KODI I PROCEDURËS PENALE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË   |   7905

Neni 406-ç: Kundërshtimi i vendimit të gjykatës

1Vendimi i gjykatës për miratimin e urdhrit penal të dënimit u njoftohet të pandehurit dhe personit civilisht përgjegjës për dëmin e shkaktuar prej tij, të cilët kanë të drejtë ta kundërshtojnë atë tek e njëjta gjykatë, brenda dhjetë ditëve nga marrja dijeni.

2Kundërshtimi nuk mund të refuzohet, me përjashtim të rasteve kur bëhet nga një person i palegjitimuar ose kur paraqitet jashtë afatit.

3Kur gjykata procedon sipas paragrafit të 2, të këtij neni, cakton datën e gjykimit dhe njofton palët e mbrojtësit e tyre. Gjykata procedon me gjykim të zakonshëm, nëse i pandehuri nuk paraqet kërkesë për gjykim të shkurtuar. Në këtë rast, zbatohen parashikimet e neneve 333 e vijues të këtij Kodi.

Përmbajtja

      1. Qëllimi i normës është rindërtimi i procesit kontradiktor dhe garantimi i të drejtës së mbrojtjes, në rastin kur i pandehuri ose personi civilisht përgjegjës për dëmin e shkaktuar prej tij nuk i pranojnë pasojat e urdhërit penal të miratuar nga gjykata.

       

      1. Norma rregullon mënyrën e njoftimit dhe kundërshtimit të urdhrit penal të dënimit, palët e legjitimuara, pasojat në rast moslegjitimimi dhe procedurën që ndjek zgjidhja e çështjes në rastin e kundërshtimit.
      1. Njoftimi i vendimit të gjykatës. Njoftimi i gjykatës për miratimin e urdhrit penal të dënimit u njoftohet të pandehurit (neni 34, hyperlink) dhe personit civilisht përgjegjës për dëmin e shkaktuar prej tij (neni 65, hyperlink). Ky i fundit është personi fizik ose juridik, i cili nuk përgjigjet penalisht, por përgjigjet për pasojat civile të shkaktuara nga vepra penale e kryer nga i pandehuri, në rast se ai gjendet në kushte të paaftësisë për të paguar dënimin me gjobë. Në këtë cilësi mund të thirret prindi i të miturit (nga 16-18 vjeç[1]), bashkëipandehuri çështja e të cilit është pushuar ose personi juridik, në rastet kur i pandehuri e ka kryer kundërvajtjen penale, duke vepruar nën autoritetin ose në dobi të tij.

      Njoftimi  i subjekteve të mësipërme bëhet duke ndjekur rregullat e përgjithshme të njoftimeve (nenet 140-142/a, hyperlink). Në rast se njoftimi është i dyshimtë[2] ose është i pavlefshëm (neni 143, hyperlink), atëhere subjekti quhet i panjoftuar dhe procedura e njoftimit duhet të ripërsëritet.

      Norma nuk rregullon rastin kur njoftimi është i pamundur të kryhet. Në raste të tilla, mund të ketë dy zgjidhje:

      (i) akti mund t’i njoftohet mbrojtësit, i cili nuk ka të drejtë ta kundërshtojë dhe vendimi mbetet i paekzekutuar; në këtë rast i pandehuri, pasi të vihet në dijeni për vendimin, gëzon të drejtën të rivendoset në afat (neni 147, hyperlink) për ta kundërshtuar atë duke ndjekur, për analogji, kriteret që cakton Vendimi Unifikues Nr.01/2014[3]. Gjykata kompetente për rivendosjen në afat është gjykata që ka miratuar urdhrin penal[4];

      (ii) gjykata mund të revokojë vendimin e miratimit të urdhrit penal dhe t’i kthejë aktet prokurorit, i cili duhet të procedojë sipas rregullave që zbatohen kur i pandehuri nuk gjendet (neni 141, hyperlink).

      Theksojmë se praktika gjyqësore nuk ka propozuar ende për zgjidhje raste të kësaj natyre.

      1. Kundërshtimi i vendimit. Subjektet e legjitimuar për kundërshtimin e vendimit të gjykatës për miratimin e urdhrit penal të dënimit janë i pandehuri dhe personi civilisht përgjegjës për dëmin e shkaktuar prej tij, si dhe përfaqësuesit e tyre, me prokurë të posaçme (neni 109, hyperlink). Akti i kundërshtimit paraqitet para gjykatës që ka miratuar urdhrin penal.

