"PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË "   |   96/2016

Neni 149: Publikimi i vendimeve disiplinore

1Këshilli publikon brenda 2 javëve çdo vendim të formës së prerë për shkarkimin e magjistratëve në faqen zyrtare.

2Këshilli publikon ekstrakte të çdo vendimi përfundimtar për çështje disiplinore, duke përcaktuar rrethanat e fakteve, provat e administruara, vlerën provuese të tyre, si dhe llojin e shkeljes disiplinore të kryer sipas këtyre fakteve. Botimi i ekstrakteve duhet të mbrojë të dhënat personale dhe të garantojë mbrojtjen e konfidencialitetit. Në çdo rast në ekstrakt nuk botohet asnjë informacion që mund të tregojë identitetin e magjistratit.

Përmbajtja

    • 1. Kjo dispozitë rregullon procedurat për publikimin e vendimeve për çështjet disiplinore dhe ekstrakteve të këtyre vendimeve nëfunksion të transparencës dhe ruajtjes së besimit të publikut në miradministrimin dhe përgjegjshmërinë e organeve të drejtësisë.

      2. Publikimi i ekstrakteve të çdo vendimi përfundimtar përçështjet disiplinore, krahas transparencës dhe llogaridhënies, synon të garantojë standarde të njëjta dhe të qëndrueshme për procedimin disiplinor të magjistratit, pa cenuar garancitë për proces të rregullt.

      3. Nga ana tjetër, dispozita vendos kufizime për publikimin e vendimeve për çështjet disiplinore dhe ekstrakteve të këtyre vendimeve në funksion të parimit të konfidencialitetit, të së drejtës së jetës private dhe mbrojtjes së të dhënave personale, në harmoni me kërkesat e nenit 100, pika 1, shkronja “g”, të këtij ligji (shih komentet për këtë nen).

      4. Publikimi i vendimeve për çështjet disiplinore dhe ekstrakteve të këtyre vendimeve si edhe mbajtja e regjistrit për çështjet disiplinore, sipas nenit 150 të këtij ligji, shërbejnë gjithashtu si bazë të dhënash për kryerjen e analizave dhe të studimeve lidhur me zbatimin e ligjit në këtë fushë si edhe për hartimin e politikave për rritjen e efektivitetit në zbatimin dhe respektimin e standardeve etike/profesionale nga ana e magjistratëve.

       

    • 5. Kjo dispozitë rregullon publikimin e vendimeve përfundimtare për shkarkimin e magjistratëve dhe tëekstrakteve tëçdo vendimi përfundimtar për çështje disiplinore. Për këtë detyrim/përgjegjësi ngarkohet Këshilli, si subjekt i dispozitës. Nga ana tjetër, dispozita parashikon disa kufizime në publikimin e këtyre ekstrakteve, respektimi itë cilave është në përgjegjësi të Këshillit përkatës.

      6. Në pikën e parë rregullohet vetëm publikimi i çdo vendimi për shkarkimin e magjistratit. Ky vendim, përpara se të botohet, duhet të jetëi formës së prerë. Kjo nënkupton rastet kur vendimi i Këshillit nuk është ankimuar dhe ka hyrë në fuqi ose ai është ankimuar në gjykatën kompetente dhe është lënë në fuqi nga kjo e fundit. Vendimi që ka marrë formë të prerë për shkarkimin e magjistratit duhet të publikohet brenda dy javëve. Dispozita nuk e përcakton se nga cili moment fillon afati dyjavor duke e lënë të nënkuptuar se ky afat fillon nga momenti kur vendimi për shkarkimin e magjistratitka marrë formë të prerë. Botimi i këtyre vendimeve bëhet në faqen zyrtare të Këshillit. Kjo presupozon që Këshilli ka faqen e tij zyrtare, duke nënkuptuar faqen në internet, e cila duhet të jetë funksionale dhe e aksesueshme.

