetimit, kryesisht kjo në rastin kur pezullimi vendoset për shkak të mosgjetjes së autorit të veprës penale. Më tej me radhë paragrafët parashikojnë detyrimin e prokurorit për njoftimin e vendimit të arsyetuar, të drejtën për ankim gjyqësor ndaj vendimarrjes dhe procedurën që ndjek gjykata mbi ankimin e paraqitur. Në fund parashikohet rihapja e hetimeve në rast të ndryshimit të rrethanave për të cilat është vendosur.

       

      1. Nëpërmjet 5 paragrafëve të saj objekt i dispozitës është vendimarrja e prokurorit për të pezulluar hetimet në një procedim të nisur si dhe parashikimi i procedurave ligjore për të ankimuar vendimin e këtij të fundit dhe po ashtu për të rifilluar procedimin e pezulluar në ato raste kur kanë rënë shkaqet e pezullimit.

       

      1. Procedimi penal përfundon me dërgimin e çështjes në gjykatë ose me pushimin e saj, ndërsa në rastet kur nuk identifikohet autori i veprës penale apo ai është identifkuar por i paaftë për të qëndruar në procedim, hetimi pezullohet. Me ndryshimet e thella që iu bënë Kodit të Procedurës Penale me Ligjin nr. 35/2017, u suprimua vendimarrja e prokurorit për të disponuar pushimin e cështjes dhe po ashtu dërgimin e saj në gjyq (duke u kufizuar e drejta e Prokurorit vetëm në paraqitjen e kërkesave). Në të kundërt në rastin e pezullimit të procedimit penal kjo e drejtë e organit të akuzës u ruajt duke u kufizuar ligji vetëm në vendosjen tashmë të kontrollit gjyqësor mbi bazë ankimi mbi këtë vendimarrje, kontroll i cili më parë nuk ka qënë i parashikuar.

       

      1. Në fakt duhet thënë se të paktën në situatën e parë, pra kur nuk njihet autori i veprës penale, vendimi i Prokurorit për pezullim të procedimit përbën një aspekt të dhënies së drejtësisë e cila nuk është shumë larg situatës kur prokurori pushon hetimet ndaj një personi. E thënë më thjesht, në rastin kur prokurori refuzon të shënojë emrin e një personi (i cili mund të jetë dhe i kallëzuar nominalisht) në regjistrin e njoftimit të veprave penale sepse mendon se ai person nuk provohet të ketë kryer ndonjë vepër penale nuk është larg situatës kur prokurori e ka shënuar më herët emrin dhe më pas konkludon se ky i fundit nuk është autor. Në rastin e parë vendimi i takon Prokurorit ndërsa në rastin e dytë ligji ja njeh gjykatës. Për këtë arsye duke qënë se në thelb situatat nuk janë të ndryshme, në Kodin e Procedurës Penale italiane në rastet kur prokurori pas hetimeve konstaton se nuk provohet se cili është autori i kryerjes së veprës penale i paraqet kërkesë Gjykatës, dhe vendimi merret nga kjo e fundit[1].

       

      1. Megjithatë pavarsisht se ligjvënësi ynë ka zgjedhur një model të ndryshëm procedurial në fushën e vendimarrjes së prokurorit për pezullimin e procedimit penal, shumë i rëndësishëm është fakti se më në fund nëpërmjet amendimeve të kryera me Ligjin nr. 35/2017 u rregullua një anomali serioze në lidhje me kontrollin gjyqësor të vendimarrjes së prokurorit. Kështu më herët ndërsa vendimarrja e prokurorit për të pushuar një procedim penal të nisur mund të ankimohej në gjykatë, qëndrimi i tij për të mos regjistruar asnjë emër në regjistrin e veprave penale dhe si rrjedhojë pezullimi i cështjes deri në përmbushje të afateve të parashkrimit të ndjekjes penale nuk parashikonte asnjë ankim duke shpëtuar kësisoj nga kontrolli gjyqësor[2]. Ndërkohë tashmë paragrafi 3 I dispozitës parashikon se vendimi i arsyetuar i njoftohet viktimës ose personit që ka bërë kallëzimin, të cilët mund të bëjnë ankim brenda 10 ditëve nga marrja dijeni para gjyqtarit të seancës paraprake.

