KODI I PROCEDURËS PENALE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË   |   7905

Neni 329-b: Shqyrtimi i kërkesës

1Brenda pesë ditëve nga depozitimi i kërkesës, gjykata njofton të pandehurin, mbrojtësin e tij, viktimën ose trashëgimtarët e saj kur identiteti dhe vendbanimi i tyre rezultojnë nga aktet e procedimit, si dhe personin që ka bërë kallëzim ose ankim, për datën dhe orën e gjykimit.

2Kërkesa shqyrtohet nga gjyqtari i seancës paraprake në seancë me dyer të mbyllura, në prani të palëve. Kur pala nuk paraqitet, ndonëse është njoftuar rregullisht, ose refuzon të paraqitet, pa parashtruar shkaqe të arsyeshme, gjykimi zhvillohet pa praninë e saj.

3Kur janë kushtet e parashikuara nga paragrafi 1, i nenit 328, gjykata vendos pushimin e akuzës ose çështjes. Në rast të kundërt, gjykata vendos sipas parashikimeve të shkronjës “b” ose “c”, të paragrafit 3, të nenit 329, të këtij Kodi.

4Kur gjykata vendos sipas shkronjës “b”, të paragrafit 3, të nenit 329, të këtij Kodi, i cakton prokurorit një afat për kryerjen e hetimeve.

5Kur është rasti, zbatohen rregullat e parashikuara nga paragrafi 4, i nenit 329, të këtij Kodi.

6Kundër vendimit të gjyqtarit të seancës paraprake mund të bëhet ankim në gjykatën e apelit. Zbatohen për aq sa janë të pajtueshme rregullat e përcaktuara në nenin 329 të këtij Kodi.

Përmbajtja

      1. Qëllimi i kësaj dispozite është garantimi i aksesit në drejtësi të të pandehurve, viktimës ose trashëgimtarëve të tij, nëpërmjet shqyrtimit të kërkesës së prokuroris për pushimin e çështjes ose akuzë përpara gjykatës kompetente.

       

      1. Neni 329/b i K.Pr.Penale përcakton procedurën e shqyrtimit të kërkesës për pushimin e çështjes ose akuzës, gjykatën kompetente,disponimin e gjyqtarit të seancës paraprake, ankimin kundër këtij vendimi në gjykatën e apelit, subjektet që legjitimohen për të bërë ankim.

       

      1. Neni 148/1 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë parashikon: “Prokuroria ushtron ndjekjen penale si dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit”. Nga përmbajtja e kësaj dispozite rrjedh se ndjekja penale është detyrë ekskluzive e shtetit. Një nga funksionet kryesore të shtetit të së drejtës është respektimi i kuadrit normativ nëpërmjet sigurimit të një drejtësie penale funksionale. Përcaktimi sa më i saktë i detyrave që ka secili aktor në procesin penal është një nga kërkesat kryesore që duhet të plotësojë kuadri kushtetues dhe ligjor në një shtet të së drejtës. Ndjekja penale që zhvillohet mbi bazën e akuzës publike duhet të jetë e mbështetur në dispozita ligjore të përcaktuara saktë, me qëllim dhënien nga gjykata të një vendimi të drejtë, brenda një afati të arsyeshëm, duke garantuar mbrojtjen e individit nga arbitrariteti dhe shpërdorimi i pushtetit shtetëror. Ky detyrim i shtetit rrjedh nga fakti se ai është garanti i të drejtave dhe lirive themelore të individit dhe si i tillë duhet të parashikojë të gjithë mekanizmat e nevojshëm dhe procedurat konkrete për funksionimin e tyre, me qëllim dhënien e drejtësisë sipas kritereve të përcaktuara qartë dhe në mënyrë sa më të detajuar[1].

       

      1. Për këtë qëllim, ligjvënësi ka parashikuar ngritjen e një organi të posaçëm për ushtrimin e ndjekjes penale në shërbim të mbrojtjes së interesave të shtetit dhe të shoqërisë. Organi i prokurorisë është një nga mekanizmat e domosdoshëm që ndihmon në dhënien e drejtësisë penale. Ky organ i specializuar ka si funksion kryesor ushtrimin e ndjekjes penale në emër të shtetit dhe përfaqësimin e akuzës publike në gjyq. Ligji procedural penal parashikon të gjitha fazat e hetimit paraprak që duhet të kryhen nga prokuroria, me qëllim vënien para përgjegjësisë të personave që dyshohen si autorë të veprave penale. Me qëllim që prokurori të arrijë të ngrejë akuzë kundër këtyre subjekteve, ai duhet të mbledhë fakte dhe prova me anë të të cilave, në tërësinë e tyre, të mund të arrijë të provojë para gjykatës fajësinë e personit që akuzohet. Nisur nga parimi i ligjshmërisë, prokuroria është e detyruar të hetojë me hollësi dhe të mbledhë prova, nëse ka, kundër çdo të dyshuari.[2]Përballë këtij parimi qëndron ai i oportunitetit, sipas të cilit i takon vetë prokurorit të vendosë se cilat çështje duhet të hetojë dhe sipas cilës rradhitje ose prioriteti. Akuza është procedimi penal i një personi, ndaj të cilit bien dyshime si autor i kryerjes së një vepre penale, të parashikuar si të tillë nga legjislacioni penal[3]. Ngritja e akuzës publike nga prokurori konsiderohet si hapi i parë i ndjekjes penale të personit të dyshuar.

