"PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË "   |   96/2016

Neni 63: Mbarimi i mandatit të kryetarit

1Mandati i kryetarit është trevjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë, me përjashtim të rasteve kur në ligj parashikohet ndryshe.

2Mandati i kryetarit mbaron menjëherë me mbarimin e periudhës për të cilën është caktuar.

3Raste të tjera të mbarimit të mandatit të kryetarit janë:

akur mbaron statusi si magjistrat, për arsyet e listuara në nenin 64 të këtij ligji;

bkur kandidon për pozicionin e anëtarit të Këshillit.

4Mbarimi i mandatit deklarohet me vendim të Këshillit përkatës.

5Në fund të mandatit si kryetar, ai ka të drejtë të vazhdojë të ushtrojë pozicionin si magjistrat në gjykatën ose prokurorinë përkatëse.

Përmbajtja

    • 1. Qëllimi i nenit 63është të ofrojë sa më shumë qartësi dhe parashikueshmëri për ushtrimin nga magjistrati të funksionit drejtues të gjykatës ose prokurorisë, duke përcaktuar elementet e domosdoshme të fillimit të mandatit, përtëritjes ose jo të mandatit, si dhe mbarimit të mandatit të kryetarit dhe efektet e tij, sipas rastit.

       

    •    1. Subjektet

      2. Neni 63 ka për subjekt magjistratin që zgjidhet kryetar i gjykatës ose prokurorisë, sipas mandatit të përcaktuar në këtë dispozitë. Pozicioni i kryetarit konsiderohet ngritje në detyrë, prandaj afati i qëndrimit në këtë funksion dhe rastet e mbarimit të mandatit si kryetar ka rregullime të posaçme, të cilave i nënshtrohet magjistrati që ushtron dhe funksionin e kryetarit. Nisur nga fakti se funksioni i kryetarit është pozicion i kufizuar në kohë (3 vjet me ose pa të drejtë rizgjedhjeje, sipas rastit), rregullimet për të janë përfshirë në kreun VII “Mandati i kufizuar”.

      3. Gjithashtu, neni 63 ka për subjekt edhe këshillat përkatës, të cilët deklarojnë përfundimin e mandatit të kryetarit të gjykatës ose prokurorisë. Në fakt, kjo nuk është e vetmja kompetencë që ka këshilli në raport me procedurën e zgjedhjes ose mbarimit të mandatit të kryetarit. Këshilli ka detyrimin të vlerësojë pasurinë dhe figurën e magjistratit që kërkon të rizgjidhet/riemërohet si kryetar. Në rast se kryetari në detyrë nuk riemërohet ose jep dorëheqjen, këshilli shpall vendin e lirë (neni 52, pika 3-6). Në këtë proces këshilli ushtron detyrën e tij për të deklaruar fillimin e mandatit të kryetarit, ndërsa në përfundim të kohëzgjatjes së mandatit, deklaron mbarimin e tij.

          2. Struktura

      4. Neni 63 është neni i fundit i kreut V “Ngritja në detyrë”, të pjesësIII “Zhvillimi i karrierës së magjistratëve” dhe i kushtohet një mandati tjetër të kufizuar në kohë, atij të kryetarit të gjykatës ose prokurorisë, sipas rastit. Lidhur me këtë mandat dispozita parashikon kohëzgjatjen e tij, mbarimin e menjëhershëm në momentin kur përfundon afati për të cilin është zgjedhur, dhe rastet e tjera të përfundimit të mandatit, i cili deklarohet nga këshilli përkatës. Gjithashtu, kjo dispozitë rithekson ndarjen e mandatit të kryetarit nga ushtrimi i mëtejshëm i funksionit të magjistratit në gjykatën ose prokurorinë përkatëse, i cili vazhdon të ushtrohet prej tij edhe pas përfundimit të mandatit si kryetar.

      5.Neni 63 përbëhet nga 5 pika, ku pika 1 përcakton kohëzgjatjen e mandatit të kryetarit i cili është 3 vjet me të drejtë rizgjedhjeje, nëse ligji nuk parashikon ndryshe në raste të caktuara. Ligji parashikon në dispozita të tjera mandate të ndryshme ose të papërsëritshme për disa drejtues/kryetarë që do të përmenden më poshtë.

