KODI I PROCEDURËS PENALE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË   |   7905

Neni 401: Përgatitja e gjykimit të drejtpërdrejtë

1Kur procedon me gjykim të drejtpërdrejtë, prokurori urdhëron paraqitjen në seancë të të pandehurit të arrestuar në flagrancë ose nën masën e sigurimit të parashikuar nga nenet 237, 238 ose 239, të këtij Kodi. Kur i pandehuri është i lirë, afati për t’u paraqitur nuk mund të jetë më i shkurtër se tri ditë.

2Urdhri përmban, me pasojë pavlefshmërie, të dhënat e parashikuara në shkronjat “a”, “b” dhe “c”, të nenit 332/e, si dhe caktimin e vendit, datës dhe orës për t’u paraqitur, me paralajmërimin se nëse i pandehuri nuk paraqitet, do të shoqërohet me detyrim, si dhe datën e nënshkrimin e prokurorit.

3Mbrojtësit i njoftohet pa vonesë data e gjykimit nga prokurori. Ai ka të drejtë të shikojë dhe të nxjerrë kopje të dokumentacionit që lidhet me hetimet e zhvilluara.

4Urdhri së bashku me fashikullin e gjykimit dërgohen në gjykatë. Në rastin e parashikuar nga paragrafi 3, i nenit 400, prokurori njoftohet të paktën dhjetë ditë përpara mbi datën dhe orën e gjykimit, si dhe për gjykatën që do të gjykojë çështjen.