       

      1. Për të garantuar jo vetëm qenien aktive të organit të prokurorisë në ndjekjen penale dhe dënimin e personave të dyshuar si autorë të veprave penale, por edhe respektimin e të drejtave dhe lirive të individëve ndaj të cilëve ngrihet akuza ose janë dëmtuar si pasojë e veprës penale konkrete, ligjvënësi ka parashikuar në disa dispozita të K.Pr.Penale mundësinë që palët në proces për çdo veprim që ata mendojnë se cenojnë të drejtat dhe liritë e tyre t’i drejtohen drejtpërdrejt gjykatës për kontroll.[4] Në këtë frymë, neni 278 i K.Pr.Penale parashikon se gjatë hetimeve paraprake për rastet e parashikuara nga ligji mbi kërkesën e prokurorit, të pandehurit dhe të viktimës vendos gjykata. Kjo dispozitë është miratuar nga ligjvënësi në vitin 2002, në kuadër të një koordinimi sa më të mirë të dispozitave që u japin palëve gjatë procesit të hetimeve paraprake disa të drejta procedurale. Më tej, në dispozitat e tjera të K.Pr.Penale, janë specifikuar disa nga rastet kur lejohet ankimi gjyqësor i vendimeve të prokurorit gjatë hetimeve paraprake.

       