      Akti i kundërshtimitnuk pranohet (refuzohet) nga gjykata vetëm në dy raste:

      (i) kur kundërshtimi bëhet nga persona të ndryshëm nga personat e sipërpërmendur;

      (ii) kur kundërshtimi bëhet jashtë afatit 10-ditor që cakton norma.

      Në këto raste, kundërshtimi nuk shkakton pasoja dhe urdhri penal i dënimit vihet në ekzekutim.

      Akti i kundërshtimit i bërë nga persona të legjitimuar dhe brenda afatit të caktuar, nuk mund të refuzohet, sepse është mishërim i së drejtës së mbrojtjes në këtë lloj gjykimi. Norma nuk vendos formalitete të veçanta për aktin e kundërshtimit: mjafton të tregohet vendimi që kundërshtohet, pa qenë nevoja të tregohen arsyet e kundërshtimit.

      Në doktrinën e huaj[5],[6] pranohet se akti i kundërshtimit nuk mund të barazohet me një akt ankimi. Ai shqyrtohet nga i njëjti gjyqtar, për rrjedhojë i pandehuri nuk mund të përfitojë nga rregulli i mosrëndimit të pozitës së tij (ne transformatio in peius), tipik në rastet kur ankimi bëhet prej të pandehurit.

      1. Arsyet e kundërshtimit. I pandehuri mund ta kundërshtojë vendimin që miraton urdhrin penal të dënimit, sepse mund të synojë pushimin e çështjes ose një vendim pafajësie. Gjithashtu, ai mund të synojë uljen e masës së gjobës ose zëvendësimin e dënimit kryesor me gjobë, me një dënim plotësues (neni 30, par.II i KP, hyperlink). Sikundër përmendëm, kundërshtimi mund të bëhet edhe nga personi që përgjigjet civilisht për dëmin e shkaktuar nga i pandehuri, i cili mund të synojë një masë më të ulët dënimi.

      Por, duhet theksuar se rezultati i synuar përmes aktit të kundërshtimit nuk është i sigurt (shih në vijim, pika 6).

      1. Procedura pas pranimit të kundërshtimit. Me pranimin e aktit të kundërshtimit, brenda dhjetë ditëve, gjykata cakton datën e seancës gjyqësore dhe njofton palët, mbrojtësit apo përfaqësuesit e tyre (neni 333, par.1, hyperlink), të paktën dhjetë ditë para datës së caktuar (neni 333, par.2, hyperlink). Ata kanë të drejtë të njihen me aktet e fashikullit të gjykimit dhe të nxjerrin kopje të tyre, si dhe të shikojnë në sekretari sendet e sekuestruara (neni 335, hyperlink). Në këtë lloj gjykimi, viktima nuk është palë (shih komentin e nenit 406/c, par. I.C, pika 8).

      Gjatë gjykimit zbatohen rregullat e gjykimit të zakonshëm, fakt që do të thotë se, me aktin e kundërshtimit, synohet gjykimi nëpërmjet një procesi kontradiktor. Në përfundim të gjykimit, nuk ka pengesë që prokurori të ndryshojë akuzën (neni 371, hyperlink), ta akuzojë të pandehurin për një vepër tjetër, që ka lidhje me atë që gjykohet ose të kontestojë një rrethanë rënduese të re (neni 372, hyperlink) apo të ngrejë akuzë për një fakt të ri penal (neni 373, hyperlink). Gjykata, në përfundim të gjykimit, ka të drejtë t’i japë faktit penal një cilësim juridik të ndryshëm nga ai i bërë prej prokurorit, më të lehtë ose më të rëndë, me kusht që vepra penale të jetë në kompetencën e saj (neni 375, hyperlink). Në rast se konstaton që kompetenca i përket një gjykate tjetër, gjykata deklaron moskompetencën e saj dhe i dërgon aktet në gjykatën kompetente (nenet 83, par.1 dhe 85, hyperlink). Në çdo rast që lidhet me akuza të reja, gjykata garanton rregullat e procesit kontradiktor dhe të drejtat e mbrojtjes (neni 376, hyperlink).

