KODI I PROCEDURËS PENALE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË   |   7905

Neni 36: Ndalimi i përdorimit si dëshmi i deklarimeve të të pandehurit

1Deklarimet e bëra gjatë procedimit nga i pandehuri nuk mund të përbëjnë objekt dëshmie

Përmbajtja

    • 1. Qëllimi i kësaj dispozite procedurale është përcaktimi i rregullave që duhet të zbatojë organi procedues përgjatë marrjes në pyetje të të pandehurit.Këto rregulla marrin një rëndësi të madhe duke ndikuar drejtpërdrejtë mbi të gjithë procedimin penal dhe konfirmojnë parimin e së drejtës së mbrojtjes së të pandehurit para se ai të japë deklarimet e tij tek organi procedues

      1. Objekti i kësaj dispozite është përcaktimi i llojit të provës që merret prej organit procedues nga i pandehuri nëpërmjet deklarimit të tij si dhe përcaktimi i kufijve të përdorimit të saj në procesin gjyqësor.
      1. Neni 36 i Kodit të Procedurës Penalepërmban parashikimin se deklarimet e dhëna nga i pandehuri nuk mund të përbëjnë objekt dëshmie. Ndërtimi i kësaj dispozite ndalon përdorimin e deklarimeve të të pandehurit të bëra përpara organit procedues si dëshmi në procesin penal. Pra, vetë kjo dispozitë procedurale ka një natyrë ndaluese, duke ngritur në nivelin e papërdorshmërisë deklarimin e dhënë nga i pandehuri kur ajo kërkohet të përdoret si dëshmi. Ekzistojnë disa arsye ligjore që do t’i trajtojmë më poshtë të cilat përjashtojnë mundësinë që deklarimet e të pandehurit në të njëjtin procedim penal të përdoren si dëshmi.
      2. Deklarimet e bëra gjatë një procedimi penal. Gjatë një procedimi penal të nisur, organi procedues merr deklarime të ndryshme nga persona qëmund të kenë dijeni për veprën penale të kryer. Nga cilësitë që mbartin personat në raport me veprën penale të kryer, deklarimet e tyre nuk janë të njëjta po t’i referohemi burimeve të provave prej të cilave vijnë këto deklarime. Deklarime në funksion të hetimit dhe më pas gjykimit mund të japin të pandehurit (të hetuarit para njoftimit të akuzës), dëshmitarët të cilët mund të jenë kallëzuesit e veprës penale, viktimat e veprës penale, ekspertët, si dhe persona të tjerë që kanë dijeni për veprën penale. Deklarimet e subjekteve të përmendura më lart janë të rëndësishme pasi ato mund të japin të dhëna me vlerë për procedimin penal në lidhje me veprën penale të kryer, autorin ose autorët e saj, rrethana sesi është kryer vepra penale etj. Rregullat që ndjek organi procedues për marrjen si provëtë deklarimeve të të pandehurit dhe dëshmive të dhëna nga dëshmitarët në të njëjtin procedimin penal nuk janë të njëjta dhe këtë diferencim e gjejmë të pasqyruar edhe në nenin 36 të Kodit të Procedurës Penale.

      5.Deklarimet e të pandehurit në procedimin penal. I pandehuri është subjekt i procedimit penal ndaj të cilit prokuroria heton rreth një fakti penal konkret dhe kur ajo mbledh prova të mjaftueshme i njofton atij akuzën dhe e dërgon çështjen për gjykim. Pas këtij momenti i pandehuri gëzon të drejtën e mbrojtjes në gjykim përballë akuzës së ngritur nga prokuroria. I pandehuri është subjekti ndaj të cilit është ushtruar ndjekja penale nga prokuroria që përfaqëson akuzën e ngritur në gjyq kundër tij.

