PËR ORGANET E QEVERISJES SË SISTEMIT TË DREJTËSISË   |   115/2016

Neni 240: Kriteret profesionale dhe morale për renditjen e kandidatëve

1. Këshilli bën renditjen e kandidatëve në bazë të meritave të tyre profesionale bazuar në:

a. rezultatet e vlerësimit profesional dhe të etikës të kandidatëve në punët që kanë bërë në të shkuarën, nëse ka, ose rezultatet e arritura gjatë përvojave të tyre të punës, që lidhen me ushtrimin e funksioneve në fushën përkatëse që lidhet me veprimtarinë e institucionit për të cilën kandidon;

b. vlerësimin e rëndësisë së punimeve akademike, studimeve shkencore, shkrimeve dhe ligjëratave profesionale, botimeve, si dhe pjesëmarrjen në aktivitete shkencore, pjesëmarrjen në procesin e hartimit ose të konsultimit të legjislacionit dhe çdo angazhim tjetër profesional të kandidatit përgjatë 5 viteve të fundit në fushën e së drejtës;

c. rezultatet gjatë studimeve në ciklet e arsimit të lartë;

ç. ecurinë në punë dhe pjesëmarrjen në trajnimet profesional dhe në kurse të tjera të certifikuara brenda dhe jashtë vendit.

2. Këshilli bën renditjen e kandidatëve në bazë të meritave të tyre morale bazuar në:

a. reputacionin që gëzon kandidati në shoqëri dhe midis kolegëve;

b. cilësitë morale, të tilla si ndershmëria, përpikëria në ushtrimin e detyrave, drejtësia në marrjen e vendimeve, përgjegjshmëria, besueshmëria, paanësia, dinjiteti dhe prirja për të marrë përsipër përgjegjësi;

c. angazhimi i provuar në ndjekje të kauzave të shoqërisë civile.

3. Këshilli bën renditjen e kandidatëve në bazë të meritave të tyre organizative, drejtuese dhe menaxheriale bazuar në:

a. cilësinë e platformës dhe të vizionit që paraqesin;

b. aftësitë e provuara për të marrë vendime dhe përgjegjësi bazuar në përvojat e mëparshme profesionale dhe shoqërore;

c. aftësitë e komunikimit;

ç. aftësitë e të punuarit në grup dhe në ambiente multidisiplinore ose multikulturore;

d. aftësitë e përfaqësimit publik.

4. Krahas kritereve të parashikuara në pikat 1, 2 dhe 3, të këtij neni, në vlerësimin e kandidatëve mbahen parasysh edhe:

a. mbajtja e titujve akademikë;

b. kryerja e studimeve dhe trajnimeve afatgjata jashtë vendit;

c. njohja e gjuhëve të huaja.

5. Këshilli interviston kandidatët dhe angazhon ekspertë për verifikimin e aftësive të tyre, sidomos për të verifikuar nivelin e zotërimit të gjuhëve të huaja.

6. Në zbatim të dispozitave të këtij kreu, Këshilli miraton rregulla për detajimin e mëtejshëm të kritereve dhe për të përcaktuar peshën specifike të tyre në renditjen e kandidatëve.

7. Në marrjen e vendimeve për renditjen e kandidatëve Këshilli vepron sipas kritereve të parashikuara në pikat 1 deri në 5, të këtij neni, dhe harton një raport ku arsyeton këtë renditje. 

Përmbajtja

      1. Kjo dispozitë ka si qëllim të japë disa standarde të vlerësimit të kritereve profesionale dhe morale të kandidatëve për anëtarë të GJK dhe për ILD, të cilat në fakt janë të parashikuara në ligje të tjera të posaçme ose në pjesë të tjera të këtij ligji.
      1. Neni ka 7 paragrafë/pika të cilat trajtojnë këto çështje: pika 1 lidhet me mënyrën e vlerësimit të kritereve profesionale të kandidatit, të cilat lidhen me përvojën që ai ka mbledhur nga detyrat që ka ushtruar më parë, duke i vlerësuar në kontekstin e funksionit që synon të marrë me anë të kandidimit, me aktivitetin akademik ose shkencor si lektor ose autor i botimeve të kësaj natyre, rezultatet e arsimit të lartë si dhe trajnimet e vazhdueshme profesionale. Kjo pikë lidhet edhe me pikën 4, e cila i referohet pasjes së titujve akademikë dhe kryerjen e studimeve afatgjata jashtë vendit apo njohjen e gjuhëve të huaja.

       

      1. Pika 2 lidhet me mënyrën se si vlerësohet integriteti moral i kandidatëve duke veçuar reputacionin që ka kandidati në rrethin e kolegëve por edhe jashtë tij, drejtësia dhe përgjegjshmëria në kryerjen e detyrave si dhe angazhimi në çështje me rëndësi shoqërore.