      1. Gjithashtu, në nenin 291 dhe 329 të K.Pr.Penale, është parashikuar e drejta e kontrollit gjyqësor ndaj vendimit të prokurorit për mosfillimin dhe pushimin e procedimit penal gjatë fazës së hetimeve paraprake. Ky kontroll ushtrohet në funksion të parimit të ligjshmërisë së procedimit penal dhe të garantimit të të drejtave të palëve të përfshira në të.[5] Sipas jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, kjo e drejtë për të kundërshtuar veprimet e prokurorit në rrugë gjyqësore, pra për t’iu drejtuar një autoriteti të pavarur dhe paanshëm, është në përputhje edhe me standartet e vendosura nga neni 42 i Kushtetutës. Në parim, ligjvënësi ia ka nënshtruar të gjitha veprimet hetimore paraprake kontrollit gjyqësor. Praktika njeh dy mënyra për ushtrimin e këtij kontrolli: ose nëpërmjet gjykatës së themelit ose nëpërmjet gjyqtarit hetues, i cili, në legjislacionet e disa vendeve, është organi kompetent për të kontrolluar të gjitha veprimet hetimore paraprake para se çështja t’i kalojë për gjykim gjykatës kompetente.Në fund është gjykata që ka të drejtë të shprehet për të gjitha veprimet hetimore përfshirë edhe vendimin e pushimit të çështjes.Gjykata gjatë shqyrtimit të këtij vendimi duhet të konstatojë, nëse prokurori e ka pushuar çështjen në zbatim të ligjit dhe mbështetur në prova dhe argumente të mjaftueshme apo jo, ose nëse prokurori realisht i ka bërë të gjitha përpjekjet për të zbuluar faktin, pavarësisht përfundimit ku ka arritur.[6]
      2. Në kuadrin e reformës në drejtësi penale, lindi nevoja e harmonizimit të K.Pr.Penale me amendamentet Kushtetuese[7] dhe ligjet e tjera të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë, në kuadër të Reformës në Drejtësi në fushën penale, si: Ligji “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, Ligji “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, si dhe ligjet e tjera që janë pjesë e paketës ligjore të reformës në drejtësi. Ndodhur në këto kushte, me Ligjin Nr. 35 të vitit 2017 u bën ndryshimet në K.Pr.Penale, të cilat hynë në fuqi më datën 1 Gusht 2017. Në mënyrë të veçantë, janë reflektuar në K.Pr.Penale ndryshimet e reja kushtetuese dhe ligjore që lidhen me: a) Kompetencën lëndore të Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatës për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (neni 75/a) dhe rregullimin e marrëdhënieve mes Prokurorisë së Posaçme dhe prokurorisë së juridiksionit të përgjithshëm (neni 28 dhe 29 K.Pr.Penale); b) Pavarësinë hierarkike të prokurorit të çështjes (shfuqizuar paragrafët 4 dhe 5 të nenit 24 dhe neni 305 K.Pr.Penale. mbi marrjen përsipër të hetimeve); c) Parashikimi i figurës së gjyqtarit të seancës paraprake. Kështu, në relacionin dhe raportin e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut që shoqëroi miratimin e Ligjit Nr. 35/2017 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr. 7905, datë 21.03.1995, “Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, lidhur me gjyqtarin e seancës paraprake thuhet shprehimisht: “…decentralizimi i institucionit të prokurorisë, u shoqërua me nevojën e parashikimit të figurës së gjyqtarit të seancës paraprake për garantimin e kontrollit të veprimtarisë së prokurorit gjatë fazës së hetimeve paraprake dhe forcimin e gjykimit. Projektligji parashikon figurën e re të gjyqtarit të seancës paraprake, si gjyqtari që kontrollon veprimet dhe vendimmarrjen e prokurorit mbi fatin e çështjes. Përveç shqyrtimit të ankimit ndaj vendimit të prokurorit për pushimin e çështjes, për dënimet me kundravajtje, gjyqtari i seancës paraprake ka për detyrë të kontrollojë nëse kërkesa e prokurorit për dërgimin e çështjes në gjyq është e bazuar në prova dhe ligj si nga pikëpamja e mjaftueshmërisë së provave, ashtu edhe nga pikëpamja e përdorshmërisë së tyre dhe vlefshmërisë së akteve. Kjo figurë e re është vlerësuar e domosdoshme në kushtet e decentralizimit të institucionit të prokurorisë dhe, për pasojë, mungesën e një kontrolli hierarkik të punës së tij……..Qëllimi kryesor i parashikimit të kësaj figure për kontrollin e veprimeve të prokurorit gjatë fazës së hetimeve paraprake dhe forcimi i fazës së hetimit, si faza më e dobët e procesit penal edhe përpara decentralizimit të prokurorisë, realizohet nëpërmjet kompetencave konkrete që i janë lënë këtij gjyqtari.”
      3. Në paragrafin e parë dhe të dytë të nenit 329/b të K.Pr.Penale është parashikuar se, brenda pesë ditëve nga depozitimi i kërkesës për pushimin e çështjes ose akuzës nga prokuroria për krimet, gjykata njofton të pandehurin, mbrojtësin e tij, viktimën ose trashëgimtarët e saj kur identiteti dhe vendbanimi i tyre rezultojnë nga aktet e procedimit, si dhe personin që ka bërë kallëzim ose ankim, për datën dhe orën e gjykimit.Kërkesa shqyrtohet nga gjyqtari i seancës paraprake në seancë me dyer të mbyllura, në prani të palëve. Kur pala nuk paraqitet, ndonëse është njoftuar rregullisht, ose refuzon të paraqitet, pa parashtruar shkaqe të arsyeshme, gjykimi zhvillohet pa praninë e saj.Lidhur me mosprezencën e prokurorisë mendoj se, gjyqtari i seancës paraprake nuk mund të konkludojë se shkaku i mosprezencës ishte apo jo i arsyeshëm, pasi fryma e ndryshimeve të bëra me Ligjin Nr. 35/2017 është e tillë që është në diskrecionin e prokurorisë që të paraqitet ose jo në gjykim, mjafton që të marrë dijeni për procesin. Prokuroria në kërkesat me objekt pushimi të çështjes apo të akuzës e vlerëson rast pas rasti nëse duhet të shpjegojë diçka më tepër nga sa ka parashtruar në kërkesën me shkrim për pushim. Ndodhur në këto kushte, mendojmë se, togëfjalëshi “ose refuzon të paraqitet, pa parashtruar shkaqe të arsyeshme” është i përshtatshëm për palët e tjera si kallëzuesi dhe viktima, dhe jo për prokurorin.
        • Lidhur me rëndësinë e njoftimit të të pandehurit, mbrojtësin e tij, viktimën ose trashëgimtarët e saj, si dhe personin që ka bërë kallëzim ose ankim, për datën dhe orën e gjykimit, në vendimin unifikues Nr. 2, datë 20.06.2013 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, ndër të tjera thuhet se: […]
      1. Referuar çështjes së shtruar në funksion të unifikimit të praktikës gjyqësore lidhur me pyetjen e dytë të shtruar për njësim, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë konkludojnë se: Në nenin 329 të K.Pr.Penale përcaktohen qartë si subjektet të legjitimuara që bëjnë ankim kundër vendimit të pushimit të akuzës ose të çështjes pranë gjykatës së rrethit gjyqësor, subjekti i “të dëmtuarit” dhe “i pandehuri”, çka do të thotë se këta subjekte marrin pjesë në këtë gjykim dhe kanë të drejtën e ankimit për këtë shkak, kur legjitimohen në gjykatën e apelit. Duke qenë se të drejtën e ankimit kundër vendimit të pushimit të çështjes penale e kanë, si i dëmtuari, ashtu edhe i pandehuri, ky i fundit edhe në cilësinë e personit nën hetim; detyrimisht për të garantuar një proces të rregullt ligjor sipas parimit të barazisë së armëve dhe parimit të kontradiktorialitetit ku debati gjyqësor të zhvillohet natyrshëm; duhet të njoftohen me qëllim për t’u thirrur në gjykim jo vetëm prokurori që ka dhënë vendimin e pushimit të akuzës apo çështjes, por edhe i dëmtuari, si dhe i pandehuri apo personi nën hetime. Pra, të gjitha palët që në procesin penal tërheqin interesa të ligjshme.