      1. I pandehuri (ose i hetuari gjatë hetimit para njoftimit të akuzës) mund të jetë në dijeni të fakteve apo rrethanave që janë të dobishme për qëllimet e hetimit. Duke qenë në dijeni të këtyre fakteve, i pandehuri (ose i hetuari) mund të disponojë informacione të vlefshme për hetimin. Gjithsesi edhe pse ai i disponon informacionet me vlerë cilësia e të hetuarit (të pandehurit) e ndihmon atë të mos japë dëshmi për hetimin e nisur ndaj tij pasi cilësia e të pandehurit (të hetuarit) është e papajtueshme me cilësinë e personit deklarues (dëshmitar të mundshëm). I hetuari ose i pandehuri gjatë deklarimeve të dhëna prej tij përpara organit procedues,në ndryshim nga dëshmitari, nuk detyrohet ligjërisht të dëshmojë apo deklarojë si dhe nuk detyrohet ligjërisht për të thënë të vërtetën. Nenit 36 të Kodit të Procedurës Penalebën dallimin e deklarimeve të dhëna nga i pandehuri gjatë procedimit penal me dëshminë që mund të japin dëshmitarët e përmendur më lart. Sipas kësaj dispozite procedurale deklarimet e të pandehurit nuk janë objekt dëshmie. I pandehuri gëzon të drejtën dhe jo detyrimin ligjor për të dhënë deklarime në fazën e hetimit ose edhe gjatë gjykimit të çështjes penale në varësi të gjendjes dhe shkallës në të cilën ndodhet procedimi penal.
      2. Të drejtat e të pandehurit para marrjes në pyetje nga organi procedues. Para marrjes në pyetje të të hetuarit ose marrjes së deklarimeve që i hetuari dëshiron të japë me vullnetin e tij përpara organit procedues, policia gjyqësore referuar nenit 296, paragrafi i parë i Kodi të Procedurës Penaledhe Prokuroria referuar nenit 307, paragrafi i tretë i Kodit të Procedurës Penalei bëjnë atij të ditur të drejtat e garantuara nga neni 34/a, 34/b dhe 38 i Kodit të Procedurës Penaleku përfshihen edhe e drejta e heshtjes, e drejta e organizimit të mbrojtjes si dhe e drejta për të mos iu përgjigjur pyetjeve të caktuara nga organi procedues. Këto të drejta përbëjnë thelbin e mbrojtjes së të pandehurit (ose të hetuarit) si dhe janënë vetvete rregulla të detyrueshme që ndjek organi procedues për marrjen e deklarimeve tëtë pandehurit. Policia gjyqësore ose prokuroria që në fillesat e para të hetimit përpara se të marrë në pyetje për herë të parë një person të dyshuar të cilit mund t’i atribuohet vepra penale, si dhe gjykata gjatë gjykimit, kanë detyrimin ligjor t’i bëjnë të ditur atij të drejtën e heshtjes, të drejtën për të paraqitur lirisht mbrojtjen e tij si dhe të drejtën për të mos iu përgjigjur pyetjeve të caktuara. Këto të drejta që i referohen në thelb rregullave që lidhen me marrjen e deklarimit të të pandehurit apo hetuarit nga organi procedues e shoqërojnë atë në të gjitha fazat e procedimit penal që nga fillesat e hetimit dhe deri në përfundimin e gjykimit të të pandehurit me vendim përfundimtar të gjykatës.
      3. Në referim tërregullave që duhet të përdoren nga organi procedues për marrjen e deklarimeve tëtë pandehurit, ligji e lejon të pandehurin që ai të heshtë, pra të mos japë deklarime përpara organit procedues, të paraqesë lirisht mbrojtjen e tij si dhe të mos i përgjigjet pyetjeve të caktuara të bëra nga organi procedues. Në këtë kuptim i pandehuri nuk është i detyruar që të japë deklarime përpara organit procedues edhe kur ai thirret prej tij për këtë qëllim. Heshtja e të pandehurit që është e drejta për të mos dhënë deklarime nuk e rëndon pozitën procedurale të tij në raport me procedimin penal.