      7. Në pikën 2 përcaktohen detyrimi për publikimin e ekstrakteve të çdo vendimi përfundimtar për çështje disiplinore, përmbajtja që duhet të ketë ky ekstrakt dhe disa kufizime në botimin e tyre. Detyrimi për Këshillin është që të botojë ekstrakt të çdo vendimi përfundimtar për çështje disiplinore, pavarësisht nga masa disiplinore e dhënë, përveç atyre që kanë vendosur masën e shkarkimit, publikimi i të cilave rregullohet në pikën 1 të dispozitës. Ekstrakti i vendimit duhet të përmbajë këto elemente: rrethanat e fakteve, provat e administruara, vlerën provuese të tyre, si dhe llojin e shkeljes disiplinore të kryer sipas këtyre fakteve.

      8. Dispozita parashikon disa kufizime për publikimin e ekstrakteve të vendimeve përfundimtare për çështje disiplinore. Ekstraktet e vendimeve të publikuara nuk duhet tëcenojnë të dhënat personale, duhet të garantojnë mbrojtjen e konfidencialitetit dhe nuk duhet të tregojnë identitetin e magjistratit. Këtu bëhet fjalë për të dhënat personale të magjistratit si edhe të personave të tretë, të cilët mund të jenë të përfshirë në rrethanat e faktit dhe te provat.Gjithashtu, ekstrakti nuk duhet të përmbajë asnjë informacion që mund të tregojë identitetin e magjistratit ndaj të cilit është marrë masa disiplinore.

      9. Kjo dispozitë, me natyrë procedurale, është një nga tre dispozitat e kreut IV “Ekzekutimi dhe regjistri i masave disiplinore”, në pjesën V të këtij ligji. Parashikimet e kësaj dispozite duhet të lexohen bashkë me ato të neneve të këtij kreu (shih komentet për këto nene), ku përcaktohen ekzekutimi i vendimeve të formës së prerë për masat disiplinore dhe regjistri disiplinor.

       

    • a) Publikimi i vendimit të formës së prerë për shkarkimina) Publikimi i vendimit të formës së prerë për shkarkimin

      10. Në pikën 1 të dispozitës përcaktohet detyrimi për publikimin brenda 2 javëve të çdo vendimi të formës së prerë për shkarkimin e magjistratëve në faqen zyrtare. Me vendim të formës së prerë, siç sqarohet në komentet për nenin 148 të këtij ligji (shih komentet për këtë nen) kuptohet vendimi i Këshillit për shkarkimin e magjistratit,nëse ndaj këtij vendiminuk është ushtruar ankim brenda 15 ditëve nga njoftimi, në Gjykatën Kushtetuese (GJK), ose në rastin kur ndaj këtij vendimiështë ushtruar ankim në GJK dhe është lënë në fuqi nga kjo Gjykatë. Vendimi në këtë rast merr formë të prerë, në ditën e shpalljes së vendimit të arsyetuar të kësaj të fundit. 

      11. Vendimi për shkarkimin duhet të publikohet brenda dy javëve. Në këtë pikë nuk përcaktohet se nga cili moment fillon afati dyjavor. Në mënyrë logjike, ky afat duhet të fillojë nga momenti që vendimi ka marrë formë të prerë. Pra, siç u trajtua më sipër, ky afat fillon pas kalimit të afatit 15-ditor nga njoftimi i vendimit në rastin kur nuk është ushtruar ankim ose nga dita e shpalljes së vendimit të arsyetuar të GJK-së, kur është ushtruar ankim dhe vendimi është lënë në fuqi.

      12. Botimi i këtyre vendimeve bëhet në faqen zyrtare të Këshillit. Ky detyrim është si për të gjitha aktet administrative individuale të Këshillit, në lidhje me statusin e gjyqtarëve ose nëpunësve civilë gjyqësorë, të cilat duhet të bëhen publike në faqen zyrtare të internetit të Këshillit, të shoqëruara me arsyetimin përkatës, pasi të redaktohen për sigurimin e anonimatit të subjekteve, përveç rasteve të parashikuara ndryshe në ligjin për Statusin . Bërja publike e vendimit presupozon që faqja zyrtare e Këshillit të jetë funksionale dhe personat që mund të jenë të interesuar nga publiku të kenë akses në mënyrë të lirë te kjo faqe.