       

      Në gjykimin me objekt kundërshtimin e vendimit të pushimit të çështjes penale, sipas nenit 329 të K.Pr.Penale, ankimi kundër vendimit të pushimit të çështjes ose akuzës dhe e drejta për të marrë pjesë, duhet t’i njoftohen, në mënyrë që ai të thirret në gjykim, të dëmtuarit nga vepra penale, si edhe personit, ndaj të cilit zhvillohen hetime, pavarësisht nëse ai ka marrë apo jo, cilësinë e të pandehurit me aktin e njoftimit të akuzës. Mosnjoftimi për të marrë pjesë në gjykim, i këtyre subjekteve të sipërcituara sipas rregullave të K.Pr.Penale mbi njoftimet, përbën një proces të parregullt ligjor në kuptimin kushtetues dhe shkelje të rëndë procedurale sipas nenit 428, pika “ç” të K.Pr.Penale. [...]

       

      1. Duhet theksuar se kërkesa e prokurorisë për pushimin çështjes ose akuzës sipas nenit 329/a i K.Pr.Penale shqyrtohet nga i njëjti gjyqtari i seancës paraprake që ka shqytruar të njëjtën kërkese më herët apo nëse ka shqyrtuar më herët ndonjë kërkesë për të njëjtin procedim. Këtë qëndrim ka mbajtur dhe Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë[8] i cili në një prej vendimeve të tij ndër të tjera arsyeton: “ Pretendimi e gjyqtares për moskompetencën e saj duke u referuar në nenin 15 të Kodit të Procedurës Penale nuk qëndron, pasi paragrafi i dytë (fjalia e dytë) trajton rastet e papajtueshmërisë midis gjyqtarit që shqyrton kërkesat e palëve gjatë hetimeve paraprake (masa sigurimi, deklarim ikje, zgjatje afati hetimi etj) me gjyqtarin e seancës paraprake, i cili shqyrton ndërmjet të tjerash kërkesën e prokurorit për pushimin e çështjes, si në rastin objekt shqyrtimi. Pra, nuk ndalon shqyrtimin për herë të dytë të çështjes në seancë paraprake, nuk ndalon të njëjtin gjyqtar të shqyrtojë të njëjtën çështje në seancë paraprake kur ajo vjen përsëri me kërkesë nga prokurori….14. Sa sipër, vlen të mbahet parasysh nga ana e gjyqtarëve gjatë veprimtarisë së tyre, se gjyqtari i seancës paraprake nuk ka asnjë pengesë për të shqyrtuar më shumë se një herë kërkesën e prokurorit për pushimin e akuzës/çështjes edhe kur ka vendosur më parë kthimin e akteve prokurorisë apo edhe kur gjykata e apelit ka prishur vendimin e tij dhe ka kthyer aktet prokurorisë.”.Vetëm në rast pamundësie absolute të shqyrtimit kërkesës nga i njëjti gjyqtar i seancës paraprake, kërkesa duhet të hidhet në short për t’u shqyrtuar nga një gjyqtar tjetër i seancës paraprake.
      2. Në nenin 329/b pika 3, 4 dhe 5 të K.Pr.Penale parashikohet se, kur janë kushtet e parashikuara nga paragrafi 1, i nenit 328, gjykata vendos pushimin e akuzës ose çështjes. Në rast të kundërt, gjykata vendos sipas parashikimeve të shkronjës “b” ose “c”, të paragrafit 3, të nenit 329, të këtij Kodi.Kur gjykata vendos sipas shkronjës “b”, të paragrafit 3, të nenit 329, të këtij Kodi, i cakton prokurorit një afat për kryerjen e hetimeve. Kur është rasti, zbatohen rregullat e parashikuara nga paragrafi 4, i nenit 329, të këtij Kodi. Pra, sipas kësaj dispozite edhe për kërkesat për pushim për krime zbatohet me analogji nenit 329 i K.Pr.Penale.

       

      • Në referim të nenit 329 dhe 329/b të K.Pr.Penale, gjyqtari i seancës paraprake, vendos sipas rastit:a) lënien në fuqi të vendimit të pushimit, kur çmon se janë kushtet e parashikuara nga paragrafi 1, i nenit 328, të këtij Kodi. Mendojmë se sipas kësaj dispozite mund të disponohet vetëm kur nga ana e prokurorisë është bërë një hetim i plotë dhe i gjithëanshëm.