       

      1. Sic përmendet nga dispozita situata e parë kur Prokurori mund të vendosë pezullimin e hetimeve është rasti kur nuk njihet autori i veprës penale. Sigurisht një vendimi i tillë merret nga prokurori kur ai ka kryer të gjitha veprimet hetimore të mundshme për zbulimin e autorit dhe pavarsisht kësaj nuk ka bazë provuese për të konkluduar për autorin e veprës penale. Në vendimin tij Prokurori duhet të listojë të gjitha veprimet hetimore të kryera dhe rezultatin e tyre.

       

      1. Ajo që konstatohet është fakti se dispozita nuk parashikon ndonjë afat brenda së cilës prokurori duhet të konkludojë për pezullimin e hetimeve në ato raste kur nuk i rezulton autorësia e veprës penale. Pra praktikisht prokurori mund ta mbajë për një afat të pacaktuar procedimin penal të hapur pa shënuar asnjë emër personi në regjistrin e njoftimit të veprave penale dhe kësisoj dhe ti shpëtojë kontrollit gjyqësor përsa kohë që ligji parashikon ankim ndaj vendimit të pezullimit të procedimit jo ankim ndaj mos marrjes së këtij vendimi[3]. Pavarsisht kësaj mund të thuhet se prokurori pavarsisht se nuk ka afat të përcaktuar për të disponuar pezullimin ai nuk mund të mbajë procedimin të hapur përsa kohë që nuk kryen veprime hetimore në kuadër të zbulimit të autorve. Marrja e vendimit të pezullimit në përfundim të ezaurimit të veprimeve hetimore të nevojshme mundëson kontrollin gjyqësor mbi këto veprime duke garantuar kështu të drejtën e viktimës apo personit që ka paraqitur kallëzim për akses para gjykatës.

       

      1. Rasti i dytë është kur i pandehuri vuan nga një sëmundje e rëndë e cila pengon hetimin e mëtejshëm. Në fakt pezullimi i procedimit (pra kur flitet për procedimin përfshihet jo vetëm hetimi por dhe faza e gjykimit) parashikohet që në Nenin 44 të KPRP titulluar “Pezullimi i procedimit për shkak të papërgjegjshmërisë së të pandehurit” (Shfuqizuar pika 2 me ligjin nr. 35/2017, datë 30.3.2017) ku parashikohet se organi procedures pezullon procedimin në ato raste kur del se gjendja mendore e të pandehurit është e tillë që pengon pjesëmarrjen e vetëdijshme në procedim. Ajo që konstatohet në këto dy dispozita që në fakt rregullojnë të njëjtën situatë është një terminologji e ndryshme e përdorur për llojin e paaftësisë së të pandehurit. Kështu nëse neni 44 parashikon një paaftësi që lidhet me “gjendjen mendore” të të pandehurit, neni 236 nuk kufizohet në gjendjen mendore duke përfshirë “një sëmundje e rëndë e cila pengon hetimin e mëtejshëm” që nisur nga ky përkufizim mund të jetë dhe sëmundje fizike. Megjithatë në doktrinë dhe në jurisprudencë është mbajtur qëndrimi se pezullimi i procedimit do të vendoset atëherë kur konstatohen jo vetëm sëmundje psiqike por dhe sëmundje të tilla që kanë ndikuar duke i bërë të pamjafueshme apo fare të papërdorshme aftësitë mendore të të pandehurit (ndërgjegja, mendimi, perceptimi,shprehia) në mënyrë të tillë që i pengohet pjesëmarrja në procedim[4].