      4. I pandehuri, duke shfrytëzuar të drejtën e tij për të dhënë deklarime, mund të paraqesë versionin e tij (alibinë) për veprën penale, version të cilin mund ta ndryshojë tërësisht ose pjesërisht në deklarimet e mëvonshme që ai mund të japë përpara organit procedues. Në të njëjtën kohë gjatë dhënies së deklarimit të tij, i pandehuri ka të drejtë që të mos i përgjigjet pyetjeve të caktuara të bëra nga organi procedues. Në këtë kuptim, i pandehuri është i lirë në mbrojtjen e tij duke mos qenë i detyruar për të treguar të vërtetën dhe të mos deklarojë kundër vetes së tij. Edhe në këtë rast ndryshimi i deklarimeve të bëra nga i pandehuri përpara organit procedues ose mosdhënia e përgjigjes së tij për pyetje të caktuara nuk e rëndon pozitën e tij procedurale në raport me procedimin penal.
      5. Ndryshimi midis deklarimeve të të pandehurit dhe objektit të dëshmisë.I pandehuri nuk është i detyruar të deklarojë, nuk është i detyruar të deklarojë kundër vetes së tij, si dhe nuk është i detyruar të deklarojë të vërtetën. Këto të drejta nuk vlejnë në rastin e dhënies së dëshmisë nga ana e dëshmitarëve. Dëshmitarët janë personat që nuk janë autorë të veprës penale në hetim, por për shkak të disa rrethanave të caktuara ata kanë dijeni për veprën penale të kryer. Dëshmitarët kanë njohuri mbi fakte të caktuara të veprës penale, të cilat duhet të sqarohen prej tyre gjatë procedimit penal. Njohuritë mbi faktet që disponon dëshmitari kualifikohen si “dëshmi” kur ato deklarohen përpara gjykatës[1].
      6. Dëshmitari në ndryshim nga i pandehuri mbart detyrimet ligjore “për të dëshmuar” si dhe “për të thënë të vërtetën në dëshminë e tij”. Refuzimi për të dëshmuar si dhe dëshmia e rreme e dhënë nga dëshmitari përpara organit procedues përbëjnë vepra penale të parashikuara respektivisht nganenet 307, 306, 305/b dhe 305/a të Kodit Penal. Në këtë kuptim, deklarimet e dhëna nga dëshmitari përbëjnë objekt dëshmie, pasi ai nuk mund të zgjedhë asnjë version në dëshminë e tij, por është i detyruar t’i përgjigjet të gjitha pyetjeve të bëra nga organi procedues duke treguar të vërtetën në çdo përgjigje të dhënë prej tij.
      7. Për të gjitha arsyet e mësipërme vlerësojmë se cilësia e të pandehurit (ose të hetuarit) është e papajtueshme me cilësinë e deklaruesit (ose dëshmitarit) pasi ndaj tij nuk zbatohen detyrimet ligjore“për të dëshmuar” dhe “për të thënë të vërtetën në dëshminë e tyre”. Deklarimet e dhëna prej të pandehurit ose të hetuarit në hetim mund të merren nga organi procedues si të tilla duke respektuar paraprakisht vullnetin dhe dëshirën e të pandehurit për të dhënë deklarime. Sidoqoftë, për përmbajtjen e deklarimeve të bëra para organit procedues i pandehuri ose i hetuari nuk përgjigjet penalisht, sikundër ndodh me dëshmitarin ose deklaruesin.
      8. Deklarimet e bëra nga i pandehuri jashtë procedimit penal. Më sipër trajtuam rastet kur në një procedim penal të nisur, deklarimet e bëra nga i pandehuri ose i hetuari përgjatë gjithë fazave nëpër të cilat kalon procedimi penal nuk përbëjnë objekt dëshmie për shkak të të drejtave që i sigurohen të pandehurit përpara marrjes në pyetje të tij nga ana e organit procedues. Dhënia e deklarimeve të të pandehurit është e drejtë e tij e garantuar për të gjithë fazat e procedimit nga momenti i parë i fillimit të procedimit penal prej policisë gjyqësore apo prokurorit dhe deri në përfundimin e tij në gjykatë. Deklarimet i referohen veprimit procedural të marrjes në pyetje dhe në varësi të gjendjes apo shkallës në të cilën ndodhet procedimi,organi procedues që merr në pyetje të pandehurin (të hetuarin) mund të jetë prokuroria (policia gjyqësore në varësi të prokurorisë) ose gjykata. Garancitë procedurale të përmendura më lart, i ofrohen të pandehurit (të hetuarit) para veprimit procedural të marrjes në pyetje nga ana e organit procedues në funksion të hetimit apo gjykimit të nisur.
      9. Jashtë procedimit penal dhe jo përpara organit procedues që ka nisur hetimin, i pandehuri (i hetuari) mund të bëjë deklarata të ndryshme të cilat pas bërjes së tyre mund të sigurohen nga ana e organit procedues. Në këtë rast, a mund të përdoren këto deklarime kundër të pandehurit në procedimin penal të nisur ndaj tij?

