PËR ORGANET E QEVERISJES SË SISTEMIT TË DREJTËSISË   |   115/2016

Neni 154: Paraqitja dhe shqyrtimi i shprehjes së interesit

1. Jo më vonë se 15 ditë nga shpallja e thirrjes për pranimin e shprehjeve të interesit, anëtarët e shoqërisë civile shprehin interesin e tyre përmes një kërkese me shkrim drejtuar Avokatit të Popullit.

2. Shprehja e interesit mund të bëhet në adresën elektronike ose postare të shprehur në thirrjen për paraqitjen e shprehjeve të interesit.

3. Krahas kërkesës me shkrim, të interesuarit bashkëngjisin, të paktën, dokumentet e mëposhtme:

a. jetëshkrimin e përditësuar;

b. një platformë personale të qëllimeve dhe objektivave që propozojnë të ndjekin në qoftë se zgjidhen;

c. formularin e vetëdeklarimit sipas kërkesave të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”;

ç. një deklaratë përkundrejt përgjegjësisë ligjore që nuk kanë qenë anëtarë ose bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit para 2 korrikut 1991 në kuptimin e ligjit “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”;

d. një deklaratë përkundrejt përgjegjësisë ligjore se nuk janë bashkëpunëtorë, informatorë ose agjentë të ndonjë shërbimi sekret;

dh. çdo dokument tjetër që vërteton përmbushjen e kushteve ligjore të parashikuara në nenin 152, pika 2, të këtij ligji.

4. Emrat e kandidatëve nga shoqëria civile dhe kopjet origjinale, ose të noterizuara, të dokumentacionit të paraqitur prej tyre regjistrohen në regjistrin e protokollit të Avokatit të Popullit.

5. Zyra e protokollit të Avokatit të Popullit merr në dorëzim shprehjen e interesit dhe dokumentacionin shoqërues të kandidatëve dhe u jep atyre një vërtetim shkresor për dorëzimin e shprehjes së interesit dhe të dokumentacionit shoqërues.

6. Avokati i Popullit, brenda 5 ditëve nga regjistrimi i kandidatëve dhe i dokumentacionit shoqërues, verifikon nëse dokumentacioni i paraqitur nga kandidatët është i plotë. Nëse dokumentacioni i kandidatit nuk është i plotë për të vlerësuar plotësimin e kushteve kushtetuese dhe ligjore, si dhe të kritereve profesionale e morale, sipas nenit 152, pikat 2 dhe 3, të këtij ligji, Avokati i Popullit i kërkon kandidatit që brenda 5 ditëve të bëjë plotësimin e dokumentacionit ose paraqitjen e dokumenteve shtesë. Njoftimi për plotësimin e dokumentacionit ose paraqitjen e dokumentacionit shtesë i dërgohet kandidatit në adresën elektronike të deklaruar, brenda një afati 5-ditor nga dita e njoftimit nga Avokati i Popullit.

7. Mosparaqitja e dokumentacionit plotësues ose dokumentacionit shtesë në përfundim të afatit 5-ditor nuk pezullon procesin e regjistrimit përfundimtar të kandidatëve dhe dokumentacionit shoqërues të tyre. Në këtë rast, vlerësimi i kandidatit bëhet mbi dokumentacionin e dosjes së depozituar dhe administruar nga Avokati i Popullit.

8. Data në të cilën plotësohet dokumentacioni i kërkuar, ose afati i përcaktuar për plotësimin, konsiderohet dita e paraqitjes dhe regjistrimit të kandidatëve dhe dokumentacionit shoqërues në Institucionin e Avokatit të Popullit. Paraqitja përfundimtare dokumentohet me një numër regjistrimi nga zyra e protokollit tek Avokati i Popullit.

9. Avokati i Popullit, jo më vonë se 10 ditë nga dita e regjistrimit të kandidatëve dhe dokumentacionit shoqërues, sipas pikës 5, të këtij neni, merr në shqyrtim dhe verifikon përmbushjen e kushteve dhe kritereve ligjore të çdo kandidature, të parashikuara në Kushtetutë dhe në nenin 54, të këtij ligji, me anë të një procesi të hapur edhe publik.

