KODI I PROCEDURËS PENALE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË   |   7905

Neni 452: Forma e kërkesës

1Kërkesa e rishikimit bëhet personalisht ose nëpërmjet përfaqësuesit. Ajo duhet të përmbajë provat që e përligjin dhe duhet të paraqitet, bashkë me dokumentet eventuale, në sekretarinë e gjykatës së shkallës së parë që ka dhënë vendimin.

2Në rastet e parashikuara nga neni 450, paragrafi 1, shkronjat “a”, “b” “ç”, “d” dhe “dh”, kërkesës duhet t’i bashkohen kopjet e vërtetuara të akteve të përmendura në to.

3Në rast vdekje të të gjykuarit pas paraqitjes së kërkesës së rishikimit, gjykata cakton një kujdestar, i cili ushtron të drejtat që në procesin e rishikimit do t’i takonin të gjykuarit.

Përmbajtja

      1. Kërkesa për rishikim është akti formal i cili investon gjykatën në shqyrtimin e mundësisë për rihapjen e një gjykimi të përfunduar tashmë me vendim të formës së prerë. Nisur nga fakti se këto lloj gjykimesh karakterizohen nga shpejtësia e tyre, dhe po ashtu zhvillohen në dhomë këshillimi në mungesë të kontradiktoriaritetit, pra de plano, qëllimi i Nenit 452 të K.Pr,Penale është të parashtrojë të gjithë rekuizitat e formës (nënshkrimi i kërkuesit, prokura e posacme e përfaqësuesit të tij) dhe përmbajtjes (provat dhe dokumentet eventuale) që duhet të përmbushë kjo e fundit në mënyrë që gjykata që shqyrton pretendimin të jetë në gjendje të dalë në një vendim mbi të, pa qënë nevoja e debatit gjyqësor.
      1. Neni 252 përbëhet nga 3 paragraf, ku paragrafët e parë dhe të dytë rregullojnë formën dhe përmbajtjen e një kërkese për rishikim të vendimit penal, ndërkohë që paragrafi i tretë rregullon procedurën që duhet të ndjekë gjykata në rast se i gjykuari ndërron jetë pas paraqitjes së kërkesës për rishikim.

       

      1. Në Nenin 452 të K.Pr.Penale pavarsisht se titullohet “Forma e kërkesës” parashikohen jo vetëm elementë formal të kërkesës për rishikim por dhe substancial të saj dhe po ashtu rregulla procedurial që gjykata duhet të ndjekë në shqyrtimin e kërkesës në rast se i dënuari ndërron jetë pas paraqitjes së saj.

       

      1. Në lidhje me formën. Ashtu sic është përcaktuar në Vendimin nr.30, datë 17.06.2010 të Gjykatës Kushtetuese dhe Vendimin nr.1 dt. 03.2014 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, e drejta për të bërë ankim, në vështrim të përcaktimit ligjor të bërë nga ligjvënësi në nenin 50 pika 1 e 410 të K.Pr.Penale, është një e drejtë e cila i rezervohet personalisht të pandehurit. Në këtë prizëm duke qënë se dhe rishikimi është një mjet ankimi, megjithëse i jashtëzakonshëm, ai është në ekskluzivitetin e të dënuarit dhe jo personave të tjerë familjar të tij apo qoftë dhe mbrojtësit të tij në procesin e dënimit, nëse ku i fundit nuk është i pajisur me prokurë të posacme nga vetë i dënuari. Ndaj dhe Kodi i Procedurës ka parashikuar se Kërkesa e rishikimit bëhet “personalisht ose nëpërmjet përfaqësuesit”. Fjala “personalisht” e cila ka mbetur e papërfunduar nga ligjvënësi duhet lidhur me Nenin 451 të K.Pr.Penale duke nënkuptuar pra personalisht subjektin të cilit i takon e drejta, pra personalisht i dënuari, ose personalisht kujdestari i tij apo afërmi i tij nëse i dënuari ka vdekur (sigurisht ky rregull nuk vlen për prokurorin).

