1Për të kundërshtuar, tërësisht ose pjesërisht, përmbajtjen e dëshmisë ose kur refuzon të dëshmojë, palët mund të përdorin thëniet e bëra më parë nga dëshmitari para prokurorit ose policisë gjyqësore dhe që ndodhen në fashikullin e prokurorit, por vetëm pasi dëshmitari ka deponuar mbi faktet dhe rrethanat që kundërshtohen.
2Këto thënie nuk përbëjnë provë në vetvete për faktet që pohohen në to, por ato mund të vlerësohen nga gjykata për të përcaktuar besueshmërinë e personit të pyetur dhe përfshihen në fashikullin e shqyrtimit gjyqësor.
3Deklarimet e dhëna para prokurorit ose policisë gjyqësore mund të vlerësohen si provë, nëse ato lidhen me prova të tjera që konfirmojnë vërtetësinë e tyre.
4Deklarimet e mëparshme, të përfshira në fashikullin e gjykimit, sipas pikës 2 të këtij neni, çmohen si prova edhe kur rezulton se dëshmitari, qoftë edhe gjatë pyetjes në seancë, i nënshtrohet dhunës, kanosjes, premtimit për t’i dhënë para ose përfitime të tjera, me qëllim që të mos dëshmojë ose të bëjë dëshmi të rreme, si dhe kur rezultojnë rrethana të tjera që kanë dëmtuar sinqeritetin e përgjigjeve të tij.