10. Brenda 3 ditëve nga dita e shpalljes së njoftimit për dorëzimin e shprehjeve të interesit për anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga shoqëria civile, Avokati i Popullit publikon thirrjen për shprehje interesi për anëtar të komisionit të shoqërisë civile për verifikimin paraprak nga organizatat e shoqërisë civile, sipas përcaktimit të nenit 152, pika 1, të këtij ligji. Thirrja publikohet në faqen zyrtare të Avokatit të Popullit, si dhe në një nga gazetat me tirazhin më të lartë. Njoftimi u dërgohet të gjitha organizatave të shoqërisë civile në adresat e elektronike të tyre zyrtare. Shprehja e interesit duhet të paraqitet nga organizatat e shoqërisë civile brenda 7 ditëve dhe duhet të përmbajë dokumentacionin përkatës që vërteton plotësimin e kritereve që parashikohen në nenin 54, pika 1, të këtij ligji, dhe ato të parashikuara në këtë pikë.

11. Avokati i Popullit verifikon brenda 10 ditëve plotësimin e kritereve nga organizatat që kanë shprehur interesin për të qenë pjesë e komisionit të verifikimit paraprak të shoqërisë civile. Në rast se më shumë se 5 organizata që kanë shprehur interesin plotësojnë kriteret e parashikuara në pikën 10, të këtij neni, mbledhja e parë e këtij komisioni përzgjedh me votim të fshehtë organizatat që do të jenë anëtare të këtij komisioni. Pesë organizatat që do të marrin më shumë vota, konsiderohen të përzgjedhura si anëtare të komisionit të shoqërisë civile. Në rast të barazimit të votave, votimi përsëritet midis organizatave me vota të njëjta.

12. Kryetari i komisionit të shoqërisë civile për verifikimin paraprak zgjidhet nga vetë komisioni. Organizata e shoqërisë civile do të përfaqësohet nga përfaqësuesi i saj ligjor. Anëtari zëvëndësues i këtij komisioni është zëvendësi i tij me autorizim nga përfaqësuesi ligjor.

13. Mosushtrimi i kompetencave, sipas këtij ligji, nga Avokati i Popullit brenda afateve të përcaktuara përbën shkelje disiplinore dhe në çdo rast është Kryetari i Këshillit të Emërimeve të Drejtësisë që ushtron kompetencat e parashikuara në këtë nen brenda 3 ditëve nga përfundimi i afatit të përcaktuar për Avokatin e Popullit në këtë ligj.

14. Në rastet e konfliktit të interesit, papajtueshmërisë ose heqjes dorë të anëtarit të komisionit, rregullimet ligjore të parashikuara në nenet 126 dhe 127, të këtij ligji, do të aplikohen për aq sa gjejnë zbatim.

15. Komisioni i shoqërisë civile kryen procedurë të përbashkët për verifikimin paraprak të dy kategorive të kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë në rast të krijimit të vendeve vakante për Këshillat në të njëjtën kohë.

Përmbajtja

      1. Qëllimi i kësaj norme është të parashikojë një sërë elementësh material dhe procedurialë të procesit të përzgjedhjes së kandidatëve. Kjo norme parashikon elementë detyrues si për kandidatët dhe për AiP në kuadër të këtij procesi.
      1. Kjo dispozitë e gjatë rregullon aspektet në vijim: 
      1. dokumentacionin minimal që duhet të paraqesin kandidatët;
      2. procedurat që ndiqen nga Avokati i Popullit (AiP) për regjistrimin e kandidatëve, verifikimin formal të dokumentacionit të paraqitur nga secili prej tyre si dhe dhënien e mundësisë për plotësimin e mangësive eventuale brenda një afati 5-ditor;
      3. procedurat që ndjek AiP për thirrjen dhe konstituimin e Komisionit të Shoqërisë Civile;
      4. konstituimin dhe zgjedhjen e kryetarit të këtij Komisioni;
      5. një dispozitë referuese te nenet 28-29 të këtij Ligji në lidhje me konfliktet e interesit, papajtueshmërinë dhe dorëheqjen e anëtarëve të Komisionit.
    • Pikat 3 dhe 4: dokumentacioni minimal i kandidatëve 