       

      1. Më tej neni 452 i K.Pr. Penale parashikon se kërkesa paraqitet në sekretarinë e “Gjykatës së shkallës së parë që ka dhënën vendimin”. Duhet thënë se që nga miratimi i Kodit të Procedures Penale i Republikes se Shqiperise, kjo dispozitë, konkretisht në lidhje me kompetencën e gjykatës që vendos për rishikimin është ndryshuar disa herë. Kështu në versionin fillestar ligji procedurial parashikonte se kërkesa për rishikim paraqitet në sekretarinë e gjykatës së rrethit që ka dhënë vendimin”. Më tej me ligjin nr. 8813, date 13.06.2002, “Per disa shtesa e ndryshime ne ligjin nr. 7595, date 21.03.1995 “Kodi i Procedures Penale i Republikes se Shqiperise”, u parashikua se kerkesa bashke me provat dhe dokumentet eventuale qe e perligjin ate, paraqitet ne sekretarine e Gjykates se Larte (neni 57 i ligjit nr. 8813, date 13.06.2002). Aktualisht me ndryshimet e kryera me Ligjin Nr. 35/2017, neni 452 u rikthye në parashikimin e tij fillestar të vitit 1995 duke hequr kompetencën e Gjykatës së Lartë në këtë kategori kërkesash dhe duke e kthyer shqyrtimin e tyre në shkallën e parë.

       

      1. Në lidhje me intepretimin e togëfjalëshit Gjykatës së shkallës së parë që ka dhënën vendiminështë e kuptueshme që bëhet fjalë për gjykatën që ka dhënë vendimin e dënimit apo qoftë dhe vendimin e pafajësiesë që më pas mbi bazë ankimi është kthyer në një vendim dënimi nga gjykatat më të larta. Megjithatë mund të ndodhë që për shkak të ndryshimit të kompetencës lëndore gjykata që ka dhënë vendimin të mos jetë më kompetetentë për gjykim e veprës penale objekt procedimi apo të ketë pushuar funksionimin. Në lidhje me këtë problematik nga disa autorë është mbajtur qëndrimi se “ Lidhur me lejimin e kërkesës për rishikim vendos gjykata e cila në procedurën e mëparshme ka gjykuar në shkallën e parë, pa marrë parasysh se ndërkohë është ndryshuar kompetenca lëndore në favor të gjykatës më të lartë ose më të ulët. Megjithatë, me rastin e vendosjes për lejimin e rishikimit, nuk bëhet fjalë për çështjen e kompetencës, ngase në këtë procedurë nuk gjykohet për çështjen penale. Çështja lidhur me kompetencën lëndore paraqitet kur, pas aktvendimit të formës së prerë për lejimin e rishikimit, vjen te rishikimi të cilin e bën gjykata e cila në atë moment ka kompetencën lëndore. Ndryshimi i sistemit të gjykatave ose i rrjetit të gjykatave mund të shkaktojë mosekzistimin e gjykatës themelore dhe në këto raste, lidhur me lejimin e rishikimit, vendos gjykata që ka marrë kompetencat e gjykatës së mëhershme. Mirëpo, në rast të ndryshimit të territorit të gjykatave për shkak të ndarjes ose bashkimit të pjesëve të territorit, për lejimin e rishikimit vendos gjykata në territorit të së cilës i është bashkuar vendi në të cilën është kryer vepra penale.[1]”. Ndërkohë në një kërkesë për rishikim të paraqitur për një vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda e cila tashmë është suprimuar, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës me Vendimin Nr.205  30.04.2020 ka arsyetuar se “Gjykata vlerëson se është kompetente  pasi së pari vepra penale është kryer në Durrës. Së dyti, referuar  Vendimit nr. 286, datë 18.12.2019 të  Këshillit të Lartë Gjyqësor, për ngritje dhe funksionimin e Gjykatës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Gjykata e Krimeve të Rënda aktualisht ka pushuar funksionin e saj. Së treti, gjithashtu gjykata , bazuar në ndryshimet e K.Pr.Penale, me Ligjin nr.35/2017, datë 30.03.2017, thekson se Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit nuk ka kompetencë lëndore gjykimin e veprës penale parashikuar nga neni 283/a/2  të K.Penal, (për të cilën është dënuar kërkuesi), përcaktim ky i gjendur në nenin 13, 74 dhe 75/a të K.Pr.Penale.”

       