       

      1. Ajo që duhet patur parasysh është fakti se në rastin e sëmundjeve të cilat ndikojnë në ekuilibrin mendor në mënyrë të tillë që subjekti kontrollon veprimet/mosveprimet e tij, sëmundja duhet të jetë e shfaqur pas kryerjes së veprës penale përndryshe do të ishim para rasteve të padënueshmërisë së autorit (neni 17 i K.Penal) e si rrjedhojë para rastit të pushimit të procedimit (neni 328/ç i KPRP). “ Me rastin e pezullimit të hetimit ndaj të pandehurit gjithashtu nuk mund të shqiptohet masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik sipas nenit 89 të KP-së (neni 46 K.P i RSH, shënimi ynë), sepse masa e tillë mund të shqiptohet vetëm ndaj kryerësit të papërgjegjshëm i cili ka qenë i tillë në kohën e kryerjes së veprës penale. Paaftësia mendore dhe paaftësia për të përballur gjykimin e të pandehurit mund të vërtetohet vetëm nëpërmjet ekspertimit psikiatrik ... Kur i pandehuri ndaj të cilit është pezulluar hetimi për shkak të paaftësisë së tij mendore gjendet në paraburgim, i pandehuri lirohet nga paraburgimi. Mirëpo nëse i pandehuri, për shkak të gjendjes në të cilën gjendet, është i rrezikshëm për rrethin, para heqjes së paraburgimit duhet siguruar aplikimin e masave përkatëse të institucioneve të shërbimit shëndetësor[5].

       

      1. Pezullimi i hetimit për shkak të pamundësisë së të pandehurit për të marr pjesë ne mënyrë të ndërgjegjshme në të ka si qëllim dhenien e mundësisë këtij të fundit që të marr pjesë në procesin e ngritur ndaj tij, të ketë mundësi të mbrohet të marrë pjesë në mbledhjen e provave apo të paraqesë kërkimet e tij kjo në respektim të Nenit 6 të KEDNJ. Në këtë logjikë pavarsisht se neni 236 nuk e parashikon, Prokurori nuk pengohet të marrë ato prova apo të kryejë ato verifikime që janë në dobi të të pandehurit lehtësojë pozitën e këtij të fundit apo e përjashtojnë atë nga përgjegjësie penale. Kjo parashikohet shprehimisht në nenin 44 të KPRP e cila sanksionon se “Pezullimi nuk pengon organin procedues që të marrë prova që mund të çojnë në pafajësinë e të pandehurit dhe kur vonesa paraqet rrezik, çdo provë tjetër të kërkuar nga palët”. Dhënia e mundësisë Prokurorit për të mbledhur prova që nuk cënojnë të pandehurin dhe gjatë pezullimit është jo vetëm në dobi të këtij të fundit i cili synon të përjashtohet nga përgjegjësia penale sa më shpejt por dhe në dobi të vetë zbardhjes së rrethanave të ngjarjes në ato raste kur me mbledhjen e provave do të rezultonte se autor i veprës penale është një person tjetër dhe jo i pandehuri konkret.

       

      1. Vendimi i pezullimit revokohet kur del se gjendja mendore e të pandehurit lejon pjesëmarrjen e vetëdijshme në procedim ose kur i pandehuri duhet të deklarohet i pafajshëm apo çështja të pushohet. Kodi ynë i procedurës nuk parashikon ndonjë afat të rivlersimit të situatës për gjendjen mendore të të pandehurit[6] megjithatë në mënyrë periodike të arsyeshme në varësi të llojit të paaftësisë mendore prokurori duhet të rivlerësojë nëse gjendja e të pandehurit është përmirësuar në mënyrë të tillë që lejon marrjen pjesë në mënyrë të vetëdijshme në procedim.