      1. Pika 3 saktëson listën e dokumenteve minimale (“të paktën”) që duhet t’i bashkangjiten shprehjes së interesit. Këto përfshijnë: jetëshkrimin e përditësuar; një platformë personale; tre formularë vetëdeklarimi në lidhje me respektimin e kërkesave ligjore për integritetin moral të kandidatit; dhe “çdo dokument tjetër që vërteton përmbushjen e kushteve ligjore” të nenit 152. Është përgjegjësia e cdo kandidati të bëjë kujdes që të vërtetojë në mënyrë të plotë, shkresore secilin prej kritereve që parashikon neni 152.

       

      1. Jetëshkrimi i përditësuar është i nevojshëm që t’i japë Komisionit mundësinë të krijojë një tablo të plotë të karrierës juridike të kandidatit dhe formimit të përgjithshëm. Është e këshillueshme që jetëshkrimi të ndjekë një strukturë kronologjike strikte, duke cilësuar me vite dhe muaj fillimin dhe mbarimin e çdo detyre, funksioni apo forme punësimi të kandidatëve gjatë gjithë karrierës së tyre. Kjo do të lehtësonte vlerësimin e kriterit të vjetërsisë në punë (15 vjet si jurist) dhe do të shmangte nevojën për sqarime të mëtejshme.

       

      1. Platforma personale u krijon kandidatëve mundësinë të shpalosin “qëllimet dhe objektivat që propozojnë të ndjekin” në rast se zgjidhen anëtarë të KLP-së. Natyrisht, si anëtar i një organi kolegjial të rregulluar imtësisht nga ligji, kandidati i zgjedhur do të kryejë detyra funksionale të detyrueshme. Megjithatë, duke pasur parasysh diskrecionin që gëzon KLP-ja për të zhvilluar politika dhe për të vendosur prioritete në fusha të ndryshme të sistemit të prokurorisë, platforma personale është një mjet i rëndësishëm për të vlerësuar njohjen e problematikave të sistemit nga ana e kandidatëve, si dhe gjykimin dhe kapacitetin e tyre analitik në lidhje me nevojat për përmirësime në administrimin e drejtësisë. Neni 132 i Ligjit i referohet drejtpërsëdrejti cilësisë së platformës personale.

       

      1. “Çdo dokument tjetër që vërteton përmbushjen e kushteve ligjore”: ndër të tjera, këtu përfshihen kopje të librezës së punës ose dokumentacion ekuivalent me të; të dhëna në lidhje me profilin profesional dhe shoqëror të kandidatit; si dhe dokumentacion që provon angazhimin konkret me organizata të shoqërisë civile, aktive në fushat relevante. Siç është theksuar më sipër (shih nenin 152), kandidatët që nuk kanë qenë të angazhuar me kohë të plotë në një apo më shumë OSHC gjatë 5 viteve të fundit kanë një barrë të posaçme për të bindur Komisionin për angazhimin e tyre real në shoqërinë civile, duke paraqitur dokumentacionin përkatës (produkte pune, kontrata shërbimi, pjesëmarrje në projekte/aktivitete etj).

       

      1. Megjithëse pika 3, gërma “dh” e nenit nuk i referohet shprehimisht kritereve të nenit 132 të Ligjit, kandidatët duhet t’i kenë ato parasysh në përgatitjen e dosjes së tyre sepse kjo është, në parim, e vetmja mundësi që mund të kenë për të provuar, në rrugë shkresore, meritat e tyre profesionale, morale dhe menaxheriale. Kështu, në dosje mund të përfshihen rezultatet e vlerësimit profesional dhe të studimeve, një listë e punimeve akademike dhe botimeve, trajnimet afatgjata brenda dhe jashtë vendit, rekomandime nga kolegët apo juristë të njohur, çertifikime për njohjen e gjuhëve të huaja, si dhe cdo element tjetër që përmendet në nenin 132 të Ligjit. Në veçanti, në rast se jetëshkrimi apo karriera e tyre përmban elementë potencialisht negativë (si p.sh. masa disiplinore), është në interes të kandidatëve të paraqesin informacion sa më të plotë shpjegues në lidhje me këto episode.