      1. Në lidhje me përmbajtjen: Kërkesa për t’u marrë në shqyrtim duhet të jetë e arsyetuar plotësisht mbi bazën e shkakut ligjor mbi të cilin ka lindur rishikimi i vendimit, e shoqëruar domosdoshmërisht me dokumentet provues të cilat mbështesin pretendimin. Para ndryshimeve të dispozitës, në nenin 452 të K.Pr.Penale parashikohej se kërkesës i bashkëlidheshin edhe dokumentet eventuale. Ndërkohë që pas ndryshimeve, sipas nenit 452/1 të K.Pr.Penale, kërkesa duhet të përmbajë veç dokumenteve eventuale edhe “provat që e përligjin atë”. Në doktrinë është mbajtur qëndrimi se “Edhe pse nuk përcaktohet se cilat mund të jenë konkretisht dokumentet eventuale, në këtë rast .. veç vendimit të formës së prerë të dënimit duhet të konsiderohet, gjithashtu, gjithë dokumentacioni origjinal, ose i fotokopjuar dhe i legalizuar, që i përket fashikullit (hetim dhe gjykim) të mëparshëm. Kurse me provat që përligjin kërkesën në rastet e rishikimit, kur “faktet e vëna ne themel të vendimit nuk pajtohen me ato të një vendimi tjetër” dhe “kur vendimi është bazuar në një vendim të gjykatës civile ose administrative, i cili është revokuar më pas”, kuptohet që kërkesa duhet të shoqërohet edhe me vendimet e formës së prerë të gjykatave të përmendura në dispozitën e K.Pr.P. Ndërkohë, përfshihet edhe çdo provë tjetër që është marrë prej burimeve të parashikuara në ligjin procedural penal në përputhje me rregullat e caktuara në këtë ligj, përfshirë dhe provat atipike.[2]”. Në fakt është i diskutueshëm fakti nëse kërkuesi ka detyrimin për të bashkangjitur në kërkesë nëse kërkuesi ka detyrimin për të bashkangjitur në kërkesë “veç vendimit të formës së prerë të dënimit duhet të konsiderohet, gjithashtu, gjithë dokumentacioni origjinal, ose i fotokopjuar dhe i legalizuar, që i përket fashikullit (hetim dhe gjykim)” . Ashtu sic pranohet gjerësisht, rishikimi mbetet një mjet ankimi megjithëse i jashtëzakonshëm apo sui generis. Në paraqitjen e një ankimi të zakonshëm palëve në asnjë rast nuk u kërkohet të bashkangjisin në ankim dhe vendimin e ankimuar apo akte të tij por vetëm të referojnë gjykatën më të lartë për ekstremitetet e këtij vendimi në mënyrë që ky i fundit të merret zyrtarisht. Në të njëjtën logjikë vendosja e detyrimit për të dënuarin që të paraqesë vendimin me të cilin është dënuar, që në fund të fundit administrohet nga vetë gjykata që shqyrton cështjen shkon tej qëllimit të Nenit 452 të K.Pr.Penale. Në të kundërt me të drejtë është mbajtur qëndrimi se në rastet kur kerkesa bazohet në pikat a, b c, ç të Nenit 450/1 të KPrP, kërkuesi ka detyrimin të paraqesë vendimet e tjera të cilat ai mendon se janë shkak për të nisur procedurën e rishikimit të vendimit të dënimit[3]. Kështu në rastin e parashikuar nga pika “a”e Nenit 450/1 të K.Pr. Penale kur pretendohet se  faktet e vëna në themel të vendimitt nuk pajtohen me ato të një vendimi tjetër të formës së prerë është e domosdoshme që kërkesës ti bashkangjitet pikërisht vendimi tjetër i formës së prerë që pretendohet se ka mospërputhje të faktit me vendimin objekt rishikimi.

       

      1. Në lidhje me procedurën : Ashtu sic është përmendur gjerësisht rishikimi paraqet një formë të jashtëzakonshme të ankimit dhe po ashtu pason një procedurë po aq të jashtëzakonshme të gjykimit. Për këtë arsye Neni 452 pavarsisht se titullohet “Forma e kërkesës” parashikon jo vetëm elementë formal dhe substancial të kërkesës për rishikim por dhe rregulla procedurial sui generis që gjykata duhet të ndjekë në shqyrtimin e kërkesës në rast se i dënuari ndërron jetë pas paraqitjes së saj. Thuhet sui generis për shkak të vecantisë së tyre të papajtueshme apo të pakonceptueshme në një procedurë të zakonshme gjykimi. Konkretisht sipas Nenit 452 parashikohet se në rast vdekje të të gjykuarit pas paraqitjes së kërkesës së rishikimit, gjykata cakton një kujdestar, i cili ushtron të drejtat që në procesin e rishikimit do t’i takonin të gjykuarit.  Pra në ndryshim nga një proces i zakonshëm ku gjykimi pushon me vdekjen e kërkuesit apo të pandehurit, në rastin  e kërkesës për rishikim nisur nga vullneti i ligjvënësit për të gjetur të vërtetën gjyqësore dhe rivendosur në vend drejtësinë dhe pas vdekjes së të dënuarit, gjykata ka detyrimin të vazhdojë shqyrtimin e kërkesës. Nëse do ti referohemi Kodit të Procedurës Penale në versionin fillestar të tij të vitit 1995 parashikohej se Në rast vdekje të të gjykuarit pas paraqitjes së kërkesës së rishikimit, kryetari i gjykatës së rrethit cakton një kujdestar, i cili ushtron të drejtat që në procesin e rishikimit do t’i takonin të gjykuarit.”.. Më tej me ligjin nr. 8813, date 13.06.2002, “Per disa shtesa e ndryshime ne ligjin nr. 7595, date 21.03.1995 “Kodi i Procedures Penale i Republikes se Shqiperise”, fjalët "kryetari i gjykatës së rrethit" u zëvendësuan me fjalët "Kryetari i Kolegjit Penal", të cilat po ashtu me reformën e fundit të Ligjit nr.35/2017 u vendosën në versionin aktual ku parashikohet se kujdestari vendoset nga “gjykata”.

