"PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË "   |   96/2016

Neni 121: Shqyrtimi fillestar dhe vlerësimi i ankesës

1Inspektori i Lartë i Drejtësisë shqyrton fillimisht nëse ankesa është ose jo e pranueshme.

2Pas shqyrtimit fillestar të ankesës, Inspektori i Lartë i Drejtësisë vendos:

atë arkivojë ankesën, pasi nuk përmbush një ose më shumë kritere të parashikuara në pikën 1, të nenit 120, të këtij ligji;

btë verifikojë ankesën;

ctë fillojë hetimin.

3Në rastin kur vendoset të arkivohet ankesa, vendimi për arkivimin i njoftohet ankuesit dhe magjistratit brenda afatit të parashikuar në pikën 4, të nenit 119, të këtij ligji. Ankuesi ka të drejtë të ankimojnë këtë vendim në Këshill, brenda një jave nga data e marrjes së vendimit të arsyetuar.

Përmbajtja

      1. Qëllimi i nenit 121 është të përcaktojë diskrecionin e ILD-së në fazën e shqyrtimit paraprak të ankesës së bërë sipas nenit 119 dhe 120, në funksion të sigurisë juridike në vendimmarrje dhe ligjshmërisë. Ligjvënësi ka synuar përcaktimin shterues të vendimmarrjes së ILD-së në këtë fazë si dhe garantimin e të drejtave procedurale të ankuesit, në raport me vendimin e ILD-së, sipas rastit.
      1. Neni 121 bën pjesë në kreun II “Procedurat hetimore”, i cili është përfshirë në pjesën V për “Përgjegjësinë disiplinore, civile dhe penale” të magjistratit. Kjo dispozitë vjen e renditur pas neneve që parashikojnë aspekte të tjera të procedurës hetimore me qëllim vërtetimin e shkeljes së pretenduar nga magjistrati. Konkretisht, në këtë kre janë parashikuar afatet e parashkrimit (neni 117), afatet e procedimit nga ana e ILD-së (neni 118), subjektet që paraqesin ankesat (neni 119), kritereve të nevojshme me qëllim fillimin e hetimeve (neni 120), i ndjekur nga faza e shqyrtimit paraprak të ankesës nga ILD-ja.

       

      1. Struktura e vetë nenit 121 është e thjeshtë, përbëhet nga 3 pika, ku në pikën e parë është parashikuar kompetenca e ILD-së për të vlerësuar pranueshmërinë e ankesës. Në pikën e dytë parashikohen 3 llojet e vendimeve që mund të marrë ILD-ja, pasi ka shqyrtuar pranueshmërinë e ankesës. Ndërsa në pikën 3 parashikohet e drejta e ankuesit dhe e magjistratit për t’u njohur me vendimin e arkivimit dhe gjithashtu e drejta e ankimit të ankuesit ndaj vendimit të arkivimit.

       

      1. Lidhur me subjektet që përfshihen në fushën e veprimit të nenit 121, mund të thuhet se ai i kundrejtohet ILD-së, i cili është organi përgjegjës për shqyrtimin paraprak dhe në themel të ankesave të paraqitura sipas nenit 119 të Ligjit për Statusin si dhe nenit 194 të ligjit për organet e qeverisjes së gjyqësorit. Gjithashtu, dispozita i drejtohet edhe subjekteve që kanë të drejtë të paraqesin ankesa, konkretisht çdo personi fizik ose juridik[1], si dhe disa organeve publike: ministrit të Drejtësisë, anëtarit të Këshillave dhe kryetarit të gjykatës ose prokurorisë[2]. Vlen të përmendet se në një nga llojet e vendimmarrjes së ILD-së, konkretisht kur vendos arkivimin e ankesës, dispozita i drejtohet edhe magjistratit, i cili ka të drejtë të vihet në dijeni për këtë vendim (pika 3). Rastet e njoftimit të magjistratit kur ILD-ja fillon shqyrtimin e ankesës parashikohet shprehimisht në nenin 123, pika 3 të ligjit.