      13. Në pikën 1 të dispozitës nuk tregohet në mënyrë të qartë nëse vendimi për shkarkimin e magjistratit bëhet publik, në mënyrë të plotë, i gjithë vendimi i arsyetuar, duke përfshirë dhe identitetin e magjistratit të shkarkuar. Rregullimi në mënyrë të veçantë i vendimeve të shkarkimit, në dallim nga pika 2, ku rregullohet publikimi i ekstrakteve të vendimeve për çështje disiplinore, mbështet idenë/kuptimin sipas të cilësvendimi i shkarkimit bëhet publik i plotë, duke përfshirë dhe identitetin e magjistratit të shkarkuar. Ky është kuptimi i arsyeshëm/logjikshëm që nxirret edhe nga leximi i rregullit të parashikuar në pikën 3 të nenit 150 (shih komentet për këtë nen), sipas të cilit, masa disiplinore e shkarkimit nga detyra nuk shuhet dhe nuk fshihet nga regjistri disiplinor.Nga ana tjetër, publikimi i vendimit të shkarkimit të magjistratit nuk duhet të cenojë të dhënat personale sipas ligjit.

      14. Ky kuptim reflekton dhe qëllimin për transparencë ndaj vëzhgimit publik dhe përgjegjshmërinë e sistemit të drejtësisë. Kjo ide është reflektuar edhe në procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve e prokurorëve (vettingprocess), parashikuar nga neni 179-b i Kushtetutës. Të gjitha vendimet e organeve të rivlerësimit bëhen publike në faqet zyrtare të këtyre organeve, duke respektuar rregullat për mbrojtjen e të dhënave personale.

      b) Publikimi i ekstrakteve

      15. Detyrimi për publikimin e ekstrakteve të çdo vendimi përfundimtar për çështje disiplinore, sipas pikës 2 të dispozitës, është nëfunksion të transparencës dhe përgjegjshmërisë ndaj publikut. Publikimi i këtyre ekstrakteve si edhe mbajtja e regjistrit për çështjet disiplinore, sipas nenit 150 të këtij ligji (shih komentet për këtë nen), shërbejnë gjithashtu si bazë të dhënash për kryerjen e analizave dhe të studimeve lidhur me zbatimin e ligjit në këtë fushë si edhe për hartimin e politikave për rritjen e efektivitetit në zbatimin dhe respektimin e standardeve etike/profesionale nga ana e magjistratëve.

      16. Publikimi i ekstrakteve të çdo vendimi përfundimtar për çështje disiplinore, siçu përmend më sipër, është detyrim si për të gjitha aktet administrative individuale të Këshillit, në lidhje me statusin e gjyqtarëve ose nëpunësve civilë gjyqësorë, të cilat duhet të bëhen publike në faqen zyrtare të internetit të Këshillit, të shoqëruara me arsyetimin përkatës, pasi të redaktohen për sigurimin e anonimatit të subjekteve .

      17. Ekstrakti është një përmbledhje e vendimit përfundimtar për çështje disiplinore ku evidentohen elementet kryesorë të vendimit. Këto elemente janë: rrethanat e fakteve, provat e administruara, vlerën provuese të tyre, si dhe llojin e shkeljes disiplinore të kryer sipas këtyre fakteve. Kërkesat në lidhje me përmbajtjen e ekstraktit janë pak a shumë të ngjashme me ato për shkurtimin e vendimeve gjyqësore, të parashikuara nga Kodi i Procedurës Penale (KPP) .

      c) Mostregimi i identitetit të magjistratit dhe mbrojtja e të dhënave personale

      18. Dispozita në pikën 2 përcakton disa kufizime për publikimin e ekstrakteve të çdo vendimi përfundimtar për çështje disiplinore. Këto kufizime janë në funksion të parimit të konfidencialitetit, të së drejtës së jetës private dhe mbrojtjes së të dhënave personale, në harmoni me kërkesat e nenit 100, pika 1, shkronja “g”, të këtij ligji (shih komentet për këtë nen).