Përmbajtja

      1. Neni 401 i Kodit tëProcedurës Penale ka si qëllimtë mundësojë efektivisht realizimin enjë gjykimi të shpejtënë rastet kur i pandehuri është arrestuar në flagrancësi dhe në rastet kur ndaj tij caktohet njëra nga masat e sigurimit të parashikuara nga nenet 237, 238 ose 239, të Kodit, duke bërë të mundur paraqitjen e të pandehurit përpara gjykatës dhe evitimin e zvarritjes së gjykimit për shkak të procedurës së njoftimit apo gjetjes së të pandehurit.
      1. Neni 401 i Kodit të Procedurës Penale parashikon veprimet që duhet të kryejë prokurori në kuadër të përgatitjes së gjykimit të drejtpërdrejtë dhe sipas kësaj dispozite detyrimin për të njoftuar të pandehurin dhe mbrojtësin e ka prokurori i cili duhet të marrë masat për të bërë të mundur paraqitjen e të pandehurit në seancë dhe zhvillimin e gjykimit.
      1. Në paragrafin e parë të nenit 401 të Kodit të Procedurës Penale parashikohet se kur procedon me gjykim të drejtpërdrejtë, prokurori urdhëron paraqitjen në seancë të të pandehurit të arrestuar në flagrancë ose nën masën e sigurimit të parashikuar nga nenet 237, 238 ose 239, të këtij Kodi, ndërsa kur i pandehuri është i lirë, afati për t’u paraqitur nuk mund të jetë më i shkurtër se tri ditë. Nga përmbajtja e kësaj dispozite rezulton se për sa kohë nga ana e prokurorit vlerësohet që të procedohet me gjykim të drejtpërdrejtë detyrimin për të njoftuar të pandehurin e ka prokurori dhe jo gjykata. Urdhri për paraqitjen e të pandehurit të arrestuar më flagrancë i referohet gjykimit të drejtpërdrejtë sipas paragrafit të parë të nenit 400 të Kodit të Procedurës Penale, ndërsa urdhri për paraqitjen e të pandehurit i cili është në masën e sigurimit të parashikuar nga nenet 237, 238 ose 239, të Kodit ose të pandehurit të lirë i referohet gjykimit të drejtpërdrejtë sipas paragrafit të tretë të nenit 400 të Kodit të Procedurës Penale.
      2. Në rastet e urdhrit për paraqitjen në seancë të të pandehurit të arrestuar në flagrancë ose nën masën e sigurimit të parashikuar nga nenet 237, 238 ose 239, të Kodit, mospërcaktimi në urdhrin për paraqitje të prokurorit të datës dhe orës së seancës nuk e cenon procesin dhe nuk përbën shkak për kthimin e akteve prokurorit në rast se janë marrë masat që i pandehuri të shoqërohet në seancë dhe gjykimi zhvillohet rregullisht. Për sa i përket të pandehurit të lirë, njoftimi i të cilit duhet të bëhet të paktën 3 ditë përpara datës se seancës, në praktikën gjyqësore italiane është mbajtur qëndrimi se pavlefshmëria e njoftimit përbën shkak të ligjshëm për t’i kthyer aktet prokurorit, në rast se i pandehuri nuk është paraqitur në gjykim.[1]
      3. Në paragrafin e dytë të nenit 401 të Kodit të Procedurës Penale parashikohet se urdhri përmban, me pasojë pavlefshmërie, të dhënat e parashikuara në shkronjat “a”, “b” dhe “c”, të nenit 332/e, si dhe caktimin e vendit, datës dhe orës për t’u paraqitur, me paralajmërimin se nëse i pandehuri nuk paraqitet, do të shoqërohet me detyrim, si dhe datën e nënshkrimin e prokurorit. Neni 332/e i Kodit të Procedurës Penale parashikon elementët që duhet të përmbajë vendimi për dërgimin e çështjes në gjyq dhe jo pa qëllim nga ana e legjislatorit është bërë referencë në këtë dispozitë ligjore. Kjo për arsye se, për sa kohë prokurori vlerëson që të paraqesë kërkesë për gjykim të drejtpërdrejtë do të thotë se shmanget faza e gjykimit në seancë paraprake, ndaj dhe urdhri i prokurorit përmban elementët kryesorë të një vendimi për dërgimin e çështjes në gjyq të cilët janë: gjenealitetet e të pandehurit dhe të dhëna të tjera personale që vlejnë për identifikimin e tij, si dhe gjenealitetet e palëve private dhe të mbrojtësve të tyre (neni 332/e, shkronja “a”, i Kodit); gjenealitetet e viktimës, në rast se rezulton e identifikuar (neni 332/e, shkronja “b”, i Kodit); parashtrimin e faktit penal dhe rrethanave të tij, duke treguar dispozitat përkatëse të ligjit (neni 332/e, shkronja “c”, i Kodit).
      4. Parashikimi se urdhri i paraqitjes së prokurorit duhet të përmbajë datën dhe orën për t’u paraqitur i referohet datës dhe orës së seancës të caktuar për shqyrtimin e kërkesës për vleftësimin e arrestimit dhe gjykimin e drejtpërdrejtë (neni 400/1 i Kodit) ose për shqyrtimin e kërkesës për gjykimin e drejtpërdrejtë (neni 400/3 i Kodit). Në pamje të parë rezulton se është prokurori ai që cakton paraprakisht datën dhe orën në të cilën do të zhvillohet seanca dhe këtë e bën pikërisht me urdhrin për njoftimin e të pandehurit dhe mbrojtësit të tij, urdhër të cilin më pas e depoziton në sekretarinë gjyqësore. Një interpretim i tillë mund të krijojë probleme në praktikë pasi caktimi i datës dhe orës së seancës nga prokurori presupozon që prokurori të ketë verifikuar paraprakisht kalendarin e gjykimeve të gjykatës. Nuk do të kishte asnjë efektivitet caktimi i datës dhe orës së seancës nga prokurori dhe shtyrja e kësaj seance më pas nga gjykata për shkak të pamundësisë së saj për të realizuar gjykimin në datën dhe orën e caktuar, qoftë edhe për efekt të planifikimit të mëparshëm të gjykimeve të tjera.