      15.Si shembull, marrim rastin kur i pandehuri jashtë procedimit penal mund t’i japë disa informacione shokut të tij në mjediset e paraburgimit, me vullnetin e tij të lirë të pandikuar apo të panxitur nga shoku i tij. Një rast i tillë është të trajtuar nga jurisprudenca e Gjykatës së Kasacionit në Itali. Kemi zgjedhur jurisprudencën e gjykatave Italiane për këtë rast për shkak të ngjashmërisë që ekziston midis përmbajtjes së nenit 36 të Kodit të Procedurës Penaleshqiptaredhe nenit 62 paragrafi i parë i Kodit të Procedurës Penale italiane.Është fakt i njohur tashmë që Kodi i Procedurës Penale italiane është marrë si model për hartimin dhe ndryshimet e mëvonshme që ka pësuar Kodi ynë i Procedurës Penale. Neni 62, paragrafi i parë i Kodit të Procedurës Penale italiane parashikon të njëjtin rregull si neni 36 i Kodit tonë të Procedurës Penale që është ndalimi i përdorimit si dëshmi të deklarimeve të të pandehurit gjatë procedimit penal.

      1. Gjykata e Kasacionit, seksioni i parë në Itali me vendimin e datës 3 qershor 2004 me nr. 25096 (seanca e mbajtur më datë 26 shkurt 2004) “Alampi dhe të tjerë” [RV228642] është shprehur se:

      “Pranimi i dëshmisë indirekte mbi deklarimet e bëra nga i pandehuri apo i hetuari jashtë procedimit penal vlerësohet  si provë në ndryshim nga parashikimi i nenit 62 i KPP-së[2], që ndalon administrimin e tyre, duke lejuar vetëm deklaratat e bëra përgjatë procedimit penal. Rrjedhimisht nuk është e ndaluar administrimi i këtyre deklaratave që mund të kenë përmbajtjen e një rrëfimi të bëra jashtë rregullave specifike procedurale tek subjektet jo të përcaktuar institucionalisht si personat e duhur për të marrë në formë tipike deklarimet e të pandehurit ose të të hetuarit, që mbeten në vlerësimin e gjyqtarit të çështjes (në rastin konkret, është marrë dhe vlerësuar dëshmia indirekte në lidhje me deklarimet e bëra nga i pandehuri shokut të tij të qelisë, gjatë shqyrtimit gjyqësor”[3].

      1. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur Gjykata e Kasacionit Itali, seksioni i parë në çështjen penale të datës 5 shkurt 2008 me nr. 5636 (seanca e mbajtur në datë 22 janar 2008) “Nunziata dhe të tjerë” [RV238932]. Në këtë vendim kjo Gjykatë shprehet se:

      “Ndalimi i dëshmisë mbi deklarimet e bëra nga i pandehuri vepron vetëm në raport me deklarime e bëra gjatë procedimit penal dhe jo ndaj atyre të bëra jashtë këtij procedimi”[4].