      Gjykimi i zakonshëm mund të shndërrohet në gjykim të shkurtuar (neni 403, hyperlink), kur i pandehuri paraqet kërkesë dhe ajo pranohet nga gjykata. Në këtë rast, në thelb, kemi të bëjmë me shndërrimin e gjykimit me urdhër penal dënimi në gjykim të shkurtuar.

      Sikurse përmendëm, i pandehuri dhe personi civilisht përgjegjës për dëmin e shkaktuar prej tij nuk përfitojnë nga ndalimi i transformatio in peius: për këtë arsye, me aktin e kundërshtimit, ata rrezikojnë jo vetëm mundësinë e akuzave të reja, por edhe trajtim më të pafavorshëm në aspektin e masës së dënimit.

      Praktika gjyqësore e gjykatës së rrethit gjyqësor Tiranë shënon dy raste kur vendimi i gjykatës për miratimin e urdhërit penal të dënimit është kundërshtuar[7]. Në të dyja rastet, me anën e kundërshtimit është synuar një vendim pafajësie, i cili nuk është realizuar. Vlen të theksohet, se nuk është kuptuar që shqyrtimi gjyqësor, pas kundërshtimit, duhet të kryhet nga i njëjti gjyqtar (çështjet janë rishortuar dhe janë gjykuar nga gjyqtarë të ndryshëm nga ata që miratuan urdhrat penale[8]).

      Në praktikë mund të paraqitet rasti kur, në çështje me disa bashkëtëpandehur, vendimi për miratimin e urdhrit penal të kundërshtohet nga njëri ose nga disa prej tyre. Neni 406/ç nuk e rregullon një rast të tillë. Normalisht, në këtë rast, ekzekutimi i vendimit për miratimin e urdhrit penal, për të pandehurin që nuk ka paraqitur kundërshtim, duhet të pezullohet, derisa vendimi i dhënë pas kundërshtimit të marrë formë përfundimtare. Qëllimi është që nga një vendim i mundshëm pafajësie ose pushimi të mund të përfitojnë edhe i pandehuri ose personi civilisht përgjegjës që kanë pranuar pasojat e urdhrit penal të dënimit[9].

       

       

      [1]I mituri 14-16 vjeç nuk përgjigjet për kryerjen e kundërvajtjeve penale (neni 12 i KP, hyperlink). Për këtë arsye ndaj tij nuk mund të zbatohet urdhëri penal i dënimit.

      [2]Njoftimi është i dyshimtë atëhere kur nuk ka siguri që subjekti i njoftuar ka marrë dijeni efektive lidhur me përmbajtjen e aktit. Gjykata e Lartë i mëshon nevojës së përmbushjes së dy elementeve të njoftimit: dokumentimit të faktit se i pandehuri është thirrur dhe se thirrja i është komunikuar përmes njoftimit. Për kolegjin penal paraqet rëndësi respektimi i radhës së njoftimit të të pandehurit të lirë, sipas normës që vendos neni 140 i Kodit. Ligjvënësi parapëlqen që i pandehuri të njoftohet personalisht dhe, kur kjo nuk është e mundur, të ndiqet një radhë e caktuar, e cila jep sigurinë se kështu ai mund të vihet në dijeni efektivisht për aktin e thirrjes(Nr.00-2013-388 i Vendimit (50), datë 3.2.2013, Rabeli, Shyti). Rëndësinë e respektimit të kësaj norme, në këndvështrimin e realizimit të së drejtës së mbrojtjes, e thekson edhe Gjykata Kushtetuese (Vendim i Gjykatës Kushtetuese Nr.30, datë 17.06.2010, kërkues Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë). Për kolegjin penal paraqet rëndësi, gjithashtu, cilësia e personit që i komunikohet thirrja, në kuptimin e afërsisë së tij me të pandehurin, kur ky i fundit nuk është e mundur të njoftohet personalisht. Vetëm komunikimi i thirrjes një personi të afërm, që banon ose bashkëjeton me të, krijon më shumë siguri se i pandehuri është vënë në dijeni të aktit të thirrjes. Ndaj, në këndvështrimin e kolegjit, njoftimi quhet i pakryer, me pasojë pavlefshmërinë absolute të aktit, kur nuk dihet kujt i është komunikuar thirrja (Nr.00-2013-871 i Vendimit (119), datë 3.4.2013, Goxhaj, par.19-20), kur nuk dihet lidhja gjinore midis personit që i dorëzohet thirrja dhe të pandehurit (Nr.00-2012-938 i Vendimit (197), datë 4.7.2012, Shehaj)apo kur personi që nënshkruan për marrjen e njoftimit është kushëri i të pandehurit (Nr.00-2011-788 i Vendimit (112), 21.9.2011, Zeqo, par.21, 24; Nr.00-2013-867 i Vendimit (135), 17.4.2013, Kamaj, par.24, 26, 29).