       

      1. Disa elementë të dosjes, si p.sh. kopjet e diplomave të studimeve universitare, duhet të jenë të noterizuara. Megjithatë, duke pasur parasysh volumin e dokumentacionit që duhet të paraqesin kandidatët dhe kostot e noterizimit në Shqipëri, noterizimi nuk duhet të jetë kusht absolut për çdo dokument të paraqitur jo në origjinal. Në fund të fundit, paraqitja e dokumentacionit të rremë ose të falsifikuar në këtë proces passjell përgjegjësi penale.

       

      Pikat 6-9: verifikimi fillestar nga Avokati i Popullit (AiP) 

      1. Në këtë proces, institucioni i Avokatit të Popullit luan një rol të rëndësishëm në mbështetje të Komisionit, duke kryer një verifikim të parë të plotësisë së dokumentacionit të çdo aplikanti dhe duke u dhënë këtyre të fundit një mundësi për plotësimin e mangësive në dosje, brenda një afati strikt prej 5 ditësh. Në fund të këtij verifikimi paraprak, AiP përgatit një raport me gjetjet e tij dhe ja paraqet Komisionit, së bashku me dosjet e plota të të gjithë kandidatëve.

       

      1. Kjo pjesë e procesit është e rëndësishme sepse vlerësimi i përmbushjes së kritereve ligjore nga ana e Komisionit bëhet, pothuaje ekskluzivisht, në bazë të dosjes së plotësuar brenda afatit (pika 7 e nenit). Pra Komisioni, në parim, vendos në bazë të dosjes në gjendjen që e merr atë, dhe ajo duhet të përmbajë të gjitha dokumentet bazë. Përjashtimisht, dhe në diskrecionin e tij të vetëm, Komisioni mund të kërkojë shpjegime shtesë në rast se dokumentacioni i një kandidati ka ndonjë element të paqartë, por pa cënuar trajtimin e barabartë të aplikantëve. Për shembull, në praktikën e tij Komisioni ka skualifikuar automatikisht aplikantët që nuk kanë paraqitur një diplomë të vlefshme, edhe pasi kjo u është vënë në dukje nga AiP. Në disa raste, p.sh. kur nuk ka qenë mjaftueshëm e qartë, nga dokumentacioni i dorëzuar, nëse kandidati plotëson kriterin sasior të vjetërsisë në profesion, janë kërkuar sqarime shtesë. Megjithatë, theksojmë se kjo mbetet në diskrecionin e Komisionit dhe kandidatët mund të shmangin risqet e kësaj natyre duke qenë sa më të kujdesshëm në përgatitjen e dosjes, duke pasur parasysh edhe formimin e tyre juridik.

       

      1. AiP organizon “një proces të hapur dhe publik” për verifikimin paraprak të kushteve dhe kritereve ligjore. Në pamje të parë, kjo dispozitë krijon një lloj mbivendosjeje me kompetencat e Komisionit, i cili është organi vendimmarrës në lidhje me të njëjtën çështje dhe për të cilën ai po ashtu kryen dëgjesa publike. Megjithatë, këtu duhet pasur parasysh se Komisioni, sipas ligjit (neni 155, pika 4), mund të thërrasë në dëgjesë publike vetëm kandidatët që plotësojnë “kriteret formale ligjore”. Si rrjedhim, mund të thuhet se funksioni kryesor i procesit publik të organizuar nga AiP është identifikimi dhe diskutimi i ndalesave ligjore (potenciale) apo mosplotësimit të kushteve ligjore nga kandidatë të caktuar, duke prodhuar indikacione me shumë vlerë për Komisionin (dhe pse jo të detyrueshme), në fazën që i paraprin dëgjesave publike të kandidatëve.