      1. Referuar shembujve të mësipërm, mund të arrijmë në përfundimin se ndalimi si objekt dëshmie i deklarimeve të dhëna nga i pandehuri ose personi nën hetim referuar nenit 36 të Kodit të Procedurës Penale ka vlerë për rastet kur këto deklarime janë dhënë gjatë procedimit penal. Për rastet kur deklarimet e të pandehurit janë dhënë jashtë procedimit penal dhe nëse këto deklarime konfirmohen nga burimetë tjera provash, atëherëmendoj se ndalimi i mësipërm i parashikuar nga neni 36 i Kodit të Procedurës Penale nuk vlen.
      2. Të drejtat e të pandehurit për deklarimet e tij ndaj të bashkëpandehurve. Referuar sistemit tonë procedural penal deklarimet e dhëna nga i pandehuri ose i hetuari nuk përbëjnë objekt dëshmie jo vetëm për procedimin penal të nisur ndaj vetë të pandehurit deklarues, por këto deklarime gjithashtu nuk përbëjnë objekt dëshmie edhe për të pandehurit e tjerë në një vepër penale të përbashkët ose në një procedim të lidhur. Në këtë rast bazuar në nenin 156, paragrafi i parë, germa “b” i Kodit të Procedurës Penale, cilësia e të bashkëpandehurve është e papajtueshme me detyrën e dëshmitarit.
      3. Deklarimi i të pandehurit ose të hetuarit gjatë procedimit nuk përbën objekt dëshmie dhe ky ndalim i shtrin efektet jo vetëm për vetë të pandehurin, por edhe për të bashkëpandehurit në të njëjtin procedim penal ose në një procedim penal të lidhur.Deklarimi i një të pandehuri kundrejt të bashkëpandehurve të tjerë nuk mund të jetë objekt dëshmie. Papajtueshmëria me detyrën e dëshmitarit i njihet jo vetëm secilit prej të bashkëpandehurve pjesëmarrës në një vepër penale të përbashkët apo në një procedim të lidhur, por edhe të bashkëpandehurve të tjerë për të cilët ndaj tyre është dhënë vendimi i mosfillimit të procedimit, i pushimit të akuzës ose çështjes, ose i dënimit, duke përfshirë edhe rastet e “Gjykimit me marrëveshje” sipas nenit 406/d e vijues të Kodit të Procedurës Penaledhe të “Urdhrit penal të dënimit” sipas nenit 406/ae vijues të Kodit të Procedurës Penale.
      4. Në të gjitha rastet e tjera kur ndaj njërit prej të bashkëpandehurve (ose bashkë të hetuarve) organi procedues ka vendosur mosfillimin e procedimit penal, pushimin e akuzës ose çështjes, apo dënimin të tij, deklarimet e mëpasshme që atij mund t’i kërkohen nga organi procedues për nevojat e të njëjtit hetim ose gjykim në lidhje me të bashkëpandehurit e tjerë, nuk përbëjnë objekt dëshmie referuar nenit 156, paragrafi i parë, germa “b” i Kodit të Procedurës Penale. Ashtu si kundër e përmendëm edhe më lart, në këtë rast ndaj të bashkëpandehurit të cilit i ka përfunduar procedimi penal i nisur, organi procedues para marrjes në pyetje për të bashkëpandehurit e tjerë duhet t’i bëjë të ditur të drejtat e tij që janë e drejta e heshtjes, e drejta për t’u përgjigjur në prani të mbrojtësit, e drejta për të mos ju përgjigjur pyetjeve të caktuara të cilat janë parashikuar në nenin 34/a dhe 38 të Kodit të Procedurës Penale.
      5. Standardi i parashikuar nga neni 156, paragrafi i parë, germa “b” i Kodit të Procedurës Penale, për të përjashtuar nga detyrimi për të dëshmuar, personat që ndaj tyre procedimi penal ka përfunduar në një nga format e përmendura më lart, kur dëshmia kërkohet nga organi procedues për të marrë të dhëna të nevojshme për pjesëmarrjen e personave të tjerë për të njëjtin fakt penal, ose kur ka lidhje me procedimin penal të përfunduar, është një standard vërtet i lartë i vendosur nga legjislatori ynë. P.sh. mbështetur në legjislacionin dhe doktrinën bashkëkohore italiane subjektet e përmendura më lart, mund të thirren për të dëshmuar “kur ndaj tyre është vendosur përfundimisht, pushimi i çështjes, dënimi ose dënimi me pranimin e fajësisë së tij”. Në të gjitha rastet e përmendura më lart, legjislatori (italian) ka vlerësuar se i pandehuri nuk rrezikon sepse ai nuk mund të procedohet për herë të dytë për të njëjtin fakt penal[5]. Doktrina në këtë rast i referohet nenit 197, paragrafi i parë, germa “a” i Kodit të Procedurës Penale italiane.
      6. Një qëndrim të ngjashëm ka mbajtur edhe jurisprudenca e GJEDNJ-së në çështjen Wannerkundër Gjermanisë. Ndër të tjera në këtë vendim GJEDNJ-ja shprehet se:

      “...Përkundrazi administrimi efektiv i drejtësisë e kërkon marrjen e një dëshmie të tillë – si çdo dëshmitar që nuk ka të drejtë të refuzojë dhënien e dëshmisë në përmbushje të detyrës qytetare për dhënien e dëshmisë së vërtetë në përputhje me ligjin përkatës procedural penal. Neni 6 i Konventës nuk ofron asnjë privilegj për ndonjë ish-të pandehur dënimi i të cilit është përfundimtar në lidhje me dhënien e dëshmisë së tij rreth krimit për të cilin ai është i dënuar. Rrjedhimisht Gjykata konstaton se neni 6 i Konventës nuk është i zbatueshëm në respekt të ankimit të aplikantit ndaj autoriteteve që në mënyrë indirekte kanë synuar ta detyronin atë të bënte një rrëfim retroaktiv pas përfundimit të procedimit penal (fillestar) kundër tij...”[6].

      1. Legjislatori ynë nga rregulli i përmendur më lart në nenin 156 të Kodit të Procedurës Penale ka bërë në fakt një përjashtim. Sipas kësaj dispozite i pandehuri në një procedim penal të përbashkët ose një procedim penal të lidhur mund të pyetet me cilësinë e dëshmitarit vetëm në rastin kur pas gjykimit të zhvilluar më parë dhe veçmas ndaj tij, ai ka marrë pafajësi dhe vendimi i pafajësisë është i formës së prerë. Në këtë rast në ndryshim nga kategoria e subjekteve të përmendura më lart, i pandehuri i cili më parë është deklaruar i pafajshëm nga gjykata me vendim të formës së prerë mund të pyetet me cilësinë e dëshmitarit ndaj të bashkëpandehurve të tjerë për të cilët procedimi penal mund të jetë në hetim ose në gjykim.
      2. Vlen të theksojmë se i gjithë komenti i mësipërm nuk i referohet rregullave për marrjen e dëshmisë të “bashkëpunëtorit të drejtësisë”. Në lidhje me bashkëpunëtorin e drejtësisë, Kodi i Procedurës Penale ka parashikuar rregulla të posaçme të marrjes së dëshmisë së tij, të cilat ndryshojnë nga rregullat për marrjen e deklarimit të të pandehurit në një procedim penal.

       

      [1]PaoloTonini, Manuale di procedura penale, 16a edizione, GiuffrèEditore, Milano, 2015, faqe 138.

       

      [2]Neni 62, paragrafi i parë i Kodit të Procedurës Penale italiane ka një përmbajtje të ngjashme me nenin 36 të Kodit tonë të Procedurës Penale. Neni 62, paragrafi i parë i Kodit të Procedurës Penale italiane parashikon se:

      “Deklarimet e bëra në çdo rast nga i pandehuri ose personi nën hetim gjatë procedimit penal nuk mund të përbëjnë objekt dëshmie”.

      [3]Vendimi i Gjykatës sëKasacionit, Itali seksioni i parë i datës 3 qershor 2004 me nr. 25096 (seanca e mbajtur në datë 26 shkurt 2004) “Alampi dhe të tjerë” [RV228642] pasqyruar në librin “I codicicommentaticon la giurisprudenza”Piermaria Corso “Codice di Procedura Penal e Processo Penale Minorile”, 43a Edizione,La Tribuna 2018, faqe 191.

      [4]Vendimi i Gjykatës së Kasacionit Itali seksioni i parë i datës 5 shkurt 2008 me nr. 5636 (seanca e mbajtur në datë 22 janar 2008) “Nunziata dhe të tjerë” [RV238932] pasqyruar në librin “I codicicommentaticon la giurisprudenza”Piermaria Corso “Codice di Procedura Penal e Processo Penale Minorile”, 43a Edizione,La Tribuna 2018, faqe 191.