       

      1. Po ashtu duhet thënë se llojet e sëmundjeve mendore që mund të preket i pandehuri janë të “kurueshme’ ose të “pakurueshme”. Megjithëse pezullimi ka kuptimin e një gjendje të përkohshme, Kodi ynë i procedurës nuk bën ndonjë dallim mes të dyjave dhe praktikisht prokurori, në ato raste kur sëmundja mendore e të pandehurit nuk ka gjasë të përmirsohet, do të vendosë ta mbajë cështjen të pezulluar në pritje të afateve të parashkrimit dhe për veprat penale të parashikuara nga Nenet 76-79/c të K.Penal që nuk i nënshtrohen parashkrimit, do ta mbajë cështjen të pezulluar deri në vdekjen e të pandehurit[7].

       

      1. Në lidhje me afatet hetimore duhet thënë se nuk është rastësi që disponimi për vendimin e pezullimit të hetimit nga prokurori është pjesë e kreut VII “Afatet e perfundimit te hetimeve” kjo pasi pezullimi i hetimit sjell pasojë direkte dhe mbi afatet e hetimit. Ashtu sikurse përmendem pezullimi i hetimeve vendoset nga prokurori kur : nuk njihet autori i veprës penale ose i pandehuri vuan nga një sëmundje e rëndë e cila pengon hetimin e mëtejshëm por sigurisht që pasojën mbi afatet e hetimit e sjell rasti i dytë i pezullimit pasi në rastin e parë (nuk dihet autori i veprës) këto afate as nuk kane filluar të ecin. Megjithëse Kodi i Procedures nuk na jep se cili është efekti i vendimit të pezullimit mbi afatet, në doktrinën shqiptare është mbajtur qëndrimi se pezullimi i hetimeve sjell ipso lege dhe pezullim të afatit të hetimeve[8]. Pra, koha e rrjedhur para se të vendosej pezullimi duhet të llogaritet në afatin tërësor të hetimit pas revokimit të këtij vendimi. Megjithatë duhet thënë se asnjë dispozitë e Kodit nuk e parashikon pezullimin e afateve.

       

      1. Po ashtu në të njëjtën linjë Kodi nuk shprehet në lidhje me afatet e parashkrimit të ndjekjes penale (Neni 66 i K.Penal)[9]. Nëse në doktrinën shqiptare është mbajtur qëndrimi se pezullimi për shkak të gjendjes mendore të të pandehurit ndikon dhe në afatet e hetimeve paraprake e njëjta logjikë mund të vlejë dhe për afatet e parashkrimit të ndjekjes penale, përsa kohë që hetimi nuk është penguar për shkak të apatisë së shtetit por për shkak të garantimit të të drejtave të të pandehurit. Megjithatë duket se një intepretim i tillë bie në kundërshtim me Vendimin nr.7 dt.11.10.2002 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë ku në një cështje për të intepretuar ndërprerjen e afateve të parashkrimit të ekzekutimit të vendimit Gjykata është shprehur se “Megjithese ne legjislacionin penal shqiptar nuk parashikohet nderprerja e ekzekutimit te vendimit, gjykatat i referohen parimeve te pergjithshme te se drejtes e sidomos te drejtes civile qe e parashikon nderprerjen si nje institut ligjor. Nje qendrim i tille vjen ne kundershtim me parimet e Kodit Penal shqiptar. Ne te drejten penale shqiptare eshte sanksionuar: “Kodi Penal bazohet ne parimet kushtetuese te shtetit te se drejtes, te barazise perpara ligjit, te drejtesise ne caktimin e fajesise dhe te denimit, si dhe te humanizmit. ...Zbatimi i ligjit penal me analogji nuk lejohet.Nga leximi i vete tekstit te dispozites se nenit 68 te Kodit Penal shihet fare qarte qe ligjvenesi jo vetem qe nuk ka parashikuar, por as ka lene te nenkuptohet se ekzistojne shkaqe apo faktore qe mund te sjellin si pasoje zgjatjen e afateve te parashkrimit qe jane parashikuar prej tij ne lidhje me ekzekutimin e vendimit te denimit”. Megjithëse në këtë rast Kolegjet e Bashkuara janë shprehur për institutin e parashkrimit të ekzekutimit të dënimit dhe jo parashkrimit të ekzekutimit të ndjekjes penale, të dy institutet janë tërësisht të ngjashëm aq sa parimet e renditura mësipër nga Gjykata janë të zbatueshme për të dy.