       

      1. Në fakt ashtu sic është parashikuar dhe në Nenin 453/3 të K.Pr.Penale shqyrtimi i kërkesës për rishikimin e vendimit zhvillohet në dhomë këshillimi pa praninë e palëve. Si rrjedhojë në këtë proces I dënuari të drejtat i ka ushtruar me paraqitjen e kërkesës dhe duke qënë se nuk parashikohet debat gjyqësor në vetvete në këtë fazë nuk mund të flasim për ushtrim të të drejtave gjatë shqyrtimit të saj. Megjithatë pas zhvillimit të kësaj séance dhe pas marrjes së vendimit të gjykatës, i dënuari kërkues ka të drejtë të ushtrojë të drejtat e tij për pjesëmarrje në rigjykim (në rast të pranimit të kërkesës) ose për ankimim (në rast të mospranimit apo refuzimit të saj nga gjykata). Në këtë pikë diskutimi që lind është fakti se kush do të caktojë kujdestarin e posacëm për të dënuarin në ushtrimin e këtyre të drejtave. Në lidhje me këtë cështje në nenin 452/3 iteracioni procedurial nuk është shtjelluar më tej nga ligjvënësi duke e lënë të paqartë procedurën që duhet të ndjekë gjykata në këto raste.

       

      1. Duhet thënë se në të kundërt me parashikimin e mëparshëm se në rast refuzimi të kërkesës për rishikim nuk parashikohej e drejta për ankim përsa kohë që kërkesa shqyrtohej nga vetë Gjykata e Lartë, tashmë duke qënë se shqyrtimi u transferua përsëri në shkallën e parë të gjykimit, u parashikua dhe e drejta e ankimit. Si rrjedhojë është e nevojshme caktimi i kujdestarit me gjasë para se gjykata të shprehet me vendim për kërkesën në mënyrë që palët të respektojnë dhe afatin e ankimit në rast se gjykata do refuzojë kërkesën për rishikim. Si rrjedhojë në funksion të zbatimit të detyrimit ligjor për caktimin e një kujdestari dhe mos cënimin e procesit të rishikimit si pasojë e vdekjes së të dënuarit, interpretohet se gjykata që shqyrton kërkesën për rishikim, në rast se vjen në dijeni të faktit që i dënuari kërkues ka ndërruar jetë pas paraqitjes së kërkesës duhet që kryesisht të hap një procedurë paralele të caktimit të kujdestarit të posacëm për të ndjekur ky I fundit procedurën e rishikimit, ose nëse mund të konkludohet nga aktet që gjykata mund të mbledhë të caktoj në të njëjtin vendimin ku disponon në lidhje me rishikimin, njëkohësisht dhe kujdestarin që mund të ndjekë procedurën (sipas rastit ankimin apo rigjykimin). Po ashtu të njëjtin veprim duhet të kryejë gjykata në rast se vihet në dijeni të faktit në fjalë pas marrjes së vendimit të rrëzimit të kërkesës për rishikim, duke patur më pas parasysh gjykata më e lartë se afati i ankimit ndaj vendimit të refuzimit të rishikimit fillon nga data kur kujdestari i caktuar merr dijeni për vendimin e rrezimit dhe për caktimin e tij si kujdestar. Në rastin tjetër kur gjykata ka pranuar kërkesën për rishikim dhe si rrjedhojë dosja kalon nga gjyqtari që ka pranuar kërkesën tek trupi gjykues që kryen rishikimin, dhe kompetenca për caktimin e kujdestarit duhet të kalojë pikërisht tek ky trup i cili duhet të caktojë kujdestarin e posacëm për ndjekjen e procesit rigjykues.

       

       

      [1] Prof. dr. sc. Ejup Sahiti / Prof. dr. sc. Rexhep Murati / Mr. Xhevdet Elshani-Komentar Kodi i Procedurës Penale, fq.1008

      [2] Disa Çështje Të Rishikimit Të Vendimit Penal Të Formës Së Prerë- Spiro Spiro, Revista Avokatia nr.30

      [3] Qëndrim i mbajtur dhe nga Gjykata Italiane e Kasacionit Vendimi nr.13622 dt.28.03.2012         

    • Asnjë koment
    • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
Arber Cela
Arber Cela