      6. Pika 2 vendos detyrimin që mandati i kryetarit mbaron menjëherë me mbarimin e periudhës për të cilën është caktuar. Pra, sipas këtij parashikimi nuk është e mundur që kryetari të vazhdojë të qëndrojë në detyrë edhe pasi i ka përfunduar koha e qëndrimit deri në zgjedhjen e pasardhësit. Në këtë rast kompetencat e kryetarit i ushtron zëvendëskryetari (neni 26, pika 2 e ligjit nr.98/2016, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor”).

      7. Më tej pika 3 rendit rastet e mbarimit të mandatit të kryetarit, përveç atij të përfundimit të kohëzgjatjes së afatit për të cilin u zgjodh. Ato janë: a) mbarimi i statusit të magjistratit, b) kandidimi për pozicionin e anëtarit të Këshillit. Është e qartë se nëse mbaron statusi i magjistratit, mbarojnë edhe funksionet ose detyrat e tjera të lidhura me të. Gjithashtu, ligjvënësi ka preferuar të ndajë funksionin e kryetarit nga ai i anëtarit të këshillit, duke mos lejuar që një magjistrat në pozicionin e kryetarit të kandidojë për anëtar këshilli. Në këtë rast, magjistrati duhet të japë dorëheqjen nga pozicioni i kryetarit nëse dëshiron të kandidojë për anëtar këshilli.

      8. Së fundmi, pika 5 urdhëron të kundërtën e pikës 2 shkronja “a” të këtij neni: magjistrati vazhdon të qëndrojë në detyrë si i tillë edhe pasi përfundon mandatin e kryetarit. Ndërsa kur mbaron statusi i magjistratit, përfundon edhe mandati i kryetarit. Kjo pasi ushtrimi i detyrës si kryetar konsiderohet ngritje në detyrë në funksionin e magjistratit dhe kjo ndodh vetëm gjatë kohës që ai ushtron detyrën si magjistrat (shih nenin 47, pika 1, shkronja “c”).

       