       

      1. Ashtu sic përmendëm më sipër ndaj vendimit të Prokurorit për pezullim të hetimeve mund të paraqitet ankim nga ana e viktimës apo personit që ka paraqitur kallëzim. Gjykimi në ketë rast kryhet në dhomë këshillimi brenda 30 ditëve dhe kundër vendimit nuk lejohet ankim.

       

      1. Në rast se gjykata pranon ankimin ajo vendos rifillimin e hetimeve. Duhet thënë se në këtë rast shfuqizohet vendimi i prokurorit për pezullim dhe vazhdon hetimi i nisur pa u kryer një regjistrim i ri.

       

      1. Në rastin kur pezullimi është vendosur për shkak të mos gjetjes së autorit të veprës penale, Gjykata vlerëson nëse nga ana e Prokurorit janaë kryer të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e rrethanave dhe zbulimin e autorit apo nëse ka bazë të mjaftueshme për të mundësuar regjistrimin në regjistrin e veprave penale të një personi konkret. Pra Gjykata mund të prishë vendimin e prokurorit për pezullim dhe të urdhërojë atë të kryej veprimet hetimore sipas orientimit të gjykatës ose dhe më tej të urdhërojë prokurorin të shënojë emrin e personit ose personave që sipas asaj dalin të implikuar në regjistrin e njoftimit të veprave penale. Në fakt ky version i dytë I vendimit të gjykatës nuk është i parashikuar shprehimisht në kod por vjen nga interpretimi sistematik i dispozitave të ligjit procedurial. Konkretisht nga ana e gjykatës do të zbatohen mutatis mutandis dispozitat e parashikuara për ankimin e vendimit të pushimit të cështjes nga prokurori, ku në nenin 329/4 parashikohet se “Gjykata nuk mund të urdhërojë prokurorin që të formulojë akuzë për persona të tjerë, emri i të cilëve nuk është regjistruar sipas nenit 287 të këtij Kodi. Kur nga aktet rezultojnë të dhëna për vepra penale të tjera, që ndiqen kryesisht ose në ngarkim të personave të tjerë, gjykata mund të kërkojë që të kryhen hetime, edhe në rastet kur vendos sipas shkronjës “c”, të paragrafit 3, të këtij neni”. Pra nëse gjykata konkludon se nga aktet e hetimeve të mbledhura deri në atë fazë është e mundur të konkludohet për autorin e veprës penale ajo ka detyrimin të orientojë prokurorin drejt hetimit të personit konkret që i rezulton. Duke qënë se hetimi I një personi konkret nuk mund të kryhet pa u regjistruar fillimisht ai person në regjistrin e njoftimit të veprave penale është e kuptueshme që gjykata do të urdhërojë prokurorin të kryejë fillimisht këtë shënim. Nga ana tjetër gjykata nuk mund të urdhërojë prokurorin të ngrejë akuzë penale ndaj personave emri I të cilëve nuk është regjistruar sipas nenit 287 të KPRP.

       

       

       

      [1] Në ndryshim me këtë model të zgjedhur nga ligjvënësi ynë, Kodi i Procedurës Penale Italiane nuk i njeh të drejtë Prokurorit për të pezulluar hetimet. Në modelin Italian në fakt mos njohja e autorit të veprës penale apo sëmundja e tij janë shkak për pushimin e procedimit (archiviazione), duke qënë ky një pushim sui generis deri në ndryshim të rrethanave mbi të cilat është vendosur.Ajo që duhet thënë është se ky vendim merret nga gjykata mbi kërkesën e Prokurorit (Neni 415). Nga ana tjetër në Kodin e Procedurës Penale të R. Kosovës parashikohet se prokurori ka të drejtë të marri vendim për pezullimin e hetimeve por duke njoftuar gjykatën (Neni 157/4 I KPRPRK). Të njëjtin model si KPRP të Shqipërisë ndjek dhe Kodi i Procedurës penale të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

