PËR ORGANET E QEVERISJES SË SISTEMIT TË DREJTËSISË   |   115/2016

Neni 78: Sekretari i Përgjithshëm

1. Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Lartë Gjyqësor është funksionari më i lartë administrativ i Këshillit.

2. Sekretari i Përgjithshëm rekrutohet sipas procedurave të parashikuara në ligjin “Për nëpunësin civil”.

3. Drejtuesi i njësisë për çështje të përgjithshme juridike zëvendëson Sekretarin e Përgjithshëm në rastet e mungesës ose pamundësisë së përkohshme të këtij të fundit.

4. Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit ose zëvendësuesi i tij kanë të drejtë të njihen me çdo dokument që shqyrtohet nga mbledhjet e komisioneve ose nga mbledhja e Këshillit, të marrin pjesë, pa të drejtë vote, në mbledhjet e komisioneve ose në mbledhjen e Këshillit, si dhe të propozojnë futjen e çështjeve që lidhen me aspekte administrative dhe të personelit në agjendat e tyre.

Përmbajtja

      1. Qëllimi i të gjithë Kreut II të Pjesës II “Këshilli i Lartë Gjyqësor” i Ligjit për Qeverisjen, ku bën pjesë edhe neni 78, është rregullimi me ligj i mënyrës së organizimit dhe funksionimit të KLGj-së, duke plotësuar parashikimet kushtetuese të neneve 147 pika 1 dhe 147/a pika 1 të Kushtetutës. Konkretisht, në nenin 147 pika 1 parashikohet misioni i KLGJ-së, i cili fokusohet tek sigurimi i pavarësisë, përgjegjshmërisë dhe mbarëvajtjes së pushtetit gjyqësor. Ndërsa në nenin 147/a pika 1 parashikohen në mënyrë më të detajuar funksionet e KLGJ-së. Ky rol i rëndësishëm kushtetues, i cili përbën thelbin e funksionit të KLGJ-së, nuk do të mund të realizohej nëse ligjvënësi nuk do të kishte autorizuar nëpërmjet dispozitave përkatëse pavarësinë organizative, funksionale dhe financiare të KLGJ-së me qëllim realizimin e misionit të tij. Në këtë kuadër, qëllimi i Seksionit 4 (Organizimi i administratës së KLGJ-së) është detajimi ligjor i rregullave lidhur me organizimin administrativ të Këshillit.

       

      1. Për sa i takon specifikisht nenit 78 të ligjit, qëllimi i tij është njohja e autoritetit më të lartë administrativ brenda Këshillit. Si i tillë ai gjen rregullim në ligjin organik të Këshillit duke i njohur edhe disa prej kompetencave që ai ka dhe të rolit që ai luan në drejtimin e personelit administrativ të Këshillit.
      1. Neni 78 (Sekretari i Përgjithshëm) bën pjesë në Seksionin 4 (Organizimi i administratës së KLGJ-së), si pjesë e Kreut II (Organizimi dhe Mbledhja e KLGJ-së) të Pjesës II të Ligjit për Qeverisjen. Ky seksion përbëhet nga 4 nene që parashikojnë në mënyrë specifike: administratën e Këshillit (neni 77), Sekretarin e Përgjithshëm (neni 78), organizimin e administratës së Këshillit (neni 79) dhe konfliktin e interesave (neni 80). Pasi neni 77 na prezanton fillimisht me konceptin e administratës së Këshillit, pra si formohet ajo, nga cilët nëpunës/zyrtarë/punonjës përbëhet, si rregullohet statusi i tyre, si dhe varësia administrative e tyre, ligjvënësi ia kushton nenin 78 vetëm sekretarit të përgjithshëm.

       

      1. Neni 78 ka 4 pika, ku në pikën 1 ligjvënësi parashikon sekretarin e përgjithshëm si funksionarin më të lartë administrativ të Këshillit. Ndërsa në pikën 2 ligjvënësi bën referencë tek ligji për nëpunësin civil për sa i takon rekrutimit të tij. Pika 3 i njeh të drejtën drejtuesit të një prej njësive administrative të Këshillit (drejtuesit të njësisë për çështje të përgjithshme juridike), të zëvendësojë sekretarin e përgjithshëm, në rast mungese ose pamundësie të këtij të fundit. Pika 4 parashikon disa kompetenca ligjore të Sekretarit të Përgjithshëm (si dhe zëvendësuesit të tij) si p.sh. të njihet me çdo dokument që hartohet nga mbledhja plenare ose komisionet e Këshillit, si dhe të propozojë futjen e çështjeve që lidhen me administratën dhe personelin në rendin e ditës së mbledhjeve përkatëse. Ai, ashtu si dhe nëpunësit e tjerë civilë të administratës, kanë të drejtë të marrin pjesë në këto mbledhje pa të drejtë vote por mund të ushtrojnë të drejtën e fjalës.