      19. Këto garanci/kufizime janë parashikuar edhe në ligjin nr. 115/2016. Ligji, në lidhje me Sistemin elektronik të teknologjisë së informacionit, ngarkon me përgjegjësi Këshillin e Ministrave (KM) dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ), ndër të tjera,për të respektuar këto garanci. KM miraton rregulla për politikat e përgjithshme shtetërore për sistemin eteknologjisë së informacionit për sistemin e drejtësisë, që ndër të tjera parashikojnë:garantimin e mbrojtjes së të dhënave personale dhe konfidencialitetin, si dhe mundësinë eçdo personi për të pasur një proces të rregullt gjyqësor ose mundësinë e një autoriteti publik për kryerjen e një hetimi penal .KLGJ-ja, në përputhje me politikat e përgjithshme në fushën e teknologjisë dhe sigurisë sëinformacionit, në bashkëpunim me qendrën e teknologjisë sëinformacionit për sistemin e drejtësisë është përgjegjës për përcaktimin e rregullave për funksionimin dhe sigurinë e sistemit elektronik tëmenaxhimit të çështjeve dhe për mbrojtjen e të dhënave personale të përdorura dhe të ruajturanga sistemi;sigurimin e saktësisë dhe sigurisë së të dhënave dhe mbrojtjen e të dhënave personale .

    • 20. Procedimi disiplinor për magjistratët, përpara miratimit të Ligjit për Statusin, rregullohej nga ligje të ndryshme për gjyqtarët dhe prokurorët. Përgjegjësia disiplinore për gjyqtarët e shkallës së parë dhe të dytë rregullohej nga ligji nr. 8811/2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë” (ligji nr.8811), i ndryshuar, ligji nr. 9877/2008, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar dhe ligji nr. 8678/2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, i ndryshuar. Procedimi disiplinor për gjyqtarët kryhej nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë (KLD) sipas neneve 31 – 35 të kreut V “Procedimi disiplinor” të ligjit nr. 8811/2001 dhe të vendimit nr. 137, datë 21.2.2003 të KLD-së, “Rregullore për procedimin disiplinor të gjyqtarëve”.

      21. Procedimi dhe përgjegjësia disiplinore e prokurorëve, me përjashtim të Prokurorit të Përgjithshëm (PP), rregullohej nga ligji nr. 8737/2001, “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, nenet 28-34. Kompetenca e fillimit të procedimit disiplinor dhe e dhënies së masave disiplinore i përkiste të njëjtit autoritet – Prokurorit të Përgjithshëm (neni 8, pika 1, shkronja “h” dhe neni 28). PP merrte mendimin e Këshillit të Prokurorisë, i cili zhvillonte seancë dëgjimore me prokurorin në procedim (neni 10, pika 3, shkronja “a”, neni 30 dhe neni 31).