      5. Qëllimi i nenit 401 të Kodit të Procedurës Penale nuk është që prokurori të marrë atributet e gjykatës dhe të caktojë datën dhe orën e seancës, por që të mundësojë realizimin e gjykimit i cili lidhet drejtpërdrejti me njoftimin e palëve që duhet të marrin pjesë në gjykim. Dispozita duhet të interpretohet në mënyrë që të bëjë të mundur zbatimin e saj në praktikë dhe jo në mënyrën e cila më shumë se sa një gjykim të shpejtë mund të sjellë si pasojë shtyrje të seancave për çështje organizimi dhe planifikimi. Për këtë arsye në momentin që prokurori paraqet kërkesën për gjykimin e drejtpërdrejtë në gjykatë, gjykata duhet të caktojë datën dhe orën e seancës dhe t’ia njoftojë ato prokurorit. Është ky i fundit më pas që duhet të marrë masat dhe të bëjë njoftimin e të pandehurit dhe mbrojtësit. Një interpretim i tillë bazohet edhe në paragrafin e katërt të nenit 401 të Kodit të Procedurës Penale i cili parashikon se në rastin e parashikuar nga paragrafi 3, i nenit 400 të Kodit, prokurori njoftohet të paktën dhjetë ditë përpara mbi datën dhe orën e gjykimit, si dhe për gjykatën që do të gjykojë çështjen. Nëse do të ishte prokurori ai që do të caktonte në urdhrin e tij datën dhe orën e gjykimit, atëherë nuk do të kishte kuptim parashikimi se gjykata duhet të njoftojë prokurorin të paktën dhjetë ditë përpara për një datë dhe orë gjykimi për të cilën prokurori është plotësisht në dijeni për sa kohë i ka caktuar vetë në urdhrin e tij të njoftimit. Për këtë arsye data dhe ora e gjykimit caktohen nga gjykata, e cila duhet të njoftojë pa vonesë prokurorindhe më pas prokurori procedon me njoftimin e të pandehurit dhe mbrojtësit të tij duke marrë masat për paraqitjen e tyre në seancë.
      6. Në paragrafin e tretë të nenit 401 të Kodit të Procedurës Penale parashikohet se mbrojtësit i njoftohet pa vonesë data e gjykimit nga prokurori. Ai ka të drejtë të shikojë dhe të nxjerrë kopje të dokumentacionit që lidhet me hetimet e zhvilluara. Mosrealizimi i njoftimit të mbrojtësit të zgjedhur nga i pandehuri përbën shkak për pavlefshmërinë e procesit në rastet kur së bashku me kërkesën për vleftësimin e arrestimit paraqitet edhe kërkesa për gjykimin e njëkohshëm tëtë pandehurit. Në këtë rast, për shkak të afatit brenda të cilit duhet të shqyrtohet kërkesa, i cili është 48 orë nga paraqitja e kërkesës, njoftimi mund të bëhet edhe me gojë apo nëpërmjet telefonit, mjafton të plotësohet kriteri i përshtatshmërisë së mjetit të komunikimit.[2] Nëse mbrojtësi i zgjedhur është njoftuar rregullisht dhe nuk është paraqitur gjykata procedon me caktimin e një mbrojtësi kryesisht,por nëse nuk ështëbërë asnjë përpjekje për njoftimin e mbrojtësit të zgjedhur nga i pandehuri, kur ky i fundit e ka bërë të qartë se kush do të jetë mbrojtësi i tij, kjo përbën shkak për pavlefshmërinë e procesit për shkak të shkeljes së të drejtës së mbrojtjes, pavarësisht faktit nëse të pandehurit i është caktuar një mbrojtës kryesisht apo nëse i pandehuri ka revokuar gjatë seancës përfaqësimin nga mbrojtësi i zgjedhur.[3]
      7. Njoftimi i mbrojtësit lidhur me datën dhe orën e gjykimit nga prokurori bëhet pa vonesë. Në këtë rast ligji nuk ka parashikuar ndonjë afat kohor konkret lidhur me njoftimin e mbrojtësit duke u mjaftuar me shprehjen pa vonesë, çka do të thotë se nuk ka asnjë pasojë edhe nëse njoftimi bëhet p.sh. një ditë para datës së seancës. Dispozita duhet të interpretohet në raport me nenin 402/3 të Kodit të Procedurës Penale në të cilin parashikohet se i pandehuri njoftohet se ka të drejtë të kërkojë afat për të përgatitur mbrojtjen deri në pesë ditë. Nëse mbrojtja pretendon se është njoftuar me vonesë dhe se nuk ka pasur kohë të përgatisë mbrojtjen, kjo nuk përbën shkak që aktet t’i kthehen prokurorit për mosrespektim të nenit 401/2 të Kodit të Procedurës Penale, por shkak për dhënien e një afati deri në 5 ditë për të realizuar mbrojtjen.
      8. Në paragrafin e tretë të nenit 401 të Kodit të Procedurës Penale parashikohet seurdhri së bashku me fashikullin e gjykimit dërgohen në gjykatë. Në rastin e parashikuar nga paragrafi 3, i nenit 400, prokurori njoftohet të paktën dhjetë ditë përpara mbi datën dhe orën e gjykimit, si dhe për gjykatën që do të gjykojë çështjen.Sipas kësaj dispozite rezulton se në rast të paraqitjes së një kërkese për gjykim të drejtpërdrejtë gjykata ka detyrimin të njoftojë vetëm prokurorin të paktën 10 ditë përpara mbi datën dhe orën e gjykimit, si dhe për gjykatën që do të gjykojë çështjen. Fakti që gjykata njofton vetëm prokurorin lidhet me faktin se njoftimet e palëve të tjera në rastet e gjykimit të drejtpërdrejtë i bën prokurori, ndërsa njoftimi të paktën 10 ditë përpara i prokurorit lidhet me dhënien e mundësisë që prokurori të procedojë më pas me njoftimet e palëve duke qenë se sipas paragrafit të parë të nenit 401 të Kodit njoftimi i të pandehurit të lirë duhet të bëhet të paktën tre ditë përpara seancës.