       

      1. Llojet e vendimeve të ILD-së gjatë shqyrtimit paraprak

       

      1. Pasi ILD-së i është paraqitur një ankesë dhe ai ka vënë në dijeni ankuesin për marrjen dhe regjistrimin e ankesës brenda 5 ditëve (neni 119, pika 4), ILD fillon shqyrtimin paraprak të ankesës duke verifikuar nëse ajo i përmbush kriteret e parashikuara në nenin 120 të ligjit (shih komentin e nenit 120). Nëse ato janë respektuar, atëherë ILD-ja vendos shqyrtimin e mëtejshëm të saj nga pikëpamja e bazueshmërisë së fakteve dhe rrethanave të pretenduara nga ankuesi. Pra, ILD-ja në këtë rast fillon hetimin (pika 2, shkronja “c”). Në rast se njëra ose disa nga kriteret e parashikuara në nenin 120 nuk janë respektuar, atëherë ILD-ja vendos të arkivojë ankesën (pika 2, shkronja “a”). Përveç këtyre dy rasteve ekziston edhe një mundësi tjetër vendimmarrje e ILD-së që është verifikimi i ankesës, kur ka informacion të paqartë apo të paplotë në përmbajtjen e ankesës dhe një plotësim i tij do të mund të çonte në fillimin e hetimit nga ana e ILD-së (pika 2, shkronja “b”). Mënyrat dhe procedura me anë të të cilave bëhet verifikimi i ankesës është parashikuar në nenin 122.
      2. Ligji parashikon marrjen e një vendimi formal lidhur me arkivimin ose fillimin e hetimit mbi bazë të ankesës, ndërkohë që për verifikimin e ankesës nuk parashikohet një akt formal. Arsyeja për këtë është se kohëzgjatja apo veprimet përkatëse që do të marrë ILD-ja me qëllim verifikimin e rrethanave të tilla që justifikojnë fillimin ose jo të hetimit disiplinor nuk është e përcaktueshme që në fillim. Ato janë në diskrecionin e ILD-së, i cili, bazuar edhe në nenin 122, ndërmerr veprime të caktuara për këtë qëllim për të arritur në përfundimin nëse ka vend për hetim apo çështja duhet arkivuar.
      3. Është me rëndësi të mbahet në vëmendje se shqyrtimi paraprak sipas neneve 120dhe 121 duhet të respektojë afatet e vendosura nga neni 118. Pra, ILD,brenda 3 muajve nga paraqitja e ankesës, duhet të vendosë fillimin e hetimit ose arkivimin e ankesës[3]. Kjo periudhë është konsideruar si kohë e arsyeshme për të vlerësuar nëse ka vend për hetim apo jo të fakteve lidhur me rrethanat e pretenduara. Ky afat është i detyrueshëm për të respektuar nga ILD-ja, pasi në të kundërt mosveprimi i tij brenda këtij afati mund të nxisë veprimin e magjistratit subjekt i ankesës për të ushtruar ankim ndaj mosveprimit administrativ. Ky mjet procedural administrativ nuk është vetëm në funksion të eficensës së ILD-së, por edhe të mosbllokimit apo moszvarritjes së procesit dhe potencialisht edhe ushtrimit të presionit ndaj magjistratit me dashje ose jo[4].

       

      1. Njoftimi i vendimmarrjes së ILD-së

       

      1. Vlen të sillet në vëmendje se një nga risitë e ligjeve të reformës në drejtësi është transparenca dhe publiciteti i vendimmarrjes, me qëllim jo vetëm informimin e publikut të gjerë, por sidomos respektimin e të drejtave procedurale të personave të interesuar. Në këtë këndvështrim, është parashikuar edhe detyrimi i ILD-së për t’ia njoftuar ankuesit dhe magjistratit vendimin e arkivimit brenda 5 ditëve nga marrja e vendimit[5]. Ky njoftim i shërben ankuesit të njihet me faktin e ankesës së tij si dhe të ushtrojë të drejtat procedurale, si p.sh.: ankimin ndaj këtij vendimi. Ky ankim shqyrtohet nga komisioni i posaçëm i KLGJ-së i ngritur për këtë qëllim, bazuar në rregullat e parashikuara në aktin e nxjerrë prej tij.[6]

       

      [1] Shih nenin 119, pika 1 e ligjit.