    • a) Mbarimi i mandatit të kryetarit 


      9. Në mënyrë të përmbledhur rastet e mbarimit të mandatit të kryetarit sipas nenit 63 janë, kur: I. Përfundon afati 3 ose 6-vjeçar, sipas rastit (pika 1);II. Mbaron statusi i magjistratit (pika 3, shkronja “a”);III. Magjistrati kandidon për pozicionin e anëtarit të Këshillit (pika 3, shkronja “b”).
      10. Lidhur me nënpikën (I) afati 3-vjeçar mund të jetë i përsëritshëm ose jo, në varësi të parashikimit ligjor. Kështu, për kryetarin e gjykatës së shkallës së parë dhe të apelit parashikohet rizgjedhja vetëm një herë e kryetarit (neni 52, pika 1, fjalia 1). Kryetari i Gjykatës së Lartë (GJL) dhe Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme zgjidhet për 3 vjet pa të drejtë rizgjedhjeje (përkatësisht neni 51, pika 1 dhe neni 52, pika 1, fjalia 2). Pra, dallimi në fakt është midis gjykatave të shkallës së parë e të apelit  dhe GJL-së. Kjo e fundit mund të zgjedhë kryetarin nga radhët e saj vetëm për një mandat 3-vjeçar pa të drejtë rizgjedhjeje. Arsyeja për këtë dallim mund të jetë shmangia e koorporatizmit në nivelet më të larta të gjyqësorit dhe krijimi i hapësirave për të sjellë frymë të re periodikisht për shkak të veçantisë që paraqet GJL-ja në krahasim me gjykatat e tjera. Gjithashtu, duke pasur parasysh se mandati i gjyqtarit të GJL-së është i caktuar në kohë, pra 9 vjet, mandati i kryetarit nëse do të ishte i përsëritshëm do të mbivendosej për pjesën më të madhe të mandatit me atë të gjyqtarit duke zënë më shumë hapësirë se funksioni kryesor që ai duhet të ushtrojë, pra atë të gjyqtarit. E njëjta gjë vlen edhe për drejtuesin e prokurorisë së posaçme, i cili caktohet për një mandat 9-vjeçar. 
      11. Sa i takon nënpikës (II), është e natyrshme që me përfundimin e statusit të magjistratit, përfundon dhe mandati i kryetarit të gjykatës ose prokurorisë. Funksioni i kryetarit është i lidhur me atë parësor të magjistratit dhe nëse ky i fundit nuk mund të ushtrohet më, mbaron dhe mandati i kryetarit. Rastet e mbarimit të statusit janë të parashikuara me hollësi në nenin 64 të këtij ligji, ku parashikohen si shkaqe që çojnë në përfundimin e funksionit të magjistratit: dorëheqja, vërtetimi i kushteve të pazgjedhshmërisë dhe papajtueshmërisë, mbushja e moshës së pensionit, shkarkimi nga detyra, pamundësia për të ushtruar detyrën (shih nenin 64).
      12. Rasti më i veçantë që parashikon neni 63, i cili çon në mbarimin e mandatit të kryetarit është kur ai kandidon për pozicionin e anëtarit të Këshillit. Veçantia qëndron në faktin se mbarimi i mandatit lidhet jo me zgjedhjen si anëtar këshilli, por me kandidimin për këtë qëllim. Ligjvënësi me këtë parashikim ka pasur si synim të parandalojë çdo përpjekje për të shfrytëzuar pozicionin drejtues të magjistratit për të ndikuar në radhët e kolegëve të tij që do të votojnë për zgjedhjen e anëtarit të këshillit përkatës. Gjithashtu, duke qenë se pozicioni i kryetarit është ngritje në detyrë, një magjistrat nuk mund të kandidojë për një pozicion tjetër drejtues apo me mandat ndërkohë që mban një mandat të caktuar. Funksioni i magjistratit duhet të ketë në fokus ushtrimin e detyrës si gjyqtar ose prokuror jo vetëm kandidimin për pozicione që e largojnë atë nga ky funksion, qoftë dhe përkohësisht. Pavarësisht se ligji e lidh me kandidimin dhe jo me zgjedhjen/qenien e tij anëtar i këshillit, kjo gjë shmang pabarazinë në garë midis kryetarit në detyrë dhe kandidatëve të tjerë që kanë shprehur dëshirën të zgjidhen anëtarë të këshillave. Edhe kjo masë është në kuadër të minimizimit sa më shumë të ndikimit që mund të kenë si anëtarët e këshillave që vijnë nga gjyqësori ose prokuroria në karrierën e tyre personale ashtu edhe vetë gjyqtarët dhe prokurorët që synojnë të zgjidhen anëtarë të këshillave duke shfrytëzuar pozicionin e tyre si drejtues në gjykatat ose prokuroritë ku ushtrojnë funksionin.
      13. Në çdo rast, pavarësisht shkakut të përfundimit të mandatit, këshilli deklaron mbarimin e mandatit si kryetar, (pika 4) duke i hapur rrugë kështu zgjedhjes së kryetarit të ri ose rizgjedhjes së atij në detyrë (shih nenin 52).


       b) Efektet e mbarimit të mandatit


      14. Neni 63 ka parashikuar edhe disa efekte të mbarimit të mandatit të kryetarit. Ato janë:I. Mosqëndrimi në detyrën e kryetarit deri në zgjedhjen e kryetarit të ri (pika 2);II. Vazhdimi i ushtrimit të detyrëssi magjistrat në gjykatën ose prokurorinë përkatëse(pika 5). 
      15. Vlen të përmendet se ndryshe nga rasti kur magjistratit i mbaron statusi dhe mund të qëndrojë në detyrë deri në emërimin e pasardhësit, në rastin e kryetarit të gjykatës ose drejtuesit të prokurorisë kjo gjë jo vetëm që nuk është lejuar, por është ndaluar shprehimisht. Pika 2 ka përcaktuar shprehimisht se mandati i kryetarit mbaron menjëherë me mbarimin e periudhës për të cilën është caktuar, pra do të qëndrojë 3 vjet nga data e zgjedhjes së tij, sipas vendimit të këshillit përkatës. Kjo gjë është në pajtim edhe me parashikimin ligjor të nenit 51 dhe 52 të ligjit që parashikojnë procedura të hollësishme për fillimin e procesit të zgjedhjes së kryetarit të ri ose të riemërimit të atij në detyrë para përfundimit të mandatit me qëllim plotësimin në kohë të këtij detyrimi ligjor.
      16. Së fundmi, siç u tha dhe më lart, referuar pikës 5 mbarimi i mandatit të kryetarit nuk kushtëzon qëndrimin në detyrë të magjistratit, i cili vazhdon funksionin e tij deri në plotësimin e një prej kushteve të nenit 64 që parashikon mbarimin e statusit të magjistratit.

