1"Përpara emërimit, kandidatët për gjyqtarë dhe pozicione të tjera në gjykatat kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, kandidatët për prokurorë dhe pozicione të tjera në Prokurorinë e Posaçme, kandidatët për drejtor, zëvendësdrejtor, hetues, oficer të shërbimeve të Policisë Gjyqësore dhe pozicione të tjera në Byronë Kombëtare të Hetimit firmosin deklaratën përkatëse me shkrim për heqjen dorë nga e drejta e tyre për pritshmëri për privatësi (jetë private) në telekomunikimet e tyre dhe në të dhënat financiare, të dhënë në shtojcat B1 e B2 të këtij ligji. Kjo deklaratë firmoset përpara se ata të caktohen me detyrë apo të punësohen. "
2"Anëtarët e afërt të familjeve të personave të përmendur në pikën 1 gjithashtu firmosin deklaratën përkatëse për heqjen dorë nga të drejtat, të dhënë në shtojcën B3 të këtij ligji, si tregues se i kuptojnë kushtet. "
3"Pas caktimit në detyrë apo punësimit, gjyqtarët dhe pozicionet e tjera në gjykatat kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, prokurorët dhe pozicionet e tjera në Prokurorinë e Posaçme, drejtori, zëvendësdrejtori, hetues, oficerë të shërbimeve të Policisë Gjyqësore dhe pozicione të tjera në Byronë Kombëtare të Hetimit kanë nga një telefon celular, adresë poste elektronike dhe numër telefoni të dhënë nga gjykatat kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar apo organet e strukturës së posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe bien dakord të përdorin vetëm ato numra telefoni dhe adresa poste elektronike. Ata nuk lejohen të përdorin asnjë formë tjetër komunikimi elektronik. Numri i telefonit dhe adresa e postës elektronike i nënshtrohen kontrollit periodik nga oficeri përgjegjës i Byrosë Kombëtare të Hetimit. "
4"Gjyqtarët dhe pozicionet e tjera në gjykatat kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, prokurorët dhe pozicionet e tjera në Prokurorinë e Posaçme, drejtori, zëvendësdrejtori, hetuesit, oficerët e shërbimeve të Policisë Gjyqësore dhe pozicione të tjera në Byronë Kombëtare të Hetimit plotësojnë dhe nënshkruajnë deklaratën mbi llogaritë e tyre financiare, si dhe ato të anëtarëve të afërt të familjeve të tyre, të dhënë në shtojcën C të këtij ligji. Deklarata dorëzohet tek oficeri përgjegjës i Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave. Llogaritë financiare i nënshtrohen kontrollit periodik nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave. Të gjitha llogaritë e reja deklarohen brenda 3 ditëve. "