       

      1. Në takimet publike mund të diskutohen edhe meritat profesionale dhe morale të kandidatëve, pra aspekte që kanë të bëjnë me renditjen e tyre sipas nenit 132, por këto komente duhet të trajtohen me kujdes nga Komisioni për të shmangur “gjyqe në mungesë” dhe për të garantuar të drejtën e kandidatëve për t’u dëgjuar dhe për të paraqitur prapësimet e tyre në lidhje me informacione apo komente negative të të tretëve.

       

      Pikat 10-14: Konstituimi dhe funksionimi i Komisionit 

      1. AiP gjithashtu luan një rol të rëndësishëm facilitues në lidhje me konstituimin e Komisionit, duke filluar me thirrjen për shprehje interesi dhe verifikimin e kritereve nga organizatat aplikante. Duhet theksuar se ky Komision përbëhet nga persona juridikë, të cilët i ushtrojnë funksionet nëpërmjet përfaqsuesve të tyre ligjorë; këta të fundit veprojnë në emër të organizatës përkatëse dhe jo në cilësi individuale. Kriteret e zgjedhshmërisë janë të njëjta me ato të nenit 152, pika 1: organizatat aplikante duhet të jenë “të regjistruara sipas legjislacionit përkatës” dhe të kenë punuar “në fushën e sistemit të drejtësisë ose të të drejtave të njeriut dhe të kenë zbatuar projekte në këtë fushë në të paktën 5 vitet e fundit.”

       

      1. AiP ngarkohet nga ligji me verifikimin e plotësimit të kritereve nga organizatat aplikante. Dispozita nuk shprehet nëse vendimi i AiP është përfundimtar apo i ankimueshëm. Kjo mund të krijojë një masë pasigurie juridike në lidhje me zbatueshmërinë ose jo të rregullave të përgjithshme mbi ankimin e akteve administrative. Në aspekte të tjera të këtij kreu, Ligji 115/2016 parashikon rregullime të posaçme në lidhje me ankimet administrative (shih infra nenin 155, pika 3).

       

      1. AiP po ashtu thërret mbledhjen e parë për konstituimin e Komisionit, ku organizatat aplikante zgjedhin me votim të fshehtë, mes tyre, pesë organizatat anëtare të Komisionit. Në rastin e Komisionit të parë të krijuar në bazë të këtij ligji nuk pati votim për shkak se aplikuan vetëm pesë organizata. Kryetari i organit zgjidhet nga vetë Komisioni.

       

      1. Rregullat për konfliktin e interesit që parashikohen në nenin 126 dhe 127 të Ligjit për antarët e Komisionit të Pavarur ad hoc të avokatisë “aplikohen, për aq sa gjejnë zbatim,” edhe për Komisionin e Shoqërisë Civile. Megjithatë ka një dallim të rëndësishëm mes dy organeve: anëtarët e Komisionit të avokatisë zgjidhen, apo bëhen anëtarë ex officio, në cilësi individuale, ndërsa anëtarët e Komisionit të Shoqërisë Civile janë persona juridikë/institucionalë. Në parim, këta të fundit mund të shmangin konfliktet e interesit individuale (lidhje gjinie, marrëdhënie financiare, mosmarrëveshje personale etj) thjesht duke deleguar një person tjetër të përfaqësojë organizatën në Komision, si anëtar zëvendësues, në përputhje me nenin 154, pika 12. Por mund të ketë edhe rrethana konfliktesh institucionale (si p.sh. një mosmarrëveshje gjyqësore mes një kandidati dhe një prej organizatave anëtare) që bëjnë të nevojshëm zbatimin për analogji të normave mbi konfliktin e interesit. Në raste të tilla, përfaqsuesi i organizatës duhet “të mos marrë pjesë në diskutimin… dhe marrjen e vendimit për çështjen përkatëse”.