      1. Para hyrjes në fuqi të kësaj dispozite, ligji nr. 9877/2008, “Për organizimin e pushteti gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” në nenet 16 dhe 17 parashikonte kritere në lidhje me emërimin, kohëzgjatjen në detyrë dhe ripërtëritjen e një mandati të dytë të kryetarit të gjykatave të shkallëve të para dhe apeleve. Emërimi i kryetarëve bëhej nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë sipas procedurës së parashikuar në vendimin nr. 227/2, datë 28.3.2008, “Për funksionin drejtues në Gjykata”, përmes kritereve të paqarta dhe të pamjaftueshme për të garantuar transparencë dhe objektivitet në përzgjedhjen, si dhe duke mos parashikuar të drejtën e ankimin ndaj vendimit të Këshillit. Kështu ligji i ri ofron garanci më të shumta në këtë drejtim duke i vlerësuar si pozicione karriere pozicionet për kryetar gjykate ose prokurorie[1].
      2. Para ndryshimeve kushtetuese të vitit 2016, Kryetari i Gjykatës së Lartë sipas nenit 136 të Kushtetutës emërohej nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit për një mandat deri në 9 vjet, pra për sa kohë kishte mandat si gjyqtar mund të qëndronte edhe kryetar. Tashmë kryetari i GJL-së zgjidhet me mandat 3 vjeçar pa të drejtë rizgjedhje. Ligji i ri duke garantuar transparencë dhe objektivitet në përzgjedhjen e kryetarit përmes procedurave të hollësishme dhe kritereve të qarta vlerësuese profesionale dhe organizative, siguron pavarësinë e sistemit gjyqësor pasi parashikon se janë vetë anëtarët e Gjykatës së Lartë që kryejnë procedurën dhe vlerësimin e kandidatëve, bazuar në kritere të hollësishme profesionale, si dhe në parimin e transparencës dhe publicitetit.Gjithashtu, tashmë ka dhe shkaqe të qarta kur përfundon mandati i kryetarit të gjykatës ose drejtuesit të prokurorisë.

       

      [1]http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/relacioni-1.pdf

       

    • Asnjë koment
    1. OSCE, Rekomandimet e Kevit mbi Pavarësinë e Gjyqësorit në Evropën Lindore, Kaukazin Jugor dhe Azinë Qendrore, Kiev, 2010, pika 15 dhe 16, Limited Term of Office 15. Courtchairpersonsshould be appointedfor a limitednumberofyearswith the optionofonlyonerenewal. In caseofexecutiveappointment, the term should be short withoutpossibilityofrenewal. Transparent andIndependentSelectionofCourt Chairpersons16. The selectionofcourtchairpersonsshould be transparent. Vacanciesfor the post ofcourtchairpersons shall be published. All judgeswith the necessaryseniority/experiencemayapply. The bodycompetent to selectmayinterview the candidates. A goodoptionis to have the judgesof the particularcourtelect the courtchairperson. In caseofexecutiveappointment, an advisorybody - such as a JudicialCouncil or QualificationCommission - takingalsointoconsiderationviewsfrom the localbench, should be entitled to make a recommendationwhich the executivemayonlyreject by reasoneddecision. In thiscase the advisorybodymayrecommend a differentcandidate. Additionally, in order to protectagainstexcessiveexecutive influence, the advisorybodyshould be able to override the executiveveto by qualifiedmajority vote.

    http://ww.osce.org/odihr/KyivRec?download=true  e vizituar për herë të fundit më 14.5.2017.

     

  • Relacioni për projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”,https://www.parlament.al/Files/ProjektLigje/Relacioni-1.pdf 

    Procesverbali i shqyrtimit të projektligjit,“Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, në komisionin parlamentar adhoc 2016”, http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/procesverbal_date_23.09.2016.pdf

     

  • Kushtetuta:Neni 147/a, 149/a.

     Ligji për Statusin: nenet 47, 51, 52

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Neni 136 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë para ndryshimeve të vitit 2016.

    Nenet 16, 17 të ligjit nr. 9877/2008,  “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”.

    Vendimi nr. 227/2, datë 28.3.2008 i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, “Për funksionin drejtues në Gjykata”.

Sokol Sadushi
Sokol Sadushi