       

      1. Nga pikëpamja e përmbajtjes, neni 78 është me karakter formal administrativ, pasi prezanton funksionarin më të lartë të administratës së Këshillit, së bashku me disa nga kompetencat e tij më të rëndësishme.
      1. Është e rëndësishme të kuptohet se përse ligjvënësi i ka kushtuar 4 nene vetëm administratës së Këshillit, i cili si organ kushtetues i pavarur mund t’i kishte rregulluar me akte të brendshme çështjet e organizimit administrativ. Shpjegimi për këtë fakt duhet kërkuar që tek dispozitat kushtetuese, pavarësisht se ato nuk shprehen për çështje të organizimit administrativ për ndonjë organ specifik. Kushtetuta parashikon krijimin e organeve të rëndësishme, në ushtrimin e funksioneve të tyre kushtetuese, gëzojnë pavarësi që garantohet me dispozita të veçanta të Kushtetutës. Ide qendrore mbetet shpërndarja e pushtetit shtetëror në disa organe apo mekanizma qendrorë kushtetues, të cilët e ushtrojnë atë në mënyrë të pavarur, por duke krijuar gjithnjë mundësinë që secili prej tyre të kontrollohet në mënyrë reciproke. Një zgjidhje e këtillë është veçanërisht e rëndësishme dhe e domosdoshme në regjimin parlamentar të qeverisjes.

       

      1. KLGJ (neni 147 dhe 147/a) është një prej këtyre organeve dhe dispozitat kushtetuese përkatëse sanksionojnë pavarësinë, ndikimet apo ndërhyrjet e mundshme të degëve të tjera të pushtetit, të cilat mund të cenojnë veprimtarinë e tyre në ushtrimin e funksioneve kushtetuese përkatëse. Një nga mjetet më të rëndësishme për mbrojtjen e pavarësisë së organeve apo institucioneve kushtetuese është veçanërisht përcaktimi i saktë i mekanizmave dhe procedurave për zgjedhjen, emërimin dhe sidomos shkarkimin e drejtuesve apo anëtarëve të tyre. Por jo vetëm kaq, në funksion të garantimit të pavarësisë së organeve dhe institucioneve kushtetuese shprehen edhe deklarimet e neneve 6 dhe 81, pika 2, shkronja “a” të Kushtetutës. Sipas nenit 6, “Organizimi dhe funksionimi i organeve të parashikuara në këtë Kushtetutë rregullohen me ligjet e tyre përkatëse…”, ndërsa në nenin 81, pika 2, shkronja “a” theksohet, ndër të tjera, se ligjet për organizimin dhe funksionimin e institucioneve të parashikuara nga Kushtetuta duhet të miratohen me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Pavarësia funksionale e organeve dhe institucioneve kushtetuese është e lidhur ngushtësisht me përmbajtjen e veprimtarisë që këto realizojnë, e cila rregullohet drejtpërsëdrejti dhe e ka themelin e vet në dispozitat përkatëse kushtetuese. Në përputhje me detyrat që i ka ngarkuar Kushtetuta, secili prej tyre është i pajisur me pushtet të mjaftueshëm që i jep atij mundësinë të marrë vendime në mënyrë të lirë e të pavarur.

       

      1. Nisur nga ky interpretim kushtetues, është ligji organik i vetë institucionit kushtetues, siç është KLGJ-ja që përcakton rregullat e zbatueshme për administratën e tij. Për këtë arsye, ligjvënësi menjëherë pas nenit 77 që prezanton përbërjen e administratës dhe drejtimin e saj nga Kryetari i Këshillit, ka parashikuar funksionarin më të lartë të administratës që është sekretari i përgjithshëm. Duke qenë se ligji për nëpunësin civil ka rregulla mjaft të detajuara për këtë funksionar, si dhe duke qenë se qëllim i ligjvënësit ka qenë të unifikojë për aq sa është e mundur zbatimin e rregullave të njëjta, edhe neni 78 i referohet rregullave të atij ligji. Megjithatë bie në sy se referimi tek ligji për nëpunësin civil është vetëm për rekrutimin, ndërsa për aspekte të tjera, si masat disiplinore, shkarkimi apo detyrat kryesore që ai ka në ngarkim, nuk është bërë referencë. Kuptohet që ligjvënësi ka preferuar t’ia lërë në kompetencë vetë Këshillit t’i rregullojë me aktet e tij të brendshme për aq sa nuk bien ndesh me ligjin për nëpunësin civil.