       

      1. Një tjetër situatë konflikti potencial, e paparashikuar në ligj, paraqitet kur një nga anëtarët e Komisionit ka mbështetur formalisht një nga kandidatët, në kuptimin e nenit 152, pika 4 të Ligjit. Megjithëse ky mund të mos jetë formalisht një konflikt interesi i ndaluar nga ligji, në praktikën e deritanishme Komisioni e ka trajtuar si të tillë, për të shmangur qoftë dhe aparencën e konfliktit dhe anshmërisë. Në këtë rast, anëtari në fjalë është tërhequr nga diskutimi dhe votimi mbi kandidaturën e mbështetur nga organizata përkatëse.

       

      1. Së fundmi, vihet re se, në rastin e Komisionit të Shoqërisë Civile, nuk kemi referencë te neni 128, i cili rregullon kërkesën për përjashtim të antarit të bërë nga vetë kandidatët si dhe mënyrën e zëvendësimit të tyre kur kërkesa pranohet (në rastin e Komisionit ad hoc të avokatisë). Sidoqoftë, rrethana të tilla mund të sillen në vëmendjen e secilit antar të Komisionit, dhe organi do të duhet të shqyrtojë pretendimin për konflikt.

       

      Pika 15: Konstituimi i Komisionit në rast përfundimi të parakohshëm të mandatit 

      1. Komisioni është organ ad hoc, i cili konstituohet sa herë që ka një vakancë në KLGJ apo në KLP për përfaqsues të shoqërisë civile. Sipas pikës 15 të këtij neni, Komisioni kryen procedurë të përbashkët për të dy organet në rast se vakancat në të dy këshillat krijohen në të njëjtën kohë. Me gjasë kjo do të jetë situata normale në rastet kur përfaqsuesit e shoqërisë civile përmbushin një mandat të plotë 5-vjeçar, duke qënë se organet fillestare po krijohen në procedurë të përbashkët të njëkohshme. Megjithatë, në kushtet e ndërprerjes së parakohshme të një mandati, për një nga shkaqet e parashikuara në Kushtetutë, Komisioni do të duhet të konstituohet në mënyrë të posacme për procesin e përzgjedhjes së një anëtari zëvendësues, për pjesën e mbetur të mandatit.

       

      1. Një interpretim alternativ do të ishte që organet parlamentare të zgjedhin një nga kandidatët e paraqitur apo të përzgjedhur gjatë procedurës së mëparshme, pa e rifilluar procesin nga pika zero; gjithmonë në rast se të paktën një nga kandidatët do të jetë i gatshëm të shërbejë si anëtar zëvendësues me mandat të pjesshëm. Sipas nenit 147/b, pika 3, të Kushtetutës, “kur vendi i anëtarit mbetet vakant, organi që ka emëruar anëtarin paraardhës, sipas nenit 147, emëron një anëtar të ri, i cili qëndron në detyrë deri në përfundimin e mandatit të anëtarit të larguar”. Megjithatë, as Kushtetuta dhe as ligji nuk e parashohin shprehimisht mundësinë e emërimit të përshpejtuar (pra nga lista e kandidatëve më të fundit), zgjidhje e cila nuk do të ishte e paarsyeshme, në interes të mbushjes sa më të shpejtë të vakancës. Për të bërë të mundur këtë alternativë do të ishte e këshillueshme një ndryshim apo shtesë eksplicite në ligj.
      1. Shih seksionin për kontekstin historik të nenit 152 të Ligjit.
    • Asnjë koment
  • Asnjë koment
    1. Materialet legjislative (të sipërcituara) nuk diskutojnë në detaje dispozitat e këtij neni.
    1. Aktet e mëposhtme janë relevante: 
    1. Kodi i Procedurave Administrative (sidomos në lidhje me ankimet administrative ndaj vendimeve të AiP)
    2. Ligji për funksionimin e organeve kolegjiale të administratës shtetërorë dhe enteve publike (nr. 8480, datë 27.5.1999)
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
Darian Pavli
Marsida Xhaferllari, Arta Vorpsi, Gent Ibrahimi, Alma Faskaj (Vokopola)