       

      [5]PaoloTonini, Manuale di procedura penale, 16a edizione, GiuffrèEditore, Milano, 2015, faqe 296.

      [6]Gjykata Evropiane “Për të Drejtat e Njeriut dhe Liritë Themelore” Wannerkundër Gjermanisë,nr. i aplikimit26892/12, datë 23.10.2018, paragrafi 35.

      1. Ndalimi i përdorimit si dëshmi të deklarimeve të tëpandehurit është një garanci procedurale që Kodi i Procedurës Penale ia njeh të pandehurit në respektim të parimit të rëndësishëm kushtetues të ndalimit të detyrimit për të dëshmuar kundër vetvetes dhe pohimit të fajësisë parashikuar nga neni 32, paragrafi i parë i Kushtetutës. Kjo dispozitë procedurale merr rëndësi për shkak të kufizimeve ligjore që ajo i vendos organit procedues përpara se ai të marrë në pyetje të pandehurit. Këto kufizime organi procedues jo vetëm që duhet t’i respektojë, por duhet të ushtrojë kujdesin e duhur në drejtim të zbatimit korrekt të rregullave që përcaktojnë mënyrën e marrjes në pyetje të të pandehurit si dhe produktin që formohet nga marrja në pyetje e tij.
      2. Në këtë rast, organi procedues përpara fillimit të marrjes në pyetje, duhet të sigurohet që të pandehurit ose të hetuarit t’i bëjë të ditur të gjitha të drejtat që ai gëzon sipas parashikimeve të neneve 34/a dhe 38 të Kodit të Procedurës Penale. Deklarimet e dhëna (produkti i formuar) prej të pandehurit pasi atij i janë bërë të njohur të drejtat e tij para marrjes në pyetje sipas parashikimeve të nenit 36 të Kodit të Procedurës Penale, nuk përbëjnë objekt dëshmie. Për këtë arsye mund të themi se neni 36 i Kodit të Procedurës Penalemerr rëndësinë e duhur për shkak të kufizimeve me pasoja që ai i vendos organit procedues në procesin e marrjes në pyetje të të pandehurit.
      3. Në këtë rast natyrshëm mund të lindë pyetja se nëse organi procedues nuk respekton rregullat e parashikuara nga neni 34/a dhe 38 i Kodit të Procedurës në marrjen në pyetje të të pandehurit cilat do të jenë pasojat ligjore për deklarimin e marrë nga i pandehuri?
      4. Në rast se i pandehuri nuk është njohur paraprakisht me këto të drejta, bazuar në nenin 38 paragrafi i tretë i Kodit të Procedurës Penale, deklarimet e tij nuk mund të përdoren. E nëse organi procedues insiston në përdorimin e tyre si dëshmi (dhe jo si deklarime) që i pandehuri i ka bërë kundër vetvetes, sërish neni 36 i Kodit të Procedurës Penalendalon përdorimin e këtyre deklarimeve si dëshmi. Pra, në të gjitha rastet dhe hipotezat e mundshme, deklarimet e bëra nga i pandehuri nuk përdoren si dëshmi kundër vetes së tij brenda dhe gjatë procedimit penal.
      5. Rëndësia e përmbajtjes së nenit 36 të Kodit të Procedurës Penale është bërë më evidente me ndryshimet e fundit që ka pësuar Kodi i Procedurës Penale me ligjin nr. 35 të vitit 2017, datë 30.3.2017. Shtesat që i janë bërë këtij Kodi në përcaktimin e të drejtave të të pandehurit, duke përfshirë edhe të drejtat që atij duhet t’i respektohen para marrjes në pyetje të tij, në nenet 34/a, 34/b, 38 të Kodit të Procedurës Penale, i kanë dhënë kuptimin dhe vlerën e duhur nenit 36 të Kodit të Procedurës Penale.
    • Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore

      Neni 6, paragrafi i parë dhe i dytë i kësaj Konvente parashikon se:

      1. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.
      2. Çdo person i akuzuar për një vepër penale prezumohet i pafajshëm, derisa fajësia e tij të provohet ligjërisht.

