"PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË "   |   96/2016

Neni 58: Rregulla të detajuara për komandimin

1. Këshillat miratojnë rregulla të detajuara për komandimin, pasi kanë marrë mendimin e institucioneve ku komandohen magjistratët, për të siguruar që përvoja profesionale e magjistratit të shërbejë në institucionet ku komandohet. Këto rregulla parashikojnë:

a. kohëzgjatjen maksimale të çdo komandimi jo më shumë se pesë vjet dhe parashikime të ndryshme mund të përcaktohen për raste të ndryshme;

b. numrin maksimal të periudhave, gjatë të cilave magjistrati mund të komandohet, dhe parashikime të ndryshme mund të bëhen për raste të ndryshme;

c. njohjen e rezultateve të vlerësimit, në përputhje me parashikimet në këtë kre dhe rregullat për përshtatjen e parashikimeve për vlerësimin etik dhe profesional për pozicionet si ndihmësmagjistrat.

Përmbajtja

      1. Kjo dispozitë ka për qëllim të delegojë tek KLGJ dhe KLP nxjerrjen e akteve nënligjore për të rregulluar çështje të ndryshme që lidhen me institutin e komandimit. Qëllimi i dispozitës është plotësimi i kuadrit normativ për komandimin e magjistratëve nga vetë organet që administrojnë gjyqësorin dhe prokurorinë duke mbajtur parasysh parimet e vendosura nga ky ligj.
      1. Kjo dispozitë ka si objekt rregullimin e autonomisë normative që i është njohur Këshillave përkatës të magjistratëve prokurorë dhe gjyqtarë nga dispozitat kushtetuese, si dhe nga ligjet organike me qëllim nxjerrjen e akteve nënligjore të nevojshme për rregullimin e aspekteve të posaçme të komandimit.
    • Autonomia normative e Këshillave mbi komandimin

      1. Ligji nuk është mjaftuar vetëm me rregullimet e drejtpërdrejta të tij, por ka lejuar që të normohen edhe më tej aspekte funksionale të komandimit. Kështu është parashikuar se Këshillat miratojnë rregulla të detajuara për komandimin, pasi kanë marrë mendimin e institucioneve ku komandohen magjistratët, për të siguruar që përvoja profesionale e magjistratit të shërbejë në institucionet ku komandohet. Shprehja e mendimit të institucioneve ku kryhet komandimi do të ndihmojë Këshillat të përcaktojnë rregullat më të detajuara dhe të përshtatshme të komandimit, i cili nuk jep efekte vetëm për magjistratin por edhe për institucionet ku ato komandohen. Pavarësisht se këto institucione do të kenë vetëm karakter këshillimor dhe mendimi nga Këshillat do t’u kërkohet paraprakisht për mënyrën se si vlerësojnë ato se duhet të rregullohen me norma nënligjore çështjet të cilat nga ligji i lihen Këshillave, marrja e mendimit është e rëndësishme për të krijuar edhe idenë nëse komandimi i është përgjigjur apo jo nevojave dhe pritshmërive të institucionit por edhe nëse magjistrati i komanduar ka arritur të realizojë në përputhje me këto nevoja dhe pritshmëri detyrën e tij gjatë periudhës së komandimit. Ky proces merr rëndësi sidomos në rastet kur komandimi duhet të konfirmohet, pra kur magjistrati dhe institucioni kërkojnë që të zgjatet edhe me 5 vjet periudha e komandimit. Organet kushtetuese dhe ligjore vendimmarrëse janë secili prej Këshillave për të gjitha çështjet që parashikon në mënyrë shteruese neni 58 i Ligjit për Statusin.

       

      1. Neni 58 i Ligjit për Statusin parashikon se rregullat që do të nxirren nga Këshillat mbi institutin e komandimit të magjistratëve duhet të parashikojnë: a) kohëzgjatjen maksimale të çdo komandimi jo më shumë se pesë vjet dhe parashikime të ndryshme që mundet të bëhen për raste të ndryshme; b) numrin maksimal të periudhave, gjatë të cilave magjistrati mundet të komandohet, dhe parashikime të ndryshme që mundet të bëhen për raste të ndryshme; c) njohjen e rezultateve të vlerësimit, në përputhje me parashikimet ligjore dhe ç) rregullat për përshtatjen e parashikimeve për vlerësimin etik dhe profesional për pozicionet si ndihmësmagjistrat. Këto rregulla zbatohen vetëm për komandimin me pëlqim. Kompetenca e Këshillave për të rregulluar me akte nënligjore normative komandimin e detyruar apo komandimin e magjistratëve të sapoemëruar parashikohet në pikën 3 të nenit 40 të Ligjit për Statusin. Megjithatë nuk ka ndonjë pengesë që këto rregulla të vlejnë edhe për komandimin me pëlqim.