       

      1. Në Kreun III të Pjesës II të Ligjit për Qeverisjen, janë parashikuar funksionet e Këshillit, që fillojnë me nenin 81 (planifikimin strategjik), nenin 82 bashkë me nenin 87 (raportimi publik dhe qëndrimet publike), nenin 83 (etikën gjyqësore), nenin 86 (zhvillimin e karrierës dhe disiplinës), neni 88 (trajnimi vazhdues i gjyqtarëve), neni 92 (sistemi elektronik i teknologjisë së informacionit), nenet 95 dhe 96 (buxheti i Këshillit dhe i gjykatave dhe zbatimi i tij). Pra, nisur nga këto parashikime rezulton se për secilën grup kompetencash/funksionesh të KLGJ-së duhet të ketë të paktën një njësi administrative që do të ketë për detyrë të ndjekë realizimin e kompetencave për secilën prej tyre. Si rrjedhojë, sekretari i përgjithshëm, si funksionari më i lartë administrativ ka për detyrë të ndjekë funksionimin si duhet të të gjitha këtyre njësive. Për realizimin sa më efikas të kësaj detyre, atij i është njohur e drejta madje të marrë pjesë në mbledhjet plenare ose të komisioneve përkatëse, megjithëse ato parimisht janë konfidenciale. Në rast mungese të tij, ai zëvendësohet në kompetenca nga drejtuesi i njësisë për çështje të përgjithshme juridike. Të dy këta nëpunës kanë të drejtë të marrin edhe fjalën gjatë mbledhjeve, por nuk kanë të drejtë vote. Është e kuptueshme se si funksionari më i lartë, sekretari i përgjithshëm duhet të jetë në dijeni të të gjitha problemeve me të cilat përballet administrata e Këshillit gjatë ushtrimit të detyrave që rrjedhin prej këtij ligji, prandaj ai konsiderohet edhe si ura lidhëse midis saj dhe Këshillit, pavarësisht faktit se administrata është në varësi të Këshillit dhe raporton rregullisht para tij (shih komentin e nenit 77).
      1. Konteksti historik në të cilin është miratuar dispozita – por në fakt në tërësi ligji - është ai i reformës së thellë kushtetuese e ligjore të sistemit të drejtësisë të vitit 2016. Dispozita që komentohet është zbërthim indirekt i nenit 147 dhe 147/a të Kushtetutës. Vlen të përmendet se reforma në drejtësi (në kuadrin e të cilës u miratua ligji për organet e qeverisjes të sistemit të drejtësisë) u parapari nga dy dokumente të rëndësishëm strategjikë: (i) Dokumenti Analitik i Sistemit të Drejtësisë[1]; dhe (ii) Strategjia e Reformës në Drejtësi[2]. Këto dokumente të rëndësishme, që u miratuan nga Komisioni i Posaçëm Ad Hoc për Reformën në Drejtësi, përcaktuan problemet e sistemit dhe drejtimet që do të ndiqte reforma për t’i adresuar ato. Në fushën e qeverisjes së sistemit gjyqësor, dhe më konkretisht në lidhje me mënyrën e funksionimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë/KLD (organi pararendës i KLGJ), si organi kryesor i vetëqeverisjes së gjyqësorit, Dokumenti Analitik identifikoi problemet e mëposhtme: mospasja e rregullave më të qarta për paraqitjen e raporteve periodike dhe publike, të cilat në mënyrë transparente tregojnë parimet mbi të cilat KLD-ja kryen funksionet dhe veprimtarinë e tij; pavarësisht ndryshimeve që i janë bërë ligjit për KLD-në, vërehet se KLD-ja ka një rol të kufizuar në fusha të rëndësishme të mirëqeverisjes së pushtetit gjyqësor; Anëtarët e KLD-së janë thjesht anëtarë me votë por nuk marrin pjesë në hartimin e akteve të tij; procesi i hartimit të vendimeve të KLD-së nuk përfshin të gjithë anëtarët e tij. Për më tepër, duket të jetë praktikë që vendimet të merren edhe jashtë seancave plenare ose me anë të vendimeve qarkore, në të cilat nuk janë të përfshirë të gjithë anëtarët. Mungojnë komisionet, si struktura të brendshme, për shqyrtimin dhe vendimmarrjen për çështje të caktuara; Ligji për KLD-në ka mangësi në organizimin e punës, konkretisht në mungesën e komisioneve/komiteteve që kanë lidhje me funksionet kryesore të KLD-së, përkatësisht lidhur me disiplinën, emërimet, vlerësimin dhe çështje të tjera që janë në kompetencë ekskluzive të Këshillit. Në praktikë KLD-ja e siguron funksionimin e saj duke krijuar grupe pune, të cilat nuk kanë kompetenca vendimmarrëse.