       

      1. Pika 3 lidhet me vlerësimin e aftësive menaxheriale dhe drejtuese, përvojat e mëparshme profesionale dhe shoqërore, aftësi të tjera si përfaqësimi në publik dhe puna në grup.

       

      1. Pika 4 i kushtohet vlerësimit të titujve akademikë dhe kryerjen e studimeve afatgjata jashtë vendit dhe njohjen e gjuhëve të huaja.

       

      1. Pikat 5, 6 dhe 7 lidhen me rregullime sa i takon mënyrës dhe procedurës që do të ndjekë Këshilli në vlerësimin e kritereve të renditura në pikat 1 deri në 4 të këtij neni.
    • Mënyra e vlerësimit të kriteret profesionale dhe morale

      1. Kjo dispozitë është mjaft e detajuar në mënyrën se si i ka renditur kriteret e parashikuara në mënyrë më të përgjithshme në dispozitat kushtetuese, konkretisht në nenin 125 të saj për gjyqtarët e GJK-së dhe në nenin 147/d për ILD-në. Neni 125 i Kushtetutës parashikon se kandidati për gjyqtar i GJK-së duhet të jetë jurist dhe të ketë përvojë jo më pak se 15 vjet si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor ose lektor i së drejtës, nëpunës i nivelit të lartë në administratën publike, me një veprimtari të spikatur në fushën e së drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose në sfera të tjera të së drejtës. Ndërsa neni 147/d për kandidatin për ILD parashikohet qenia jurist prej jo më pak se 15 vitesh dhe me integritet të lartë moral dhe profesional.

       

      1. Pra, vlerësimi i këtyre kritereve të përgjithshme të vendosura në rang kushtetues ligjvënësi i ka përkthyer në kritere më të detajuara me qëllim që ato të jenë të matshme dhe të bëjnë dallimin midis kandidaturave më të mira nga ato më pak cilësore ose edhe midis kandidaturave të të njëjtit nivel profesional, duke parashikuar cilësi të tilla që të mund të bëjnë dallimin edhe mes tyre. Megjithatë mundësia e matjes së të gjitha këtyre kritereve nuk është e lehtë duke patur parasysh se disa prej tyre mund të jenë disi të pazakonta në funksionin që mund të ketë pasur apo pritet të ketë. Të tilla p.sh mund të jenë aftësia e përfaqësimit publik, aftësia menaxheriale, drejtësia në marrjen e vendimeve në rastin kur ata nuk vijnë nga përvoja vendimmarrëse ose menaxheriale etj. Për këto arsye, Këshillit i lind detyrimi që të hartojë rregulla për vlerësimin e këtyre aftësive të veçanta, por edhe për kualifikimin profesional të mirëfilltë sipas kritereve të parashikuara në pikën 1 të këtij neni.

       

      Shmangia e mbivendosjes së kritereve profesionale dhe morale

      1. Megjithëse qëllimi i këtij neni është të përcaktojë kriteret bazë për renditjen e kandidatëve nga ana e Këshillit duke e bërë këtë të fundit një organ seleksionues paraprak të kandidatëve për anëtarë të GJK-së dhe ILD-së, vihet re se kjo dispozitë mund të krijojë një mbivendosje midis kritereve profesionale dhe morale të parashikuara specifikisht në ligje të tjera.

       

      1. Konkretisht, kriteret e detajuara profesionale dhe morale si dhe kushtet ligjore për të qenë anëtar i GJK-së janë të parashikuara në nenin 7/a të ligjit për GJK (përveçse në nenin 125 të Kushtetutës), ndërsa kriteret e detajuara për ILD-në janë të parashikuara në nenin 199 të ligjit për qeverisjen e sistemit të drejtësisë. Nisur nga ky fakt, neni 240 i ligjit për qeverisjen duhet parë në funksion të këtyre dispozitave të posaçme me qëllim vlerësimin e tyre sa më objektiv për çdo kandidat për GJK-së ose ILD-së, në rast të kundërt do të krijojë mbivendosje ose shmangie në raste të caktuara të disa kritereve specifike që lidhen me natyrën e funksionit që ushtron anëtari i GJK-së ose ILD-ja.