       

      Rregullimi ligjor i mëparshëm

      1. Ligjet e mëparshme organike tashme të shfuqizuara[1], që përmbanin norma mbi komandimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, nuk parashikonin nevojën e një rregullimi më të detajuar mbi komandimin. Gjithashtu, ata nuk parashikonin as kompetencën e Këshillit të Lartë të Drejtësisë apo Prokurorit të Përgjithshëm për të rregulluar me akte nënligjore aspekte të cilat nuk kishin gjetur hapësirë në ligj. Kjo do të thotë se legjislatori i ka kushtuar shumë vëmendje në ligj dhe në akte nënligjore rregullimit të institutit të komandimit, duke ndryshuar qasje mbi rëndësinë e këtij instituti.

       

      [1] Shiko nenin 15 të Ligjit Nr. 8811, datë 17.05.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, nenin 28 të Ligjit Nr. 9877, datë 18.02.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” dhe nenin 44 të Ligjit nr. 8737, datë 12.2.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”.

      1. Konteksti historik në të cilin është miratuar dispozita është pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2016, që hynë në fuqi me datë 11.08.2016. Vetë Ligji për Statusin u miratua në kuadër të reformës në sistemin e drejtësisë, si një ndër ligjet kryesore organike të paketës së ligjeve të reformës në drejtësi. Kjo reformë u parapari nga dy dokumente të rëndësishëm strategjikë: (i) Dokumenti Analitik i Sistemit të Drejtësisë[1]; dhe (ii) Strategjia e Reformës në Drejtësi[2]. Këta dokumente të rëndësishëm që u miratuan nga Komisioni i Posaçëm Ad Hoc për Reformën në Drejtësi (ndonëse i dyti vetëm në parim për shkak të mosmarrëveshjeve politike) përcaktuan problemet e sistemit dhe drejtimet që do të ndiqte reforma për t’i adresuar ato (problemet).

       

      [1] Vendimi nr. 14, datë 30.07.2015 i Komisionit Parlamentar për Reformën në Drejtësi.

      [2] Vendimi nr. 15, datë 30.07.2015 i Komisionit Parlamentar për Reformën në Drejtësi.

      1. E drejta ndërkombëtare e detyrueshme për Republikën e Shqipërisë nuk përmban dispozita që të jenë drejtpërsëdrejti relevante për regjimin juridik të komandimit të magjistratëve në veçanti. Në përgjithësi marrëveshjet ndërkombëtare të detyrueshme për Shqipërinë kanë parashikime për standardet e detyrueshme për t’u ndjekur nga legjislacioni i brendshëm lidhur me statusin e magjistratëve. Këto standarde janë mbajtur parasysh edhe në rregullimin ligjor të posaçëm të komandimit.
  • Asnjë koment
  • Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”;

    http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/relacioni-1.pdf (vizituar me datë 25.04.2017);

    Vendimi nr. 14, datë 30.07.2015 i Komisionit Parlamentar për Reformën në Drejtësi.

    Vendimi nr. 15, datë 30.07.2015 i Komisionit Parlamentar për Reformën në Drejtësi.

  • Neni 118 i Kushtetutës;

    Neni 61, 159 i Ligjit Nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”;

    Neni 40, Nenet 53 – 58, Neni 174 i Ligjit Nr. 96/2016 “Për Statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

  • Kushtetuta;

    Ligji Nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”;

    Kushtetuta, e ndryshuar;

    Ligji Nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”;

    Vendimi Nr. 41, datë 16.05.2017 i Gjykatës Kushtetuese, me kërkues 1/5 e deputetëve dhe me objekt shfuqizimin e Ligjit Nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”;

    Ligji Nr. 8811, datë 17.05.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”;

    Ligji Nr. 9877, datë 18.02.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”;

    Ligji nr. 8737, datë 12.2.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”;

    Relacion për projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”;

    http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/relacioni-1.pdf (vizituar me datë 25.04.2017);

    Analizë e sistemit të Drejtësisë në Shqipëri” (dokument i hapur për vlerësime, komente dhe propozime) i hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë;

    http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/dokumenti_shqip_0.pdf (vizituar me datë 20.04.2017);

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Neni 28 i Ligjit Nr. 9877, datë 18.02.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”;

    Neni 25, 44 i Ligjit nr. 8737, datë 12.2.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”;

    Neni 20, 21 i Ligji Nr. 8588, datë 15.3.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë”;

    Neni 14 i Ligjit Nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese në Republikën e Shqipërisë”;

    Neni 14, 15, 16 i Ligjit Nr. 8811, datë 17.5.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”.

Florjan Kalaja
Marsida Xhaferllari, Arta Vorpsi, Gent Ibrahimi, Alma Faskaj (Vokopola)