       

      [1] Vendimi Nr.656, datë 20.04.2010, Gjykata e Kasacionit Itali.

      [2] Vendimi Nr.443, datë 30.10.2002, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Kasacionit Itali. Në këtë rast gjykata e ka vlerësuar të rregullt njoftimin e mbrojtësit të realizuar nëpërmjet lënies së një mesazhi në sekretarinë telefonike të zyrës së mbrojtësit edhe pse ky i fundit ka pretenduar se sekretaria nuk ka qenë funksionale dhe se nuk e kishte marrë mesazhin lidhur me datën dhe orën e seancës. Sipas gjykatës detyrimi për t’u siguruar mbi funksionimin e sekretarisë dhe për të dëgjuar mesazhet e lëna në sekretarinë telefonike mbi mbrojtësin dhe nuk ndikon në cilësimin e mjetit të komunikimit të zgjedhur për të bërë njoftimin si mjet i papërshtatshëm.

      [3] Vendimi Nr.216, datë 13.12.2004, Gjykata e Kasacionit Itali.

      1. Me ligjin Nr.35/2017 në nenin 401 të Kodit të Procedurës Penale u bënë disa ndryshime në paragrafin e parë dhe të dytëtë dispozitës, si dhe u shtua një paragraf pas paragrafit të tretë, ndryshime të cilat synuan ta bënin këtë dispozitë më të qartë dhe më të plotë. Ndryshe nga parashikimi i mëparshëm, paragrafi i parë i nenit 401 të Kodit të Procedurës Penale u riformulua duke qenë në përputhje me nenin 400 të Kodit lidhur me rastet e gjykimit të drejtpërdrejtë, ndërsa në paragrafin e dytë u parashikuan elementët që duhet të përmbajë urdhri i prokurorit për njoftimin për paraqitje duke i dhënë këtij urdhri rëndësinë e duhur. Paragrafi i tretë i dispozitës lidhur me njoftimin e mbrojtësit ka mbetur i pandryshuar, ndërsa pas këtij paragrafi u shtuanjë paragraf i ri i cili lidhet me paragrafin e tretë të nenit 400 të Kodit dhe ka të bëjë me rastet kur prokurori procedon me gjykimin e drejtpërdrejtë pas seancës së vleftësimit të arrestimit në flagrancë.
    • Asnjë koment
    1. Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut;
    1. Analiza e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, Qershor 2015, hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë.
    1. Neni 6iKonventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut;
    2. Kushtetuta;
    3. Kodi i Procedurës Penale.
  • Asnjë koment
  • A.    Vendime të Gjykatës së Lartë

    1. Vendimi Nr.656, datë 20.04.2010, Gjykata e Kasacionit Itali;
    2. Vendimi Nr.216, datë 13.12.2004, Gjykata e Kasacionit Itali;
    3. Vendimi Nr.443, datë 30.10.2002, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës sëKasacionit Itali;
    1. PaoloTonini, “Manuale di procedura penale”, Quindicesimaedizione, GiuffreEditore;
    2. Commenatario breve alCodice di Procedura Penale, nonaedizione, 2015, WoltersKluwer, CEDAM.
  • Asnjë koment
Nurjeta Tafa
Nurjeta Tafa