       

      • Gjithashtu, në respektim të nenit 329 pika 3, gërma “b” dhe 329/b të K.Pr.Penalegjyqtari i seancës paraprake, vendoskthimin e akteve prokurorit dhe vazhdimin e hetimeve, kur çmon se ato janë të paplota, duke përcaktuar drejtimet e thellimit të tyre dhe, kur është rasti, edhe veprimet që duhet të kryhen, si dhe cakton afatin brenda të cilit hetimet duhet të përfundojnë.Mendojmë se në praktikën gjyqësore konstatohen raste kur prokurorisë i kthehen aktet për të pyetur kallëzuesin për të bërë deklarime si person që ka dijeni për veprën penale edhe pse ai ka dhënë shpjegime të detajuara me aktin e kallëzimit me shkrim. Gjithashtu, janë konstatuar raste që kthehen aktet vetëm për ballafqimin e kallëzuesit me personin që kallëzohet edhe pse ata kanë dhënë shpjegime të detajuara. Mendojmë se gjyqtari i seancës paraprake përpara se të disponojë për kthimin e hetime duhet t’i analizojë veprimet hetimore jo në aspektin sasior të tyre por në atë cilësore. Kjo do të thotë që gjyqtari i seancës paraprake duhet të kthejë aktet prokurorisë për hetime të mëtejshme vetëm nëse me veprimet hetimore që ai urdhëron mundet që të ndryshojë fati i procedimit. Në të kundërt gjyqtari i seancës paraprake edhe pse mund të konstatoj se nga ana prokurorisë mund të ishin kryer veprime të tjera por përsëri ato nuk do ta ndryshonin fatin e procedimit, duhet të disponoj me lënin në fuqi të vendimit të pushimit të çështjes ose akuzës. Kështu, në një rast që bën fjalë për shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor, nëse konstatohet se jemi vetëm përpara plagosjes së lehtë të një personit, i cili provohet me aktin e ekspertimit mjeko-ligjor, është e panevojshme që të kryhen veprime të mëtejshme hetimore si pyetja e dëshmitarëve, kryerja e ekspertimit auto-teknik etj, ku fakti në këtë rast nuk parashikohet nga ligji si vepër penale, pasi neni 290/1 i Kodit Penal kërkon plagosjen e lehtë të dy ose më shumë personave. Në këtë rast, gjyqtari i seancës paraprake nuk mund t’i kthejë aktet prokurorisë për të mbledhur prova për viktimën që t’i përdori në procesin gjyqësor civil sikurse ndodhë zakonisht në praktikën gjyqësore. Në këtë rast palët duhet t’i drejtohen me padi në gjykatën civile. Kjo zgjidhje parashikohet në nenin 495 të Kodit të Procedurës Civile, ku thuhet shprehimisht se: “Rishikimi i vendimeve për rrethanat e parashikuara në shkronjat“b”, “c” dhe “ç” të nenit 494 të këtij Kodi lejohet kur ato rrethana janë vërtetuar me vendim penal të formës së prerë. Kur ndjekja penale nuk mund të fillojë ose të përfundojë për ndonjë nga shkaqet e treguara në nenin 290 të Kodit të Procedurës Penale, ose për shkak se nuk është zbuluar personi që ka kryer falsifikimin, për vërtetimin e rrethanave të mësipërme mund të ngrihet padi në gjykatën civile.”.

       

      • Gjithashtu,në nenin 329 pika 3 gërma “b” të K.Pr.Penale, parashikohet shprehimisht: “3….Gjykata vendos sipas rastit…b) kthimin e akteve prokurorit dhe vazhdimin e hetimeve, kur çmon se ato janë të paplota, duke përcaktuar drejtimet e thellimit të tyre dhe, kur është rasti, edhe veprimet që duhet të kryhen, si dhe cakton afatin brenda të cilit hetimet duhet të përfundojnë”, ndërsa në nenin 329/b pika “4” të K.Pr.Penale nën titullin “Shqyrtimi i kërkesës”, parashikohet shprehimisht se: “ Kur gjykata vendos sipas ëkronjës “b”, të paragrafit 3, të nenit 329, të këtij Kodi, i cakton prokurorit një afat për kryerjen e hetimeve.”. Nga përmbajtja e kësaj dispozite rezulton gjyqtari i seancës paraprake ka kompetencën ligjore që kur i kthen aktet prokurorisë t’i caktojë dhe afatin brenda së cilës veprimet hetimore duhet të përfundojnë. Gjithashtu, mendojmëse gjyqtari i seancës paraprake nuk ka pengesë ligjore për zgjatjen e afatit të hetimeve të lëna me vendim mbi bazën e kërkesës së prokurorisë.

       