      22. Në Analizën e Sistemit të Drejtësisë, Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë ka bërë një paraqitje të situatës së verifikimit të përgjegjësisë disiplinore të gjyqtarëve dhe të prokurorëve, por pa u ndalur tek aspektet specifike të procedimit disiplinor, siç janë dhe rregullimet për bashkimin e procedimeve. Ligji për Statusin, duke reflektuar një qasje të re normative, ka bërë unifikimin e të drejtave dhe detyrimeve të gjyqtarit dhe prokurorit në një tekst ligjor të detajuardhe pothuajse gjithëpërfshirës.Në këtë ligj bëjnë pjesë dhe rregullimet për hetimin dhe procedimin disiplinor. Në relacionin shoqërues/shpjegues të Ligjit për Statusin është evidentuar se: “Procedimi disiplinor rikonceptohet si një sistem garantues ku janë të ndara përgjegjësitë e institucioneve që kryejnë hetimin, institucioneve që marrin vendimin dhe institucioneve që shqyrtojnë ankimin e ushtruar ndaj vendimeve për masat disiplinore, duke i garantuar magjistratit në të gjitha hallkat e kësaj procedure, të drejtën për një proces të rregullt” . Po në këtë kuptim, si një nga synimet e ligjit evidentohet se “bazuar në standardet ndërkombëtare, projektligji përcakton në mënyrë të qartë dhe objektive dispozitat materiale dhe procedurale lidhur me procedimin disiplinor ndaj magjistratëve” . Në këtë relacion nuk janë përmendur të gjitha elementet e ligjit lidhur me rregullat për procedimin disiplinor, por shënohet si risi e Ligjit për Statusin përcaktimi i plotë dhe i qartë i procedurës hetimore dhe disiplinore.

    • 23. Dokumentet bazë ndërkombëtare të përdorura për konceptimin dhe përfshirjen e rregullave për përgjegjësinë disiplinore te Ligji për Statusin, siç citohet edhe në relacionin shpjegues, janë Raporti i Rrjetit Europian për Këshillat e Gjyqësorit (ENCJ) “Standardet Minimale Gjyqësore V, Procedimet disiplinore dhe përgjegjësia e gjyqtarëve”, dhe Opinioni nr.3 (2002) i Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Europianë, për rregullat dhe parimet që normojnë sjelljen profesionale të gjyqtarëve, në veçanti etikën, paanshmërinë dhe papajtueshmërinë me detyrën. Këto dokumente vendosin theksin tek parimi i procesit të rregullt disiplinor.

  • Shih standardet dhe referencat te komentet për nenin 138.

     

  • - Analizë e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, qershor 2015, hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/dokumenti_shqip_0.pdf.

    - Relacioni për projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/relacioni-1.pdf .

     

  • Kushtetuta:
    - Neni 147/1 i Kushtetutës.
    - Neni 149/1 i Kushtetutës.
    - Nenet 147/a, pika 1, shkronjat “b” dhe “ç”, 149/a, pika 1, shkronjat “b” dhe “ç” të Kushtetutës.

    Ligji:
    - Kodi Penal dhe Kodi i Procedurës Penale
    - Ligji nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në RSH”, nenet 100-147.
    - Ligji nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, ndryshuar me ligjin nr.47/2019, nenet 100 dhe 192, nenet 83/1 dhe 182/1, nenet 97 dhe 189.
    - Ligji nr.44/2015, “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”, nenet 104, 167.
    - Ligji nr. 8577, datë 10.2.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, i ndryshuar, neni 72, pika 6.

    Vendime
    - Vendime të Gjykatës Kushtetuese nr.11, datë 2.4.2008; nr.7, datë 9.3.2009; nr. 23, datë 23.7.2009; nr.38, datë 30.12.2010.
    - Vendimi Unifikues i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, nr.2, datë 3.11.2014, E.B. kundër prokurorisë së krimeve të rënda, Parashkrim të ekzekutimit të vendimit penal, parag. 18.

     

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Kushtetuta:
    - Kushtetuta, nenet 140 dhe 149, pika 2 të Kushtetutës, përpara ndryshimit me ligjin nr. 76/2016;

    Ligje:
    - Ligji nr. 9877/2008, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
    - Ligji nr. 8811/2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, i ndryshuar.
    - Ligji nr. 8678/2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, i ndryshuar.
    - Ligji nr. 8737/2001, “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

    Akte nënligjore
    - Vendimi nr. 137, datë 21.2.2003 iKLD-së, “Rregullore për procedimin disiplinor të gjyqtarëve”.

     

Sokol Berberi
Sokol Berberi