       

      [1] Vendimi nr. 14, datë 30.07.2015 i Komisionit Parlamentar për Reformën në Drejtësi

      [2] Vendimi nr. 15, datë 30.07.2015 i Komisionit Parlamentar për Reformën në Drejtësi

      1. E drejta ndërkombëtare e detyrueshme për Republikën e Shqipërisë nuk përmban dispozita që të jenë drejtpërsëdrejti relevante për mënyrën e organizimit të administratës publike, por mbetet e rëndësishme që çështje që lidhen me administratën publike në tërësi dhe me administratën gjyqësore apo magjistratët në funksione administrative në veçanti të jenë ekskluzivitet i organeve që administrojnë gjyqësorin dhe të respektojë parimet e përgjithshme kushtetuese dhe ato të së drejtës administrative.
    1. Si standarde mund të përmenden rekomandimet për krijimin e një organi të pavarur me kompetenca të gjera në fushën e statusit të magjistratëve. Kështu, Rekomandimi i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës Nr. R (94) 12, për pavarësinë, efiçencën dhe rolin e gjyqtarëve, Parimi VI (3), thotë se “Shtetet duhet të konsiderojnë ngritjen me ligj të një organi të posaçëm përgjegjës për vendosjen e masave dhe sanksioneve disiplinore [ndaj gjyqtarëve]... ”. Më tej, Karta Europiane për Statusin e Gjyqtarëve, e miratuar nga Këshilli Konsultativ i Gjyqtarëve Europianë (KKGjE) thekson se ky rol (roli i përmendur më lart) duhet t’i besohet një “autoriteteti të pavarur”[1].

     

    1. Ndërsa në opinionin e ndërmjetëm Komisioni i Venecias mbështeti idenë për t’i dhënë KLGJ-së të gjitha funksionet thelbësore për menaxhimin e çështjeve që lidhen me gjyqësorin, duke krijuar edhe nënstrukturat e tjera të nevojshme për kryerjen e këtyre funksioneve.[2]

     

    [1] Shih https://wcd.coe.int/ViewDoc.jsp?p=&id=1766485&direct=true Parimi 5.1

    [2] Shih Interim Opinion on the Draft Constitutional Amendments on the Judiciary in Albania, pg.56 http://www.venice.coe.int/webforms/documents/default.aspx?pdffile=CDL-AD(2015)045-e.

    1. Materialet legjislative kryesore janë: (i) raporti që shoqëron projekt ligjin për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë[1]; dhe (ii) procesverbalet e mbledhjeve të Komisionit të Posacëm Parlamentar, të datave 14, 19 dhe 20 shtator 2016, në të cilat u shqyrtua projektligji në fjalë.[2]

     

    [1] Shih Raporti i Komisionit Përgjegjës

    [2] Shih http://www.reformanedrejtesi.al/procesverbale

    • Nenet 147 dhe 147/a të Kushtetutës;
    • Nenet 77, 79, 81-96 të ligjit nr.115/2016;
    • Ligji Nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil”, i ndryshuar.
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
    1. Materiale relevante në lidhje me nevojën për ristrukturimin e organeve qeverisëse si dhe zgjidhjet e propozuara janë Dokumenti Analitik dhe Dokumenti Strategjik i Reformës në Sistemin e Drejtësisë, të miratuara nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar.[1]

     

    [1] Shih http://reformanedrejtesi.al/dokumenti-analitik dhe http://reformanedrejtesi.al/dokumenti-strategjik-dhe-plani-i-veprimit.

    1. Ligji Nr. 8811, datë 17.5.2001 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, i ndryshuar.
Arta Vorpsi
Marsida Xhaferllari, Arta Vorpsi, Gent Ibrahimi, Alma Faskaj (Vokopola)