      • Në këtë rast mendojmë se duhet t’i japim përgjigje pyetjes juridike nëse nga ana e prokurorisë nuk kryehen veprimet hetimore brenda afatit të caktuar nga gjyqtari i seancës paraprake, provat do të konsiderohen të papërdorshme të marra pas këtij afati apo prokurori duhet t’i drejtohet përsëri gjyqtarit të seancës paraprake për shtyrjen e afatit për kryerjen e veprimeve hetimore me qëllim që provat të konsiderohen të përdorshme? A mundet që gjykata të shtyjë afatin për kryerjen e veprimeve hetimore tej afateve maksimale të hetimeve paraprake? A është e nevojshme në çdo rast që prokuroria t’i drejtohet gjyqtarit të seancës paraprake për shtyrjen e afatit për përfundimin e hetimeve apo ka raste që nuk është e nevojshme? Për t’i dhënë përgjigje këtyre pyetjeve, çmoj të sqaroj paraprakisht se kur fillojnë afatet e hetimeve, në favor të kujt janë vendosur këto afate si dhe kush janë këto afate. Kështu, në nenin 323 të K.Pr.Penale nën titullin “Afati i hetimeve paraprake” parashikohet shprehimisht se: Brenda përfundimit të afatit ligjor të hetimeve, prokurori vendos sipas paragrafit 6, të nenit 327, të këtij Kodi. 2.Afati i përfundimit të hetimeve është tre muaj nga data ne¨ te¨ cile¨n emri i personit qe¨ i atribuohet vepra penale e¨shte¨ she¨nuar ne¨ regjistrin e njoftimit te¨ veprave penale, dhe gjashtë muaj për veprat penale të parashikuara nga shkronjat “a” dhe “b”, të nenit 75/a, të këtij Kodi.”, ndërsa në nenin 324 të këtij Kodi nën titullin “Zgjatja e afatit” parashikohet shprehimisht se: 1. Prokurori mund ta zgjasë afatin e hetimeve për një kohë deri në tre muaj. Në rastin e Prokurorisë së Posaçme ky afat është deri në gjashtë muaj 2. Zgjatje të mëtejshme, secila për një kohë jo më shumë se tre muaj, mund të bëhen nga prokurori në rastet e hetimeve komplekse ose të pamundësisë objektive për t’i përfunduar ato brenda afatit të zgjatur. Kohëzgjatja e hetimeve paraprake nuk mund të kalojë dy vjet. Tej afatit 2-vjeçar, për raste të akuzave për krim të organizuar dhe për krime që gjykohen me trup gjykues, afati i hetimit mund të zgjatet vetëm me miratim të Prokurorit të Përgjithshëm ose Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme deri në 1 vit, për çdo zgjatje jo më shumë se tre muaj, pa cenuar afatet e kohëzgjatjes së paraburgimit 3. Vendimi për zgjatjen e afatit të hetimeve u njoftohet të pandehurit dhe të dëmtuarit. 4. Provat e marra pas mbarimit të afatit nuk mund të përdoren.”. Gjithashtu, në nenin 325 të K.Pr.Penale nën titullin “Ankimi për zgjatjen e afatit të hetimeve” parashikohet shprehimisht se: 1. I pandehuridhe i dëmtuari kanë të drejtë, brenda dhjetë ditëve nga njoftimi, të bëjnë ankim në gjykatën e rrethit kundër vendimit të prokurorit për zgjatjen e afatit të hetimeve. 2. Ankimi shqyrtohet nga gjykata brenda dhjetë ditëve, duke u dëgjuar i pandehuri, mbrojtësi, i dëmtuari dhe prokurori. 3. Kur ankimi pranohet dhe hetimet nuk duhet të vazhdojnë, gjykata urdhëron prokurorin që t’i përfundojë ato brenda një afati jo më të gjatë se 15 ditë. 3/1. Kur ankimi pranohet, por hetimet duhet të vazhdojnë, gjykata urdhëron prokurorin t’i përfundojë ato brenda një afati të caktuar prej saj.Provat e marra brenda këtij afati janë të përdorshme. 4. Kundër vendimit të gjykatës mund të bëhet ankim, i cili nuk pezullon zbatimin e tij.”.

       

