1. Komisioni i shoqërisë civile për verifikimin paraprak verifikon nëse kandidatët e shoqërisë civile për anëtar të Këshillit të Lartë Gjyqësor i plotësojnë kushtet dhe kriteret ligjore, sipas parashikimeve ligjore të nenit 54 të këtij ligji.
2. Me përfundimin e procedurës së verifikimit paraprak, komisioni i shoqërisë civile bën menjëherë publike emrat e kandidatëve që plotësojnë kushtet ligjore për të qenë anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor në faqen zyrtare të Avokatit të Popullit dhe atë të Kuvendit. Komisioni i shoqërisë civile u komunikon individualisht kandidatëve, rezultatin e verifikimit të plotësimit ose jo të kushteve ligjore, si dhe shkaqet e përjashtimit të tyre.
3. Ankimet kundër vendimit për përjashtimin e kandidatëve vetëm për shkelje të rënda proeduriale bëhen në Gjykatën Administrative të Apelit jo më vonë se 5 ditë nga dita e njoftimit të vendimit të kontestuar. Gjykata Administrative e Apelit vendos brenda 7 ditëve nga dita e dorëzimit të ankimit. Vendimi i saj është përfundimtar dhe i formës së prerë. Ankimi nuk pezullon zhvillimin e procedurës së vlerësimit dhe të verifikimit paraprak të kryer nga komisioni i shoqërisë civile, sipas këtij neni.
4. Komisioni i shoqërisë civile bën verifikimin paraprak të kritereve profesionale dhe morale të kandidatëve dhe i rendit në listë, sipas parashikimeve të nenit 34, të këtij ligji. Komisioni i shoqërisë civile organizon seancë publike me secilin kandidat që plotëson kriteret formale ligjore. Kandidatët nëpërmjet seancës publike shpalosin platformën e tyre. Procesi i dëgjesave publike është i hapur për mediat dhe të gjithë vëzhguesit e tjerë që shprehin interes për të ndjekur procesin.
5. Anëtarët e komisionit të shoqërisë civile votojnë në mënyrë individuale dhe të fshehtë për mënyrën e renditjes së kandidatëve.
6. Komisioni i shoqërisë civile e ushtron veprimtarinë e tij në mënyrë kolegjiale, sipas rregullave dhe procedurave të parashikuara në legjislacionin për organizimin dhe funksionimin e organeve kolegjiale për aq sa nuk është parashikuar ndryshe në këtë ligj.