       

      [2] Për amendimin e dispozita në fjalë është paraqitur dhe një Rekomandim nga ana e Avokatit të Popullit, drejtuar Ministrit të Drejtësisë dhe Kryetarit të Kuvendit duke parashtruar se “Gjatë trajtimit të ankesave të qytetarëve drejtuar Institucionit të Avokatit të Popullit, në shumë raste familjarët e viktimave kanë ngritur shqetësimin se organi i Prokurorisë nuk i ka njoftuar lidhur me vendimin e pezullimit të hetimeve. Për rastet e pezullimit të hetimit, në përgjithësi organi i Prokurorisë nuk njofton apo nuk iu dërgon palëve vendimin përkatës, me arsyetimin se “ky detyrim nuk parashikohet në nenin 326 të Kodit të Procedurës Penale”. Mendojmë se edhe për këtë rast, ashtu si dhe për vendimet e tjera që merr organi i Prokurorisë si, “Vendimi për mosfillimin e procedimit penal” apo dhe “Vendimi për pushimin e çështjes”, palët duhet të njoftohen, pasi ata kanë të drejtën ligjore, për t’i kundërshtuar apo ankimuar ato në gjykatë. Ky detyrim rrjedh dhe për faktin, se palët duhet të njihen me veprimet e nevojshme të kryer nga organi procedues, kërkesë kjo e pikës 2 të nenit 326 të K.Pr.Penale. Në rrethana të tilla qytetarët, bazuar në pikën 5, të nenit 24 të K.Pr.Penale mund t’i drejtohen jo vetëm Gjykatës, por edhe Prokurorit më të lartë, me kërkesë për të ndryshuar ose shfuqizuar vendimin e marrë nga Prokurori më i ulët.”

      [3] Ndërkohë po ti referohemi Kodit të Procedurës Penale të viti 1959, parashikohej shprehimisht se vendimi i pezullimit merret maksimalisht në kohën e përcaktuar për përfundimin e hetimeve ose më herët nëse janë kryer të gjitha veprimet hetimore dhe nuk rezulton autori i veprës penale (Neni195). Në Kodin e Procedurës Penale të Italisë është përcaktuar se pezullimi i hetimeve për shkak të mosgjetjes së autorit kërkohet nga prokurori brenda 6 muajve nga nisja e hetimeve (Neni 415).

       

      [4] Vendim i Gjykatës Kushtetuese të Italisë nr.39  Dt.26.01.2004

      [5] Prof. dr. sc. Ejup Sahiti / Prof. dr. sc. Rexhep Murati / Mr. Xhevdet Elshani “Komentar I Procedurës Penale”, fq.431

      [6] Në të njëjtën linjë është dhe Kodi i Procedurës Penale të R.Kosoves dhe KPRPR I Maqedonisë së Veriut. Ndërkohë K.Pr.P Italiane parashikon rivlersim të gjendjes së të pandehurit cdo 6muaj.

      [7] Në këtë situatë K.PR.P Italiane bën një ndarje midis llojeve të sëmundjes duke parashikuar se në raste kur gjendja mendore e të pandehurit është e pakthyeshme nuk ka vend për pezullim të procedimit dhe merret vendim që procedimi nuk mund të vazhdojë (Neni 72 biss).

      [8] Shiko mendimin e shprehur në Procedura Penale, Komentar,faqe 446,botim 2003         

      [9] Ndërkohë në KPRP të Kosovës parashikohet shprehimisht se “Koha derisa hetimi është pezulluar nuk llogaritet në kohën për zbatimin e hetimit, e as në kohën për parashkrimin e veprës penale.”. Po ashtu në Kodin Penal italian pezullimi i procedimit është shkak për pezullimin e afateve të parashkrimit.

    • Asnjë koment
    • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
Arber Cela
Arber Cela