      [2]Shih nenin 119, pika 2.

      [3]Neni 118, pika 1 e ligjit. Ky parashikim ështëi ngjashëm me nenin 47 të ligjit nr.8577/2000, të ndryshuar “Për GJK-në”, i cili vendos afatin 3-mujor për shqyrtimin paraprak të kërkesës nëse do të kalojë për gjykim në seancë plenare apo do të vendoset moskalimi i saj, sipas kritereve të vendosura në nenin 27, 31 dhe 31/a të këtij ligji.

      [4]Neni 118, pika 5.

      [5]Neni 119, pika 4.

      [6]Neni 8 i rregullores “Mbi organizimin dhe funksionimin e komisionit të përkohshëm për shqyrtimin e ankimeve kundër vendimeve të kryeinspektorit të ish-KLD-së për arkivimin e ankesës ose pushimin e hetimit ndaj një gjyqtari”, miratuar me vendimin nr.52, datë 27.3.2019 tëKLGJ-së.

      1. Në kuadër të reformës në drejtësi, ligjet e reja në funksion të organizimit dhe funksionimit të organeve që do të qeverisnin sistemin e drejtësisë, midis të tjerave, kishin në fokus edhe parashikimin e procedurave të posaçme për kontrollin periodik dhe të vazhdueshëm të magjistratëve, me qëllim ngritjen dhe funksionimin e sistemit të llogaridhënies. Në këtë kontekst, si ligji për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, ku parashikohet roli dhe misioni i ILD-së, ashtu edhe ligji për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, në bashkëveprim me njëri-tjetrin, plotësojnë procedurën e hetimit disiplinor që zhvillon ILD-ja. Pjesë e rëndësishme e procedurës është edhe parashikimi shterues i kritereve formale dhe substanciale të ankesës së shtetasve ndaj magjistratëve me qëllim shqyrtimin e saj nga ILD-ja.

       

    • Asnjë koment
    1. Nuk ka standarde ndërkombëtare specifike sa i takon kritereve për pranueshmërinë për shqyrtim të kërkesave/ankesave. Përgjithësisht ato parashikohen në masë të tillë që t’i përgjigjen funksionimit sa më eficient të organeve dhe ekonomisë buxhetore, pa cenuar të drejtën për akses në institucionet publike.
  • 11.Relacioni për projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/relacioni-1.pdf .

     

    1. Procesverbali datë 24.6.2016 i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, për shqyrtimin dhe miratimin e projektligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, http://reformanedrejtesi.al/sites/default/files/procesverbal_date_24.06.2016_0.pdf.
    1. Kushtetuta

    Neni 140, pika 1: “gjyqtari mban përgjegjësi disiplinore, sipas ligjit”; neni 147/d, pika 1: “ILD është përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin me nismë  të shkeljeve dhe fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve”.

     

    1. Ligji për Statusin: neni 118, neni 119, neni 120, neni 122.

    Ligji “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”: neni 194.

     

  • 15. Vendimi nr. 52, datë 27.3.2019 i KLGJ-së, “Për miratimin e rregullores mbi organizimin dhe funksionimin e komisionit të përkohshëm për shqyrtimin e ankimeve kundër vendimeve të kryeinspektorit të ish-KLD-së për arkivimin e ankesës ose pushimin e hetimit ndaj një gjyqtari.”

     

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
Arta Vorpsi
Arta Vorpsi