      [3]Shih Vendimin Unifikues të Gjykatës së Lartë, Nr.01, datë 10.03.2014, Nurkaj.

      [4]Shih Vendimin Unifikues të Gjykatës së Lartë, Nr.1, datë 19.06.2013, Vathi.

      [5]Giorgio Spangher, La pratica del processo penale, Vol.I, E-pub,  CEDAM, 2011, fq.68-69.

      [6]Alberto Camon, etj., Fondamenti di procedura penale, E-pub,Wolters Cluwer – CEDAM, 2019, fq.739-740.

      [7]Vendimet Nr.563, datë 27.2.2018, Kadriu dhe Nr.637, datë 5.3.2018, Tahira. Në rastin e parë, masa e dënimit me gjobë nuk ka ndryshuar, kurse në rastin e dytë, e pandehura është dënuar me një vit burgim, dënim i cili është pezulluar, duke e zëvendësuar të kryejë 60 orë pune në interesin publik (neni 63 i KP, hyperlink).

      [8]Shih vendimet Nr.2352, datë 14.9.2018, Kadriu dhe Nr.2308, datë 11.9.2018, Tahira.

      [9]Në modelin italian kjo zgjidhje është normuar posaçërisht nga Kodi; shih nenet 463, par.1 dhe 464, par.5 të KPP të Italisë: tek Pierluigi di Stefano, etc. (a cura di), Codice di Procedura Penale, annotato con la giurisprudenza, XXIII edizione, ottobre 2015, Simone, 2494 fq.

      1. Shih komentin përkatës të nenit 406/c.
    • Asnjë koment
    1. Shih komentin përkatës të nenit 406/a.
  • Asnjë koment
    1. Kushtetuta:nenet 29, par.2, 31, shkronja d), 33.
    2. Kodi Penal: nenet 1, 2, par.II, 3, par.III, 29, 30, par.II, 34, par.III, 47, 63;
    3. Kodi i Procedurës Penale: nenet 34, 65, 83, par.1, 85, 109, 143, 147, 331, 335, 371-373, 375-376, 403.
  • Asnjë koment
  • A. Vendime të Gjykatës Kushtetuese

    1. Nr.30, datë 17.06.2010, kërkues Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë

    B. Vendime të Gjykatës së Lartë

    1. Vendim Unifikues të Gjykatës së Lartë, Nr.1, datë 19.06.2013, Vathi (VUGJL)
    2. Vendim Unifikues të Gjykatës së Lartë, Nr.01, datë 10.03.2014, Nurkaj (VUGJL)
    3. Nr.00-2013-388 i Vendimit (50), datë 3.2.2013, Rabeli, Shyti (KPGJL)
    4. Nr.00-2013-871 i Vendimit (119), datë 3.4.2013, Goxhaj (KPGJL)
    5. Nr.00-2012-938 i Vendimit (197), datë 4.7.2012, Shehaj (KPGJL)
    6. Nr.00-2011-788 i Vendimit (112), 21.9.2011, Zeqo (KPGJL)
    7. Nr.00-2013-867 i Vendimit (135), 17.4.2013, Kamaj (KPGJL)

    C. Vendime të gjykatës së rrethit gjyqësor Tiranë

    1. Nr.563, datë 27.2.2018, Kadriu
    2. Nr.637, datë 5.3.2018, Tahira
    3. Nr.2352, datë 14.9.2018, Kadriu
    4. Nr.2308, datë 11.9.2018, Tahira
    1. Giorgio Spangher, La pratica del processo penale, Vol. I, E-pub, CEDAM, 2011, 343 faqe.
    2. Alberto Camon, etj., Fondamenti di procedura penale, E-pub,Wolters Cluwer – CEDAM, 2019, 1040 faqe.
    3. Pierluigi di Stefano, etc. (a cura di), Codice di Procedura Penale, annotato con la giurisprudenza, XXIII edizione, ottobre 2015, Simone, 2494 faqe.

     

  • Asnjë koment
Henrik Ligori
Idlir Peçi