      • Gjithashtu, çmoj të evidentojë jurisprudencën e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë lidhur me interpretimin e dispozitave të mësipërme, për të kuptuar më mirë qëllimin e legjislatorit. Kështu, në vendimin Nr. 17/3, datë 08.10.2015 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë ndër të tjera thuhet se: Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se, parashikimi në ligj i afatit kohor brenda të cilit duhet të përfundojnë hetimet, është pjesë e rëndësishme e nenit 6 të K.E.D.Nj-së, në lidhje me përfundimin e gjykimit brenda një afati të arsyeshëm. Ky parashikim që përbën një standard ligjor, është paraparë të cilësohet nga legjislatori, me synim nxitjen e organit të akuzës të kryejë veprimet e nevojshme brenda një afati të caktuar, diligjencën e organit të akuzës.Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vlerëson njëkohësisht, se parashikimi i afateve të përcaktuara me ligj brenda të cilave organi procedurës ka të drejtë dhe detyrë kryerjen e hetimeve, përbën një garanci ligjore për palën që ndodhet nën hetim, sipas nenit 6 (3) të KEDNJ-së, të drejtat e të pandehurit në procesin penal, që këto hetime nuk mund të zgjasin pa mbarim dhe nëse është e nevojshme të zgjaten, kjo vendimmarrje duhet të jetë e kontrolluar nga ana e një gjykate, për shkak të ofrimit të standardit më të lartë të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe njëkohësisht duhet të ekzistojë kushti i kompleksitetit të hetimit ose domosdoshmëria e kryerjes së disa veprimeve hetimore, të cilat nuk mund të kryheshin brenda afatit tre mujor.Për këtë arsye, legjislatori ka parashikuar në Nenin 325 të titulluar “Ankimi për zgjatjen e afatit të hetimeve”, se: “ I pandehuri dhe i dëmtuari kanë të drejtë, brenda dhjete ditëve nga njoftimi, të bëjnë ankim në gjykatën e rrethit kundër vendimit të prokurorit për zgjatjen e afatit të hetimeve.2. Ankesa shqyrtohet nga gjykata brenda dhjetë ditëve, duke u dëgjuar i pandehuri, mbrojtësi, i dëmtuari dhe prokurori.3. Kur gjykata pranon ankesën, hetimet nuk mund të vazhdojnë ose vazhdojnë vetëm për një afat të caktuar nga ajo.4. Kundër vendimit të gjykatës mund të bëhet ankim, i cili nuk pezullon zbatimin e tij.”. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vlerëson se, nga përmbajtja e dispozitave ligjore të mësipërme, konstatohet se mundësia ligjore për të zgjatur afatin e hetimit nga prokurori nuk përbën një rregull por një përjashtim nga rregulli. Nga ana tjetër vihet re se brenda mundësisë ligjore për të aplikuar zgjatjen e afatit të hetimit, prokurori ka mundësi të kryejë një ose më shumë zgjatje duke respektuar kufijtë maksimalë të kohëzgjatjes së paraburgimit dhe afatet e përgjithshme të hetimit.....Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, tërheq vëmendjen në atë se kompleksiteti i hetimeve nuk reflekton gjithnjë dhe nuk ndjek të njëjtin rend me rëndësinë e faktit. Rëndësia e faktit është një nga komponentët e kompleksitetit të hetimeve, por edhe në çështje që në pamje të parë duken të thjeshta, kërkohen të kryhen një sërë veprimesh hetimore të cilat herë-herë nga ana e tyre kushtëzojnë njëra-tjetrën, siç është rasti i çështjes objekt gjykimi. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vlerëson të theksojë se mundësia për zgjatjen e afatit nuk duhet, të shihet si një hapësirë ligjore në diskrecion të prokurorit, pasi një gjë e tillë do të rrezikonte të drejtat e palës tjetër, por mundësi ligjore për kryerjen e veprimeve hetimore të nevojshme, të parashikuara për t`u kryer apo të dala rishtazi dhe që objektivisht nuk mund të kryheshin brenda afatit të caktuar. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë sqaron se në çështje hetimore të caktuara, edhe kryerja e një veprimi të vetëm hetimore mund të kërkojë zgjatje të afatit të hetimit dhe në vendimin përkatës duhet të arsyetohen shkaqet se pse nuk janë kryer këto veprime brenda afatit të zakonshëm.”.

       

       

      [1]Peter Badura, Staatsrecht (1996) fq. 597.

      [2]Shiko Vendimin Nr. 3, datë 06.02.2008 të Gjykatës Kushtetuese.

      [3]Barron’s Laë Dictionary, Fifth Edition, fq. 8.

      [4]Shiho Vendimin Nr.14, datë 16.07.2008 të Gjykatës Kushtetuese.

      [5]Shiko Vendimet Nr. 7, datë 16.01.2013 dheNr. 196, datë 04.07.2012 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

      [6]Shiko Vendimin Nr. 5, datë 06.03.2009 të Gjykatës Kushtetuese.

      [7] Përpara ndryshime të bëra Kushtetutës me Ligjin Nr. 76 të vitit 2016, në nenin 148 të saj parashikohej shprehimisht se: “1. Prokuroria ushtron ndjekjen penale, si dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit. Prokuroria kryen edhe detyra të tjera të caktuara me ligj. 2. Prokurorët janë të organizuar dhe funksionojnë pranë sistemit gjyqësor si një organ i centralizuar. 3. Në ushtrimin e kompetencave të tyre prokurorët u nënshtrohen Kushtetutës dhe ligjeve.”. Pra, sipas kësaj dispozite kushtetuese prokuroria funksiononte në mënyrë të centralizuar. Ndërkohë me ndryshimet që i bënë nenit 148 me me Ligjin Nr. 76 të vitit 2016, parashikohet shprehimisht se: “1. Prokuroria ushtron ndjekjen penale, si dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit. Prokuroria kryen edhe detyra të tjera të caktuara me ligj. 2. Prokuroria është organ i pavarur që garanton mbarëvajtjen, kontrollin e veprimeve të saj dhe respekton pavarësinë e brendshme të prokurorëve për hetimin dhe ndjekjen penale, sipas ligjit.  3. Prokuroria është organizuar dhe funksionon pranë sistemit gjyqësor. 4. Prokuroria e Posaçme dhe Njësia e Posaçme Hetimore për ndjekjen penale dhe hetimin e veprave penale të korrupsionit, krimit të organizuar dhe çështjeve penale sipas nenit 135, paragrafi 2, të Kushtetutës janë të pavarura nga Prokurori i Përgjithshëm. Njësia e Posaçme Hetimore është në varësi të Prokurorisë së Posaçme.”. Nga përmbajtja e kësaj dispozite rezulton se prokuroria tashmë nuk është më organ i centralizuar por një organ i decentralizuar dhe prokurorët janë të pavaruar në hetimin dhe ndjekjen penale.