       

      1. Pra, referimi për kriteret dhe kushtet profesionale dhe morale për anëtarin e GJK-së janë ato të parashikuara në nenin 7/a të ligjit organik të GJK-së, i cili në pikën 3 të tij jep edhe mënyrën e vlerësimit të kritereve që parashikohen në pikën 1 dhe 2 të nenit 7/a. Më tej në nenet 7/b, 7/c dhe 7/d ndiqet e njëjta logjikë duke parashikuar edhe procedurën konkrete që ndjek KED-ja në vlerësimin e kandidatëve dhe renditjen e tyre. Në këto kushte, nisur nga fakti se ligji organik i GJK-së është ligj i posaçëm që rregullon procedurën e emërimit/zgjedhjes së anëtarëve të GJK-së, KED-ja, në rast të renditjes së kandidatëve për anëtarë të GJK-së duhe t’i referohet ligjit të parë, pra ligjit organik të GJK-së së pari dhe më pas, në rast nevoje mund t’i referohet edhe ligjit të qeverisjes, për sa kohe nuk bie ndesh me të parin. Ky qëndrim bazohet edhe tek neni 237 pika 1 e ligjit të qeverisjes ku parashikohet se KED-ja kryen verifikimin e kushteve ligjore të parashikuara në ligjin për GJK-në. Pra, siç shihet ligjvënësi i ka dhënë ligjit të posaçëm organik të GJK-së përparësi në zbatim. Ndërsa në rastin e renditjes së kandidatëve për ILD-në, neni 240 duhet të zbatohet duke mbajtur parasysh kriteret e parashikuara në nenin 199 të po këtij ligji, pasi këto janë dispozitat konkrete që rregullojnë këtë çështje.
      1. Kjo dispozitë u miratua me qëllim që të krijojë bazën e duhur ligjore për funksionimin e KED-së. Një nga gjetjet e Analizës së Sistemit të Drejtësisë, ishte edhe mungesa e kritereve të detajuara profesionale mbështetur në mëritë me qëllim emërimin e juristëve më të mirë në gjykatat më të larta të vendit. KED-ja megjithëse u parashikua për herë të parë në dispozitat kushtetuese të miratuara në korrik të vitit 2016, nuk është një organ i ri, pavarësisht se nuk arriti të jetë funksional. Ai u prezantua për herë të parë me anë të ndryshimeve ligjore që iu bënë ligjit për GJL me qëllim për të vlerësuar paraprakisht nëse kandidatët për anëtarë të GJL, plotësonin kriteret profesionale dhe sipas pikëzimit që do të merrnin, do të renditeshin duke shërbyer si orientim për Kuvendin gjatë procesit të zgjedhjes së tyre.[1] Megjithatë de facto, KED e krijuar me këtë ligj nuk arriti të jepte ndonjë impakt, pasi procesi i emërimit të gjyqtarëve të rinj në GJL nuk arriti të kryhej. Për këtë arsye, në ligjin për qeverisjen, përveçse u parashikuan detaje të hollësishme për funksionimin e KED-së, gjithashtu ligjvënësi parashikoi dhe kritere të tjera, përveç atyre minimale që u përfshinë në Kushtetutë, me qëllim që të përzgjidhen njerëzit më të përgatitur profesionalisht për t’u emëruar në GJK dhe në ILD.

       

      [1] Ligji nr.177/2014 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8588/2000 Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë.”

    • Asnjë koment
    1. Standardet ndërkombëtare të ndjekura në hartimin e kësaj dispozite janë kryesisht ato të përcaktuara nga Komisioni i Venecias në opinionet e dhëna prej saj në lidhje me parashikime të ngjashme të vendeve anëtare të Këshillit të Europës. Këto standarde kanë pasur si qëllim që të përcaktojnë disa kritere minimale profesionale me qëllim për të orientuar organet politike në zgjedhjen/emërimin e organeve kushtetuese ose ligjore të sistemit të drejtësisë. Kryerja e një vlerësimi paraprak profesional dhe moral si dhe renditja në bazë të këtij vlerësimi është konsideruar si mundësi për të ulur rrezikun e ndikimit politik në zgjedhjen e organeve të gjyqësorit.[1]

     

    [1] Shih pg.16, 24, 38 të Opinionit CDL(2016)002, datë 26 shkurt 2016 të Komisionit të Venecias.

    1. Dokumenti analitik i reformës në drejtësi, shih për më shumë

     http://reformanedrejtesi.al/sites/default/files/dokumenti_shqip.pdf. Fq.25-26.

    1. Procesverbali i diskutimit të ligjit për qeverisjen, shih për më shumë:

    http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/290616relacion-qeverisja-e-gjyqesorit_0.pdf. Fq.6, 11.

    1. Nenet 125 dhe 149/d të Kushtetutës; Nenet 7/a, 7/b, 7/c dhe 7/d i ligjit për GJK-në; neni 199 i ligjit për qeverisjen.
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Ligji nr.177/2014 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8588/2000 Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë”, i shfuqizuar.

Arta Vorpsi
Marsida Xhaferllari, Arta Vorpsi, Gent Ibrahimi, Alma Faskaj (Vokopola)