      ......

      Kodi i Procedurës Penale italiane i përditësuar së fundmi me Dekretligjin e datës 17 mars 2020:

      Nenet 62, 197. 

  • Vendime të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut

    Wannerkundër Gjermanisë,nr. i aplikimit26892/12, datë 23.10.2018.

    Vendime të Gjykatës së Kasacionit, Itali 

    Seksioni i parë, “Alampi dhe të tjerë” [RV228642], vendimi datës 3 qershor 2004 me nr. 25096 (seanca e mbajtur më datë 26 shkurt 2004).

    Seksioni i parë, “Nunziata dhe të tjerë”[RV238932],vendim i datës 5 shkurt 2008 me nr. 5636 (seanca e mbajtur më datë 22 janar 2008).

  • Asnjë koment
  • Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë miratuar me ligjin nr. 8417, datë 21.10.2018, ndryshuar me ligjet nr. 9675, datë 13.1.2007; nr. 9904, datë 21.4.2008; nr. 88/2012, datë 18.9.2012;nr. 137/2015, datë 17.12.2015;nr. 76/2016, datë 22.7.2016. 

    Neni 32, paragrafi i parë.

    Kodi i Procedurës Penale miratuar me ligjin nr. 7905, datë 21.3.1995, ndryshuar me ligjet nr. 7977, datë 26.7.1995; nr. 8027, datë 15.11.1995; nr. 8180, datë 23.12.1996; nr. 8460, datë 11.2.1999; nr. 8570, datë 20.1.2000; nr.8602, datë 10.4.2000; nr. 8813, datë 13.6.2002;nr.9085, datë 19.6.2003; nr. 9187, datë 12.2.2004; nr. 9276, datë 16.9.2004; nr. 9911, datë 5.5.2008; nr. 10 054, datë 29.12.2008; nr. 145/2013, datë 2.5.2013; nr. 21/2014, datë 10.3.2014; nr.99/2014, datë 31.7.2014; nr. 35/2017, datë 30.3.2017.

    Neni 34/a, 34/b, 36, 38, 153, 156, 294, 296, 297, 307, 312.

    Kodi Penal miratuar me ligjin nr. 7895, datë 21.1.1995; ndryshuar me ligjet nr. 8175, datë 23.12.1996; nr. 8204, datë 10.4.1997; nr. 8279, datë 15.1.1998; nr.8733, datë 24.1.2001; nr. 9017, datë 6.3.2003; nr. 9030, datë 13.3.2003; nr. 9086, datë 19.6.2003; nr. 9188, datë 12.2.2004; nr. 9275, datë 16.9.2004; nr. 9686, datë 26.2.2007; nr. 9859, datë 21.1.2008; nr. 10 023, datë 27.11.2008; nr. 23/2012, datë 1.3.2012; nr. 144, datë 2.5.2013; nr. 98, datë 31.7.2014; nr. 176/2014, datë 18.12.2014; nr. 135/ 2015, datë 5.12.2015; nr. 82/2016, datë 25.7.2016; nr. 36/2017, datë 30.3.2017; nr. 89/ 2017, datë 22.5.2017vendimet e Gjykatës Kushtetuese: nr. 13, datë 29.5.1997; nr. 46, datë 28.8.1997; nr. 58, datë 5.12.1997; nr. 65, datë 10.12.1999; nr. 11, datë 2.4.2008; nr. 19, datë 1.6.2011; nr. 47, datë 26.7.2012 dhe nr. 9, datë 26.2.2016;

     Nenet305/a, 305/b, 306, 307.

     

  • Asnjë koment
  • PaoloTonini, “Manuale di procedura penale”, 16a edizione, GiuffrèEditore, Milano 2015.

    Piermaria Corso “Codice di Procedura Penal e Processo Penale Minorile” commentato con la giurisprudenza, 43a Edizione,La Tribuna 2018.

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
Klodian Kurushi
Klodian Kurushi