      [8]Shiko vendimin Nr. 144, datë 29.05.2020të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

      1. Kodi aktual i Procedurës Penale u miratua në vitin 1995. Neni 329 është ndryshuarme Ligjin Nr. 35/2017.
    • Asnjë koment
  • Asnjë koment
    1. Raporti shpjegues për “Kodin e Procedurës Penale në Republikën e Shqipërisë”, https://www.parlament.al/wp-content/uploads/2017/01/RELACION-SHTESA-E-NDRYSHIME-7905-KODI-I-PROCEDURES-PENALE-Resized.pdf .
  • Kushtetuta:

     

    1. Neni17 - “1. Kufizime të të drejtave dhe lirive të parashikuara në këtë Kushtetutë mund të vendosen vetëm me ligj për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve. Kufizimi duhet të jetë në përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar atë. 2. Këto kufizime nuk mund të cenojnë thelbin e lirive dhe të të drejtave dhe në asnjë rast nuk mund të tejkalojnë kufizimet e parashikuara në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.”.
    2. Neni43 - Kushdo ka të drejtë të ankohet kundër një vendimi gjyqësor në një gjykatë më të lartë, përveç rasteve kur parashikohet ndryshe në ligj për kundërvajtje të lehta penale, për çështje civile ose administrative me rëndësi ose vlerë të vogël, në përputhje me kushtet e parashikuara në nenin 17 të Kushtetutë.”.

     

    Ligji:

    1. Neni 58,328, 329, 329/a, 329/b dhe 332/dh i Ligjit Nr..7905, datë 21.3.1995 (i ndryshuar) Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë;
  • Asnjë koment
  • A.    Vendime të Gjykatës Kushtetuese

     

    19.Vendimi Nr. 23, datë 13.10.2005 i Gjykatës Kushtetuese.

    20.Vendimi Nr. 24, datë 26.10.2005 i Gjykatës Kushtetuese.

    21.Vendimi Nr. 16, datë 8.6.2006i Gjykatës Kushtetuese.

    22.Vendimi Nr. 9, datë 26.02.2007 i Gjykatës Kushtetuese.

    23.Vendimi Nr. 36, datë 15.10.2007 i Gjykatës Kushtetuese

    24.Vendimi Nr. 3, datë 06.02.2008 i Gjykatës Kushtetuese.

    25.Vendimi Nr. 13, datë 21.7.2008 i Gjykatës Kushtetuese.

    26.Vendimi Nr.14, datë 16.07.2008 i Gjykatës Kushtetuese.

    27.Vendimi Nr. 19, datë 18.9.2008 i Gjykatës Kushtetuese.

    28.Vendimi Nr. 5, datë 06.03.2009 i Gjykatës Kushtetuese.

    29. Vendimi 10, datë 2.4.2009 i Gjykatës Kushtetuese.

    30. Vendimi 16, datë 15.6.2009 i Gjykatës Kushtetuese.

    31.VendimiNr. 20, datë 01.06.2011i Gjykatës Kushtetuese.

    32.VendimiNr. 25, datë 10.6.2011i Gjykatës Kushtetuese.

    33.VendimiNr. 52, datë 01.12.2011i Gjykatës Kushtetuese.

    34.Vendimi Nr. 4, datë 10.2.2012i Gjykatës Kushtetuese.

    1. Vendimi Nr. 4, datë 23.02.2016 i Gjykatës Kushtetuese

     

    b.  Vendime të Gjykatës së Lartë

     

    36.Vendimi Unifikues Nr. 2, datë 20.06.2013 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë.

    37.Vendimi Nr. 146, datë 23.05.2012 i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë

    38.Vendimi Nr. 196, datë 04.07.2012 i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

    39.Vendimi Nr. 7. datë 16.01.2013 i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

    40.Vendimi Nr. 17/3, datë 08.10.2015 i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

    41.Vendimi Nr. 129, datë 01.11.2017i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

    42.Vendimi Nr. 144, datë 29.05.2020 i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

     

     

  • 43.Halim Islami, Artan Hoxha dhe Ilir Panda, Komentari i Procedurës Penale, Tiranë 2012.

    44.Ledi Bianku, Jurisprudenca e Gjykatës së Strazburgut, Botimi i Katërt, Tiranë 2017.

    45.Ledi Bianku “Jurisprudenca e Gjykatës së Strasburgut”,Tiranë, Sh.B. “Edlora”, 2007

    46.Bashkim Hyseni dhe Afrim Shala, “Doracaku i Gjyqtarëve për Procedurën Penale”.

    47.Prof. dr. sc. Ejup Sahiti/Prof. dr. sc. Rexhep Murati /Mr. Xhevdet Elshani, Komentar i Kodit të Procedurës Penale të Kosovës.

     

  • Asnjë koment
Erjon Bani
Erjon Bani